Pas Rita Orës, një tjetër këngëtar shqiptar me famë botërore është sensibilizuar me familjet e prekura nga tërmeti i 26 nëntorit. Këngëtari Ermal Meta i është përgjigjur thirrjes së kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe ashtu si Rita Ora ka vendosur që me financat e tija të ndërtojë një tjetër shtëpi të shkatërruar nga tërmeti.
Lajmin e ka bërë të ditur vet Ermal meta nëpërmjet një mesazhi në rrjetet sociale teksa i bën thirrje edhe figurave të tjera por edhe fansave të tij që të kontribuojnë për ti ardhur në ndihmë Shqipërisë në këto moment të vështira.
“Kam ndjekur me shqetësim këto ditë ngjarjet në Shqipëri dhe bashkohem me dhimbjen e atyre që humbën njerëzit e tyre të dashur. Vendosa t’i bashkohem apelit të Erion Veliaj duke dhënë kontributin tim për të ndihmuar në ringritjen e shtëpisë së familjes Alla, që Brisilda, Erseda, Erildi dhe familja e tyre të mos e kalojnë dimrin mes rrënojave e të ftohtit. Por ashtu si familja Alla, ka ende shumë të tjera që kanë nevojë për ndihmën tonë dhe unë do t’ju lutesha të jepnit të gjithë një kontribut, sado i vogël qoftë nëpërmjet portalit https://e-albania.al”, – shkruan Ermal Meta në rrjetin social instagram.
Ndërkohë që po ashtu ai ka publikuar që më parë në faqet e tija në rrjetet sociale edhe thirrjen për të ndihmuar financiarisht Shqipërinë për të përballuar pasojat e tërmetit të datës 26 nëntor. “Edhe pak bën ndryshim. Nëse mundeni shpërndajeni ju lutem”, shkruan Meta ndërsa ka publikuar mesazhin sensibilizues për të kontribuar në përballimin e kësaj situate. /atsh