Këngëtarja Arilena Ara do të përfaqësojë Shqipërinë në festivalin më të madh europian “Eurovision”, që vitin e ardhshëm do të zhvillohet në Holandë.
Festivali i Këngës në Radio-Televizionin Shqiptar mbylli mbrëmjen e djeshme edicionin e 58-të të duke shpallur fituese këngën me titull “Shaj”, të kënduar nga Arilena Ara.
Juria e përbërë nga këngëtari edhe producenti Christer Bjorkman, kompozitori grek Dimitris Kontopoulos, kineasti Felix Bergsson edhe dy shqiptarë, që janë muzikologia Mikaela Minga dhe poetja Rita Petro vlerësuan gjithashtu me çmim të dytë këngëtaren Elvana Gjata me këngën “Tana” dhe me çmim të tretë këngëtaren Sara Bajraktari me këngën “Ajër”.
Teka mori kupën e festivalit, mes emocionesh Arilena Ara u shpreh se “kjo është për ju”.
Këngëtarët që kaluan garën për në natën finale në këtë edicion të 58-të me regji të Vera Grabockës edhe nën prezantimin e Alketa Vejsiut ishin Arilena Ara me “Shaj”, Elvana Gjata me “Me tana”, Bojken Lako me “Ma la seen”, Sara Bajraktaraj me “Ajër”, Kamela Islamaj me “Më ngjyros”, Era Rusi me “Eja merre”, Valon Shehu me “Kutia e pandorës”, Tiri Gjoci me “Gotën bosh”, Robert Berisha me “Ajo nuk është unë”, Olta Boka me “Botë për dy”, Albëria Adërgjonaj me “Ku ta gjej dikë ta dua” dhe Gena me “Shqiponja e lirë”.
Të ftuar në natën e fundit të festivalit ishin këngëtarja me origjinë shqiptare Eleni Foureira, këngëtarja e njohur italiane Giusy Ferreri, si dhe këngëtarja e njohur shqiptare Ema Qazimi, të cilat u duartrokitën gjatë nga publiku i pranishëm në sallë.
Arilena Ara numëron mbi 154 milionë shikime me këngë si “Nëntori”, “I’m sorry”, “Nallane 3”, “Aeroplan”, “Rroke Toke”, “Snow in December” etj.
Këngëtarja shkodrane ka kryesuar klasifikimet ndërkombëtare në rrjete si Shazam apo Itunes për javë me radhë me këngën “Nëntori”, këngë kjo që i preu biletën për festivalet prestigjioze “Europa Plus” në Rusi dhe “Astana Dausy” në Kazakistan në vitin 2016. Albumi i saj i parë me 5 këngë festash i dha Arilenës mbi 5 milion klikime e hite si “Zemër” apo “Snow in December”./atsh