Loading...

Rikualifikimi urban në Dhërmi e Himarë/ Banorët nisin përshtatjen e banesave në bujtina apo restorante tradicionale

Rikualifikimi urban dhe restaurimi në Dhërmi e Himarë kanë nxitur banorët të bëjnë investime private, në ambientet e brendshme të shtëpive të tyre, për t’i përshtatur ato si bujtina apo restorante tradicionale të zonës, duke realizuar kështu objektivin e përgjithshëm të programit, që është nxitja e zhvillimit të qëndrueshëm, në zonat me potencial të lartë turistik, duke përmirësuar infrastrukturën, mbrojtur mjedisin dhe trashëgiminë kulturore.

Fond shqiptar i Zhvillimit informoi të hënën se po vijon puna për zbatimin e investimeve në fshatrat e jugut.

Aktualisht në Himarë po punohet me shtrim kondra bordurash dhe pllaka guri për trotuarët, tek rruga kryesore dhe rrugët sekondare, në një total 90m2. Në rrugët sekondare sipas FSHZH-së, gjithashtu po avancojnë dhe punimet për shtrimet asfaltike.

Ndërkohë në Dhërmi po kryhen punimet përfundimtare në ballkonin panoramik, që përfshijnë vendosjen e ndriçimit led, punime gjelbërimi, lyerje, pastrime dhe vendosjen e stolave në sheshin Petro Marko.

Projekti i cili po zbatohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, financohet nga qeveria shqiptare dhe Banka e Këshillit të Europës (CEB).

Paraprakisht është punuar dhe për ndërtimin e rrjetit inxhinierik nëntokësor dhe rikonstruksionin e kalldrëmeve.

Projekti për rikualifikimin urban dhe restaurimin në Dhërmi dhe Himarë është pjesë e programit të investimeve “Punët në Komunitet IV- Zhvillimi i Alpeve Shqiptare dhe Zonës Bregdetare”.

Ky program përfshin një sërë investimesh në bregdetin e jugut, rajonin e Alpeve, qarqet Vlorë, Gjirokastër, Dibër, Shkodër dhe bashkitë Himarë, Vlorë, Gjirokastër, Mat, Pukë./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com