Loading...

Delvinë, nis montimi i urës në fshatin Vanë/ Prefekti Mamaj për ATSH: Së shpejti në funksion të banorëve

Në fshatin Vanë të Delvinës ka filluar sot montimi i urës bailey, rreth 70 m e gjatë, e dëmtuar në fillim të nëntorit si pasojë e reshjeve të dendura të shiut.

Në mungesë të një projekti konkret për rehabilitimin e saj, Prefekti i qarkut Vlorë, Flamur Mamaj në bashkëpunim me kryetaren e bashkinë së Delvinës, Majlinda Qilimi, morën masa urgjente për të bërë të mundur rehabilitimin e kësaj ure.

Prefekti Mamaj së bashku me kryetaren Qilimi, inspektuan sot punimet për rehabilitimin e kësaj ure.

“Forcat xheniere, pavarësisht kushteve të këqija atmosferike, ne harkun kohor të 6 ditëve kanë qenë në terren duke punuar për betonizimin e këmbës së urës, për realizimin e të cilës kanë kontribuar 2 biznese të zonës. Konkretisht ka përfunduar pjesa e infrastrukturës së bazamentit të urës dhe sot trupat xheniere kanë filluar montimin e urës bailey. Me përfundimin e montimit kjo urë do të jetë e aksesueshme për rreth 350 banorët e këtij fshati”, – tha për ATSH-në prefekti Mamaj.

Prefekti Mamaj shprehet se në të ardhmen kjo urë kërkon ndërhyrje tjetër për të garantuar jetëgjatësinë e saj.

Kryetarja e bashkisë së Delvinës Qilimi tha se “bashkia po bën maksimumin që ura të jetë sa më shpejt ne funksion të banorëve të Vanës”.

Më herët Qilimi u shpreh se ” bashkia do të realizojë një projekt të ri për ndërtimin e kësaj ure, që do ti japë patjetër zgjidhje përfundimtare këtij problemi kaq jetik për banorët e kësaj zone”.

Për shkak të reshjeve të dendura të shiut, prurjeve tej normales të lumit Kalasë dhe amortizimit ndër vite Ura e Vanës në Delvinë u dëmtua në fillim të muajit nëntor dhe për pasojë ishte e paaksesueshme nga banorët e zonës dhe jo vetëm. Ura lidh 350 banorë të fshatit Vanë me rrugën nacionale./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com