Duke filluar nga data 8 shtator 2019, të gjithë shqiptarët që jetojnë në Itali apo që do të udhëtojnë në drejtim të Italisë për tre muaj, nuk do të kenë nevojë të pajisjen me patentë ndërkombëtare shoferi.
Ministri në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme Gent Cakaj njoftoi sot qytetarët shqiptarë me banim apo që vizitojnë Italinë lidhur me këtë marrëveshje të finalizuar me shtetin italian.
“Një lajm shumë i mirë për shqiptarët në Itali! Më në fund mbaroi edhe marrëveshja ndryshuese për konvertimin e lejeve të drejtimit që do të hyjë në fuqi më datën 8 shtator 2019. Hyrja në fuqi e kësaj marrëveshjeje ndryshuese i vjen në ndihmë shtetasve shqiptarë rezidentë në Itali, pasi bën njohjen e modeleve të reja të lejeve të drejtimit të lëshuara nga shteti shqiptar, duke lehtësuar shpenzimet dhe kohën për konvertimin/pajisjen me leje drejtimi italiane pa kaluar testet teorike e praktike të drejtimit të automjetit”, tha Cakaj.
Po ashtu, Cakaj tha se shtetasit shqiptarë me lejet e reja të drejtimit që vizitojnë e qëndrojnë në Itali për deri 3 muaj, nuk kanë nevojë të pajisen me leje ndërkombëtare të drejtimit të automjetit.
“Shqipëria ka ndërmarrë të njëjtat përpjekje e hapa edhe me shtete të tjera evropiane. Përgjegjësitë e palës shqiptare janë kryer të gjitha me përpikmëri! Për arsye e procedura të brendshme të këtyre shteteve ato nuk janë përfunduar ende. Ministria e Jashtme do të vijojë të nxisë realizimin e marrëveshjeve të tilla edhe me këto vende duke i ardhur sa më shumë në ndihmë bashkëkombasve tanë nëpër botë”, u shpreh Cakaj. /atsh