Vitin e kaluar, Shqipëria përjetoi sezonin më të mirë turistik jo vetëm në aspektin e rritjes së numrit të turistëve që vizituan vendin apo të të ardhurave të gjeneruara nga ky turizëm, por dhe për sa i përket interesit të investitorëve të huaj për realizimin e projekteve të dimensioneve të mëdha dhe me rëndësi strategjike për zhvillimin e mëtejshëm ekonomik dhe turistik të vendit, kryesisht në zonën jugore.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjetikës Belinda Balluku tha sot në Kuvend se viti 2018 vërtetoi që strategjia e Qeverisë Rama për nxitjen dhe zhvillimin e industrisë së turizmit vazhdon të japë frytet e saj, duke i sjellë Shqipërisë jo vetëm të ardhura nga kjo industri, por edhe impakt e njohje ndërkombëtare falë numrit të lartë të vizitorëve të huaj që zgjodhën Shqipërinë si destinacion turistik.
“Megjithatë, strategjia e turizmit nuk mund të zbatohet e izoluar. Zhvillimi i turizmit nuk mund të konceptohet asnjëherë i ndarë nga zhvillimi i infrastrukturës. Plani jonë ambicioz dhe intensiv për përmirësimin e infrastrukturës rrugore ka në fokus sidomos ato akseve që çojnë drejt atraksioneve turistike të vendit”, tha ajo.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjetikës Belinda Balluku, në seancën plenare të Kuvendit, theksoi se, “aksi rrugor Orikum-Dukat, pjesë e rrugës kombëtare që lidh qytetin e Fierit me Sarandën, është një segment i cili duhet t’i nënshtrohet rehabilitimit për shkak të gjendjes së përkeqësuar dhe pamundësisë për të përballuar fluksin e madh të automjeteve, veçanërisht gjatë sezonit të verës”.
Mbështetur në këtë nevojë, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka nënshkruar kontratën e koncesionit/PPP për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e rrugës “Porti jahteve – Bypass Orikum – Dukat”, theksoi ministrja.
ndërsa shpjegoi se, kjo kontratë parashikon ndërtimin e aksit të ri, i cili kategorizohet tërësisht në rrugë të tipit C2, si dhe të 3 veprave të artit sikurse janë 3 urat që parashikohet të ndërtohen gjatë këtij segmenti.
“Ky segment do të përfshijë dhe Portin e Jahteve, një pikë e re strategjike, si dhe bypassin e Orikumit i cili do të lidhet me atë të Vlorës. Një përparësi tjetër e kësaj rruge është edhe lënia e hapësirës për zgjedhjen në një moment të dytë të formës së kalimit të Llogorasë, qoftë nëpërmjet tunelit ose përmes rrugës ekzistuese. Ndërsa, devijimet e planifikuara do të do të shkurtojnë rrugën ndjeshëm, duke eliminuar s dhe duke shmangur mjaft vështirësi në qarkullim”, – tha Balluku.
Sipas saj, kjo kontratë parashikon edhe mirëmbajtjen e rrugës ‘Orikum-Dukat’ bazuar në performancë.
“Ky model garanton kështu përmbushjen e objektivave dhe standardeve të cilësisë nga Partneri Privat, pasi ai ndërmerr riskun e disponueshmërisë së veprës. Gjithashtu, siguria rrugore në këtë aks do të mund të arrijë nivelet e kërkuara bashkëkohore”, – tha Balluku. e.xh.ATSH