Loading...

Mali i Tomorrit, destinacioni i aventurës për turistët polakë dhe gjermanë

Një grup turistësh prej 20 personash, polakë dhe gjermanë, vizituan gjatë fundjavës malin e Tomorrit në një itinerar turistik për njohjen e natyrës dhe kulturës së këtij rajoni.

Të shoqëruar nga specialistë të Administratës së Zonave të Mbrojtura (AdZM) Berat, vizitorët përshkuan shtegun Çezma e Tarikos – Ujëvara e Sotirës, duke provuar aventurën përmes kalimit në shtigjet dhe bukuritë natyrore që kjo zonë ofron.

Turistët gjithashtu shijuan edhe gatime tradicionale të zonës dhe ndjenë mikpritjen e banorëve vendas në bujtinat pranë Tomorrit.

Ujëvara e Sotirës ndodhet rrëzë malit të Tomorrit dhe u ka shërbyer banorëve të zonës për çlodhje, si dhe e kanë shfrytëzuar këtë burim ujor për bujqësinë dhe blegtorinë. Sotira, deri pak kohë më parë vizitorë të përditshëm ka pasur vetëm banorët e zonës, por tashmë po kthehet në një destinacion për shumë turistë shqiptarë e të huaj.

Ajo ndodhet 2 orë larg zonave të banuara e për pasojë natyra është e virgjër dhe e paprekur nga dora e njeriut. Në këmbët e saj zë fill lumi i Sotirës dhe në ujin e kristaltë dhe të ftohtë të tij mund të shihen peshqit.

Sotira është unike në llojin e saj dhe ajo që e bën të veçantë është mënyra e daljes së ujit nga lartësi të ndryshme. Janë tre burime ujore që bien në trajtë çurgjesh nga lartësi që shkojnë nga 20-150 metra të shkëmbinjve gëlqerorë. /atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com