Kryeministri Edi Rama inspektoi sot bypass-in e Fierit, i cili është hapur në njërin krah për qarkullimin e automjeteve.
Më në fund, tha Rama, “historia e pafundme e ngërçit të rrugës së Fierit gjatë sezonit turistik, merr fund me hapjen e njërës anë të bypass-it, duke e lehtësuar shumë ndjeshëm qarkullimin drejt jugut”.
Ky aks shkurton me 35 minuta rrugën drejt Vlorës. “35 minuta më pak për të shkuar në Vlorë dhe 5 vjet dru kokës, të shara, mallkime. Një kontratë e çmendur, një kompani e çmendur, një histori e çmendur, një çmenduri çdo sezon dhe të gjitha kokës ‘Rama ik’”, – tha Kryeministri.
Ai theksoi se “puna do të vazhdojë, sepse kjo është vetëm për të lehtësuar dhe për të mos ngrënë të shara në verë”.
Në nëntor pritet të hapet krahu tjetër i bypass-it, ndërsa komplet punimet do të finalizohen sipas kontratës në shkurt 2020.
“Në nëntor hapet dhe tjetra dhe në shkurt përfundon me detajet e vogla. 5 vjet dru kokës, një histori e çmendur. Për 28 Nëntorin në Vlorë e kemi të hapur në të dyja anët”, – tha Rama.
Kryeministri shoqërohej nga ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku e cila theksoi se “Policia Rrugore ka marrë të gjitha masat për të siguruar gjithçka në qarkullimin e mjeteve”. /atsh
https://www.facebook.com/edirama.al/videos/880023319047237/?t=0