Segmenti Ura e Gjormit-Brataj-Ura e Laskos rikonstruksioni i të cilit fillon brenda javës së ardhshme do të ofrojë parametra më të mirë të sigurisë.
Kryeministri Edi Rama ka publikuar pamje nga kantieri i rrugës së re panoramike, pjesë e rrugës së Lumit të Vlorës.
“MIRËMËNGJES, dhe me këto pamje nga kantieri i rrugës së re panoramike Ura e Gjormit-Brataj-Ura e Laskos, pjesë e rrugës së Lumit të Vlorës, rikonstruksioni i së cilës zhvillon ekonominë lokale dhe potencialin e jashtëzakonshëm turistik të të gjithë zonës, ju uroj një ditë të mbarë”, shprehet Kreu i Ekzekutivit.
Fondi Shqiptar i Zhvillimit bën të ditur se projekti parashikon përmirësimin e parametrave gjeometrikë të rrugës, zgjerimin e trasesë, rritjen e shpejtësisë së lëvizjes, nivelimin e rrugës me material shkëmbor dhe trajtimin e të gjitha nënshtresave.
Rruga e Lumit të Vlorës, 94 km fillon nga Bypass-i i Vlorës – Peshkëpi – Ura e Gjormit – Brataj – Ura e Kudhësit – Qeparo, degëzimi për në fshatin Kuç, si dhe segmenti nga Rrethrrotullimi i Peshkëpisë – Selenicë – superstrada Levan – Tepelenë. Ky aks përshkon fshatrat Peshkëpi, Kote, Gjorm, Lepenicë, Kallarat, Brataj, Kuç, Kudhës dhe përfundon në Qeparo.
Popullsia e zonës arrin në mbi 40.000 banorë dhe përbën rreth 16% të të gjithë popullsisë së Qarkut të Vlorës. Në zonën në fjalë ka më shumë se 60 fshatra me një dendësi të madhe popullsie dhe veçanërisht moshë të re.
Përveçse siguron lidhjen e këtyre fshatrave me Vlorën dhe bregdetin duke nxitur mundësi të reja për zhvillimin e bujqësisë e agroturizmit, panorama fantastike që shoqëron përgjatë të gjithë rrugës pritet të nxisë zhvillimin e aktiviteteve sportive si trekking dhe ecje me biçikileta, të cilat eventualisht mund të sjellin transformimin e të gjithë luginës në atraksion turistik.
Në studimin e fizibilitetit që i parapriu fillimit të investimit, është llogaritur se krahas përmirësimit të aksesit në rrugë dhe shkurtimit të distancave, projekti do të gjenerojë një numër përfitimesh sociale dhe ekonomike përfshirë aksesin në tregjet rajonale dhe lokale për fermerët, reduktimin e papunësisë dhe rritjen e të ardhurave për popullsinë lokale nëpërmjet intensifikimit të aktiviteteve ekonomike ekzistuese. /atsh