Loading...

Përurohet autostrada “Arbën Xhaferi”, cilësohet urë lidhëse mes shteteve të rajonit

Përmes një ceremonie madhështore sot është përuruar autostrada “Arbën Xhaferi” që lidh Kosovën me Maqedoninë e Veriut.

Realizimi i këtij projekti u cilësua si një rrugë që do të shërbejë si një urë bashkëpunimi mes shteteve fqinje që do të përfitojë gjithë rajoni i Ballkanit.

Pjesë e këtij inaugurimi ishin krerët institucionalë të Kosovës, presidenti Hashim Thaçi, kryeministri Ramush Haradinaj dhe kryetari i Kuvendit Kadri Veseli. Ndërsa të ftuar ishin kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev, kryeparlamentari Talat Xhaferi, kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq, ambasadorë të akredituar në Kosovë dhe ministra dhe deputetë të Kosovës.

Presidenti Thaçi tha se kjo ditë është e veçantë jo vetëm për Kosovën, por për gjithë rajonin ballkanik. Sipas tij ky është një investim i fuqishëm, por që ia ka pasur vlerë. Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli u shpreh se me anë të kësaj autostrade Kosova po lidh ura të bashkëpunimit dhe miqësisë me shteteve fqinje.

Shefi i ekzekutivit, Ramush Haradinaj tha se kjo rrugë po i afron mes veti shtetet fqinje dhe po i jep një pamje të re gjithë rajonit.

Ai theksoi se përgjatë gjithë këtij ndërtimi është bërë kujdes që ky investim të bëhet në përputhje në aspektet ligjore.

Homologu i tij nga Maqedonia e Veriut, Zoran Zaev, tha se kjo autostradë prej sot do të mundësojë qarkullim më të shpejtë ndërmjet dy vendeve, ndërsa premtoi se deri në vitin 2023 pjesa tjetër e autostradës në pjesën e vendit të tij do të përfundojë.

Ndërsa, ambasadori i SHBA-së, Philip Kosnett po ashtu tha se me anë të kësaj autostrade do të përfitojë gjithë rajoni dhe prezenca e gjithë këtyre liderëve tregon një gjë të tillë.

Ndërsa, ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj u shpreh se përkushtimi i institucioneve të Kosovës do të vazhdojë në ndërtimin e autostradave të tjera.

Sipas tij 65,5 kilometrat e kësaj autostrade do të lidhin Prishtinën me komunat e tjera dhe Kosovën me Maqedoninë e Veriut.

Autostrada “Arbën Xhaferi”, sipas disa deklaratave të ministrit Lekaj që i ka bërë më herët, i ka kushtuar buxhetit të Kosovës rreth 706 milionë euro. Ndryshe, ura mbi Lepenc në Grykë të Kaçanikut është rreth 7 kilometra dhe konsiderohet më e gjata në rajonin ballkanik. /KosovaPress/

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com