Ka diçka që arrin të na kënaqë dhe të na risjellë buzëqeshjen në çdo kohë, lulet.
Dhe duke qenë se jemi në ditën e të dashuruarve, shumë prej jush mezi po presin të marrin lulet e radhës.
Por cili është kuptimi i vërtetë i tyre ?
Trëndafili i kuq mund të konsiderohet pa frikë si lulja më klasike e ditës të dashuruarve.
E kuqja simbolizon dashurinë, romancën, bukurinë dhe perfeksionin. Pavarësisht se mund ta keni përdorur një vit më parë , mbetet ende një zgjedhje e shkëlqyer.
Lule Gerbera është po ashtu një zgjedhje shumë e mirë për këtë Shën Valentin. Në pamje të parë ngjan me lule Margaritën, aq sa shpeshherë njerëzit i ngatërrojnë mes tyre.
Por lule Gerbera nuk mund të mos bjerë në sy falë ngjyrave të saj të ndezura. Kjo lule simbolizon bukurinë, pafajësinë dhe pastërtinë.
Tulipani është një lule shumë elegante dhe e fisme. Ai u kultivua fillimisht në Holandë gjatë shekullit të 17-të, por vitet e fundit gjendet pothuaj në çdo treg mbarëkombëtar. Forma e tij tipike e bën lehtësisht të identifikueshëm nga lulet e tjera. Përçon dashuri, ngrohtësi dhe brishtësi.
Orkidea simbolizon bukurinë, dashurinë, luksin dhe forcën e brendshme shpirtërore. E veçanta e kësaj luleje është se ajo fsheh edhe një mesazh shumë ekzotik joshjeje. Nëse dikush ju dhuron orkidea, dijeni që ai,ajo po ju fton drejt pasionit.
Luledielli, siç e tregon edhe vetë etimologjia e emrit është lulja e diellit. Kjo lule përçon ngrohtësi, dashuri të sinqertë dhe lumturi. Është një lule që ju ndihmon të keni humor të qëndrueshëm dhe të paqtë në çdo kohë.
Lule Iris gjendet në versione të ndryshme , herë në blu e herë në ngjyrë vjollcë të errët. Është një lule që tregon shpresë, besim dhe dëshirë për t’u plakur bashkë. Ndoshta ju nuk e dini,por lule Iris është kultivuar fillimisht në tokat e Ilirisë së lashtë, prej nga ka marrë dhe emrin Iris Illyrica.
Sipas ekspertëve të gjuhës së luleve, mashkulli që i dhuron femrës së tij lule gardenia është i gatshëm për një hap më serioz. Kjo lule i referohet dashurisë në stilin klasik, mashkull kavalier që i gjunjëzohet partneres së tij. Gardenia nënkupton pastërti,brishtësi dhe dashuri të vërtetë.
Mashkulli që i dhuron partneres së tij zambakë të bardhë ka shije të sofistikuara dhe e njeh deri në detaje personin që ka në krah. Kjo lule njihet për bukurinë, klasin dhe stilin e saj mbretëror. /atsh