April 29, 2018

Francë: Ekzekutohet një 30-vjeçar shqiptar

Një 30-vjeçar shqiptar është vrarë me armë zjarri në Mulhouse të Francës. Ngjarja ka ndodhur të mërkurën rreth orës 17.45, por është raportuar tani nga mediat franceze.

Janë fqinjët ata të cilët e kanë dhënë alarmin ku denoncuan se në një ndërtesë të vogël banimi në rrugën “Rue des Juifs”, në lagjen Dornach në Mulhouse, janë dëgjuar të shtëna armësh, shkruan “France Bleu”.

Bëhet e ditur se është vrarë një person rreth të tridhjetave me origjinë kosovare. Hetimet policore kanë filluar menjëherë. Autori i krimit, një person 35-vjeçar është ende në arrati dhe i kërkuar nga policia.

Kufoma e shqiptarit është gjetur në oborr nga fqinjët. Dyshohet se ai është vrarë nga fqinji i tij nga kati i tretë, për shkak të zhurmës së madhe që po bënte.

Francë: Ekzekutohet një 30-vjeçar shqiptar Read More »

A duhen konsumuar organet e brendshme të kafshëve që na pëlqejnë aq shumë? Ja e vërteta

Organet e brendshme të kafshëve, sidomos mëlçia janë një pjesë shumë e rëndësishme e dietave të grave shtatzëna, sepse përmbajnë shumë folate. Rekomandohet që gratë shtatzëna të shtojnë në dietën e tyre mëlçinë, rreth 120 gr në javë.

Mëlçia

Mëlçia është një burim i rëndësishëm i retinolit, që ndihmon në formimin e vitaminës A. Ju duhet të hani mëlçi të paktën 2 herë në javë në mënyrë që të merrni në sasi të mjaftueshme vitaminën A, veçanërisht nëse keni probleme me lëkurën.

Folatet, cholinet dhe vitamina B12 janë tre elemente ushqyese që gjenden me bollëk në mëlçi. Janë shumë të rëndësishme përsa i përket dietës Paleo. Cholinet janë të përqëndruara kryesisht te vezët dhe te mëlçia, kështu që nëse nuk hani të verdhat e vezëve, përpiquni të shtoni mëlçi në dietën tuaj.

Gjithashtu, fasulet përmbajnë shumë folate dhe nëse nuk i preferoni ato, zëvendësojini duke ngrënë mëlçi. Nëse keni mangësi të bakrit në organizëm, konsumoni mëlçi viçi sepse përban këtë element të domosdoshëm për organizmin. Por, nëse keni nevojë të kufizoni sasinë e bakrit, bëni mirë të hani mëlçi pule.

Ndër të tjera, mëlçia është:

Një burim i shkëlqyer i proteinave
E pasur me vitaminë A, B, B12
Një nga burimet më të mira të acidit folik
Një mënyrë e mirë për të marrë hekur, bakër, zink

A duhen konsumuar organet e brendshme të kafshëve që na pëlqejnë aq shumë? Ja e vërteta Read More »

Historia që përloti Arbana Osmanin

Këtë të shtunë, programi “Dua të të bëj të lumtur” kishte udhëtuar jashtë kufijve të Shqipërisë duke shkuar në Norvegjinë e largët. Ftesa e Arbana Osmanit ishte dërguar për Shkurtën e cila prej vitesh jetonte në Norvegji me familjen e saj.

Historia e Shkurtes kishte nisur 15 vite më parë kur ishte njohur me Bujarin, i cili me kalimin e kohës ishte bërë bashkëshorti i saj. Ata ishin martuar dhe nga kjo martesë kishin ardhur në jetë tre fëmijë. Bujari dhe Shkurta kishin vendosur që të kalonin disa ditë pranë familjeve në Kosovë, por ky udhëtim kishte qenë fatal për Bujarin, i cili kishte humbur jetën.
Fatkeqësitë nuk kishin të mbaruar për Shkurtën e cila para 1 viti ishte diagnostikuar me kancer. Për ta bërë të lumtur dhe për t’i dhënë një mesazh, Flutura kishte ftuar motrën e saj, Shkurtën.

Kjo histori nuk la pa përfshirë edhe vetë Arbana Osmanin, e cila edhe pse gjatë gjithë këtyre javëve në program ka pasur histori të dhimbshme nuk i ka shprehur emocionet . Por për herë të parë në ekran, moderatorja nuk mundi t’i përmbante emocionet dhe u përlot.

Flutura në lot tha: “Unë jam krenare që të kam motër dhe ndihem shumë me fat. Mos e kthe kokën mbrapa dhe vazhdo vetëm përpara. Nuk je vetëm, unë dhe familja do të të qëndrojmë pranë! Të uroj më të mirat dhe shëndet për ty dhe fëmijët e tu!”

Për të mbështetur Fluturën në këtë mision të sajin, Arbana Osmani kishte ftuar këngëtaren e famshme Dhurata Dora. “Fëmijët e tu duhet të jenë tepër krenarë për ty. Edhe pse ke kaluar shumë në jetë ti vjen këtu në këtë program duke qeshur. Ti je shembull jo vetëm për mua por për të gjitha femrat.”,- ishin fjalët e Dhurata Dorës.

Programi “Dua të të bëj të lumtur” në fund i dhuroi Shkurtës dhe fëmijëve të saj një udhëtim në qytetet e Shqipërisë.

Historia që përloti Arbana Osmanin Read More »

Rama :Sfida jonë kryesore është të jemi në lartësinë e duhur

Fjala e Kryeministrit dhe Kryetar i Partisë Socialiste, Edi Rama në Asamblenë Kombëtare të PS-së:

Duke dëgjuar me radhë të gjithë parafolësit, opinionit publik mund t’i krijohet ideja se sipas nesh, të gjitha gjërat janë në rregull. Ajo që unë dua të them qysh në fillim është se jo të gjitha gjërat janë në rregull.

Ne sigurisht, sikundër u nënvizua nga ministrat që bënë këtu një përmbledhje shumë sintetike të punëve të këtyre gjashtë muajve, kemi bërë shumë dhe faktikisht i jemi përgjigjur me punët e bëra objektivave që kemi vendosur për këtë periudhë. Por ne nuk jetojmë në një guaskë të shkëputur nga realiteti dhe jemi të kërcënuar seriozisht nga rreziku që të perceptohemi si të tillë nga njerëzit.

Njerëzit nuk hanë shifra, njerëzit nuk e mbushin tavolinën e bukës me statistika, njerëzit nuk i veshin fëmijët me suksese dhe në fund të muajit, njerëzit nuk llogarisin shifrat, statistikat dhe rezultatet tona, por shikojnë ekonominë e tyre familjare. Kjo do të thotë se është shumë e rëndësishme për ne që të jemi shumë më pranë, sesa kemi arritur të jemi deri sot, me njerëzit dhe me procesin e qeverisjes. Ne të jemi mishërimi i ambicieve, shpresave, por edhe i dhimbjeve të tyre.

Nuk është e thjeshtë, por është e domosdoshme. Ne jetojmë sot, në një situatë të ndërlikuar në shumë aspekte dhe kemi detyrën të qeverisim pa opozitë. S’kemi opozitë. Ajo që kemi është një gërdi individësh dhe grupesh të çoroditura, që në pamje të parë duket sikur e bën më të lehtë punën tonë, por në thelb e bën më të vështirë. Sepse një opozitë që nuk të sfidon në intelekt, por të sfidon fizikisht, është një hata e madhe përsa i përket nevojës që ka çdo qeveri në botë që të jetë e zhvilluar në intelekt. Një opozitë që nuk shkon në Parlament si në një Kuvend, por shkon si në një tapet mundjeje, është një hata e madhe, sepse, ndërkohë që ne jemi zgjedhur për të çuar përpara alternativa, gjendemi në kushtet ku duhet të përfshihemi në një sport që nuk ka lidhje jo vetëm me politikën, por as me sportet e njohura si të tilla nga federatat ndërkombëtare. Një opozitë që ka vizion të vetin shpifjen dhe ka program të vetin sharjen është një opozitë shumë e rrezikshme për ne, jo për rezultatet e zgjedhjeve, por për fuqinë tonë për t’u motivuar dhe për të bërë më të mirën.

Sfida kryesore që ne kemi, është të jemi në lartësinë e duhur përsa i përket motivimit, përsa i përket aftësisë për të lexuar si duhet realitetin e njerëzve dhe përsa i përket fuqisë për të bërë maksimumin tonë të mundshëm.

Këtu u thanë gjëra të vërteta, por ne tani e kemi të nevojshme që të hyjmë në një fushatë të mirëfilltë, me angazhimin maksimal të të gjitha forcave tona, që nga niveli i kryesisë së partisë, i qeverisë, i Asamblesë Kombëtare dhe i të gjitha niveleve të dyta të organizimit, për të shkuar qark më qark, bashki më bashki, fshat më fshat dhe për të folur me njerëzit, jo thjesht për ç’ka kemi bërë, por për ç’ka njerëzit presin prej nesh sot dhe për të dëgjuar me shumë vëmendje që të kuptojmë atë që është më e rëndësishmja në këto kushte. Në kushtet kur opozita nuk vjen në Parlament për të sjellë zërin e njerëzve, në kushtet kur opozita nuk shfaqet në tribunat e debatit për të përfaqësuar njerëzit. Të mos e harrojmë për asnjë moment që ne kemi marrë një mandat që në thelbin e vet ka bashkëqeverisjen me njerëzit.

A jemi ne, sot, në lartësinë e mandatit tonë në raport me këtë element thelbësor?

Përpjekjet e bëra prej nesh janë të shumta, por rezultatet e këtyre përpjekjeve janë të pamjaftueshme.

Jemi në kushtet kur kemi marrë një rekomandim pozitiv nga Komisioni Europian dhe nëse do të citoja reporterin për Bashkimin Europian në Komisionin e Çështjeve Europiane të Bundestag-ut, i cili tha se asnjë vend përpara hapjes së negociatave nuk ka bërë më shumë se Shqipëria, kjo mbase do të mjaftonte për të thënë që ne i kemi bërë të gjitha, por e vërteta është që ne kemi bërë shumë, po kemi shumë akoma për të bërë.

Kemi shumë akoma për të bërë në të gjitha aspektet, sepse njerëzit kudo, por sidomos në Shqipëri jetojnë me idenë se kur qeveris e djathta ka edhe më keq, kur qeveris e majta ka edhe më mirë. Kur qeveris e djathta, mjafton të mos hanë kokrrën e plumbit në protestë, që të mos gjenden të dhunuar e të abuzuar në të drejtën e tyre dhe janë në rregull. Kur qeveris e majta ka gjithmonë më mirë.

Kjo është një sfidë shumë e madhe, sepse nga ne, njerëzit nuk mund të kënaqen vetëm se nuk i vrasin rrugëve. Nuk mund të kënaqen që nuk i dhunojnë verbalisht, por edhe fizikisht. Nuk mund të kënaqen që nuk i trajtojmë si lecka, kur vjen puna për të vlerësuar meritat e tyre dhe për të respektuar dinjitetin e tyre.

Me të drejtë prej nesh, njerëzit kërkojnë shumë më tepër, sepse ne jemi një forcë e të ardhmes, kurse ata janë një forcë e të shkuarës. Ne jemi forcë që e ka treguar gjatë gjithë historisë së vet, me uljet dhe ngritjet e historisë, se kemi respekt për shtetin. Ata janë një forcë që s’kanë asnjë lidhje me respektin për shtetin.

Duke shkuar më tutje në aspektet e përpjekjeve tona të kësaj periudhe, unë do të nënvizoja faktin që sot njerëzit po shohin se gjithë ajo luftë e vërtetë mbi dhe’ dhe nën dhe’ për të çuar përpara reformën në drejtësi, gjithë ajo përballje ekstreme me çadrën në mes të bulevardit për të çarë rrugën e vetting-ut, jo thjesht ja ka vlejtur, por ka qenë ashtu siç ne e kemi treguar.

Sot, pallati i drejtësisë po shembet. Të korruptuarit brenda pallatit nuk kanë shpëtim. Njerëzit, sot po e shohin sesi po përshkallëzohet i gjithë procesi dhe si po largohen një e nga një, ata që e kanë mbajtur peng pallatin e drejtësisë.

Por thonë, si do shpëtojnë këta me kaq?

Ne duhet të shpjegojmë që këta nuk do shpëtojnë me kaq. Vetting-u është procesi i pastrimit të pallatit të drejtësisë dhe i vënies në funksionim të një sistemi drejtësie që jep drejtësi. Sigurisht që sistemi i drejtësisë që jep drejtësi nuk do lërë askënd nga ata që sot ikin, pa e rithirrur për t’i thënë, “ku i gjete paratë?”

Ashtu sikundër njerëzit përsërisin në mënyrë të vazhdueshme se përse nuk bëhet vetting-u, duke filluar nga qeveria dhe nga politika. Në fakt, vetting-u që po bëhet ka synimin që të pastrojë sistemin dhe është sistemi që e bën pastaj për të gjithë, edhe për mua, edhe për këdo qoftë tjetër, atë që sot vetting-u bën për gjykatësit dhe për prokurorët.

Ne duhet të jemi patjetër krenarë që Partia Socialiste ka treguar edhe njëherë në rrugën e historisë së saj se është e vetmja forcë, – le të thonë çfarë të duan, – që mendon dhe vepron si forcë e të ardhmes, me të gjitha të metat dhe të gjitha gabimet që bën.

Mendon dhe vepron si forcë e të ardhmes dhe ka shënuar në këtë fazë, me reformën në drejtësi, me vetting-un dhe me këtë përpjekje kolosale dhe të rrezikshme përsa i përket mbijetesës politike, se ne e dimë shumë mirë e këtu ka shumë dëshmitarë që në atë korrikun e famshëm, ishim gati dhe vumë në tavolinë vetë ekzistencën e qeverisë, për ta çuar përpara transformimin e sistemit të drejtësisë që për 25 vjet u bë gangrena e të gjithë organizmit tonë shoqëror.

Sot janë faktet dhe shifrat që flasin, pavarësisht se çfarë zien kazani, që ne jemi në nivelet e mesatares rajonale dhe jemi duke shkuar drejt mesatares europiane përsa i përket kriminalitetit. Është e vërtetë se kur qeveris e djathta, njerëzit thonë ka edhe më keq. Pra, kur qeveriste e djathta, në Shqipëri vriteshin 124 njerëz në 2011-ën, 126 njerëz në 2012-ën, por kishte edhe më keq, mund të vriteshin edhe 200, sepse kur ka qeverisur e djathta, janë vrarë edhe 5000 njerëz. Sot që ne qeverisim, vitin e shkuar janë vrarë vetëm 52 persona. Shkurti që iku, ka qenë muaji i parë në të gjithë historikun e statistikave policore që është mbyllur vetëm me një vrasje.

Ne e dimë që çështja e vrasjeve nuk është çështje statistikash, por jetësh njerëzore, ama duke u krahasuar me vendet e tjera, ne nuk mundet veçse t’i përkasim asaj pjese vendesh që nivelin e vrasjeve e ka më të ulët. Drejt kësaj po shkojmë.

Patjetër që ka shumë për të bërë kundër krimit të organizuar, mirëpo ka një fakt, që nga viti 2008 deri në vitin 2013 janë sekuestruar 27 milionë euro asete kriminale, kur nga viti 2014 deri në momentin që jemi janë sekuestruar 152 milionë euro. Janë pesë herë më shumë asete kriminale të sekuestruara nga lufta kundër krimit të organizuar.

Po ashtu ka ende shumë për të bërë, për të konsoliduar atë që kemi arritur edhe në luftën kundër kultivimit të kanabisit, por po të shohim shifrat ndër vite, është e qartë përsëri se kur qeveris e djathta ka edhe më keq, prandaj jemi mirë, ndërsa kur qeveris e majta ka edhe më mirë, prandaj jemi keq. Ky është fakt.

Sigurisht që ne kemi një problem të trashëguar dhe aktual me korrupsionin në të gjitha nivelet, por ne po i përmbahemi asaj që e kemi shpjeguar disa herë, që lufta kundër korrupsionit nuk mundet dot dhe nuk ka shanse të triumfojë kurrë, nëse është luftë, e cila fokusohet tërësisht tek ndëshkueshmëria e individëve.

Lufta kundër korrupsionit mund të triumfojë vetëm nëse paralelisht me ndëshkueshmërinë garantohet sistemi. Në këto gjashtë muaj, ne e kemi ulur në mënyrë drastike numrin e ndërveprimeve mes qytetarëve dhe administratës. Që do të thotë, kemi ulur në mënyrë drastike mundësitë për korrupsionin, që janë ende sa të duash, por, po të shohim të gjithë ndërveprimet që sot janë shkurtuar në të gjithë sektorët, përmes procesit të derregullimit, po të shohim rritjen e vazhdueshme të ndërveprimeve online, atëherë marrim një ide të qartë të faktit që është ulur volumi i radhëve, sorollatjeve dhe torturave dhe mundësive për të dhënë e për të marrë.

Kjo nuk do të thotë se jemi aty ku duhet, por do të thotë se i kemi të gjitha mundësitë që të shkojmë aty ku duhet.

Unë prisja nga Elisa Spiropali që të thoshte gjërat për të cilat është zgjedhur, Koordinatore e Bashkëqeverisjes. Prisja nga Elisa Spiropali që të thoshte se cilët kryetarë të Partisë Socialiste duhen shkarkuar sot, jo nesër, për faktin që nuk duan t’ia dinë fare që bashkëqeverisjen, me një instrument që është konkret, platformën e bashkëqeverisjes online, ta vënë në dispozicion të të gjithë njerëzve që rrinë rrugëve për të kapur deputetë, për të kapur miq, kushërinj e shokë, që të marrin një hipotekë. Si mundet që sot, pas gjashtë muajsh, ne të kemi ende bashki ku kryetarët e partisë nuk e kanë marrë vesh se çfarë duhet të bëjnë në këtë aspekt. Deputetët nuk janë zyra pune. Deputetët nuk janë as në mundësinë dhe as në përgjegjësinë që të marrin për dore çdo njeri që do të futet në punë e ta çojnë në punë, të marrin për dore çdo njeri që ka një problem me administratën e t’ia zgjidhë, sepse kjo është e pamundur. Ashtu sikundër deputetëve u duhet dhënë mundësia që të kenë pikën e referimit ku t’i drejtojnë njerëzit, tek shqiperiaqeduam.al. E faktet flasin qartë. Në 5 muaj punë që ka platforma, janë rreth 1000 raste në muaj që trajtohen. Në të gjitha rastet, pa përjashtim, kur qytetarët kanë të drejtë, të marrin të drejtën e tyre dhe kanë shkuar në rreth 80 veta numri i punonjësve, vetëm të hipotekave, përfshirë dhe një pjesë të vogël të ALUIZNI-t, që jo vetëm janë shkarkuar nga puna, por janë në rrugën e prokurorisë, në ndjekje penale, për faktin se nuk i kanë dhënë qytetarëve dokumentin në kohën e duhur.

Mirëpo këtu, partia çfarë bën?

Ku është partia në këtë mes? Ku janë kryetarët e partisë?

Ku janë zyrat e partisë?

Kryetarëve të partisë nuk u ka dhënë njeri, detyrën që të merren me punësime. Ka kryetarë partie që e bëjnë. Duhen shkarkuar.

Nuk u ka dhënë njeri, detyrën që të bëjnë ndërmjetësime për të rregulluar X dhe Y, e lëre më pastaj për të rregulluar vëllezërit e motrat, xhaxhallarët dhe gjithë farefisin e tyre.

Duhen shkarkuar, sepse njerëzit nuk janë qorra, nuk janë as shurdhë, sepse njerëzve nuk u mjafton fare se çfarë thotë Edi Rama në televizor, apo çfarë lexon ministri i Financave për rritjen ekonomike, apo çfarë tregon ministrja e Arsimit për rritjen e performancës, nëse të gjitha këto që thuhen dhe dëgjohen në televizor nuk janë realiteti i qeverisjes në çdo zyrë në terren. Elisa nuk e bëri këtë, sepse nuk ka bërë detyrën si duhet. Kjo është e vërteta dhe unë shpresoj që ta bëjë.

Më tutje dua të them dy fjalë lidhur me taksat. Ne kemi një problem shumë të madh sot. Ne këndohemi çdo ditë, jo vetëm nga opozita, por edhe nga njerëzit, që ne jemi qeveria “taksa, taksa, taksa”. Kjo është e pavërtetë, por nuk mjafton që është e pavërtetë. Duhet që njerëzit ta dëgjojnë e ta kuptojnë që është e pavërtetë.

Kush dhe si do ta bëjmë këtë?

Mjafton që ta them unë?

Mjafton që ta thotë ministri i Financave?

Nuk mjafton.

Po të shikojmë strukturën e taksave, qeveria jonë ka rritur vetëm dy taksa.

Ata që pinë cigare të mos e hapin fare muhabetin, se atyre jua kemi rritur e do t’jua rrisim që t’i shpëtojmë nga ndarja e parakohshme me të dashurit dhe me partinë.

Flasim për dy taksa;

Taksa mbi të pasurit, që e kemi thënë qysh përpara zgjedhjeve të para, se kush fiton më shumë, do paguajë më shumë, 15%;

Taksa e karburantit që është e vërtetë që e kemi rritur, por duhet që të gjithë ta shpjegojnë pse e kemi rritur dhe pse, pavarësisht se është rritur, krahasuar me çfarë paguanin njerëzit kur çmimi ishte më i lartë, sot me gjithë taksën brenda, janë mesatarisht 100 milionë dollarë që nuk shkojnë për karburant, por rrinë në xhepat e atyre që konsumojnë karburant, sepse ka rënë çmimi.

Çfarë duhet të bënim ne?

Në vitin 2013, kur ne morëm qeverinë dhe thirrëm “zjarrfikëset” për të mos lejuar të ndodhte ajo që e tha dhe Saliu ,“ju pret skenari grek”, – kishte të drejtë, si rrallë herë, sepse e dinte çfarë grope të madhe, të mbushur me benzinë, kishte lënë, – ne nuk paguanim dot rrogat dhe pensionet në fund të nëntorit të 2013-s. Ata na kërkuan atë që kanë kërkuar dhe në vende të tjera dhe në vende të tjera e kanë bërë, ulni pensionet, ulni rrogat.

Si mund të ulnim rrogat dhe pensionet, që në buxhetin e parë të mandatit tonë të parë!

Atëherë duhet të kërkonim burime financiare, po ku do t’i kërkonim këto burime, të taksonim pensionistët, të taksonim familjet e varfra, mësuesit, mjekët, apo infermierët, punonjësit e kamarierët?

Jo, atyre, siç u kishim premtuar, nga 10% që u rrinte lak në fyt ua ulëm taksën. Ndaj vendosëm taksën e karburantit, duke marrë në konsideratë faktin që nga buxhetet e familjeve, nga buxhetet e konsumatorëve të karburantit kishin dalë ndërkohë shumë më tepër para dhe s’kishte ndodhur një hata, duke konsideruar që kjo ishte një mundësi.

Këto janë dy taksat që kemi rritur ne.

Ndërkohë në të gjithë sistemin tonë të taksimit, të gjithë paguajnë më pak. Kush merr deri në 300 mijë lekë nuk ka taksë, zero. Ndërkohë që njerëzit thonë me çfarë do jetojë ky, me 300 mijë lekë, me gjithë ato taksa, në fakt është e kundërta, nuk ka taksa. Ashtu sikundër njerëzit duke qenë të pamësuar, – një pjesë e madhe, – që të paguajnë drita, të paguajnë ujë dhe të jenë korrekt me shtetit, tani që i paguajnë, i llogarisin si taksa. Por ato nuk janë taksa. Janë shërbime. Janë mallra që blihen.

Ne e kemi shpjeguar, por nuk mjafton. Kush ulet me njerëzit në çdo pjesë të territorit dhe t’ua shpjegojë këto gjëra? Vetëm kazani, askush tjetër që u futet nëpër shtëpi, mëngjes, drekë, darkë.

Problemi është bashkitë tona na kanë prerë në mes, sepse ne kemi ulur taksat dhe ndërkohë në gjithë hapësirën ku është çliruar energji e re nga ulja e taksave, janë futur tarifat bashkiake. Bashkitë kanë arsyet e tyre, sepse kanë nevojë për financime, por edhe kjo duhet shpjeguar, edhe kjo duhet kuptuar.

Ndërkohë vijmë tek punësimi dhe është një shembull që unë dua ta bëj shumë të qartë për të gjithë. Ministrat e dëgjojnë përditë. Duhet ta dëgjojnë të gjithë. Ne kemi një problem për të zgjidhur me drejtorët e institucioneve në territor. Një problem shumë serioz. Ne nuk mund të themi sot që e kemi mbajtur zotimin tonë deri më tani, që drejtimin e institucioneve do ta marrin më të mirët që ka komuniteti. Nuk e kemi mbajtur ende këtë zotim dhe kush paguan për këtë? Paguan Partia Socialiste. Paguan në imazh dhe në kredibilitet.

Me drejtorët e zyrave të punës kemi shembullin më kuptimplotë. Që nga momenti kur ministrja, ministri dhe ministria ka vendosur objektiva dhe ku çdo drejtor, vendin e punës e ka të lidhur me objektivin e ku, nëse objektivi nuk arrihet, drejtori largohet, rezultatet janë të pabesueshme në raport me çfarë ishin.

1369 punësime vetëm në muajin mars, vetëm nga zyrat e punës. Duke i ndjekur shifrat çdo ditë, deri të enjten ishin 2020 të punësuar vetëm nga zyrat e punës për muajin prill. Kjo do të thotë që ne mund të realizojmë objektivin që vetëm nga zyrat e punës të mund të punësojmë 25 000 njerëz deri në fund të vitit 2018. Kjo, sepse janë vendosur objektiva të qarta dhe njerëzit nuk i mban partia në punë, i mban rezultati.

E njëjta gjë duhet të ndodhi në të gjithë territorin. Çfarë do me thënë që ne bëjmë konkurs për sistemin e burgjeve të Shqipërisë përmes Akademisë së Sigurisë dhe dalin pikët e konkursit dhe kryetar partish, lart e poshtë vënë në diskutim këtë proces, pse? Hajde të kapim njërin këtu që e kemi afër ta fusim në punë në burg. Kjo nuk ka për të ndodhur dhe ne duhet të jemi ata, të cilët garantojmë mandatin në këtë aspekt. Ne nuk mund të kemi dy standarde. Ne nuk mund të kemi dy fytyra. Ne nuk mund të kemi dy zëra, një zë për mikrofonin dhe një zë kur fiket mikrofoni. Një zë për ata që na japin votën, duke  na besuar të ardhmen e tyre e të fëmijëve tanë këtu dhe një zë aty, nëpër ato mbledhjet e ngushta të degëve nëpër territor, ku trajtohen burimet njerëzore sikur janë malli i atij grupi njerëzish.

Po të shikojmë sot mbrapa në sistemin tonë shëndetësor, në sistemin e shërbimit të spitaleve nuk ka të krahasuar. Nuk ishte 400 vjet përpara, por ishte 4 vjet përpara, kur shkoje në spital e nuk e njihje dot kush ishte mjeku, kush ishte infermierja, kush ishte pacienti, kush ishte sekseri e kush ishte një kalimtar i rastit në korridorin e spitalit, sepse të gjithë ishin njësoj. Nuk kishin përparëse dalluese, pa llogarit të gjithë aspektet e tjera. Por kur qeveris e djathta, ka dhe më keq, kështu që nuk është problem kjo. C’rëndësi kanë këto përparëset, pastërtia, shërbimet, ato gërshërët e ndryshkura që u futeshin në bark nënave që duhet të lindin në maternitet! 50000 operacione në vit, nga të cilat mbi 50% me infeksione postoperacionale prej thikave të ndryshkura, që kishin atje që prej kohës së dashurisë shqiptaro-kineze e që nuk sterilizoheshin, pune e madhe! Rëndësi kishte vetëm të dilje gjallë.

Sot, qeveris e majta. Mund të jetë shumë më mirë. Ky është thelbi e ky është fakt. Mirëpo ky është i gjithi një proces, sa i lidhur me shifrat, me statistikat, me rezultatet, aq i lidhur me lidhjen me njerëzit. E për këtë arsye, ne do të bëjmë këtë fushatë, ku do të tregojmë çfarë kemi bërë, por dhe do të japim llogari për çfarë nuk kemi bërë, si dhe do kuptojmë si do t’i shpëtojmë një kërcënimi shumë të madh për Partinë Socialiste e për qeverinë tonë. Kërcënimit që ne të etiketohemi përfundimisht si arrogantë.

Pse thonë njerëzit që ne qeverisim me arrogancë?

Këtë duhet ta kuptojmë e duhet ta ndajmë cilat pjesë të qeverisjes sonë konsiderohen arrogante sepse është e drejtë e sepse ne bëjmë reforma që janë të dhimbshme dhe cilat pjesë të qeverisjes sonë është padrejtësisht arrogante me njerëzit. Këtë ne duhet ta ndajmë.

Kukësi ishte një mësim shumë i madh për të kuptuar përgjegjësinë tonë, për të kuptuar çfarë ne nuk bëmë si duhet dhe çfarë duhet të bëjmë në vijimësi, për të mos u përsëritur gabimi që, duke u nisur për një qëllim të mirë, pa marrë mundimin për ta shpjeguar qëllimin, të gjendesh përballë një reagimi që në fund fare të lë në ballë etiketën e arrogantit. Që do të thotë se ne nuk duhet të kalojmë më ligje të lloj-lloji, pa i bërë më parë transparente për publikun. Ne i kemi bërë, ato janë të publikuara, por nuk është detyra e njerëzve të rrinë me celular në dorë apo përpara kompjuterit që të kërkojnë. Është detyra jonë t’jua themi, është detyra jonë t’jua nënvizojmë çfarë po bëjmë.

Ashtu sikundër është detyra jonë, në këtë moment që flasim, që të garantojmë që vetting-u në polici të mos krijojë turbulli mes atyre që janë pjesë e këtyre trupave dhe që kanë nevojë, jo thjesht të dëgjojnë, por dhe të asistohen një për një, për ta kuptuar dhe për ta plotësuar atë pjese të detyrimit që ka ligji. Ashtu sikundër është detyra jonë bëjmë këtë gjë me të gjitha grupet e interesit, me të gjitha komunitetet.

Unë dua ta nënvizoj edhe njëherë që, duke filluar nga java e parë e majit, – datat i di Kryetari i Asamblesë, – të gjithë ne do të bëjmë fushatën tonë, njësoj si fushatë zgjedhore, me të njëjtin intensitet, me të njëjtën thellësi penetrimi në territor dhe me të njëjtin vullnet. Nuk do fitojmë vota, sepse nuk kemi kundërshtarë përpara e nuk do ketë zgjedhje në fund të qershorit, por duhet të fitojmë çdo mendje e çdo zemër që hapet për të na dëgjuar dhe duhet të hapim çdo mendje që është e mbyllur, për të na dëgjuar dhe çdo zemër që, qoftë për arsye të mos kuptimit, qoftë për fajet tona, është mbyllur.

Nëse ne shohim sot sondazhet, ne nuk kemi nevojë të bëjmë asgjë, mjafton që të jemi gjallë dhe ne fitojmë zgjedhjet. Mirëpo qëllimi ynë nuk është ky. Ne nuk e kemi marrë gjithë këtë përsipër që të mundim Lulin, se do ishte njësoj sikur Reali i Madridit të ekzistonte për të mundur Vaqarrin.

Ne e kemi marrë këtë përsipër për të ndryshuar Shqipërinë, për të bërë Shqipërinë që duam, me shtet, me punë dhe me mirëqenie.

Në fund të kësaj fushate, ne do të vlerësojmë çfarë ndryshimesh do të bëjmë në qeveri në shtator, nëse do duhen bërë. Cilët ministre apo ministra, cilat ministri apo sektorë nuk janë në lartësinë e kësaj nevoje, që jo thjesht të tregojnë shifrat dhe statistikat, por të kenë vendin e tyre në mendjet e në zemrat e atyre që na kanë dhënë besimin.

Në fund të kësaj fushatë do të shikojmë se cilët anëtarë të kryesisë së partisë duhet të largohen nga kryesia dhe cilët janë ata të rinj që duhet të vijnë në kryesi. Do të shikojmë sesi ka punuar Sekretariati i partisë dhe cilat ndryshime duhen bërë. Do të shikojmë cilët janë kryetarët e partisë që do të largohen nga drejtimi i partisë në gjithë territorin për mospërmbushje të detyrave dhe detyra kryesore është bashkëqeverisja. Sa funksionon ura e bashkëqeverisjes në bashkinë ku ti je kryetar dhe sa njerëz në hall zgjidhin halle përmes asaj platforme, falë nxitjes që i bën ti dhe që i bën partia në atë territor njerëzve, për t’u drejtuar në atë platformë e jo për t’i rënë dyerve lart e poshtë, për të gjetur miq e shok e kushëri. Patjetër do vlerësojmë sa i shtrirë është rrjeti familjar, ose i kushërinjve të kryetarit të partisë në administratën lokale. Edhe kryetari, edhe kushërinjtë nuk funksionon. Një nga të dy. Ne nuk kemi asgjë me kushërinjtë. Thjesht kryetari duhet të sakrifikojë e të iki, të punojë në sektorin privat dhe të lëri kushërinjtë të punojnë, ose kushërinjtë duhet të ikin.

Ne duhet të kalojmë në votëbesim popullor të gjithë kryetarët e bashkive të Partisë Socialistë dhe duhet të organizojmë votëbesimin popullor përmes instrumentit tonë të demokracisë dixhitale, për të cilën kemi një punë të jashtëzakonshme për të bërë sepse është një instrument i jashtëzakonshëm, të cilin ne kemi arritur ta vëmë në funksionim në një pjesë shumë të vogël. Duhet të thërrasim komunitetet që të votojnë çfarë mendojnë për kryetarët e bashkive. Që të gjithë kryetarët e bashkive duhet t’i nënshtrohen votës popullore për një votëbesim, për të ditur ku jemi, përpara sesa të hyjmë në vitin zgjedhor.

Ne duhet të jemi të vetëdijshëm që kemi një përgjegjësi të madhe. Kush e ka përgjegjësinë për grupet e këshilltarëve të Partisë Socialiste nëpër bashki, që bllokojnë punët e bashkive, sepse kryetari i bashkisë është i PD-së apo i LSI-së. Kush e ka përgjegjësinë që në Çorovodë nuk jepet ndihma ekonomike, pse grupi i këshilltareve të PS-së nuk shkon në votim, për të nxjerrë kunjin me kryetarin e bashkisë. Histori që na e ka bërë Saliu, na ka nxirë jetën në bashkitë tona dhe e përsërisim ne. Kush e mban përgjegjësinë për këtë? Ashtu sikundër kush e mban përgjegjësinë që individë të ndryshëm në këshillat socialiste të bashkive flirtojnë me kryetarët e bashkive për interesa personale dhe votojnë kundër vendimit të grupit?

Them që në totalitetin e vet, përgjegjësia mblidhet tek udhëheqësit politikë të qarqeve të Partisë Socialiste. Disa prej tyre kanë jo dy kunguj, por dy bostane të mëdhenj nën një sqetull. Nëse nuk i mbajnë dot, mësimi i mëparshëm është shumë i qartë, do lënë bostanin e qeverisë dhe do mbajnë bostanin e partisë.

Shumë faleminderit!

Rama :Sfida jonë kryesore është të jemi në lartësinë e duhur Read More »

Turistët e huaj nisin pushimet në plazhet shqiptare

Qindra të huaj kanë nisur të vizitojnë bregdetin shqiptar, ende pa u çelur zyrtarisht sezoni turistik, ndërsa koha e shkëlqyer i ofron të shijojnë pushimet e tyre.

Plazhi i Shkëmbit të Kavajës që vijon me Golemin më në Jug, mbetet ndër të frekuentuarit nga turistët elitarë, që i vizitojnë çdo sezon veror, ndërsa biznese të shumta gjatë vijës bregdetare tanimë kanë bërë përgatitjet e fundit për të pritur një sezon që pritet të sjellë mijëra turistë në këtë pikë bregdetare.

Për shkak të temperaturave të larta, tashmë ky plazh po vizitohet jo vetëm gjatë fundjavave, por edhe gjatë ditëve të javës.

Por cilat janë arsyet pse shumë turistë të huaj dhe emigrantë shqiptarë zgjedhin t’i kalojnë në Shqipëri?

Një turiste angleze u shpreh për Agjencinë Telegrafike Shqiptare se vjen shpeshherë në Shqipëri ndërsa viziton kryesisht plazhet në jug të vendit.

“Unë jam angleze dhe vij çdo vit në Shqipëri dhe gjithashtu në bregdetin e jugut në Piqeras, pranë Sarandës. Jam martuar me një shqiptar dhe vij shpeshherë. Më pëlqen shumë turizmi që bëhet këtu, plazhet janë të bukur plot me kafe-bare dhe restorante, kështu që njerëzit kanë shumë gjëra për të bërë. Unë mendoj se plazhet në jug, ku ne shkojmë gjatë verës unë i dua shumë, të gjitha qytezat si Piqerasi, Lukova”, – u shpreh ajo.

Mirjeta Lleshi, emigrante shqiptare prej 28 vitesh në Gjermani ka thënë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare se vjen rregullisht në Shqipëri për të kaluar pushimet, ndërsa këtë vit plazhi dhe ambienti përreth i duket më i pastër se vitet e kaluara.

“Sot erdha, dita e parë këtu. Shumë mirë, shumë bukur. Ky vend më pëlqen. Është vendi më i bukur për të ardhur me pushime. Me pëlqeu vendi, shumë pastër, shumë rregull”.

E pyetur nga ATSH-ja se për sa ditë do të pushojë në Shqipëri, ajo u shpreh se për momentin ka ardhur vetëm për një javë, për t’u rikthyer sërish në muajin gusht. “Për një javë kam ardhur tani, por në gusht do të vij prapë”.

Ajo ia ka sugjeruar edhe mikeshave të saj të huaja për të kaluar pushimet në Shqipëri.

“Vitin e kaluar kam ardhur me një braziliane këtu dhe thotë që këtu është edhe më bukur sesa në Brazil”.

Një tjetër turiste angleze, e martuar me një shqiptar nga Kukësi ka thënë se i pëlqen shumë moti i shkëlqyer i Shqipërisë. “Ne erdhëm këtu për pushime, jemi shumë të gëzuar, moti është i shkëlqyer, ne jemi shumë me fat, sepse moti është shumë i bukur”.

Më tej ajo ka shtuar se çdo herë që vjen në Shqipëri është gjithmonë e më mirë.

Një tjetër emigrant shqiptar që jeton në Londër prej 22 vitesh ka ardhur për të pushuar disa ditë në plazhin e Golemit, ndërsa ka thënë se Shqipëria ofron një klimë të mrekullueshme edhe në fund të prillit.

“Prej dy ditësh kemi ardhur. Unë jetoj dhe banoj në Londër. Këtu është shumë bukur, koha është fantastike. Mua më duket shumë më mirë, shumë më qetë dhe fundi i prillit me këtë kohë, është një gjë fantastike për ta gjetur”, – është shprehur Ylli Granica./ATSH

https://www.facebook.com/Agjencia.Telegrafike.Shqiptare/videos/1289112127889756/?t=0

Turistët e huaj nisin pushimet në plazhet shqiptare Read More »

Mori postin e rëndësishëm, ja si e festoi Majlinda Bregu fitimin e punës së re

Pak dite me pare ish-deputetja e Partisë Demokratike, Majlinda Bregu, mori pozicionin e Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Bashkëpunimuit Rajonal, duke thënë: Fituam, por fitorja i takon vendit tim!”

Bregu nder te tjera falenderoi dhe ministrin e Jashtem, Ditmir Bushati.

Këtë event kaq të rëndësishëm në karrierën e saj, Bregu, mesa duket, ka vendosur ta festojë siç duhet.

Ajo është fotografuar pak ditë më parë në një restorant të njohur në Durrës në shoqërinë e bashkëshortit të saj dhe miqve.

Mori postin e rëndësishëm, ja si e festoi Majlinda Bregu fitimin e punës së re Read More »

Mesazhi rrëqethës që merrte kjo grua: Pas vdekjes, babai më dilte çdo natë në ëndërr dhe….

Eva kishte 8 vjet që i kishte rënë spitaleve të botës cep e më cep për t’u bërë nënë, por pa rezultat. Në këtë moment të jetës së saj ajo pëson dhe humbjen e babait. Por gjërat për të ndryshojnë fill pas kësaj tragjedie.

Eva e humbi babain e saj 6 vjet më parë, pikërisht atëherë kur kishte më shumë nevojë për të. Kishte 8 vite që përpiqej të sillte në jetë një fëmijë e për këtë shkonte nëpër spitale nga njëri cep i botës në tjetërin. Në rrëfimin e “Ka një mesazh për ty” ku ajo thirri hallat për t’u dhënë mesazh, një pjesë të madhe të historisë zë dhe kalvari i vuajtjeve për t’u bërë nënë.

“Kisha pas shpatullave 12 fekondime in vitro negative, isha mbushur plot me hormone, sistemi nervor nuk mbante më”, tregon Eva e cila ishte përpjekur për një shtatzani që në ditën e parë të martesës.

“Gjatë këtyre 8 viteve, qava, u bëra armike me Zotin, jetoja me pyetjen Pse duke mos pasur asnjë arsye shëndetësore, u bëra xheloze me ato gratë që më dilnin përpara me barkun e madh se pse ato Po, dhe unë Jo. U bëra armike me të gjithë, herë me të drejtë dhe herë pa të drejtë”, tregon me sinqeritet Eva. Disa herë me të drejtë sipas saj, sepse njerzit flisnin për të pas krahëve për faktin se ajo s’bënte fëmijë, madje njerëz të afërt.  Por disa herë edhe me të padrejtë sepse shumë njerëz ndoshta pa dashje uronin që të bëhej me djalë apo me vajzë. “Dhe unë thoja po këto sa të pashpirt, sikur nuk e dinë që unë nuk po mundem”, shton ajo.

Humbjen e babait ajo e përjetoi shumë keq pasi me të kishte lidhje shumë të veçantë. Një vdekje e papritur të cilën ajo tregon se e kishte parandjerë. Ndërkohë i ati çdo natë i shfaqej në ëndërr duke i thënë që të vazhdonte me përpjekjet për t’u bërë nënë edhe pse ajo i kishte humbur të gjitha shpresat. “Çdo natë më thoshte, shko të keqen babi se do bësh një vajzë të bukur do ia vësh emrin Jasemina. Vajta tek halla ime e madhja dhe i tregova. Ajo më tha “të keqen halla nisu se babi të ka dhënë bekimin. Ai ka shkuar atje për të të dhënë një fëmijë. U bëra shumë keq, nuk doja të ikja sepse mendoja se do ndërroja babain me fëmijën”. Eva po përjetonte ditët e fajit, i cili e rëndon edhe sot e kësaj dite. “Kam përshtypjen se unë e lodha shumë babin me hallet e mia dhe u bëra shkak”, i thotë ajo Arditit.

Niset për në Turqi vetëm për hir të ëndërrës së babait, edhe pse doktoresha atje nuk ishte dakord që ajo të provonte sërish për shkak të historisë së saj të gjatë të fekondimeve që kishin arritur në 12. “Është një masakër për femrën, sepse merr shumë hormone të rënda, trupi yt deformohet, mendja jote deformohet, të kapin halucinacionet, të kap paniku, takikardi e vazhdueshme. I kam jetuar 8 vjet pasi me këmbëngulje bëja fekondime cdo 7 muaj”, tregon Eva.  Por ajo sërish nuk u dorezua. Kësaj here kishte një motiv akoma më të madh. “Pas 2 javësh shkoj për të marrë përgjigjen. Doktoresha më tha se isha shtatzanë me dy binjakë. Më besoni, tre muaj në çdo natë shkoja babi që më vinte duart në bark”, tregon ajo. Babai i kishte thënë në ëndërr se do bënte një vajzë me emrin Jasemina. Në muajin e tretë të shtatzanisë ajo humb njërin nga bebet që ishte djalë, por nuk u ligështua. “Doja të kaloja një shtatzani pa derdhur asnjë pikë loti, se mezi e prita”. Tashmë Eva është nënë e dy fëmijëve, të Jasëminës 5 vjeçare dhe një djali që është pothuaj 3 vjeç. “40 ditë e 40 net nuk kam fjetur nga kënaqësia. Nuk besoja se ishte e imja”, tregon ajo kur solli në jetë fëmijën e parë. “Babi është ëngjëlli im dhe i fëmijëve të mi”, përfundon ajo historinë e gjatë të përpjekjeve për t’u bërë nënë.

Mesazhi rrëqethës që merrte kjo grua: Pas vdekjes, babai më dilte çdo natë në ëndërr dhe…. Read More »

S’kishte festuar kurrë ditëlindje, klasa surprizon shoqen e tyre në emision

Nxënësit e një klase kanë menduar ta bëjnë të pazakontë ditëlindjen e shoqes së tyre Stelinës, e cila në 15 vite jetë s’kish festuar kurrë asnjë vit të jetës së saj . Ata na kanë shkruar për t’i dhënë asaj një mesazh, por produksioni ka menduar t’i organizojë asaj një ditëlindje përrallash, një kujtim të parë ditëlindjeje që do i mbetet gjatë në mendje.

Historia e jetës së Stelinës, nuk është aspak e ngjashme me moshatarët e saj. Shoqet e saj të klasës, treguan se Stelina lindi nga martesa e dytë e babait të saj, me të ëmën e cila është me aftësi të kufizuara mendore.

Kushtet e vështira në të cilat ajo jetonte u rënduan më shumë kur babai i saj u nda nga jeta kur ajo dhe vëllai i saj ishin vetëm në klasë të dytë.

“Ata jetojnë në kushte të mjerueshme ekonomike, me një pension të vogël të nënës së tyre ndërkohë që janë 5 frymë për t’u ushqyer. Ata janë dy fëmijë që kurrë nuk i kanë njohur lodrat, kompjuterin apo gjithcka tjetër që mund të dojë një fëmijë si ne. Ata nuk marrin pjesë kurrë në aktivitetet e shkollës, në mbrëmjet që organizojmë në shkolle”, tregojnë shoqet e saj të klasës. Madje dhe në bisedat që ato bëjnë për kujtimet e lodrat e fëmijërisë, Stelina shmanget pasi s’ka asgjë për të treguar.

Gjithësesi arsyeja që i shtyu shokët e saj të klasës për t’iu drejuar “Ka një mesazh për ty”, ishte një letër që ata gjetën një ditë rastësisht poshtë bankës së Stelinës.

“Këtë letër ajo ia kishte drejtuar babait të saj që nuk jeton më. Aty ajo kishte shkruar se e ndjente shumë mungesën e tij, se e vuante shumë faktin qe s’kishte asnje kujtim të bukur nga femijeria, nuk mund të përballonte më asgjë dhe se ishte e lodhur nga jeta” treguan nxënësit, të cilët ishin tronditur dhe përlotur nga letra e shoqes. Përvec surprizës së ditëlindjes, nxënësit e klasës i kërkuan Stelinës të ishte më e hapur me ta dhe i premtuan se do ta mbështesnin gjithmonë.

S’kishte festuar kurrë ditëlindje, klasa surprizon shoqen e tyre në emision Read More »

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com