Në vijim të fushatës, në kuadër të mbarëvajtjes së sezonit turistik 2018, në përputhje me prioritetet e Ministrisë së Brendshme, për t’u garantuar qytetarëve një shërbim policor në përputhje me standardet e kërkuara, specialistë të Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA) kanë ndërmarrë një fushatë sensibilizuese në Pikat Kufitare.
Specialistët ishin pikën e kalimit kufitar në Muriqan për të folur me qytetarë e pushues dhe për t’i njohur me shërbimin, si dhe shpërndanë kartëvizita me numrin pa pagesë 0800 90 90 ku çdokush mund të denoncojë shkeljet e punonjësit të Policisë së Shtetit. /atsh
Mbi 60 për qind është rritur numri i vizitorëve të Kalasë së Gjirokastrës, bazuar në shifrat që janë publikuar nga Drejtoria e Kulturës Kombëtare e qytetit, shkruan sot “Koha Ditore”.
Mediet shqiptare kanë raportuar se bazuar në numrin e vizitorëve në kala, në shtatë muajt e parë të vitit, i bie se qyteti që mbrohet nga Organizata Ndërkombëtare e Bashkimit Evropian për Edukim, Shkencë e Kulturë “UNESCO” e ka pasur një sezon të suksesshëm turistik.
“Shifrat e bëra publike nga Drejtoria e Kulturës Kombëtare në Gjirokastër tregojnë për rritje me mbi 60% të numrit të vizitorëve për 7 muajt e parë të këtij viti, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar”, ka shkruar Agjencia Telegrafike Shqiptare. Gjatë vitit 2017, përgjatë kësaj periudhe, numri i vizitorëve ka qenë 31.085, numër ky që sivjet është rritur në 50.481 turistë vendas e të huaj. Një prej atraksioneve kryesore në qytet është Kalaja… (më gjerësisht lexoni sot në “Koha Ditore”)
Turistët që vizitojnë Vlorën kanë aq shumë në ofertën e qytetit bregdetar, sa nuk do t’u mjaftonte koha e pushimeve të tyre. Deti, natyra e mrekullueshme, vendet e veçuara e të paprekura që duhen soditur, por edhe historia dhe kultura e këtij qyteti me rëndësi të veçantë në historinë e vendit, përbëjnë një pasuri të madhe që duhet programuar për t’u shijuar.
Kështu, pas një dite në plazhet e Vlorës, pasditja mund të jetë një moment i mirë për t’ia kushtuar muzeumeve.
Në qytetin e Vlorës ndodhen dhe funksionojnë 3 muzeume. Secili prej tyre përfaqëson vlera, problematikë dhe periudha të caktuara në historinë e rrethit.
Muzeu i Pavarësisë Kombëtare, Muzeu i Relikeve Historike (Muzeu Historik) dhe Muzeu Etnografik, janë të vendosur në tre godina në pozicione të ndryshme në qytet. Madje, secila prej këtyre godinave përfaqëson dhe mbart në vetvete vlera të caktuara historike e arkitektonike.
Viti pas viti, numri i turistëve, veçanërisht atyre nga Kosova ka njohur rritje në vizitat e regjistruara në këto muzeume, veçanërisht në atë të Shpalljes së Pavarësisë Kombëtare, ku gjenden pjesë të rëndësishme të historisë së kombit.
Muzeu i Pavarësisë Kombëtare
Është krijuar në vitin 1936 dhe është muzeu i parë shqiptar. Prej krijimit e deri në ditët tona, është rritur, plotësuar e konsoliduar si një nga objektet më të rëndësishme muzeale jo vetëm në rrethin e Vlorës, por edhe më gjerë. Me rastin e 50-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë, u shpall Muze Kombëtar. Vetë godina dhe gjithçka ndodhet e ekspozuar në të, përfaqësojnë një nga momentet më të rëndësishme në historinë e kombit shqiptar. Në këtë godinë, janë hedhur themelet e shtetit shqiptar.
Për 6 muaj, aty u vendos dhe funksionoi Qeveria e Ismail Qemalit, që u krijua pas shpalljes së pavarësisë. Muzeu i Pavarësisë Kombëtare, konsiderohet si një objekt muzeal i pëlqyeshëm. Ai përbëhet nga 2 dhoma dhe 2 korridorë. Në të janë ekspozuar objekte origjinale të kohës që pasqyrojnë, dokumente të rëndësishme të periudhës së Rilindjes e të Pavarësisë, si dhe vepra të ndryshme arti kushtuar kësaj periudhe, pesha e së cilës i kalon caqet lokale.
Ai ndodhet në jug të qytetit të Vlorës, në afërsi të portit.
Muzeu i Relikeve Historike (Muzeu Historik)
Ndodhet në qendër të qytetit, në një godinë mjaft të veçantë, e cila më parë ka shërbyer për organet e qeverisjes vendore dhe organizatat e masave. Ky muze u krijua në vitin 1962.
Këtu janë ekspozuar dhe ruhen qindra objekte origjinale, të cilat përfaqësojnë dhe pasqyrojnë periudha të ndryshme historike, që fillojnë me antikitetin dhe vazhdojnë me ditët tona. Në këtë muze, vizitorët mund të shohin objekte arkeologjike që u përkasin qyteteve të ndryshme antike në rrethin e Vlorës si, Orikut, Amantias, Plocës, Olimpias (Mavrovë) e më tej, Kioninës (Kaninë). Në mjediset e këtij muzeu ndodhen gjithashtu, objekte origjinale që i përkasin periudhës së mesjetës. Mes tyre, përfshihen dokumente origjinale për qytetin e Vlorës, armë, sende luftëtarësh të njohur në histori. Në Muzeun Historik, ka një kënd të vecantë ku pasqyrohet kontributi i popullit të rrethit të Vlorës për shpalljen e pavarësisë. Në të ndodhen njëkohësisht edhe 2 pavione të veçanta, që evokojnë Luftën e Vlorës në 1920, si dhe Lëvizjen Demokratike të Qershorit 1924.
Në këtë muze, është vendosur edhe arkivoli origjinal ku prehej trupi i patriotit Avni Rustemi, në momentin që u varros e deri në çastin kur u zbulua për t’u rivarrosur në të njëjtin vend. Arkivoli me trupin e tij u gjet rastësisht në mesin e viteve ’80-të të shekullit të kaluar, gjatë punimeve për rikonstruksionin e bulevardit Vlorë-Skelë. Gjatë gërmimeve në vendin ku ndodhet sot statuja e Avni Rustemit, punëtorët zbuluan papritur një mjedis të nëndheshëm me të paktën dy kthina, në njerën prej të cilave ndodhej arkivoli me trupin e Avni Rustemit, i ruajtur në një gjendje mjaft të mirë. Më pas ai u rivarros pothuajse në të njëjtin vend, ndërkohë që arkivoli origjinal u vendos në mjediset e Muzeut Historik. Arkivoli, mjaft hermetik dhe i mbuluar nga flamuri kombëtar, është një objekt mjaft i rrallë. Ai është ndërtuar prej plumbi dhe një pjesë xhami.
Muzeu Etnografik
Është vendosur në një nga godinat më të vjetra të qytetit, që është ndërtuar në mesin e shekullit XIX. Kjo godinë është shpallur monument kulture. Muzeu është mjaft i pëlqyeshëm për vizitorët dhe në të pasqyrohen të veçantat e traditave të rrethit të Vlorës. Mes tyre, përfshihen traditat më të mira të kulturës materiale, të punuara nga banorë të rrethit të Vlorës, ku vecojnë ato të punimit të metaleve, drurit, veshjeve dhe qëndisjes, peshkimit. Në godinën ku është vendosur Muzeu Etnografik, në vitin 1908 u krijua klubi patriotik “Labëria” me president nderi Ismail Qemal Vlorën. Po ashtu, në vitin 1909 këtu u çel shkolla e parë në gjuhën shqipe për vashat e qytetit, e drejtuar nga patriotja Marigo Posio. /atsh
Agjencia Kombëtare e Turizmit(AKT) organizoi këtë fundjavë një tur për një grup gazetarësh, blogerësh, dhe përfaqësues të turizmit alpin nga vendet e Europës Qrndrore si Austri, Çeki , Gjermani etj .
Ky tur informues u organizua në bashkëpunim me disa agjenci, shoqata, të cilat ushtrojnë këtë veprimtari dhe i janë dedikuar këtij lloj turizmi.
AKT në këtë mënyrë u bë promotor i Alpeve Shqiptare, duke njohur vizitorët me traditat, kulturën, natyrën dhe veçantinë e kësaj zone të vendit tonë. Vizitorët mundën të admironin disa nga bukuritë e zonës së Thethit , Komanit dhe atraksionet përreth./atsh
Kosova gjatë periudhës së verës është e mbushur me mërgimtarët tanë, si dhe me turistë të huaj që e vizitojnë vendin tonë për arsye turizmi dhe rekreacioni.
Kosova është një vend i vogël, por me disa pasuri natyrore dhe vende atraktive për t’i vizituar.
Për këtë verë me bashkëpunim me një etnolog si dhe me Prizreni Guide këto janë vendet të cilat mund të vizitohen nga turistët e huaj dhe kosovarë:
Prishtina
Vendet që duhet të i vizitosh në Prishtinë:
Muzeu Etnologjik
Është pjesë përbërëse e Muzekut të Kosovës. Këtë muze e vizitojnë shumë turist nga e gjithë bota, me qëllim të informimit për trashëgimisë kulturore prej pavijonit arkeologjik, teknologjisë, natyrës, etnos-kulturës, dhe folklorit. Është vend shumë interesant për të u vizituar nga të gjithë, sidomos për ata që duan të mësojnë diçka më shumë për kulturën shqiptare
Xhamia e Sulltan Mehmet Fatiut
Kjo xhami gjendet në bërthamën e qytetit të vjetër të Prishtinës. Ndryshe njihet edhe si Xhamia e Madhe ose Xhamia e Mbretit. Kjo xhami përveç që vizitohet çdo ditë prej besimtarëve myslimanë, vizitohet po ashtu edhe nga shumë turist anë e mbanë botës. Mos dil nga Prishtina pa e vizituar!
Katedralja Nëna Terezë
Ideja e ndërtimit të kësaj Katedrale ishte nga Presidenti Rugova. Kjo katedrale është inauguruar zyrtarisht vitin e kalaur. Është një vend interesant për të u vizituar. Në kulm të katedrales mund të shihet gjithë qyteti i Prishtinës. Shumë turistë nga e gjithë bota shkrepin foto të ndryshme në këtë vend. Nëse do të e shohësh gjithë Prishtinën, atëherë vizito edhe Katedralen Nëna Terezë.
Jashtë kryeqytetit të Kosovës ka shumë vende atraktive dhe të bukura për të vizituar nga shumë turistë :
Prekazi
Kompleksi Memorial Adem Jashari është vendi më i vizituar në të gjithë Kosovën si nga vendorët ashtu edhe nga ndërkombëtarët. Historia e Kosovës është e lidhur me këtë fshat. Ciceroni i këtij kompleksi kujdeset që vizitorëve t`ua shpjegojë historikun e familjes Jashari, si dhe pjesë nga historia e Kosovës.
Janjeva
Ky vend është lokalitet shumë i lashtë, Këtë e dëshmojnë mbishkrime të shumta që janë gjetur që nga e kaluara. Në këtë vend jeton edhe komuniteti pakicë kroat. Mund të mësosh shumë gjatë vizitës në këtë vend. Një objekt fetar interesant për të u vizituar është edhe kisha e këtij fshati. Po ashtu, një vend shumë atraktiv për të u vizituar
është shtëpia e Shtjefan Gjeqovit.
Rugova
Trevat e Rugovës është e ndarë me 13 fshatra. Është ndër vendet më të bukura dhe më piktoreske në Kosovë. Të gjithë vizitorët dalin të mahnitur me këtë vend. Rugova është gjithmonë një ide e mirë. Ua rekomandojmë !
Bjeshkët e Deçanit
Këto bjeshkë nuk është se kanë qenë atraksion turistik në të kaluarën. Por tani ka shumë vizitorë jo vetëm vendor por edhe ndërkombëtar. Mos e lë të shkoj kjo verë pa e vizituar këtë vend.
Prizreni
Pa dyshim është qyteti më i bukur dhe më historik i Kosovës. Vendi i parë që do e dëgjosh që do të rekomandohet nga të tjerët sapo të hysh në Kosovë është Prizreni.
Vendet që patjetër duhet të i vizitosh në Prizren :
Lidhja e Prizrenit
Xhamia e Sinan Pashes
Kisha Katolike e Zonjes Ndihmetare
Kisha Ortodokse e Shen Gjergjit
Kisha e Shën Nikollës
Kalaja e Prizrenit
Teqja dhe Muzeu Etnologjik,
Xhamia e Bajraklise dhe Hamami dhe
7.Muzeu Arekologjik (Sahat Kulla)
Mirusha
Ujëvarat e Mirushës janë një prej vendeve më piktoreske dhe më të bukura në Kosovë. Kjo ujëvarë ka rëndësi të madhe historike, natyrore dhe shkencore. Vendose në listën tënde këtë ujëvarë dhe jepi kujtime të mira verës tënde.
E pasur me pyje të shumëllojshme, me liqene të pastër dhe një natyrë thuajse të pashkelur, Funari është një nga bukuritë më të mëdha të bashkisë së Elbasanit, por edhe të vendit. Infrastruktura rrugore e vështirë ka bërë që kjo zonë të mos frekuentohet masivisht, edhe pse ndodhet 20 km larg Elbasanit.
Por, tashmë, me promovimin e zonës dhe rregullimet infrastrukturore, Funari mbetet surpriza e pazbuluar ende e turizmit malor në Shqipëri.
Për promovimin e kësaj zone dhe kthimin e saj në destinacion turistik, Bashkia Elbasan ka organizuar një festë e cila pritet të kthehet në traditë, ndërkohë që një projekt i Bashkisë synon ta lidhë Funarin drejtpërdrejt me Tiranën përmes një aksi rrugor që kalon mes fshatrave dhe ndikon në rigjallërimin e tyre.
E ndodhur vetëm 20 km nga Elbasani dhe 25 km nga Tirana, pakkush e njeh këtë mrekulli të natyrës. E pasur me pyje pishash dhe dushku Funari ofron një klimë të shëndetshme që nëse i shtojmë dhe gatimet tradicionle të zonës bëhet vendi ideal për të kaluar fundjavat.
Por përveç bukurive natyrore, Funari na flet edhe me gjuhën e lashtësisë. Në vitin 1967 kur u hap rruga për në këtë zonë, gërrmimet nxorrën në dritë rrasa pllakash që mbulonin varre të ndërtuar me mur guri. Në to gjendeshin skelete që nuk u dëmtuan plotësisht. Ato i përkasin një periudhe shumë të lashtë, mbase parapellazgjike.
Në malin e Bixëlles, shtrirë mbi një shkëmb, është një fushë e vogël prej 2 ha, që nga vendasit quhet qytezë. Sipas shpjegimeve të fjalorit “qyteza”është qendër e vogël banimi mes mureve të një Kështjelle.
Shpella e Hasmit gjithashtu ofron bukuri të rralla për t‘u vizituar./njekomb
Tri vajzat e emisionit “Hostel by Anabel”, Megi, Viola dhe Ana shkuan në Dhërmi, për të treguar se sa të vështirë e kanë shqiptarët të bëjnë pushime kur kihet parasysh se sa marrin mesatarisht në muaj.
Nisur nga statistikat botërore, me një përllogaritje të vogël të rrogës mesatare këtu në Shqipëri, vajzave u takonte të merrnin nga 3200 lekë për kokë.
Dhe sigurisht, nisur nga fakti që do të shkonin në Dhërmi (kujtoni ç’thuhet lart e poshtë për çmimet stratosferike të Jugut) ne e dinim që nuk kishte për të qenë e lehtë.
Sfida e parë? Gjetja e hotelit. Ana u përpoq të bënte një pazar të mirë dhe çmimi përfundimtar qe 3000 lekë.
Pastaj deshën s’deshën (pasi tentuan ta shtynin sa më shumë) erdhi ora bilogjike për të ngrënë. Vajzat u përpoqën të bënin pazare sa më modeste, bukë, domate, djathë, kastravec. Edhe nëse nuk e kishin patur kurrë shpirtin e një kursimtari, tani duhej!
Situata u ndërlikua akoma më shumë kur treshja shkoi pushoi buzë detit (sepse shezlongu ishte thjesht shumë luks).
Se ç’ndodhi pastaj, se si paratë u zhdukën njëra pas tjetrës, si ia bënë gocat të shkonin në party, të bënin foto e video me shotsa që derdheshin lum ju ftojmë t’i zbuloni.
Tetë kështjella të ndërtuara në rajonin e Vlorës dhe që përfaqësojnë periudha të ndryshme historike, vlerësohen si objekte të rëndësishme në funksion të zhvillimit të turizmit kulturor në këtë rajon bregdetar.
Miradministrimi i tyre mund të krijojë të ardhura të konsiderueshme, por njëkohësisht ndikon në ndërtimin e një imazhi të qëndrueshëm tek turistët e huaj.
Ndër kështjellat më të spikatura është kalaja e Vlorës, e ndërtuar në vitin 1531 nga Sulltan Sulejmani, gjurmë të të cilës janë zbuluar në afërsi të Skelës. Qëllimi i ngritjes së saj, sipas historianëve, ishte mbrojtja e gjirit të Vlorës nga sulmet e venedikasve.
Krahas saj, në listën e kështjellave përfshihet edhe ajo e Gjon Boçarit, e cila ndodhet në fshatin Tragjas dhe është ndërtuar në periudhën mes shekujve XVI-XVII. Ajo ka formë drejtkëndore dhe gjerësia e mureve arrin deri në 1.25 metra dhe lartësi deri në 5.5 metra.
Ndërsa kalaja e Himarës i përket një periudhe shumë më të hershme. E ndërtuar si një fortifikim i fisit të Kaonëve, ajo përmendet shpesh në dokumentet bizantine. Në shekullin VI kalaja u riparua me urdhër të Perandorit Justinian, për t’u bërë ballë sulmeve të barbarëve, gotëve e husëve.
Pak kilometra nga qyteti i Himarës, ndodhet dhe kështjella e Porto Palermos, ose e njohur ndryshe kalaja e Ali Pashë Tepelenës. Ajo u ndërtua në fillim të shekullit XIX nga pashai i famshëm, si një dhuratë për zonjën e vet, Vasiliqinë. Kalaja u projektua nga një inxhinier francez në formën e një pesëkëndëshi, me muret që arrijnë një trashësi prej 1,6 metra dhe u ndërtua nga specialistë italianë dhe shqiptarë. Ky objekt i trashëgimisë kulturore ruhet në një gjendje mjaft të mirë dhe është shndërruar prej disa vjetësh në një qendër mjaft të rëndësishme turistike që ka tërhequr vëmendjen e vizitorëve shqiptarë dhe të huaj.
Në listën e tetë kalave me vlera në rrethin e Vlorës përfshihet dhe ajo e Kaninës. E ndërtuar mbi një qendër të vjetër banimi, në shekullin III p.e.s, kjo fortesë ka një sipërfaqe të përgjithshme prej 3.625 hektarë. Kalaja u rindërtua nga Perandori Justinian, në shekullin V, ndërsa rëndësia e saj spikati veçanërisht gjatë rezistencës së shqiptarëve të udhëhequr nga Skënderbeu ndaj pushtuesve turq.
Kalaja e Mavrovës ndodhet në Luginën e Shushicës dhe është ndërtuar në shekullin IV p.e.s. E veçanta e kësaj kështjelle lidhet me faktin se muret janë punuar me blloqe gurësh gëlqerorë.
Por, një kështjellë e hershme është edhe ajo e Kukumit, në fshatin Qeparo, në afërsi të gjirit të Porto Palermos, ndërtimi i të cilës daton në shekullin II p.e.s.
Dy detet që lagin brigjet e Vlorës Adriatiku dhe Joni, duke krijuar dhe dy laguna të mëdha si ajo e Nartës dhe Orikumit, janë atraksioni kryesor për turizmin e jugut shqipëtarë. Nisin me plazhet e shumtë të Zvërnecit, me gjire të bukur e rërë të pastër dhe vazhdojnë me plazhin qëndror të Lungomares, Uji i Ftohtë, Radhimë, Orikum, Palas, Dhërmi,Himarë e pa fund plazhe që frekuentohen në këtë periudhë nga pushues të shumtë.
Vlora mbetet kështu qendra e gravitetit për turizmin shqiptar duke i shtuar dhe parqet e shumtë natyrorë si ai i Llogarasë, i Luginës së Vjosës dhe së fundmi Nivicën me kanionet e famshëm për turizmin e aventurës.
Vetëm Parku i Llogarasë për vitin që shkoj u vizitua nga rreth 90 mijë turist. Po kështu dhe Zvërneci kapi mbi 20 mijë vizitorë pa llogaritur plazhet e Vlorës ku pushuesit janë të shumtë. Vlora i ka të gjitha dhe duhet vizituar…