Turizem

Vlahutin promovon Vermoshin dhe Lëpushën

“BE mund t’i ndihmojë komunitetet rurale që të adresojnë nevojat e tyre me qeverinë vendore dhe qendrore”.

Kështu deklaroi Ambasadorja e BE-së në Tiranë, Romana Vlahutin në një takim me banorët e Vermoshit.

Është e rëndësishme, u tha ajo banorëve, që të përqendroheni në nevojat tuaja kryesore dhe të keni vizionin tuaj për ta zhvilluar fshatin dhe për të përmirësuar jetën tuaj”.

Vlahutin i inkurajoi banorët që të shohin mundësitë e shumta që ekzistojnë në partneritetin BE-Shqipëri për të mbështetur zhvillimin vendor.

Një delegacion i BE-së në Shqipëri vizitoi Vermoshin dhe pati një takim me banorët e tij dhe me Kryebashkiakun e Malësisë së Madhe.

Banorët ndanë përvojën e jetës së tyre në Vermosh, shpjeguan shqetësimet e tyre dhe diskutuan mbi idetë dhe mundësitë e zhvillimit për të promovuar Vermoshin dhe Lëpushën./atsh

Vlahutin promovon Vermoshin dhe Lëpushën Read More »

Mrekullitë e Sarandës që nuk duhet t’i humbisni këtë verë/Foto

Megjithëse kam shkruar disa artikuj mbi Sarandën dhe kam qenë disa herë vitet e fundit, vetëm këto javët e fundit po mësoj ta njoh më mirë dhe e vlerësoj, sepse, e pranoj, nuk e ka pushtuar kurrë zemrën si vendet e tjera të Shqipërisë si Tirana, Korça, Drimadhes.

Kështu e nis shkrimin e saj Sara Perico, themeluese e portalit të informacionit turistik mbi Shqipërinë “Vado in Albania”.

Qyteti i Sarandës shtrihet në një gji të mbushur me hotele, pallate dhe ndërtesa, nuk është shumë për t’u parë për të treguar të vërtetën, por para se të ndiheni të zhgënjyer, duhet të dini se kjo garë për ndërtimin e egër është pasojë e ngjarjeve historike, politike dhe ekonomike që prekën Shqipërinë në epokën postkomuniste.

Në një mënyrë apo tjetër, muret e bardha të betonit që na përballen nga Korfuzi janë gjithashtu pjesë e historisë së vendit dhe përfaqësojnë një aspekt të tij.
Megjithatë, këto ditë po punohet për shtrimin e shkallëve me një dysheme prej guri të bardhë që e stolis shumë qendrën e qytetit.

Megjithatë, nga pikëpamja e shërbimeve, asgjë nuk mund të thuhet, Saranda ka gjithçka: super markete mjaft të mëdha, dyqane të freskëta të mishit dhe peshkut, dyqane, lokale të frutave dhe perimeve, shërbime administrative dhe madje edhe spital. Ajo është gjithashtu plot me restorante, bare, klube nate, bare plazhi, taverna tradicionale, dyqane suvenire, shesh lojërash për fëmijë, një port tregtar, turistë dhe një shëtitore të gjerë dhe të këndshme për të kaluar.

Sipas mendimit tim, gjëja më e tmerrshme në Sarandë është trafiku, në verë edhe më i mbushur se Tirana. Natyrisht, gjithçka përqendrohet në qendër dhe në rrugën kryesore që çon në Ksamil në njërën anë dhe në Himarë në anën tjetër. Por, duhet të thuhet se për të qëndruar në qytet dhe për të lëvizur nga një plazh në tjetrin, nuk keni nevojë ta merrni makinën dhe gjithashtu për të arritur në Ksamil dhe plazhet përreth, ju mund ta bëni me lehtësi me autobus.

Saranda dhe plazhet përreth

Saranda ka plazhe të ndryshëm, disa hotele private. Personalisht unë gjithmonë kam disa rezerva për të ndaluar në plazhet e qyteteve që kanë portet, sepse sigurisht pastërtia e detit është prekur nga trafiku detar i anijeve gjithashtu të mëdha si anijet dhe anijet turistike.

Kështu që nuk ndalem kurrë në ndonjë plazh në qendër të Sarandës, por isha në vendet fqinje që janë në shtrirjen e tokës, që bashkohet me Sarandën në Ksamil.

Plazhi i Manastirit, Pasqyrat dhe Pulëbardha janë tri mrekullitë që absolutisht nuk duhet t’i humbisni për asnjë arsye në botë! Natyrisht, në qershor dhe në shtator do të ishte më mirë, por unë ju siguroj se ata janë të bukur edhe tani! /atsh

Mrekullitë e Sarandës që nuk duhet t’i humbisni këtë verë/Foto Read More »

Post Magazine: Gjirokastra një perlë e vërtetë

Muaji gusht është kulmi i sezonit turistik për pushime në Europën Perëndimore. Kompanitë, dyqanet dhe restorantet mbyllen, duke lejuar qytetarët e vendeve të tilla si Franca, Italia dhe Spanja, të dynden në plazhe, të lundrojnë nëpër dete, të bëjnë ngjitje në male dhe të mbushin parqet kombëtare.

Revista britanike “Post Magazine” sugjeron Shqipërinë mes vendeve si Ukrania, Moldavia, Bosnje Hercegovina si një ndër gjashtë destinacionet e Europës Lindore për të kaluar pushimet verore larg plazheve të mbipopulluara.

Në artikullin kushtuar gjashtë destinacioneve turistike në Europën Lindore ”Post Magazine” shkruan për Shqipërinë se ,”vendlindja e Enver Hoxhës, diktatorit që qeveriste Shqipërinë për më shumë se 40 vjet deri në vdekjen e tij në vitin 1985, nuk mund të dukej si një vend për t’u ekspoluruar, por Gjirokastra është një perlë e vërtetë”.

Nëpër labirintin e rrugëve dredha-dredha ,”Gjiro” njihet si qyteti i një mijë hapave i cili kalon në pazarin e epokës osmane dhe shtëpitë dykatëshe të cilat njihen nga Unesco.
Në kështjellën e shekullit të 12-të, mund të shihni shpendët e luginës së Drinos, ose mund të pini një kafe dhe aventurierët mund të shijojnë një zhytje.

Nëse doni një ndryshim të ritmit, ose kërkoni diçka ndryshe për të kaluar gushtin e nxehtë ,ishulli grek i Korfuzit është vetëm dy orë larg me taksi ose mund të shkoni me traget.

Si të shkoni: Lufthansa ose Turkish Airlines ofrojnë fluturime lidhëse në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranën, nga Hong Kongu. Merrni një autobus ose merrni me qira një makinë për të arritur në Gjirokastër./atsh

Post Magazine: Gjirokastra një perlë e vërtetë Read More »

800 të rinj francezë promovojnë Vlorën si destinacion europian të turizmit

800 të rinj francezë ndodhen në Vlorë për ta prezantuar atë si një destinacion të mirëfilltë në rrjetin e qyteteve turistike europiane, në kuadër të turneut sportiv, kulturor dhe solidariteti Europ’Raid.

Të mahnitur nga bukuria e qytetit bregdetar, që ofron plazhe, monumente të shumta kulturore dhe peizazhe fantastike, ata zgjodhën përsëri këtë Vlorën për ta bërë pjesë të turit të tyre.

Europ’Raid, përfaqëson një nismë që nxit dhe konkretizon idenë për të përshkuar me makina më shumë se 10000 km rrugë përgjatë 23 vendeve europiane dhe për t’i promovuar ato .

Jeremy, një i ri francez shprehet shumë i kënaqur që ndodhen në qytetin bregdetar.

“Vlora është një qytet dhe vend i këndshëm dhe do të kthehemi sërish vitin tjetër”, thotë Jeremy.

Ne, vijon ai, e gjetëm Vlorën të ndryshuar, rrugët janë rikonstruktuar është shumë kënaqësi të vish çdo vit, sepse gjërat po ndryshojnë.

Ndërsa, një vajzë e re , Sofia, thekson se “ne i biem përqark Europës në kuadër të nismës tonë. Jemi të lumtur që jemi në Shqipëri dhe kemi shumë dëshirë të udhëtojmë dhe të zbulojmë vendin”.

E reja franceze tregon edhe takimin me fëmijët e një shkolle të qytetit të Fierit, duke e cilësuar si një eksperiencë shumë të bukur.

Europ’Raid konsiderohet një ngjarje unike kulturore, që synon zbulimin e një trashëgimie, një kulture, një historie, një populli …  Nga Mesdheu deri në Detin e Zi, nëpërmjet Karpateve dhe maleve Tatra, Rinit dhe Danubit, në rivierën shqiptare, Europ’Raid rizbulon peizazhin natyror, qytetet e famshme dhe vende historike europiane: si sheshin e Shën Markut në Venecia, Akropolin e Athinës, xhamitë e Stambollit, Murin e Berlinit, apo kanalet e Amsterdamit.

Europ’Raid gjithashtu do të thotë më tepër kontakte mes popujve. Çdo natë, me dëshirën për të ndarë kulturën e tyre, pjesëmarrësit zbulojnë kultura lokale të vendeve ku kalojnë.

Me makina Peugeot 205, ata duhet të udhëtojnë më shumë se 10.000 kilometra, gati 450 kilometra në ditë, duke e bërë Europ’Raid një nga turet sportive më të gjata në botë.

Turizmi shqiptar është futur tashmë në rrjetin e vendeve turistike europiane dhe botërore./atsh

800 të rinj francezë promovojnë Vlorën si destinacion europian të turizmit Read More »

Saranda, “perla” e jugut tërheq vëmendjen e turistëve nordikë

Saranda, një nga perlat e bregdetit shqiptar sa vjen edhe frekuentohet më tepër nga turistët vendas dhe të huaj.

Të mahnitur nga bukuritë që të ofron qyteti me një vijë bregdetare për t’u pasur zili, Saranda ofron gjithçka për një pushues, plazh të pastër dhe cilësor, akomodim si dhe një larmi vendesh për t’u vizituar, ku një prej tyre është edhe Kalaja e Lëkurësit me pamjen përrallore që të ofron.

Zëdhënësi i bashkisë së Sarandës, Thoma Nika, në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare theksoi ne në qytetin bregdetar vetëm në 2 muajt e këtij viti (qershor-korrik) nga rrugët detare kanë ardhur rreth 80 mijë turistë të huaj.

“Saranda është duke jetuar ditët e bumit turistik dhe kjo është lehtësisht e dallueshme në këto ditë të para të gushtit por e krahasueshme dhe e ngjashme ka qenë situate në muajin korrik. Ajo që nuk duhet lënë pa thënë është që sivjet ka një frekuentim të shtuar nga turistët e huaj në qytetin e Sarandës, e cila vërehet nëpërmjet shoqërive turistike apo nëpërmjet lëvizjeve që vet turistët kanë bërë zbulime për Sarandën nëpërmjet parablerjeve që kanë bërë me sistemin “booking”. Vetëm nga rrugët detare kanë hyrë rreth 34 mijë në muajin qershor dhe rreth 45 mijë në muajin korrik, që është një shifër goxha e madhe krahasuar me vitin e kaluar, duke shënuar një rritje prej 14% sipas raportit detar”, theksoi Nika.

Duke folur për turizmin si një nga karakteristikat kryesore për zhvillimin ekonomik të qytetit dhe zonës përreth, Nika shprehet se në qytetin e Sarandës ka një dominim nga turistët Nordikë, të cilëve u pëlqen të vizitojnë “perlën” e jugut, Sarandën.

“Është një dukuri 6-7 vjeçare që turistët nga vendet Skandinave e kanë të programuar ardhjen në Sarandë dhe në harkun kohorë të 7 viteve numri i turistëve të këtij rajoni ka shkuar nga 1 mijë që ishte në vitin e parë në 10 mijë sivjet.

Kjo është shifër e konfirmuar pasi ka një parablerje të rezervimeve në hotele.

Janë 14 hotele të Sarandës të preferuara dhe të përzgjedhura prej tyre të cilat janë të rezervuar nga ata. Lëvizja e turistëve Nordik është në mënyrë të tillë që ata vijnë çdo javë nga 100 turistë dhe akomodohen në këto hotele dhe turi i javës paraardhëse ua lë vendin atyre të javës pasardhëse dhe ky është lloji i turizmit “back to back”./ATSH

Saranda, “perla” e jugut tërheq vëmendjen e turistëve nordikë Read More »

Pish Poro/ Plazhe ranore ende për t’u zbuluar

Me rreth 9.5 km vijë bregdetare, Pish Poro në Fier ofron plazhe ranore të pashfrytëzuara me detin e pastër dhe pyllin me pisha të buta.

Vija bregdetare ranore e Pish Poros në Novoselë, mbetet një destinacion turistik ende për t’u zbuluar.

E shtrirë mes derdhjes së lumit të Vjosës e deri në Zvërnec të Vlorës, Pish Poro ofron një vijë bregdetare shumë të përshtatshme për zhvillimin e turizmit familjar.

Pishë Poro është shpallur zonë e mbrojtur e kategorisë IV ndërsa njihet si një zonë e pyjeve të pishës mesdhetare.

Në ujërat e pastra të deltës së Vjosës takohet lloji globalisht i rrezikuar lundërza, si dhe peshqit migratore (troftat).

Pish Poro mbetet po ashtu një zonë e rëndësishme për shpendët./atsh

https://www.facebook.com/Agjencia.Telegrafike.Shqiptare/videos/1379575855510049/?t=0

Pish Poro/ Plazhe ranore ende për t’u zbuluar Read More »

Dhoskati i Gjirokastrës mirëpret vizitorët me gatime tradicionale dhe festë

Në këto ditë të nxehta gushti, pothuaj të gjithë janë zhvendosur në jug aty ku freskia, uji, natyra, mali dhe deti bëhen një dhe të pazëvendësueshëm me asgjë tjetër në botë.

Megjithatë, nuk janë të vetmet gjëra që mund të të kënaqin gjatë këtyre ditëve të nxehta. Për të gjithë ata që nuk preferojnë të rrinë gjatë gjithë ditës në diell, por preferojnë të vizitojnë vende që promovojnë kulturën, traditën dhe historinë tonë, ka gjithmonë hapësira.

Më 11 gusht, në Lunxhëri dhe në rrethinat e saj, do të zhvillohen një sërë aktivitetesh kulturore, jo vetëm që do t’ua mbushin ditën, por edhe do të ju ushqejnë me informacione për traditat e lashta të kësaj zone, ashtu si edhe me recetat tradicionale që nuk duan t’ia dinë nëse bota ecën me shpejtësinë e dritës  ato shijojnë edhe më shumë, sepse u janë besnike duarve të gjysheve.

Në Dhoskat, një prej fshatrave më të vizituara të zonës, do të organizohen një sërë aktivitetesh që promovojnë agroturizmin e këtyre rrethinave.

Banorët e zonës, njohësit më të mirë të produkteve organike të prodhuara në këtë vend, do t’ju ofrojnë të shijoni gjithçka të përgatitur nga duart e tyre. Duke nisur që nga trahanaja, te mjalti i luleve e gjithçka tjetër kjo zonë ofron, këtu do t’i gjeni të rralla e të pakrahasueshme me asnjë shije tjetër./atsh

Dhoskati i Gjirokastrës mirëpret vizitorët me gatime tradicionale dhe festë Read More »

CNN: Liqeni i Shkodrës dhe arsyet pse duhet ta vizitoni

Për një vend që shumë njerëz zor se e kanë dëgjuar, kjo masë gjigante uji ka shumë emra.

Në varësi të vendit nga vini, mund të quhet Shkodra, Shkodër apo Scutari, ndërkohë që pjesa më e madhe e vizitorëve e njohin si Liqeni i Shkodrës.

Ky destinacion qëndron nga të dy anët e kufirit mes Malit të Zi dhe Shqipërisë dhe është liqeni më i madh i Europës Juglindore, një hapësirë e pacënuar dhe park kombëtar.

Ai nuk është ndoshta në listën e vendeve më të vizituara për turistët globalë, por ata që marrin mundimin shpërblehen me një mjedis unik dhe një përvojë shumë speciale udhëtimi.

Liqeni është i paprekur nga zhvillimi apo komercializimi – të paktën tani për tani. Megjithatë, ekziston shqetësimi se Projekti i Portit të Liqenit të Shkodrës, një resort i ri ekologjik në liqen, mund të kërcënojë ekosistemin dhe speciet e rralla, përfshirë shumë që janë endemike.

Ndërkohë, të tjerë përgjigjen se projekti do të jetë i ndjeshëm ndaj mjedisit dhe do të kontribuojë në krijimin e vendeve aq të kërkuara të punës, infrastrukturës dhe rritjes ekonomike.

Ndërsa debati vazhdon, këtu ka disa arsye se pse porti dhe ligatina me rëndësi ndërkombëtare, që mbulojnë një sipërfaqe mbi 200 miljesh katrore, i bëjnë ato një destinacion kaq imponues.

Kur vizitoni Shkodrën, ju duhet ta ulni një marsh, pasi për adhuruesit e udhëtimeve të ngadalta, ka pak destinacione më të mira.

Stili lokal i jetesës duket se reflekton një pamundësi për t’u ngutur, ndërkohë që deri tani rruga më e mirë për të vizituar pjesën më të madhe të liqenit është nëpërmjet udhëtimit me varkë, fillimisht nga qyteti i fjetur malazez i Virpazarit.

Një grusht varkash druri peshkatarësh kanë streha të bëra me kallam bambuje dhe kanë të gjitha emra individualë, kështu që ju mund ta gjeni veten mbi një varkë me emrin Milica apo Bretkosa e Artë.

Me zërin e heshtjes dhe bukurinë mahnitëse të natyrës rreth teje, gjithçka që keni nevojë të bëni është të uleni dhe të ecni ngadalë pa ndonjë qëllim.

Liqeni është shtëpia e një diversiteti të dukshëm të jetës së egër. Pesëdhjetë lloje peshqish jetojnë në këto ujëra, 18 prej të cilëve nuk gjenden diku tjetër në Tokë, çka konfirmon statusin e një ligatine me rëndësi ndërkombëtare. Ka ngjala dhe levrek, bli dhe më i përhapuri është krapi.

Ka më shumë se 50 lloje speciesh kërminjsh ujërash të freskëta, ku të paktën një e treta janë endemikë, duke e bërë një nga zonat më të rëndësishme të Europës.

Nëse do të ishit me shumë fat, atëhere ju mund të kapni një pamje momentale të një vidre të rrezikuar, ndërkohë që gjarpërinjtë e ujit rrëshqasin pranë jush.

Kandila të vegjël blu të mrekullueshëm, së bashku me pilivesa të kuqe, portokalli dhe jeshile janë shoqërues të përhershëm.

Jeta e shpendëve
Një grup prej 270 speciesh e bëjnë Liqenin e Shkodrës një nga rezervatet më të mëdha të shpendëve të Europës dhe një destinacion popullor për ornitologët.

Kjo për shkak se ata mund të dallojnë aty disa nga pelikanët e fundit dalmatë të Europës, karabullakët e detit që thajnë krahët e tyre dhe habitatet e çafkave të rralla e të verdha.

Rreth 90% e tyre janë zogj migrues, që do të thotë gatat sqeplugë, rosat dhe çafkat e bardha janë vizitorë të tjerë të rregullt.

Ndonjëherë në varkë ndjeheni sikur jeni në një ekspeditë gjuetie zogjsh, me diversitet të pabesueshëm në çdo hap.

Flora
Të gjitha kafshët e egra kanë nevojë për bimësi dhe në mesin e shumëllojshmërisë së tyre gjenden më shumë se 25 specie të konsideruara të rralla dhe të rrezikuara, duke përfshirë një varietet të gështenjës ujore, krokëllit dalmat dhe orkide të shumta të mbrojtura.

Bambuja është shpesh e dukshme në bregun e liqenit, ndërkohë që disa prej luleve më fotozhenike duhet të jenë zambakët e bardhë dhe të verdhë që dalin nga ligatina.

Mund të mos jenë aq të bukura, por ka qindra lloje algash, shumë prej të cilave përsëri janë të rralla ose unike. Pyjet gjithashtu mbulojnë pjesën më të madhe të peizazhit përreth, duke përfshirë shelgun e bardhë dhe lisin.

Histori
Pavarësisht nga qetësia dhe natyra kryesisht e paprekur e liqenit, ai ka qenë dëshmitar i një historie shpesh të trazuar.

Rreth liqenit qëndrojnë mbetjet e 18 manastireve, fortesave, monumenteve dhe kishave.

I banuar nga ilirët e lashtë, grekët dhe romakët, Shkodra dikur ishte pjesë e Perandorisë Bizantine dhe u pushtua nga Perandoria Osmane për pesë shekuj, siç tregohet nga rrënojat përfshirë fortesën e Besakut në Virpazar.

Pas rënies së perandorisë në shekullin XIX, Mali i Zi më pas u bë një principatë e pavarur para se Virpazari të bënte histori si vendi i kryengritjes së parë partizane të Malit të Zi në kohën e Luftës së Dytë Botërore.

Alcatrazi i Malit të Zi
Sundimi i Perandorisë Osmane nxori gjithashtu një nga legjendat më famëkeqe të liqenit. Kështjella e Gërmozurit u ndërtua në 1843 në një ishull me gurë, përpara se të shndërrohej në versionin malazez të Alcatrazit nën mbretin Nikolla I.

Thuhej se as të burgosurit dhe as rojet e burgut, të cilët ishin në gjendje të notonin, e kishin teorikisht të pamundur arratisjen.

Por, dy të burgosur, me sa duket, ia dolën të ikin, duke përdorur një derë si trap.

Për rojet e pafat që i vëzhgonin, dënimi ishte të vuanin të njëjtin dënim si të burgosurit e shpëtuar.

Ushqimi
Ndërsa liqeni është një strehë e mbrojtur e kafshëve të egra, peshkimi me leje është i mundur në disa zona, që do të thotë se peshku nuk mund të jetë më i freskët sesa kur vjen në tryezën tuaj.

E njëjta gjë vlen edhe për produkte të tjera, duke përfshirë djathrat e shkëlqyer të bërë në shtëpi, bimë të tilla si rozmarinë dhe sherbela si dhe pirgje me fruta dhe shegë të kudogjendura, fiq, qershi dhe arra.

Një numër i vogël opsionesh për të ngrënë janë të dallueshme përgjatë liqenit. Në një prej tyre, me pamje nga rrënojat e shtëpive të lashta dhe shtretërve të kallameve, ushqimi është i thjeshtë, por i shijshëm.

Një çift i moshuar mbikëqyr gjërat, në karrige plastike kopshti dhe tavolina pikniku që ofrojnë sfond të përsosur për festë.

Mund të fillojë me proshutën, domate të shkëlqyera lokale të bëra sallatë, përpara se krapi të skuqet dhe të shërbehet me bukë të bërë në shtëpi.

Dollitë me një pije alkoolike ”të zjarrtë” të quajtur raki të sigurojnë një udhëtim të butë me varkë gjatë të cilit mund të jeni edhe të përgjumur.

Manastiret
Një numër manastiresh historike janë të shpërndara në dhe përreth liqenit, në heshtjen, paqen dhe bukurinë natyrore që i rrethon.

Manastiri i Vraninës, më i njohur si Shën Nikolla, është një manastir ortodoks serb dhe gjithashtu një nga më antiket e zonës, që daton në shekullin XIII. Ai ndodhet lart në një kodër në një ishull me të njëjtin emër duke patur një pamje të pabesueshme.

Megjithëse është sulmuar dhe pothuajse është shkatërruar gjatë historisë së saj, kisha u restaurua rreth 20 vjet më parë, ndërsa përpjekjet vazhdojnë për rinovimin e gërmadhave të tjera në vend.

Sot atje jeton vetëm një murg, i cili kujdeset për kishën dhe gjithashtu punon si bletar duke prodhuar mjalt mesa duket me përfitime mjekësore.

CNN: Liqeni i Shkodrës dhe arsyet pse duhet ta vizitoni Read More »