Turizem

Ambasada italiane: Fjalët kyçe të turizmit, Gjirokastra, Butrinti dhe Saranda

Ambasada e Italisë në Shqipëri, promovon vlerat e turizmit dhe trashëgimisë kulturore të Shqipërisë, duke renditur në vend të parë Gjirokastrën, Butrintin dhe Sarandën.

“Historia dhe trashëgimia arkeologjike, natyra dhe biodiversiteti, kuzhina tradicionale dhe bregu i Jonit. Fjalët e tjera kyçe të këtij turi në Shqipëri janë: Gjirokastra, Butrinti dhe Saranda”, shprehet Ambasada italiane.

Ambasada italiane: Fjalët kyçe të turizmit, Gjirokastra, Butrinti dhe Saranda Read More »

Turistë të huaj edhe në Malin me Gropa e në Bizë të Martaneshit

Mali me Gropa dhe Biza e Martaneshit janë edhe një destinacion turistik i preferuar për turistë vendas dhe kryesisht të huaj.

Një nga pasuritë natyrore, Mali me Gropa dhe Biza e Martaneshit, janë një kurorë e rrallë e peizazhit natyror të Shqipërisë, të rralla nga bukuria, diversiteti dhe burimet natyrore.

Peizazhi i Malit me Gropa-Bizë-Martanesh ka sipërfaqe prej rreth 252.7 km2, ku përfshihen 182.9 km2 pyje, ripyllëzime, pyje të rrallë ose tokë me bimësi pyjore, 14.5 km2 sipërfaqe bujqësore dhe pemëtore, rreth 54.7 km2 kullota, livadhe me bimësi të rrallë dhe 0.4 km2 troje urbane, e përzier me tokë bujqësore, pemishte e pyje.

Zona qendrore përfshin habitatet pyjore natyrore të Brozh-Bardhetit, Snoit të Madh e të Vogël, Bizës, Ballenjës, Martaneshit, Panjetit dhe pjesë të pyjeve të Kostenjës; këto konsiderohen me vlera të larta natyrore dhe biologjike dhe ruhen të pashqetësuara dhe në përputhje me kriteret e administrimit të zonave të mbrojtura në nivel kombëtar.

Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura ka marrë masa për ruajtjen e zonave të mbrojtura në qarkun e Dibrës.

“Gjatë monitorimit në Peizazhin e Mbrojtur Mali me Gropa, Bizë-Martanesh vihet re një shtim i turistëve të huaj që duan të shijojnë bukuritë natyrore të këtij peizazhi”, shprehet Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, Dibër. /atsh

Turistë të huaj edhe në Malin me Gropa e në Bizë të Martaneshit Read More »

Velipoja, një thesar i “pazbuluar”

Velipoja, diadema e brigjeve të Adriatikut

Velipoja, një thesar i “pazbuluar”
Për të flitet fare pak. Por kjo nuk ia ka hequr privilegjin asaj të jetë një prej atraksioneve turistike me vlera të patëdyta. Nëse media e ka përjashtuar disi nga promovimi dhe politikat e turizmit e kanë hedhur në periferi të vëmendjes, është vetë natyra ajo që me të andshmën dëshirë dhe devocion e ka qëndisur Velipojën me gurët më të çmuar, duke e kthyer në diademën e brigjeve të Adriatikut.
Velipoja është e njohur për detin e pastër e rërën kurative, lagunën me specie të shumëllojshme, pyjet me bimësi të dendur, malin me pamje madhështore, lumin Buna dhe për mikpritjen karakteristike të banorëve vendas.
Plazhi i Velipojës është një nga plazhet më të mëdhenj në bregdetin e Shqipërisë. Ky plazh kufizohet në veri me grykëderdhjen e lumit Buna dhe në jug me plazhin e Shëngjinit. Me një vijë bregdetare prej 14.5 kilometra, ai ofrohet me hapësirat e pafundme të mbushura me rërë të zezë, pisha të buta bregdetare, ujë të pastër e të kthjellët, rezervate natyrore, laguna e ishuj që ndërrojnë formë si ëndjet më të hovshme të përfytyrimeve magjepsëse.

Me kah veriperëndimor
Për të sosur në Velipojë mund të niseni nga Shkodra që distancohet prej saj në 28 kilometër rrugë, ose të kthehesh veriperëndimor tek Harku i Bërdicës, ndërsa je afro 5 kilometër pa mbërritur në qytetin verior. Rruga që duhet të bësh për të, përshkon fshatrat e Nënshkodrës, të cilat dikur ishin hambari i bereqetit. Një rrugë jo dhe aq e mirëmbajtur të rrëfen një zonë jo dhe aq të pasur ku banorët jetojnë kryesisht me bujqësi dhe blegtori, pa harrua përkujdesin financiar që vjen nga bijtë emigrantë. Nëpër të njëjtin shteg vërshoj jeta e këtyre banorëve, bagëtitë dhe vargani i turistëve që mësyjnë bregdetin e Velipojës. Këtij dekori nuk i mungojnë sytë kureshtarë të banorëve që presin e përcjellin gjithnjë e më tepër bujtës të destinacionit turistik. Në të afruar të Velipojës rruga që ka pak që është rindërtuar është lajmësi i parë kilometrave të fundit për të mbërritur në zonën e plazhit. Falë sinjalistikës që ende nuk është bërë pre e barbarëve, dendësisë së banesave dhe vajtje-ardhjes së njerëzve sosim në pikëmbërritje.

Historia e Velipojës
Do të kishte diçka të mangët kjo perlë e bregdetit shqiptar nëse nuk do të kishte një histori, një zanafillë, një kumtim që do të shpërfaqte kreshtën shndritëse të krenarisë së saj bregdetare. Që tek etimologjia e këtij toponimi shtangemi. Velipojë, sipas kumtimeve të deritashme vjen nga sllavishtja e vjetër, “Veliko polje”, që do të thotë Fushë e Madhe. Nuk ka shtjellime të hollësishme rreth origjinës së këtij pagëzimi sllav, por fakti që në Shkodër ka edhe disa ndikesa të tjera sllave në toponime, na udhërrëfen te logjika e huazimeve prej fqinjëve. Faktet që njohim janë dëshmitarë të popullimit të hershëm të kësaj zone. Sipas burimeve, të cilat kohëpaskohe pasurohen, mësohet se Velipoja ka filluar të popullohet mbas viteve 60 e të shekullit të kaluar. Megjithatë të dhënat historike tregojnë se kjo zonë njihet si vendbanim që në shek. XV. Ekzistenca e mogilave (varreza në formë konike dhe të ndërtuara me gurë) të gjetura në Malin e Luarzit dhe në Majën e Zezë, rrënojat e kishës në breg të lumit Buna dhe gjetje të tjera arkeologjike, e vërtetojnë më së miri faktin se ajo është një dimension i kahershëm qytetërimi. Në periudhat e mëvonshme, të cilat qëmtohen edhe sot, kjo zonë është dominuar nga fisi i vjetër katolik i Kastratit, që njihej me emrin fisi i pesë bajraktarëve. Popullsia është tërësisht shqiptare, kryesisht katolikë.

“Râna e dermanit”
Për 3/4 e atyre që frekuentojnë plazhin, qëllimi kryesor është ai i përfitimit shëndetësor. Nga 12 plazhet që përshkojnë vijën bredetare, nga Joni në Adriatik, Velipoja qëndron në krye të listës si destinacion kurativ. Edhe pse ai është fare pak i promovuar në aspektin mediatik dhe turistik ai ka privilegjin të jetë një prej plazheve më të rekomanduara. Uji, rëra dhe jodi që e ka pasuruar këtë vijë bregdetare, rreken ta ndajnë çdo vit këtë mirësi me mijëra pushues që i besojnë asaj ditët e relaksit.
Në ujin e kripur të detit të Velipojës gjenden rreth 92 minerale, të cilat janë të domosdoshme dhe njëkohësisht luajnë një rol përcaktues në rivendosjen e shumë ekuilibreve shëndetësor. Jodi kryeson listën e këtyre agjentëve kurativ, për tu pasura nga magnezi, potasi, etj.
Përqendrimi i kripërave minerale, nënvizojnë specialistët, na lejojnë ti japim organizmit një mundësi për të larguar stresin dhe për të përmirësuar qarkullimin e gjakut. Për të qenë përfitues i kësaj bujarie të natyrës që vjen nga deti i Velipojës, rekomandohen ecjet me këmbët në ujë, në lartësinë deri në kavilje ose deri në bel. Përfituesi më i madh është lëkura. Pas një zhytjeje në ujin e kripur, lëkura duket tonike dhe shkëlqyer, më e lëmuar dhe e pastruar tashmë nga qelizat e vdekura. Jodi natyral pastron lëkurën me një aksion dezinfektues dhe antiseptik. Nga pikëpamja dermatologjike është e njohur se ato që vuajnë nga aknet, puçrrat dhe plagë apo shenja, fal ujit të detit mund të kenë rezultate të shkëlqyera. Për dermatitet atopike, e përhapur mes te rriturve dhe te vegjëlve, një zhytje në ujin e detit si dhe shëtitjet në breg, janë me të vërtetë shumë të shëndetshme. Kjo është pra kryearsyeja se pse një plazh si ai i Velipojës duhet promovuar si një trofe pushimesh.

Pozitat e saja
Fshati Velipoje është qendra e komunës dhe përfshin 10 fshatra: Velipojë, Reç, Pulaj, Luarzë, Baks, Rrjoll, Gomsiqe, Baks i Ri, Mal i Kolajve, Reç i Ri.
Relievi është tërësisht fushor, nga 1-3 metra mbi nivelin e detit deri në 550 metër që kulmon me Majën e Zezë në kodrën e Rencit. Kjo ka sjellë formimin e kënetave dhe moçaleve të shumta.
Velipoja ka një klimë me dimër të butë që varjon me temperaturat mesatare 6-7 gradë. Stina e verës është mjaft e nxehtë me temperatura në vlera 25 gradë deri 48 gradë celsius. Periudha e përshtatshme për banjo dielli fillon në muajin qershor dhe vazhdon deri në fund të shtatorit. Në këtë zonë bie rreth 1400 mm reshje në vit, kryesisht të përqendruara në gjysmën e dytë të vjeshtës, dhe dimrit.
Zona turistike e Velipojës shtrihet në një sipërfaqe prej 300 hektarësh dhe kufizohet në veri me rezervatin e menaxhuar të Velipojës, në jug me detin Adriatik, në lindje me rrethin e Lezhës, cek tek Rana e Hedhun, në perëndim me lumin Buna.
Velipoja u ofron pushuesve mundësinë për të kaluar pushime në një vijë bregdetare me ujë të pastër dhe rërë të imët. Ajo është e pasur me vlera unike natyrore, në të cilat dallohen për plazhin e madh me gjatësi 14 km dhe gjerësi 200 metra, e gjitha me rërë të imët. Një veçori tipike për këtë vijë bregdetare është se plazhi rigjenerohet çdo vit nga baticat dhe zbaticat, duke e bërë përqindjen e jodit në rërë shumë të lartë.
Plazhi rrethohet nga pylli me drurë të lartë, pishë e drurë të tjerë halorë dhe fletorë, me shkurre të blerta, ligatina me bimësi ujore, duna, etj.
Rezervati i menaxhuar i Velipojës.
Ky rezervat i përbërë nga një sipërfaqe prej 700 hektarësh, shtrihet në deltën e lumit Buna, rreth 8 km larg nga Velipoja. Ai përbëhet nga një pyll me pisha mesdhetare, vërri, frashër, plep, shelg shkurre etj. Ky rezervat është i pasur gjithashtu me ligatina, me bimësi pyjore e shkurre, livadhe me bimësi barishtore të dendur. Në këtë pyll jetojnë kafshë të shumta të egra: lepuri, çakalli, derri i egër, fazani etj. Të shumtë janë shpendët migratorë dhe të përhershëm. Rezervati është një nga pozicionet më të bukura për pritjen e shpendëve migratorë për periudhën e dimrit të tilla si shapka, shapka e ujit, rosa dhe pata.

Delta e Bunës
Delta e Bunës, është krijuar nga depozitimet e këtij lumi, ka formën e një trekëndëshi të madh me bazë nga deti. Në të ndodhen dy ishuj të mëdhenj ADA me një sipërfaqe prej 5 hektarësh dhe ishulli i Franc Jozefit. Ky ishull dallohet për bimët dhe kafshët e rralla si druri i rrënjës, që është një lloj dushku alluvial tepër i rrallë dhe në rrezik në zhdukje. Delta e Bunës është afër 10 km nga qendra e Velipojës. Një udhëtim nga Velipoja drejt deltës së Bunës është mjaft i këshillueshëm për amatorët e shëtitjeve në natyrë, por edhe për persona me probleme shëndetësore, të cilëve i është këshilluar ecja në ajër të pastër.

Boks-Rrjoll një piketë e rëndësishme
Fshati Boks-Rrjoll ndodhet ne juglindje të Velipojës. Ky fshat përbën vlera dhe bukuri të panjohura, të cilat vit pas viti po joshin pushues që e frekuentojnë atë.
Shtrihet pranë detit dhe mali të Rrencit, i cili ngrihet thikë mbi të. Vizita në këtë fshat mund të bëhet me varkë nëpër lagunë apo me këmbë. Ky fshat është mjaf i njohur për traditat etnografike. Plazhi i këtij fshati është i virgjër me rërë të pastër e ujë kristal.
Ndërsa ecën më tej, ndodhemi pranë zonës së ashtuquajtur Rana e Hedhun, krijuar nga një fenomen i pazakontë natyrorë që përbëhet prej një masiv të rërës që era e ka zatetur mbi shpatin e malit që ngulmon në këmbët e kodrës gëlqerore të Rencit. Nga Velipoja te Rana e Hedhun rruga është rreth 8 km, e vështirë por jo e pamundur për t’u hequr. Gjithsesi të apasionuarit këto dy skaje i bashkon udhëtimi me varkë.
Laguna e Vilunit
Laguna e Vilunit ndodhet 2 km në lindje të plazhit të Velipojës. Ajo shtrihet në një sipërfaqe rreth 300 hektarë dhe një thellësi përgjithësisht 1-3 m. Dikur kjo lagunë është quajtur Laguna e Lundrezës, sepse ka patur shumë lundra, një gjitar interesant që ushqehet me peshq. Kjo lagunë rrethohet nga ligatina, komunikon me detin përmes një kanali natyror, në të cilin për shkak të baticës dhe zbaticës, uji ndryshon drejtim çdo 6 orë. Ka ujë të kripur me temperaturë mesatare 20-22 gradë. Kjo lagunë është e pasur me peshq të llojeve të ndryshëm dhe mjaft të shijshëm. Këtu hasen rreth 200 lloje shpendësh, migratorë dhe të përhershëm.

Ishulli i Franc Jozefit
Ky ishull i vogël, por shumë i bukur ndodhet në deltën e lumit Buna. Ai ka një histori interesante, pasi është krijuar nga depozitimet e aluvioneve të lumit, mbas mbytjes në vitin 1881 të anijes austriake me të njëjtin emër nga flota ruse, që kishte ardhur për të detyruar shqiptarët t’i dorëzonin Ulqinin, Malit të Zi, në zbatim të vendimeve famëkeqe të Kongresit të Berlinit, për copëtimin e trojeve shqiptare.

Atraksiont e Velipojës
Velipoja nuk vizitohet gjatë stinës së verës vetëm për plazhet e saj të bukura, por edhe për rezervatin e pasura natyror tepër të veçantë, që shtrihet në një sipërfaqe prej 638 hektarësh.
Nëse në një kontekst tjetër fjala kënetë krijon një ndjesi jo të mirë, te rezervati i Velipojës, 4 kënetat e saj përbëjnë vlerë, pasi veç të tjerave, janë strehë e përshtatshme për disa lloj specie shpendësh që kanë habitatin e tyre në këtë zonë.
Karakteristika më e spikatur e vegjetacionit të rezervatit është pylli. Shkurret dhe drurët, të cilët zënë një sipërfaqe të gjerë. Gjithashtu, këtu ka 182 hektarë pishë dhe plep kanadez, që të bëjnë shoqëri me hijen që lëshojnë. Prej hyrjes së rezervatit, që ndodhet në verilindje të tij, nisen 4 rrugë që shkojnë drejt perëndimit e që pastaj degëzohen e lidhen me njëra-tjetrën. Këto rrugë e të tjera korridore, i japin mundësi vizitorit të shohë një nga bukuritë e veçantitë e rezervatit, jetën e pyllit dhe të kënetave. Bota e pasur e kafshëve është ajo që i jep gjallërinë dhe bukurinë rezervatit.
Në Velipojë ka rreth 193 specie shpendësh, që ndeshen në shkurre, pyje, sipërfaqe ujore etj. Sidomos mëngjeseve e mbrëmjeve, kur lind e perëndon dielli, jeta gjallon vrullshëm.

Epilog
Kur të vendosni të bëni gati valixhet për ta lëshuar veten në prehrin e një dehjeje andradhash dhe përfytyrimesh magjepsëse të gufimit me valët, flirtit me nimfat dhe marrosjen me kupën e kuqe të perëndimit, mos i besoni lojës së dritave dhe gostive përplot ojna të marketingut turistik. Pas këtij përbindëshi qëndron një armatë e pafundme dallaveraxhinjsh dhe matrapazësh, sejmenësh dhe manipuluesish, të cilët po aq sa hipnotizojnë vetëdijen, aq thellë fusin dhe duart në xhepat e një mundësie të vetme që kanë shumë prej nesh për të pushuar aty ku duhet. Harta e vendpushimeve sa vjen dhe zgjerohet së bashku me nevojën për ta tregtuar sekush këtë mundësi si një medaljon triumfi. Nën thundrën e kësaj dehje, të paktë janë ata që e ruajnë kthjelltësinë, paqen dhe një marrëdhënie të harmonishme mes nevojës dhe të mundshmes. Të paktë janë ata të cilët guxojnë të përjashtojnë kapardisjen dhe rrokin nevojën për t’ia dhuruar vetes atë det që ndoshta nuk të jep shumë mundësi të futesh në betejën e krekosjes, por të dhuron një shans relaksi dhe përfitimi shëndetësor. Unë ua këshilloj Velipojën!/Albert Vataj

Velipoja, një thesar i “pazbuluar” Read More »

Lugina e Valbonës, një oaz për turistët gjermanë

Parku Kombëtar i luginës së Valbonës në Shqipëri është një nga pjesët më të bukura të Alpeve shqiptare.

Ambasada Gjermane në Tiranë ka bërë të ditur se vitet e fundit Valbona është kthyer në një oaz për turistët gjermanë të apasionuar për ecje alpine. Deutsche Welle i ka kushtuar një reportazh kësaj pjese turistike, ku vizitorë gjermanë kanë folur për përjetimet dhe bukuritë e natyrës Shqiptare.

“Është natyrë shumë e bukur si dolomitet me male të thepisur. Herën e fundit ishim tek lugina e Jezercës. Një pamje spektakolore me malet dhe liqenet. Jemi të surprizuar se ka më shumë bujtina se para 2 vitesh. Gjatë rrugës mund të blesh plot gjëra për ngrënë dhe për të pirë. Infrastruktura është e mirë”, -shprehet turisti gjerman.

“Ka shumë barinj dhe stane, ku ne kemi blerë djathë, kos dhe qumësht”, -thotë  një tjetër turiste gjermane./atsh

https://www.facebook.com/dw.shqip/videos/1915430705167487/?t=0

Lugina e Valbonës, një oaz për turistët gjermanë Read More »

“Festa e Rakisë”, promovim i traditës dhe prodhimeve të Boboshticës/Foto

Promovimi i traditës së prodhimit të rakisë së manit, ndërthurur me gatimet dhe muzikën tradicionale, janë jo vetëm një alternativë për banorët, por edhe perspektivë për zhvillimin e turizmit.

“Festa e Rakisë”, një festë e re në paketën e festave të Korçës, mblodhi ditën e mërkurë në fshatin Boboshticë turistë të shumtë, të cilët festuan dhe shijuan prodhimet vendase.

E përfshirë në programin “100 fshatrat”, Boboshtica dallohet për një natyrë të mrekullueshme me ajër dhe ujëra të pastra, bimësi të larmishme me shkurre, drurë shumëshekullorë frutorë, dushk dhe halorë, si edhe shumë bimë mjekësore.

Para viteve ’90, Boboshtica numëronte rreth 1400-1500 banorë, ndërsa sot, si pasojë e emigracionit të shumë prej familjeve, jetojnë rreth 300 banorë.

Terreni i pasur të jep mundësinë e një sërë aktivitetesh rekreative dhe sportive si ecje sportive, vrap, çiklizëm etj.

Natyra e mrekullueshme, festimet dhe prodhimi tradicional i rakisë së manit mundësojnë një ofertë të pasur me interes agro-turistik.

Kuzhina tradicionale e ofruar në një rrjet restorantesh të konsoliduara prej vitesh, i jep nxitje turizmit familjar.

Për t’u vizituar në Boboshticë:

Monumente kulti:
– Kisha e “Shën Marisë”
– Kisha e “Shën Jovanit”
– Kisha e “Shën Dhimitrit”
– Kisha e “Shën Kollit”.

Festa dhe frekuentimi turistik:
– Festa e “Shën Marisë” (“Festa e Rakisë”) – 15 gusht
– Shën Pandelimoni, festë fetare, 27 korrik.
– Rosnicat, festë tradicionale e besimtarëve ortodoksë që lidhet me ardhjen e verës, çeljen e luleve dhe gatuhet vetëm brumë. (Festohet ditën e tretë pas fluturimit në qiell të Krishtit).

Potenciali konkurues në produkte:
– Rakia e manit (me vlera të shëndetshme, traditë e favorizuar edhe nga prania e drurëve të manit, unike në Shqipëri).

– Kuzhinë e larmishme (gatime tradicionale të mishit dhe të brumërave si lakrori me dy petë i pjekur në saç, liko të ndryshme, etj).

– Artizanati dhe punimet e dorës./atsh

“Festa e Rakisë”, promovim i traditës dhe prodhimeve të Boboshticës/Foto Read More »

Muzeu i Krujës, objektet që tërheqin vëmendjen e vizitorëve

Viti i Skënderbeut i ka ridimensionuar muzetë dhe objektet e vizitueshme që lidhen me figurën e heroit kombëtar të shqiptarëve, duke bërë që jo vetëm turistët e huaj që vijnë në Shqipëri, por edhe qytetarët shqiptarë të tregojnë interes për këto atraksione historike. Kështu, muzeu më i njohur i Skënderbeut në vendin tonë, ai i Krujës, po njeh rritje të numrit të vizitorëve, ndërsa të dielat e fundit të çdo muaji dhe ditët e festave rezervojnë hyrje të lirë për vizitorët.

Ajo që e bën unik këtë muze është fakti që aty ndodhen objekte që i përkasin periudhave të ndryshme historike, por në disa pavione trajtohet historia e Mesjetës së hershme, principatat shqiptare, pushtimi osman dhe betejat e shqiptarëve për të përballuar këtë pushtim.

Muzeu Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, i njohur edhe si Muzeu i Skënderbeut dhe Muzeu i Krujës është një nga më të vizituarit në Shqipëri. Përurimi i muzeut është bërë më 1 nëntor 1982 në kështjellën e Krujës, por ky muze ka edhe karakterin e një memoriali që trajtohet si kullë shqiptare e Veriut. Kompleksi i muzeut është shpërndarë në disa hapësira të cilat vizitohen kronologjikisht sipas ngjarjeve.

Ky muze është ndërtuar në kalanë e famshme të Krujës, kryeqendra e shtetit të Arbrit dhe personifikim i disfatës së ushtrive osmane, për tri herë rresht, në shekullin XV. Në këtë muze janë të ekspozuara mjaft objekte, dokumente dhe bibliografi origjinale, riprodhime autentike që flasin qartë për historinë e popullit shqiptar në shek. XV e më gjerë. Në këtë muze numërohen pavione të tilla si pavioni i Antikitetit dhe Mesjetës së Hershme, pavioni i principatave shqiptare, i pushtimit osman dhe përballimit të këtij pushtimi, pavioni i kështjellave mesjetare, i qëndresës shqiptare, kancelaria e Skënderbeut, biblioteka, salla e princave, e pinokotekës dhe së fundi pavioni i trashëgimisë dhe i jehonës. Në këto pavione janë ekspozuar objekte prej qeramike, bronxi, hekuri, bakri, faksimile të ndryshme, ikona origjinale, shkrime, këmbanë e vitit 1462, shpata origjinale të shek. XV etj.

Institucionet përkatëse për monumentet e kulturës këtë vit kanë bërë të mundur që çdo të dielë të fund të muajit dhe ditët e festave hyrja në këto institucione trashëgimie të jetë falas për vizitorët. Ndikimi ka qenë i qartë, me rritjen e vazhdueshme të numrit të vizitorëve të huaj dhe atyre vendas.

Muzeu i Krujës ndodhet në një pikë piktoreske të qytetit dhe vizitorët nuk e anashkalojnë asnjëherë një vizitë në të, ndërsa ndodhen në qytetin e Krujës, për të parë Pazarin apo kalanë. /atsh

Muzeu i Krujës, objektet që tërheqin vëmendjen e vizitorëve Read More »

ORIKU – ANTIKITETI QË “ FLET”…/Sejmen Gjokoli

ORIKU – ANTIKITETI QË “ FLET”…

Një ditë e zakonshme vizitash në Parkun Arkeologjik të Orikut.
Pushues që kanë zgjedhur bregdetin e Vlorës për pushime, kanë zgjedhur edhe Parkun e Orikut për ta vizituar.
Vizitorë nga rrethet e ndryshme të vendit por edhe nga shtete të ndryshme të Europës.<span
Jo vetëm emigrantë e shqiptarë nga trojet tona për rreth por edhe të huaj.
Qytetërimi që vjen prej antikitetit këtu në Orik sikur “flet” me gojë.
Dorina, përgjegjësja e Parku me Sadikun e Ermalin, punonjësit e shërbimit, të pa lodhur, presin e përcjellin vizitorë…
DRTK Vlorë, përherë plot kujdes e në zhvillim të përgjegjësive institucionale.
Në këto kohë ku rrotull kulmon turizmi, ca më shumë.

Fotografia e Sejmen Gjokoli

Fotografia e Sejmen Gjokoli

Fotografia e Sejmen Gjokoli

Fotografia e Sejmen Gjokoli

Fotografia e Sejmen Gjokoli

Fotografia e Sejmen Gjokoli

Fotografia e Sejmen Gjokoli

Fotografia e Sejmen Gjokoli

Fotografia e Sejmen Gjokoli

Fotografia e Sejmen GjokoliFotografia e Sejmen GjokoliFotografia e Sejmen GjokoliFotografia e Sejmen Gjokoli

https://web.facebook.com/sejmen.gjokoli/videos/10211637644797439/?t=1

 

ORIKU – ANTIKITETI QË “ FLET”…/Sejmen Gjokoli Read More »

Vlora në kulmin e sezonit turistik /Promovim i vlerave kulturore, historike dhe tradites

Fshati Kaninë që qendron mbi Vlorë, me një pamje të mrekullueshme, mbi gjirin e Vlorës, në festen e saj tradicionale, për të pestin vit rradhazi. Organizuar në kalanë e Kaninës, për të përcjellë, vlerat histotike, kulturën, por edhe traditën, pjesë e aktivitetit edhe qindra qytetare, banore të zonës, por edhe pushues vendas dhe të huaj, të cilet kanë zgjedhur Vloren, për të pushuar dhe nuk mund të mungonin në një festë të tillë. Shoqeruar me muzikë, valle të zonës, por edhe të ftuar si parodistet e Vlorës, aktiviteti vje si një festë e të gjithë zonës, jo vetem Kaninës, por edhe të gjithë Vlorës. Mirenjohje dhe vleresim, për aktivitetin dhe mirenjohje e qakut të Vlorës, për grupin polifonik “Ismail Qemali” të Kaninës, dhe nga kryetari I bashkisë së Vlorës Dritan Leli.

Fshati I historisë dhe bukurisë Vlonjate, fshati I Ismail Qemalit dhe Donikës së Skenderbeut, me një pamje mbi Vlorë, që rrallë ke mundesi ta shohesh dhe shijosh, ka ringjallur prej vitesh festen tradicionale të fshatit, por që tashme nuk I perket vetem zonës, por të gjithë Vlorës. Një mundesi për të kaluar një mbremje ndryshe, por edhe të kesh mundësinë të viztosh kalanë e Kaninës dhe mbi të gjitha të shijosh pamjen e mrekullueshme të gjirit të Vlorës, me muziken e mrekullueshme të kengetarit Ervis Behari, lojen e parodisteve të Vlorës dhe kenget polifonike të zonës.

Vlora në festë dhe fshati Kaninë, në aktivitetin tradicional duke sjellë në kujtesë historinë dhe kulturen dhe bukurinë e një pamje që është me të vertetë e mrekullueshme.

Vlora në kulmin e sezonit turistik /Promovim i vlerave kulturore, historike dhe tradites Read More »