Turizem

“Qendra historike e Vlorës”, Leli: Po krijojmë një hapësirë të rëndësishme urbane/Foto

Në zonën historike të qytetit të Vlorës po vazhdon puna me ritme të larta për rivitalizimin e saj, gjë që do të ndikojë në rritjen e numrit të vizitorëve si dhe të investimeve.

Projekti “Restaurimi dhe rikualifikimi urban i ansamblit ndёrtimor ‘Qendra historike Vlorë’”, pritet ta kthejë në identitet qytetin e bukur bregdetar në jug të vendit, ku ndërthuret në mënyrë të përkryer bukuria turistike me atë historike.

Kryetari i bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, thekson se “në zonën historike të Vlorës po vazhdon puna edhe në këto ditë të nxehta të verës. Jemi duke krijuar hapësirën më të rëndësishme urbane, e cila do t’i kthehet në favor të qytetarëve të Vlorës”.

Sipas tij, puna po vazhdon me ritme të larta, në mënyrë që sezoni i ardhshëm turistik të gjejë të realizuar këtë projekt nga më të rëndësishmit e rikualifikimit urban të qytetit të Vlorës.

“Gjatë gjithë kësaj kohe firma ka realizuar punime, në periudhën e vjeshtës deri në pranverën e ardhshme do të ketë intensitet më të madh të realizimit të këtyre punimeve, në mënyrë që ky projekt të përfundojë sa më shpejt për banorët e Vlorës dhe për ata që duan të vizitojnë Vlorën si turistë, apo si njerëz që kanë dëshirë të marrin informacione për historinë e këtij qyteti”, nënvizoi Leli.

Zona në të cilën ka nisur projekti për “Restaurimin dhe rikualifikimin urban të ansamblit ndёrtimor ‘Qendra Historike Vlorë’”, është pjesë e qytetit të Vlorës që ruan ende gjurmë të ndërtimeve të fundit të shekullit të 19-të dhe fillimit të shekullit të 20-të.

Brenda kufijve të zonës së projektit ndodhen disa monumente kulture të kategorisë së parë si edhe rruga më e rëndësishme e qytetit për nga vlerat arkitektonike-historike që mbart: rruga “Justin Godard”.

Rruga “Justin Godard”, ka qenë rruga kryesore e qytetit në periudhën e Rilindjes dhe të Pavarësisë Kombëtare. Cepi perëndimor i saj të nxjerr tek “Sheshi i Flamurit”, kurse ana lindore në lagjen “Partizani” në drejtim të Babicës, ku ka shumë foto të hyrjes së luftëtarëve më 1920.

Do të restaurohen 50 objekte, duke treguar kujdes të veçantë sidomos në ruajtjen e arkitekturës dhe materialeve autentike si “Shtëpia e Qeverisë”, ish-Sinagoga apo xhamia e Tabakëve.

Shtëpitë janë me dy kate, me ballkone të vegjël të stilit neoklasik. Degëzimet e rrugëve sekondare të çojnë tek ish-pazari, “Lagjja e hebrenjve”, klubi “Labëria” dhe ish-Sinagoga.
Në fund, nga ana lindore ka qenë dhe “Xhamia e Tabakëve”, më e madhja e qytetit. Rruga ka patur disa ndërtesa shoqërore në shekullin e 19-të, si një sahat (kullë) dhe Posta e qytetit.

Kompleksi e ka marrë emrin nga juristi i njohur francez Justin Godard, i cili ka mbrojtur të drejtat e Shqipërisë në Konferencën e Paqes në Paris, më 1919. Godard ka qenë mik i shqiptarëve dhe ka ndihmuar edhe me fonde ekspeditën e arkeologut Leon Rey në Apoloni. /atsh

“Qendra historike e Vlorës”, Leli: Po krijojmë një hapësirë të rëndësishme urbane/Foto Read More »

Mbi 32 mijë vizitorë në Apoloni, 14 mijë prej tyre turistë të huaj

Parku Arkeologjik i Apolonisë u vizitua nga mbi 32 000 vizitorë për këtë 8-mujor, 14 mijë prej të cilëve turistë të huaj.

Kështu konfirmoi sot për ATSH-në, drejtoresha e Parkut Arkeologjik të Apolonisë, Ornela Durmishaj.

Sipas Durmishaj, “të dhënat tregojnë se është tejkaluar si numri i vizitorëve ashtu edhe të ardhurat, krahasuar me gjithë vitin 2017”.

Sa i përket statistikave të muajit gusht, Durmishaj shprehet se “përqindjen më të lartë të vizitorëve e kanë turistët italianë dhe më pas francezët e gjermanët”.

“Parku Arkeologjik i Apolonisë në muajin gusht u vizitua kryesisht nga turistë familjarë”, shprehet Durmishaj për ATSH-në.

Apolonia në Fier është një nga sitet më të mëdhenj të Shqipërisë, por edhe një nga qytetet më të mëdhenj në botën antike. Si një nga 27 Apolonitë e pellgut të Mesdheut, ajo është një nga vlerat e perlat e trashëgimisë tonë arkeologjike. /atsh

Mbi 32 mijë vizitorë në Apoloni, 14 mijë prej tyre turistë të huaj Read More »

“Rana e Hedhur”, perla e Shëngjinit me plazhe të pastra dhe shëruese

Turizmi mbetet prioritet për Bashkinë e Lezhës dhe këtë verë bregdeti është çdo ditë e më i pastër.

Drejtoria e shërbimeve publike të Lezhës po vijon çdo ditë punën për pastrimin e plazhit publik te Rana e Hedhur.

Rana e Hedhur ndodhet fare pranë qytetit të Shëngjinit në veriperëndim të portit detar.

Vendasit e quajnë kështu sepse rrymat detare dhe era e kanë grumbulluar rërën në këtë gji të vogël detar në formë xhepi.

E veçanta është se ky grumbull rëre është i pastër dhe i veçuar nga plazhi i madh dhe është një plazh shkëmbor.

Ky plazh i vogël ka një shtrirje rreth 500 m i gjatë dhe rreth 100 m i gjerë.

Është një plazh me vlera kurative për shkak të pastërtisë së rërës dhe ambientit. Pushues të shumtë vendas dhe të huaj preferojnë të pushojnë aty.

Rruga që të çon drejt rërës së hedhur është një rrugë e kalueshme fal edhe bizneseve që kanë aktivitetin e tyre në këtë zonë.

“Rana e Hedhur”, perla e Shëngjinit me plazhe të pastra dhe shëruese Read More »

Policia e Shtetit, patrullim në zonat turistike

Policia e Shtetit vijon të patrullojë në plazhet e vendit për t’u ardhur në ndihmë turistëve, vizitorëve dhe pushuesve, që kanë zgjedhur plazhet e Shqipërisë për të pushuar.

“Fatjona me Aldon! Së bashku me kolegë të tjerë të Stacionit të Policisë Velipojë patrullojnë në zonën e plazhit në ndihmë të pushuesve dhe turistëve. Ashtu si kolegët, sot është radha jonë të kujdesemi për pushuesit vendas, por edhe të huaj të cilët kanë zgjedhur plazhin e Velipojës për të kaluar disa ditë pushimi dhe qetësie”, bën të ditur Policia e Shtetit, duke shtuar se ju themi me bindje se kanë zgjedhur vendin e duhur.
Policia e Shtetit i bën thirrje të gjithë pushuesve dhe qytetarëve që për çdo emergjencë telefono Policinë e Shtetit në numrin falas 112. /atsh

https://www.facebook.com/1502420603377639/videos/273465856597985/?t=0

Policia e Shtetit, patrullim në zonat turistike Read More »

“Smile Albania” për një Shqipëri të pastër në Parkun Kombëtar Llogara

Të rinjtë e “Smile Albania” tashmë përveç promovimit të turizmit dhe mirëpritjes së vizitorëve, po punojnë që t’i tregojnë turistëve edhe një Shqipëri të pastër.

Kjo nismë e ndërmarrë bën të mundur që turistët e huaj që vizitojnë vendin tonë të shohin një Shqipëri të pastër, turistike dhe ambientale.

Së fundmi grupi i të rinjve “Smile Albania” Vlorë kanë bërë një punë të shkëlqyer të cilët së bashku me punonjësit e adzm Vlorë pastruan Qafën e Çezarit, një prej shtigjeve më të vizituara të Parkut Kombëtar Llogara.

Pra të rinjtë e “Smile Albania” i mirë presin turistët jo vetëm me buzëqeshje, por edhe me pastrimin e zonave të mbrojtura./ATA

“Smile Albania” për një Shqipëri të pastër në Parkun Kombëtar Llogara Read More »

Siguria ushqimore, AKU bllokon 2 lokale në Llogara

Gjatë aksionit që Autoriteti Kombëtar i Ushqimit po ushtron në zonat bregdetare, trupa inspektuese DRAKU, Vlorë ka evidentuar 2 subjekte, me aktivitet “Restorant” dhe “Piceri” ku kryenin veprimtari në kundërshtim me standardet e sigurisë ushqimore si dhe në kushte të rënda higjieno-sanitare.

Ndaj dy subjekteve janë marrë masë administrative gjobë (për kushte të rënda higjieno-sanitare dhe produkte të skaduara), si dhe bllokim të pjesshëm të aktivitetit.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit inkurajon të gjithë qytetarët të denoncojnë çdo rast, çdo tentativë abuzimi, pranë Autoritetit Kombëtar të Ushqimit në [email protected] si dhe pranë portalit të bashkëqeverisjes “Shqipëria që duam” Siguria Ushqimore është një sfidë e përbashkët.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, siguron se është në çdo kohë në aksion për identifikimin, kontrollin, evidentimin, dënimin dhe ndalimin e çdo veprimtarie të kundraligjshme e të rrezikshme nga subjektet që neglizhojnë apo shkelin rregullat e Sigurisë ushqimore./atsh

Siguria ushqimore, AKU bllokon 2 lokale në Llogara Read More »

Kalaja e Beratit, rreth 15 mijë vizitorë gjatë 20 ditëve të para të gushtit

Monumentet e kulturës vijojnë të mbeten atraksioni turistik i preferuar për turistët e huaj dhe vendas në këtë sezon veror. Gjatë 20 ditëve të para të muajit gusht kalaja e Beratit është vizatuar nga 14669 vizitorë, mes të cilëve 9612 kanë qenë vizitorë të huaj.

Berati është një ndër qytetet më interesantë dhe tërheqës, i cili çdo vit e më shumë po tërheq turistë të huaj dhe vëmendjen e mediave të huaja, ku ky qytet është i pranishëm në shkrimet që bëhen për Shqipërinë, kjo edhe për faktin se është trashëgimi botërore e UNESCO-s.

Kalaja e Beratit është një ndër pikat turistike e cila ka një numër vizitorësh që vjen gjithnjë në rritje. Ajo përbën një nga atraksionet turistike më të preferuara në Shqipëri për turistët e huaj dhe ata vendas.

Kalaja e Beratit është një nga monumentet më të mëdha historike të Ballkanit, një fortesë e madhe që sundon mbi lumin Osum. Kalaja është ngritur sipas një plani në formë trekëndëshi. Kjo kala, po të shihet nga poshtë, duket si pjesë e kodrës. Kulla e hyrjes së brendshme është e bërë nga blloqe guri, që u përkasin fortifikimeve ilire, të cilat janë ndërtuar në shekujt IV-II p.e.r. Maja e kodrës është e rrethuar me një mur të jashtëm periferik me 24 kulla. Në brendësi të kësaj kalaje ndodhen rreth 14 kisha, të cilat e kanë bërë mjaft të dëgjuar atë.

Disa prej tyre janë: Kisha e Shën Triadhës, e cila i përket fundit të shek. XIII dhe fillimit të shek. XIV. Në brendësi të saj ka afreske mjaft interesante. Pas kishës së Shën Todrit gjenden kishat e Shën Kollit, Shën Kostandinit, Shën Helenës, Shën Mërisë Vllaherna etj.

Muzeu i Ikonave Onufri: Ndodhet në lagjen Kala dhe përmban disa nga shembujt më të bukur të artit fetar në Shqipëri. Muzeu u hap në vitin 1986, emrin e ka marrë prej piktorit të madh të shek. XVI të shkollës shqiptare Onufrit. Me mbi 210 objekte muzeale, 60 prej të cilave të shpallura si monumente të kategorisë së parë, Berati konsiderohet si një nga qytetet me trashëgiminë më të pasur kulturore, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në rajon./atsh

Kalaja e Beratit, rreth 15 mijë vizitorë gjatë 20 ditëve të para të gushtit Read More »

Parku Divjakë-Karavasta, tërheqje për turistët e vëzhgimit/Foto

Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta po tërheq çdo ditë e më shumë turistët e vëzhgimit.

Ky park është një zonë e mbrojtur që përbëhet nga ekosisteme komplekse, shumë të pasura në biodiversitet dhe burime natyrore.

Në këtë galeri fotosh pasyqrohet vetëm në pjesë nga fauna e pasur e këtij ekosistemi.

Parku është shpallur si zonë e mbrojtur natyrore për shpendët e ujit, si ligatinë me rëndësi ndërkombëtare sipas Konventës së Ramsarit, që nga viti 1995.

Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta gjendet 90 km nga kryeqyteti i Tiranës, 60 km nga Durrësi qyteti-port më i madh, dhe 80 km nga Aeroporti Ndërkombëtar i vetëm në Shqipëri.

Ai kufizohet nga lumi Shkumbin në veri, nga kodrat e Divjakës në Lindje, nga kanali i Myzeqesë dhe lumi Seman në jug, dhe laget nga deti Adriatik në perëndim.

Zona e parkut kombëtar Divjakë-Karavasta është zona më e rëndësishme komplekse e Shqipërisë për sa i përket biodiversitetit./atsh

Parku Divjakë-Karavasta, tërheqje për turistët e vëzhgimit/Foto Read More »