Turizem

Siguria ushqimore, AKU bllokon 2 lokale në Llogara

Gjatë aksionit që Autoriteti Kombëtar i Ushqimit po ushtron në zonat bregdetare, trupa inspektuese DRAKU, Vlorë ka evidentuar 2 subjekte, me aktivitet “Restorant” dhe “Piceri” ku kryenin veprimtari në kundërshtim me standardet e sigurisë ushqimore si dhe në kushte të rënda higjieno-sanitare.

Ndaj dy subjekteve janë marrë masë administrative gjobë (për kushte të rënda higjieno-sanitare dhe produkte të skaduara), si dhe bllokim të pjesshëm të aktivitetit.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit inkurajon të gjithë qytetarët të denoncojnë çdo rast, çdo tentativë abuzimi, pranë Autoritetit Kombëtar të Ushqimit në [email protected] si dhe pranë portalit të bashkëqeverisjes “Shqipëria që duam” Siguria Ushqimore është një sfidë e përbashkët.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, siguron se është në çdo kohë në aksion për identifikimin, kontrollin, evidentimin, dënimin dhe ndalimin e çdo veprimtarie të kundraligjshme e të rrezikshme nga subjektet që neglizhojnë apo shkelin rregullat e Sigurisë ushqimore./atsh

Siguria ushqimore, AKU bllokon 2 lokale në Llogara Read More »

Kalaja e Beratit, rreth 15 mijë vizitorë gjatë 20 ditëve të para të gushtit

Monumentet e kulturës vijojnë të mbeten atraksioni turistik i preferuar për turistët e huaj dhe vendas në këtë sezon veror. Gjatë 20 ditëve të para të muajit gusht kalaja e Beratit është vizatuar nga 14669 vizitorë, mes të cilëve 9612 kanë qenë vizitorë të huaj.

Berati është një ndër qytetet më interesantë dhe tërheqës, i cili çdo vit e më shumë po tërheq turistë të huaj dhe vëmendjen e mediave të huaja, ku ky qytet është i pranishëm në shkrimet që bëhen për Shqipërinë, kjo edhe për faktin se është trashëgimi botërore e UNESCO-s.

Kalaja e Beratit është një ndër pikat turistike e cila ka një numër vizitorësh që vjen gjithnjë në rritje. Ajo përbën një nga atraksionet turistike më të preferuara në Shqipëri për turistët e huaj dhe ata vendas.

Kalaja e Beratit është një nga monumentet më të mëdha historike të Ballkanit, një fortesë e madhe që sundon mbi lumin Osum. Kalaja është ngritur sipas një plani në formë trekëndëshi. Kjo kala, po të shihet nga poshtë, duket si pjesë e kodrës. Kulla e hyrjes së brendshme është e bërë nga blloqe guri, që u përkasin fortifikimeve ilire, të cilat janë ndërtuar në shekujt IV-II p.e.r. Maja e kodrës është e rrethuar me një mur të jashtëm periferik me 24 kulla. Në brendësi të kësaj kalaje ndodhen rreth 14 kisha, të cilat e kanë bërë mjaft të dëgjuar atë.

Disa prej tyre janë: Kisha e Shën Triadhës, e cila i përket fundit të shek. XIII dhe fillimit të shek. XIV. Në brendësi të saj ka afreske mjaft interesante. Pas kishës së Shën Todrit gjenden kishat e Shën Kollit, Shën Kostandinit, Shën Helenës, Shën Mërisë Vllaherna etj.

Muzeu i Ikonave Onufri: Ndodhet në lagjen Kala dhe përmban disa nga shembujt më të bukur të artit fetar në Shqipëri. Muzeu u hap në vitin 1986, emrin e ka marrë prej piktorit të madh të shek. XVI të shkollës shqiptare Onufrit. Me mbi 210 objekte muzeale, 60 prej të cilave të shpallura si monumente të kategorisë së parë, Berati konsiderohet si një nga qytetet me trashëgiminë më të pasur kulturore, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në rajon./atsh

Kalaja e Beratit, rreth 15 mijë vizitorë gjatë 20 ditëve të para të gushtit Read More »

Parku Divjakë-Karavasta, tërheqje për turistët e vëzhgimit/Foto

Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta po tërheq çdo ditë e më shumë turistët e vëzhgimit.

Ky park është një zonë e mbrojtur që përbëhet nga ekosisteme komplekse, shumë të pasura në biodiversitet dhe burime natyrore.

Në këtë galeri fotosh pasyqrohet vetëm në pjesë nga fauna e pasur e këtij ekosistemi.

Parku është shpallur si zonë e mbrojtur natyrore për shpendët e ujit, si ligatinë me rëndësi ndërkombëtare sipas Konventës së Ramsarit, që nga viti 1995.

Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta gjendet 90 km nga kryeqyteti i Tiranës, 60 km nga Durrësi qyteti-port më i madh, dhe 80 km nga Aeroporti Ndërkombëtar i vetëm në Shqipëri.

Ai kufizohet nga lumi Shkumbin në veri, nga kodrat e Divjakës në Lindje, nga kanali i Myzeqesë dhe lumi Seman në jug, dhe laget nga deti Adriatik në perëndim.

Zona e parkut kombëtar Divjakë-Karavasta është zona më e rëndësishme komplekse e Shqipërisë për sa i përket biodiversitetit./atsh

Parku Divjakë-Karavasta, tërheqje për turistët e vëzhgimit/Foto Read More »

Plazhi i Jonufrës

Edhe ky është ndër më të veçantët për nga pamja e tij, panoramë shkëmbinjsh, ujë kristal, ndërsa bregu është një ndërthurje zhavor i imtë dhe gurë.

Mbi plazhin shihet gjelbërimi i kodrës së Jonufrës.

I frekuentuar për hapësirat që ka, por edhe një vend ideal për të apasionuarit e hedhjeve nga shkëmbinjtë e shumtë që ka në të.

Plazhi i Jonufrës Read More »

Plazhet e Radhimë- Orikum

Janë kryesisht me bregdet me gurë dhe zhavor të imtë. Deri në Orikum ka shumë të tillë, ku ndërthuren plazhe të vogla, por edhe ata shkëmborë.

Plazhe me ujëra kristal rrethuar nga kodrat e gjelbëruara të Radhimës.

Në të gjithë vijën bregdetare Radhimë-Orikum gjenden plazhe të mirëmbajtura nga hotelet buzë detit janë të përshtatshëm për të gjithë llojet e pushuesve.

Plazhet e Radhimë- Orikum Read More »

Rama poston video nga Parku i Finiqit, arkeologët: Kemi gjetur objekte me vlerë të madhe historike

Këtë javë, kreu i qeverisë e ka nisur duke postuar një video që tregon gërmimet që po kryhen në Parkun e Finiqit. Sipas arkeologëve në këtë park janë gjetur objekte me vlera të mëdha historike. Aty janë gjetur disa mure që i përkasin një kompleksi të madh monumental. Giusepe Lepore, bashkëudhëheqës i ekspeditës kërkimore, është shprehur se në këtë zonë janë gjetur disa mure që i përkasin një kompleksi të madh monumental.

“Vendosëm të gërmojmë në këtë pikë të parë ku ndodhet një stoa antike në skajet e së cilës gjendet një kishë e kohës kristiane e cila është ndërtuar në faza të ndryshme, e cila edhe pse ka dëmtime të strukturës, përsëri është një zbulim i shkëlqyer të cilat kanë një vlerë shumë të madhe historike.

Sektori i dytë ku po ndërhyjmë është agoraja ku kemi gjetur disa mure të cilat i përkasin një kompleksi të madh monumental. Pra edhe pse pak është zbuluar, kemi të bëjmë me një qytet kompleks dhe të pasur me gjetje të shumta dhe të ruajtura mirë. Presim që ky qytet antik të hyjë në hartat turistike në mënyrë që sa më shumë vizitorë që të shikojnë këtë sit të mrekullueshëm”, thotë Giusepe Lepore, bashkëudhëheqës i ekspeditës kërkimore.

Klikoni ketu per te pare videon

Rama poston video nga Parku i Finiqit, arkeologët: Kemi gjetur objekte me vlerë të madhe historike Read More »

Përmeti, perla e turizmit historik, kulturor dhe e kulinarisë/Foto

Përmeti ka qenë gjithnjë një qytet i këndshëm për t’u vizituar, por së fundmi me investimet e reja të qeverisë shqiptare, gjithnjë e më shumë turistë po kthejnë sytë nga kjo zonë e vendit, e pasur në tradita historike, kulturore dhe kulinarie.

Fotot flasin vetë për bukurinë e zonës dhe atraksionet që presin vizitorët.

Programi i investimeve për zhvillimin e integruar urban të Beratit dhe Përmetit, dy qytete në juglindje të Shqipërisë, që karakterizohen nga vlera të veçanta të trashëgimisë kombëtare, bukurisë natyrore dhe turistike ka nisur të detajohet.

Qeveria synon që në periudhën afatgjatë të fuqizojë ekonomitë lokale drejt orientimit të zhvillimit të turizmit kulturor dhe natyror, vlera specifike që karakterizojnë këtë dy qytete.

Mbi 80,000 banorë të Beratit dhe Përmetit do të përfitojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë nga këto investime, të cilat do t’u shërbejnë gjithashtu edhe turistëve.

Vetëm gjatë 2017-ës rreth 100,000 turistë vizituan këto dy qytete dhe pritet që numri të rritet gjatë viteve që vijnë.

Investimet planifikohen në kuadër të projektit “Për Zhvillimin e Integruar Urban dhe Turizmin” që financohet nga qeveria shqiptare dhe Banka Botërore. /atsh

Përmeti, perla e turizmit historik, kulturor dhe e kulinarisë/Foto Read More »

Sezoni veror, 1531 biznese të reja në zonat turistike

Gjatë sezonit veror të këtij viti, për periudhën 1 qershor-13 gusht janë regjistruar 1531 biznese të reja në zonat turistike.

Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, ky numër është 58% më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë.

Në qytetin e Sarandës ka patur një rritje me rreth 44% të bizneseve të reja, në qytetin e Lezhës me rreth 33% të bizneseve të reja dhe në qytetin e Vlorës, një rritje me rreth 24% të bizneseve të reja.

Administrata Tatimore vazhdon të jetë e fokusuar me prioritet në zonat turistike, për të garantuar zhvillimin e konkurrencës së ndershme, rritjen e të ardhurave, si dhe reduktimin e shkallës së informalitetit.

Po ashtu, Administrata Tatimore siguron se do të vazhdojë t’ju vijë në ndihmë tatimpaguesve, në respektimin e detyrimeve ligjore, si dhe duke u kujdesur për të siguruar transparencën e kërkuar nga turistët./atsh

Sezoni veror, 1531 biznese të reja në zonat turistike Read More »