Turizem

Shqipëria, 324 mijë vizitorë më shumë se një vit më parë

Shqipëria ka mikpritur 324 mijë vizitorë më shumë se një vit më parë vetëm gjatë muajve janar-korrik.

Lajmin e ka bërë të ditur kryeministri Edi Rama i cili ka uruar një ditë të mbarë përmes një vidoeje ku shfaqen bukuritë kulturore dhe natyrore të Shqipërisë.

“Mirëmëngjes dhe me këto pamje mahnitëse të Shqipërisë turistike, që vetëm gjatë muajve janar-korrik ka mikpritur 324 mijë vizitorë më shumë se një vit më parë, ju uroj një ditë të bukur”, shkruan kryeministri Rama në Facebook./atsh

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/376335532904044/?t=0

Shqipëria, 324 mijë vizitorë më shumë se një vit më parë Read More »

Sezoni veror drejt fundit, 30 mijë turistë vizituan Zvërnecin

Vetëm këtë sezon, nga janari, Laguna e Nartës me qendër Zvërnecin u vizituan nga rreth 30 mijë turistë të natyrës, të vëzhgimit të shpendëve dhe ata që preferojnë dunat detare për një plazh të pastër e të qetë. Ky numër është sa dyfishi i vizitorëve që qëndruan në këtë territor gjatë gjithë vitit 2017. Këto statistika i jep për ATSH-në, Nexhip Hysolakoj, përgjegjësi i Sektorit  të Monitorimit  të lagunës në  Administratën e Zonave të Mbrojtura (AdZM) e Vlorës.

Nexhipi thotë se “sezoni veror po shkon drejt përfundimit dhe ajo që mund të themi me siguri është se numri i vizitorëve ishte, si asnjë herë më parë, pa dyshim më i larti deri më tani. Ajo që turistët, shqiptarë edhe të huaj, duket se vlerësojnë së tepërmi është ambienti i paprekur që i bën ata të impresionohen në çast nga natyra e mrekullueshme. Një atraksion ishte dhe ura e re karakteristike e punuar me mjeshtëri dhe artistikisht. Megjithatë turistët vazhdojnë ende të shprehin ndonjë pakënaqësi në lidhje me kushtet e infrastrukturës rrugore që të çon në këtë perlë të natyrës shqiptare”, thotë Nexhipi.

Më tej ai shpjegon se një sukses në numrin në rritje të këtij sezoni luajti edhe Projekti ”Smile Albania”që orientoi dhe dha informacion të saktë për vendet që mund të vizitojë një turist. Po kështu, ai përmend edhe stafin me specialistë të Administratës së Zonave të Mbrojtura të Vlorës që me profesionalizëm shoqëruan vizitorët e huaj në vendet më atraktive siç  ishujt e shumtë dhe Laguna e Flamingove.

“Zvërneci është futur në Projektin e 100 fshatrave dhe zhgënjimi nga infrastuktura me mangësi do të duhet të shuhet së shpejti, ndërkohë që, referuar projektit “100 fshatrat”, qeveria është duke punuar për ta kthyer këtë vend në një atraksion turistik që do të ofrojë të gjitha kushtet normale për një turizëm të qëndrueshëm. Le të shpresojmë se sezoni tjetër do të jetë edhe më i suksesshëm, duke parë se premisat janë përgjithësisht pozitive. Kuptueshëm, Zvërneci do të qëndrojë në majë të atraksioneve turistike kombëtare në një të ardhme të afërt. Është koha që të vlerësojmë pasuritë e trashëguara, t’i respektojmë si për të respektuar vetveten dhe t’i kultivojmë në të mirën e  shoqërisë”, përfundon prononcimin e tij për ATSH-në, Nexhip Hysolakoj, përgjegjësi i Sektorit  të Monitorimit  të lagunës në  Administratën e Zonave të Mbrojtura (AdZM) e Vlorës. /atsh

        

Sezoni veror drejt fundit, 30 mijë turistë vizituan Zvërnecin Read More »

Pukë/ Kuzhina lokale si ofertë turistike, rrit konkurrencën në sektorin e turizmit

Kuzhina lokale, si ofertë turistike për zonën ndërkufitare Shqipëri-Mali i Zi, synon të rrisë konkurrencën në sektorin e turizmit si dhe do të rrisë vlerat ekonomike të trashëgimisë kulturore dhe natyrore.

Bashkia e Pukës ka zhvilluar ditën e hënë një konkurs në këtë qytet, ku kuzhinierë të ndryshëm të bujtinave, guest house-ve, restoranteve, etj., kanë gatuar disa receta tradicionale të ndërthurura me ato moderne.

Specialistja e Drejtorisë së Turizmit pranë kësaj bashkie, Mirjana Pashka theksoi për Agjencinë Telegrafike Shqiptare (ATSH), se ky konkurs ka si synim specifik përfshirjen e gastronomisë lokale të zonës ndërkufitare në ofertën e përgjithshme turistike.

“Objektivi i përgjithshëm i këtij projekti është rritja e konkurrencës së sektorit të turizmit duke rritur vlerën ekonomike të trashëgimisë kulturore dhe natyrore, ndërsa objektivi specifik është përfshirja e gastronomisë lokale të zonës ndërkufitare në ofertën e përgjithshme turistike. Qëllimi është paraqitja e kuzhinës lokale si pjesë e ofertës turistike dhe t’u paraqitet turistëve një pasqyrim i në traditës përmes gastronomisë lokale”, – theksoi Pashkaj.

Sipas saj, krijimi i të tilla konkurseve pritet që të sjellë disa rezultate mjaft të mira, duke bërë përfshirjen e recetave tradicionale në industrinë lokale të turizmit, krijimin e itinerareve turistike, etj.

“Nga krijimi i këtyre aktiviteteve presim një sërë rezultatesh, si: Recetat lokale tradicionale të përfshihen në industrinë lokale të turizmit, krijimi i itinerareve turistike, si dhe promovimin e gastronomisë lokale”, – theksoi Pashkaj.

Sipas specialistes, Pashkaj, aktiviteti i datës 27 gusht kishte të bënte me ngritjen e kapaciteteve të shefave të kuzhinës dhe kuzhinierëve, si dhe ndërgjegjësimin e personave që kanë shtëpi pritëse.

“Synohet edhe rritja e ndërgjegjësimit edhe të personave që kanë shtëpi pritëse. Përmes këtij trajnimi, përcillet mesazhi i përfshirjes së recetave të vjetra të zonës së Pukës në restorantet e tyre, jo vetëm për të rritur ofertën e tyre në shërbimin ndaj turistëve, por duke e trajtuar këtë si ruajtje të traditës dhe kulturës lokale”, përfundoi Pashkaj.

Krijimi i këtij aktiviteti u mundësua nga Regional Development Agency for Bjelasica, Komovi and Prokletije, EcoPartners for Sustainable Development, Bashkia Pukë dhe National Tourism Organisation Of Montenegro./atsh

Pukë/ Kuzhina lokale si ofertë turistike, rrit konkurrencën në sektorin e turizmit Read More »

“Lovely Planet”, pamje mahnitëse nga Alpet shqiptare

Alpet Shqiptare po mahnisin gjithnjë e më shumë turistët e huaj, duke u kthyer me shpejtësi në një destinacionin e tyre të preferuar.

Turistët që zgjedhin Alpet Shqiptare dhe Luginën e Valbonës për të shijuar bukurinë dhe klimën e mrekullueshme të tyre, po shtohen dita ditës.

Në kërkim të shtigjeve të pashenjuara, kompania mediatike e sporteve ekstreme dhe aktiviteteve outdoor, Teton Gravity Research, pjesë e Lonely Planet, ka vizituar Shqipërinë dhe ka prodhuar këto pamje mahnitëse të Alpeve tona.

Turistët që zgjedhin Luginën e Valbonës dhe Alpet Shqiptare për të kaluar pushimet e tyre, do të kenë informacionin e domosdoshëm për këtë destinacion, aktivitetet, shërbimet dhe pikat me interes për t’u vizituar.

Duke nisur nga data 1 Gusht, Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka hapur Zyrën e Informacionit Turistik në Valbonë. Po ashtu FSHZH ka kontribuar ne hartimin e Masterplanit të Alpeve, dokumenti strategjik i zhvillimit të rajonit për 15 vitet e ardhshme, ndërsa ka nisur investimet e para bazuar në këtë dokument.

Alpet Shqiptare shtrihen në veri të lumit Drin dhe në perëndim të rrjedhjes së poshtme të lumit Valbona (degë e Drinit). Ato përfshijnë pjesën veriore të vendit dhe zënë rreth 8% të tij; kanë pozitë gjeografike tepër të izoluar, sepse rrugët që i lidhin ato me rajonet e tjera të vendit dhe trevat shqiptare jashtë kufirit, janë të pakta dhe në gjendje të keqe.
Tek Alpet dallohen blloqet, malësitë, kurrizet malore dhe luginat:

Blloku i Jezercës shtrihet në qendër të Alpeve dhe ka reliev më të lartë, më të ashpër dhe më të thepisur. Aty ndodhet maja e Jezercës 2694 m, më e larta në Alpet dhe e dyta në Shqipëri, pas majës së Korabit.

Malësia e Madhe shtrihet në veriperëndim të Alpeve. Në përbërje të saj ka kurrize malore, blloqe e male të larta (Bjeshkët e Namuna me Iartësi 2400 – 2500 m) si dhe disa pllaja të larta (Velecik – Bridashe) dhe disa lugina: e Vermoshit, e Cemit, e Përroit të Thatë etj.).

Lugina e Shalës është ndër më të mëdhatë në Alpet Shqiptare. Përgjatë saj ndërthuren zgjerimet, në të cilat janë vendosur qendrat e banuara (Thethi, Bregu i Lumit etj.) me ngushtimet, që në disa raste marrin formën e kanioneve.

Kurrizet malore midis luginës së Shalës e Valbonës, që ndahen nga lugina e Currajt, kanë reliev të ashpër me plot maja të ashpra dhe të thepisura dhe bimësi të dendur pyjore.
Lugina e Valbonës, një luginë tjetër e madhe e Alpeve, ka formën e një harku të madh. Përgjatë saj ndërthuren zgjerimet me ngushtimet, shpesh në formën e kanioneve. Në zgjerimet janë vendosur qendrat e banuara si: Ragami, Valbona, Dragobia etj.  Parku Kombëtar i Valbonës shtrihet në 8,000 m hektarë dhe kosiderohet si mrekullia e Alpeve shqiptare.

Malësia e Gashit përmendet për relievin e ashpër me forma të shumta akullnajore, në të cilat ka liqene të vogla, por me bukuri të rrallë, pyje dhe kullota të pasura.

Parku Kombëtar i Thethit. Ndodhet në një distancë prej 70 km nga qyteti i Shkodrës në zemër të alpeve shqiptare. Parku në fjalë ka një sipërfaqe prej 2.630 hektar dhe shtrihet në një lartësi që varion nga 600 – 2.570 metra mbi nivelin e detit.

Razma është një prej pikave turistike malore më të frekuentuara nga qyteti i Shkodrës. Zona është e rrethuar me pyje pishe dhe mënshteke. Ajo nuk bllokohet nga dëbora ndaj mbetet e vizitueshme gjatë gjithë vitit. Këtu ofrohet akomodim, ndërsa aktivitetet kryesore janë sportet dimërore, ekskursionet, ngjitjet etj.

Vermoshi ndodhet në një distancë prej 95 km larg nga qyteti i Shkodrës dhe pikërisht në ekstremin më verior të Republikës së Shqipërisë. Kjo zonë quhet krahina e Kelmendit./atsh

https://www.facebook.com/albaniandf/videos/1920819961555751/?t=0

“Lovely Planet”, pamje mahnitëse nga Alpet shqiptare Read More »

Vizitorë çekë lundrojnë në kanionet e Osumit

Vijnë për herë të parë dhe befasohen nga bukuritë natyrore të Parkut Kombëtar të Tomorrit. Pasi vizitojnë qytetin e Beratit dhe muzet e tij të shumtë, turistë çekë udhëtojnë drejt aventurës në kanionet e Osumit. Të orientuar nga grupet e të rinjve të “Smile Albania” dhe të shoqëruar nga ekploratorët e Administratës së Zonave të Mbrojtura të Beratit, udhëtuan drejt kanioneve me varkat e tyre sportive. Kanionet e Osumit kanë tërhequr gjithmonë vëmendjen e aventurierëve të sporteve të ujit dhe këtë fundjavë ishin vizitorë çekë që u prezantuan me këtë mrekulli natyrore.

Berati ka qenë një nga qendrat më të vizitueshme këtë sezon veror nga turistë të natyrës dhe ata të turizmit kulturor. Nga të dhënat e Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare në Berat, vetëm gjatë muajit gusht është vizituar nga 15 mijë turistë. “Në 20 ditët e para të gushtit Kalaja e Beratit ka pritur rreth 14669 vizitorë, mes të cilëve 9612 kanë qenë vizitorë të huaj”, thonë specialistët e kësaj drejtorie.

Brenda sipërfaqes së Kalasë ndodhen disa kisha, një pjesë e të cilave rrënoja, Sarajet turke, rrënojat e dy xhamive, sternat e ujit të quajtura Saranxha, sheshi i Sallabandës, sheshi i quajtur “Fusha e madhe”, etj. Ndërkohë që pjesën më të madhe të këtij oborri të brendshëm e zënë një sërë rrugicash, kopshtesh, bahçesh dhe shtëpi banimi të cilat përbëjnë lagjen e quajtur Kala. Mbi të gjitha, brenda këtyre mureve ndodhet dhe Muzeu Onufri që është një nga më të vizituarit në kështjellë. Berati, me trashëgiminë e tij kulturore, me historikun, me peizazhin dhe me natyrën befasuese të tij, ishte këtë sezon verorë epiqendra e turizmit të kulturës dhe të natyrës. /atsh

Vizitorë çekë lundrojnë në kanionet e Osumit Read More »

Përkundër ankesave për çmimet e kripura, Vlora plot me turistë e pushues

Vlora edhe këtë vit nuk mundi t`i shpëtojë kritikave për çmimet e kripura të sezonit veror.

Por kjo nuk i ka penguar aspak pushuesit ta zgjedhin si destinacion për muajt e nxehtë të verës.

Teksa dita kalohet anës detit, mbrëmja i gjen pushuesit në restorante e lokale, ku zgjedhin të shijojnë produktet tradicionale shqiptare.

Ashtu si edhe në qytetet e tjera bregdetare, numri më i lartë i turistëve ka qenë nga Italia dhe Polonia.
Drejtuesit e bizneseve shprehen se sezoni i ka përmbushur pritshmëritë.
Por ka edhe nga ata operatorë turistikë që thonë se shërbimet duhen përmirësuar.

Lungomarja është zona më e frekuentuar nga turistët në Vlorë, ku operojnë rreth 160 biznese, për tu ulur në tavolinat e të cilëve shpesh gjatë mbërmjeve duhet të presësh./oranews

Përkundër ankesave për çmimet e kripura, Vlora plot me turistë e pushues Read More »

Pojani në “100 fshatrat”, zhvillim turizmit të qëndrueshëm

Edhe pse shpesh identifikohet me Parkun Arkeologjik të Apolonisë, fshati Pojan në Fier ka përfituar pak ose aspak nga ky potencial i rëndësishëm turistik.

Ndaj, nxitja e turizmit të qëndrueshëm rural është një ndër synimet e përfshirjes së këtij fshati në programin “100 fshatrat”. Krahas Pojanit, janë edhe dy fshatra të tjerë (Libofsha dhe Cakrani), të përzgjedhur në kuadër të këtij programi për bashkinë e Fierit.

Lidhja organike që ka Pojani me Parkun Kombëtar Arkeologjik të Apolonisë, i cili mban mbi vete 2606 vite histori qytetërimi dhe kulture, është një bazë e fuqishme për nxitjen e turizmit në gjithë zonën.

I shtrirë pranë sitit të rëndësishëm arkeologjik të Apolonisë, Pojani përmbledh një potencial të rëndësishëm për zhvillimin e turizmit historik, por jo vetëm. Programi “100 fshatrat” parashikon po ashtu nxitjen e agroturizmit në këtë zonë, përmes mbështetjes direkte për sipërmarrjen fermere.

Zbatimi i këtij modeli të ri për zhvillimin rural përmes programit “100 fshatrat” parashikon investime të rëndësishme në infrastrukturë.

Aktualisht, Bashkia e Fierit ka bërë një përmirësim të infrastrukturës rrugore që të çon drejt fshatit Pojan, por investimi pritet të jetë më i plotë dhe pjesë e një projketi kompleks dhe të ndërthurur me të gjithë elementët urbanë.

Më herët, kryetari i bashkisë së Fierit, Armando Subashi është shprehur për ATSH-në se, “po punohet për hartimin e projekteve të plota që kanë në vetvete shumë plane të detajuara infrastrukturore”.

“Këto projekte nisin nga kanalizimet, ujësjellësi, infrastruktura rrugore, elementët urbanë, planifikimi i hapësirave publike, çlodhëse, gjelbërimin, vend pozicionimet më të favorshme agrokulturore, kultivuese etj, pa harruar dhe trajnimin e banorëve të këtyre zonave nëpërmjet formimit profesional që do t’u duhet për rritjen e cilësisë së shërbimit ndaj turistëve”, tha ai.

Është një projekt madhor, që sipas Subashit, përbëhet nga shumë miniprojekte të tjerë.

“Kemi përcaktuar prioritetet për ndërhyrje për çdo zonë, mbi bazën e të cilave po përgatisim projektet e plota, të cilat do t’i prezantojmë për financim”, tha ai.

Programi parashikon po ashtu nxitje të punësimit përmes mbështetjes direkte për sipërmarrjen fermere.

Ai synon të adresojë sfidat me të cilat përballet sot fshati dhe hapësira rurale për t’i shndërruar ato në qendra të zhvilluara ekonomike nëpërmjet agroturizmit të qëndrueshëm
rural.

Pojani ka rreth 2000 banorë dhe shtrihet në një sipërfaqe prej 11 km2, nga të cilat 458 ha sipërfaqe toke në fushë dhe 56 ha në kodër.

Banorët merren me bujqësi, blegtori dhe kohët e fundit me vreshtari dhe bletë. Shquhet për tradita të kultivuara myzeqare: të mikpritjes, bujarisë, të kulturës, folklorit, të gatimeve plot shije.

Banorët i përkasin besimit ortodoks, çka duket edhe në kishat shumëvjeçare pranë tij, si ajo e Shën Mërisë në Apoloni. /atsh

Pojani në “100 fshatrat”, zhvillim turizmit të qëndrueshëm Read More »

Prestigjiozja izraelite ”Ha’aretz”: Shqipëria, destinacion i mrekullueshëm turistik

Rezulton se jo vetëm Greqia mund të jetë e bukur dhe tërheqëse. Shqipëria, fqinji i saj, ka gjithçka që duhet për të kaluar pushimet, duke filluar që nga vendet e trashëgimisë, plazhet, muzetë, arkitektura osmane si dhe natyra në fshatrat e izoluara që përshkohen nga lumenj të egër, e cila të lë pa frymë.

Kështu shkruan gazeta e përditshme prestigjioze izraelite “Ha’aretz”, në artikullin kushtuar Shqipërisë, duke përshkruar pikat turistike, shumëllojshmërinë e vendeve si dhe bukuritë që ofron vendi ynë.

Shqipëria është kthyer një nga destinacionet më të mira turistike të vitit edhe pse për tri dekada ajo ka qenë e izoluar nga pjesa tjetër e botës. Sot, ajo pranon turizmin e ardhshëm, duke mirëpritur turistët nga gjithë vendet, pasi është një nga vendet më të bukura në rajonin e Ballkanit.

Me një kuzhinë të larmishme me ndikime nga kuzhina greke, turke dhe italiane, ky komb bujar ka peizazhe të egra dhe plazhet më të bukura në rajon.
Për shumë izraelitë, ky është një zbulim, falë faktit që për herë të parë këtë vit filluan fluturime të drejtpërdrejta me Shqipërinë, kështu që pak para se të vizitohet nga turistët dhe të bëhet Mikonosi tjetër, duhet të shkoni për të eksploruar këtë vend.

Në Shqipëri është shumë e vlefshme të marrësh me qira një makinë për të lëvizur në qytete të ndryshme dhe udhëtimi do të jetë i bukur, pasi udhëtarëve nuk do t’ju mungojnë peizazhet malore, fshatrat dhe bregdetet e bukura.

Shqipëria, ju ofron dhjetë destinacione të lira për t’u eksploruar:

Mendoni për plazhet e vogla dhe më pak të njohura

Shqipëria vendos një standard të lartë për fqinjët e saj në ato që quhen plazhe perfekte për pushime familjare, për të mos përmendur çmimet e ulëta të akomodimit në fshatrat turistikë. Nëse merrni me qira një makinë, është shumë mirë të filloni në fundin jugor, ku do të gjeni “Maldivet” shqiptare duke vizituar Ksamilin, një fshat të vogël me një nga plazhet më të bukura në Shqipëri. Ai është futur në listën e 20 plazheve më të bukura në Europë dhe tashmë është zbuluar edhe nga turistët. Një gjysmë ore me makinë është Saranda, ku përveç një plazhi spektakolar, mund të vizitoni edhe burimin e quajtur “Syri i Kaltër”. Vendi është një fenomen i mrekullueshëm natyror, ku burimi i ujit që vjen nga toka e ngjyros me blu të thellë dhe të kaltër. Pak kilometra në veri në të njëjtën rrugë, disa limane të izoluara janë fshehur midis maleve dhe që zbresin ndjeshëm në det, Palasa, Jala, Gjipeja dhe Dhërmiu, plazhe ideale për ndalesa të qeta dhe të bukura.

Për entuziastët e kampingut në përgjithësi, Parku Kombëtar i Valbonës është pikërisht vendi i duhur. Parku, i vendosur në Alpet shqiptare që kufizohet me Malin e Zi, është një nga vendet misterioze të fundit në Europë. Atje mund të shihni një peizazh me frymë alpine, burime të fshehura në mes të maleve, luginave dhe ujëvarave, kafshëve të egra dhe natyrë që ju nuk mund ta shihni më në vende të tjera. Turistët mund të akomodohen në fshatin e afërt që ofron një shtëpi mysafirësh dhe disa restorante. Për turistët që kanë dëshirë të eksplorojnë majat me dëborë, luginat e gjelbra, liqenet dhe fshatrat e izoluara mund të vazhdojnë të shkojnë në luginën e Thethit. Një rrugë prej 10 kilometrash që kalon midis peizazheve madhështore, ku gjatë udhëtimit do të shihni kasolle barinjsh dhe dele. Meqë zona është relativisht e lartë dhe e ftohtë në verë, është shumë e rekomandueshme që të informoheni për motin dhe temperaturat para se të niseni.

Shqipëria është e mbushur me liqene dhe lumenj. Liqeni i Komanit në veri të vendit, është një nga vendet më të njohura në Shqipëri. Liqeni është i rrethuar nga shkëmbinjtë e pjerrët që kryqëzohen me shkëmbinjtë e gurit, të cilat formojnë një nga kanionet më të bukura të vendit. Struktura topografike dhe bimësia e dendur në zonë kontribuojnë në krijimin e habitateve të ndryshme për kafshët, që shpesh shihen në brigjet e lumit. Lëvizja e njerëzve bëhet me traget dhe ka pamjen si fjordet e Norvegjisë. Në pjesën jugore të Shqipërisë do të gjeni liqenet e Ohrit dhe Prespës. Liqeni i Ohrit, që shtrihet midis Shqipërisë dhe Maqedonisë, është një nga liqenet më të vjetra të zbuluara në Europë dhe një nga më të thellët. Ky është një nga vendet më magjike që “takojmë” në Shqipëri. Pranë Ohrit është liqeni i Prespës së Madhe, i cili ndahet mes tre shteteve, Shqipërisë, Greqisë dhe Maqedonisë, ku zona përfshin tre parqe nacionale. Zona është e pasur me monumente të lashta të tilla si kisha, kështjella dhe manastire që rrethojnë liqenin.

Qyteti i Korçës

Pas gjithë udhëtimeve nëpër plazhe dhe male, keni nevojë për një qytetërim të vogël dhe një ndalesë për pushim. Qyteti i Korçës në Shqipërinë juglindore, është një nga më të bukurit e vendit. Rrugicat me kalldrëm të shoqërojnë kudo dhe duket se në to koha ka ndaluar. Gjithashtu, këtu mund të shihni Katedralen e qytetit një nga monumentet më interesante i cili përmban kultin brenda. Por mund dhe të festoni në festivalin e përvitshëm të birrës, më i famshmi në qytet dhe është ngjarja më e madhe në Shqipëri, me rreth 100,000 pjesëmarrës për pesë ditë, ku çdokush mund ta shijojë birrën falas.

Kryeqyteti, Tirana

Krahas arkitekturës komuniste e cila vërehet dhe sot, ka dhe ndërtime moderne. Disa thonë se kontrasti i madh të kujton Berlinin. Vitin e kaluar, Tirana është renditur si një nga vendet më të lira në Europë për mënyrën e jetës, për të pirë dhe ngrënë me një kosto më pak se pesë dollarë. Në Tiranë do të gjeni pesë qendra tregtare të lira dhe me firma të njohura. Përtej pazareve dhe qendrave tregtare, Tirana ka një numër të madh institucionesh kulturore, muze dhe vende përkujtimore që janë ruajtur që nga periudha e hershme romake. Gjithashtu me vlerë për t’u vizituar është dhe Piramida, e cila është si një muze për të ruajtur trashëgiminë e qytetit.

Ushqimi më i mirë për të ngrënë

Shqipëria nuk është një vend vetëm me peizazhe të bukura, por edhe një vend që reflekton një ushqim të larmishëm, për shkak të ndikimeve të lëna nga perandoritë e ndryshme që e kanë sunduar. Për shembull, një nga gatimet më të famshme në Shqipëri është byreku, i bërë nga brumi fli, i mbushur me spinaq apo mish, një traditë nga Perandoria Osmane. Rakia, sinonimi i pijeve të famshme greke si dhe Grappa italiane, është pija më e konsumuar alkoolike në të gjithë vendin. Qoftet janë kudo si dhe nuk mungon dhe kebapi turk.

Butrinti dhe Apolonia

Butrinti dhe Apolonia, janë dy vendet më të vjetra dhe më të rëndësishme në vend. Butrinti është një tjetër koloni greke nga periudha e Paleolitit, i cili u shpall Trashëgimi Botërore nga UNESCO. Një nga pamjet më intriguese, Parku Arkeologjik i Apolonisë është në fakt një qytet dhe koloni e lashtë greke e themeluar në vitin 588 p.e.s., një qytet që është bërë një qendër popullore kulturore në atë kohë. Për më tepër Shqipëria ka dhe disa vende të tjera historike për t’u vizituar si Kruja, Berati dhe Gjirokastra.

Festat dhe ngjarjet

Shqipëria është gjithashtu një destinacion i përsosur për dashamirësit e festivalit. Pas suksesit të festivalit Kala (Kala), një festival muzikor ndërkombëtar, Shqipëria vazhdon të presë dhjetëra mijëra turistë të huaj përgjatë Rivierës, siç priti në festivalin “Kala Fest” i cili dhuroi muzikë elektronike dhe një atmosferë të mahnitshme për të pranishmit. Gjithashtu dhe Festivali i Jugut (South Outdoor Festival), një ngjarje e jashtëzakonshme që përfshin disa fshatra për tri ditë, gjatë së cilës ju mund të ndiqni sporte ekstreme, turne me xhip, zhytje, kampe në natyrë, të hani ushqime tradicionale dhe të konsumoni birrë vendase si dhe të merrni pjesë në festa plazhi, pra një alternativë e mrekullueshme për këdo. Festivali Fustanella është ndoshta versioni lokal i Festivalit Arad. Është pak më modeste dhe është e përkushtuar tërësisht folklorit lokal, sidomos këngëve tradicionale shqiptare dhe zgjat tri ditë, në Gjirokastër.

Berati ose Gjirokastra?

Berati dhe Gjirokastra janë qytetet më të lashta në Shqipëri. Berati, i njohur gjithashtu si qyteti i “një mbi një dritareve” ndahet në dy pjesë: Qyteti i vjetër dhe qyteti i ri. Është e mundur të bëhet dallimi ndërmjet zonave sipas arkitekturës: Qyteti i vjetër me pamjen osmane dhe qyteti i ri me ndërtimet me karakter komunist.
Në qytetin e vjetër ka rrënoja mesjetare dhe ju gjithashtu mund të vizitoni kalanë dhe Muzeun e Ikonografisë. Ndërsa errësira bie, mijëra dritare fillojnë të ndriçojnë dhe qyteti bëhet edhe më i bukur.

Gjirokastra është një perlë shqiptare e fshehur mes maleve dhe ndoshta është arsyeja pse shumë turistë nuk e “takojnë” atë. Dhe një keqardhje! Në qytetin e vjetër ka rrugë të pjerrëta me kalldrëm dhe një mauzoleum antik otoman dhe përtej kësaj, kalaja e dytë më e madhe në Ballkan. Në kështjellë ju mund të admironi topat e rëndë dhe kullën e sahatit, por kryesisht aeroplanin amerikan që u rrëzua gjatë regjimit komunist.

Muzeu Historik Kombëtar

Gjatë historisë së saj, Shqipëria u pushtua disa herë, iu nënshtrua një numri të madh luftërash dhe u udhëhoq nga diktatori Enver Hoxha, që udhëhoqi një regjim të egër komunist. Tani gjithçka që mbetet është të shohësh muzeun më të rëndësishëm në vend. Muzeu më i madh në Shqipëri ka shumë kuratorë (zbulime të rralla arkeologjike), koleksione të rralla dhe eksponate të dedikuara për ata që vuajtën përndjekjen nga regjimi komunist dhe nga ekspozitat e tjera të Luftës së Dytë Botërore./atsh

Prestigjiozja izraelite ”Ha’aretz”: Shqipëria, destinacion i mrekullueshëm turistik Read More »