Turizem

Zagoria/ Zonë mbresëlënëse e shtegtimeve dhe aventurave turistike malore

Mes vargmalesh të pushtetshëm, Shëndelli-Lunxheri-Bureto e Trebeshinë-Dhembel-Nëmërçkë, më të mëdhenjtë dhe më të lartët në Jug, Zagoria ngjan brenda kësaj kurore me një gur xhevahiri rrezëllitës dhe piktoresk nga të gjitha pikëpamjet. Një hijeshi marramendëse, që nga malet e lartë me atë radhoj shkëmbinj të ashpër e të murrmë në Bisej, Rapavicë, Kreher, ku zogjtë aq të bukur kanë bërë foletë në shkëmbinjtë e thepisur e, deri te lulja më e vogël e ndriçuar nga rrezet e diellit, mbushur nga magjia e kësaj natyre, shtojnë pasionin e mjaftueshëm për të ngopur oreksin e turistëve. Në brendësi, pllaja e ara si peceta dore e kopshte me dhera buke e pranë ujërave, oaze të gjelbra me pemë e bar, të kërcënuara gjithmonë nga shirat e era e shpesh me arën e mbjellë u hipën përroi i nevrikosur dhe e çan mes përmes.

Këtu, sa ngrohtësia e rrezeve të diellit korrikut, ngroh dhe zemra e zagoritit. Jeta këtu i ka damarët e trashë dhe kallot e ngurta. Herë-herë jeta është e kursyer e lëkundet në fije të barit të thatë, herë-herë derdhet në shira piktoreske e gjelbërime fantastike, ku natyra ulet në qilima shumëngjyrëshe lulesh. Por gjithnjë ajër i pastër pranveror që të mbush kraharorin e që fryn si fllad parajse e dimrit era, era që ulërin si nëpër brigjet dhe humbellat e ferrit…

Krojet, gurrat dhe burimet e Zagories janë proverbiale. Të ftohta akull, të pastra e të kulluara zajeve. Pikërisht këto i kanë mbajtur lidhur zagoritet me vendlindjen. Gurra e Konckës, më e madhja në krahinë me dy lugjet e mëdhenj kishte aq shumë ujë sa ujiste të gjitha arat e fshatit deri afër lumit, në Sheshe të Mëdhenj apo deri në Murrize e Ahe. Tek Sheshi i Gurrës, edhe sot gjendet nën dhe kanali i veshur me pllaka e i lyer me një lëng të veçantë (si të gjithë ujësjellësit antikë) që e sillte ujët e pijshëm të gurrës mu në mes të fshatit. Gurra është jeta e fshatit, siç është Çalaku me atë ujë të rrallë e të lehtë, ose burimi i Arminxores. Pastaj gurra e bukur e Nivanit e krojet në Sheper, Ndëran, Topovë, Iliar e Zhej. Ndërsa burimet e Çajupit, anëve asaj fushe, që sikur e ka ndërtuar Perëndia me dorë midis maja malesh, janë një vlerë e paçmuar.

1964770_633246753390588_2032785144_nPër rreth burimeve, dhe kudo në Zagori, sidomos në Malin e Dhëmelit e të Rapavicës, gjenden masivet me kullotat nder më të mira në vend, dallohen për shumëllojshmëri të barërave e luleve.

Zagoria ka 10 fshatra të shtrira në faqet e maleve në dy anët e luginës. “Fshatra të vogla që mezi duken, ndërtuar në rrëzë të kodrave të gurëzuar si zogj në sqetullat e erës… “Dhjetë mjegulla në brinjë”, do t’i quante poeti Spiro Dede.

Zagoria, ndryshe nga krahinat e tjera në Shqipëri, është një krahinë me kuriozitet të veçantë qytetar. Zagoritët janë të parët në Shqipëri që rrahën kurbetet, dhe të parët që sollën civilizim në shtëpitë e tyre. Të urtë, të matur, dinjitoz, tradicionalë dhe strikt në zakone, qenë të parët që ndoqën shkollat brenda dhe jashtë vendit, duke nxjerrë figura të shquara në shumë periudha historike. Por qenë edhe të parët që kapën pushkën në të dy luftërat e fundit botërore dhe kazmën në periudhën e vështirë socialiste, duke qëndruar ballëlartë para kombit, para historisë.

24181895Zagoria është një krahinë e lashtë antike (jo emri i saj). Një dokument i vitit 1826 thotë se më 1431 Zagoria kish 3100 frymë. (Vini re diferencën prej 400 vjetësh). Më 1939, pra 500 vjet më vonë, afërisht kishte po kaq. Më 1981, 1565 banorë, pra, më pak se gjysma e 500 vjetëve shkuar. Sot në Zagorie, të regjistruar figurojnë 1280 banorë, faktikisht janë më pak se çereku i tyre. Kjo ikja e fundit e viteve ’90 ka qenë nga ikjet më të mëdha historike.

Monumente të Natyrës

Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave Nr. 676, date 20. 12. 2002 disa nga Monumentet e Natyrës në territorin e Zagorisë janë:

Rrapi i Shkollës, Sheper

Ndodhet në qendër të fshatit Sheper të komunës Zagorie. Dallohet për formë rrethore të rregullt të kurorës. Ka moshë 250 vjeçare, një gjendje të mirë vegjetative dhe vlera estetike, didaktike, turistike, biologjike etj.

Rrapet e Nivanit

Ndodhen në juglindje të fshatit Nivan të komunës Zagorie, në lartësinë 850 m mbi nivelin e detit. Dallohen për formë rregullt të kurorës. Janë të lartë mesatarisht 25 m, ndërsa lartësia maksimale 27 m. Kanë moshë 150-180 vjeçare.

Rrapi i Ndëranit

Ndodhet në qendër të fshatit Ndëran në lartësinë 900 m mbi nivelin e detit. Dallohen për formë të rregullt ombrellore të kurorës. Ka moshë 500-vjeçare. Ka gjendje mesatare vegjetative dhe vlera estetike, didaktike, turistike, biologjike etj.

Vënjat e Konckës

Ndodhen në afërsi të fshatit Konckë, të komunës së Zagorisë, 1100 m mbi nivelin e detit. Përbëjnë drurë me trung dhe kurorë të veçantë (piramide), me lartësi 15 m dhe diametër të trungut rreth 16 cm dhe moshë mbi 100 vjeçare. Janë bimë të rralla dhe në rrezik zhdukje. Druri i tyre përdoret për prodhimin e temjanit.

Lisat e Manastirit Nivan

Ndodhen në poshtë fshatit Nivan të komunës Zagorie, në lartësinë 710 m mbi nivelin e detit. Dallohen për formë rregullt të kurorës. Kanë moshë 200 vjeçare. Kanë gjendje mesatare vegjetative dhe vlera estetike, didaktike, turistike, biologjike etj.

Bredhi i Zhejit

Bredhishtja e Zhejit shtrihet në lartësitë 500-1900 m nga niveli i detit. Sipërfaqja është rreth 1500 ha dhe shtrihet përballë Fushës së Çajupit. Kati drunor i pyllit përfaqësohet nga formacione te bredhit të Maqedonisë, nënpylli përfaqësohet nga shkoza, dëllinja, mëlleza. Është relativisht i ruajtur mirë dhe përfaqëson pjesë të rëndësishme të biodiversitetit të Shqipërisë Jugore.

Pylli i Gurtë, Ndëran

Gjendet në afërsi të fshatit Ndëran, 1000 m mbi nivelin e detit, në frontin e tarracës homonime. Përfaqëson gurë me forma shpesh të çuditshme dhe afër njëri-tjetrit, sa të lënë përshtypjen e një pylli të dendur, nga ku edhe emri “Pylli i Gurtë”. Nën modelimin e erës dhe të erozionit janë krijuar forma të veçanta të gurëve. Ato janë të larta deri në 2 m dhe të gjerë disa dhjetëra centimetra. Ka vlera shkencore (gjeologjike, gjeomorfologjike), didaktike, kulturore dhe turistike. V

Tarraca e Ndëranit

Ndodhet në krahun e majtë të lumit të Zagorisë, në afërsi të fshatit të Ndëran. Përfaqëson një fragment tarrace lumoro-deluviale, të formuar nga lumi i Zagorisë në formën e një tarrace të nivelit të tretë, në shpinën e së cilës janë depozituar deluvione dhe koluvione të ardhur nga shpati lindor i malit të Lunxhërisë dhe nga materiale fluvioglaciale të ardhur nga cirqet e lartësive të këtij mali. Është e gjatë rreth 1000 m dhe e gjerë rreth 200 m. Mbi këtë tarracë është zhvilluar një ekosistem i veçantë dhe interesant, që përfaqësohet nga një pyll i përbërë nga lajthitë e famshme të Zagorisë.

Gurra e Nivanit

Ndodhet në fshatin Nivan të komunës së Zagorisë, në rrëzën perëndimore të malit të Dhëmbelit, në lartësinë 950 m mbi nivelin e detit. Përbën një burim karstik, që dallohet për prurjen konstante gjatë gjithë vitit. Ka ujë të pastër dhe të ftohtë dhe krijon një mjedis shumë tërheqës përreth.

Shkëmbi i Zheit

Gjendet në afërsi të fshatit të Zheit të komunës së Zagories, 1300 m mbi nivelin e detit. Është i gjatë 200 m, i gjerë 100 m dhe i lartë 500 m. Në shpatet e tij të thepisura kanë folenë pëllumbat e egër, skifterët dhe shqiponjat.

Vrimat e Konckës

Ndodhen në afërsi të fshatit Konckë, të komunës së Zagories. Karsti ka krijuar këtu një peizazh interesant karstik me një mori formash negative, që u ngjajnë hojeve të bletëve. Mbetet që të kryhen hulumtime të kujdesshme dhe të detajuara për të evidentuar shpella karstike, të cilat duhet të jenë të pranishme dhe vlera të tjera të veçanta të peizazhit karstik.

Monumente abiotike natyrore

Zagoria ka disa vende, të cila kanë shërbyer për grumbullime në festa e takime. Të tilla janë sheshet si ai Pleshës në Hoshtevë, Sheshi Karrozit në Nivan, i Shqezës në Nderan, etj. Janë të rëndësishëm edhe institucionet e kultit si, manastiri i Nivanit, kisha në Hoshtevë, Konckë, etj. Zagoria është vend ku janë te përhapura shpellat karstike, përmendim shpellën e Hosit në Sheper, atë të Milarisë në Ndëran. Kanë rëndësi burimet dhe guvat karstike që janë pothuajse në çdo fshat.

 

Inxh. Klenathi Mandi/Drejtues i Shoqatës Mjedisore “Çajupi”

Inxh. Gjon Fierza/ Specialist, Agjencia Kombëtare e Mjedisit

Zagoria/ Zonë mbresëlënëse e shtegtimeve dhe aventurave turistike malore Read More »

Llogara/ Eja me mua, te shtegu Çezarit!

Nga Fjorda Llukmani

E dinit që Jul Çezari ka kaluar në Llogara? Unë jo vetëm që nuk e dija për kalimin e tij në Llogara, por as nuk më shkonte në mendje që i ka rënë rruga nga lagja jonë. Me thënë të drejtën jam nul me historinë dhe tani që udhëtoj e shoh të nevojshme t’i kushtoj më shumë vëmendje. Këtë fundjavë këmba ime shkeli aty ku ka ecur dhe i madhi Cezar. Hajde për hajër, shpresojmë të ndjekim gjurmët e suksesit të tij tani!

Nëse keni vendosur të ndiqni një shteg diku në malet e Shqipërisë, personi i parë që duhet kontaktuar është Fation Plaku. Jo sepse ai është i vetmi që i di, por është rob Zoti, kur themi ne shqiptarët, dhe nuk përton kurrë të përgjigjet. Duke i shpjeguar situatën, që shokët e mi janë dembelë dhe mezi ua mbusha mendjen të ecim pak në mal, ai më sugjeroi një shteg të thjeshtë dhe të shkurtër.

Shtegu i Qesarit (me Q shkruhej në tabelë dhe nuk e di pse) fillon midis restorant Sofos dhe hotel Alpinit. Në fillim do të shikoni një tabelë që shkruan “Qafa e Qezarit” dhe është lehtësisht i gjetur nga të gjithë. Pasi u furnizuam me paçe, pilaf dhe kos dele nisemi për në shtegun e famshëm. Fillojmë me ankesën e parë të kushërirës sime, e cila është duhanxhie e nivelit supersajan. Më saktë të gjithë nga grupi im janë përdorues të rregullt të duhanit, përveç meje që kam hequr dorë që prej 8 muajsh. Nuk e keni idenë sa krenar ndjehesh për veten, kur lirohesh nga një ves i tillë. Megjithëse u bë kaq kohë që nuk pi cigare, me frymëmarrjen kam goxha probleme. Kështu që nuk i veja faj kushërirës sime që ankohej. “Ma more shpirtin”, – më kthehet ajo me gjysmë zëri. “Do më falënderosh më vonë”,- i them unë gjoja e sigurt se çfarë na priste atje lart.

Shpresoja shumë tek këshillat e Fationit dhe nuk doja ta zhgënjeja grupin. Nëse në fund të shtegut do të shikonim diçka që nuk ja vlente shumë, do ma kujtonin gjithë jetën. Duke qenë se marr shpesh iniciativa të tilla, rri me frikë nëse do ja vlejë lodhja, jo për vete, por për ata që më ndjekin. Mua më mjafton një ecje në pyll për të qenë e lumtur. Tek ngjisja shtegun, që ishte gjatë gjithë kohës malore, mendoja për Çezarin. A thua të ketë kaluar dhe ai aty? Sipas historisë flota e tij kaloi një natë Otranton duke ndaluar në plazhin e Palasës që në atë kohë quhej Paleste. Pa humbur kohë Çezari u nis për Orikum duke u ngjitur gjatë natës në një shteg të ngushtë dhe të vështirë. Pranë qafës së Llogarasë, barinjtë vendas edhe sot tregojnë një shesh që quhet qafa e Çezarit, që ishte edhe destinacioni jonë përfundimtar.  Pikërisht aty, Jul Çezari kërkoi ndihmë për të sulmuar dhe shpartalluar Pompeun. Kalimi i tij në Llogara ka hyrë në histori dhe me sa duket dikush ka investuar për shtegun që është me gurë dhe kalldrëme. Ndërkohë pemët shtrihen si kurora për gjatë gjithë rrugës. Në disa raste më dukej sikur futesha në tunel me gjethe.

Nëse zgjedh të ndjekësh këtë shteg, mirë bën mos të shkosh në palestër për disa ditë. Epo disa femra zgjedhin të bëjnë squats për prapanicën, unë ngjis male dhe mbushem me ajër të pastër. E shikon diferencën?

Pasi ecëm për gjysmë ore, arritëm në qafën e Çezarit. Nuk kisha parë ngjyra vjeshte më të bukura se atë ditë! Në shpatin e malit kishte pemë jeshile dhe kafe në të njëjtën kohë. Dukej si ato qilimat e kohës së Enverit. Ndaluam në një formë pllaje që bari të vinte deri afër gjurit. Dukej sikur askush nuk kalonte andej, pasi bari ishte i pashkelur. Vetëm në cep të luginës ishte një rrugicë e shkelur. “Mbase barinjtë kullosin delet diku pranë”- mendoja me vete. Ndërkohë që unë shpresoja të kalonte një bari që të bëja dy pare muhabet për zonën, grupi vendosi të shtrihej në lëndinë. Gocat luteshin që mos të dilte ndonjë gjarpër, e unë sikur isha banore e Llogarasë, u shtriva në bar pa shtruar asgjë poshtë.

Nuk e keni idenë ca qetësie që ishte! Asnjëri nga ne nuk e prishte heshtjen, përveç ndonjë lëvizje kur të mpihet këmba. Edhe në rastet që bëhej zhurmë nga lëvizjet, një prej shokëve më zevzek që kam fillonte ankesat: “Mos të lëvizi njeri oooo, na leni rehat mee! Ca paskeni qen kshu vërr vërr s’ju rri bytha me nji ven’!” E kuptoja shumë mirë çfarë donte të thoshte, megjithëse zgjodhi mënyrën e gabuar. Në Tiranën e zhurmshme nuk para ndodh të jesh aq qetësi, të marrësh ajër të pastër ose të ulesh në bar me shoqërinë thjeshtë për të chill’ jetën. Tek liqeni në Tiranë, kohët e fundit kanë filluar mos ta çajnë kokën njerëzit, e të shtrihen duke shijuar rrezet e diellit. Më përpara kur bashkë me shokët e mi shpenzonim pak kohë të shtrirë buzë liqenit, na shikonin si për gjynah ose mendonin që jemi turistë të huaj. Arlindi, shoku im zevzek, thotë gjithmonë “Hajde tokëzohemi”. Këtë e përdor kur heqim këpucët dhe çorapet pas një dite të lodhshme pune dhe bëhemi njësh me natyrën. Të njëjtën ndjesi provuam dhe në Qafën e Çezarit. U karikova 100% për javën në vazhdim.

Luajtëm pak muzikë të qetë deri në momentin që e kuptuam se nuk kishim nevojë për asgjë tjetër. “More karafila po ku ka muzikë më të bukur se ajo e natyrës”- i them unë. Muzika ndaloi. Qëndruam dhe pak kohë ashtu të shtrirë dhe kur çohemi na kishte kapur dielli. Madje një prej gocave ishte skuqur, a thua se ishte në Drimadhes, jo në Llogara. Një rrugë e dy punë me pak fjalë. Kush e ka fatin të marrë rreze dielli në nëntor?

Ngjitja zgjat maksimumi 30 min, duke përfshirë dhe ndalesat rrugës për të pushuar, pirë ujë ose bërë foto. Gjithsej 1 km e gjysmë.  Zbritja e shtegut ishte pak e vështirë sepse të rrëshqisnin këmbët nga gurët. Sado këpucë të mira të kishe, ekzistonte mundësia e thyerjes së qafës. Duhet pasur kujdes ose mund të zbrisni në pjesën me barishte pranë shtegut. Të paktën në tokë ke më shumë bazament.

Një ditë në Llogara nuk ka kuptim pa kosin me arra dhe mjaltë me pamje nga deti. Food porn kur thonë jashtë shtetsit. Duke shijuar kosin, përpiqesha të lidhja historinë se ku mund të ketë kaluar Çezari nëse ka zbritur në Palasë. Vonë mësova që shtegu nuk ishte vetëm aq, por vazhdonte në krahun tjetër të rrugës, deri në gjirin e Gramës.  Ah sa gjëra kemi që nuk i dimë për vendin tonë more shokë!/dritare.net

Llogara/ Eja me mua, te shtegu Çezarit! Read More »

Faqja më e njohur koreanojugore: Shqipëria pika kulmore

Pikë kulmore e konsideron Shqipërinë koreanojugorja travie.com, një nga faqet më të njohura aziatike në botë për udhëtimet turistike.

“Njohuritë për Shqipërinë ishin më të holla se një copë letre me lagështirë… Për fat të mirë, përshtypjet e para për Shqipërinë ishin mjaft mbresëlënëse”, thekson travie.com.

Koha më e mirë për të udhëtuar në Shqipëri është nga muaji prill deri në maj dhe nga muaji shtator deri në tetor. Moti i përgjithshëm është me dëborë dhe i lagësht në dimër, por verat janë të nxehta dhe të thata. Tirana është aq e lagësht në verë për shkak të efektit të saj gjeografik dhe është shumë e rrallë që temperatura të bien nën zero madje edhe në dimër.

Shqipëria ndodhet në bregun lindor të Adriatikut. Në veri janë Alpet e Shqipërisë së Veriut mbi 2500 metra mbi nivelin e detit.

TIRANA

Ka tre pika që bien në sy. Njëra është Kulla e Orës, e ndërtuar në vitin 1822, e cila ishte ndërtesa më e gjatë në Tiranë (deri në 35 metra) deri në vitin 1971, ndërsa tjetra është xhamia e Et’hem Beut, pranë Kullës së Orës. Ndonëse nuk është madhështore, konsiderohet si një nga xhamitë më të bukura. Një gjë e fundit që nuk duhet të të humbasë është statuja e Gjergj Kastriot Skënderbeut. Ai është një monark shqiptar dhe një hero kombëtar që luftoi kundër Perandorisë Osmane në shekullin e 15-të. Emri i sheshit gjithashtu erdhi prej tij.

DURRËSI

Durrësi, rreth 40 kilometra në perëndim të Tiranës, është një kryeqytet i lashtë me rreth 3000 vjet histori dhe qyteti më i madh portual në Shqipëri. Qyteti ka amfiteatrin e dytë më të madh romak në Ballkan.

BERATI

Berati është një qytet i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. Origjina e qytetit fillon nga kështjella e Beratit (e quajtur ‘Carla’), e cila u ndërtua 2400 vjet më parë. Ka ende më shumë se 1000 banorë në kështjellë dhe shumica e ndërtesave duke përfshirë zonën e banimit janë ndërtuar në shekullin e 13-të.

Berati ishte gjithashtu i sunduar nga Perandoria Osmane, por pa sakrifikuar traditat e Kishës Orthodhokse, ruhen stilet e jetës dhe traditat e para të paspushtimit. Pikë kryesore është stili bizantin te Katedralja e Shën Mërisë, e cila është një mbetje e një relikeje katolike. Emri i muzeut të katedrales erdhi nga piktori i famshëm i Shqipërisë Onufri i shekullit të 16-të./ atsh

Faqja më e njohur koreanojugore: Shqipëria pika kulmore Read More »

Qyteti antik i Orikut/ 1800 turistë në periudhën janar-gusht 2018

Qyteti antik i Orikut në qytetin e Vlorës, i themeluar në shekullin Vl p.e.r në trojet e fisit ilir të amantëve, mbi kodrën e njohur me emrin Paleokastër, gjatë periudhës janar-gusht 2018 është vizituar nga 1800 turistë vendas e të huaj.
Sipas shifrave të publikuara nga Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Vlorë, gjatë kësaj periudhe ka pasur një trefishim të numrit të vizitorëve, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2017, kur ky qytet antik u vizitua nga 600 turistë.
Qyteti antik i Orikut gjendet pranë qytetit të sotëm të Orikumit. Ai përmendet nga autorët antikë të shekullit të V p.e.r si port i rëndësishëm i Adriatikut.
U shfrytëzua nga romakët në luftrat kundër ilirëve dhe maqedonëve, luajti një rol të rëndësishëm në luftën civile midis Cezarit dhe Pompeut.
Flota maqedonase e Aleksandrit të Madh e pushtoi në vitin 214 p.e.r dhe në shekullin e lll p.e.r preu monedha me emrin e bashkësive qytetare. Në shekullin e ll p.e.r u dëmtua nga një tërmet i rëndë, u rindërtua dhe fortifikua në shekujt V-Vl e.r.
Në kohën bizantine dhe në mesjetë njihet si një port i vogël me emrin “Jeriko”.
Në shekullin e Vll, pranë tij u ndërtua kisha e Marmiroit dhe disa kisha të tjera që në themel të emrit të tyre kanë emrin e Marisë.
Sot qyteti i Orikumit është një destinacion turistik tepër i preferuar, për natyrën e tij detare dhe malore, për historinë dhe kulturën, për detin dhe plazhet ranore.

Qyteti antik i Orikut/ 1800 turistë në periudhën janar-gusht 2018 Read More »

Turizmi në Vlorë, Bedinaj: Infrastruktura e shërbimet më cilësore këtë vit, problem çmimi i biletave

Turizmi në Vlorë këtë vit ka shënuar një nivel më të lartë sa i përket shërbimeve dhe opinioneve të turisteve. Numri i lartë i pushuesve të huaj ka bërë që Vlora këtë vit të ketë një sezon më të zgjatur. Sipas kreut të operatorëve Turistik Vasil Bedinaj, infrastruktura dhe shërbimet kanë bërë që të ketë një numër të lartë të turistëve nga vendet e tjera.

“Ky ka qenë një sezon i mirë i pastër dhe cilësor, Vlora nuk është më në ato 40 ditët e para të sezonit që ka qenë vitet e kaluara, por vazhdon edhe në shtator. Pjesa më e madhe kanë qenë të huaj. Përveç ditëve me program kulturor , kemi dhe një ditë tjetër në program , atë detar, ku promovojnë ishullin e Karaburunit dhe të Sazanit.” Vasil Bedinaj, Kreu i operatorëve turistik Vlorë

Por, përveç të mirave që ka ofruar Vlora ka edhe anët negative të saj, rasti konkret është me biletat e tragetit që udhëton nga Brindisi në Vlorë. Çmimet për një biletë janë më të shtrenjta si një paketë turistike. Ndërkohë që kushtet që ofrohen nga ky traget lënë për të dëshiruar.

Një problem shumë i madh mbetet edhe transporti urban në qytetin e Vlorës i cili ka në përdorim autobus të viteve 70. Ndërkohë që shumë turist të cilët vijnë për të qëndruar më gjatë në Vlorë përdorin edhe këtë transport i cili është në gjendje të mjeruar.

“Është për të ardhur keq që porti i Vlorës, ka një traget ku shet bileta me 70-80 euro për person, me një llogari të thjeshtë një familje me 4 veta i kushton më shumë udhëtimi sesa akomodimi në hotel. Tjetër gjë që duhet të marrë parasysh pushteti lokal, është edhe transporti urban në qytet, nuk ka lidhje me atë që paraqet Vlora si qytet, me një transport urban që është 40 vjet mbrapa.” Vasil Bedinaj, Kreu i operatorëve turistik Vlorë

Bedinaj ka kërkuar që ditët e turizmit të vijojnë deri në fund të shtatorit, por edhe në tetor, pasi kërkesat nga të huajt janë të mëdha. Një numër të madh turistesh ka pasur edhe nga vendi fqinj, italia, ata shprehen mjaft të kënaqur me bukurit natyrore, shërbimin dhe kulinarin vendase.

“Sipas Turitstes është hera e parë që vij në Shqipëri dhe po bëj guidë në pjesën më të madhe të Shqipërisë, për të njohur këtë bukuri natyrore. Një tjetër turist thotë se kam mbetur i kënaqur nga kuzhina , gatimi, nga deti dhe shërbimet në qytetin e Vlorës.”

Koha me diell dhe temperaturat e larta, kanë favorizuar që turizmi këtë vit në Vlorë të vijojë deri në fund të shtatorit, ndoshta edhe në tetor. Për këtë nga ana e operatorëve turistik është kërkuar që siguria e shtuar për pushuesit, të jetë edhe gjatë kësaj periudhe./shqiptarja.com

Turizmi në Vlorë, Bedinaj: Infrastruktura e shërbimet më cilësore këtë vit, problem çmimi i biletave Read More »

Nga Velipoja në Theth, 230 mijë turistë në zonat e mbrojtura të Shkodrës

230 mijë turistë vizitojnë Zonat e Mbrojtura në Qarkun Shkodër këtë sezon turistik. Këtë shifër e konfirmon specialistja e Administratës së Zonave të Mbrojtura Shkodër, Age Martini.

Shkodra ka disa pika me akses turizmin natyror dhe atë të vëzhgimit, por më të vizituarat këtë sezon veror kanë qenë Velipoja dhe Thethi. Age Martini thotë se “Velipoja pati prioritet këtë verë edhe për arsye të motit të freskët që largoi për disa ditë pushuesit e plazheve drejt kësaj zone me një bukuri të rrallë natyrore dhe mundësi vëzhgimi të shpendëve ujorë”.

Thethi ishte një tjetër destinacion i preferuar për turizmin malor dhe atë të aventurës.Lugina e gjelbëruar,ujërrjedhat malore, kullat e vjetra mbushur me histori e gojëdhëna si dhe ushqimi bio, e bëjnë të preferuar në çdo stinë këtë fshat malor. Age Martini thotë se “sivjet patëm dyfishin e lëvizjes turistike krahasuar me vitin e kaluar, ku një ndihmesë të veçantë dhanë djemtë dhe vajzat e “Smile Albania”, rreth 700 syresh të shpërndarë në mbarë pikat e vizitueshme të zonës.

Ditët e ngrohta nuk kanë mbaruar akoma dhe pas tyre do të nisë turizmi i “bardhë” apo ai i maleve me borë dhe kështu që Qarku i Shkodrës i ka të gjitha mundësitë ta zhvilloj atë që nga Kelmendi deri në malet e Dukagjinit”, thotë specialistja e AdZM-së Shkodër.

         

Nga Velipoja në Theth, 230 mijë turistë në zonat e mbrojtura të Shkodrës Read More »

Njihuni me 10 fshatrat më të bukur të Shqipërisë

“Shqipëria ime fantastike” është një projekt i Agjencisë Kombëtare të Turizmit. Kjo agjenci synon të sjellë në vëmendjen e lexuesit destinacionet që duhen vizituar.

Sot do t’ju listojmë 10 fshatrat më të bukura me traditë, natyrë, kulinari dhe infrastukturë që do t’i pëlqente kushdo.

Ja cilat janë ato fshatra:

    1. Thethi, Shkodër
    2. Voskopoja, Korçë
    3. Bënja e Shqerisë, Përmet
    4. Lini, Pogradec
    5. Dragoti, Tepelenë
    6. Vunoi, Vlorë
    7. Valbona, Tropojë
    8. Kallmet, Lezhë
    9. Petrelë, Tiranë
    10. Belshi, Elbasan

Njihuni me 10 fshatrat më të bukur të Shqipërisë Read More »