Turizem

Karaburun-Sazan, vendosen tabela informuese

Në Parkun Kombëtar Detar Karaburun-Sazan janë vendosur ditët e fundit 9 tabela informuese në zona me intensitet të lartë turistik.

Administrata Rajonale e Zonave të Mbrojtura Vlorë bën të ditur se “vazhdojnë investimet, në Parkun Kombëtar Detar Karaburun-Sazan, bazuar në Planin e Menaxhimit, me qëllim rritjen e vizibilitetit dhe informimin në brendësi të zonave të ndryshme të parkut”.

“9 tabela informuese në zona me intensitet të lartë turistik përgjatë parkut do të informojnë më mirë turistët për vlerat dhe aktivitetet e lejuara”, thekson ADZM Vlorë.

Sipas ADZM, Vlorë këto investime bëhen falë mbështetjes së projektit të UNDP Albania me financim të Agjencisë Italiane për Zhvillim, (AICS) dega Tiranë.

I shpallur në vitin 2010 Park Kombëtar Detar, Karaburun-Sazani është i vetmi i tillë në Shqipërisë. Parku ofron atraksione të shumta natyrore, kulturore, historike dhe turistike.

Tani zona mund të vizitohet nëpërmjet udhëtimeve ditore që zhvillojnë operatorët turistikë që nisen nga porti i Vlorës. Kjo ofron mundësi reale për të vizituar parkun dhe ofruar një ditë ndryshe në gjirin e Vlorës.

Parku Kombëtar Detar Karaburun-Sazan gjatë sezonit turistik veror, ishte destinacioni më mbresëlënës për 45 000 turistë vendas dhe të huaj./atsh

Karaburun-Sazan, vendosen tabela informuese Read More »

Laguna e Patokut, “parajsë” e biodiversitetit dhe turizmit

Shtrihet gjatë bregut  të Adriatikut dhe quhet “Kompleksi Ligatinor i Patokut” që  përfaqëson një nga bukuritë natyrore më interesante të këtij bregu.

E ndodhur ndërmjet Lumit Mat në Veri dhe Lumit Ishëm në Jug, ky kompleks përfshin një llojshmëri të lartë habitatesh.

Një lagunë nga  pesë lagunat e jashtëme në brigjet shqipëtare është nga më interesantet dhe nga më të populluarat me faunën ujore.

Këto karakteristika dhe shumëllojshmëria e habitateve janë te lidhur ngushte me biodiversitetin e larte te Kompleksit Ligatinor te Patokut. Shumëllojshmëria e bimësisë është një nga karakteristikat më të spikatura të këtij kompleksi nga bimët detare, në pjesën perëndimore, më të zakonshmet janë livadhet nënujore.

Pozicioni i favorshëm dhe shumëllojshmëria e habitateve rreth lagunës kanë krijuar kushte të përshtatshme për faunën ujore. Inventarizimi i shpendëve ka regjistruar numër të lartë llojesh, që i përkasin shpendëve te ujit, shkurretave, pyjeve, kullotave, dunave dhe tokave bujqësore. Në Kompleksin Ligatinor te Patokut është regjistruar numër i madh llojesh te shpendëve të kërcënuar në shkalle botërore si Pellikani dhe specie të tjera që tashmë janë rikthyer.

Peshkimi është  përparësi për zhvillimin e lagunës dhe zonës. Bregdeti, laguna dhe 2 lumenjtë Mat dhe Ishëm, qe e lagin, krijojnë kushte te përshtatshme natyrore për zhvillimin e peshkimit me interes te madh ekonomik. Kompleksi i Patokut karakterizohet nga një shumëllojshmëri e peshqve. Pozicioni gjeografik i kësaj zone lehtëson komunikimin me tregjet e shitjes, gjë që përben një tjetër faktor për perspektiven e mire te zhvillimit te peshkimit. Aty gjenden dhe disa komplekse turistike, kryesisht zhvillohet turizmi i natyrës, vëzhgimit dhe kulinarisë.

Turizmi ekologjik është një nga potencialet me te rëndësishme për zhvillimin e zonës. Karakteristikat e saj natyrore me llojshmërinë e larte te habitateve (det, lagune, pyll, lumenj, toke bujqësore), biodiversitetin e pasur me shume grupe te florës dhe faunës, ekzistencën e bujqësisë dhe peshkimit tradicional janë faktorë kryesore për zhvillimin e eko-turizmit. Pozicioni i kësaj zone pranë Tiranes dhe rrugëve nacionale e lehtëson ardhjen e turisteve. Patoku është kthyer në një destinacion për turizmin familjar dhe atë të kulinarisë detare. /atsh

Laguna e Patokut, “parajsë” e biodiversitetit dhe turizmit Read More »

Shqipëria vend unik për investime – Deklaroi sot Zv/presidenti i “Hyatt”

Zëvendëspresidenti i hotel “Hyatt”, Aoyama Takuya, deklaroi sot se “hapja e hotel Hyatt në Shqipëri do të jetë një histori suksesi”.

I pranishëm sot në ceremoninë e nënshkrimit të kontratës me Mak Albania, Aoyama Takuya theksoi se “ne nga Hyatt firmosim shumë kontrata gjatë vitit, hapim shumë hotele në gjithë botën, por që të kemi mundësi që të shkojmë në një vend kaq unik sa Shqipëria është një rast shumë, shumë i veçantë”.

“Shqipëria është një vend me një natyrë madhështore, me një bregdet të paprekur me një trashëgimi kulturore unike, ku bëhen premtime që mbahen”, theksoi Takuya.

Në emër të Hyatt, tha më tej ai, do të doja të premtoja se kur të hapet ky hotel ne do të bëjmë një histori suksesi jo vetëm për Tiranën, jo vetëm për turizmin e Shqipërisë, por për miqtë tanë sidomos për ata që do të punojnë me ne.
“Faleminderit për mbështetjen dhe presim me kënaqësi të hapim hotelin këtu në Shqipëri”, tha zv/presidenti Takuya./ATSH

Shqipëria vend unik për investime – Deklaroi sot Zv/presidenti i “Hyatt” Read More »

Cifti gjerman që pushon në afërsi të Zvërnecit ,në zonën e Portonovës

Një çift gjerman me dy fëmijë të vegjël prej ditësh ndodhen në vendin tonë per te pushuar. Çfarë është e veçantë në udhëtimin e tyre lidhet me faktin se ata bashkë me dy fëmijët e mitur zgjedhin vende larg zhurmës së qytetit.

Larg komoditetit dhe zhurmës së qyteteve. Duke preferuar vende të paeksploruara më parë. Dy turistë gjermanë, Zara dhe Kasten së bashku me dy fëmijët e tyre, 3 vjeç dhe pesë muajsh zgjodhën Shqipërinë për të kaluar dy javë.

Qëndrimi i tyre është larg zonave të banuara, kryesisht buzë detit. Në Vlorë kanë zgjedhur të qendrojnë në afërsi të Zvërnecit, në zonën e Portonovës. Makina është dhe shtëpia për çiftin gjerman dhe fëmijet e tyre të mitur. Gatuajnë dhe flejnë aty.

Qëndrojnë vetëm dy ditë më një vend, pasi lëvizin në zona të ndryshme. Udhërrëfyes të vetëm kanë një hartë. Nuk kanë frikë që ndodhen larg qendrave të banuara. Për këta prindër me fëmijë të vegjël natyra është ajo çfarë ofron gjithçka.

Blejnë pak gjëra të nevojshme dhe pas zhvendosen larg gjithçkaje. Pas Vlorës, destinacioni i radhës është Gjirokastra dhe më pas në Greqi. /abcnews.al

Cifti gjerman që pushon në afërsi të Zvërnecit ,në zonën e Portonovës Read More »

Ja pse duhet të shkoni në Llogora

Te kilometri 31 i rrugës Sarandë-Vlorë, në dalje të Parkut, në të djathtë të rrugës kryesore, ndodhet Pisha Flamur, që është shpallur Monument Natyre dhe që është lehtësisht e dallueshme.
Ajo ndodhet në lartësinë 910 m mbi nivelin e detit, ka një moshë mbi 100 vjeçare dhe mbart vlera unikale, si vepër artistike e erërave të Jugut. Pisha i përket llojit Pinus nigera. Ka formën e flamurit si rezultat i veprimit të erërave të forta të juglindjes. Është e gjatë 20 m, ka perimetër 3.30 m, diametri maksimal 75 cm, ka moshë rreth 100 vjeçare. Ky monument ka vlera shkencore, biologjike, estetike dhe turistike. Disa degë po thahen nga faktorët natyrorë.
Pisha flamur vazhdimisht ka tërhequr vëmendjen e vizitorëve vendas e të huaj dhe është botuar në guida të ndryshme turistike dhe botime shkencore. Natyrisht këtu nuk mund të rrish pa bërë një foto, me të cilën mund t’u mburresh miqve në Facebook, duke u thënë: “A e shihni ku kam qenë unë”?!
Për të vajtur tek ky monument merret rruga automobilistike Vlorë – Dukat – Llogora deri pra se të dalësh në Qafën e Llogorasë, në të djathtë të rrugës, pasi keni kaluar fshatin turistik. Por edhe po nuk patë Pishën Flamur të evidentuar si të tillë, në Llogara ka plot pisha të tilla, që për shkak të erërave, në një anë janë të zhveshura dhe në anën tjetër kanë plotë degë, si një flamur i shpalosur.
Kullat e Dervish Aliut në Dukat
Kullat e Dervish Aliut ndodhen në afërsi të fshatit Dukat i Vjetër, 4 km nga rruga nacionale Vlorë-Sarandë. I ndërtuar në fillim të shek. XIX ky kompleks mban emrin e Dervish Aliut, personazh i njohur si organizator i revoltave fshatare kundër reformave të Tanzimatit në Shqipëri gjatë viteve 1847-1848. Banesa është e tipit Kullë, që i ngjan një keshtjellëze të fortifikuar.
Kullat e Dervish Aliut u ndërtua në vitin 1828 nga specialistë janinas, për të siguruar mbrojtjen e fshatit, si dhe për të shërbyer si strehim në kohë të vështira sulmesh a luftërash.
Tri kullat e Dervish Aliut kanë rreth 40 frëngji dhe prej andej mund të luftonin mbi 200 luftëtarë.
Në dhjetor 1977 Kullat e Dervish Aliut u shpallën shtëpi-muze dhe u morën nën kujdes nga Instituti i Monumenteve të Kulturës. Edhe sot ato gëzojnë statusin e Monumentit të Kulturës, por fatkeqësisht, me gjithë rikonstruksioneve që i janë bërë, po shkojnë drejt degradimit.
Për të vizituar këtë monument kulture ndiqet rruga që të çon në qendër të Dukatit të Vjetër. Pasi arrihet në qendër të fshatit merr rrugën që të çon në lagjen “Mazo”. Rruga që të çon deri në qendër të fshatit përshkohet nga makina, më tej rreth 1 km ecet në këmbë.
Specialitete të kuzhinës labe
Sipas dëshirave dhe shijeve këtu gjen të gjitha llojet e kuzhinave, që nga ato evropiane, por edhe të krahinave të tjera shqiptare. Por ajo që është e veçantë në artin kulinar të restoranteve të Llogarasë, është kuzhina tradicionale labe, mishi i pjekur në hell, kukurecët, arapashi dhe kosi me arra.
Të shkosh në Llogara dhe të thuash nuk kam ngrënë arapash, më mirë mos trego se ke qenë atje. Arapashi është specialiteti më tipik i kuzhinës së staneve të Labërisë. Bëhet në formë qulli me miell misri, gjalpë dhe të brendshmet e kecit dhe të qengjit. Se çfarë shije dhe sa i këndshëm është, nuk përshkruhet dot. Po të doni, shkoni dhe e shijoni!
Llogara-Dukat, Orikum-Karaburun: një zonë, dy ekosisteme
Një nga qendrat më të mëdha në këtë zonë ka qenë dhe është Orikumi, që shtrihet në bregun jugperëndimor të Gjirit me të njëjtin emër, në këmbët e gadishullit të Karaburunit. Qendra arkeologjike ndodhet në një kodër të ulët shkëmbore gëlqerore në fundin e një skele druri që ndan një lagunë të vogël nga gjiri (Pasha-Liman). Një kanal, tani i shndërruar në një kënetë lidhte lagunën me detin. Orikumi ka qenë qytet antik i disa periudhave, që nga ato greke, romake dhe deri në mesjetën e hershme. Sot ai është kthyer në një qytet modern, që merr më shumë rëndësi dhe gjallëri në nerv me vërshimin e turistëve të shumtë vendës dhe të huaj. Orikumi ka akoma mundësi dhe resurse të tjera turistike të pashfrytëzuara. Ende një pjesë e tij, më e bukura, mbahet nga repartet ushtarake në një vijë të gjatë bregdetare.
Por Orikumin nuk duhet ta marrësh të shkëputur nga e gjithë zona për rreth që fillon nga Lugina e Llogarasë deri në Pashaliman (tek Gjiri i Bristanit) duke u kufizuar me Gadishullin e Karaburunit, me luginën e Llogarasë dhe Dukatit fushë duke përfunduar me lagunën e Orikumit. E vendosur midis Parkut Kombëtar Llogara dhe Rezervatit Natyror t ë Menaxhuar Karaburun kjo zonë shërben si një urë lidhëse midis dy ekosistemeve natyrore, dhe është pjesë e pandarë natyrale e tyre.

Ja pse duhet të shkoni në Llogora Read More »

Himara vlerësohet në Londër për ruajtjen e banesave tradicionale

Udhëzuesi Praktik për Mbrojtjen dhe Ruajtjen e Banesave Tradicionale në fshatrat e Bregdetit të Himarës është vlerësuar së fundmi me çmimin e nderit në kategorinë e Dizajnit Urban gjatë ceremonisë së Çmimeve të Ekselencës së INTBAU 2018, në Londër.

Lajmin e bën të ditur kryetari i bashkisë së Himarës, Jorgo Goro, i cili thekson se anëtarët e jurisë, krijuan bindjen se “ndikimi që udhëzuesi mund të kenë në ruajtjen e trashëgimisë/banesave tradicionale dhe zhvillimin e vendbanimeve rurale në Rivierën Shqiptare, bënë që udhëzuesi të meritojë këtë vlerësim”.

Goro thekson se “ceremonia u zhvillua në “Royal Society of Arts”, në Londër më 28 nëntor, gjatë Kongresit Botëror të INTBAU 2018, një forum që zhvillohet çdo dy vite, i cili bashkon perspektivat dhe njohuritë globale në diskutim dhe debat mbi çështje të ndryshme sfiduese, me të cilat përballet mjedisi i ndërtuar dhe komunitetet rreth botës sot”.

Udhëzuesi është hartuar në kuadër të programit “Zhvillimi i Integruar dhe i Qëndrueshëm i Rajonit Bregdetar Jugor”, zbatuar nga GIZ Shqipëri, përfitues janë bashkia Himarë dhe komuniteti i fshatrave.

Projektet e transformimit dhe rijetëzimit të fshatrave të Dhërmiut dhe të Vunoit në bashkinë e Himarës, do të jenë të përfunduara brenda muajit qershor të vitit të ardhshëm.

Banesat e fshatrave të bregdetit të Himarës përfaqësojnë dhe reflektojnë, jo vetëm traditat në ndërtim, por edhe stilin e jetesës. Në sajë të projekteve synohet që të rikthehen në identitet këto fshatra duke respektuar në detaje të gjithë elementët dhe parametrat arkitekturorë e urbane të periudhave kur janë ndërtuar.

Në fshatin Dhërmi, numërohen rreth 2600 banesa dhe godina të tjera, që janë pjesë e procesit të rikonstruksionit, ndërkohë që në Vuno, numri i tyre shkon në rreth 230.

Veç riparimit dhe restaurimit të fasadave, çative, dyerve, dritareve dhe grilave, në përputhje të plotë me traditën dhe kohën kur janë ndërtuar banesat, projektet përfshijnë edhe plotësimin me infrastrukturën rrugore. Të gjitha rrugicat do të ndërtohen me kalldrëmin tradicional, aq i veçantë dhe karakteristik për këtë zonë, ndërkohë që gjithçka do të plotësohet me sistemin e kanalizimeve, me ndriçim dhe elementë të tjerë të nevojshëm./ATSH

Himara vlerësohet në Londër për ruajtjen e banesave tradicionale Read More »

Lehtësitë fiskale në turizëm e shndërrojnë Shqipërinë në destinacion konkurrues

“Paketa jonë e lehtësirave fiskale për investitorët strategjik ka dhënë efekte të menjëhershme dhe sot në ditë e samitit firmosim tre kontrata disa milionëshe për investimet e tre hoteleve ne Shqipëri”, tha sot ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, duke theksuar se Shqipëria është tashmë destinacion konkurrues në fushën e turizmit.

Duke iu drejtuar investitorëve në Samitin e Investitorëve të Huaj në Turizëm, mbajtur sot në Tiranë, Klosi shtoi se në vitin 2019, buxheti shton investime në fushën e turizmit, por sfida vazhdon me zbatimin e 365 masave që kemi përcaktuar.

“Kush është modeli, kush është rruga, kush është është përpjekja jonë për ta shndërruar turizmin në një destinacion europian turistik. Ne jemi në rajon me konkurrent nga më të fortët të turizmit, Italinë, Greqinë, Turqinë Kroacia, Malin e Zi. Pra, ku jemi? Sa do të përgatitemi dhe sa të gatshëm jemi të përballemi me këta konkurrencë. Kjo është sfida jonë. 10 milionë turistë ka në themelin e saj punën dhe sa do jemi ne në gjendje të zbatojmë 365 masat qe ne kemi përcaktuar për të punuar çdo ditë për ta shndërruar Shqipërinë në një destinacion turistik”.

Shqipëria falë projektimit të qartë të qeverisë është shndërruar në një destinacion konkurrent në fushën e turizmit, falë lehtësirave fiskale.

“Por padyshim kemi për të bërë shumë në infrastrukturë. Çfarë do bëjmë për më shumë cilësi, pa dyshim kemi shumë për të bërë. Çfarë do bëjmë ne me arsimin profesional, të rrisim cilësinë e kualitetin e shërbimit. Ne jemi shumë të qartë se gjithë këto brende dhe gjithë këto kompani që pranojnë të investojnë, janë këtu se gjejnë këtë atmosferë, por nëse nuk fitojnë ikin, prandaj jemi këtu për jetë gjatësinë e turizmit”, tha ai.

Modeli i turizmit në Shqipëri, sistem miks

Shqipëria afron natyrën, detin, turizmin malorë dhe historik, agro-turizmin, trashëgimin shpirtërorëve, dhe modeli i turizmit në Shqipëri është një model miks”, u shpreh ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi.

Duke iu drejtuar investitorëve në Samitin e Investitorëve të Huaj në Turizëm, Kosi shpalosi modeli e turizmit në Shqipëri.

“Ne nuk duhet të biem në bumerangun e turizmit masiv, as në letargjinë e mungesës së shfrytëzimit të gjitha potencialeve për t’u fokusuar te turizmi elitar. Modeli ynë është një sistem miks, duke mbajtur në konsideratë zonat specifike dhe karakteristikat specifike të asaj çfarë duam të ndërtojmë në vendin tonë. Me këtë sistem duhet të ketë rregulla të qarta”, tha ai.

Klosi tha se ne kemi 400 km bregdet të cilin në rast se do të vazhdohet pa model pa mbrojtje ne do të gjendemi në një situatë.

“Ajo që propozojmë sot është një model i qartë me pesë pika të cilat shënon identifikimin e zonave turistike me një inters kombëtar. Kemi përcaktuar gjashtë destinacione që do t’i zhvillojmë ku përfshihen nga veriu në jug, nga bukuritë e Shkodrës, Shëngjin, Velipojë, Alpet si një destinacion unikal, bukurinë e bregdetit të Adriatikut, kombinuar me qytetin e Tiranës si një destinacion dhe festival muzikorë. Krijimin polit të vërtetë të Jugut të ri dhe krijimin e perlës joniane”, tha ministri.

Po ashtu, Klosi tha se kemi një plan të qartë me pesë pika për zhvillimin e turizmit në Shqipëri.

“Plani jonë do të ketë 5 pika, identifikimin e zonave, përcaktimin e modeleve të zhvillimit të gjashtë rajoneve, mbrojtjen atraksioneve turistike, zonave të mbrojtura. Arsyeja pse duhet të vizitojnë turistët e huaj vendin tonë, përcaktimi i zonave dhe destinacioneve, sepse çdo bashki e vendit është destinacion turistik”, tha ai.

Klosi tha se ne nuk mund të ecim përpara pa parë se si vendet si Mali i Zi, Kroacia, Greqia, Sllovenia kanë ecur në turizëm, pra janë këto katër model që ne do të kemi në zhvillimin e turizmit.

“Ne kemi fatit të ecim pas disa klasikeve të turizmit dhe të përcaktojmë qartë se kush është modeli ynë të tërheqjes të turistëve drejt vendit tonë me karakteristikat tona, specifikat që na bëjnë një model që duhet të vendosim ku duhet të investojmë. Ky forum do të rri të jap përgjigje pyetjes ku shkojmë, çfarë kërkojmë dhe si mund të jemi një destinacion europian turistike”, tha ai.

Klosi: 300 milion dollarë më shumë në buxhetin e operatorëve të turizmit

Ministri Klosi tha se në buxhetin e kompanive që kanë operuar në fushën e turizmit këtë vit kanë shkuar 300 milion dollarë më shumë se sa një vit më parë.

Ministri Klosi tha se “300 milion dollarë më shumë se sa një vit më parë është shënuar nga biznesi i turizmit drejt për drejti në buxhetin e kompanive tuaja. Të bëhemi së bashku që këto fitime të dyfishohen dhe ti shkojnë të ardhmes së Shqipërisë dhe të krijomë këtë aleancë në fuqinë e pesë yjeve”

Duke iu referuar shifrave ministri, Klosi tha se ky vit ishte i suksesshëm për sa i përket numrit të vizitorëve të huaj në Shqipëri.

“Më 25 nëntor kanë hyrë në Shqipëri 7398 turist të huaj, i gjithë muaj nëntor kanë shkuar 213427, duke shtuar dhe nëntorin 10% me shumë se po i njëjti muaj i viti të kaluar. Në Shqipëri në vitin 2018 kanë hyrë 6 milion turistë që sipas Bankës së Shqipërisë do shënojnë 2 miliard euro të ardhura në prodhimin e brendshëm bruto të vendit tone”, tha ai./atsh

Lehtësitë fiskale në turizëm e shndërrojnë Shqipërinë në destinacion konkurrues Read More »