Turizem

Vlora me bulevard të ri në fillim të sezonit turistik !

Fillimi i sezonit të ri turistik do ta gjejë qytetin bregdetar të Vlorës me një bulevard të ri.

Bulevardi “Ismail Qemali”, do të ketë një pamje moderne, ku do të dominojë gjelbërimi dhe mjediset shlodhëse dhe argëtuese. Ky bulevard do të lidhë monumentet historikë dhe kulturorë të Vlorës, që sot janë të ndarë dhe të palidhur për të krijuar një bërthamë kulturore.

Projekti për rikualifikimin urban të bulevardit “Ismail Qemali” në Vlorë filloi në pranverë të 2018. Ai financohet nga qeveria shqiptare me mbështetjen e Bankës së Këshillit të Europës dhe zbatohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit në kuadër të programit “Punët në Komunitet IV”.

Kryetari i bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, thekson se “në bulevardin “Ismail Qemali” në Vlorë po vijojnë punimet me ritme të larta. Ky investim do të jetë një nga më cilësorët dhe të rëndësishëm të realizuar ndonjëherë në qytetin bregdetar”.

“Deri tani janë realizuar 3/4 e këtij investimi kaq të rëndësishëm të rivitalizimit të gjithë bulevardit, ku firma edhe në ditë ngricash po punon me ritme për t’u vlerësuar. Më tej do të vazhdojmë me pjesën tjetër të investimit që është sheshi nga xhamia tek Shtëpia e Beut, për t’i dhënë në fund fare një pamje tërësisht të re gjithë qytetit”, nënvizoi Leli.

Sipas tij, në hyrje të rrugës “Veledin Kollozi” sapo është duke përfunduar investimi i një “tombino” 800 që do të garantojë çdo problematikë të mëvonshme për të pasur një garanci më tepër për vendosjen e tubacioneve të ujërave të bardha, në mënyrë që të mos ketë më nevojë për ndërhyrje në bulevardin “Ismail Qemali”.

Kryebashkiaku i Vlorës theksoi se “po rehabilitohet e gjithë infrastruktura nën rrugore, ku janë duke u vendosur të gjitha kanalizimet dhe kanalizime rezervë për mundësinë e shtrirjes së fibrave optikë, apo investimeve të tjera në të ardhmen duke pasur linja rezervë në mënyrë që qytetarët dhe bizneset të kenë mundësi që pa dëmtuar infrastrukturën e bulevardit të shtrijnë dhe të kenë akses për investime të reja në të ardhmen”.

“Ajo që vlen për t’u përmendur është profilimi i ndryshëm i bulevardit, nga busti i Avni Rustemit në vazhdim tek sheshi i Flamurit deri tek Xhamia, ku do të ketë një trajektore shëtitoreje ne pjesën përballë poliklinikës dhe do të shkojë në pjesën deri tek xhamia në qendër për të vazhduar aksesimin e logjikës së një bulevardi më tepër në favor të qytetarëve”.

Leli tha se “ka qenë në kërkesën time si kryetar bashkie, të qytetarëve të Vlorës, si dhe të gjithë grupit të punës nga zyra e urbanistikës në bashkinë Vlorë dhe studioja holandeze që ka përgatitur këtë projekt të rëndësishëm, që t’i jepet prioritet qytetarëve, të cilët janë më të shumtë se ata që përdorin makinën”.

Leli nuk lë pa përmendur edhe korsitë e biçikletave që po ndërtohen në bulevard.

“Bulevardi nuk ka pasur hapësirën në favor të qytetarit, por tani përshkon në të dy krahët e tij një korsi të dedikuar për biçikletat që nga fillimi deri në fund, në mënyrë që me nyjen e re që do të krijohet në Skelë dhe në sheshin e Flamurit për vazhdimin deri në rrugën “Demokracia”, të lidhë gjithë rrjetin e investimeve në rrugët pedonale dhe atyre të biçikletave për të gjithë territorin e bashkisë”, sqaroi Leli.

Ai tha se korsitë e biçikletave janë gati në rrugën “Veledin Kollozi”, tek Plazhi i Vjetër, në Lungomare e dhe në rrugën “Demokracia”.

Firma, vijoi ai, po bën maksimumin, dua t’i falënderoj për seriozitetin e treguar, pasi punojnë deri në orët e vona të mbrëmjes për zgjidhjen e problematikave, por njëkohësisht dua të jem pafund falënderues për qytetarët e Vlorës, të cilët kanë qenë mirëkuptues dhe mbështetës të këtij projekti kaq të rëndësishëm.

“Nuk është komode për prindërit të çojnë fëmijët në kopshte, në shkolla, për të shkuar në punët e tyre me trafikun, me problematikat që janë duke u krijuar. Por, jam i bindur që ajo që po ndodh është në të mirë të qytetit dhe qytetarëve dhe do t’i ndryshojë faqen bulevardit”, u shpreh Leli.

Pas ndërtimit të shëtitores përgjatë bregdetit “Lungomare”, e cila i dha strukturë moderne qytetit, projekti për rikonstruksionin e bulevardit “Ismail Qemali” e transformon atë në shtyllën kurrizore të identitetit të Vlorës.

Bulevardi “Ismail Qemali” shtrihet nga Vlora në Skelë. Historia e këtij bulevardi zë fill që në shekullin e XIX me një rrugë që lidhte qendrën e qytetin me bregdetin. Aty kalonte edhe një dekovil, që transportonte kripë nga kriporet e Vlorës deri në Port, por edhe udhëtarë, madje deri te tuneli në Ujin e Ftohtë në fillimet e shekullit të XX.

Pas çlirimit të Shqipërisë bulevardi Vlorë-Skelë u formatua me pasion nga i paepuri Kristo Papajani “Qytetar Nderi i Vlorës”, i cili e mbushi atë me portokalle, palma, lule të llojeve të ndryshme dhe statuja. U krijua edhe parku “Rinia” mbushur me palma, shatërvanë, statuja dhe pyll eukalipti.

Në vitin 1987 bulevardi Vlorë-Skelë u zgjerua përsëri nën drejtimin e Vasillaq Ndinit, ku u mbollën palma të tjera./atsh

Vlora me bulevard të ri në fillim të sezonit turistik ! Read More »

Parku i Viroit peizazh mahnitës nën magjinë e dëborës

Flokët e dëborës i kanë dhuruar një pamje mahnitëse parkut të Viroit, 3 km larg Gjirokastrës.

I cilësuar si një nga zonat më të bukura të qytetit të gurtë, ky Monument Natyre, i mbuluar nga petku i dëborës të magjeps me pamjen e tij.

Pjesë e guidave turistike të këtij qyteti ky Monument Natyre frekuentohet gjithnjë e më shumë nga turistë vendas e të huaj.

Moti i ftohtë me temperatura që zbresin nën zero gradë në pjesën më të madhe të vendit, ka risjellë këtë fillimvit reshjet e borës në zonën veriore, juglindore dhe jugore të vendit.

Në këto fotografi shfaqen peizazhet mbresëlënëse të këtij parku, që gjatë sezonit turistik të verës mbledh qytetarë të shumtë gjirokastritë për të kaluar disa orë larg monotonisë së përditshme.

Ndryshimet e kryera në parkun e ndodhur në veriperëndim të qytetit të gurtë, kodrat rreth tij dhe pamja piktoreske me liqenin dhe burimin e Mëmës së Viroit e bëjnë mjaft joshës edhe gjatë stinës së dimrit këtë Monument Natyre, status të cilin e ka përfituar në vitin 1982 dhe vazhdon ta mbajë me krenari./atsh

Parku i Viroit peizazh mahnitës nën magjinë e dëborës Read More »

Nxjerrja në dritë e vlerave historike e kulturore të Gjirokastrës, Beratit, Vlorës, Dhërmiut e Vunoit

Instituti i Monumenteve të Kulturës së bashku me Fondin Shqiptar të Zhvillimit kanë në fokusin e tyre dhe përgjatë vitit 2019, rikthimin e kulturës dhe trashëgimisë kulturore në destinacione turistike si motor të zhvillimit ekonomik.

Vendeve të Shqipërisë të cilët kanë një pasuri të madhe kulturore dhe historike si Gjirokastra, Berati, Vlora, Vunoi dhe Dhërmiu po i rikthehet shkëlqimi i dikurshëm që buron nga kultura dhe identiteti kombëtar.

Kryeministri Edi Rama ka publikuar pamje nga puna për rikthimin e shkëlqimit dhe nxjerrjen në dritë të vlerave historike e kulturore të këtyre zonave.

“MIRËMËNGJES, dhe me këto pamje nga puna vijuese për rikthimin e shkëlqimit dhe nxjerrjen në dritë të vlerave historike e kulturore të Gjirokastrës, Beratit, Vlorës, Dhërmiut e Vunoit, ju uroj një javë të mbarë”, shkruan Rama.

Janë 15 milionë Euro që do të investohen në të gjithë qarkun e Gjirokastrës. Në qytet do të investohet për rekuperimin e rrjetit inxhinierik në qendrën historike, për përforcimin e qëndrueshmërisë tektonike dhe restaurimin e godinave muzeale.

Në Gjirokastër investimet fokusohen në restaurimin e kalldrëmeve, ndriçimin e Qafës së Pazarit dhe rehabilitimin e hapësirave urbane, përmirësimin i aksesit në kala, rivitalizim i rrugëve ndërlidhëse për të lehtësuar mobilitetin e qytetarëve dhe turistëve dhe sistemin e ri të muzeve sipas një koncepti të ri dhe bashkëkohor.

Rikonstruksioni i rrugës ”Mihal Komneno” dhe “Tabes” 1.2 km në Berat e njohur ndryshe si rruga këmbësore për në Kalanë e Beratit ka përfunduar. Ky ishte një investim shumë i rëndësishëm për qendrën historike të Beratit në përmirësim të nivelit të shërbimit ndaj turizmit kulturor.

Pritet që në 2019 të fillojë puna edhe për rrugën “Muzak Topia”, e njohur si rruga automobilistike për në kalanë e Beratit.

Ndërhyrjet janë pjesë e një pakete investimesh prej rreth 13.5 milionë euro, në kuadër të Projektit për Zhvillimin e Integruar dhe Turizmin, financuar nga qeveria shqiptare dhe Banka Botërore. Projekt ky, i cili zbatohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit.

Qendra historike e Vlorës ndërthur diversitetin dhe bashkëjetesën e kulturave, feve dhe është pjesë e së përditshmes dhe e historisë. Po vijon puna për rikualifikimin e zonës urbane pranë qendrës së qytetit të Vlorës.

Projekti synon shndërrimin e kësaj zone në një pikë aktraktive për turistët, si dhe një mundësi më shumë zhvillimi për bizneset vendase.

Ky projekt zbaton restaurimin në zemër të Vlorës, aty ku qyteti ende ruan identitetin, gjurmë të ndërtimeve të fundit të shekullit të 19‐të dhe fillimit të shekullit të 20‐të. Punimet po realizojnë restaurimin e rrugës “Justin Godar”, ish-pazari, “Lagja e Hebrenjve”, klubi “Labëria” dhe ish-Sinagoga, xhamia e Tabakëve, më e madhja e qytetit.

“Rikualifikimi urban dhe restaurimi i objekteve në Qendrën Historike dhe Zonën e Mbrojtur në fshatrat Dhërmi dhe Vuno”, është një tjetër projekt i cili po zbatohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit në bashkëpunim me Institutin e monumenteve të Kulturës.

Ky projekt i veçantë në llojin e vet për restaurimin e fshatrave turistikë, nëpërmjet financimit edhe të Bankës së Këshillit të Europës (CEB), ka për qëllim të rikthejë vlerat historike dhe kulturore të Dhërmiut dhe Vunoit dhe kthimin e tyre në produkt turistik të zonës, krahas plazheve të mrekullueshme.

Fshati i Dhërmiut ndodhët 52 km në Jug të Vlorës, 72 km në veri të Sarandës dhe rreth 210 km nga kryeqyteti i Tiranës. Nga ana administrative Dhërmiu bën pjesë në bashkinë e Himarës, rrethi i Vlorës.

Fshati i Vunoit, i vendosur në një nga pjerrësitë e vargmalit të Çikës, në një truall të ashpër shkëmbor me shtrirje në formë harku, të mahnit me arkitekturën dhe pamjen piktoreske që ofron.

Ky fshat me bukuri të rrallë, nga pikëpamja urbanistike karakterizohet për kompaktësinë e ndërtimeve, harmonizimin e përsosur me truallin dhe vendosjen e shkallëzuar të banesave, të cilat shfaqen qartë, pa mbuluar njëra-tjetrën, duke krijuar një ansambël piktoresk./atsh

Nxjerrja në dritë e vlerave historike e kulturore të Gjirokastrës, Beratit, Vlorës, Dhërmiut e Vunoit Read More »

Parku Kombëtar i Llogorasë destinacioni i turizmit të bardhë

Parku Kombëtar i Llogorasë, rreth 40 km në juglindje të Vlorës, që u mbulua nga flokët e dëborës në ditët e para të janarit u frekuentua nga një numër i madh vizitorësh.

Ishte dëbora e parë, që ra gjatë kësaj stine dimri në këtë zonë. Një pjesë e madhe e vizitorëve ishin nga qyteti i Vlorës, por edhe nga qytete të tjera të vendit, të cilët kanë shkuar për të prekur e shijuar dëborën, të përjetojnë bardhësinë e saj.

Ata kanë zgjedhur të kalojnë orë, apo ditë të këndshme në këtë park, të njohur për freskinë e tij gjatë ditëve të nxehta të verës dhe për magjinë e dëborës në dimër. Shëtitjet e gjata në mjedisin pyjor të zbardhur nga dëbora, janë një nga argëtimet më të bukura për të rriturit, por edhe për fëmijët.

Pavarësisht temperaturave të ulëta dhe reshjeve të dendura të dëborës, kalimi i automjeteve në këtë park u bë pa asnjë problem, falë punës së palodhur ditë-natë gjatë gjithë këtyre ditëve nga kontraktorët e rrugës, si dhe nga institucioni i Prefektit të Vlorës.

Klara nga Vlora, e cila ka vizituar këtë park bashkë me familjen e saj, shprehet se “kaluam disa orë të këndshme me fëmijët, të cilët u kënaqën shumë duke luajtur me dëborë”.

Sipas saj, rruga ishte e hapur dhe nuk patëm probleme për të mbërritur në Llogora.

Ndërsa Iliri, 48 vjeç nga Tirana thotë se vjen shpesh në Llogora gjatë verës.

“Por, të dielën zgjodha të vij me familjen bashkëshorten dhe dy fëmijët të shikojmë bardhësinë e dëborës në Llogora, si dhe të drekojmë në një nga lokalet e këtij parku, që shquhet për gatimet tradicionale të zonës veçanërisht për mishin e pjekur të qengjit, apo të kecit”, shprehet ai.

Vajza e tij, Dea, 17 vjeç thotë se “nuk e kisha parë ndonjëherë Llogoranë me dëborë. Kalojmë gjatë verës, kur shkojmë në bregdet për pushime, por me bardhësinë e dëborës qenka një magji e vërtetë”.

Qafa e Llogorasë ka rëndësi të madhe si një destinacion turistik dhe shërben si një urë tranziti për të dy llojet e turizmit, atë bregdetar dhe atë malor.

Ajo ka potencial të madh për zhvillimin e eko-turizmit, sportet e ajrit, ekskursionet dhe udhëtimet. Ky është një vend klimatik, sepse këtu përzihen të dyja klimat, malore dhe detare e freskët. Për tifozët sportivë ky park ofron mundësi akomodimi në hotele luksi.

Mjedisi pyjor në Llogora, shtrihet në një sipërfaqe prej 1500 hektarësh, por vetëm 1080 prej tye janë përfshirë në territorin e Parkut Kombëtar, që mbrohet me ligj të veçantë. Mes pemëve, dominojnë pisha e zezë dhe bredhi./atsh

Parku Kombëtar i Llogorasë destinacioni i turizmit të bardhë Read More »

12 atraksionet më të bukura të Shqipërisë, në kalendarin e Ambasadës së Zvicrës

Ambasada zvicerane në Shqipëri, ka përzgjedhur 12 vendet, atraksionet më të bukura dhe më të spikatura në Shqipëri, për t’i pasqyruar ato në kalendarin e Vitit të Ri 2019.

“Kalendari ynë për 2019 përmban foto nga e gjithë Shqipëria”, shkruan Ambasada e Zvicrës në Tiranë duke uruar edhe “Gëzuar Vitin e Ri!”.

Fotografitë me pamjet e spikatura nga laguna e Divjakës, ishulli i Sazanit, kanionet e Osumit e vargmalet e mbuluara me borë, etj, janë pjesë të kolazhit artistik që përmes ngjyrash të relievit gjeografik që pasqyrojnë, reflektojnë jo vetëm bukuritë turistike të Shqipërisë, por edhe 4 stinët e vitit. /atsh

12 atraksionet më të bukura të Shqipërisë, në kalendarin e Ambasadës së Zvicrës Read More »

Vlora me broshurë turistike

Vlora është një nga qendrat më të rëndësishme turistike të vendit tonë me një numër të madh atraksionesh kulturore dhe natyrore.

Për të ofruar një guidë të mirëfilltë të qytetit dhe atraksioneve të tij, DRKK Vlorë e nis këtë vit me një broshurë e cila i shërben këtij qëllimi. Në këtë guidë turistët vendas dhe të huaj do të gjejnë pikat më të rëndësishme turistike të cilat duhet të vizitohen nga të gjithë.

Vlora i ka të gjitha dhe duhet vizituar dy detet që lagin brigjet e Vlorës Adriatiku dhe Joni, duke krijuar dhe dy laguna të mëdha si ajo e Nartës dhe Orikumit, janë atraksioni kryesor për turizëm.

Gjithashtu plazhet e shumtë të Zvërnecit, me gjire të bukur e rërë të pastër dhe vazhdojnë me plazhin qëndror të Lungomares, Uji i Ftohtë, Radhimë, Orikum, Palas, Dhërmi,Himarë e pa fund plazhe që frekuentohen gjatë sezonit veror nga pushues të shumtë.

Ajo mbetet kështu qendra e gravitetit për turizmin shqiptar duke i shtuar dhe parqet e shumtë natyrorë si ai i Llogarasë, i Luginës së Vjosës dhe së fundmi Nivicën me kanionet e famshëm për turizmin e aventurës.

Tetë kështjella të ndërtuara në rajonin e Vlorës dhe që përfaqësojnë periudha të ndryshme historike, vlerësohen si objekte të rëndësishme në funksion të zhvillimit të turizmit kulturor në këtë rajon bregdetar.

Mirëadministrimi i këtyre pasurive natyrore që qyteti bregdetar ofron krijon të ardhura të konsiderueshme, por njëkohësisht ndikon në ndërtimin e një imazhi të qëndrueshëm tek turistët e huaj. /atsh

Vlora me broshurë turistike Read More »

Tërbaçi, fshati me histori të ndritur, jo vetëm lufte, por edhe pune

Nga Bexhet Rrapo
Fshati i Tërbaçit në krahinën e Mesaplikut ka një shtrirje gjeografike territoriale të gjerë. Ai përfshihet midis vargmalit të Vetëtimës me majën më të lartë Çikën, me kuotë 2045 m, përfundon pranë lumit Shushicë me lagjen e tij Hora, e cila bashkë me Bramyshnjën kanë dhe tokat më pjellore. Pozicioni gjeografik i tij e bën atë me më shumë diell nga të gjithë fshatrat e Mesaplikut.
Nisur nga karakteristikat e relievit, terrenit tokësor ku është vendosur, banorët e Tërbaçit janë marrë kryesisht me blegtori, nëpërmjet së cilës kanë siguruar dhe drithërat e bukës, pasi toka është e pakët e jo shumë pjellore. Në Tërbaç pothuajse të gjithë mbanin bagëti të imta. Kështu, po të bëjmë një llogari me një numër mesatar për familje, rreth 80 krerë, rezulton së në Tërbaç duhet të mbarështoheshin 21000 deri 22000 krerë, gjë që është e pamundur. Për këto arsye etj., ka qenë i domosdoshëm emigrimi ose shtegëtimi. Familjet që kanë migruar për kullota janë kryesisht ato që mbanin 400-500 krerë dhe sidomos dele, pasi kullotat e Tërbaçit janë më të përshtatshme për dhinë. Nga të dhënat që disponohen rezulton se në periudha të ndryshme janë vendosur me banim të përkohshëm për shfrytëzim kullotash, si vijon. Në Kotë Hasko Haskaj, Zykaj, Bufaj e Çelaj. Në Kropisht, Rrapojt në marrëdhënie qinosie me Aredin Danushin. Familjet më të shumta kanë qenë vendosur në Shashicë, Drashovicë, Peshkëpi dhe Llakatund.
Vetëm në Shashicë qëndronin rreth 15 familje tërbaçjote dhe konkretisht: Sejdi, Xhebro, Sihat, Begë dhe Muhamet Gjika, Hasan Sulo, Rustem Çelaj, Dushan Aliko, Daut e Sulo Sinani, Nuro Bylyshi, Mustafa e Zenel Gjodeda, Xhelo Meta, Sulejman Skëndaj, Sulo Mali, Dulo Rroko etj. Vetëm këta mbarshtonin rreth 8000 krerë dele. Më vonë një pjesë nga këto familje do të shkëputeshin nga Tërbaçi duke filluar nga vitet 1930-1950.
Shpërnguljet e këtyre familjeve që banonin në Tërbaç do të lehtësonte ato familje që qëndruan për rritjet dhe zhvillimin e blegtorisë, pasi mbetën kullota dhe toka të lira.
Në sajë të punës dhe sakrificave të tërbaçjotëve mendohet se blegtoria në vitet 1940 të kapë shifrën mbi 20000 krerë përfshirë dhe të atyre të vendosura në fshatrat e tjerë. Ardhja e luftës nga pushtuesit italianë dhe gjermanë pati shumë dëmtime, rreth 12000 krerë. Në familjet që kanë mbajtur më shumë blegtori para 1940 e në vazhdim do të veçojme: Karafil Muço (Skëndaj) rreth 600 krerë, i cili shtegëtonte dhe në Karaburun. Ali Muço që gjithashtu ka mbajtur 600-700 krerë. Më vonë do të kemi Resul Veli Çela, Zenel Murati e Riza Tahiri, nga 500 krerë, ky i fundit, Rizai, është dhe vazhdues i traditës se të atit, Sulejmanit. Ibrahim Aliu është një nga ata që ka zhvilluar blegtorinë, por edhe me kapitalin e siguruar bleu kullota në Ujë të Ftohtë të Vlorës. Sot atje ka ndërtuar hotele dhe pallate nipi i tij, Maks Gega. Gjithashtu këtu kanë ndërtuar shtëpi dhe shumë tërbaçjotë.
Pas Luftës Nacionalçlirimtare, si për gjithë shqiptarët edhe për Tërbaçin filloi një fazë e re. Kështu siç ishte premtuar në fillim të luftës nga Partia Komuniste që mori pushtetin në 1946, u bë reforma agrare. Siç do gjë tjetër, edhe reforma agrare në Tërbaç nuk pati konflikte. Zbatimi i reformës agrare për tokën, shtetëzimi i kullotave, ndihma që dha shteti me specialistë, hapja e baxhove, por falë dhe eksperiencës e përkushtimit tërbaçjot si blegtorë të mirë, numri i krerëve të imta u rrit përsëri. Kështu në vitet 1946-1949 nga 11000 krerë arriti në 18000 krerë. Mbas zbatimit të reformës sektori shtetëror do të ndryshonte. Kështu ato ishin: kullota 1.117 ha, pyje 90 ha, tokë e pashfrytëzuar 24 ha. Bërja e kësaj reforme mobilizoi më shumë fshatarët për zhvillimin e blegtorisë e punimin e tokës tashmë private gjë që çonte në rritjen e të ardhurave familjare.
Krenari tërbaçe
Për t’u mbrojtur si nga hajdutët dhe nga egërsirat, blegtorët tërbaçjot e kanë zgjidhur më mirë se çdo fshat tjetër i Laberisë. Ata kanë mbajtur një rracë qeni shumë të fortë që ndeshesh dhe me ujkun. Është plotësisht e motivuar thënia “E ke kokën si qen Tërbaçi”. Kjo thënie është përhapur jo vetëm në Labëri, por dhe me gjerë. Nga kjo del se ata (qentë) e kanë patur kokën e madhe që ngjason me qenin “Mollosë” fise Ilir shumë i hershëm. Për madhështinë e tij ky qen është folur se mbahej në oborret e Pirros së Epirit dhe Aleksandrit të Madh të Maqedonisë, kurse si skulpturë në muzetë e Londrës. Ndoshta tërbeçet e kanë ruajtur më shumë se kushdo këtë racë qeni. Blegtorët tërbaçjotë i kanë mësuar qentë që të ruajnë blegtorinë jo vetëm në stane, por edhe në kullota në male. Për të arritur këtë ata pozicionoheshin në vende dominuese në maja apo hipnin në ndonjë shkëmb që shikimi të ishte i lirë për blegtorinë.
Legjenda e Qyranës
Dashuria, vullneti e përkushtimi i tërbaçjotëve për zhvillimin e blegtorisë është shumë i hërshëm. Ata në përshtatje me terrenin kanë zhvilluar më shumë dhinë por dhe delen. Stanet e këtyre blegtorëve kanë qenë të vendosura në male larg qendrës së banimit. Shpesh herë u është dashur të ndeshen me egërsira si arinj, ujq e çakej, sidomos këta dy të fundit shumë dëmtuese për blegtorinë. Por krahas këtyre u është dashur të luftojnë dhe me piratë grabitqarë, të cilët nuk merrnin një apo dy, por edhe gjithë kopenë. Për këtë flet shumë qartë edhe një legjendë ajo e “Qyranës” që njihet vetëm në Tërbaç dhe që e zbërthen shumë mirë studjiuesi i apasionuar për Tërbaçin dr. Selim Beqiri. Ja shkurtimisht si na e sjell ai legjendën e cila ka disa emra e toponime reale: Çobani, i biri i Hilë Gjikës, ishte me bagëtitë e veta në Malet e Çikës. Hajdutët e kapën dhe e lidhën. Ai u lutet që t’i binte culës, ata me tallje e lejuan. Çobani filloi t’i binte culës, tingujt e të cilës vetëm Qyrana i deshifronte. Dhe ja çfarë i thotë ai: “Qyranë, moj qyranë!/ Ngrehu e zgjuaj babanë, /se dhentë i muarr’ dhe vanë,/ mua lidhur më kanë/ dashë larashin në hell’ e kanë…”. Qyrana ngriti vjehrrin nga gjumi, i cili njoftoi bashkëfshatarët dhe u nisën për në mal. Në grykë të Arabës, Qyrana nga nxitimi rrëshqiti në zallishte dhe humbi në një hon. Ky vend dhe sot quhet “Zalli i Qyranës”. Hajdutët, kur panë njerezit me pisha në duar me flakë, u larguan në panik. Kjo ngjarje duhet të ketë ndodhur aty nga vitet 1600, pasi dhe Hilë Gjika kësaj periudhe i përket.
Ujë nga shkëmbi, puset e famshëm të Tërbaçit
Duke zhvilluar blegtorinë tërbeçët nuk kanë lënë mënjanë dhe bujqësinë, pasi njeriu nuk mbahet vetëm me mish, djath e qumësht, ka nevojë dhe për drithëra. Megjithëse dispononin pak tokë dhe ajo e varfër ata kanë punuar për ti marrë sa më shumë asaj toke. Kjo është realizuar duke shfrytëzuar vendburimet e ujit të pijshëm. Poshtë çdo burimi u ndërtuan puse për të mbajtur ujin e tyre, por edhe të rrjedhjeve nga shirat. Nëpërmjet këtyre puseve është siguruar vaditja e bahçeve dhe kopshteve. Puse të tilla kanë qenë, pusi i Kiçe në Vozdol, ai i Salate në Vreshqira, vende me shumë burime. Në këto dy zona janë kultivuar më herët perimet, zarzavatet dhe vreshtaria falë dhe një mikroklime mjaft favorizuese. Duke parë rritjen e rendimentit nëpërmjet këtyre puseve do të shtoheshin të tjerë për t’i përdorur dhe për drithëra. Të tillë do të ishin: Pusi i Hodajve, i Bojkojve, i Gjondedajve, i Shiroke, i Male, i Berdojve, i Hoxhajve, i Liçue, i Tahire etj. Më vonë rreth vitit 1830 në Tërbaç do të shfrytëzohet edhe uji i lumit Shushicë për vaditje. Nëpërmjet një tuneli e kanali 4 km do të merrej ujë për vaditjen e 12 hektarë tokë në zonën e Horës, gjë që rriste ndjeshëm prodhimin për shumë familje. Këto ishin disa masa të marra nga vetë banorët për rritjen e prodhimit që në njëfarë mënyre kanë patur ndikim, por jo në zgjidhjen e nevojave plotësisht. Banorët e Tërbaçit në këto vite drithërat e bukës i kanë plotësuar me blerje në tregjet Vlorë, Fier, Delvinë nga të ardhurat e blegtorisë.
Artistë duarartë
Jetesa në Tërbaç krahas blegtorisë dhe bujqësisë është siguruar dhe me aktivitete të tjera profesionale, kryesisht murator, marangoz dhe sidomos në punimin e imët të gurit. Kështu është punuar në zbukurimin e ambjenteve shtëpiake dhe portat e tyre. Kjo duke shfrytëzuar ekzistencën e një guri të bardhë, i punueshëm i ndodhur në vendin e quajtur Gjinakriq. Në këtë drejtim më herët janë dalluar, Muharrem e Tartar Baço, Hito Çane, Ibrahim Hoxha, Beqir Mehmeti, Mete Liço, Cane Laze, Mehmet Cacaj, Adem Salataj, Aredin Gjini etj. Më vonë këto profesione do të vazhdojnë dhe nga disa trashgimtarë të tyre si: Sinan Hoxha në vazhdim të babait të tij, arriti të punonte gurin në nivel më të lartë, duke formuar figura të ndryshme me gur të skalitur. Ai ishte një skulptor i vërtetë.
Maliq Rrapo edhe ky si vazhdues i veprës së babait, Hysos, i cili për 25 vjet ishte drejtues i sektorit të mirëmbajtjes së rrugës Kotë-Kuç. Ai ndërtoi mbi 30 ura të mëdhaja e të vogla me beton dhe me qemer guri (me harqe). Maliqi duke punuar dhe ky në mirëmbajtje rrugë si teknik arriti të merret dhe me bërjen e mozaikëve me gurë të vegjël me ngjyra. Ai me këtë metodë arriti të ndërtojë disa mozaikë historikë, si ai i Rrugës Luftarake të Brigadës V Sulmuese në Bramyshnje të Tërbaçit, ai në qafën e Llogorasë, në Qafën e Ullijve në hyrjen e Vlorës (Bestrovë) etj. Ai ka zbukuruar edhe shumë porta shtëpish e vilash si në Tërbaç, Borsh, Qeparo, Himarë etj.
Adif Cani, edhe ky bir i një gurskalitësi ka vazhduar veprën e babait, ai është një ndërtues shumë i mirë si dhe punues i gurit në çdo formë. Ai me mjeshtëri ka ndërtuar Varoshin e birit të lavdishëm të Tërbaçit, Hysni Kapos. Dora dhe mjeshtëria e Adifit është në disa vepra në Tërbaç, si porta e Muzeut, Pallati i Kulturës, Lapidari i Dëshmorëve etj. Këtu ai do të ketë edhe mbështetjen e një gurskalitësi tjetër Arif Kiça, Adifi nuk do të punonte vetëm në Tërbaç, ai ka punuar dhe në fshatra të tjerë si në portën e Kasnecëve, Kishën e Himarës dhe në Konispol duke zbukuruar vepra muzeale.
Njerëz të përkushtuar
Një burim tjetër të ardhurash mbas vitit 1945 me fitoren e Pushtetit Popullor kanë qenë dhe punësimet në sektorët e ndërmarrjeve shtetërore. Duke përfituar dhe nga zanati i tyre disa u punësuan në ndërmarrjen e mirëmbajtjes rruga, si Lulo Aredini, Hito Çane, Beqir Mehmeti, Brahim Hoxha, Tartar Muho, Nazif Abili etj. duart e arta të këtyre specialistëve e kanë mbajtur këtë rrugë shumë më mirë se sot.
Sektor tjetër nëpërmjet të cilës kanë siguruar të ardhurat ka qenë ai i tregtisë. Më i parë në këtë aktivitet ka qenë Nuro Hoxha; më vonë do të punojë Barjam Muço Skëndaj mbas kthimit nga emigrimi në Francë në vitet 1935-1936; Hyso Rrapo mbasi punoi disa vjet në shoqërinë italiane të ndërtimit të rrugës Kotë- Bramyshnjë. Me të ardhurat e realizuara ai hapi një dyqan në vitin 1938 në Qafë të Elimit, Hore. Rreth viteve 1955 do të hapet dyqan në shtëpinë e Rustem Xhakës. Me krijimin e Sektorit Shtetëror mbas viteve 1945 në ndërmarrjet tregtare Brataj do të punonin dhe disa tërbaçjot: Hamdi Kapo do të ishte drejtor i kësaj ndërmarrjeje për shumë kohë, i cili do të influeconte dhe në punësimin e shumë tërbaçjotëve si: Bendo Hoxha, Selman Çela, Bejo Gjodeda, Sherif Gjoka, Sinan Rrapo, Sadihan Shiroku, Milika Skendaj etj. Në këtë periudhë lokalitetin apo Komunën Brataj, për shumë kohë e kanë drejtuar kuadro tërbaçjot, Muço Delo e Baxhul Gjondeda, kurse në Postë-telegraf Feta Barjami. Sektori i Shëndetësisë ka qenë një tjetër burim të ardhurash për tërbaçjotet, këtu kanë punuar Kadri Hoxha, Selime Hoxha, Asqeri Liço dhe më vonë deri në ditët e sotme ndihmësmjeku Pajtim Skëndaj.
Punësimi në këta sektor me paga më të larta se të ardhurat nga puna vetjake do të ndikonin në përmirësimin e jetës dhe të mirëqenies familjare. Por me gjithë keto mundësi të krijuara, punën e madhe dhe sakrificat e banorëve për një jetë më të mirë sipas kërkesave të kohës në rritje, kishte varfëri ekonomike e kulturore, të cilën nuk e zgjidhi as kolektivizimi i ekonomisë nëpërmjet krijimit të kooperativës bujqësore në vitin 1956.
Sot një pjesë e tërbaçiotëve, si në të gjitha zonat e tjera të Shqipërisë, është larguar nga fshati drejt qyteteve të mëdha, Vlorë, Tiranë, Durrës etj., por malli për fshatin i mbledh ata çdo vit dhe vinë aty për të pushuar dhe festuar.
*Kryetar i Shoqatës Atdhetare-Kulturore “Tërbaçi”

Bilanc historik
Kontributet e tërbaçjotëve për liri e pavarësi në të gjitha kohërat janë të shumta. Mbi 35 – 40 veta nga ky fshat kanë dhënë jetën në luftërat e vitieve 1732 – 1760 kundër regjimit turk, mes tyre dy gra, Miro Tërbaçe dhe Gego Skëndja; 40 luftëtarë kanë marrë pjesë në luftën për mbrojtjen e Janinës me thirrjen e Ismail Qemali të parë; 116 1uftëtarë, prijësa e komandantë çetash tërbaçiotë janë vrarë në përiudhën 1900-1912; 226 veta kanë marrë pjesë në Luftën e Vlorës 1920; 31 veta në periudhat 1924-1939. Në radhët partizane në luftën Nacionalçlirimtare, përfshirë dhe çetën e fshatit, u radhitën 290 veta. Tërbaçi ka 52 viktima të Luftës; 6 dëshmorë të periudhës 1914-1924; 1 dëshmor i Atdheut mbas 1945, piloti i talentuar Bego Hoxha; 4 Heronj Populli dhe 3 Heronj të Punës Socialiste.

Tërbaçi, fshati me histori të ndritur, jo vetëm lufte, por edhe pune Read More »

Finlandezët “braktisin” Spanjën për Shqipërinë, ja qyteti ku po jetojnë

Një komunitet finlandez prej disa dhjetëra personash është vendosur vitet e fundit në Sarandë, përmes blerjes së apartamenteve apo vilave në qytetin bregdetar. Liliana Verdha, Konsulle e Përgjithshme Nderi e Shqipërisë në Finlandë, thotë se një pjesë e tyre kanë ikur nga Spanja për të ardhur dhe për të jetuar në Shqipëri. Spanja është e tejmbushur me finlandezë, ka fshatra të tërë me pensionistë, por tashmë një pjesë e tyre po zhvendosen në Shqipëri, për shkak të mjedisit dhe detit, por edhe se kushtet ekonomike janë më të favorshme për finlandezët. Nuk janë vetëm pensionistë, ka dhe shkrimtarë në profesion të lirë, që janë vendosur në Sarandë dhe kanë bërë edhe libra, duke e përmendur Shqipërinë. Liliana thotë se disa prej tyre i ka takuar dhe i ka falënderuar personalisht për promovimin që i bëjnë vendit tonë, pasi “është ndryshe kur flasim ne për Shqipërinë, ndryshe kur flet vetë një finlandez, pasi është një promovim origjinal”.
Liliana Verdha, Konsulle e Përgjithshme Nderi e Shqipërisë

Znj. Verdha është e bindur se nëse ka një fushë ku Shqipëria dhe Finlanda kanë potenciale, ai është turizmi. Këtë vit është vendosur lidhje direkte mes dy vendeve, përmes agjencisë turistike Apollo. Ka pasur dy udhëtime në maj-qershor dhe dy në gusht-shtator. Këto ishin më shumë si udhëtime prove, por ecuria pritet të jetë pozitive në të ardhmen.
Lili, e cila prej gati 30 vitesh jeton në Finlandë dhe që prej 15 vitesh është edhe Konsulle Nderi, veç promovimit të vazhdueshëm të Shqipërisë, për disa vite ka financuar vetë Pavijonin shqiptar në Panairet turistike të Finlandës. Ajo thekson se marrëdhëniet e biznesit mes të dy vendeve, Shqipërisë dhe Finlandës, nuk kanë qenë në nivele shumë të larta. Interes sipërmarrjet finlandeze kanë pasur për të investuar në hidrocentrale, por nuk ka pasur konkretizime. Fortum, një konglomerat i energjisë elektrike, ka qenë në bisedime për të ndërtuar një hidrocentral, por nuk ka pasur finalizim me Ministrinë e Energjisë dhe Industrisë. Dilema tjetër është dhe ndikimi që hidrocentralet mund të kenë në dëmtimin e mjedisit.

Me potencial znj. Verdha shikon eksportin drejt Finlandës të produkteve bujqësore, sidomos të verërave. – “Finlanda merr sot prodhime bujqësore nga
Afrika e Jugut, nga një distancë shumë më e madhe. Pse të mos i marrë dhe nga Shqipëria?!”. Po ashtu, midis Shqipërisë dhe Finlandës nuk shkëmbehen studentë, sepse nuk ka një marrëveshje për shkëmbime në fushën e arsimit dhe kulturës. Kjo, sipas saj, varet dhe nga marrëveshjet shtetërore që lidhen. Deri tani, asnjëra nga palët nuk e ka nënshkruar një marrëveshje të tillë. – “Pse të mos vijnë studentë shqiptarë në Finlandë?!”, – thotë ajo, duke shprehur keqardhjen që nuk ka një marrëveshje mes dy vendeve, e cila do t’u mundësonte studentëve shqiptarë të studiojnë në mënyrë të rregullt, jo siç bëjnë sot kur përpiqen me të gjitha mënyrat, por shpesh nuk është e mundur dhe detyrohen të kthehen mbrapsht. Finlanda, nga ana e saj, është e interesuar të eksportojë sa më shumë produkte të veta, teknologji dhe dije. Në fushën e dijeve, znj. Verdha përmend arsimin, ku Finlanda është e dalluar për metodologjinë e mësimdhënies, duke arritur rezultate të larta dhe në Programin për Vlerësimin e Studentëve Ndërkombëtarë (PISA). Ajo tërheq vëmendjen se përtej përpjekjeve të saj personale, duhet të ketë më shumë organizim nga strukturat shtetërore

Finlandezët “braktisin” Spanjën për Shqipërinë, ja qyteti ku po jetojnë Read More »