Turizem

Saranda, ndër 12 destinacionet europiane për 2019

Para mbërritjes së fluksit të turistëve gjatë verës, qershori është koha më e mirë për të shijuar detin në Shqipërinë jugore në qetësi të plotë.

Saranda, në veçanti, në fund të Rivierës Shqiptare, në sajë të plazheve të bukura dhe natës së saj të gjallë, është bërë vitet e fundit një nga destinacionet më të famshme të vendit.

Kështu shkruan gazetarja italiane Francesca Masotti në një artikull të publikuar në rubrikën “Dove” të gazetës prestigjioze italiane “Corriere della Sera”.

Shumë festivale muzikore në vendet që ndodhen përgjatë bregdetit për t’u shënuar në axhendë, mes tyre festivali Kala (12-19 qershor) në plazhin e Dhërmiut.

Këshillë: merrni me qira një makinë për të eksploruar rrethinat e Sarandës, gjiret e fshehura përgjatë bregut dhe parkun arkeologjik të Butrintit.

Të udhëtosh duke shmangur fluksin e turistëve dhe duke kursyer mbi çmimet e fluturimeve dhe hoteleve, “Corriere della Sera” rekomandon 12 destinacionet “low cost” për të zbuluar gjatë fundjavave në vitin 2019, për çdo muaj të vitit.

Këto 12 destinacione sipas muajve të vitit janë: Janari në Plovdiv, Bullgari, shkurt në Budapest, Hungari, Marsi në Pafos, Qipro, prilli në Stamboll, Turqi, maji në Santorini, Greqi, qershori në Sarandë, Shqipëri, korrik në Luksemburg, gusht në Riga, Letoni, shtatori në Linz, Austri, tetori në Berlin, Gjermani, nëntori në Madrid, Spanjë, dhjetori në Anversa, Belgjikë./atsh

Saranda, ndër 12 destinacionet europiane për 2019 Read More »

Rikualifikimin urban i qendrës historike të Vlorës drejt përfundimit

Projekti për restaurimin e Qendrës Historike e Vlorës e cila ndërthur diversitetin dhe bashkëjetesën e kulturave, feve dhe është pjesë e së përditshmes dhe e historisë është drejt përfundimit.

Ministrja e Kulturës Elva Margariti së bashku me drejtues e inxhinierë të DRKK Vlorë inspektoi punimet në Qendrën Historike, Vlorë, ku është drejt përfundimit projekti
“Restaurim dhe rikualifikim urban i ansamblit ndёrtimor “Qendra Historike Vlore”.

Pas më shumë se një viti pune ky projekt i rëndësishëm ka rivitalizuar ‘zemrën’ e Vlorës përmes restaurimit, konservimit dhe rehabilitimit të vendbanimeve tradicionale dhe zonave të trashëgimisë kulturore.

Ky projekt bëhet i mundur falë bashkëpunimit teknik dhe financiar me Fondacionin Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, The_AADF sipas të njëjtit model me të cilin është punuar për rijetëzimin e Pazarit të Korçës, të Krujës, Gjirokastrës.

Është tashmë i njohur programi i Qeverisë shqiptare që udhëhiqet nga Ministria e Kulturës, për rijetëzimin e qendrave historike dhe kthimin e tyre në pole jo veç tërheqëse për turistët por dhe për t’i dhënë hov zhvillimit ekonomik të zonës. /atsh

Rikualifikimin urban i qendrës historike të Vlorës drejt përfundimit Read More »

Llogoraja me qendër të re për vizitorët

Një investim i jashtëzakonshëm i punës së palodhur të stafit të zonave të mbrojtura në Vlorë, falë zbatimit të projektit të financuar nga Bashkimi Europian, do ta shndërrojnë Parkun Kombëtar të Llogorasë në një atraksion turistik që shfrytëzohet në të 365 ditët e vitit.

“E bëmë jo pa qëllim inaugurimin e kësaj qendre, në dimër, pasi do donim të falënderonim punën e palodhur të ambientalistëve të kësaj zone, që nuk janë vetëm të inkuadruar në zonat zonat e mbrojtura, por janë pjesë edhe të universitetit të Vlorës, për të dhënë një ide të qartë se çfarë është potenciali i Llogorasë edhe në periudhën e dimrit. Ne po punojmë shumë që në kuadër të plotësimit të masave për 365 ditë turizëm në Shqipëri të promovojmë bukuri të tilla si kjo e Llogorasë”, tha ministri Klosi, gjatë inaugurimit të qendrës së re të vizitorëve në Llogora.

I pranishëm ne ceremoninë e inaugurimit të kësaj qendre të re ishte edhe ambasadori i delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri, Luigi Soreca, i cili theksoi rëndësinë e promovimit të turizmit, duke mbrojtur mjedisin dhe promovuar biodiversitetin.

“Mbrojtja e parqeve dhe e këtij parku në veçanti është shumë e rëndësishme dhe këtu dua të falënderoj edhe ata që ruajnë parkun sepse ai duhet mbrojtur nga të gjitha rreziqet e mundshme. Siç e di edhe ministri, viti 2019 është shumë i rëndësishëm për turizëm. Së bashku ne do të lançojmë së shpejti një projekt shumë të rëndësishëm për turizmin, me rreth 40 milion euro, që do të vihet në zbatim nga banka europiane për rindërtim dhe zhvillim dhe synimi i tij është promovimi i turizmit, por i turizmit të qëndrueshëm”, u shpreh ambasadori Soreca.

Ministri foli edhe për rëndësinë e fushatës që ka nisur në bashkëpunim me ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë për të skanuar të gjitha lejet e dhëna për HEC-et, që dëmtojnë zonat e mbrojtura.

“Shpreh bindjen që së bashku me ambasadorin ne do të jemi në një përpjekje të përbashkët nëpërmjet institucioneve shqiptare, por edhe partnerëve tanë ndërkombëtarë që natyra të jetë e para që ne të shikojmë në Shqipëri një turizëm të zhvilluar ku baza të jenë pasuritë natyrore”, u shpreh ministri Klosi.

Parku Kombëtar i Llogorasë ka rëndësi të madhe si një destinacion turistik dhe shërben si një urë tranziti për të dy llojet e turizmit, atë bregdetar dhe atë malor.

Ai ka potencial të madh për zhvillimin e eko-turizmit, sportet e ajrit, ekskursionet dhe udhëtimet. Ky është një vend klimatik, sepse këtu përzihen të dyja klimat, malore dhe detare e freskët. Për tifozët sportivë ky park ofron mundësi akomodimi në hotele luksi.

Mjedisi pyjor në Llogora, shtrihet në një sipërfaqe prej 1500 hektarësh, por vetëm 1080 prej tye janë përfshirë në territorin e Parkut Kombëtar, që mbrohet me ligj të veçantë. Mes pemëve, dominojnë pisha e zezë dhe bredhi./atsh

Llogoraja me qendër të re për vizitorët Read More »

Nxitje e investimeve të Katarit në projektet strategjike në Shqipëri

Qeveria shqiptare po punon për nxitjen e investimeve katariane në projektet strategjike për vendin dhe së shpejti do t’i paraqesë Shtetit të Katarit një plan të ri projektesh në energjetikë, miniera, turizëm, infrastrukturë, transport ajror etj.

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, ka pritur ambasadorin e Shtetit të Katarit në Shqipëri, Ali bin Hamad al Marri.

Në takim, Ruçi ritheksoi “vullnetin e Shqipërisë për fuqizimin e marrëdhënieve midis të dy vendeve. Aktualisht këto marrëdhënie janë shumë të mira, por ato mund të intensifikohen sepse të dy qeveritë kanë shprehur vullnetin për zgjerimin e bashkëpunimit dypalësh. Këtij qëllimi do t’u shërbejnë edhe vizitat e pritshme të udhëheqësve të lartë të të dy vendeve, vizita e afërt Zëvëndëskryeministrit dhe Ministrit të Punëve të Jashtme të Shtetit të Katarit në Tiranë dhe vizita e pritshme e Kryeministrit Edi Rama në Katar, në prill të këtij viti”.

Ambasadori al Marri vuri në dukje se Qeveria e Shtetit të Katarit është mjaft e interesuar për rritjen e bashkëpunimit me Shqipërinë. Ambasada në Tiranë po punon për nxitjen e këtij bashkëpunimi, sidomos për shtimin e investimeve të Katarit në Shqipëri, lehtësimin e lëvizjes së qytëtarëve të të dy vendeve si edhe bashkëpunimin në aspekte të tjera.

Ambasadori al Marri i përcolli Kryetarit të Kuvendit z. Gramoz Ruçi ftesën për të marrë pjesë në në Sesionin e 140-të të Asamblesë Parlamentare të Unionit Ndërparlamentar (AP IPU), që do të zhvillohet në Doha, Katar më 6-10 prill 2019./atsh

Nxitje e investimeve të Katarit në projektet strategjike në Shqipëri Read More »

Shqipëria mes 20 destinacioneve më të bukura për 2019

Shqipëria renditet mes 20 destinacioneve më të bukura për 2019.

Prestigjiozja e përditshme Le Monde ka renditur Shqipërinë mes 20 destinacioneve të preferuara që duhet vizituar gjatë këtij viti.

“MIRËMËNGJES , dhe me këtë faqe të prestigjozes së përditshme Le Monde, e cila mes 20 destinacioneve të preferuara të vitit 2019 e sugjeron Shqipërinë si zgjedhjen e gjashtë, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Kryeministri Edi Rama.

Edhe Gazeta britanike “The Sun” ka botuar një artikull mbi dhjetë destinacionet më të mira në të gjithë botën për turizëm mes të cilave përmend edhe Rivierën Shqiptare.

”Vendasit i kanë ruajtur me dinakëri për vete plazhet dhe gjiret e detit për dekada të tëra. Por tani, Lonely Planet e ka quajtur vendin një destinacion të mirë për 2019. Mund të vini bast se është vetëm çështje kohe para se Shqipëria të bëhet një Kroaci e re”, shkruan “The Sun”./atsh

Shqipëria mes 20 destinacioneve më të bukura për 2019 Read More »

Ksamilin në pikat turistike kryesore për 2019-ën

Gazeta prestigjoze britanike “Express” ka renditur Kasmilin si një nga destinacionet turistike kryesore për t’u vizituar gjatë vitit 2019.

Ksamili në Shqipërinë e Jugut është përshkruar si një “perlë e fshehur kur bëhet fjalë për plazhe të bukura” me ushqim deti të mrekullueshëm dhe njerëz miqësorë.

E vendosur në riverën shqiptare, Ksamili ka “ujëra të qarta, plazhe të izoluara dhe restorante paqësore”, me një liqen si Syri i Kaltër një pikë turistike popullore, ku flluska krijojnë ngjyra që duken si sy.

Ksamili, një qytet në Meksikë, një qytet në Ruandë, një qytet në Kolumbi, një qytet holandez, një shkretëtirë në Jordani, një qytet antik i Rrugës së Mëndafshit në Gjeorgji dhe një qytet i rrethuar nga malet dhe liqenet në Uzbekistan janë ndër destinacionet kryesore të udhëtimit për këtë vit, thekson Express./atsh

Ksamilin në pikat turistike kryesore për 2019-ën Read More »

Viti 2018 kurorëzoi një vit të suksesshëm për sektorin e turizmit në Shqipëri

Viti 2018 kurorëzoi një vit të suksesshëm për sektorin e turizmit në Shqipëri.

Sipas raportit të fundit të INSTAT, përgjatë 11-mujorit të vitit 2018, Shqipërinë e vizituan 5.6 milionë turistë, shifër kjo 16,2% më e lartë se në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Në këtë periudhë, shtetasit nga Kosova zunë vend kryesore, me 36%, ose me rreth 2 milionë persona, të cilët kishin për destinacion kryesor qytetin bregdetar të Durrësit, ndërsa turistët nga Maqedonia shënuan 640 mijë hyrje në vendin tonë, ose 11.3% të totalit.

Referuar të dhënave të INSTAT, në vendin e tretë, renditen grekët, me 498 mijë hyrje, ose 8.8% të totalit. Italianët janë në vend të katërt, me 408 mijë hyrje ose 7.2% të totalit. Duke vijuar me vizitorët malazezë me 330 mijë hyrje, ose gati 6% të totalit.

Në 11-mujorin e 2018-s, ndër vendet me hyrjet më të larta të shtetasve në Shqipëri, Polonia ka pasur rritjen më të madhe, 34,5%. INSTAT shton se 2.7 milionë të huaj kanë ardhur për turizëm në 11-mujorin e vitit 2018, ose rreth 48% e totalit, me rritje 17% në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Përpos fluksit në rritje të turistëve me shtrirje gjeografike nga vende të shumta të botës, ky vit për sektorin e turizmit shënoi rritjes të standardeve të shërbimit, shtim të qendrave të akomodimit bashkëkohore dhe më shumë të ardhura për biznesin dhe ekonominë në përgjithësi/atsh

Viti 2018 kurorëzoi një vit të suksesshëm për sektorin e turizmit në Shqipëri Read More »

Vlora me bulevard të ri në fillim të sezonit turistik !

Fillimi i sezonit të ri turistik do ta gjejë qytetin bregdetar të Vlorës me një bulevard të ri.

Bulevardi “Ismail Qemali”, do të ketë një pamje moderne, ku do të dominojë gjelbërimi dhe mjediset shlodhëse dhe argëtuese. Ky bulevard do të lidhë monumentet historikë dhe kulturorë të Vlorës, që sot janë të ndarë dhe të palidhur për të krijuar një bërthamë kulturore.

Projekti për rikualifikimin urban të bulevardit “Ismail Qemali” në Vlorë filloi në pranverë të 2018. Ai financohet nga qeveria shqiptare me mbështetjen e Bankës së Këshillit të Europës dhe zbatohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit në kuadër të programit “Punët në Komunitet IV”.

Kryetari i bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, thekson se “në bulevardin “Ismail Qemali” në Vlorë po vijojnë punimet me ritme të larta. Ky investim do të jetë një nga më cilësorët dhe të rëndësishëm të realizuar ndonjëherë në qytetin bregdetar”.

“Deri tani janë realizuar 3/4 e këtij investimi kaq të rëndësishëm të rivitalizimit të gjithë bulevardit, ku firma edhe në ditë ngricash po punon me ritme për t’u vlerësuar. Më tej do të vazhdojmë me pjesën tjetër të investimit që është sheshi nga xhamia tek Shtëpia e Beut, për t’i dhënë në fund fare një pamje tërësisht të re gjithë qytetit”, nënvizoi Leli.

Sipas tij, në hyrje të rrugës “Veledin Kollozi” sapo është duke përfunduar investimi i një “tombino” 800 që do të garantojë çdo problematikë të mëvonshme për të pasur një garanci më tepër për vendosjen e tubacioneve të ujërave të bardha, në mënyrë që të mos ketë më nevojë për ndërhyrje në bulevardin “Ismail Qemali”.

Kryebashkiaku i Vlorës theksoi se “po rehabilitohet e gjithë infrastruktura nën rrugore, ku janë duke u vendosur të gjitha kanalizimet dhe kanalizime rezervë për mundësinë e shtrirjes së fibrave optikë, apo investimeve të tjera në të ardhmen duke pasur linja rezervë në mënyrë që qytetarët dhe bizneset të kenë mundësi që pa dëmtuar infrastrukturën e bulevardit të shtrijnë dhe të kenë akses për investime të reja në të ardhmen”.

“Ajo që vlen për t’u përmendur është profilimi i ndryshëm i bulevardit, nga busti i Avni Rustemit në vazhdim tek sheshi i Flamurit deri tek Xhamia, ku do të ketë një trajektore shëtitoreje ne pjesën përballë poliklinikës dhe do të shkojë në pjesën deri tek xhamia në qendër për të vazhduar aksesimin e logjikës së një bulevardi më tepër në favor të qytetarëve”.

Leli tha se “ka qenë në kërkesën time si kryetar bashkie, të qytetarëve të Vlorës, si dhe të gjithë grupit të punës nga zyra e urbanistikës në bashkinë Vlorë dhe studioja holandeze që ka përgatitur këtë projekt të rëndësishëm, që t’i jepet prioritet qytetarëve, të cilët janë më të shumtë se ata që përdorin makinën”.

Leli nuk lë pa përmendur edhe korsitë e biçikletave që po ndërtohen në bulevard.

“Bulevardi nuk ka pasur hapësirën në favor të qytetarit, por tani përshkon në të dy krahët e tij një korsi të dedikuar për biçikletat që nga fillimi deri në fund, në mënyrë që me nyjen e re që do të krijohet në Skelë dhe në sheshin e Flamurit për vazhdimin deri në rrugën “Demokracia”, të lidhë gjithë rrjetin e investimeve në rrugët pedonale dhe atyre të biçikletave për të gjithë territorin e bashkisë”, sqaroi Leli.

Ai tha se korsitë e biçikletave janë gati në rrugën “Veledin Kollozi”, tek Plazhi i Vjetër, në Lungomare e dhe në rrugën “Demokracia”.

Firma, vijoi ai, po bën maksimumin, dua t’i falënderoj për seriozitetin e treguar, pasi punojnë deri në orët e vona të mbrëmjes për zgjidhjen e problematikave, por njëkohësisht dua të jem pafund falënderues për qytetarët e Vlorës, të cilët kanë qenë mirëkuptues dhe mbështetës të këtij projekti kaq të rëndësishëm.

“Nuk është komode për prindërit të çojnë fëmijët në kopshte, në shkolla, për të shkuar në punët e tyre me trafikun, me problematikat që janë duke u krijuar. Por, jam i bindur që ajo që po ndodh është në të mirë të qytetit dhe qytetarëve dhe do t’i ndryshojë faqen bulevardit”, u shpreh Leli.

Pas ndërtimit të shëtitores përgjatë bregdetit “Lungomare”, e cila i dha strukturë moderne qytetit, projekti për rikonstruksionin e bulevardit “Ismail Qemali” e transformon atë në shtyllën kurrizore të identitetit të Vlorës.

Bulevardi “Ismail Qemali” shtrihet nga Vlora në Skelë. Historia e këtij bulevardi zë fill që në shekullin e XIX me një rrugë që lidhte qendrën e qytetin me bregdetin. Aty kalonte edhe një dekovil, që transportonte kripë nga kriporet e Vlorës deri në Port, por edhe udhëtarë, madje deri te tuneli në Ujin e Ftohtë në fillimet e shekullit të XX.

Pas çlirimit të Shqipërisë bulevardi Vlorë-Skelë u formatua me pasion nga i paepuri Kristo Papajani “Qytetar Nderi i Vlorës”, i cili e mbushi atë me portokalle, palma, lule të llojeve të ndryshme dhe statuja. U krijua edhe parku “Rinia” mbushur me palma, shatërvanë, statuja dhe pyll eukalipti.

Në vitin 1987 bulevardi Vlorë-Skelë u zgjerua përsëri nën drejtimin e Vasillaq Ndinit, ku u mbollën palma të tjera./atsh

Vlora me bulevard të ri në fillim të sezonit turistik ! Read More »