Turizem

Koncert madhështor dhe spektakël fishekzjarresh – Vlora çel sezonin turistik(foto)

Vlora ka hapur zyrtarisht sezonin turistik 2019 me një koncert madhështor ku performuan emra të njohur të muzikës shqiptare si dhe me një spektakël fishekzjarrësh.

Nën sloganin “Lungomare on fest”, qindra qytetarë vlonjatë dhe jo vetëm, iu bashkuan atmosferës magjike.

Kryeministri Edi Rama uron një të dielë të bukur të gjithë ndjekësit në rrjetet sociale me momentet festive nga çelja e sezonit turistik të verës në Vlorë.

Një sërë aktivitetesh, I kanë paraprirë çeljes së sezonit turistik dhe me koncertin e madh që u organizua në Lungomare, Vlora është tashmë gati të mirëpresë turistët vendas dhe të huaj.

“Ejani në Vlorë”, është ftesa e Bashkisë së qytetit bregdetar, e cila synon që edhe këtë vit të kthehet në epiqendrën e turizmit veror.

Kreu i bashkisë, Dritan Leli është shprehur se Vlora të tillë atmosfere do ketë gjatë gjithë verës. “Ky koncert është një ogur i mirë për sezonin veror të vitit 2019. Ky sezon do të jetë më i suksesshmi i të gjitha viteve dhe një shembull për të gjithë vendet që bëjnë turizëm”, tha ai.

“Dua t’ju them të gjithëve që Vlora është vend i sigurt dhe të gjithë familjet mund të vijnë në Vlorë, të jetojnë në Vlorë se është një vend i sigurt. Por qëllimi është që familjarët të vijnë në Vlorë që të kalojnë pushimet. Vlora ka shumë për të thënë dhe ka shumë për të treguar dhe mikpritja e Vlorës është mikpritja, vlera më e madhe që ky qytet ka”, deklaroi Leli. /atsh

Koncert madhështor dhe spektakël fishekzjarresh – Vlora çel sezonin turistik(foto) Read More »

Turizmi i qëndrueshëm, program i ri investimesh në 4 qytete

Programi për Zhvillimin e Turizmit në katër komponentët e tij ka si objektiv kryesor të nxisë zhvillimin e turizmit cilësor dhe të qëndrueshëm në zonat Berat, Korçë, Fier dhe Shkodër.

Zbatimi i programit pritet të ketë impakt në nxitjen e turizmit dhe konkurrueshmërisë së vendit, por edhe në rritjen e ekonomive lokale dhe gjenerimin e vendeve të punës.

Pas disa projekteve të suksesshme investimi në fushën e turizmit, Fondi Shqiptar i Zhvillimit do të zbatojë një tjetër program të rëndësishëm për zhvillimin e turizmit të financuar nga Bashkimi Europian dhe Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).

Turizmi është një burim shumë i rëndësishëm i vendeve të punës dhe gjenerimit të të ardhurave për ekonomitë lokale, por edhe për ekonominë në nivel kombëtar. Investimet në turizëm janë rritur së tepërmi vitet e fundit, çka është reflektuar në një numër të rritur të turistëve çdo vit.

Programi për Zhvillimin e Turizmit që ka një kohëzgjatje prej 4 vitesh (dhjetor 2018 – dhjetor 2023) në katër komponentët e tij ka si objektiv kryesor të nxisë zhvillimin e turizmit cilësor dhe të qëndrueshëm në zonat Berat, Korçë, Fier dhe Shkodër.atsh

Turizmi i qëndrueshëm, program i ri investimesh në 4 qytete Read More »

Francezja “20 minutes”: Shqipëria një thesar europian, origjinale dhe mikpritëse

“Që nga hapja e kufijve të saj, Shqipëria duket origjinale, e ruajtur dhe tërheqëse”, e nis artikullin e saj media franceze “20 minutes”, duke renditur sitet arkeologjike, peizazhin e paprekur dhe gastronominë si arsye për ta vizituar.

Kryeministri Edi Rama këtë të diel zgjodhi këtë artikull për të uruar një të dielë të qetë. “Me këtë artikull të medias franceze për thesaret tona të trashëgimisë kulturore, biodiversitetin dhe gastronominë si disa ndër shumë arsyet për të vizituar Shqipërinë, ju uroj një të dielë të qetë”, tha ai.

Artikulli i “20 minutes.fr”.

”Që nga hapja e kufijve të saj, Shqipëria duket origjinale, e ruajtur dhe tërheqëse. Një kthesë e vogël për këtë vend interesant, të cilin bota nuk e ka njohur për një kohë të gjatë.

Shqipëria ka plazhe mahnitëse dhe limane të qeta.

Për një kohë të gjatë, Shqipëria mbeti nën petkun e një diktature që përzihet me marksizmin dhe kultin e personalitetit. Sunduesi i saj i vetëm, Enver Hoxha, e izoloi vendin nga pjesa tjetër e botës deri në mesin e viteve 1980.

Si një paranojak që ishte, ky tiran shpërndau gjatë bregdetit bunkerë duke menduar se pushtimi ishte afër. Edhe pse tashmë shumë prej tyre janë shkatërruar, një numër i konsiderueshëm i këtyre ndërtesave të këqija mbeten ende të dukshme. Një film i vitit 1996 “Kolonel Bunker”, i drejtuar nga Kujtim Çashku, të ringjall këtë valë delirante.

A dëshironte Hoxha të mbronte regjimin e tij, apo të ruante në mënyre strikte thesaret e vendit të tij? Kjo pyetje lind që nga hapja e kufijve dhe zbulimi i gjurmëve të pabesueshme të lashta. Shqipëria ka tërhequr me të vërtetë lakminë e qytetërimeve të mëdha: greke, romake, bizantine, osmane dhe ilire, ku me këta të fundit, shqiptarët e konsiderojnë veten pasardhës të drejtpërdrejtë, kanë lënë shenjën e tyre aty.

Në udhëkryq të kulturave

Si një mozaik historik, Shqipëria është një parajsë për të pasionuarit pas arkeologjisë. Vizita në Butrintin e lashtë që ndodhet pranë qytetit të Sarandës, anulon rrjedhën e kohës. Ky port i vogël që bashkohet me ishullin grek të Korfuzit të lë përshtypjen e një tempulli, ky amfiteatër çuditërisht i vendosur në anë të një kodre dhe një manastiri madhështor.

Virgjili dhe Racine aty kanë imagjinuar takimin e Andromakës, Helenusit dhe Eneas. I banuar që nga kohët parahistorike, vendi reflekton tërheqjen e shumë kulturave për këtë vend strategjik me një atmosferë magjike, tashmë pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.

Qyteti i Apolonisë, i nxjerrë në dritë pas Luftës së Parë Botërore nga Leon Rey, është i famshëm për portikun e tij të jashtëzakonshëm. Muzgu që bie mbi detin Adriatik ofron një shfaqje magjike në një heshtje që mezi thyhet nga erërat që fryjnë nëpër pemët e ullinjve.

Qyteti i ri, dekor i ri. Durrësi, qyteti i dytë më i madh në vend, është shtëpia e një prej amfiteatrove më të shquar – më i madhi në Ballkan – që daton në shekullin II. Kripta e tij, ndërtuar nga të krishterët e hershëm, tregon një mozaik kompleksiteti të rrallë. I njohur dikur si Epidamnus, qyteti ishte një port imponues në rrugën tregtare Egnatia ndërmjet Romës dhe Bizantit. Ky qytet është sot një vendpushim bregdetar shumë popullor për turistët.

Flora dhe fauna në harmoni

Përveç bregdetit të saj jugor dhe mrekullive të lashta, Shqipëria është në dy të tretën e saj e përbërë nga pyje, livadhe dhe relieve të ndryshëm. Natyra që ende gëzon të gjitha të drejtat e saj, ku mund të gjejmë ujqër, arinj, dhia e egër dhe rrëqebulli që jetojnë në harmoni në rezervate natyrore të mëdha.

Mali i Tomorit është simboli i kësaj bote të egër që ende ruhet. Është shtëpia e qytetit muze, Beratit 2400-vjeçar. Kalaja, kishat bizantine dhe xhamitë madhështore dëshmojnë për të kaluarën e pasur. Më tej në veri, Gjirokastra, një nga qytetet më të rëndësishme në jug të vendit, është shpallur gjithashtu një qytet muze për shkak të shtëpive të vogla mesjetare që kufizojnë rrugët e saj të ngushta.

Një kryeqytet i këndshëm

Natyrisht, Tiranën gjithashtu ia vlen ta vizitosh, veçanërisht për ndikimet e saj ruse dhe sheshin e saj mahnitës “Skënderbej”, emri i heroit të rezistencës ndaj turqve, të cilit shqiptarët i detyrohen flamurin e të tyre të kuq me një shqiponjë me dy koka. Aty gjejmë dhe xhaminë e vjetër të Et’hem Beut, si dhe Kullën e Sahatit, Pallatin e Kulturës me opera, teatër, bibliotekë dhe shumë muze që do të na mësojnë më shumë për vendin.

Një ndalesë në kryeqytet gjithashtu fton turistët të zbulojnë kuzhinën shqiptare, që vërtet ia vlen të ndalosh. Pjata kombëtare është tava e kosit, mish qengji i gatuar në kos. Një mrekulli, sidomos nëse shoqërohet me verërat më të mira të vendit. Llokume dhe kafetë e stilit turk do ta mbyllin këtë largim në vendin e shqiponjave.

Çfarë të hamë?

Kuzhina shqiptare është e ndikuar nga gastronomia turke dhe greke. Aty gjejmë dollmatë, perimet e mbushura dhe mbizotërimin e mishit të deles.

Qëndrimi

Meqenëse turizmi është relativisht i ri në Shqipëri, infrastruktura hoteliere është kryesisht e vendosur në qytetet e mëdha dhe në vendet turistike. Akomodimi është mjaft i lirë, edhe pse në Tiranë çmimet janë më të larta. Ka edhe disa hostele dhe fushata të rinjsh me tarifa shumë të volitshme. Sidoqoftë, mikpritja dhe ndjenja e të qenit i mirëpritur janë vlera kryesore në të gjithë vendin. Një proverb afirmon gjithashtu se “shtëpia e shqiptarëve është e zotit dhe e mikut”. Qëndrimi tek banorët vendas është një aventurë për t’u provuar”. /atsh

Francezja “20 minutes”: Shqipëria një thesar europian, origjinale dhe mikpritëse Read More »

Shqipëria destinacioni i 240 mijë turistëve të huaj vetëm në mars 2019

Rreth 240 mijë turistë të huaj kanë vizituar Shqipërinë në muajin mars të këtij viti.

Lajmi bëhet i ditur nga ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, i cili thekson se se “shifrat në rritje të turizmit në muajt e parë të 2019-s flasin për një vit turistik më të suksesshëm se paraardhësi”.

Sipas tij, gjatë kësaj periudhe janë shënuar 12% turistë të huaj më shumë se në mars 2018.

“Ndërsa gjatë 3-mujorit të parë të 2019 janë shënuar 2,8% vizitorë të huaj më shumë se në të njëtën periudhë të 2018”, shprehet Klosi.

Shtetasit e huaj që kanë vizituar më shumë Shqipërinë janë maqedonasit, grekët, polakët, zviceranët, spanjollët, amerikanët dhe gjermanët.

Shqipëria është shumë e pasur me bukuri natyrore, si peizazhet e bukura malore dhe bregdeti mahnitës, të cilat i gjejmë shpesh edhe në guidat e revistat më prestigjioze në botë. Por, përveç këtyre, një vend të veçantë po zë gjithnjë e më shumë turizmi kulturor, ku muzetë dhe kalatë e shumta anembanë Shqipërisë po tërheqin një numër përherë e më të madh vizitorësh vendas, por edhe të huaj.

Gjatë vitit 2018 Shqipëria u bë destinacioni turistik i 6 milionë turistëve, të cilët vizituan vendin tonë duke shijuar bukuritë natyrore, bregdetin, vendet e trashëgimisë, mikpritjen si dhe kulinarinë tradicionale. /atsh

Shqipëria destinacioni i 240 mijë turistëve të huaj vetëm në mars 2019 Read More »

Shqipëria parajsa e re mesdhetare

Imagjinoni Mesdheun! Çfarë ju vjen në mendje? Brigjet gjarpëruese të mbushura me shkëmbinj dhe limane. Qielli fantastik, pa një njollë reje. Dhe sigurisht, një det i jashtëzakonshëm, për të cilin nuk ka epitet që mund ta përshkruajë.

Nëse nuk i keni planifikuar ende këto pushime verore, ju jeni ende në kohë për të bërë zgjedhjen e duhur.

Plazhet fantastike të jugut të Shqipërisë janë perlat e Mesdheut dhe ju duhet patjetër t’i vizitoni, shkruan Traveler.es.

”Shqipëria, objektivi juaj i ardhshëm.

Mundohuni të kujtoni plazhe si Costa Brava, Costa Azur ose bregdetin amalfitan… janë destinacionet e para që vijnë në mendje për disa pushime verore të paharrueshme në vijën e bardhë gurore dhe ujin blu të plazheve. Është koha për të shtuar në këtë listë edhe një vend të ri: Rivierën Shqiptare.

Plazhet më të mira të Rivierës Shqiptare

Shqipëria më në fund ka hapur dyert e saj për turistët dhe pushuesit dhe nuk ka nevojë për shumë argumente, thjesht shikoni fotot. Plazhet i ngjajnë parajsës në tokë (dhe disa janë pothuajse të braktisura). Surpriza arkeologjike dhe të gjitha me ndjenjën e zbulimit të një prej sekreteve të mirëfshehura në anën tjetër të Mesdheut.

Një breg i mbushur me surpriza

Riviera nuk ka kufij të përcaktuar, por nëse doni të vendosni një portë, ndoshta do të jetë në Vlorë, 150 kilometra në jug të kryeqytetit shqiptar, Tirana. Këtu është vendi ku Adriatiku takon Jonin, në një takim detar që ju fton të bashkoheni që nga momenti i parë. Vlora vjen me një ngarkesë të madhe historike: Aty u shpall pavarësia e Shqipërisë nga Perandoria Osmane në vitin 1912. Që atëherë, ajo është rritur për t’u bërë një qendër për aktivitetin e rëndësishëm të portit, gjithashtu dhe një nga plazhet kryesorë të Rivierës fantastike .

Plazhi më i ri në dispozicion mund të jetë zgjedhja e ardhshme nëse nuk doni ta ndani veten në shumë bare të këtij plazhi. Uji i Ftohtë, vetëm dy kilometra larg, është një shtrirje e plazheve më pak të frekuentuar, por me një nivel të aktivitetit për t’u pasur zili.

Nëse dëshironi një ofertë të mirë për kohën e lirë, Vlora duhet të jetë zgjedhja juaj.

Pas bregdetit në jug, ndalesa tjetër është qyteti i qetë i Himarës, i ndarë midis vendpushimeve moderne dhe tavernave tradicionale greke. Pak me larg nga Himara është Llamani, një plazh i bukur, i rrethuar nga dy kodra, shumë popullor për turizmin vendas.

Po kërkoni një eksperiencë më të relaksuar? Shkoni në Qeparo, një fshat piktoresk i kapur pas dy shkëmbinjve dhe me pamje nga skena e Mesdheut, pikërisht ajo që keni në mendjen tuaj: portin e artë, detin bruz dhe qiellin e përjetshëm.

Mbërritja në Sarandë, qendra strategjike e Rivierës dhe një destinacion që po fiton popullaritet në Ballkan. Saranda, përkundër popullsisë modeste të saj, po përjeton një periudhë rritjeje të lartë, e cila dallon dukshëm nga “bumi” i ndërtesave në të gjitha kodrat përreth qytetit bregdetar. Por, për momentin (dhe fatmirësisht), Saranda mbetet një opsion i këndshëm si një bazë për të eksploruar plazhet aty pranë, kur ju i keni parë tashmë ata që janë në rrugë.

Oazet e Ksamilit

Midis tyre, Ksamili merr trofeun më të mirë, jo vetëm në zonë, por ndoshta në të gjithë Rivierën. Ky arkipelag i vogël, 20 milje në jug të Sarandës, ka tre plazhe të vogla gurore që pothuajse mund të bashkohen me njeri-tjetrin. Ksamili është shumë afër qytetit të lashtë të Butrintit, sot një nga vendet më të rëndësishme arkeologjike në Shqipëri. Me një park kombëtar, Butrinti tregon shenja të vendbanimeve të lashta romake dhe greke që kanë jetuar aty, në një përzierje interesante që do t’ju marrë një gjysmë dite, për t’ju nxjerrë kështu nga peshqiri i plazhit.

Ejani dhe zbuloni parajsën e re mesdhetare. Apo keni nevojë për më shumë arsye?”, përfundon Traveler.es./atsh

Shqipëria parajsa e re mesdhetare Read More »

Rilindja Urbane, transformim rrënjësor i qendrës së Dukatit në Vlorë

Programi i “Rilindjes Urbane” ka bërë që shumë qytete të dalin nga “korniza” e tyre e vjetër dhe të transformohen rrënjësisht, duke u kthyer në atraksione turistike, si dhe duke krijuar një impakt pozitiv në ekonominë e vendit.

Qendra e fshatit piktoresk të Dukatit, 30 kilometër larg qytetit të Vlorës, fal programit të Rilindjes Urbane është transformuar duke i kthyer dinjitetin kësaj zone me kaq histori dhe me natyrë mbresëlënëse.

Kryeministri Edi Rama shprehet, “me këto pamje të transformimit dhe rilindjes urbane në Dukat të Vlorës, ju uroj një të dielë të bukur”.

Fshati Dukat ndodhet në jug të Gjirit të Pashalimanit dhe kufizohet në verilindje me Tragjasin, në lindje me Tërbaçin, në jug me Palasën. Ky fshat piktoresk është i vendosur në këmbët e maleve Paliske e Qore, në një grykë të thellë e të thyer, me përrenj të shumtë. Ai ngelet në shekuj kështjellë e pathyeshme natyrore. /atsh

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/385169002073421/?t=0

Rilindja Urbane, transformim rrënjësor i qendrës së Dukatit në Vlorë Read More »

Në 5 vjet, dyfishim i numrit të turistëve në Shqipëri

“Në 5 vjet ne kemi arritur të dyfishojmë numrin e turistëve”, deklaroi sot Kryeministri Edi Rama, gjatë prezantimit të projektit të përbashkët mes BE-së dhe BERZH-it për zhvillimin e turizmit në Shqipëri.

“Kur them ne kemi arritur të dyfishojmë, Shqipëria ka arritur të dyfishojë numrin e turistëve. Sigurisht, ne besojmë që kemi pasur një rol jo të vogël në këtë rritje kaq domethënëse”, tha Rama.

Po ashtu, Kryeministri theksoi se, “duke parë shifrat e muajit prill, krahasuar me prillin e një viti më parë, kemi përsëri rritje e duke krahasuar katër muajt e parë të vitit me katër muajt e parë të një viti më parë, konstatojmë përsëri rritje.

“Kjo është shumë e rëndësishme, sepse turizmi është ekonomi, është punësim, sigurisht edhe integrim. Sa më shumë turistë të vijnë në vendin tonë, aq më shumë njerëz do të kemi jashtë vendit tonë, që do të thonë të vërtetën mbi Shqipërinë, e cila ka vuajtur dhe vazhdon të vuajë nga stereotipet dhe nga perceptimet e krijuara, pa e njohur atë nga afër”, tha Rama.

Kryeministri citoi po ashtu një investitor të huaj i cili vlerësoi Shqipërinë si një vend ideal për të gjithë ata që duan të investojnë në turizmin e të ardhmes.

“Sot paradite, unë prita një investitor të madh, i cili erdhi në Shqipëri, nuk e di pas shumë kohësh ftesa apo pritje dhe nuk mbaronte së më shprehuri se sa keq i vinte që Shqipëria që kishte imagjinuar ishte komplet pa lidhje me Shqipërinë reale dhe se sa i vonuar ndihej në ardhjen në këtë vend që, sipas tij, ishte një vend ideal për të gjithë ata që duan të investojnë në turizmin e të ardhmes”, tha Rama./atsh

Në 5 vjet, dyfishim i numrit të turistëve në Shqipëri Read More »

FOTO/ Korabi, ‘zemra’ e maleve shqiptare që tërheq alpinistët

I cilësuar si zemra e maleve shqiptare, Korabi të magjeps me bukurinë që ka, shtigjet malore atraktive, pamjet madhështore, të rralla, rruga drejt ujëvarës dhe shtegu duke ndjekur Drinin e Zi.

Në majë të Korabit, atje ku lartësitë kapin qiellin dhe malet qasen me retë, një grup prej 40 alpinistësh u ngjitën ditët e fundit për të shijuar kënaqësinë që të fal ky mal.

Alpinistë të moshave nga 20-45 vjeç, nën drejtimin e dy guidave profesioniste, Albert Nikolli dhe Edmond Kocli u ngjitën në majën e Korabit.

Edmond Kocli, tha për ATSH-në se “qëllimi jonë për organizimin e këtyre guidave është që të ngjiten sa më shumë njerëz në mal dhe jo të kapin majat”.

Ndërsa Ermal Hallaçi, alpinist profesionist shprehet se “nisja u bë nga Radomira, një fshat turistik i futur edhe në projektin “100 fshatrat”.

Sipas tij, udhëtimi vajtje-ardhje shkoi 10 orë, pasi rruga ishte e mbushur me dëborë.

Një tjetër alpiniste, Xhulia shprehet e mahnitur nga bukuritë natyrore që ky mal ofron.

“Jemi në gjysmë të rrugës, prapa meje ndodhet mali i Korabit është një pamje e mrekullueshme. Nga mali i Korabit ka një pamje të mrekullueshme, deri tani nuk ka shumë dëborë dhe ecja është shumë e thjeshtë. Kam përshtypjen se çdo njeri që është marrë pak me aktivitet mund t’ia arrijë”, thekson Xhulia.

Grupit të alpinistëve shqiptarë i është bashkuar edhe Ashman Abdulov, shqiptare nga Maqedonia, por lindur e rritur në Kanada, e cila e vizitonte për herë të parë malin e Korabit.

“Unë sapo zbrita nga mali i Korabit, është mali më i lartë në Shqipëri. Ne kemi qenë pjesë e aventurës shqiptare. Ishte një ditë e përkryer, por në të njëjtën kohë shumë sfiduese. Përjetuam dëborën, erën, pak diell dhe një mjedis të gjelbër. Unë them se ia vlente çdo çast dhe jam e gëzuar që munda ta realizoj”, thekson Abdulov.

Ajo shprehet se ishte një grup i mrekullueshëm me njerëz shumë të mirë në një mal shumë të bukur.

“Shqipëria është një vend malor, por unë ju them se ky mal i tejkaloi pritshmëritë e mia, madje duke i krahasuar me malet kanadeze. Jam mirënjohëse që ia dola ta shoh malin e Korabit. Jam mirënjohëse për të gjithë ata të cilët erdhën me ne. Më pëlqeu shumë që udhëtova në Shqipëri”, thotë Abdulov.

Dibra, një nga destinacionet turistike më të bukura të Shqipërisë, vazhdon të joshë turistë vendas dhe kryesisht të huaj sidomos në pranverë. I gjithë ky segment përshfaqet nga një bukuri e pahasur, unike, mes diversitetit të natyrës dhe thellësisë së peizazhit, duke ofruar si në verë, dhe në stinët e tjera të vitit mundësi për turizëm.

Korabi është një nga malet më të larta të Europës Juglindore, i cili shtrihet përgjatë kufirit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Vend i pasur me bukuri të rralla natyrore, me gurë, shkëmbinj dhe kullota, i cili vizitohet nga shoqata të shumta alpinistësh, të cilët arrijnë të ngjiten edhe deri në majën e tij, e cila ka lartësinë 2764 m.

Nga ana e Maqedonisë së Veriut mund të shkohet deri në fshatrat e Rekës, duke udhëtuar nga Dibra e e Madhe e deri në disa prej këtyre fshatrave siç janë: Nistrovë, Bibaj, Zhuzhnjë, Rimnicë, Grekaj, Tanushaj, Nivisht si dhe në pjesën tjetër të Strazimirit nga organizohen ngjitjet alpinistike çdo vit.

Vargmali i Korabit shtrihet mbi 40 kilometra në drejtimin veri-jug midis pjesës së poshtme të Drinit të Zi dhe degës së saj kontribuese Radika.

Mali i Korabit është shtëpi për ujëvara ku në luginën e sipërme të lumit, Përroi i Thellë Gjatë ujëvara arrin një lartësi prej mbi 130 metra, e cila e bën atë më të lartën në Maqedoninë e Veriut. /k.s/ /a.g/

FOTO/ Korabi, ‘zemra’ e maleve shqiptare që tërheq alpinistët Read More »