Turizem

Regata Brindisi-Vlorë, përafrim kulturash e manifestim miqësie e bashkëpunimi mes Italisë e Shqipërisë

24 barka vela, duke përfshirë edhe dy mjete ushtarake të këtij lloji, respektivisht të “Guardia di Finanza” dhe Forcës Detare Ushtarake Italiane, u bënë pjesë e manifestimit sportiv-kulturor “Regata del Grande Salento Bridisi-Valona”, që kulmoi në qytetin jugor bregdetar me tre ditë të mbushura me veprimtari të shumta.

Ky aktivitet, i organizuar nga Lidhja Detare Italiane e Brindisit, Konsullata e Përgjithshme e Italise në Vlorë, Bashkia Vlorë, Kooperacioni Italia dhe Guardi di Finanza, përkonte me edicionin e 9-të, çka e ka shndërruar atë tashmë në një traditë që përsëritet çdo verë.

Mjetet lundruese turistike sportive, ishin nisur nga porti i Brindisit për të mbërritur në Vlorë, ku u zhvillua edhe faza e pasardhëse e këtij manifestimi të përbashkët, edicioni i dytë i Regatës së gjirit të Vlorës.

Edicioni IX i “Regata del Grande Salento Brindisi-Vlorë”, vlerësohet si një nga aktivitetet më të mëdha mes dy brigjeve të Adriatikut dhe përbën një moment kulmor në marrëdhëniet dhe bashkëpunimin mes dy vendeve që lagen nga i njëjti det.

Pikërisht, tek ky element e shohin simbolikën e këtij manifestimi, organizatorët, duke përcjellë mesazhin se, Adriatiku nuk ndan por afron më tepër dy popujt dhe vendet tona.

Prandaj dhe, jo rastësisht, “Regata…..”, emërtohet ndryshe, “Trofeu i mikpritjes” dhe cilësohet nga organizatorët edhe si një manifestim i vlerave më të mira mes dy popujve.

“Regata del Grande Salento Brindisi-Vlorë”, lindi 9 vjet më parë, në 2011-ën, në përvjetorin e 20-të të zbarkimit të emigrantëve shqiptarë në Brindisi, si një moment dhe si një mënyrë domethënëse për të kujtuar dhe përshkuar të njëjtin itinerar të shpresës për një ditë të re dhe të ardhme ndryshe.

Ky mesazh, kjo simbolikë, përcillen çdo vit në fillim korriku në atë pikënisje me kahje të kundërt që starton nga Brindisi për të mbërritur në Vlorë dhe anasjelltas, si dëshmi e ndryshimit dhe rrugës së vlerave të përbashkëta.

Por, ky edicion kishte të veçantat e veta, që e bënë atë më të pasur dhe më atraktiv në përmbushjen e qëllimit për të përafruar kultura dhe ide.

Edicioni i Dytë i Regatës së Gjirit të Vlorës, trofeu “Mirko Gallone”, u shndërrua edhe në një garë, në një manifestim sportiv që u ndoq nga qindra qytetarë vlonjatë, turistë të huaj e pushues vendas, të cilët shëtisnin përgjatë Lungomares, apo kishin mbushur plazhet përgjatë saj. Ndërkohë, një tjetër dimension, e pasuroi edhe më tej këtë manifestim. Regatës ju bashkangjit një nismë tjetër domethënëse, kursi për të mësuar lundrimin me barkat me vela, për fëmijët e moshës nga 8 në 12 vjeç.

Lidhja Detare Italiane e Brindizit do të zhvillojë për 6 ditë rresht, një kurs falas për fëmijët e kësaj moshe, si një mënyrë për të promovuar dhe nxitur përhapjen e këtij sporti detar mes të rinjve të qytetit të Vlorës, duke futur kështu një kulturë të re, si pjesë e një të ardhmeje ndryshe në turizmin lokal.

Barkat me vela, që mbushën gjirin detar të Vlorës, duke e pasuruar atë me një dekor dhe atmosferë festive, u shoqëruan edhe me aktivitete të tjera kulturore. Mes tyre, spikati koncerti i sopranos së njohur, Ramona Tullumani dhe baritonit, Solen Alla, shoqëruar në piano nga Ardita Bufaj, që u ndoq nga dhjetra artdashës, në sallën e eventeve të Konsullatës së Përgjithshme të Italisë në Vlorë.

Ndërkohë, në sheshin e Lungomares, qindra qytetarë vlonjatë, ndoqën koncertin e grupit të njohur nga Puglia, RIONE JUNNO, që mbylli edhe aktivitetet e planifikuara gjatë tre ditëve.

Konsullja e Përgjithshme e Italisë në Vlorë, Luana Micheli, e cilësoi “Regata del Grande Salento Brindisi-Vlorë”, dëshmi të marrëdhënieve të shkëlqyera dhe bashkëpunimit me Bashkinë Vlorë. “Mes Italisë dhe Shqipërisë, nuk ka një det, por një autostradë bashkëpunimi dhe miqësie”, u shpreh ajo.

Nga ana e tij, kryetari i bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, që falënderoi organizatorët dhe protagonistët e këtij manifestimi, evidentoi dimensionet e aktivitetit, si dëshmi e forcimit të bashkëpunimit dhe miqësisë, ndërkohë që, e vuri theksin tek risitë që sjell çelja e një shkolle për mësimin e sportit të velave dhe mundësitë që krijohen për të ardhmen, për këtë sport, për të zhvilluar regata në kahjen e kundërt, në atë Vlorë-Brindisi.

Duke falenderuar miqtë nga Italia për kurset falas të ofruara për fëmijët e qytetit në sportin e velave, Leli nënvizoi se, Vlora turistike e 4 vjeçarit të ardhshëm, do të ofrojë për herë të parë turizëm elitar për një kategori të caktuar, varkat me vela. “Një shkollë e veçantë do të ofrojë për gjithë shqiptarët dhe vendet e rajonit, shërbime të certifikuara në det për varkat me vela”, u shpreh kryebashkiaku vlonjat, në përfundim të edicionit të dytë të garës së barkave me vela, që u zhvillua në gjirin detar të Vlorës, si pjesë e “Regata del Grande Salento Brindisi-Vlorë” dhe duke prezantuar kështu një nga projektet e tij të këtij mandati.

Ai vuri në dukje kontributin e Konsulles së Përgjithshme të Italisë në Vlorë, Luana Micheli, të cilën e cilëson një mike të madhe të Vlorës dhe të Shqipërisë.

Manifestimi kulturor-sportiv, “Regata del Grande Salento Brindisi-Vlorë”, u përshëndet edhe nga Ministri i Turizmit, Blendi Klosi, i cili e vuri theksin tek domosdoshmëria e hartimit dhe zbatimit në të ardhmen të politikave dhe një strategjie të re për të zhvilluar ekonominë e detit.

Në mjediset e hotel “Vlora International”, u zhvillua edhe ceremonia e ndarjes së çmimeve të këtij manifestimi dhe gare sportive, që përcolli edhe mesazhin e mbrojtjes së mjedisit ujor detar, si një pasuri e çmuar./atsh

Regata Brindisi-Vlorë, përafrim kulturash e manifestim miqësie e bashkëpunimi mes Italisë e Shqipërisë Read More »

Fluksi i turistëve, 28 qendra shëndetësore me shërbim 24 orë

Me fluksin e turistëve gjatë stinës së nxehtë, emergjencat dhe flota e rinovuar e autoambulancave janë në gatishmëri përmes shërbimit shëndetësor 24 orë pranë pushuesve.

Në zonat turistike në të gjithë Shqipërinë janë 28 qendra shëndetësore të cilat ofrojnë për qytetarët shërbim gjatë gjithë ditëve të javës.

Të gjitha qendrat shëndetësore verore janë të pajisura me barna dhe pajisje mjekësore dhe me staf mjekësor të trajnuar.

Gjithashtu për një sezon të sigurt turistik në shërbim të qytetarëve janë dhe 18 postacione autoambulancash dhe njësia e helikopterëve në gatishmëri.

Shërbimi do të koordinohet nga Qendra Kombëtare Urgjencës Mjekësore, ku qytetarët kanë mundësi të telefonojnë falas në 127 për çdo urgjencë mjekësore. /atsh

Fluksi i turistëve, 28 qendra shëndetësore me shërbim 24 orë Read More »

Zbret në Vlorë, Regata del Grande Salento “Brindizi-Vlorë”

Gjiri i Vlorës do të presë më datat 4-6 korrik, edicionin e nëntë të Regata del Grande Salento “Brindizi-Vlorë”, “Trofeu i Mikpritjes”, regata FIV, shprehet Ambasada italiane ne Tiranë.

Kjo ngjarje lindi me edicionin e parë te vitit 2011, 20 vite pas zbarkimit në Brindisi të refugjatëve shqiptarë, për të kujtuar dhe përshkuar atë rrugë me një qëllim dhe domethënie të re, shenjë e miqësisë që lidh dy brigjet e detit Adriatik.

Po ashtu Ambasada italiane publikon axhendën e aktiviteteve.

Në këtë edicion marrin pjesë 24 barka, përfshirë edhe dy anije ushtarake me vela, përkatësisht ajo e Guardia di Finanza dhe e Forcës Detare ushtarake italiane: Gjiri i Vlorës do të mbushet me vela!

Të shtunën, datë 6 korrik, do të zhvillohet edicioni i dytë i regatës së Gjirit të Vlorës, trofeu “Mirko Gallone”: qytetarët e Vlorës dhe turistët do të mund të vëzhgojnë garën nga Lungomare dhe nga plazhet.

Regatës do t’i bashkëngjitet një iniciativë tjetër e bukur: kursi për të lundruar me barkat me vela për fëmijët e moshës nga 8 në 12 vjeç.

Po ashtu, Lidhja Detare Italiane e Brindizit do të zhvillojë, nisur prej datës 7 korrik, 6 ditë kurs për barkat me vela, pa pagesë, pikërisht për të përhapur lundrimin me vela mes të rinjve të Vlorës, dhe me këtë, një kulturë detare të re, ndryshe./atsh

Zbret në Vlorë, Regata del Grande Salento “Brindizi-Vlorë” Read More »

Rijetëzimi i qendrës historike të Vlorës, pol i rëndësishëm turistik

Qendra Historike e Vlorës po rijetëzohet duke u shndërruar në një vlerë tjetër të shtuar për turizëm dhe në një destinacion atraktivë dhe tërheqës kulturor.

Ky projekt ka bërë bashkë qeverinë shqiptare Ministria e Kulturës,Fondacionin Shqiptaro – Amerikan për Zhvillim The_AADF, Bashkinë Vlorë dhe Fondin Shqiptar të Zhvillimit.

Sheshi para bashkisë po shtrohet me pllaka guri, ndërsa në rrugën “Justin Godart” rikonstruksioni i infrastrukturës nëntokësore është drejt përfundimit.

Hapi i radhës është shtrimi i trupit dhe trotuarëve me pllaka guri. “Justin Godart” do të jetë e dedikuar për këmbësorët dhe e pajisur me ndriçim, gjelbërim dhe mobilim urban.

Ndërkohë paralelisht është punuar për restaurimin e godinave historike në zonën B, unifikimin e fasadave për të nxjerrë në pah historinë dhe bukurinë e tyre.

Trashëgimia kulturore dhe historike është një aset i rëndësishëm i qyteteve me ndikim në zhvillimin ekonomik të tyre. Nga ana tjetër, rijetëzimi i vlerave kulturore dhe historike nxit rigjallërimin e traditave dhe promovimin e vlerave kombëtare.

Rruga Justin Godard ka qenë rruga kryesore e qytetit në periudhën e Rilindjes së Pavarësisë Kombëtare. Cepi perëndimor i saj të nxjerr tek Sheshi i Flamurit, kurse ana lindore në Lagjen Partizani në drejtim të Babicës ku ka shumë foto të hyrjes së luftëtarëve më 1920. Shtëpitë janë me dy kate, me ballkone të vegjël të stilit neoklasik.

Degëzimet e rrugëve sekondare të çojnë tek ish-pazari, “lagjja e hebrenjëve”, klubi “Laberia” dhe ish-Sinagoga. Në fund, nga ana lindore ka qënë dhe xhamia e Tabakëve, më e madhja e qytetit. Rruga ka patur disa ndërtesa shoqërore në shekullin e XIX, si një sahat (kullë) dhe Posta e qytetit.

Kompleksi e ka marrë emrin nga juristi i njohur francez Justin Godard, i cili ka mbrojtur të drejtat e Shqipërisë në Konferencën e Paqes në Paris, më 1919. Godard ka qenë mik i shqiptarëve dhe ka ndihmuar dhe me fonde ekspeditën e arkeologut Leon Rey në Apolloni./atsh

Rijetëzimi i qendrës historike të Vlorës, pol i rëndësishëm turistik Read More »

Vlorë – Rritet me rreth 35% numri i vizitorëve në monumente dhe parqe arkeologjike

Monumentet e kulturës dhe parqet arkeologjike në Vlorë kanë zgjuar interesin e turistëve të huaj dhe vendas gjatë sezonit turistik të këtij viti.

Në raport me vitet paraardhëse dhe kryesisht me vitin 2018 shihet qartë që këto monumente dhe parqe arkeologjike që administrohen nga Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare Vlorë, kanë patur një numër më të madh vizitorësh.

Sipas DRKK Vlorë, është rritur me rreth 35% numri i vizitorëve për periudhën janar – qershor 2018/2019.

Vizitorët kanë shfaqur interes për 8 objektet e vizitueshme me biletë nën juridiksionin e Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare Vlorë si Kalaja e Porto Palermos, Kalaja e Kaninës, Kalaja e Himarës, Kisha e manastirit të Shën Kollit Mesopotam, Manastiri i 40 shenjtorëve , Parku Amantia, Parku i Orikut dhe i Finiqit.

Vlora është e vendosur në një pozicion mjaft të përshtatshëm në qendër të gjirit me të njëjtin emër. Një numër i madh sitesh arkeologjike dhe monumentesh përfaqësojnë periudhat e ndryshme të historisë së Vlorës. Qyteti bregdetar përmendet pothuajse në të gjithë itineraret e kohës perandorake romake, si dhe një skenë e përshtatshme për ata që vinin nga Hydrunti (Otranto) apo Brindisi, por në radhë të parë si stacion në rrugën nga Apolonia për në Butrint, ku sipas burimeve historike në antikitetin e vonë u kthye në qendër peshkopale dhe njëkohësisht ishte një nga tetë qendrat më të rëndësishme të provincës së Epirit të Ri.

Trashëgimia kulturore e historia e jashtëzakonshme, së bashku me peizazhin e mrekullueshëm të gjirit të Vlorës dhe një sërë monumentesh natyrore përreth tij e kthejnë këtë qytet në një atraksion të pakrahasueshëm turistik./atsh

Vlorë – Rritet me rreth 35% numri i vizitorëve në monumente dhe parqe arkeologjike Read More »

Eurostat: Shqipëria destinacioni i parë i turistëve grekë

Gjatë vitit 2017, shtetasit grekë, vendi i të cilëve është anëtar i Bashkimit Europain, patën si destinacion të parë turistik Shqipërinë, doli nga të dhënat e agjencisë europiane të statistikave, Eurostat, sipas faqes zyrtare të kësaj të fundit, ec.europa.eu.

Sipas Eurostat-it, në raportin me titull ”A është vendi juaj popullor për turistët”, raport që i referohet të dhënave të vitit 2017, Shqipëria rezulton destinacioni kryesor i turistëve grekë me 2,1% të netëve të shpenzuara.

Ndërkohë, vendi i dytë i destinacionit të tyre ishte Gjermania me 1% dhe më pas, Shtetet e Bashkuara të Amerikës me 1%.

Ardhja e turistëve grekë në Shqipëri lidhet me faktin se në këtë vend anëtar të BE-së jetojnë rreth 40% e emigrantëve shqiptarë.

Por, grekët që vijnë me pushime në Shqipëri shpenzojnë shumë pak, rreth 27 euro në ditë, ndërkohë që rrinë rreth 11 netë./atsh

Eurostat: Shqipëria destinacioni i parë i turistëve grekë Read More »

Furnizimi me ujë/ 42 milionë euro investime për Himarën dhe fshatrat turistikë

42 milionë euro do të investohen në Himarë dhe fshatrat turistikë në jug të vendit, sikurse janë Borshi, Jala, Livadhi, Qeparoja apo Vunoja, në drejtim të rritjes së cilësisë së furnizimit me ujë dhe trajtimit të ujërave të ndotura.

Ky financim akordohet nga KFW-ja gjermane në kuadër të fazës së katërt
të projektit “Furnizimi me ujë i zonave rurale” dhe do të përdoret për realizimin e investimeve në zonën bregdetare të jugut të Shqipërisë, duke u fokusuar në Bashkinë e Himarës ku përveç fshatrave të mësipërm do të përfitojnë edhe Kuçi, Buronja, Piluri, Kudhësi apo Himara Fshat dhe në Bashkinë Orikum.

Investimi parashikon vënien në punë të impiantit të trajtimit të ujëra vetë ndotura të Orikumit si dhe instalimin e lidhjeve familjare për ujësjellësin në qytetin e Orikumit.

Zbatimi i këtij projekti do të kontribuojë në përmirësimin e kushteve të jetesës dhe do të promovojë zhvillimin e turizmit në zonën e projektit, duke e çuar në 80 000 numrin e përfituesve nga ky investimit.

Qëllimi i projektit “Furnizimi me ujë i zonave rurale IV” është përmirësimi i
infrastrukturës së ujësjellësve dhe kanalizimeve, nëpërmjet sigurimit të
qëndrueshëm në furnizimin me ujë të pijshëm për popullësinë rezidente dhe
turistët në zonën e projektit

Programi sektorial i ujërave/furnizimi me ujë i zonave rurale IV, i përgjigjet
prioriteteve dhe qëllimeve të vëna për zhvillimin ekonomik të vendit.
Gjithashtu, ky program mbështetet në Strategjinë Kombëtare për Furnizimin me Ujë dhe Kanalizimet dhe Strategjinë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim 2015– 2020./atsh

Furnizimi me ujë/ 42 milionë euro investime për Himarën dhe fshatrat turistikë Read More »

Gazetarët sllovakë, interes të lartë për Shqipërinë turistike

Përfaqësues nga medie të ndryshme vizive dhe të shkruara në Sllovaki zgjodhën Shqipërinë turistike në një udhëtim 1-javor ku shijuan bukuritë e bregdetit, trashëgiminë, kulturën dhe gastronominë.

“Me gazetarë sllovakë, nga media të ndryshme vizive dhe të shkruara në Sllovaki, për arritjet në fushën e turizmit gjatë vitit 2019 dhe sfidat e zhvillimit të kësaj industrie në të ardhmen”, u shpreh ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi.

“Përmes një udhëtimi disa ditor, në destinacionet që nuk duhet të humbnin në Shqipëri, axhendë e sugjeruar nga Agjencia Kombëtare e Turizmit, gazetarët realizuan reportazhe, dokumentarë e kronika në Parqe Kombëtare, Zona të Mbrojtura, Parqe Arkeologjike e muzeume, për tu njohur me vlerat kulturore, historike, por sidomos me potencialet që ofron Shqipëria për investime në këtë industri dhe për turizëm gjithë vjetor për turistët sllovakë, interesi i të cilëve është gjithnjë e në rritje”, tha Klosi.

Gjatë udhëtimit të tyre gazetarët sllovak bënë një itinerar turistik dhe kulturor ku vizituan qytete si Tirana, Durrësi, Fieri (Apoloni) dhe Vlora. /atsh

Gazetarët sllovakë, interes të lartë për Shqipërinë turistike Read More »