Turizem

Shqipëria, ndër gjashtë vendet më të bukura për t’u vizituar në shtator

Shqipëria dhe plazhet e saj janë përzgjedhur mes gjashtë destinacioneve turistike botërore, ndër to Gjermania, Bullgaria, Norvegjia dhe Kina, të cilat duhet të vizitohen gjatë muajit shtator.

Agjencia çeke e udhëtimeve “Kiwi.com” shkruan se nga të gjitha vendet e preferuara për pushime deri më sot, me bregdetin dhe plazhet e saj mahnitëse, Shqipëria ka të gjitha tiparet e një destinacioni klasik mesdhetar.

Moti është ende shumë i mirë, por megjithatë sezoni turistik thuajse ka përfunduar. Por çfarë u ofron vizitorëve muaji shtator?

Fëmijët pothuajse në të gjitha vendet tashmë janë rikthyer në shkollë dhe çmimet ndërkohë janë ulur. Për këtë arsye, shtatori është muaji kur mund t’u gëzoheni pushimeve paksa të vonuara verore. Ne kemi disa ide që mund t’ju frymëzojnë për të zgjatur edhe pak sezonin e pushimeve verore.

Plazhet e Shqipërisë

Jeni në kërkim të pushimeve diku në bregdet, ku numri i pushuesve nuk është më edhe aq i lartë, ndërkohë që moti është ende i mirë? Greqia? Ende plot e përplot me turistë. Kroacia? Sigurisht, por një vend gjithnjë e më i zhurmshëm. Spanja? Praktike, por e eksploruar së tepërmi. Shqipëria? Epo… sigurisht, përse jo?

Deri më sot, nga të gjitha vendet e preferuara turistike, Shqipëria ka të gjitha tiparet e një destinacioni klasik mesdhetar. Në pjesën jugore, Shqipëria ka një vijë të gjatë bregdetare dhe plazhe, që, në shumicën e tyre, janë vërtet mahnitës. Në atë që tashmë njihet si Riviera Shqiptare ju do të gjeni plazhet e Gjipesë dhe Jalit, rreth 13 kilometra larg njëri-tjetrit, dhe që të dy të fshehur në gjire magjepsës shkëmborë.

Jugu i Shqipërisë ofron edhe dhjetëra opsione të tjera. Plazhi i Dhërmiut, që shtrihet pranë fshatit me të njëjtin emër, është vendi që duhet ta vizitoni patjetër nëse ju mundon dilema e përjetshme e përzgjedhjes mes plazhit me rërë dhe atij me gurë. Në mënyrë të pazakontë, ky plazh i ofron të dyja. Kepi i Rodonit është një gadishull mahnitës i rrethuar nga plazhe dhe me një kështjellë mbi të; ky vend mund të arrihet lehtësisht nga kryeqyteti i vendit, Tirana. Po kështu, nëse ju pëlqen historia, në Parkun Kombëtar të Butrintit mund të vizitoni rrënojat romake rrethuar nga një peizazh i mrekullueshëm.

Atëherë, të vizitoni Shqipërinë? Përse jo?/atsh

Shqipëria, ndër gjashtë vendet më të bukura për t’u vizituar në shtator Read More »

Vijon transformimi në Belsh, nga një gropë e zymtë në destinacion të ri turistik

Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se “po vijon puna për transformimin rrënjësor të Belshit nga një gropë e zymtë, në mes të një mrekullie natyrore të harruar, ku komuniteti jetonte në izolim e braktisje të plotë, në një destinacion të ri turistik”.

Rama tha se tashmë në Belsh “jo vetëm rriten vizitat e çdo fundjave nga Tirana e gjetkë, por kanë nisur flukset e turistëve të huaj dhe përshtatjet e shtëpive, deri dje krejt të vetmuara, në bujtina të vogla e plot shije”.

Me një pamje të veçantë, florë dhe faunë të larmishme, liqeni i Belshit është një nga më të mëdhenjtë prej atyre të Dumresë me sipërfaqe rreth 26,8 hektarësh.

Edhe pse në përfundim të punimeve, liqeni i Belshit po kthehet në një destinacion turistik jo vetëm për banorët e zonës, por për qytetarët nga i gjithë vendi.

Pjesë e një projekti modern, i cili po zbatohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, me financimin e qeverisë shqiptare synon ta transformojë në një zonë në shërbim të komunitetit.

Punimet parashikojnë: rikonstruksionin e rrugës hyrëse të qytetit; që përfshin ndërtimin e trotuareve, instalimin e sistemit të ndriçimit, gjelbërim dhe sinjalistikën rrugore, ndërtimi i pedonales dhe korsisë së biçikletave buzë liqenit, ndërtimi i vendeve të parkimit, hapësira rekreative.

Qyteza buzë liqenit mirëpret vizitorë duke kombinuar natyrën e rrallë, me kulinari karakteristike dhe bio të zonës, si dhe shëtitjet pranë pedonales./

Vijon transformimi në Belsh, nga një gropë e zymtë në destinacion të ri turistik Read More »

Veliera turistike “Sea Cloud” për të tretën herë në Durrës

Veliera “Sea Cloud” me 61 turistë të huaj në bord ka mbërritur sot paradite në portin e Durrësit.

Ajo ka lundruar gjatë natës së kaluar nga Saranda drejt Durrësit dhe në mbrëmje do të vijojë drejt Dubrovnikut (Kroaci).

Nga të dhënat e agjencisë së lundrimit “Intermed Shiping ” mësohet se veliera “Sea Cloud” që nga fillimi i këtij sezoni turistik vjen për të tretën herë në port.

Veliera që vjen në Durrës prej 8 vitesh u ankorua në kalatën 5 të portit më të madh të vendit. 55 nga turistët vijnë nga SHBA, ndërsa të tjerët nga Kanadaja, Britania e Madhe, Gjermania dhe Hollanda.

Veliera po zhvillon një tur 10-ditor në brigjet e Jonit dhe Adriatikut, duke u ndalur në disa porte të Greqisë, Shqipërisë, Malit të Zi dhe Kroacisë.

Veliera “Sea Cloud” me një personel prej 58 vetësh ka një gjatësi 110 metra dhe është e regjistruar në portin e La Valetas./atsh

Veliera turistike “Sea Cloud” për të tretën herë në Durrës Read More »

Festivali i Bashtovës, Margariti: Festë për të mos u humbur

“Bashtova Festival” do të dhurojë për tri netë muzikën më të bukur në magjinë e natyrës në Kalanë e Bashtovës në Shqipëri.

Në fund të këtij muaji, në Bashtovë do të mblidhen shumë artistë të njohur nga Kosova dhe Shqipëria për të performuar në netët e bukura të këtij festivali.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti thotë se Festivali i Bashtovës është një festë për të mos u humbur. “Ruani datat 30, 31 gusht e 1 shtator dhe shijoni natyrën magjepsëse nën tingujt e muzikës”, – thotë ministrja.
Ky festival, i cili është i ndërtuar me fokus mjedisin dhe trashëgiminë e që synon të ofrojë shkëputje për tri ditë nga jeta dinamike urbane.

Në Kalanë e lashtë të Bashtovës do të performojnë artistë të veçantë të muzikës shqiptare, e ndër ta edhe Dren Abazi, grupi “Asgjë Sikur Dielli”, Shpat Deda e Genc Salihu. Festivali ‘Bashtova Festival 2019′ do të mbahet nga 30 gushti deri më 1 shtator. /atsh

Festivali i Bashtovës, Margariti: Festë për të mos u humbur Read More »

Buzëqeshje nga Shqipëria/ Potencialet turistike të Kukësit gjithnjë e më të kërkuara

Kukësi po merr gjithnjë e më tepër vëmendjen e turistëve që po shfrytëzojnë potencialet e kësaj zone. Kryeministri Edi Rama solli në vëmendje atraksionet turistike të qarkut të Kukësit, ndërsa publikoi pamje të turistëve që kanë mbushur zonën.

“Me buzëqeshjen e Shqipërisë në qarkun Kukës, ju uroj një të dielë të qetë”, tha kryeministri Rama.

Turistët shprehen të kënaqur që ndodhen në Shqipëri dhe se e duan këtë vend. Ata mirëpriten nga të rinjtë e “Smile Albania” në rrugëtimin e tyre në atraksionet turistike të zonës.

Qarku i Kukësit ka një mori destinacionesh që me Valbonën e deri tek ngjitja në male. /atsh

blob:https://www.facebook.com/299a40c6-c98b-4ac5-9695-a6d19c8a1597

Buzëqeshje nga Shqipëria/ Potencialet turistike të Kukësit gjithnjë e më të kërkuara Read More »

Veliera e lashtë nga Katari mbërrin në portin e Durrësit, atraksion për qytetarët dhe turistët

Veliera e lashtë nga Katari, e konsideruar një muze në miniaturë mbi trashëgiminë e detarisë në Katar kreu ndalesën e dytë në vendin tonë në portin e Durrësit, pas Sarandës.

Veliera “Fateh Al Khair 4”, e cila do të jetë e disponueshme të vizitohet nga qytetarët promovon kampionatin botëror të Futbollit, Katar 2022. Në mbërritjen e saj në portin e Durrësit, veliera u prit nga kryetarja e bashkisë, Valbona Sako si dhe një grup deputetësh.

Me rastin e ardhjes së anijes në portin e Durrësit u organizua edhe një concert, ku pranishëm ishte edhe ambasadori i Katarit në vendin tonë.

Banorët e Durrësit dhe turistët e pranishëm në pritje, do të kenë mundësinë të hyjnë dhe të shohin nga brenda anijen, ku do të njihen me velierën, si dhe me kulturën detare të Katarit.

Anija e llojit “Boom Safari” është e punuar prej druri, me gjatësi 110 këmbë dhe gjerësi 27 këmbë dhe me kapacitet mbajtës prej 200 tonësh.atsh

Veliera e lashtë nga Katari mbërrin në portin e Durrësit, atraksion për qytetarët dhe turistët Read More »

Jahti gjigand nga Katari viziton portin e Sarandës

Jahti luksoz “KATARA”, në pronësi të ish-Emirit të Katarit Hamad bin Khalifa Al Thani ka vizituar në fundjavë qytetin bregdetar të Sarandës.

“Me gjatësi 124 metra i gjatë ai është një nga jahtet më të mëdha luksoze private në botë.
Sheik Hamad bin Khalifa Al Thani, lindur më 1 janar 1952 është ish-Emir i Shtetit të Katarit. Ai ishte Emir nga 1995 deri në 2013. Sheik Hamad ishte trashëgimtari i Katarit midis 1977 dhe 1995”, bën të ditur sot porti i Sarandës.

Kjo nuk është hera e parë që miliarderë nga bota mbërrijnë në bregdetin jonian shqiptar.

Në qytetin bregdetar të Sarandës gjatë muajve janar-korrik të këtij viti vihet re një fluks i kroçerave dhe jahteve turistike. Gjatë kësaj periudhe në port janë ankoruar 800 jahte turistike. /atsh

Jahti gjigand nga Katari viziton portin e Sarandës Read More »

The Independent: Shqipëria, mes destinacioneve origjinale për t’u vizituar

Portali nga Singapori “The Independent” ka renditur Shqipërinë mes destinacioneve origjinale që duhen vizituar si Bolivia, Haiti apo Madagaskari.

Malet e thepisura, rrënoja historike mbresëlënëse dhe ujëra blu janë vetëm disa prej gjërave që Shqipëria mund të ofrojë.

Ndërkohë që Europa është një destinacion turistik popullor, Shqipëria vetëm kohët e fundit i është hapur vizitorëve të huaj. Nëse ju shijon të ngjisni majat, pamjet panoramike që të lënë pa frymë, kështjella të vjetar dhe zona arkitekturore, ia vlen të vizitohet ky vend relativisht me pak turistë.

Madje shumë nuk e dinë që Shqipëria është shtëpia e një zone të shpallur trashëgimi të UNESCO, qyteti i mrekullueshëm i Butrintit, ku gjenden rrënoja greke dhe romake.

Disa prej zonave më të mrekullueshme që mund të bëni në Shqipëri është një udhëtim nëpër Alpe, të cilët mbajnë edhe emërtimin e mistershëm Bjeshkët e Namuna.

Vizitoni fshatrat e Valbonës dhe të Thethit, ku banorët e zonës mund t’ju lejojnë të qëndroni dhe të hani me ata.

Për të shijuar flladin e detit dhe ujëra blu, vizitoni brigjet shqiptare të Adriatikut si dhe shëtisni nëpër plazhet fantastike të Sarandës dhe Vlorës. /atsh

The Independent: Shqipëria, mes destinacioneve origjinale për t’u vizituar Read More »