Turizem

Sarandë/ Takim përgatitor për masat e sezonit të ardhshëm turistik

Ende pa u mbyllur viti turistik 2019, bashkia e Sarandës dhe kryetari i saj, Adrian Gurma, inicuan një bashkëbisedim me operatorë turistikë të Njësisë Administrative Ksamil dhe subjekte të shërbimeve mbështetëse, me sloganin “Suksesi i sezonit turistik 2020, nis sot!”.

Kreu i Bashkisë Adrian Gurma tha se është i prirur t’u japë ritëm të ri punëve dhe kjo është duke ndodhur, pasi ndërkohë që Ksamili vazhdon të trajtojë turistë, sidomos të huaj, shikimi dhe mendimi shkon tek vera që presim. Ai ka nënvizuar se Bashkia gjatë 2020 do të ofrojë partneritet të vërtetë me biznesin, duke iu gjendur pranë jo vetëm me komunikim, por edhe me zgjidhje optimale, që do të jepen pa zvarritje burokratike.

Nga ana tjetër, Kryebashkiaku Gurma tha se do të ketë një rigorozitet maksimal në zbatimin e marrëveshjeve që lidhen dhe sanksione deri në anullim të tyre, në rast se ato shkelen. “Bashkia, në të gjitha stafet dhe drejtoritë përkatëse, deri në ato të varësise, – siguroi bizneset zoti Gurma – do të jenë të hapur dhe të disponueshëm për të ofruar dhe bërë me të mirën, pasi ky është interesi i përbashkët”.

Nga të pranishmit kapja e momentit, kjo mënyrë e re komunikimi dhe ofrimi, u vlerësua si një hap që hidhet për herë të parë nga ana e Bashkisë dhe se kështu fitohet mjaft kohë për të nisur sa më herët punët për përgatitjen e sezonit të ri turistik 2020.

Biznesmenë dhe operatorë turistikë që e morën fjalën, sollën praktikat më të mira të punës manaxheriale gjatë një viti që u vecua si më i miri, ndërkohë që nuk u lanë pa thënë mungesat apo pikat e dobëta që u vunë re.

Lidhur ngushtë me këto problematika, biznesmenët dhe operatorët ksamiliotë bënë sugjerime konkrete për investimet që me përparësi duhet të zënë vend në projektbuxhetin e Bashkisë për 2020, që është duke u hartuar. /atsh

Sarandë/ Takim përgatitor për masat e sezonit të ardhshëm turistik Read More »

Shqipëria, destinacion i turistëve gjermanë edhe në tetor

Ditët me diell të muajit tetor dhe ardhja e stinës së vjeshtës ka bërë që vendi ynë të ketë një fluks turistësh të huaj të cilët po shijojnë gjatë këtyre ditëve bukuritë e peizazheve tona natyrore.

Mali i Dajtit është vizituar dje nga një grup i madh turistësh nga Gjermania të cilët kanë shijuar këtë vend. Gjithashtu ata kanë vizituar dhe qendrën e vizitorëve ku janë njohur nga afër me larminë e biodiversitetit që Mali i Dajtit ofron.

Turistët gjerman gjithashtu shijuan dhe ecjen në këmbë në shtigjet dhe bukuritë natyrore që kjo zonë ofron tani në stinën e vjeshtës.

Mali i Dajtit me peizazhet pyjore të ahut, dushkut, gështenjave, qershive, frashërit, pishave të zeza, të fton të shkëputesh tërësisht nga jeta urbane e Tiranës për t’u bërë pjesë me natyrën.

Gjithashtu ky vend i përcjell turistëve një pamje spektakolare ku në perëndim ata shijojnë ngjyrat e qiellit që mbi 1000 metër lartësi, ofrojnë një spektakël të mahnitshëm.

Eksplorimi dhe turizmi i aventurës në vitet e fundit në Shqipëri po kthehet në një atraksion mjaft interesant për vizitorët e huaj, kjo dhe për shkak të terrenit mahnitës dhe të shumëllojshëm që ofron vendi ynë. /atsh

Shqipëria, destinacion i turistëve gjermanë edhe në tetor Read More »

Shqipëria në panairin më të madh aziatik për turizmin, ITB Asia 2019

Shqipëria, pas disa vitesh mungesë, rikthehet në panairin më të madh aziatik për turizmin ITB Asia 2019, të zhvilluar në Singapor.

“Shqipëria përfaqësohet në ITB Asia 2019, mes interesit të tur operatorëve dhe vizitorëve, në një nga panairet më të rëndësishme për tregun aziatik të turizmit me synimin për t’u bërë një destinacion edhe për kontinentin e largët”, – thotë ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi.

Muaji gusht shënoi rekordin e ri në turizëm, plot 1 milion turistë të huaj kanë hyrë në Shqipëri, në vetëm 1 muaj. Fakt, që dëshmon shifrat gjithnjë e në rritje të turistëve, që zgjedhin plazhet e Shqipërisë për të kaluar pushimet verore./atsh

Shqipëria në panairin më të madh aziatik për turizmin, ITB Asia 2019 Read More »

Fluks turistësh në Krujë, vetëm në një ditë 2100 vizitorë

Rreth 2100 turistë vendas e të huaj vizituan ditën e djeshme qytetin e Krujës, 32 km larg nga kryeqyteti, Tirana.

Shumica e vizitorëve ishin nga Kosova dhe Kina, por nuk munguan edhe turistë nga vende të ndryshme si Italia , Polonia, Zvicra, etj.

Përgjegjësi i Zyrës së Turizmit në bashkinë Krujë, Drini Masha, tha sot për ATSH-në se “gjatë muajve shtator-tetor në qytetin e Krujës, pas përfundimit të sezonit të verës ka pasur një dyndje të turistëve në qytetin e Krujës”.

“Turistët kanë shfaqur shumë interes për kulturën dhe historinë e popullit tonë gjatë vizitës në Muzeun Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” dhe Muzeun Etnografik Krujë”-, thekson Masha.

Sipas tij, Kruja ka një turizëm gjithëvjetor, pasi është e favorizuar nga vlerat që mbart, por edhe nga vendndodhja.

Në gjashtë mujorin e parë të 2019 muzetë e Krujës janë vizituar nga 43 mijë vizitorë.

Muzeu i Krujës ndodhet në një pikë piktoreske të qytetit dhe vizitorët nuk e anashkalojnë asnjëherë një vizitë në të, ndërsa ndodhen në qytetin e Krujës, për të parë Pazarin apo kalanë./atsh

Fluks turistësh në Krujë, vetëm në një ditë 2100 vizitorë Read More »

Shqipëria, ndër destinacionet turistike më të kërkuara nga italianët

Shqipëria hyn me të drejtë mes destinacioneve më të kërkuara turistike nga italianët.

Numri i vizitorëve vitet e fundit po rritet në mënyrë të vazhdueshme, me ritme të rëndësishme rritjeje sipas statistikave të fundit dhe sipas Federatës Italiane të Shoqatave të Biznesit, Udhëtimit dhe Turizmit.

Prezantimi i Shqipërisë operatorëve turistikë italianë është në qendër të një aktiviteti që do të zhvillohet në 19 tetor mes operatorëve turistikë italianë dhe institucioneve shqiptare dhe agjencive turistike shqiptare. Ndër organizatorët janë Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, shoqata kombëtare italiane e operatorëve dhe agjencive turistike Fiavet si dhe Agjencia Albania Viaggi në Vlorë.

“Shqipëria, – thotë presidenti puljez i Fiavet, Piero Innocenti, – tregon norma të jashtëzakonshme të rritjes, nëse mendoni se deri para disa vitesh vendi jetonte nën hijen e shumë realiteteve të tjera të Europës Jugore. Sot është një kandidat për të qenë një nga destinacionet më të rëndësishme turistike në pellgun e Mesdheut. Ato janë tregues të rëndësishëm që bëhen mundësi që të kapen edhe nga agjentët e udhëtimit”.

Albania Viaggi Tour Operator pret rreth 50 agjenci udhëtimi, operatorë italianë turistikë dhe agjenci detare dhe është pjesë e organizimit të një eventi të rëndësishëm, falë rrjetit të dendur të bashkëpunimit dhe vlerësimit të ndërsjellë të konsoliduar ndër vite me qëllimin e përbashkët për të promovuar Shqipërinë me një shkëlqim gjithnjë e më të madh dhe për të ofruar një profesionalizëm gjithnjë e më të madh në turizëm./atsh

Shqipëria, ndër destinacionet turistike më të kërkuara nga italianët Read More »

Janar-gusht/ Mbi 115 mijë turistë gjermanë vizituan Shqipërinë

Shqipëria tashmë është kthyer në një destinacion të preferuar turistik për vizitorët nga e gjithë bota.

Pasuritë e vendit tonë po zgjojnë kureshtjen e vizitorëve të huaj përherë e më shumë.

Në rastin e shtetasve gjerman, shifrat e publikuara nga Instituti i Statistikave (INSTAT), përmes raportit mbi lëvizjen e shtetasve, tregojnë se vetëm në dy vitet e fundit numri i vizitorëve është rritur ndjeshëm.

Nga 102 mijë shtetas gjerman që numëroheshin të kenë hyrë në vendin tonë për periudhën janar-gusht të vitit 2018, në 8-mujorin e këtij viti kjo shifër arriti mbi 115 mijë.

Eksperienca e veçantë që u ofrohet vizitorëve nëpërmjet mundësive për argëtim, e ndërthurur me bukuritë natyrore të vendit tone, ka ndikuar pozitivisht në rritjen e numrit të turistëve ndër vite.

Numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në vendin tonë përgjatë tetë muajve të 2019 është rreth 4.9 milion, duke u rritur me 10.8%, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2018./atsh

Janar-gusht/ Mbi 115 mijë turistë gjermanë vizituan Shqipërinë Read More »

Liqeni i Dushkut si destinacion turistik i fundjavës

Liqeni i Dushkut ose siç njihet ndryshe Liqeni i Zambakëve ndodhet në afërsi të fshatit Lenie, në lartësinë 1105 metra mbi nivelin e detit.

Ky liqen është nga më interesantët në zonën e Gramshit. Liqeni i Dushkut përfaqëson një liqen akullnajor me gjatësi rreth 800 metra dhe gjerësi 400 metra. Ka botë të gjallë të pasur, në të cilën dallohen sidomos zambakët e mëdhenj të ujit që njihen ndryshe si simboli i jetës, pasionit, dashurisë dhe pastërtisë.

Gjenden edhe lloje të ndryshme peshqish të cilët japin një shfaqje të mrekullueshme teksa shfaqen dhe zhduken përsëri pas zambakëve.

Duket sikur këtë liqen e ruajnë shumë mirë dhe i japin pamje akoma dhe më të bukur pishat të cilat gjenden në një sipërfaqe rreth 12 hektar duke formuar një ekosistem tepër interesant liqenor e pyjor. Ka vlera shkencore gjeologjike, gjeomorfologjike, hidrologjike e biologjike, didaktike, kulturore, ekologjike dhe turistike.

Periudha e Pranverës dhe e Verës janë më të përshtatshme për të vizituar këtë mrekulli natyrore. /atsh

Liqeni i Dushkut si destinacion turistik i fundjavës Read More »