Turizem

Klosi: Mënyrat se si do e shpëtojmë turizmin shqiptar

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi gjatë një interviste televizive renditi disa arsye, që sipas tij, do të mundësojnë shpëtimin e turizmit shqiptar këtë sezon veror të pazakontë për shkak të COVID-19.

“Ne kemi mundësi që 2020 ta shpëtojë turizmin shqiptar për disa arsye. Ne kemi akoma 80 për qind të turistëve që vijnë në rrugë tokësore. Kemi një avantazh me vendet e rajonit sa i përket hotelerisë, pasi kemi hotele të vogla, familjare. Greqia po mendon të mos i hapë fare strukturat e mëdha hoteliere që janë të vështira për t’u menaxhuar. Me hotelet e vogla kemi më shumë mundësi menaxhimi. Shqipëria është marrë si një rast pozitiv në trajtimin e situatës me COVID”, u shpreh Klosi.

Gjithashtu Klosi tha se nëse do hapen plazhet, do kemi distancim social dhe masa të shtuar për qytetarët.

“Ne kemi bërë gati së bashku me Ministrinë e Shëndetësisë një material rregullash nëse plazhi do hapet. Problematikat e higjienës, distancës së çadrave, në hotele etj. Kemi marrë modelet që ka realizuar Italia, Kroacia dhe Turqia. Do kërkohet të paktën distancë tre metra në horizontal. Baret dhe restorantet të mos kenë aktivitete masive, reduktim në maksimum i festave”, tha Klosi. //atsh

Klosi: Mënyrat se si do e shpëtojmë turizmin shqiptar Read More »

Turizmi shqiptar në median japoneze: Shqipëria eksperiencë mahnitëse, një vend ende i paeksploruar

A e njihni Shqipërinë?, pyet shkrimtari japonez, Mizuho Ota në një shkrim për ”Asahi Shinbun”, një nga dy gazetat kryesore japoneze, me një tirazh prej 10 milionë kopjesh.

”Shqipëria është një vend i vogël në Gadishullin e Ballkanit, në Europën Lindore. Shqipëria, që ka qenë një vend i izoluar për një kohë të gjatë, po përjeton aktulisht një rritje të madhe në aspektin turistik, por popullariteti i saj në Japoni është akoma i ulët. Mizuho Ota ishte mahnitur kur vizitoi Shqipërinë dhe shkroi këtë artikull në tri pjesë për të prezantuar Shqipërinë dhe për të shkëmbyer përvojën e tij. Pjesa e parë ka të bëjë me Tiranën, kryeqytetin e vendit.

Parqe të bukura dhe një kulturë unike historike

A do të dinit të përgjigjeshit nëse pyeteni “Ku ndodhet Shqipëria?” Ajo ndodhet në pjesën jugperëndimore të Ballkanit, me Greqinë në jug dhe Italinë në perëndim. A nuk është e pazakontë të mos e njohësh këtë vend, që rrethohet nga fuqi të tilla destinacionesh turistike? (shumë vetë e ngatërrojnë Shipërinë me Armeninë, por Armenia është larg, në Lindje, midis Detit të Zi dhe detit Kaspik).
Edhe pse nuk mund të jetë vendi i parë që ti mendon si një destinacion turistik, Shqipëria është e pasur me site të trashëgimisë botërore dhe parqe të bukura kombëtare dhe ka një kulturë dhe një histori unike. Kam vizituar Shqipërinë rastësisht në vitin 2018, por më pas e vizitova përsëri në vitin 2019 vetë dhe tani ajo është bërë një nga destinacionet e mia të preferuara.

Kur zbrita për herë të parë në aeroportin e Tiranës, ndjeva se ishte i ngjashëm në madhësi me një aeroport rajonal në Japoni. Ishte e mbështjellë me ajër të freskët dhe qielli ishte blu, rrethuar nga malet që dukeshin në largësi.

Të sjellshëm dhe miqësorë

Sapo hipa në autobusin që lidh aeroportin me Tiranën, një burrë i ulur pranë meje më pyeti se nga vija. Ai ishte trupmadh dhe goxha i bëshëm, por çuditërish toni i tij ishte shumë miqësor dhe i shoqëruar me një buzëqeshje të zgjatur. ” Nga Japonia? Kur kam qenë fëmijë kam jetuar në Greqi dhe kam parë shumë japoneze!” Ai më tha se quhej Ilir, se punonte si guidë turistike dhe se po kthehej në Tiranë pasi kishte përcjellë një mik.

“Emri Ilir vjen nga Iliriya, që tregon Shqipërinë në gjuhën tonë. Diçka për të vizituar në Tiranë do të rekomandoja Bunk’Art. Unë mendoj se do ta shijoni. Gjithashtu ka një teleferik aty pranë që mund ta merrni për të shijuar pamjen nga maja e malit”, shtoi ai.

Ai me mirësi filloi të më shpjegonte mua për Shqipërinë dhe kur mbërritëm në Tiranë, më tha se po shkonte nga gjyshja.

”Shijojeni Shqipërinë!”, më tha, ndërsa zbriti shpejt e shpejt nga autobusi.

Gjatë dy javëve në vazhdim që udhëtova nëpër Shqipëri, takova njerëz të panumërt si Iliri. Një nga tërheqjet më të mëdha të Shqipërisë është se ajo ka kulturë në mikpritjen e të huajve, duke i mirëpritur dhe respektuar jashtëzakonisht kudo që ata shkojnë.

Qyteti ku jetojnë një e treta e shqiptarëve

Tirana është e vendosur në brendësi rreth 30 kilometra larg detit Adriatik, është një qytet i madh me rreth 800 000 banorë, përfshirë rrethinat e saj, afër një e treta e tërë popullsisë.

Thënë kjo, ajo ka pak zinxhirë dyqanesh globale, e lëre më rrokaqiej. Shenjat e ”McDonald” dhe ”Starbucks”, të përhapura në çdo qytet tjetër në botë, këtu mungojnë. Por, unë e shoh atë tërheqëse, ndërsa shëtisja përgjatë ndërtesave shumëngjyrëshe të stilit perëndimor me dekorime dhe ndërtesa të stilit komunist me dizajn linear minimalist.

Për periudha të gjata kohore Shqipëria ka qenë e sunduar nga fuqi të mëdha si perandoritë Romake dhe Osmane. Pas Luftës së Dytë Botërore, Shqipëria, nën regjimin komunist, filloi një periudhë izolimi që zgjati për gati 50 vjet. Mbetjet nga ato periudha mund të shihen në të gjithë qytetin dhe janë një nga kënaqësitë e ecjes nëpër Tiranë.

Në qendër të qytetit është sheshi ”Skënderbej” i rrethuar nga Muzeu Kombëtar dhe Opera. Sheshi mban emrin e Skënderbeut, heroit kombëtar që luftoi kundër turqve në shekullin XV dhe ishte në gjendje të fitonte pavarësinë e Shqipërisë nga Perandoria Osmane. Statuja madhështore e tij mbi kalë, është e vendosur në qendër të sheshit.

Sapo të largoheni nga qendra e qytetit atmosfera ndryshon, me ndërtesa të vjetra dhe të mbushura me njerëz. Shumë mure po shemben dhe rrugët kanë edhe probleme, por kudo është pastër, me fëmijë duke luajtur dhe njerëz që shesin perime dhe fruta në anë të rrugës. Si turist ndihem i sigurt. Lypësit e zakonshëm që i gjeni në qytete të mëdha europiane, këtu pothuajse mungojnë.

Një pjatë plot me djathë të bardhë dhe kos

Nëse jeni lodhur duke ecur, mund të porosisni një kafe ekspres ose një birrë në një kafene dhe të kënaqeni duke shikuar njerëzit që po kalojnë.

Kafenetë, restorantet dhe dyqanet që shesin byrekë me djath apo mish, janë kudo në qytet dhe janë plot me njerëz që bisedojnë me njëri-tjetrin.

Kuzhina shqiptare, e cila kombinon shijet greke dhe turke, përdor djath të bardhë, ullinj dhe kos dhe është mjaft e shijshme. Ndihesh mirë duke ngrënë qebap që piqet përpara dyqanit, bashkë me një gotë birrë ose dhallë. Ju gjithashtu mund të shijoni ushqim autentik italian, siç janë makaronat e bëra në shtëpi dhe picat e pjekura në furrë me çmime të arsyeshme.

Strehimi antibërthamor shndërrohet në muzeun “BUNK’ART 1”

BUNK’ART1, i rekomanduar nga Iliri, është rreth 30 minuta nga qendra e qytetit me autobus. Gjatë epokës komuniste rreth 180 000 bunkerë u ndërtuan në të gjithë vendin në përgatitje të një lufte bërthamore, dhe madje edhe sot, bunkerët hemisferikë si enët e përmbysura janë kudo.

Bunkeri i përdorur për “BUNK’ART 1” ishte më i madhi prej tyre, i ndërtuar për të strehuar zyrtarët e lartë të qeverisë.

Streha bërthamore është e madhe, ajo shtrihet për pesë nivele nëntokësore me dhoma të vogla të panumërta në brendësi, të ngjashme me një tunel, ku shfaqen materiale historike nga koha. Vlen të vizitohet, por në varësi të kohës, vizitorët mund të jenë të pakët. Tuneli i gjerë nëntokësor është plot tinguj nga një kohë e kaluar dhe me manekinët e vërtetë, të shpërndara përreth mund të jenë një përvojë mjaft e frikshme. Për një përvojë më të zbutur mund të vizitoni “BUNK’ART 2” në zemër të Tiranës.

Për një çerek ore më këmbë mund të shkosh nga ky muze te teleferiku “Dajti Ekspres”, për t’u ngjitur në majën e malit të Dajtit dhe për të parë Tiranën nga lart.

Nga këtu ju mund të shihni shtëpitë dhe natyrën të ndërthurura së bashku, çka rrit frymëzimin tuaj të aventurës. Unë e rekomandoj fuqimisht vizitën në perëndim të diellit, kur ju mund ta shihni qytetin të përflakur nga ngjyrat e kuqe të ndezura./atsh

Turizmi shqiptar në median japoneze: Shqipëria eksperiencë mahnitëse, një vend ende i paeksploruar Read More »

Distancim fizik edhe në … plazh!

Në Spanjë, destinacioni veror më i frekuentuar nga turistët ndërkombëtarë, rregullat e distancimit mes personave, për të për të shmangur përhapjen e koronavirusit, do të duhet të qëndrojnë në fuqi këtë verë edhe në plazh, paralajmëroi të sot ministri spanjoll i Turizmit.

“Është shumë e rëndësishme që rekomandimet shëndetësore të mirëmbahen, ne do të duhet vazhdojmë masat që po bëjmë aktualisht, larjen e duarve, distancën sociale … Madhe edhe në plazhe”, deklaroi Reyes Maroto, i pyetur për një kufizim të mundshëm të aksesit në plazhe gjatë sezonit të verës.

“Derisa të kemi një vaksinë, asgjë nuk do të jetë njësoj si më parë. Grumbullimet do të duhet të jenë të kufizuara për të ruajtur distancën e sigurisë,” shtoi ajo, në një intervistë të botuar nga e përditshmja “El Pais”.

Plazhet janë mbyllur aktualisht në kuadrin e kufizimeve të rrepta që janë vendosur që prej 14 marsit dhe që janë zgajtur të paktën derim më 25 prill.

Kufijtë tokësorë janë mbyllur gjithashtu.

“Çështja e kufijve do të zgjidhet në funskion të zhvillimit të krizës shëndetësore. Nuk kemi një datë të saktë për rihapjen e tyre”, shtoi ministri.

Spanja, që është një nga vendet më të prekur nga pandemia me rreth 17 000 të vdekur, është destinacioni i dytë turistik botëror pas Francës dhe turizmi ndikon rreth 12% të PBB-së.

Vitin e kaluar, vendi ka pritur rreth 84 milionë turistë, një rekord./atsh

Distancim fizik edhe në … plazh! Read More »

Nga agjencitë turistike, te taksitë dhe linjat urbane/ Qeveria mbështetje financiare bizneseve të vogla, kategoritë përfituese në paketën e zgjeruar

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “fillimjavën e ardhshme do të publikohet paketa e zgjeruar e mbështetjes financiare, për të lehtësuar drejtpërdrejtë bizneset e vogla që edhe pse nuk u mbyllën gjatë kësaj periudhe, u goditën ndjeshëm në xhiron e tyre si pasojë e luftës”.

Rama tha se disa nga këto kategori janë “agjencitë turistike, rrobaqepësitë e mobilieritë e vogla, hidraulikët, elektricistët, shërbime fizioterapi, kancelari, servise makinash e lavazhe të licencuar, etj., përfshirë edhe shoferët e taksive e të linjave të transportit urban e punonjësit e tyre”.

“Punonjësit e bizneseve të mëdha, që bazuar në listëpagesat e fundit, figurojnë të goditur nga lufta në vendin e tyre të punës, të cilëve do t’u sigurojmë mjetet e nevojshme financiare të rezistencës për dyzetë ditët vendimtare në vijim – duke mbajtur parasysh se një pjesë e madhe e tyre mund të rikthehen në punë deri në fund të majit dhe se paketa mund të rizgjerohet, sipas dinamikës e nevojave të luftës në 10-ditëshin e fundit të muajit maj”, tha ai.

Po ashtu, Rama tha se “në paketë përfshihen edhe sektorët e turizmit e të industrisë fason dhe njësitë prodhuese në tërësi”./atsh

Nga agjencitë turistike, te taksitë dhe linjat urbane/ Qeveria mbështetje financiare bizneseve të vogla, kategoritë përfituese në paketën e zgjeruar Read More »

Shqipëria turistike/ Ambasadorja Kim takim virtual për njohjen e qyteteve

Gjatë javëve në vijim, Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim do takohet virtualisht me drejtues në mbarë vendin, për të dëgjuar mbi zhvillimet në rajonet e tyre.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka ftuar sot të gjithë qytetarët shqiptarë që të dërgojnë foto nga qytetet ku jetojnë, në mënyrë që edhe në këtë kohë të distancimit social, ambasadorja Kim të mund të njohë më tepër Shqipërinë.

“Në këtë periudhë të COVID-19, kur nuk është e mundur të dalësh, ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim nuk dëshiron që distancimi social ta pengojë atë së mësuari më shumë mbi Shqipërinë”, thekson ambasada e SHBA.

“Gjatë javëve në vijim, ajo do takohet virtualisht me drejtues në mbarë vendin, për të dëgjuar mbi zhvillimet në rajonet e tyre’, shprehet ambasada e SHBA.

“Duke qenë se Ambasadorja Kim nuk mund të vijë tek ju për momentin, a mund të na ndihmoni për të sjellë rajonin tuaj pranë saj? Ndani me ne një foto nga celulari juaj të komunitetit ku jetoni dhe tregojini Ambasadores se çfarë duhet të shohë kur të vizitojë qytetin tuaj. Qyteti i parë: Shkodra!”, thekson ambasadorja e SHBA./atsh

Shqipëria turistike/ Ambasadorja Kim takim virtual për njohjen e qyteteve Read More »

”Turizmi rikuperohet më shumë se çdo sektor tjetër”, Klosi: Mbi 3 mijë biznes përfitojnë nga ulja e TVSH-së 6%

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, u shpreh sot se, është e vështirë të flasësh për shifra konkrete të dëmeve në turizëm, nga situata e COVID-19.

“Kërkohen shifra ne situata kur ne jemi duke përpunuar skenarë të mundshëm se sa i goditur është turizmi. Unë nuk mendoj që turizmi s’do pësojë goditje. E ndaj këtë shqetësim me operatorët çdo ditë. Është një sektor shumë i goditur por shikohet me përparësi sepse është sektori që mund të rikuperohet më shumë se çdo sektor tjetër”- tha Klosi.

Sipas tij, turizmi nuk është problematikë e momentit, por e gjithë sezonit që do vijë se goditet i gjithë viti.

“Shpresojmë që problematika të mbyllet brenda muajit prill dhe me shumë pozitivitet shpresojmë disa statistika brenda sezonit. Nuk do kapim dot shifrat e vjetshme, por ne kemi punuar që të rikuperojmë sa të mundemi këtë sezon”, tha Klosi.
“E para është aktualiteti, momenti i vështirë dhe problemi më i madh çfare do bëjmë të kapim aq sa të kapim nga sezoni, se është nga ato sektorë që mund të fusë më shumë para cash nga jashtë se çdo sektor tjetër. Edhe kriza greke pati një rikuperim falë turizmit’- tha Klosi.
Ai njoftoi se me ministrin Ahmetaj po përgatisim disa skenarë që do ja paraqesim kryeministrit për të marrë një vendim në paketën 2 që do mbështesi ekonominë afatgjatë.
“Nëse ky sektor falimenton dhe i vë drynin, ne do kemi problematika të mëdha në sezon. Ne kemi shumë mundësi që nëse bashkëpunojmë fort dhe të çojmë propozime te kryeministri. Lekët janë një mënyrë, por politika janë mënyra tjetër”- deklaroi ai.
“Ka shumë sektorë që goditen, jo vetëm hotelet e mëdha. Jane 3 087 subjekte që përfitojnë 6 % e akomodimit, një pjesë e tyre janë biznes i vogël, por edhe për sa i përket biznesit të madh, kjo është situata në Shqipëri. Kontratat janë të ngrira, por jo të anuluara. Akoma ka shpresë që ky sektor të prodhojë për ekonominë shqiptare. Ne duhet ta ruajmë shumë mirë aleancën me kolegët”- tha Klosi.
Sipas tij, me një ndërhyrje të re duhet t’i paraqesim disa skenarë Kryeministrit, duke mbajtur komunikimin me kolegët, që kanë të bëjnë jo vetëm me para por edhe politika që sektori të mbijetojë dhe të shpëtojë./atsh

”Turizmi rikuperohet më shumë se çdo sektor tjetër”, Klosi: Mbi 3 mijë biznes përfitojnë nga ulja e TVSH-së 6% Read More »

Media prestigjioze spanjolle: Shqipëria sekreti i fundit i Europës

Shqipëria është sekreti i fundit i Europës, shkruan gazeta prestigjioze spanjolle ”El Pais”, që i ka kushtuar një reportazh të gjatë Shqipërisë.

”Turistët spanjollë të moshës së tretë kujtojnë se, për shumë dekada, në pasaportat e tyre shkruhej: E vlefshme për të gjitha vendet, përveç Shqipërisë, Koresë së Veriut dhe Mongolisë”.

Për më të interesuarit, kjo pengesë ka ngjallur një kuriozitet për të zbuluar se çfarë fshiheshin në këto vende të ndaluara. Një nga këto vende të ndaluara, më e afërta gjeografikisht ishte pikërisht Shqipëria, e cila deri vonë kishte mbetur larg hartës turistike.

Pas dekadash izolimi, vendi ballkanik i shfaqet botës me një miks të parezistueshëm plazhesh, pyjesh dhe qytetesh, arkitektura e të cilëve është një përzierje e asaj shqiptare dhe otomane.

Tani shqiptarët duan të prezantohen para botës me bukuritë e tyre natyrore dhe kulturore. Dhe këto bukuri duhet t’i prezantojnë para se vendi të përfshihet nga turizmi masiv.

Dekada izolimi e kanë bërë Shqipërinë me një madhësi pak më të vogël sesa Katalonja apo Galicia, një vend ndryshe nga pjesa tjetër e fqinjëve të tij në Ballkan.

Nuk është destinacion për ata që kërkojnë shumë komoditete dhe nuk është udhëtim pa ngjarje të papritura. Por, mbase është kënaqësi të shndërrosh një udhëtim, në një aventurë të vogël.

Kështu ndërsa do të kapërcejmë territoret malore përmes rrugëve dredha-dredha, do të shikojmë një bregdet të egër, do të shëtisim nëpër disa qytete që janë si një mozaik venecian i kishave bizantine me afreske, xhami, teqe bektashiane, shtëpi të bardha osmane, kombinatet e vjetër të epokës sovjetike dhe shumë bunkerë të vegjël.

Por, pa dyshim, zbulimi më befasues janë 400 kilometrat e bregdetit piktoresk, ku rëra e Adriatikut bashkohet me gurët e plazheve të detit Jon.

Tirana në kërkim të kohës së humbur
Tirana, kryeqyteti në qendër të vendit ballkanik, pak e ngjashme me çdo kryeqytet tjetër europian, i shpëton çdo kategorie ose përkufizimi.

Ajo strehon muze që ruajnë dëshmitë e shkëlqyera të së kaluarës ilire (origjina e të cilave daton nga Epoka e Hekurit), me një shesh ku rreth tij ndodhen disa nga ndërtesat historike, nga xhamia e Et’hem Beut, një nga më të bukurat në Shqipëri, deri në epokën fashiste (1930), apo deri te tunelet e fshehta të Luftës së Ftohtë.

Kështu është Tirana, një qytet ku jeta rrjedh pareshtur, si në trafikun e dendur të qendrës, ashtu edhe në pazarin e qytetit apo në xhaminë gjatë lutjeve të pasdites.

Në sheshin kryesor, ”Skënderbej” ndodhen trotuare të reja dhe lulishte me kopshtet e vogla, ku fasadat e viteve 1930 ndajnë hapësirën me rrokaqiejtë modernë. Përveç xhamisë së Et’hem Beut, ia vlen të vizitohet edhe Muzeu Kombëtar, si dhe galeritë kombëtare të artit, në të cilat gjenden kryevepra të shumta.

Por më shumë sesa për të parë, Tirana ka shumë për të jetuar. Buzë lumit Lana, ndodhet lagjja e quajtur ”Blloku”, lagje e vjetër ku banonte nomenklatura komuniste, e shndërruar tashmë në një zonë të kohës së lirë dhe argëtimit, sidomos gjatë fundjavave.

Qyteti duket i vendosur për të rifituar kohën e humbur gjatë dimrit të gjatë komunist dhe tashmë jeton në një mjedis shumë të gjallë, ku ndërthuret aroma e Lindjes së Mesme me dëshirën për të qenë europian. E gjithë kjo përzihet me tingullin e lutjeve të pasdites gjatë Ramazanit në Rrugën e Kavajës dhe atmosferën në tregun e Pazarit të Ri.

Berati qyteti i “një mbi një dritareve”
Disa nga bukuritë kryesore të vendit janë të fshehura në peizazhin e thyer dhe malor të Shqipërisë juglindore, midis lumenjve të egër që përshkojnë kanionet dhe liqenet mijëra vjeçare. Berati, i pagëzuar gjatë fazës komuniste si qyteti i mbivendosjes së dritareve, është një qytet osman i zhytur në një natyrë të virgjër, tepër të paprekur falë vendndodhjes së tij.

Është e vështirë të gjesh një vend të ruajtur kaq mirë në Shqipëri. Me tre lagje të vjetra Mangalem, Goricë dhe Kala, si dhe shumë xhami e kisha, qyteti me mijëra dritare ka 2 400 vite histori dhe është i jashtëzakonshëm në kuptimin e mirëfilltë të fjalës.

Berati i vendosur buzë të lumit Osum, në shtëpitë e tij osmane me mure të bardha disponon edhe një muze të shkëlqyer etnografik. Në krye qëndron kështjella e madhe, ende e banuar dhe e zhytur si në një ëndërr, me një kishë në qendër ku shfaqet koleksioni i ikonave nga mjeshtri Onufri (shek.XVI).

Gjatë ditës, mund të vizitojmë këtë “muze të gjallë” dhe vende specifike si Xhaminë e Beqarëve, Xhaminë Mbret, më e vjetra në Berat, me një çati prej druri të gdhendur në mënyrë spektakolare.

Pranë saj, ndodhet edhe teqeja Havelti, si dhe kështjella, në majë të Beratit ku mund të arrish përmes një labirinti rrugicash me shtëpi të bardha. Pjesa e krishterë përfaqësohet nga kisha e Virgjëreshës, që u shpëtua nga braktisja e kohës së komunizmit dhe sot na lejon të shijojmë një brendësi të mrekullueshme.

Gjirokastra qyteti-muze i Enver Hoxhës
Pa lënë këtë rajon të brendshëm të Shqipërisë, duke udhëtuar thellë në jug, gjejmë një vend unik, në Shqipëri dhe në Ballkan: Gjirokastrën ose Argirocastro (kështjellë argjendi, në shqip), një qytet i vendosur në një luginë të madhe, i rrethuar nga fshatra që fshehin kishat e lashta bizantine.

Për të kuptuar origjinën e emrit, është më mirë ta sodisni atë në ditë me shi, kur gurët e shndritshëm të kalasë së madhe, plot legjenda dhe me një reputacion të trishtuar, pasi gjatë periudhave të ndryshme është përdorur si burg.

Gjirokastra ndodhet 215 kilometra në jug të Tiranës dhe është një prej destinacioneve më interesante në vend, me një kështjellë të madhe me pamje nga lugina e gjerë dhe pjellore e Drinit dhe një pazar që mbetet qendra e qytetit për turistët.

Në këtë qytet pikaset harmonia e disa shtëpive me kulla, që mund shihen me sy të lirë. Disa prej tyre mund të vizitohen dhe të tjerat thjesht të vëzhgohen nga jashtë.

Qindra prej këtyre shtëpive monumentale që datojnë që nga epoka osmane, përbëjnë qendrën historike të kurorëzuar nga kështjella. Qyteti gjatë periudhës komuniste mori emrin “qytet muze”.

Fakti që ishte vendlindja e diktatorit komunist Enver Hoxha (1908-1985), e ruajti qytetin nga ndërhyrjet arkitektonike, siç ndodhi në zona të tjera të vendit. Falë kësaj, vizitorët mund të kontaktojnë me një fragment pothuajse të paprekur të Shqipërisë që nga shekulli XIX.

Ksamil dhe Riviera Shqiptare
Shqipëria laget nga deti Jon në të ashtuquajturën Riviera Shqiptare, me një bregdet të thepisur shkëmbor që kulmon në Ksamil. Por i gjithë bregdeti, nga Vlora deri në Ksamil tregon bukurinë e Mesdheut me ujëra gjithnjë e më të pastra dhe më transparente. Përgjatë bregdetit, minaret e kishave me kambanat e tyre, i japin vendit një bukuri magjepsëse.

Në verë, plazhet e rivierës janë plot me njerëz dhe jetë, duke thyer qetësinë e ujërave të kristalta.

Ndërtuar në vitet 1960 pranë Parkut Kombëtar të Butrintit, qyteti i Ksamilit gjatë stinës së verës është një atraksion i mahnitshëm turistik, në të cilin ndodhen tre ishujt e vegjël të virgjër larg bregdetit.

Me kalimin e kohës, plazhet janë populluar duke ndërtuar bare, plazhe, hotele dhe sot është një nga destinacionet më të njohura. Por Ksamili, në të vërtetë, është vetëm një qytet i vogël, i përshkuar nga një rrugë që të çon në Butrint. Më të frekuentuarit nga njerëzit janë zakonisht plazhet që dalin nga tre ishujt.

Por, këshilla jonë është eksplorimi i të gjitha plazheve, që ju lejon të zbuloni vende më të qeta ku të vendosni peshqirin tuaj.

Syri i Kaltër
Jo shumë kilometra larg Ksamilit, gjendet Syri i Kaltër, një burim 50 metra i thellë nga i cili burojnë ujërat e një ngjyre të bukur.

Çdo vit ka mijëra turistë që ndihen të lumtur teksa ngrihen herët për të shijuar vendin, të vetëm. Është një emocion i veçantë. Zona përreth ujëvarës nga vjen edhe emri i vendit “Syri i Kaltër’’, është e hapur për vizitorët gjatë gjithë vitit, por gjatë verës është tejet e mbushur me turistë, sidomos në mesditë.

Nëse arrijmë të shmangim turmat (parkimi në mes të mëngjesit bëhet xhungël e vërtetë) do të shijojmë një burim fantastik me një ujë akull të ftohtë të rrethuar nga pyje të dendura.

Dhe një paralajmërim: noti është i ndaluar, kështu që duhet t’i rezistoni tundimit të hidheni në të. Nga atje, dhe nëse keni makinë, mund të bëni një rrugëkalim të vogël dhe të vizitoni Mesopotamin, një fshat ku ndodhet kisha ortodokse e Shën Nikollës.

Butrinti dhe trashëgimia greke
Butrinti është shpërblim për ata që guxojnë të arrijnë në majën jugore të Shqipërisë, pothuajse në kufi me Greqinë. Ky park arkeologjik, i shpallur Trashëgimi Botërore e UNESCO-s, tregon prova të rëndësishme të kalimit nëpër zonën e grekëve, bizantinëve dhe venedikasve, të rrethuar nga bimësi e errët dhe të freskët.

Në gjirin e Butrintit natyra është luksoze, shkurret e gjelbra mbulojnë mure, mermerë, mozaikë, madje fshehin vizionin e qiellit.

Parku Kombëtar i Butrintit është një territor gjeografikisht kurioz, me një ekosistem mesdhetar që përzihet me lagunën tipike. Këtu bregdeti krijon një gji që duket më shumë si një liqen, ai i Butrintit, i ndarë nga deti Jon nëpërmjet kanalit Vivari.

Megjithatë turistët vijnë kryesisht për të parë rrënojat e Butrintit, në zemër të parkut, në një ndërtesë me pamje nga liqeni. Ata janë vendi i vetëm i trashëgimisë botërore në bregdetin shqiptar, një trofe që pret udhëtarin në fund të itinerarit, përmes tokës së shqiponjave, që lë një kujtim të shkëlqyer.

Butrinti është dëshmia e vendbanimeve të ndryshme urbane që vendi ka pasur ndër shekuj dhe është një vizitë e rëndësishme. Atmosfera më e mirë është veçanërisht në orët e para të mëngjesit, mes zhurmave që na zhysin në natyrë, nga e cila papritmas dalin strukturat spektakolare arkitekturore të së kaluarës.

Ata të kujtojnë vendet e fiseve Maja të Amerikës Qendrore, por në një mjedis mesdhetar.

Butrinti e ka origjinën në Greqinë e lashtë dhe ishte i njohur në antikitet për praninë e tempullit “Asclepius’’, i perëndisë së mjekësisë, i cili tërhoqi besnikë nga e gjithë Ballkani.

Butrinti u pushtua nga romakët, bizantinët, venedikasit dhe u sundua nga Ali Pasha deri sa ra në harresë.

Në 1927, një grup arkeologësh italianë filluan të zbulojnë sekretet e tyre. Pasuritë e tij janë “Kulla Veneciane’’, tregu i atëhershëm, palestrat, banjat romake, si dhe teatri romak, ku ende shfaqen dhe organizohen ngjarje kulturore.

Qyteti i vjetër i Himarës
Po në bregdetin Jon, por më në veri, ndodhet qyteti i vogël i Himarës, nga i cili mund të shihet ishulli grek i Korfuzit.

Përveç pjesës së lartë dhe të lashtë të Himarës, ekziston një pjesë tjetër e ulët me shëtitore, që është bërë një nga qytetet më të këndshme bregdetare në rivierë. Në horizont është ishulli i Korfuzit, si dëshmi se sa afër Shqipërisë është Greqia jo vetëm gjeografikisht, por edhe në kulturë.

Në fakt, në Himarë ka një popullsi të vjetër greke që flet greqishten me dialekt ku përdoren shumë fjalë nga greqishtja e lashtë, dialekt që flitet vetëm në Himarë, Mani dhe Kretë.

Jehona e muzikës greke ndihet kudo, po ashtu edhe kuzhina greke me musaka, xaxiqi dhe sallatë greke, ushqime që gjenden në gjitha menutë e restoranteve.

Kruja zemra e Shqipërisë
Ishte kryeqyteti i parë i vendit të shqiponjave, dhe kështu njihet Shqipëria gjerësisht. Dhe, në të vërtetë, Kruja të kujton një fole zogjsh në një shpat të pjerrët, në verilindje të Tiranës.

Ishte selia e Skënderbeut, heroi kombëtar, që drejtoi rezistencën në shekullin XV kundër turqve, tashmë e shndërruar në një muze etnografik kushtuar figurës së heroit të madh shqiptar. Në qytet, pazari i vjetër mbijeton i rrethuar nga ndërtesa moderne, të vogla por aq të bukura sa që mund të përkufizohet si një përqendrim i shpirtit osman.

Kruja është një nga pazaret më të mira në Shqipëri, me rrugën kryesore dhe disa rrugica të rrethuara me shtëpi të ulëta tradicionale, të cilat i rezistojnë blloqeve të betonit që rrethojnë qendrën historike.

Në këtë qytet gjenden edhe disa artizanë, ku mund të bëni blerje kurioze, nga reliket fashiste apo komuniste, deri në disa antikitetet apo fyej druri tradicionalë.

Teqeja e Krujës është veçanërisht e bukur, e ndodhur në një vend piktoresk, nën hijen e një ulliri shekullor. Në rast se do të vizitoni këtë vend, do të ndieni një frymëzim, pasi Kruja shkakton nostalgji për kohën e kaluar.

Shkodra e rafinuar
Shkodra, kryeqyteti kulturor i Shqipërisë, është qyteti më europian në vend, një vend i rafinuar dhe në të njëjtën kohë popullor, që befason me rendin arkitektonik të rrugëve, në kontrast me kaosin përreth dhe me modernitetin e muzeut fotografik.

Vendi befason me Xhaminë e Plumbit, që mbizotëron në rrafshin e Shkodrës, nën hijen e kalasë së madhe të Rozafës dhe për birraritë me tarraca në bregun e liqenit të Shkodrës.

Në rrugët e këmbësorëve, ka ndërtesa elegante të shekullit XIX dhe madje një kafene e famshme e stilit të Europës Qendrore, “Cafè Grand”, një monument kulture dhe simbol i qytetit, që përgjatë shekullit XIX ishte vend takimi për intelektualët dhe atdhetarët.

Duke vizituar Shkodrën ndihesh pothuajse në shtëpi, por mos u mashtroni. Është pikërisht në veri që shqiptarët kanë gjetur izolimin e nevojshëm për të shpëtuar nga sundimi i huaj dhe kanë forcuar identitetin e tyre.

Muzeu i fotografisë “Marubi’’ është gjithashtu një muze historie që gjurmon epokën e familjes homonime, me origjinë italiane, që mbërriti këtu në mesin e shekullit XIX në kërkim të azilit.

Ajo që ata gjetën, ishte një vend i ndërtuar në mesjetë, të cilin filluan ta fotografojnë, duke i dhënë jetë pamjeve që kapin në mënyrë të përsosur peizazhe, tradita, aristokraci, zakone popullore dhe me pak fjalë, jetë shqiptare.

Por monumenti më i rëndësishëm i Shkodrës është padyshim kalaja e Rozafës, një nga atraksionet kryesore historike të Shqipërisë. Ju mund ta shihni nga kilometra larg dhe nga brenda keni një pamje që shtrihet në det, me liqenin e madh, rrjedhën e lumenjve, Buna dhe Drin dhe fushat e Shkodrës.

Ekskursione në Alpet Shqiptare
Edhe pse në Shqipëri ka dete dhe qytete interesante, thelbi i vërtetë i popullit shqiptar qëndron në male. Në luginat e pjerrëta dhe të paarritshme të verilindjes së vendit, gjendet shpirti i shqiptarëve, ku identiteti i tyre është ruajtur me shekuj.

Ai është gjithashtu vendi ku natyra ka fytyrën e saj më të mirë, peizazhe të gjera të virgjëra, lumenj që gërmojnë kanione të thella, liqene të kaltra dhe pyje shekullorë.

Thesaret e vërteta të trashëgimisë mjedisore fshihen në qoshet më të largëta të Alpeve shqiptare, në një mjedis pothuajse të egër. Aty mund të lundrosh në një fjord, të kurorëzosh kreshtën e një mali ose të nisesh në kërkim të kullës (kulla të fortifikuara mesjetare) në mes të një natyre pothuajse primitive, të zbukuruara me minare dhe ura osmane.

Ka edhe vende si Thethi ku nuk është e lehtë të arrihet. Por përpjekja për t’i vizituar këto vende shpërblehet, sepse jo vetëm hyrja në një rajon të largët dhe të egër të Europës.

Alpet e Thethit janë pikënisja për ekskursione të shumta në Alpet shqiptare, njëra prej të cilave, përmes shtigjeve që përshkojnë malet, nga ku mund të shkohet në luginën e Valbonës.

Kepi i Rodonit, atraksioni i të gjitha ngjyrave
Gjiri i Kepit të Rodonit, në bregdetin Adriatik të Shqipërisë, ka ujëra të kaltra dhe të gjelbra, ku kodrat e buta fundosen midis bunkerëve të ndryshkur dhe kishave të vjetra.

Ndoshta për shkak të vendndodhjes së largët, qetësisë që merr frymë ose limaneve të vogla gjysmë të fshehura, Kepi i Rodonit është destinacioni i preferuar i fundjavës për shqiptarët e zonës.

Në këtë vend janë gjetur relike të anijeve ilire 2 300-vjeçare që konfirmojnë të kaluarën e rajonit. Plazhi më i famshëm është gjiri i Lalzit, një shtrirje e jashtëzakonshme e rërës që kufizohet me fusha dhe kodra.

Plazhet janë të pajisura mirë dhe rrugët janë të shtruara. Ky vend është shumë tërheqës për qytetarët e Tiranës dhe Durrësit në periudhën e verës.

Korça – Parisi i Shqipërisë
Qyteti i Korçës, në juglindje të vendit, njihet nga shqiptarët si “Parisi i Shqipërisë’’, sepse intelektualët që jetuan aty në fillim të shekullit XX, e pajisën atë me atmosferë kulturore dhe kozmopolite.

Korça, e rrethuar nga peizazhe që ndryshojnë në mënyrë drastike sipas stinëve, është qyteti më lindor në Shqipëri, si në aspektin gjeografik ashtu edhe kulturor.

Personat, të cilët vijnë për herë të parë në këtë qytet, befasohen nga përzierja e aromave dhe tingujve, veçanërisht të forta në pazar, ku gërshetimet e tregtarëve dhe klientëve ndërthuren me tingujt metalikë të tepsive të aluminit në të cilat shërbehet byrek.

Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar paraqet thesaret e ruajtura në kishat e afërta të Voskopojës dhe në qytet zhvillohet një festë për nder të birrës që mban emrin e qytetit dhe gatime tipike si lakrori.

Atmosfera në Korçë është unike, me shtëpi të restauruara në zonën e vjetër të qytetit, me një xhami dhe një katedrale ortodokse, që shënojnë përkatësisht përzierjen myslimane dhe ortodokse të vendit./atsh

Media prestigjioze spanjolle: Shqipëria sekreti i fundit i Europës Read More »

Shpella e Haxhi Aliut, mrekullia turistike dhe mistike në gadishullin e Karaburunit

Gadishulli i Karaburunit është kthyer gjatë viteve të fundit një ndër atraksionet turistike më të frekuentuara nga turistët e huaj dhe vendas për shkak të bukurive natyrore dhe të vendeve mjaft të veçanta që ofron.

Një ndër vendet më të bukura në këtë gadishull ku përveç historisë të mahnit dhe me pamje e e saj mistike është shpella e Haxhi Aliut. Kjo shpellë duket si një pikturë e vendosur nën bukurinë dhe madhështinë e ujërave të kristalta që e rrethojnë.

Shpella e Haxhi Aliut nëpërmjet disa fotove të bëra me kamera 360 gradë duket si një parajsë tokësore e cila fton turistët e huaj dhe vendas ta eksplorojnë.

Kjo shpellë ndodhet në gadishullin e Karaburunit në afërsi të kepit të Gjuhëzës. Shpella e Haxhi Aliut është vendi më i bukur i Parkut Kombëtar Detar “Karaburun- Sazan”.

Përveçse një atraksion turistik, kjo shpellë ka një pamje të mahnitshme, si dhe vlera gjeologjike pasi në të gjenden formacione stalaktitesh që janë krijuar gjatë viteve e shekujve. Mënyra më efikase për të vizituar këtë vend janë mjetet detares si anije dhe varka./atsh

Shpella e Haxhi Aliut, mrekullia turistike dhe mistike në gadishullin e Karaburunit Read More »

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com