Turizem

Shqipëria, destinacion turistik i 2020-ës/ “Financial Times”: Male, kanione, bregdet i shkëlqyer e qytete të lashtë

Prestigjiozja “Financial Times” e rendit Shqipërinë mes destinacioneve për t’u vizituar në vitin që sapo ka nisur, 2020. Në një artikull kushtuar vendeve që duhen vizituar gjatë këtij viti, “Financial Times” shkruan se Shqipëria tërheq vizitorët me malet, kanionet dhe lumenjtë, bregdetin e shkëlqyer, qytetet e lashta, rrënojat greke dhe romake, qytezat e epokës otomane dhe mikpritjen.

Më poshtë pjesa për Shqipërinë, në artikullin e “Financial Times”.

Shqipëria

“Mali i Zi ishte destinacioni kryesor i vitit 2019, por i gjithë rajoni është në rritje”, sipas Jonny Bealby, themeluesi i kompanisë britanike të turizmit të aventurës “Wild Frontiers”, i cili njofton se rezervimet për vitin 2020 janë rritur me 15 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. “Vizitorët tërhiqen nga malet, kanionet dhe lumenjtë, bregdeti i shkëlqyer, qytetet e lashtë, rrënojat greke dhe romake, qytezat e epokës otomane dhe mikpritja e vendasve”.

Alpinistët po zbulojnë që Bjeshkët e Namuna në veri të vendit – një mollë e ndaluar gjatë epokës së izolimit komunist të vendit dhe gjatë luftës në Kosovë, ofrojnë sot një alternativë ndaj Alpeve, ku turizmi është thuajse i pazhvilluar. Ndërkohë, numri i vizitorëve në objektet historike po rritet vazhdimisht, dhe jo vetëm në parkun arkeologjik të Butrintit, pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESKO-s, për të zbuluar rrënojat romake, bizantine dhe otomane anembanë vendit.

Ndërkohë, në një atmosferë krejt tjetër, Festivali i Muzikës në Kala, një aktivitet njëjavor në bregdetin jugor të Dhërmiut, po e rendit Shqipërinë ndër destinacionet më të preferuara për turistët e rinj, njëlloj siç ka ndodhur në rastin e festivaleve “Garden”, “Outlook” dhe “Sonus” në Kroaci.

Për të shpalosur entuziazmin e autoriteteve shqiptare për zhvillimin e turizmit, Kryeministri Edi Rama mori pjesë në edicionin e parë të Festivalit të Kalasë në vitin 2018. “Njerëzit e mendojnë si një vend ku mund të grabiten, ose vriten”, u shpreh Kryeministri Rama në një konferencë për shtyp, sipas gazetës britanike “The Guardian”. “Por stigma na ka ndihmuar. Kur dikush e viziton këtë vend dhe shpëton gjallë, ata kuptojnë se këtu është parajsë!”

Shifrat duket se vërtetojnë thëniet e tij: numri i vizitorëve të huaj në 11 muajt e vitit 2019 arriti në 6.1 milionë, ose 8,3 % më shumë se në vitin 2018, dhe një shifër shumë më e lartë se 1.9 milionë turistë që vizituan vendin gjatë gjithë vitit 2009./atsh

Shqipëria, destinacion turistik i 2020-ës/ “Financial Times”: Male, kanione, bregdet i shkëlqyer e qytete të lashtë Read More »

Pamje magjepsëse nga Thethi, ngrijnë ujëvarat e Grunasit dhe Gjeçajve

Një ndër bukuritë më të veçanta në alpet shqiptare janë edhe ujëvarat, sidomos në stinën e dimrit kur uji ngrin duke ofruar një pamje magjepsëse.

Për shkak të temperaturave të ulëta që kanë përfshirë vendin tonë ditët e fundit, dy prej ujëvarave që ndodhen në fshatin turistik të Thethit, ajo e Gjeçajve dhe Grunasit, e cila është shpallur edhe monument kulture, kanë dhuruar një spektakël të vërtetë.

Administrata e Zonave të Mbrojtura në Shkodër ka publikuar sot disa fotografi nga ky fenomen natyror, që magjeps adhuruesit e natyrës.

Uji që zbret nga faqja e malit ka ngrirë deri poshtë në gropën e krijuar prej tij.
Thethi është fshati që ka më shumë ujë dhe ujëvara në Shqipëri, sepse ngado që të ecësh do të gjeni një burim uji. Në Theth janë më shumë se 80 burime uji, që nuk shterojnë asnjëherë.

Ujëvara e Grunasit

Ujëvara e Grunasit është një ndër bukuritë natyrore më të veçanta në alpet Shqiptare. Me vendimin e qeverisë Nr.676 dt 20.12.2002 është shpallur monument natyre që mbrohet nga shteti. E lartë mbi 30 metër së bashku me cirqet përreth dhe Mullirin e Blojës, formojnë një nga vendet më interesante për t’u vizituar nga çdo turist që viziton Thethin.

Kjo ujëvarë ka si karakteristikë të veçantë faktin që uji i saj buron i gjithi nga një shkëmb dhe është ujë dëbore. Për alpinistët që mund të vizitojnë burimin është një mrekulli e veçantë që nuk gjendet në asnjë ujëvarë të Europës.

Ujëvara e Gjeçajve

Gjatë rrugës tuaj për në qendër të fshatit, përveç bukurive mahnitëse që do të shikoni, kurorën me majat e maleve, do të shikoni edhe ujëvarën e Gjeçajve, e cila është sapo keni kaluar lagjen Gjeçaj rreth 30 metër, sipër rrugës nacionale, që të çon për në qendër, e cila është mjaft e bukur dhe e veçantë, rreth 25 metër e lartë./atsh

Pamje magjepsëse nga Thethi, ngrijnë ujëvarat e Grunasit dhe Gjeçajve Read More »

Braçe: Niseni vitin në Divjakë mes bukurive natyrore

Z/kryeministri Erion Braçe në ditën e parë të vitit sjell pamje nga Divjaka ku dhe fton qytetarët që të nisin vitin duke parë bukuritë natyrore dhe lagunën të mbushur me pelikanë.

“Çdo bëni sot e deri të diel që e keni pushim? Shkoni në Divjakë; Diell, ngrohtë, bukuri siç kjo që shihni, ajër i pastër dhe perime të rritura në kushte natyrale!Niseni vitin kështu!”, shprehet Braçe.

Divjaka ndodhet 5 km larg detit Adriatik dhe në veri-lindje të Lagunës së Karavastës që është një nga vendet më të bukura të bregdeti shqiptarë dhe ofron pamja madhështore dhe bukuri të rralla, ndërsa pelikani shtegtari i kontinenteve gjende aty i pranishëm./atsh

Braçe: Niseni vitin në Divjakë mes bukurive natyrore Read More »

Parku i Liqenit Artificial të Tiranës, magjia piktoreske në çdo ditë të vitit

Parku i Madh i Liqenit Artificial të Tiranës mbetet një nga destinacionet më të frekuentuar nga qytetarët jo vetëm në fundjavë, por në çdo ditë të vitit.

Kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, ka publikuar një set fotografik të shoqëruar me diçiturën “E diela e fundit e vitit, te Parku i Liqenit!”, ku bien në sy peizazhi magjepës i parkut me bimësisë e përngjyrosur me kolorin e stinës së dimrit që ndriçohet nga liqeni.

Jemi në periudhë festash dhe këto janë ditët më të bukura të vitit. Dritat, ngjyrat dhe zbukurimet e festave na mbushin zemrën plot, kudo dhe sa herë i shohim. Por Parku i Liqenit, krahas zbukurimeve në pritje të Vitit të Ri 2020, të ofron edhe magjinë e mrekullueshme piktoreske me peizazhe tejet tërheqëse./atsh

Parku i Liqenit Artificial të Tiranës, magjia piktoreske në çdo ditë të vitit Read More »

Shqipëria ngjit shkallët e klasifikimit në turizëm/ TPG: Mes 20 destinacioneve kryesore për 2020-ën

Me mbarimin e 2019-ës, të gjithë entuziastët e udhëtimeve dhe grumbulluesit e sasive të mëdha të pikëve dhe miljeve (Tier Points) po mendojnë për destinacionin e radhës, shkruan faqja online, njëkohësisht blogu amerikan i udhëtimeve, “The Points Guy” (TPG).

Pasi bëri kërkime të destinacioneve në planet, pasi shqyrtoi raporte dhe sondazhe të panumërta, TPG përgjoi rrjetin e tij të ekspertëve të udhëtimit, studioi hartat e rrugëve dhe kërkoi për disponueshmërinë e çmimeve dhe pikave të shërbimit për të gjetur aventurën tuaj të radhës për dekadën e re.

Dhe mes tyre gjendet edhe Shqipëria.

Rezultati është një listë me destinacione të pabesueshme si Etopia, Argjentina, Afrika e Jugut, Hawai, Maroku, Singapori, Kanadaja dhe Shqipëria.

TPG shkruan se Shqipëria po ngjit shkallët e klasifikimit në turizëm.

Riviera Shqiptare

”Fshatrat e bukur dhe disa nga plazhet e virgjëra të Europës po tërheqin vizitorët drejt Shqipërisë, një vend më pak i vizituar se Kroacia dhe Italia.

Zhvillimet e reja hoteliere dhe të fluturimeve mundësojnë dërgimin e turistëve në brigjet e detit Jon.

Në Indeksin e Konkurrencës së Udhëtimit dhe Turizmit për vitin 2019 nga Forumi Ekonomik Botëror, Shqipëria u ngrit me 12 pozicione nga viti 2017, ku ishte një nga vendet me përmirësimin më të madh në listë.

Në vitin 2018 u hap kompania e fluturimeve “Air Albania”, duke valëvitur flamurin shqiptar për herë të parë që nga falimentimi i ish-linjës ajrore kombëtare në vitin 2011.

Markat e mëdha hoteliere po vazhdojnë të hedhin bazat e tyre për një përmirësim të afërt të turizmit. Linja e hotelit të njohur “Hyatt”, po zhvillon një pronë në kryeqytet, ashtu si dhe “Meliá”, linjë spanjolle hotelesh, me një pronë të ardhshme në Tiranë (2021) dhe një resort në bregdetin e Durrësit.

Shqipëria është destinacion i shkëlqyer për vizitorët britanikë të cilët kërkojnë tarifa të përballueshme udhëtimi vajtje-ardhje, të klasit të biznesit.

Çfarëdo që të bëni, thjesht shkoni atje para se të gjithë të tjerët të kuptojnë se ku keni shkuar”, përfundon TPG./ atsh

Shqipëria ngjit shkallët e klasifikimit në turizëm/ TPG: Mes 20 destinacioneve kryesore për 2020-ën Read More »

Miratohet projekti për restaurimin e kishës së Shën Mëhillit në Voskopojë

Këshilli Kombëtar i Restaurimeve ka miratuar projektin e restaurimit e “Kisha e Shën Mëhillit”, Voskopojë.

“Projekti i hartuar nga Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Korçë parashikon ndërhyrje konservuese dhe restauruese në elementët konstruktivë të kishës”, thuhet në njoftimin e Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore.

Kisha e Shën Mëhillit u mbarua së ndërtuari më 1722, si kishë e tipit bazilikal trenefesh, me dimensione 33 x 15 x 9 m, e mbështetur në dy kolona. Dy rreshtat e kolonave ndajnë hapësirën e naosit në dy nefe anësore dhe në një qendror, të kompozuar në lartësinë e volumit të naosit. Kolonat janë të lidhura midis tyre me harqe në të dy drejtimet. Në të gjitha nefet krijohen bërthamat, mbulesat e të cilave janë kupola.

Të gjitha kupolat nuk ngjanë me njëra-tjetrën. Ndryshueshmëria paraqitet në planimetri. Në pjesën lindore absida del jashtë dhe është e trajtuar me pilastra. Narteksi ndodhet në pjesën perëndimore, nuk ndryshon shumë nga ana konstruktive në pjesët e naosit.

Narteksi është i mbështetur në kolona guri me harqe dhe kupola, por në dallim nga naosi nuk ka nefe dhe të gjitha mbulesat janë kupola me brinjë katrore në nivel për nga lartësia. Hajati mungon, është rrënuar para shumë vitesh, por sot arrijmë të lexojmë gjurmë. Në 1996 kisha u vandalizua dhe 23 piktura shenjtorësh u dëmtuan rëndë. /atsh

Miratohet projekti për restaurimin e kishës së Shën Mëhillit në Voskopojë Read More »

Pamje të mrekullueshme nën dëborë, majat e maleve të Kukësit ftesë për alpinistët (foto)

Majat e maleve më të larta të rrethit të Kukësit si Gjallica, Pikëllima, Kallabaku, Maja e Kolesianit Guri i Mëngjesit të japin pamje të mrekullueshme, sidomos në stinën e dimrit kur i mbulon dëbora.

Ecja në këmbë në natyrë është shndërruar në një sport tepër të aplikuar, pasi natyra dhe territoret me shtigje të ngushta ofrojnë një kënaqësi të veçantë.

Vendet më të preferuara nga turistët janë ato me terren malor, pasi janë të përshtatshme për të bërë turizëm eksplorimi dhe ngjitje, ku oferta në Shqipëri është e larmishme.
Ermal Hallaçi, drejtues i guidës turistike të qytetit të Kukësit, tha për ATSH-në se “ditët e fundit shoqërova një grup alpinistësh prej 14 personash nga Kosova dhe Kukësi në Majën e Kallabakut, 2174 m mbi nivelin e detit”.

“Udhëtimi zgjati 7 orë në dy drejtimet dhe nisja u bë nga liqeni i Kallabakut. Ngjitja kishte pak vështirësi për shkak edhe të pranisë së dëborës”, tha Hallaçi.

Guida turistike e qytetit të Kukësit u shpreh se “Kallabaku është pjesë e Parkut Korab-Koritnik, ndërsa ka disa shtigje të cilat të çojnë në majë. Pamja është mahnitese ku syri nuk ngel pa parë vargmalet e alpeve të Sharrit që nga kjo majë i shikon dhe i identifikon pothuajse çdo majë gjithashtu Korabin që duket tamam si një kurorë mbretërore”, – theksoi Hallaçi.

Në stinën e dimrit është pikërisht momenti i përshtatshëm për shfrytëzimin e kohës ideale me borë dhe diell për ngjitje në mal.

Parku Natyror Korab-Koritnik është nga zonat më të bukura që ka rajoni i Kukësit dhe veriu i Shqipërisë. Ai shtrihet në një lartësi mbi 1300 metra mbi nivelin e detit dhe mund të gjesh gjithë bukurinë natyrore dhe peizazhet e mrekullueshme./atsh

Pamje të mrekullueshme nën dëborë, majat e maleve të Kukësit ftesë për alpinistët (foto) Read More »

Shqiptarët rritën me 10,3% shpenzimet për turizëm jashtë vendit

Në Shqipëri është rritur ndjeshëm fluksi i turistëve huaj që vijnë në vendin tonë, por nuk mbetet pas edhe numri i shqiptarëve që shpenzojnë për turizëm apo udhëtime jashtë vendit.

Sipas të dhënave të publikuar nga Banka e Shqipërisë, mbi 1.2 miliardë euro shpenzuan shqiptarët për turizëm dhe udhëtime jashtë shtetit gjatë periudhës janar – shtator 2019.

Të dhënat tregojnë se krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar shpenzimet për turizëm jashtë shtetit janë rritur me 10,3% ose 115 milionë euro më shumë.

Shifra që shqiptarët shpenzojnë për pushime jashtë vendit ka ardhur në rritje të vazhdueshme nga viti në vit. Greqia është një ndër vendet destinacion kryesor, ku shqiptarët udhëtojnë më shumë për pushime. Por paralelisht vende të tjera të preferuara janë Turqia, Italia, por edhe shtetet e tjera të Bashkimit Europian.

Me gjithë rritjen e shpejtë të shifrës që shqiptarët shpenzojnë për udhëtime jashtë shtetit, bilanci i turizmit vazhdon të mbetet pozitiv, pasi pushuesit e huaj i sjellin ekonomisë më shumë se sa shpenzojnë shqiptarët jashtë.

Sipas Bankës së Shqipërisë për 9 muajt e parë të këtij viti ekonomia shqiptare përfitoi 1 miliard e 636 milionë euro nga turizmi ose ose 412 milionë euro më shumë se shpenzimet e shqiptarëve jashtë./atsh

Shqiptarët rritën me 10,3% shpenzimet për turizëm jashtë vendit Read More »