Turizem

“Këtë verë të pres në Vlorë”, ftesa e kryebashkiakut Leli për turistët vendas e të huaj

Vlora, qyteti bregdetar, një nga qendrat më të rëndësishme turistike, ku “bashkohen” Adriatiku e Joni, me një numër të madh atraksionesh kulturore dhe natyrore, na pret të gjithëve këtë verë.

“Këtë verë të pres në Vlorë“, është video mesazhi që përcjell kreu i Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli në ftesë të turistëve vendas e të huaj për të vizituar qytetin bregdetar në jug të Shqipërisë.

“Vlora ka pafund personazhe që dinë të servirin vlera dhe mbi të gjitha të na bëjnë krenarë për qytetin ku jetojmë dhe për çdo gjë tjetër që ne duam t’iu tregojmë të tjerëve dhe t’i bëjmë ata që të vijnë të vizitojnë Vlorën”, shprehet ai.

“Zgjohesh në mëngjes nën tingujt e valëve të detit, për të gjithë ne që trishtimi na ka dhënë kurajë për të shpresuar, për bukurinë që na kujton çdo ditë kush jemi, për historitë e konservuara në shpirtin e Labërisë, për të gjithë ne që jemi ndalur por ende lëvizim, për një qytet që i ika të gjitha, por nuk i mjaftojnë, për artizanët e mjeshtrat e gjithçkaje, për detin, dallgët, pulëbardhat e shpirtin e mirë, për ne që rezistojmë e përmirësohemi çdo ditë“, janë mesazhet që personazhe publike të këtij qyteti përcjellin për se cilin nga duke të ftuar të eksplorosh Vlorën dhe ta shijosh detin këtë vit.

“Fari, udhërrëfyesi i detarëve le të jetë këtë herë udhërrëfyesi i të gjithë shqiptarëve për të zgjedhur Vlorën, si destinacionin turistik të kësaj vere. Ju presim në Vlorë. Le ta fitojmë këtë betejë së bashku”, shprehet kryebashkiaku Dritan Leli. /atsh

blob:https://www.facebook.com/4874f90a-8337-46cf-8ded-39c654a6e8b0

“Këtë verë të pres në Vlorë”, ftesa e kryebashkiakut Leli për turistët vendas e të huaj Read More »

Sezoni turistik/ Gurma diskuton me operatorët protokollet e hapjes: Saranda, oaz i gjelbër qetësie dhe sigurie

Kryetari i bashkisë së Sarandës Adrian Gurma ka zhvilluar sot një takim me operatorët kryesorë turistikë në Sarandë për të diskutuar rreth problemeve për sezonin turistik që pritet të hapet së shpejti.

Qëllimi i takimit me operatorët dhe bizneset që ofrojnë turizëm, ishin rregullat e reja, protokollet dhe angazhimi i përbashkët për menaxhimin e suksesshëm të sezonit turistik.

Në fjalën tij, Gurma tha se falë marrjes së të gjitha masave, Saranda hyri në hartën e bashkive të gjelbra dhe kjo është meritë e qytetarëve, strukturave të pushteti lokal dhe të gjithë instancave të tjera që operojnë në bashki. “Të gjithë bashkë kemi bërë më të mirën jo vetëm për njerëzit tanë, por dhe për ata që presin të na vizitojnë, sepse Saranda do jetë një oaz i gjelbër qetësie dhe sigurie. Kjo është e para që doja të ndaja me ju dhe realisht jam shumë i kënaqur. Jemi në fashën e bashkive të gjelbra. Kjo na vë edhe para përgjegjësive dhe nuk duhet të jemi në eufori. Pjesa që kaluam në bashki të gjelbër, që kemi lirinë e lëvizjes, kemi lirinë e komunikimit, e ndërmjetësimeve me të gjitha bashkitë e tjera që rrethojnë bashkinë e Sarandës, na bëjnë akoma më të përgjegjshëm që situatën në vazhdim ta përballojmë me sukses”, u shpreh Gurma.

“Në momentin që Saranda do jetë e aksesueshme jo vetëm për bashkitë e gjelbra që kemi përqark, por do jetë e aksesueshme edhe për Tiranën, Kosovën, pse jo për Maqedoninë e Veriut, neve na takon dhe kemi përgjegjësi, kemi sfida të mëdha përpara për të përgatitur në kushtet e reja situatën”, vijoi Gurma.

“Do të doja se gjithë secili nga ju të marrë përgjegjësit por të jetë edhe mirëkuptues ndaj rregullave dhe standardeve të reja që do kemi karshi të gjithë pushuesve sepse në fund të fundit nuk na intereson asgjë më shumë sa mbarëvajtja dhe siguria që Saranda të jetë si vitet e tjera jo vetëm avangard për turizmin dhe perla e turizmit, por dhe marka, sepse kur të përmendësh emrin Sarandë do të thotë se pushohet mirë, pastër, lirë dhe në mënyrë të sigurt. Kjo duhet të jetë lajtmotivi i të gjithë punës tonë bashkë”, tha ai.

Gurma ritheksoi se ulja e paketës turistike me 20% sa i përket çmimit do maksimizojë fitimet e operatorëve turistikë, pasi do fitojë Saranda dhe do të kemi një fluks të madh vizitorësh.

“Ne kemi marrë angazhime edhe në bashkëpunim me operatorët e shoqatës turistike e kemi prezantuar zhvillimin e paketës turistike në krahasim me vitet e tjera në një situatë ndryshe për sa i përket ofertës. Ai 20% më i lirë them se nuk duhet të diskutohet më, sepse në fund të fundit do jetë fitim për të gjithë ne. Do jetë fitim për biznesin hoteleri, do jetë fitim dhe për Sarandën. Për sa i përket bashkisë, mbështetja do të jetë maksimale”, tha ai. /atsh

Sezoni turistik/ Gurma diskuton me operatorët protokollet e hapjes: Saranda, oaz i gjelbër qetësie dhe sigurie Read More »

Hapje e kufijve tokësorë për turistët nga vendet fqinje, në fund të majit fluturimet e para charter

Shqipëria synon të jetë vendi i parë në rajon, por edhe më gjerë, që pritet të hapë turizmin.

Ministri i Turizmit, Blendi Klosi deklaroi sot në një intervistë në media se vendi ynë në krahasim me Kroacinë, Greqinë dhe Turqinë favorizohet nga strukturat e vogla hoteliere të cilat menaxhohen më lehtë.

Sipas tij, parashikohet që fluturimet e para charter me turistë të huaj të mbërrijnë në fund të këtij muaji, ndërkohë që do të synohet që kufiri tokësor të hapet përpara kësaj date për të pasur më shpejt turistë nga vendet e rajonit.

“Nuk do të kemi shifrat e vitit 2019, por do të kemi turistë të huaj këtë sezon. Bashkë me ministrin Ahmetaj që menaxhojmë situatën e krizës së pandemisë, do t’i propozojmë qeverisë hapjen e kufijve tanë tokësorë për të pasur mundësinë e lëvizjes së turistëve nga vendet fqinje dhe do të synojmë që në fund të muajit maj të kemi çarterat e parë me turistë të huaj. Janë disa vende me të cilat ne kemi komunikim të shpeshtë si Çekia, Polonia, vendet Skandinave, Ukraina, Bjellorusia, që janë të gatshme të dërgojnë çartera nëse ne si struktura shtetërore e hoteliere i garantojmë standarde të higjienës.

“Po synojmë hapjen e parë në rajon”, deklaroi ministri i Turizmit.

Klosi tha se do të synohet së pari një turizëm rajonal për të shpëtuar sektorin nga kriza. Jemi qeveria e parë në rajon, nënvizoi ministri Klosi që kemi ofruar një paketë mbështetëse për industrinë e turizmit. Lidhur me ligjin që do të përcaktojë rregullat për funksionimin e plazheve, ai tha se pritet të jetë gati brenda kësaj jave.

Ministri Klosi vuri në dukje se protokolli i paraqitur për rregullat e pushimeve është pranuar nga 95% e operatorëve turistikë, ndërsa shtoi se ka disa elementë që pritet të ndryshohen.

“Është një proces që ministria e ndjek shpesh, pra materiali është shpërndarë për mendim. E gjithë ideja e këtij manuali, është që turizmin ta kemi jo vetëm një mjet kënaqësie, por ta kemi edhe industri. Është një industri që mban me mijëra njerëz në punë, që mban rrjete të tjera industrish me punë dhe kemi mundësitë, falë investimeve që janë kryer në këtë industri, që të dalim të parët në treg”, u shpreh Klosi.

Ai theksoi se ky draft dhe ky protokoll masash është hartuar për kushtet në të cilat jemi, por nëse situata do të ndryshojë, Klosi tha se masat do të lehtësohen./atsh

Hapje e kufijve tokësorë për turistët nga vendet fqinje, në fund të majit fluturimet e para charter Read More »

Turizmi/ Instrumenti i garancisë mundësi për operatorët që të fuqizojnë kapitalin e tyre

Kryeministri Edi Rama u shpreh se në kushtet e situatës së masave ndaj COVID-19, sektori i turizmit është në vështirësi por jo në pamundësi të plotë sepse po vazhdojnë aktivitetin.

Gjatë një interviste televizive, Kryeministri tha se, “po të shohin eksportet bujqësore, ato nuk kanë pësuar goditje të ndjeshme puna ka vazhduar, ajo që ne po bëjmë për të gjetur zgjidhje për turizmin ka disa lloj dilemash sepse vërtetë nuk kemi një shans të rëndësishëm këtë herë ndonëse duke qenë se jemi një vend që jemi prekur shumë pak nga COVID-19, pra nuk jemi një vend që trembim, por nga ana tjetër dilema është a duhet apo nuk duhet të hapemi aq fort sa ta shikojmë këtë si një mundësi, apo të ruhemi maksimalisht”.

Ne, vijoi Rama, do të bëjmë gjithë çka kanë bërë vendet e tjera, jemi në kontakt të vazhdueshëm me ta dhe do të shikojmë në javët që vijnë dhe do të veprojmë patjetër, për qasjen sa i hapur do të jetë sezoni dhe si do të marrë formë zhvillimi ai.

“Për sa i përket likujditetit në sektorin e turizmit, Kryeministri tha se, ne kemi vënë në dispozicion të turizmit një instrument shumë të fuqishëm garancie i cili i mundëson operatorëve të fuqizojnë kapitalin e tyre qarkullues përmes këtij instrumenti”.

Gjithashtu, deklaroi Rama, për sa i përket taksave, turizmi në Shqipëri, ka taksat më të ulëta sesa në vendet që kanë hequr taksat.

“Turizmi në Shqipëri ka TVSH 6% dhe e ka më të ultën në Rajon dhe nuk është çështje e taksave dhe e TVSH-së, por çështja është se sa ne do ta hapim sezonin dhe këtë do ta bëjmë duke parë të tjerët, që akoma nuk kanë marrë vendime përfundimtare”- tha Rama.

Kryeministri tha se, nuk ka as një gjasë që ne të jetojmë si përpara shfaqjes së COVID-19 deri kur të dali vaksina.

“Se deri kur të dali vaksina ne do ta kemi këtë armik të padukshëm mes nesh, që do të thotë që duhet të mësohemi me praninë e tij dhe duhet të adaptojmë një sjellje ndryshe nga ajo e përparme”- tha Rama. /atsh

Turizmi/ Instrumenti i garancisë mundësi për operatorët që të fuqizojnë kapitalin e tyre Read More »

Saranda, paketa 20% më të lira se një vit më parë

“Saranda për herë të parë me paketa turistike 20% më lirë”, tha sot kryetari i bashkisë Sarandë, Ardian Gurma, ndërsa ftoi qytetarët të vizitojnë qytetin bregdetar.

Gurma sqaroi se Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Turizmit dhe ekspertët e tyre kanë hartuar një draftprojekt në lidhje me protokollin e masave ndaj COVID-19 për sezonin turistik e në vazhdim.

Ai tha se “realisht ky është në fazën e një drafti dhe ne e kemi bërë të ditur me këtë draft-protokoll dhe ne ditët në vijim në bashkëpunim të ngushtë edhe me grupet e interesit dhe operatorët turistik ku do japin mendimet dhe opinionet tona në mënyrë që ky projekt të kalojë nga draft në protokoll normal masash”.

Në lidhje me njohjen e draftit, Gurma tha se “jemi në këtë fazë të njohjes së draftit dhe do hymë në fazën e diskutimeve me aktorët e tjerë dhe grupet e interesit për të dhënë mendimet tona që drafti të marrë formën përfundimtare dhe me hapjen e sezonit turistik të vihet në zbatim”.

Në lidhje me hapjen e sezonit turistik, Gurma tha se nëse do ishte në dëshirën tonë do donim sa më shpejt ashtu siç është hapur çdo vit në 15-ditëshin e parë të majit. Por, sipas tij, java e dytë dhe e tretë e majit është periudha më e përshtatshme për hapjen e sezonit turistik. Sigurisht jemi në një situatë të vështirë dhe nuk varet nga dëshirat tona, por gjykoj dhe mendoj që të paktën bashkia e Sarandës është në brezin e bashkive të gjelbra dhe kjo ditë nuk do jetë e larg. Falë këtyre masave që kemi marrë, por dhe të ndërgjegjësimit të qytetarëve, jemi më para krahasuar me bashkitë e tjera”.

Për sa i përket çmimeve, Gurma shtoi se me gjithë dëshirën e mirë për të maksimizuar fitimin nga të gjithë operatorët turistikë, këtu hyn në lojë edhe pushteti lokal me mekanizmat e vet. “Në takimet që kemi bërë kemi marrë një lloj opinioni, por kemi bërë më shumë rolin e rregulluesit dhe të këshilluesit, por është më mirë të ketë çmime më të mira se vitet e tjera”, u shpreh ai.

Gurma theksoi se Saranda për herë të parë do të jetë me paketa turistike 20% më lirë.

“Ne kemi marrë një farë miratimi, por kemi luajtur edhe rolin e këshilluesit, është më mirë që të operojnë me çmime më të lira se një vit më parë, se kjo i shërbente turistëve vendas, se duke pasur çmime më të lira do të ketë një aksesim më të lartë nga pushuesit. Hotelierët më kanë dhënë të drejtën që ta parashtroj si objektiv që në të gjitha hotelet, paketa do të jetë 20% më e lirë se vitet e tjera. Nisur edhe nga fakti që lëvizja nga shtetet fqinje është në pikëpyetje, ne jemi duke u orientuar drejt paketave vendase, dhe të gjithë operatorët kanë marrë nismën që të funksionojnë me paketa, ndryshe nga vite më parë”, tha Gurma. /atsh

Saranda, paketa 20% më të lira se një vit më parë Read More »

Revista e njohur spanjolle: Nxitoni të vizitoni Tiranën, një nga kryeqytetet më ekzotike të Europës

Do t’ju tregojmë sot për një nga kryeqytetet më ekzotike dhe tërheqëse europiane, shkruan Cristina Fernandez Gonzalez e revistës së njohur spanjolle të udhëtimeve, traveler.es.

”Tirana është rishfaqur fuqishëm pas dekadave vuajtje nga diktatura paranojake e Enver Hoxhës. Ajo që e la Shqipërinë plotësisht të izoluar nga bota dhe që, në një farë mënyre, i jep asaj këtë rol misterioz, atë të thesarit për ta zbuluar, që sot na pëshpërit në vesh këngë sirenash.

Tirana ka diçka që të fut në kurth. Kjo ju befason dhe ju fton ta ”zhvishni” atë dalëngadalë deri sa të zbuloni se cili është thelbi i saj i vërtetë. Dhe ne jemi të gatshëm ta ”zhveshim”. Për 48 orë, jo më pak.

Dita e parë

Ora 09:30. Pas një mëngjesi të bollshëm, i denjë për kampionë, për ditën turistike që na pret, vendosëm itinerarin apo pikënisjen e çdo rruge nëpër qytet: Sheshin ”Skënderbej” dhe 40 000 metra katroret e tij që na presin.

Nga kjo hapësirë ​​e jashtëzakonshme, nderohet heroi kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, i cili u vu në krye të luftës kundër osmanëve në shekullin XV. Statuja e tij ekuestriane dominon mbi gjithçka. Por, ky shesh është gjithashtu vendi i përsosur për të ndjerë pulsin e qytetit.

Por, gjithashtu, është vendi i përsosur për të matur pulsin e qytetit: i përshtatur për këmbësorë që nga viti 2017, nëse ndalojmë të shikojmë lëvizjen e jetës, do të shohim zotërinj të moshuar që shëtisin në kohën e lirë, të rinj me biçikletë rrugës për në vendet e tyre të punës dhe turistë të rastit duke masakruar me klikime aparatesh fotografike muralen e madhe që kurorëzon Muzeun Historik Kombëtar. Titulli i tij? Shqiptarët.

Ora 10:00. Sapo muzeu hap dyert e tij, ne jemi atje për të zbuluar dhe për të mësuar historinë e Shqipërisë. Vizita e plotë atje mund të zgjasë një jetë dhe prapë se prapë diçka do të na mungojë.

Ne bëjmë një udhëtim të shkurtër kohor që na çon nga Parahistoria në të kaluarën e tij ilire; nga pushtimi osman deri në Luftën e Dytë Botërore; nga shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë te, natyrisht, vitet e diktaturës së errët. Një orë e gjysmë ku pamë xhevahire si koka e Apolonit nga shekulli IV para Krishtit dhe deri te mozaiku i parë i zbuluar në Shqipëri: Bukuroshja e Durrësit.

Ora 11:30 Përsëri në shesh po hedhim një vështrim nga Banka Kombëtare, Hotel Tirana Internacional dhe Pallatin e Kulturës, me Operën në krye: ndërtesat e thjeshta, por monumentale në një stil racionalist vazhdojnë të flasin për kohët e shkuara dhe kontrastin me ato modernet, rrokaqiejt që ngrihen atje, në distancë, në sfond. Përpara nesh, Xhamia historike e Et’hem Beut nga shekulli XVIII, një nga ndërtesat më të vjetra në Tiranë. Të dy afresket e saj të jashtme dhe pikturat e brendshme janë një kënaqësi absolute.

Por, ne mund të gjejmë pamjen panoramike të sheshit edhe nga maja e Kullës së Sahatit, një tjetër nga reliket arkitektonike të qytetit, megjithëse kjo vështirë se përfshin ngjitjen në shkallët e pjerrëta dhe të ngushta në 35 metra lartësi.

Ora 12:00 Rrethinat e sheshit ”Skënderbej” vazhdojnë të na mbushin me histori të vjetra: ne hasim nëpër ato rrugë që ishin dhe akoma janë, Toptanasit, një nga familjet fisnike më të rëndësishme dhe më të pasura në Shqipëri, dhe ndërtesat e tyre të bukura.

Deri tani kemi kuptuar se Tirana është një qytet që më shumë ndihet sesa duket. Një qytet që na kërkon fort që ne ta ”gërvishtim” thellë nga brenda. Dhe për ta bërë këtë, asgjë nuk vlen më shumë sesa të vizitosh një nga mijëra bunkerët që Hoxha urdhëroi të ndërtonte në të gjithë vendin, e gjithë kjo nga frika e tij e jashtëzakonshme nga një sulm bërthamor nga armiqtë e tij.

Tirana ka dy që janë thelbësore. Për të vizituar Bunk´Art 1 do të jetë e nevojshme të kaloni disa orë, pasi ai ndodhet në periferi të qendrës historike: një kompleks i tërë, që përfshin zyra dhe dhoma gjumi për zyrtarët qeveritarë, apartamente për liderët politikë, madje edhe një kantinë, gjithsej 106 dhoma. Për afërsi dhe prakticitet, vendosim për Bunk´Art 2, ngjitur me sheshin ”Skënderbej”, që lidhej me korridore nëntokësore me Ministrinë e Brendshme, që do të kishin shërbyer në rast të ndonjë sulmi.

Përgjatë korridoreve të tij, në këtë bodrum të qytetit, fshihen deri në 24 ambiente të zymta, të shpërndara mes dhomave të marrjes në pyetje, qelitë për të arrestuarit, një dhomë dekontaminimi, një apartament luksoz për ministrin e Brendshëm dhe madje disa instalime artistike moderne.

Pamë panele informative dhe video me dëshmi, që jo vetëm na mësojnë shumë për historinë politike të Shqipërisë, por që edhe na ngritën qimet e kokës përpjetë.

Ora 14:00 Kur kuptojmë se stomaku po na kërkon ”karburant” dhe mendja diçka më të lehtë, çfarë të hamë? Ne zgjodhëm bulevardin me pemë ”Murat Toptani”, vetëm disa hapa larg, ku ndodhen edhe Teatri Kombëtar, Kinema “Millenium”, kopshte rastësore dhe tarraca të ndryshme.
Në këtë zonë të qytetit, jeta rrjedh me një ritëm të ngadaltë, boritë e makinave janë larg. Më të afërtat janë cicërimat e zogjve, që rrinë pezull rreth tryezave, në pritje për të marrë çdo thërrime. Një mjedis i qetë dhe i përsosur për të ngrënë një vakt të lehtë, para se të vazhdoni rrugën.

Ora 15:30 Tani është radha e artit. Dhe rezulton se jemi pranë Galerisë Kombëtare të Arteve, një monument i vërtetë i trashëgimisë kulturore dhe një botë tjetër për të eksploruar përsëri historinë e Shqipërisë, këtë herë bazuar në krijimtarinë e artistëve të saj.

Në muret e saj shpaloset një festival i tërë pikturash dhe punimesh, me të cilat mund të zbulohet realizmi socialist, deri tek mostrat shumë interesante të propagandës komuniste. Paradoksalisht, ishte pikërisht këtë herë, kur censura ishte më e rëndë, që arti njohu rritjen më të shpejtë në vend.

Çdo devijim nga arti i promovuar socialist ishte rreptësisht i ndaluar. Veprat artistike duhej të idealizonin Enver Hoxhën. Ata që guxuan të anashkalonin rregullat u ndëshkuan rëndë. Për fatin tonë të mirë, pikturat dhe skulpturat për të tani janë shfaqur në muze.

Një shënim i fundit? ”Cloud” vepra artistike shumë origjinale e arkitektit japonez Sou Fujimoto që dekoron kopshtin në natyrë që prej vitit 2016, është një nga qoshet më të mrekullueshme dhe të paharrueshme në të gjithë Tiranën.

Ora 17:30 Ne zbresim rrugën drejt një prej ikonave të kryeqytetit, por jo përpara se të kalojmë pranë kalasë së vjetër të Tiranës, pronë e familjes Toptani, që vendosi ta rimodelojë atë dhe ta hapë së fundmi. Aty gjenden restorantet bashkëkohore të kuzhinës – pastat që përgatisin te ”Luga e Argjendtë” janë spektakolare, me dyqane origjinale, të përqendruara në delikatesat kombëtare, ashtu sikurse vajrat e ullirit të prodhuar në Vorë dhe sendet origjinale artizanale.

Ora 18:30 Dhe tani, po: pas një shëtitje të shkurtër që na çon përtej lumit Lana, shkojmë te ndërtesa e Piramidës. Piramida, një sulm autentik ndaj estetikës, e realizuar nga vetë vajza e Enver Hoxhës. Ndërtimi, që gjithashtu nuk kalon pa u vënë re, u krijua për të strehuar një mauzole në nder të babait të saj, megjithatë, gjatë luftës së Kosovës, funksionoi edhe si një qendër konferencash dhe seli e NATO-s.

Sot është krejtësisht e braktisur, pa roje. Jo pak njerëz guxojnë të ngjiten në muret e saj të pjerrëta deri në majë, me gjithë rrezikun që sjell aventura. Sigurisht, ka nga ata që thonë se soditja e perëndimit të diellit nga lart është gjëja më e mirë për të bërë në Tiranë.

Ora 19:30 Dhe më në fund arritëm në lagjen në modë, Blloku, lagje ku një pjesë e madhe e nomenklatura komuniste – përfshirë edhe vetë Hoxhën – banonin gjatë viteve të diktaturës.

Ajo ishte e mbyllur për njerëzit e zakonshëm për katër dekada. Kur mbaroi diktatura dhe tiranasit më në fund ishin në gjendje të përshkonin rrugët e saj, ata gjetën shtëpi që nuk kishin asnjë lidhje me ndërtesat e stilit komunist të pjesës tjetër të qytetit.

Sot, shumica e atyre shtëpive janë shndërruar në restorante, bare, kafene të lezetshme dhe klube. Shëtisim nëpër rrugët e saj dhe shijojmë si atmosferën e gjallë, ashtu edhe tezgat e librave.

Në kohën e darkës, ne zgjodhëm ”Salt”, në rrugën ”Pjetër Bogdani”, një restorant me një stil avangard, elegant dhe të rafinuar, dizajni i të cilit në format dupleks na bën të dashurohemi.

Specializuar në kuzhinën mesdhetare, ushqim deti dhe sushi, ajo gjithashtu ka edhe një ambient për koktej. Aty gjendet edhe ”Choko” që bashkon tradicionalen me modernen në të njëjtën pjatë.

Për një pije pas darke, ”Nunu Club” ka tavolina të larta dhe një zonë tarracë ku mund të shijoni me kënaqësi cilindo nga koktejet e shijshme, në menunë tuaj.

Dita e dytë

Ora 10:00 Pas një dite të parë intensive, destinacioni i radhës ishte Pazari i Ri, megjithëse në realitet origjina e tij daton nga 1939.

Kjo hapësirë ​​ku mëngjeset janë të mbushura me atmosferë u rimodelua në fund të vitit 2018 për t’u bërë një treg më në përputhje me ato europiane. Kjo është arsyeja pse, nga mesdita, dyqanet mbyllen, por restorantet hapen aty ku ne mund të kënaqemi me të gjitha llojet e shijeve. Gjithashtu, shpesh organizohen ngjarje kulturore si festivale, koncerte dhe panaire artizan ale.

Ora 12:00 Shkojmë për shëtitje me një itinerar shumë origjinal: ai që na çon të zbulojmë të gjitha ato fasada, që ishin pjesë e një projekti karakteristik të promovuar nga ish-kryetari i bashkisë së qytetit, Edi Rama, tani kryeministër i vendit. Që nga viti 2000, ai kërkoi t’i jepte një pamje të re të gjitha ndërtesave gri të kohës së komunizmit, të shpërndara në të gjithë qytetin. Si? Duke pikturuar fasadat e tyre me ngjyra dhe figura të ndritshme.

Guidat me rrugën e shënuar janë falas dhe mund të merren në Zyrën e Turizmit pranë sheshit ”Skënderbej”. Ka edhe itinerare të arkitekturës komuniste, historisë dhe temave të tjera dhe përfshin një mori fasadash më befasuese, të shpërndara përreth qendrës historike të Tiranës.

Artistë kombëtarë dhe të huaj kanë marrë pjesë në projekt si Ann Edholm nga Stokholmi, Franz Ackermann nga Berlini ose Tala Madani, nga Irani – të cilët vazhdojnë, edhe sot, duke reflektuar krijimtarinë e tyre përmes vizatimeve origjinale dhe muraleve mbi ndërtesat.

Qëllimi? Shndërrimi i Tiranës në një galeri të vërtetë të hapur arti.

Ora 14:30 Jemi duke provuar kuzhinën tradicionale shqiptare në restorant ”Oda”, një restorant komod i vendosur në një shtëpi të vjetër, kuzhina e të cilit kombinon receta antike me propozime të tjera më moderne.

Mjedisi? Autentik. Aq shumë, sa besojmë se po drekojmë në shtëpinë e një tirani: tavolina të ulëta prej druri, dekorim disi të veçantë dhe vëmendja më e kujdesshme sigurojnë një përvojë të shkëlqyer. Në pjatë, të gjitha llojet e propozimeve me një aromë Shqipërie: Qengji i pjekur, byrek me spinaq dhe patëllxhanë të mbushur.

Ora 16:30 Është e domosdoshme të shihni Shtëpinë e Gjetheve. Ky muze, i hapur në vitin 2017, zë ndërtesën e vjetër nga epoka komuniste që shërbeu si bazë për Sigurimin, policinë sekrete shqiptare.

Në dhomat e saj tregohet gjithçka që mund të imagjinohet për procedurat dhe sistemet e spiunazhit: pajisje fotografike, sisteme regjistrimi, mikrofonë, video, intervista…

Një univers paralel që tregon, edhe një herë, që ndonjëherë realiteti tejkalon trillimet.

Ora 18:30 Vendi ideal për t’i thënë lamtumirën Tiranës, këtij qyteti që na ka treguar kaq shumë fytyra të ndryshme, është mushkëria e gjelbër e kryeqytetit: 289 hektarët e Parkut të Madh janë vendi ideal ku të shëtisësh, të merresh me sport, të peshkosh në liqenin e tij artificial ose të pushosh, i shtrirë në lëndinë, pas një ditë të ngarkuar.

Në këtë pikë, një gjë është e qartë për ne, Tirana po ndryshon me hapa të mëdha, duke u munduar të kompensojë kohën e humbur, por pa hequr dorë nga e kaluara e saj, thelbësore për të kuptuar se cila është bërë sot.

Dhe për ta zbuluar atë, bëni mirë të nxitoni, sepse kur erërat e reja të Europës ta pushtojnë, ka për të qenë vonë./atsh

Revista e njohur spanjolle: Nxitoni të vizitoni Tiranën, një nga kryeqytetet më ekzotike të Europës Read More »

Nëse treguesit e pandemisë vijojnë të përmirësohen, në fund të majit priten charterat e parë me turistë të huaj

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi deklaroi sot se në fund të muajit maj, nëse treguesit e pandemisë vijojnë të jenë në përmirësim, presim charterat e parë, kryesisht nga vendet që shënojnë pak raste të të prekurish me infeksionin COVID-19.

“Së bashku me Ministrinë e Shëndetësisë kemi hartuar dhe shpërndarë për mendim një set rregullash strikte për menaxhimin e stacioneve të plazhit, strukturave që mbështesin turizmin, duke filluar që nga hotelet, baret, restorantet dhe kompanitë e transportit”, bëri të ditur ministri Klosi në një intervistë në media.

Sipas Klosit, synojmë që të kemi të gjithë mekanizmat në këmbë në mënyrë që të presim charterat e parë me turistë në fund të muajit maj, nëse ministria e Shëndetësisë, ajo e Jashtme dhe e Transportit do të vendosin të lejojnë fluturimet në Shqipëri nga zona pak të prekura, siç janë për Polonia, Çekia, Vendet Skandinave, etj.

Ministri theksoi se qeveria po vijon me lehtësimin e masave që kufizojnë lëvizjen dhe duke parë edhe ecurinë e situatës do të merren vendimet.

“Nëse do të kemi karantinim të nevojshëm është e pamundur të presim turistë. Ajo që duam të përshpejtojmë është që të fillojmë me turizmin e brendshëm, duke e vënë në funksion transportin e brendshëm publik, duke vënë në përdorim baret, restorantet, agroturizmin, të kemi hapjen me Kosovën dhe me Maqedoninë e Veriut. Hapja e kufijve rajonalë, shpresoj të ndodhë në mesin e muajit maj”, theksoi Ministri.

Ministri Klosi vuri në dukje se në protokollet e shpërndara për mendim ka kufizime që lidhen me shërbimet, duke kërkuar që mos ketë shërbime all inclusive, pra ato që janë me shërbime të përbashkëta.

“I gjithë thelbi mbetet te masat e rrepta higjienike dhe distancimi. Mbi këto dy parime janë ngritur edhe protokollet. Besoj se viti 2020 do të jetë një vit me shumë kontroll dhe shumë kujdes. Problemi nuk do të jenë çadrat, por deti. Do të kërkohet mos larja e shumë njerëzve bashkë dhe do të monitorohen ambientet e përbashkëta të bareve dhe restoranteve”, u shpreh Klosi./atsh

Nëse treguesit e pandemisë vijojnë të përmirësohen, në fund të majit priten charterat e parë me turistë të huaj Read More »

Shqipëria një prej alternativave më të mira për turizëm

Ndërsa udhëtimet drejt disa prej destinacioneve më të preferuara në juglindje të detit Mesdhe nuk janë më të sigurta, njerëzit kërkojnë një alternativë më të mirë dhe shumica vendosin të vizitojnë Shqipërinë dhe ne e mbështesim shumë këtë ide, shkruan faqja e njohur polake e udhëtimeve turistike, www.mywanderlust.pl.

Bregdeti shqiptar është i mrekullueshëm dhe plazhi i Kasmili është tashmë një thesar i njohur në botë, por ky vend ka shumë më shumë për të ofruar. Aty ndodhen disa nga vendet më të bukura të Ballkanit.

Qytete të bukura prej guri, peizazhe të mrekullueshme natyrore, male fantastike dhe një kryeqytet të këndshëm. Nëse vizitoni Shqipërinë, mund t’i shihni të gjitha këto.

Tirana

Kryeqyteti, Tirana është jashtëzakonisht i lezetshëm dhe i këndshëm.

Tirana nuk është qyteti më i bukur dhe nuk do të gjeni shumë monumente historike. Por, atmosfera që ka, është një nga më të mirat,.

Pika kryesore turistike e Tiranës është një piramidë e madhe betoni, një strukturë mjaft intriguese që tashmë shërben si qendër transmetuese e stacionit televiziv vendas dhe vendi ku rinia del më së shumti.

Dhe kështu është Tirana, e çuditshme, por magjepsëse. Edhe shumëngjyrëshe.

Edhe pse boja zbehet dalëngadalë nga ndërtesat dhe ngjyrat veniten, përshtypja e përgjithshme është ende e shkëlqyer.

Tirana dhe veçanërisht Blloku, është shtëpia e një prej kulturave më të mira të kafeneve dhe kjo është një arsye e mirë për të kaluar ca kohë atje.

Berati

Nuk mund të kërkosh prezantim më të mirë sesa Berati, pasi ai është në listën e UNESCO-s.

Qyteti shpesh quhet “qyteti i një mbi një dritareve” dhe e ka këtë titull për një arsye.

Shtëpi të shumta, të bukura me grumbull dritaresh të mëdha mbi njëra-tjetrën, duke formuar një pamje të veçantë.

Është veçanërisht i bukur kur shihet nga shëtitorja ose nga përtej lumit.

Gjithashtu, ia vlen të ngjiteni në kështjellë pasi pamjet e Beratit dhe rrethinave janë vërtet spektakolare dhe vetë kjo zonë është shumë e bukur.

Gjirokastra

Ndërsa Berati quhet qyteti i një mbi një dritareve, Gjirokastra ka titullin e qytetit të 1 000 shkallëve.

Shëtitja përreth mund të jetë pak e lodhshme, pasi rrugët bëhen mjaft të pjerrëta, por pamjet nga kështjella dhe avioni i braktisur, që duket aq i rastësishëm, janë shpërblimi i shkëlqyeshëm për përpjekjen.

Vetë Gjirokastra është një qytet i bukur me gurë, që duket se koha ka ndaluar.

Ashtu si edhe Berati, Gjirokastra është pjesë e Listës së Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.

Ksamili

Një thesar i vërtetë në bregdetin shqiptar. Ksamili konsiderohet te jetë një nga plazhet më të bukura në Shqipëri. Uji i kaltër, plazhet me rërë dhe ishujt përreth, e bëjnë Ksamilin të duket si parajsë.

Butrinti

Vetëm pesë kilometra larg nga Ksamili, gjendet Butrinti, një tjetër vend i mbrojtur nga UNESCO.

Ky vend antik, që daton në shekullin e VIII para Krishtit, është magjepsës dhe me kaq shumë objekte nga e kaluara, saqë për disa orë do ju mbajë të zënë.

Mund të popullohet me turistë nga Korfuzi, por nuk është e vështirë të shpëtosh nga turmat.

Nëse ju pëlqen historia, do e dashuroni këtë vend.

Saranda

Fillimisht duket si një rezort turistik jo tërheqës, me asgjë përveç ndërtimeve, por Saranda është shumë më interesante nga çfarë duket.

Nëse jeni në kërkim të një destinacioni me shumë gjallëri, kjo është pergjigjja për ju.

Por, qyteti është shumë më tepër sesa thjesht një vend në të cilin mund të kalosh bukur. Në Sarandë ndodhen disa monumente, duke përfshirë dhe rrënoja antike që gjenden në mes të qytetit.

Gjithashtu Saranda shërben si bazë perfekte për të vizituar zonën, ku përfshihet Ksamili, Butrinti, Gjirokastra dhe Syri i Kaltër.

Pogradec

Liqeni i Ohrit është një nga vendet më të bukura në Ballkan.

Ndërsa shumë turistë shkojnë në qytetin e Ohrit në Maqedoni, Pogradeci në anën shqiptare të kufirit është gjithashtu një vend i mrekullueshëm për t’u vizituar.

Me male madhështore në sfond, liqeni këtu duket shumë bukur. Restorantet janë një mundësi e shkëlqyer për drekë me pamje mahnitëse.

Nëse dilni për shëtitje përgjatë plazhit, që është një nga aktivitetet kryesore në Pogradec, sigurisht që do të ecni nëpër disa bunkerë që gjenden përreth.

Liqeni i Komanit

Disa e quajnë si më të bukurin në botë dhe duke qenë se jemi pak skeptike për tituj të tillë, ky vend me të vërtetë duket i mahnitshëm në foto.

Me gjithë shkëmbinjtë dhe ujëvarat duket i ngjashëm me fiordet norvegjeze.

Valbona dhe Thethi

Këto janë dy nga fshatrat malorë më të rëndësishëm dhe më të bukur në Shqipëri, të gjendura në të dy anët e Alpeve Shqiptare.

Kruja

Kruja është e përsosur për udhëtim njëditor nga Tirana.

Kështjella atje, ndodhet në një vend vërtet mbresëlënës, e rrethuar nga male, por arsyeja kryesore pse mund të dëshironi të vizitoni Krujën është pazari.

Konsiderohet të jetë më i miri në Shqipëri për suvenire.

Kruja është gjithashtu vendlindja e heroit kombëtar, Skënderbeut./atsh

Shqipëria një prej alternativave më të mira për turizëm Read More »

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com