Turizem

Shqipëria mbetet destinacion në kalendarin e operatorëve të njohur ndërkombëtarë pavarësisht pandemisë

Shqipëria është sot një ndër destinacionet që po qëndron në kalendarin e tur-operatorëve të njohur ndërkombëtarë që operojnë në vendin tonë dhe kjo falë masave të shpejta të ndërmarra nga qeveria, të cilat siguruan një numër të ulët të qytetarëve të prekur nga infeksioni COVID-19.

Kryetari i Unionit Turistik Shqiptar, Rrahman Kasa në një intervistë për ATSH-në foli mbi sfidat që paraqiten sot përballë sektorit të turizmit në situatën e krijuar prej COVID-19.

Ai deklaroi se disa operatorë kanë mbajtur pjesën më të madhe të klientëve, duke iu ofruar disa lehtësi dhe siguri për pagesën e bërë.

Kreu i UOTSH, shprehet se rezervimet individuale në 90% të tyre janë anuluar, por janë arritur të mbahen pjesa më e madhe e rezervimeve të bëra nëpërmjet operatorëve ose agjencive të udhëtimit, çka është një lajm i mirë dhe jep shpresë se ky sektor mund të rimëkëmbet.

“Siç mund të jeni në dijeni ka dy lloje rezervimesh, që janë individuale ose nëpërmjet operatorëve turistikë. Rezervimet individuale janë 90 % të anuluara, ndërsa për rezervimet e bëra nëpërmjet operatorëve ose agjencive të udhëtimit ka politika të ndryshme nga kompani të ndryshme, që do të thotë se disa operatorë kanë mbajtur pjesën më të madhe të klientëve duke iu ofruar disa lehtësi dhe siguri për pagesën e bërë“, deklaroi Kasa.

Sipas tij, falë masave të shpejta që u ndërmorën dhe rezultateve të arritura, vendi ynë është sërish destinacion, duke ofruar siguri te turistët dhe operatorët që operojnë në këtë sektor.

“Shqipëria, ashtu si dhe vendet e tjera të rajonit, ka marrë të gjitha masat dhe ka miratuar protokolle strikte për sigurinë e turistëve dhe aktualisht është ndër destinacionet që po qëndron në kalendarin e tour-operatorëve të njohur ndërkombëtare që operojnë në vendin tonë“, theksoi Kasa.

Kreu i UOTSH, Kasa bën të ditur se interes më të lartë për të pushuar në vendin tonë paraqesin Vendet Nordike, Polonia, Republika Çeke, Ukraina, Gjermania, Vendet Baltike dhe Zvicra.

Më tej, Kasa thekson se qeveria është konsultuar me oeratorët turistikë sa i përket protokollit që do të zbatohet këtë sezon veror në plazhet tona.

“Draftprotokolli është konsultuar që në fillim me Unionin Turistik Shqiptar”, deklaron Kasa.

I pyetur se a do mund të jenë gati strukturat tona hoteliere për të pritur pushuesit në kushtet e reja në të cilat do të zhvilohet sezoni turistik këtë vit, Kasa thotë se “atualisht 80% e strukturave akomoduese janë gati për të pritur turistët, sipas kritereve të kërkuara nga partnerët, duke respektuar dhe protokollet e vendosura”.

Instituti i Statistikave raportoi në fillim të këtij viti se mbi 6.4 milionë shtetas të huaj vizituan Shqipërinë dhe pjesa më e madhe me qëllim turizmin./atsh

Shqipëria mbetet destinacion në kalendarin e operatorëve të njohur ndërkombëtarë pavarësisht pandemisë Read More »

Shqipëria destinacion i pastër dhe i sigurt turistik

Aktiviteti turistik do të fillojë në respektim të masave të përcaktuara, sipas protokolleve që kanë hartuar ekspertët e shëndetësisë, duke garantuar mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve dhe pushuesve nga përhapja e COVID-19.

Kështu u shpreh Rovena Moçka, drejtore e Turizmit, pranë Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit gjatë një interviste televizive ku ndër të tjera tha se, “në kushtet e mbërthyera nga pandemia, COVID-19, ky është një vit mbijetese për sektorët e ekonomisë dhe të turizmit dhe kjo situatë nuk është vetëm për Shqipërinë, por për të gjithë botën”.

“Kur flasim për parashikime të sektorëve të ekonomisë dhe atij turistik, duhet të kemi parasysh që pandemia nuk është konsideruar e mbyllur nga ekspertë shëndetësor. Kemi një liberalizim të fashave orare, duke marrë në konsideratë pikërisht ato që janë më të rëndësishme sot respektimin e masave që na vijnë nga ekspertët, për të ruajtur shëndetin e qytetarëve dhe të vizitorëve”, – tha Moçka.

Ajo që është e rëndësishme, nënvizoi ajo, është fakti që të rikthejmë aktivitetin e sektorëve ekonomikë dhe të turizmin duke respektuar protokollet e posaçme që janë një detyrim nga ekspertët e shëndetësisë, në kushtet kur pandemia nuk ka mbaruar dhe nuk ka një mënyrë sesi ne të mbrohemi përveç atyre masave që kanë rekomanduar ekspertët e shëndetësisë, distancimi fizik dhe higjiena.

Duke u ndalur në mbështetjen që ka dhënë qeveria për sektorin e turizmit në kushtet e pandemisë Moçka tha se, “në ndryshim nga shumë vende të tjera, turizmi ka qenë shtylla kryesore e ekonomisë që ka sjellë të ardhura rekord, ndaj turizmi ka marrë një paketë të posaçme ndihme, e konsideruar si paketa e pagave të luftës dhe jo e luksit, që do të thotë, ndihmë për të përballuar këtë situatë të vështirë. Për të vijuar me atë që quhet kredia për sektorin turistik. Janë këto disa mekanizma të ndërmarra nga qeveria shqiptare për sektorin turistik në këtë kohë të vështirë”.

Ajo tha se, pagat e luftës ka funksionuar për tre muaj, duke marrë në konsideratë që ky sektor të rinisë aktivitetin turistik.

Moçka tha se, “turizmi i brendshëm është një nga potencialet më të mëdha të rimëkëmbjes së sektorit, ndërsa është grupi i posaçëm i ekspertëve që njofton për liberalizmin e masave që do t’i paraprijë edhe hapjes së kufijve”.

“Është e rëndësishme të ruajmë emrin destinacion turistik, pasi vendet turistike janë duke marketuar nën këtë slogan, si vende të pastra dhe të sigurta nga COVID-19. Ndërsa do të kemi një liberalizim të masave të mëtejshëm, që nis më 18 maj me riaktivizimin e bareve dhe lokaleve, por që të gjithë duhet të tregohemi të përgjegjshëm në zbatimin e masave mbrojtëse”, – tha ajo. /atsh

Shqipëria destinacion i pastër dhe i sigurt turistik Read More »

Parku detar kombëtar Sazan-Karaburun, perla e Shqipërisë turistike

Karaburun-Sazani, i vetmi park detar kombëtar i Shqipërisë, që ndodhet në qarkun e Vlorës, ofron atraksione të shumta natyrore, kulturore, historike dhe turistike.

Me një shtrirje detare rreth 1,9 km gjatë viteve të fundit ky park është kthyer në një destinacion turistik, ku vizitorë të shumtë vendas e të huaj udhëtojnë me anijet turistike që nisen nga porti i Vlorës.

Në muajt e verës anijet turistike operojnë me një grafik më të ngjeshur, duke udhëtuar pothuajse përditë.

Kjo ofron mundësi reale për të vizituar parkun dhe ofruar një ditë ndryshe në gjirin e Vlorës.

Mjafton këtu të kujtojmë monumentin e natyrës, Shpellën e Haxhi Aliut (atraksioni më i vizituar nga turistët), gjiri natyror dhe kulturor i Gramës (skaji më i largët jugor i parkut detar), ishullin e Sazanit, atraksioni më i madh që prej hapjes së tij për publikun. Për të gjithë ata që dëshirojnë të kalojnë momente relaksi në natyrën dhe qetësinë, parku detar ofron me brigjet e tij të Shën Vasilit, Shën Janit, Gjirit të Djallit, eksperiencë natyrore unike.

Në gjirin e vogël detar të Shën Vasilit, që ndodhet në pjesën e brendshme të gadishullit të Karaburunit, në faqen veriore të tij, natyra është treguar e pakursyer. Plazhi i virgjër dhe gjelbërimi kryesisht i ulët, përfaqësojnë një raport vlerash natyrore të pakrahasueshme.

Biodiversiteti, peizazhi dhe kultura e kësaj zone janë unikale për Mesdheun dhe për këtë arsye Parku prej vitit 2015 është pjesë e Zonave Veçanërisht të Mbrojtura në Mesdhe (SPAMI), sipas Konventës së Barcelonës.

Në të jetojnë të paktën 36 lloje detare, të cilat janë me rëndësi ndërkombëtare dhe që i përkasin listave të llojeve të rrezikuara. Në shkallë kombëtare, rreth 75% e llojeve të rrezikuara të kafshëve detare, janë regjistruar në zonë.

Ky park është korridori më rëndësishëm i specieve si breshka e detit, foka e Mesdheut, delfinë, si edhe peshkaqenë./atsh

Parku detar kombëtar Sazan-Karaburun, perla e Shqipërisë turistike Read More »

Prestigjiozja amerikane: Flamingot po dynden drejt lagunës shqiptare

Rregullat e mbylljes në shtëpi kanë mërzitur disa njerëz në Shqipëri, por, me krahët e tyre ”të prerë” për shkak të pandemisë së koronavirusit, ata kanë lejuar që flamingot dhe zogjtë e tjerë të lulëzojnë në një lagunë bregdetare pranë detit Adriatik, shkruan gazeta prestigjioze amerikane ”The Washington Post”.

Zyrtarët lokalë dhe banorët thonë se popullsia e flamingove ka arritur deri në rreth 3 000 në Lagunën e Nartës, një habitat i rëndësishëm i shpendëve ujorë, që u kthyen në vitet e fundit pas një mungese të gjatë.

Vëzhguesit e zogjve gjithashtu kanë vërejtur më shumë pelikanë, çafka dhe specie të tjera këtë pranverë në lagunën 28 ​​kilometra katrore, që ndodhet 145 kilometra në jug të Tiranës.

“A nuk është e bukur të shohësh flamingo të patrembur përreth?”, pyet Dhimitër Konomi, pjesë e një grupi lokal që administron peshkimin tregtar në Lagunën e Nartës, ndërsa zogjtë e mëdhenj me qafë të gjatë qëndrojnë në ujërat e cekëta.

”Ndalimi i funksionimit të një kriporeje dhe ulja e aktivitetit njerëzor të të gjitha llojeve gjatë pandemisë shpjegon pse zogjtë po grumbullohen në lagunë”, thotë Nexhip Hysolokaj, një ekspert rajonal i biodiversitetit.

”Flamingot janë një specie shumë delikate dhe mospasja përreth automjete ose vizitorë u përshtatet atyre”, shton ai.

“Ata kanë gjetur ushqim dhe qetësi dhe kjo ka të ngjarë t’i ndihmojë ata të shumohen”, tha Hysolokaj.

Studiuesit planifikojnë të studiojnë flamingot për të parë nëse qetësia e krijuar nga koronavirusi është e favorshme për shndërrimin e lagunës në një vend ku mund të bëjnë fole dhe të shumohen.

Konomi thotë se një lagune e mbushur me jetë është një thesar që mund të nxisë turizmin.

Por, Hysolokaj është më pak i prirur të tërheqë turistët konvencionale në lagunën që është pjesë e një peizazhi të mbrojtur me dunat rëre, ligatina, ishuj dhe plazhe që mbështesin faunën e larmishme si dhe zogjtë.

Ai e përshkruan atë si “mushkëritë” e Vlorës, qyteti më i afërt.

“Duhet të ketë një turizëm të qëndrueshëm, por alternativ. Natyrisht le të vijnë kampistë, t’i përdorim plazhet, të përdorin biçikletat apo udhëtimet edukative sepse Vlora është shumë afër”, shton ai./atsh

Prestigjiozja amerikane: Flamingot po dynden drejt lagunës shqiptare Read More »

Ujëvara e Shëngjergjit, destinacion për turistët vendas e të huaj

Ujëvara e Shëngjergjit është shndërruar në një destinacion të lakmuar për kryeqytetasit, si dhe turistët e huaj, që gjithnjë e më shumë po vizitojnë zonën.

Kryeministri Edi Rama zgjodhi sot pamje nga kjo ujëvarë, e cila është kthyer në destinacion për turistët vendas e të huaj që vizitojnë këtë zonë.

“Mirëmëngjes me këtë peizazh nga ujëvara e Shëngjergjit në Tiranë”, tha Rama.

Vetëm 1 orë nga Tirana ndodhet Shëngjergji, një nga bukuritë më impresionuese të Malësisë së Tiranës. Pasi ke përshkuar afro 22 km nga Tirana, në krah të majtë të rrugës për në Shërgjergj, ndodhet Ujëvara e Shëngjergjit, një mrekulli nga pikëpamja e peizazhit.

Ajo gjendet pranë fshatit dhe ka një lartësi prej 30 metrash. Ujëvara furnizohet me ujë nga Mali me Gropa dhe ushqen me ujë përroin, uji i të cilit përdoret dhe për vaditje.

Turizmi familjar është bërë kryefjalë në Shëngjergj, aq më shumë që Shëngjergji bën pjesë tashmë në projektin e 100 fshatrave të ndërmarrë nga ana e qeverisë, ku përparësi kanë projektet në fushën e agroturizmit./atsh

Ujëvara e Shëngjergjit, destinacion për turistët vendas e të huaj Read More »

“Këtë verë të pres në Vlorë”, ftesa e kryebashkiakut Leli për turistët vendas e të huaj

Vlora, qyteti bregdetar, një nga qendrat më të rëndësishme turistike, ku “bashkohen” Adriatiku e Joni, me një numër të madh atraksionesh kulturore dhe natyrore, na pret të gjithëve këtë verë.

“Këtë verë të pres në Vlorë“, është video mesazhi që përcjell kreu i Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli në ftesë të turistëve vendas e të huaj për të vizituar qytetin bregdetar në jug të Shqipërisë.

“Vlora ka pafund personazhe që dinë të servirin vlera dhe mbi të gjitha të na bëjnë krenarë për qytetin ku jetojmë dhe për çdo gjë tjetër që ne duam t’iu tregojmë të tjerëve dhe t’i bëjmë ata që të vijnë të vizitojnë Vlorën”, shprehet ai.

“Zgjohesh në mëngjes nën tingujt e valëve të detit, për të gjithë ne që trishtimi na ka dhënë kurajë për të shpresuar, për bukurinë që na kujton çdo ditë kush jemi, për historitë e konservuara në shpirtin e Labërisë, për të gjithë ne që jemi ndalur por ende lëvizim, për një qytet që i ika të gjitha, por nuk i mjaftojnë, për artizanët e mjeshtrat e gjithçkaje, për detin, dallgët, pulëbardhat e shpirtin e mirë, për ne që rezistojmë e përmirësohemi çdo ditë“, janë mesazhet që personazhe publike të këtij qyteti përcjellin për se cilin nga duke të ftuar të eksplorosh Vlorën dhe ta shijosh detin këtë vit.

“Fari, udhërrëfyesi i detarëve le të jetë këtë herë udhërrëfyesi i të gjithë shqiptarëve për të zgjedhur Vlorën, si destinacionin turistik të kësaj vere. Ju presim në Vlorë. Le ta fitojmë këtë betejë së bashku”, shprehet kryebashkiaku Dritan Leli. /atsh

blob:https://www.facebook.com/4874f90a-8337-46cf-8ded-39c654a6e8b0

“Këtë verë të pres në Vlorë”, ftesa e kryebashkiakut Leli për turistët vendas e të huaj Read More »

Sezoni turistik/ Gurma diskuton me operatorët protokollet e hapjes: Saranda, oaz i gjelbër qetësie dhe sigurie

Kryetari i bashkisë së Sarandës Adrian Gurma ka zhvilluar sot një takim me operatorët kryesorë turistikë në Sarandë për të diskutuar rreth problemeve për sezonin turistik që pritet të hapet së shpejti.

Qëllimi i takimit me operatorët dhe bizneset që ofrojnë turizëm, ishin rregullat e reja, protokollet dhe angazhimi i përbashkët për menaxhimin e suksesshëm të sezonit turistik.

Në fjalën tij, Gurma tha se falë marrjes së të gjitha masave, Saranda hyri në hartën e bashkive të gjelbra dhe kjo është meritë e qytetarëve, strukturave të pushteti lokal dhe të gjithë instancave të tjera që operojnë në bashki. “Të gjithë bashkë kemi bërë më të mirën jo vetëm për njerëzit tanë, por dhe për ata që presin të na vizitojnë, sepse Saranda do jetë një oaz i gjelbër qetësie dhe sigurie. Kjo është e para që doja të ndaja me ju dhe realisht jam shumë i kënaqur. Jemi në fashën e bashkive të gjelbra. Kjo na vë edhe para përgjegjësive dhe nuk duhet të jemi në eufori. Pjesa që kaluam në bashki të gjelbër, që kemi lirinë e lëvizjes, kemi lirinë e komunikimit, e ndërmjetësimeve me të gjitha bashkitë e tjera që rrethojnë bashkinë e Sarandës, na bëjnë akoma më të përgjegjshëm që situatën në vazhdim ta përballojmë me sukses”, u shpreh Gurma.

“Në momentin që Saranda do jetë e aksesueshme jo vetëm për bashkitë e gjelbra që kemi përqark, por do jetë e aksesueshme edhe për Tiranën, Kosovën, pse jo për Maqedoninë e Veriut, neve na takon dhe kemi përgjegjësi, kemi sfida të mëdha përpara për të përgatitur në kushtet e reja situatën”, vijoi Gurma.

“Do të doja se gjithë secili nga ju të marrë përgjegjësit por të jetë edhe mirëkuptues ndaj rregullave dhe standardeve të reja që do kemi karshi të gjithë pushuesve sepse në fund të fundit nuk na intereson asgjë më shumë sa mbarëvajtja dhe siguria që Saranda të jetë si vitet e tjera jo vetëm avangard për turizmin dhe perla e turizmit, por dhe marka, sepse kur të përmendësh emrin Sarandë do të thotë se pushohet mirë, pastër, lirë dhe në mënyrë të sigurt. Kjo duhet të jetë lajtmotivi i të gjithë punës tonë bashkë”, tha ai.

Gurma ritheksoi se ulja e paketës turistike me 20% sa i përket çmimit do maksimizojë fitimet e operatorëve turistikë, pasi do fitojë Saranda dhe do të kemi një fluks të madh vizitorësh.

“Ne kemi marrë angazhime edhe në bashkëpunim me operatorët e shoqatës turistike e kemi prezantuar zhvillimin e paketës turistike në krahasim me vitet e tjera në një situatë ndryshe për sa i përket ofertës. Ai 20% më i lirë them se nuk duhet të diskutohet më, sepse në fund të fundit do jetë fitim për të gjithë ne. Do jetë fitim për biznesin hoteleri, do jetë fitim dhe për Sarandën. Për sa i përket bashkisë, mbështetja do të jetë maksimale”, tha ai. /atsh

Sezoni turistik/ Gurma diskuton me operatorët protokollet e hapjes: Saranda, oaz i gjelbër qetësie dhe sigurie Read More »

Hapje e kufijve tokësorë për turistët nga vendet fqinje, në fund të majit fluturimet e para charter

Shqipëria synon të jetë vendi i parë në rajon, por edhe më gjerë, që pritet të hapë turizmin.

Ministri i Turizmit, Blendi Klosi deklaroi sot në një intervistë në media se vendi ynë në krahasim me Kroacinë, Greqinë dhe Turqinë favorizohet nga strukturat e vogla hoteliere të cilat menaxhohen më lehtë.

Sipas tij, parashikohet që fluturimet e para charter me turistë të huaj të mbërrijnë në fund të këtij muaji, ndërkohë që do të synohet që kufiri tokësor të hapet përpara kësaj date për të pasur më shpejt turistë nga vendet e rajonit.

“Nuk do të kemi shifrat e vitit 2019, por do të kemi turistë të huaj këtë sezon. Bashkë me ministrin Ahmetaj që menaxhojmë situatën e krizës së pandemisë, do t’i propozojmë qeverisë hapjen e kufijve tanë tokësorë për të pasur mundësinë e lëvizjes së turistëve nga vendet fqinje dhe do të synojmë që në fund të muajit maj të kemi çarterat e parë me turistë të huaj. Janë disa vende me të cilat ne kemi komunikim të shpeshtë si Çekia, Polonia, vendet Skandinave, Ukraina, Bjellorusia, që janë të gatshme të dërgojnë çartera nëse ne si struktura shtetërore e hoteliere i garantojmë standarde të higjienës.

“Po synojmë hapjen e parë në rajon”, deklaroi ministri i Turizmit.

Klosi tha se do të synohet së pari një turizëm rajonal për të shpëtuar sektorin nga kriza. Jemi qeveria e parë në rajon, nënvizoi ministri Klosi që kemi ofruar një paketë mbështetëse për industrinë e turizmit. Lidhur me ligjin që do të përcaktojë rregullat për funksionimin e plazheve, ai tha se pritet të jetë gati brenda kësaj jave.

Ministri Klosi vuri në dukje se protokolli i paraqitur për rregullat e pushimeve është pranuar nga 95% e operatorëve turistikë, ndërsa shtoi se ka disa elementë që pritet të ndryshohen.

“Është një proces që ministria e ndjek shpesh, pra materiali është shpërndarë për mendim. E gjithë ideja e këtij manuali, është që turizmin ta kemi jo vetëm një mjet kënaqësie, por ta kemi edhe industri. Është një industri që mban me mijëra njerëz në punë, që mban rrjete të tjera industrish me punë dhe kemi mundësitë, falë investimeve që janë kryer në këtë industri, që të dalim të parët në treg”, u shpreh Klosi.

Ai theksoi se ky draft dhe ky protokoll masash është hartuar për kushtet në të cilat jemi, por nëse situata do të ndryshojë, Klosi tha se masat do të lehtësohen./atsh

Hapje e kufijve tokësorë për turistët nga vendet fqinje, në fund të majit fluturimet e para charter Read More »