Gazetarët nga Kosova vizitojnë Vlorën/ Kryebashkiaku Leli: Këtë verë turizmi të flasë shqip
Prej dy ditësh një grup gazetarësh nga Kosova ndodhen në qytetin bregdetar të Vlorës, në kuadër të promovimit të turizmit.
Paraditën e sotme grupi i gazetarëve vizitoi qendrën historike të qytetit, ku u prit edhe nga kryetari i bashksië së Vlorës, Dritan Leli.
“Vlora është qyteti i historisë, natyrës së mrekullueshme dhe njerëzve mikpritës. Në zonën historike në Vlorë ndodhen gazetarë nga Kosova, shqiptarë matanë bjeshkëve, ashtu siç jemi ne nga kjo anë e bjeshkëve në bregune detit në Vlorë ku historia ka një përzierje fantastike me natyrën, me njerëzit e mrekullueshëm dhe mikpritjen vlonjate”, – tha Leli.
Ai shprehu bindjen se çdo gjë e transetmuar nga gazetarët e Kosovës do të jetë një shtysë e madhe për të gjithë ata që akoma janë në dilemën se ku do të bëjnë pushimet këtë verë.
“Unë do të këshilloja të zgjidhnin Vlorën dhe jo pa qëllim në spotin publicitar që qyteti ka përgatitur me mbështetjen e bizneseve të qytetit dhe natyrisht të gazetarëve të Vlorës, kemi zgjedhur simbolikën e Farit. Do të doja shumë që në të gjithë territorin e bashkisë së Vlorës të dëgjoja atë që thashë dje në takimin me ministrin e Turizmit në Kosovë aksentin e shqiptarëve matanë bjeshkëve”, – nënvizoi Leli.
Kryebashkiaku Leli u shpreh se “kemi shumë dëshirë që Vlora të vizitohet nag turistë të huaj, të ketë vizitorë nga Italia, Polonia, Sllovenia, Austria , Danimarka, etj, por do të donim që këtë verë turizmi të flasë shqip”.
“Dy vjet më parë nuk bëhej fjalë që në këtë shesh të mund të kaloje apo të shikoje objekte që janë rikonstruktuar së fundi. Ndërkohë që duke bërë shëtitoren “Ismail Qemali” të vish në rrugën ku Ismail Qemali dhe Isa Boletini bashkë me njerëzit që shpallën pavarësinë kaluan së bashku, të bësh një ndalesë në shtëpinë e Margiosë, të zonjës së lavdishme që qëndisi flamurin. Të vish në zonën historike të Vlorës për të gjithë ne do të thotë shumë”, – theksoi Leli.
Leli foli edhe për muzeun e hibraizmit që, sipas tij do të jetë unik në botë.
“Ne do të tregojmë shembullin e bashkëjetesës që ne e tregojmë gjithmonë dhe është një nga vlerat e mëdha që ne mbartim”, – tha Leli./atsh