Turizem

“Perlat” e Shqipërisë/ Këtë verë ta kthejmë situatën në mundësi për të zbuluar më shumë destinacionet tona turistike

Shqipëria e cilësuar si perla e Ballkanit njihet për bukuritë e zonave bregdetare dhe malore, që gjithnjë e më shumë po tërheqin turistët vendas e të huaj në çdo stinë të vitit.

Kryeministri Edi Rama publikoi sot një video me pamje nga vendet më të bukura të Shqipërisë, nga veriu në jug.

“Me disa imazhe perla të Shqipërisë, të cilat edhe me kushtet e pamundësisë për të lëvizur lirisht jashtë uroj të keni kohë e mundësi për t’i vizituar këtë verë”, – shprehet Rama.

Në videon promovuese me sloganin “Unë rri në shtëpi”, thuhet se “sekreti i fundit i Europës ka ende shumë për të zbuluar, edhe për ne që jetojmë këtu. Këtë verë e cila do të jetë pak më ndryshe nga të tjerat ashtu siç qëndruam në shtëpi për të mbrojtur familjet tona le të zgjedhim të qëndrojmë në vendin tonë dhe ta kthejmë këtë situatë në një mundësi për të zbuluar më shumë natyrën shqiptare, vendet më të bukua ato të pazbuluara ende, historinë dhe traditat dhe për të mbështëtur të gjithë ata që punojnë në sektorin e turizmit. Bashkohu me nismën “Unë rri në Shqipëri” dhe fillo të bësh planet afër teje dhe ato më të largëtat., ku mund të udhëtosh , të zbulosh, të shijosh, të festosh shqip”.

Për shkak të vijës së gjatë bregdetare Shqipëria ofron disa plazhe, nga veriu deri në jug, si në Velipojë të Shkodrës, në Shëngjin të Lezhës, në Durrës, Vlorë, Himarë, Sarandë, etj, plazhe këto që frekuentohen përveç shqiptarëve, edhe nga shtetas të huaj, që zgjedhin Shqipërinë si një destinacion turistik gjatë muajve të verës.

Gjithashtu, Gjirokastra, Berati, Butrinti, Kruja, Tirana, Shkodra, etj., janë destinacione të kërkuara për turizëm historik dhe kulturor./atsh

“Perlat” e Shqipërisë/ Këtë verë ta kthejmë situatën në mundësi për të zbuluar më shumë destinacionet tona turistike Read More »

Kthim në identitet për Kishën e Manastirit të Shën Kollit në Mesopotam, Finiq

Kisha e Manastirit të Shën Kollit, në Mesopotam, Finiq, monument kulture i kategorisë së parë, i është nënshtruar procesit të restaurimit në dy faza të ndryshme.

Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare Vlorë tha se “faza e parë konsistoi në përforcimin konstruktiv të strukturës së kishës, restaurimin e çatisë, konsolidimin e muraturës, si dhe restaurimin e ambienteve të brendshme të saj”.

Sipas saj, në fazën e dytë u krye restaurimi dhe konsolidimi i mureve rrethues të manastirit si dhe përforcimi konstruktiv i kambanares.

“Këto ndërhyrje restauruese kanë kthyer në identitet një nga monumentet më të rëndësishëm të besimit të krishterë në jug të Shqipërisë”, tha DRKK Vlorë.

Kisha e Shën Kollit ka një arkitekturë tepër të veçantë të stilit bizantin. Në fillim ka ekzistuar si një tempull pagan dhe mbi rrënojat e tij është ngritur Kisha e Shën Kollit, e cila mendohet të jetë ndërtuar në kohën e perandorit bizantin Kostandin IX Monomaku.

Nga manastiri ruhen rrënojat e mureve rrethues me një sipërfaqe rreth 100 m² dhe kontrollohen nga 9 kulla drejtkëndëshe. Muret rrethues janë më të hershme sesa kisha.

Kjo është një ndër kishat më të mëdha dhe më të vjetra të periudhës bizantine që ruan vlera origjinale.

Dallohet për zbukurimet dhe mozaikët me motive floreale e zoomorfe, gjithashtu dhe për dekoret e punuara me tulla në muraturën e jashtme si dhe në harqet e dritareve dhe hyrjeve.

Basorelievet e rivendosura ne muret e kishës në forma të ndryshme ku përmendim: një shqiponjë, dy dragonj dhe një luan në njërën anë ndërsa në anën tjetër ndodhen figura mitologjike.

Kisha përbëhet nga salla e madhe e lutjeve dhe nga dy ambiente më të vogla. Motivi qendror në mozaikun e sallës paraqet një dragua me krahë të hapura. Kisha ka pasur dy rindërtime në vitet 1793 dhe 1845. /atsh

Kthim në identitet për Kishën e Manastirit të Shën Kollit në Mesopotam, Finiq Read More »

Histori dhe natyrë/ Kalaja e Bashtovës, destinacion për t’u vizituar këtë verë

Kalaja e Bashtovës, një monument kulture i ndërtuar në shekullin XV, me vlerat e saj historike dhe bukurinë natyrore është një tjetër destinacion për t’u vizituar këtë verë.

Në vijim të promovimit të destinacioneve të turizmit kulturor në vend, kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ndau sot pamje nga Kalaja e Bashtovës.

“Ne shqiptarët mbajmë emrin e shqiponjës. Siç shkruan rilindasi i madh Naim Frashëri: ”Shpesi që i themi “shqipe” ishte sipas besës zogu i Hyjit dhe shenjë e trimërisë. Andaj e kishin në flamur shqiptarët e vjetër, pa nga shqipja u quajtën shqiptarë”. Me këto pamje nga Kalaja e Bashtovës, ju uroj një ditë të mbarë”, tha Balla.

E ngritur pranë fshatit të Vilë-Bashtovës në një distancë prej 3-4 km, në veri të grykëderdhjes së lumit të Shkumbinit, nga muret e kalasë mund të vëzhgosh bregdetin si në pëllëmbë të dorës, që nga Gjiri i Durrësit e deri në Divjakë e Karavasta.

Kalaja e Bashtovës ndodhet në njësinë administrative Gosë, pjesë e bashkisë Rrogozhinë, me ndarjen e re administrative. Këtu ndahet territori i qarkut të Tiranës me atë të Fierit.

Për herë të parë, kalaja haset në një hartë detare të vitit 1521.

Kështjella është ndërtuar në shekullin XV dhe u ka shërbyer venecianëve për shkëmbime tregtare. Zona e Bashtovës është përmendur si një port lumor në Shkumbin si dhe një qendër e eksportit të drithërave. Kalaja ka trajtë katërkëndore me përmasa 60×90 metra. Pjesa perëndimore e saj është rindërtuar në shekullin XVIII. Muret e saj kanë një lartësi prej 9 metrash.

Mendohet se kjo kala ka qenë dykatëshe, ku një kat i saj është i fundosur nën sipërfaqen e tokës. Kalaja e Bashtovës është një monument kulture me vlerë që ju do ta gjeni vetëm disa kilometra jashtë Kavajës dhe që dëshmon për gjurmët e qytetërimit dhe civilizimit.

Ajo që e bën Bashtovën të veçantë në krahasim me kështjellat e tjera që mund të vizitohen në Shqipëri është fakti se ajo është e vetmja kështjellë e ndërtuar në një fushë dhe jo në majë të kodrave apo maleve./atsh

Histori dhe natyrë/ Kalaja e Bashtovës, destinacion për t’u vizituar këtë verë Read More »

Dy hotele të reja në Vlorë dhe Sarandë/ Klosi: Energji e re që i shtohet industrisë turistike

Ministri i Turizimit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, i cilësoi një energji e re që i shtohet industrisë turistike ndërtimin e dy hoteleve më të rinjë në qytetet bregdetare të Vlorës dhe Sarandës.

“Më një panoramë fantastike të Gjirit të Vlorës hotel Regina në Rradhimë ofron qetësi, pastërti, shërbim të kulturuar dhe guida turistike në zonë. Ky investim në hoteleri është një energji e re që i shtohet industrisë turistike”, – shprehet ministry Klosi, I cilia ka publikuar edhe disa fotografi nga përurimi I këtij hoteli.

Ministri Klosi bën të ditur gjithashtu se një tjetër hotel I është shtuar edhe qytetit bregdetar të Sarandës.,

“Hotel “Buzë”, në Sarandë, nga ku mund të shijosh panoramën e kaltër, lindjet dhe perëndimet relaksuese. Në ambientet Hotel Boutique Buzë gjenë qetësinë e dëshiruar”, – shprehet Klosi.

Për të stimuluar investimet në sektorin e turizmit, qeveria ka hartuar edhe një kuadër ligjor e fiskal favorizues. Ligji “Për Turizmin” ofron stimuj shumë konkurrues për investitorët e huaj.

Ligji ofron një varg ndryshimesh për sektorin e turizmit në Shqipëri, duke synuar ta shndërrojë atë në një nga sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë në vitet e ardhshme./atsh

Dy hotele të reja në Vlorë dhe Sarandë/ Klosi: Energji e re që i shtohet industrisë turistike Read More »

Gazetarët nga Kosova vizitojnë Vlorën/ Kryebashkiaku Leli: Këtë verë turizmi të flasë shqip

Prej dy ditësh një grup gazetarësh nga Kosova ndodhen në qytetin bregdetar të Vlorës, në kuadër të promovimit të turizmit.

Paraditën e sotme grupi i gazetarëve vizitoi qendrën historike të qytetit, ku u prit edhe nga kryetari i bashksië së Vlorës, Dritan Leli.

“Vlora është qyteti i historisë, natyrës së mrekullueshme dhe njerëzve mikpritës. Në zonën historike në Vlorë ndodhen gazetarë nga Kosova, shqiptarë matanë bjeshkëve, ashtu siç jemi ne nga kjo anë e bjeshkëve në bregune detit në Vlorë ku historia ka një përzierje fantastike me natyrën, me njerëzit e mrekullueshëm dhe mikpritjen vlonjate”, – tha Leli.

Ai shprehu bindjen se çdo gjë e transetmuar nga gazetarët e Kosovës do të jetë një shtysë e madhe për të gjithë ata që akoma janë në dilemën se ku do të bëjnë pushimet këtë verë.

“Unë do të këshilloja të zgjidhnin Vlorën dhe jo pa qëllim në spotin publicitar që qyteti ka përgatitur me mbështetjen e bizneseve të qytetit dhe natyrisht të gazetarëve të Vlorës, kemi zgjedhur simbolikën e Farit. Do të doja shumë që në të gjithë territorin e bashkisë së Vlorës të dëgjoja atë që thashë dje në takimin me ministrin e Turizmit në Kosovë aksentin e shqiptarëve matanë bjeshkëve”, – nënvizoi Leli.

Kryebashkiaku Leli u shpreh se “kemi shumë dëshirë që Vlora të vizitohet nag turistë të huaj, të ketë vizitorë nga Italia, Polonia, Sllovenia, Austria , Danimarka, etj, por do të donim që këtë verë turizmi të flasë shqip”.

“Dy vjet më parë nuk bëhej fjalë që në këtë shesh të mund të kaloje apo të shikoje objekte që janë rikonstruktuar së fundi. Ndërkohë që duke bërë shëtitoren “Ismail Qemali” të vish në rrugën ku Ismail Qemali dhe Isa Boletini bashkë me njerëzit që shpallën pavarësinë kaluan së bashku, të bësh një ndalesë në shtëpinë e Margiosë, të zonjës së lavdishme që qëndisi flamurin. Të vish në zonën historike të Vlorës për të gjithë ne do të thotë shumë”, – theksoi Leli.

Leli foli edhe për muzeun e hibraizmit që, sipas tij do të jetë unik në botë.

“Ne do të tregojmë shembullin e bashkëjetesës që ne e tregojmë gjithmonë dhe është një nga vlerat e mëdha që ne mbartim”, – tha Leli./atsh

Gazetarët nga Kosova vizitojnë Vlorën/ Kryebashkiaku Leli: Këtë verë turizmi të flasë shqip Read More »

Tuneli i Llogorasë rëndësi strategjike për turizmin në rivierën e Jonit/ Për 10 minuta nga Orikumi në Palasë

Kryeministri Edi Rama e konsideroi sot “tunelin e Llogorasë një vepër me rëndësi strategjike për turizmin në rivierën e Jonit.

Në shpalljen e garës ndërkombëtare për projektin inxhinierik të tunelit të Llogorasë, Rama tha se “me këtë vepër aksi Orikum-Palasë do të përshkohet në vetëm 10 minuta”.

“Tuneli i Llogorasë është një vepër e imagjinuar dhe e premtuar rëndom në çdo fushatë elektorale pas rënies së komunizmit dhe asnjëherë e materializuar për një mijë e një arsye. Edhe ne jemi zotuar që ta ndërtojmë tunelin e Llogorasë dhe sot jemi në fillim të kurorëzimit të procesit që do të çojë në mbajtjen e këtij zotimi”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se “bëhet fjalë për një zonë strategjike për zhvillimin ekonomik dhe imazhin e Shqipërisë në botë”.

“Një zonë ku interesi është i gjithanshëm pasi nuk bëhet fjalë vetëm për një natyrë dhe klimë të mrekullueshme në kushtet e sezonit turistik të verës, por bëhet fjalë edhe për një zonë me histori e trashëgimi kulturore, sot e gjithë ditën një thesar i pazbuluar. Bëhet fjalë për zonë që gjendet në librin e Jul Qezarit, i cili shkruan se në mesditën e 5 janarit kishte zbarkuar në Palasë”, tha Rama.

Ai theksoi se “me shumë krenari, ne sot jemi gati të materializojmë këtë projekt, i cili do të krijojë një akses krejt tjetër drejt zonës dhe natyrisht do të shërbejë si një katalizator shumë i fuqishëm i zhvillimit të turizmit në gjithë rivierën joniane”.

“Faktikisht e kemi parë dhe përjetuar shumë herë në kontaktet tona me investitorët e huaj shumë të interesuar për të investuar në turizëm, sidomos pasi ne krijuam një paketë ligjore agresive, pikërisht për të tërhequr investitorët e huaj, dhe në fund biseda gjithmonë mbyllet me distancën mes vendit ku synohet të bëhet një investim dhe aeroportit më të afërt”, tha Rama.

Rama tha se “përtej faktit se aeroporti i afërt me zonën, ai i Vlorës, do të ndërtohet, dhe një tjetër aeroport shumë herë i përfolur do të ndërtohet, ai i Sarandës, por kyçi mbetet Llogoraja, sepse distanca zgjatet jo vetëm si kohë, pro edhe si vështirësi në segmentin që e njohim të gjithë, që gjarpëron për të kapërcyer malin e Llogorasë”.atsh

Tuneli i Llogorasë rëndësi strategjike për turizmin në rivierën e Jonit/ Për 10 minuta nga Orikumi në Palasë Read More »

Në 29 qershor projekti i korridorit Adriatiko-Jonian, kapërcim epokal për Shqipërinë turistike

Kryeministri Edi Rama njoftoi sot se në datën 29 qershor do të paraqitet projekti më i rëndësishëm brenda gjithë programit të madh të transformimit, ai i korridorit blu Adriatiko-Jonian.

Rama tha se “ky projekt ka një volum investimi që nga pikëpamja e injektimit direkt në ekonomi tejkalon volumin e investimit total”.

Rama e cilësoi këtë projekt të ri, si xhevahirin më të madh të kurorës së gjithë projekteve të njëpasnjëshme që do të fillojnë të investohen.

“Korridori Adriatiko-Jonian nga Miloti në Fier, do kalojë përmes Thumanës dhe Rrogozhinës dhe më pas duke u lidhur me Shëngjinin, Velipojën, për të kaluar nga ana më panoramike e bregdetit drejt Malit të Zi”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se “me këtë aks kryhet kapërcim epokal për Shqipërinë turistike dhe ekonominë e këtyre territoreve”. /atsh

Në 29 qershor projekti i korridorit Adriatiko-Jonian, kapërcim epokal për Shqipërinë turistike Read More »

“Brenda javës, edhe 3 çartera të tjerë me turistë”/ Klosi: Presim vizitorë edhe nga Ukraina e Polonia

Ndërsa ka mbërritur çarteri i parë me turistë pas hapjes së kufijve, ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi siguroi në një intervistë televizive se janë respektuar të gjitha rregullat shëndetësore, duke nisur me kontrolle të shtuara në aeroport, dhe zbatimin e masave higjieno-sanitare në hotele.

“Nuk ka arsye për kthim prapa në masat izoluese. Numrat e lartë të infektimeve tregojnë që ka shumë arsye për t’u bërë thirrje qytetarëve për kujdes ndaj jetës së tyre”, u shpreh Klosi.

“Ne ishim të parët që vendosëm të hapeshim duke hapur fillimisht kufirin me Kosovën, Malin e Zi. Qëndrimi për t’u hapur nuk ishte thjesht se ne donim por për faktin se shëndetësia është e aftë për të përballuar një shtim të numrave të të infektuarve. Nëse do të ketë shtim dhe mosdakordësi të opionionit publik që mos të respektohen protokollet shëndetësore, sigurisht që do të ketë vendime të tjera”, tha ministri Klosi.

Klosi u shpreh se gjatë kësaj jave do të vijnë dhe 3 çartera të tjerë në Shqipëri, ndërkohë që duke filluar nga java tjetër, vendi do të presë turistë edhe nga Ukraina e Polonia.

“Me kompaninë që sollën turistët si dhe kompaninë e cila ofroi këtë shërbim, është dakordësuar që të respektohen rregulla strikte të kontrollit të pasagjerëve. Nesër vjen çarteri tjetër, brenda javës do të vijnë 3 të tillë. Më pas javës tjetër do të vijnë çartera nga Ukraina dhe Polonia. Nuk ka të bëjë me numrat, janë shumë të pakta krahasuar me vjet dhe kjo vjen si pasojë e mos hapjes së fluturimeve nga vendet e tjera të Europës”, theksoi Klosi.

Sipas tij, nëse do të vijojmë me këtë ritëm të hapjes së turizmit, do të arrijmë një nivel të konsiderueshëm të turizmit që mund të zgjatet edhe në muajt shtator dhe tetor në mënyrë që të mos kemi shumë humbje. /atsh

“Brenda javës, edhe 3 çartera të tjerë me turistë”/ Klosi: Presim vizitorë edhe nga Ukraina e Polonia Read More »