Vrojtuesit, garancia e jetës në plazhe
Rreth 1000 certifikata janë të lëshuara nga shkolla të ndryshme profesionale për ruajtësit e plazhit dhe të strukturuar dhe të punësuar të gjithë ata që kanë një certifikatë legale për të ruajtur plazhin. Kjo shënon një arritje dhe një pikë kthese në të gjithë vendet për sistemin e menaxhimit të plazheve në vendin tonë.
Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, gjatë një takimi të martën pasdite në Golem, me Federatën e Vrojtueseve te Plazhit, theksoi se ky profesion i ri është vlerë e shtuar në plazhet tona.
“Në 2017 filluan punë 25 ruajtësit e parë të plazhit, pasi përpjekje ka patur gjatë gjithë kohës por ne për herë të parë filluam të fusim një sistem dhe mbaj mend shumë mirë se sa efekt pozitiv krijuan uniformat tuaja në atë vit, megjithëse ishit shumë pak për gjithë hapësirën e madhe detare që ka Shqipëria. Kurse sot janë të regjistruar rreth 1 000 certifikata të lëshuara nga shkolla të ndryshme profesionale për ruajtësit e plazhit dhe të strukturuar dhe të punësuar të gjithë ata që kanë një certifikatë legale për të ruajtur plazhin”, – tha Klosi.
“Pra është një përpjekje 2-vjeçare, por që shënon një arritje dhe një pikë kthese në të gjithë vendin për sistemin e menaxhimit të plazheve në vendin tonë. E kemi thënë që për ne kryesore vazhdon të jetë jeta e njerëzve, për ne kryesore vazhdon të jetë ruajtja e asaj çfarë qytetarët do të duhen të shfrytëzojnë plazhet tona, por të jenë plazhe të sigurta, plazhe të menaxhuara mirë dhe natyrisht plazhe në të cilat jeta e njerëzve është 100 për 100 e sigurt. Ky profesion i ri, kjo vlerë e shtuar në plazhet tona vjen njëkohësisht edhe me përpjekjet që po bëjmë gjithë së bashku për të ndryshuar kryekëput mënyrën se si menaxhojmë këtë pasuri të madhe kombëtare që është vija bregdetare”, – vijoi ai.
“Në Shqipëri në vitin e kaluar hynë plotë 6 milionë e 400 mijë pushues të huaj dhe 2020 fatkeqësisht nga pandemia është një vit i goditur, por dhe në 2020 ne presim të kemi një numër të pranueshëm pushuesish në plazhet tona, falë mbështetjes së madhe që na vjen nga pushuesit tanë vëllezërit tanë të Kosovës dhe natyrisht pushuesit e brendshëm, dhe për të gjithë këta na duhet të kemi një sistem të menaxhuar krejt ndryshe në plazhet shqiptare”, – shtoi Klosi.
“Qeveria shqiptare vendosi që këtë vit, në vitin e pandemisë për të rritur sigurinë e plazheve tona, për të shtuar kontrollin mbi këtë vijë bregdetare, për të rritur transparencën dhe për të lehtësuar biznesin e trajtimit të plazhit, të krijojmë një sistem të ri dhe në një kohë rekord vetëm në 1 qershor filloi punën ky sistem. Ia dolëm që me të 12 bashkitë bregdetare, ne të kishim një sistem të kombinuar të përpjekjes së madhe të Ministrisë së Turizmit dhe bashkive të vendit për të garantuar një sistem transparent shumë herë më të lehtësuar për vet operatorët turistik, një sistem i cili garantonte biznes të qëndrueshëm për ata të cilët merren për trajtimin e plazhit në radhë të parë hotelet, e më pastaj strukturat që ofrojnë shërbim në mënyrë të organizuar dhe sot mund të them me bindje që falë kësaj pune të madhe kemi një sistem shumë më të thjesht për vet përdoruesit, kemi një sistem transparent, ku gjithsecili nga veriu në jug dihet se kush e menaxhon këtë plazh dhe sepse ai e ka këtë favor për të menaxhuar plazhin për të rritur garancinë dhe mënyrën se si funksionon plazhi shqiptar, por po ashtu bashkitë për herë të parë ja dolën që të kenë një sistem grumbullimi të ardhurash shumë më tepër efikas edhe pse një vit pandemie të kenë më shumë të ardhura të grumbulluara nga ky sistem i mirë menaxhuar i plazheve tona”, – u shpreh Klosi.
“Njëkohësisht e them me shumë ndjesi pozitive që ja dolëm që mbi 50% e sipërfaqeve të plazheve tona të jenë plazhe publike dhe në plazhet që janë më shumë intensive të kemi parcela të mirë administruara nga të gjithë strukturat e pushtetit vendor dhe këtu do të doja të falënderoja shumë kryetarët e bashkive, të cilët ja dolën që të kenë plazhe publike të mirë menaxhuara të pastra duke ruajtur jetët e njerëzve që bëjnë në to plazh dhe po ashtu të jenë sisteme shumë të dukshme dhe të dallueshme për njerëzit e thjeshtë dhe të zakonshëm, të cilët nuk donin apo nuk duan të marrin shërbimin e shezlongëve”, – u shpreh Klosi.
“Them që ja dolëm që të kishim sistem që ndihmoi shumë operatorët turistik aplikues në sistemin e e Albania, u shërbyen në mënyrë perfekte në kohë record dhe me transparencë 100 për 100 më shumë se 6 mijë e-mail-e të ardhura në drejtim të sistemit të e-Albanias kanë marrë që të gjitha përgjigje e them me kënaqësi që çdo shqetësim është adresuar në mënyrën më të mirë. Një sistem i cili gjithmonë ka prodhuar problematika për vijën bregdetare mund të themi që kësaj radhe ja dolëm që të ketë një mënyrë shumë transparente dhe të thjeshtë në zgjidhjen e problematikave nga kufiri verior në kufirin jugor po ashtu një nga kërkesat e këtij sistemi ishte dhe ruajtja e plazhit, vendosja e një kontrate trasparente ndërmjet bashkisë, agjencisë kombëtare të bregdetit dhe poseduesit të plazhit për të vendosur një detyrim ligjor tashmë për të pasur të garantuar jetën e qytetarëve që bëjnë në to plazhe, për të pasur një kontratë publike me ju vrojtues të plazhit”, – tha ministri i Turizmit dhe Mjedisit.
“Duhet ta keni shumë mirë të qartë që tashmë jo vetëm jeni pjesë e strukturës së plazhit, por jeni garancia që do të kemi mundësi jo vetëm në momente të vështira të problematikave në det por për të gjithë sistemin e menaxhimit të plazhit, struktura juaj me 1 mijë djem dhe vajza të stërvitur profesionalisht, por edhe nga pikëpamja fizike, të përgatitur për të dhënë ndihmën e parë do të jetë një sistem i plotë, i mirë funksionimit të plazheve tonë. Për të gjithë problematikat që duhet të gjenden në vijën bregdetare”, – shtoi ai.
“Për të ruajtur jetën për të pasur njoftim të organeve ligjzbatuese në rast ngjarjesh të ndryshme, që mund të ndodhin në plazh, për të dhënë garanci dhe siguri tek pushuesit që ka një njeri që kujdeset për jetën e tyre dhe për gjithë sistemin dhe po ashtu për të krijuar një rrjet komunikimi me të gjithë ju për çdo problematikë sidomos në kuadër të ruajtjes së jetës dhe pastërtisë në plazhet tona. Në kuadër të mirëfunksionimit, në bashkëpunim të ngushtë me bashkitë në një ndryshim të fortë ligjor që po bëjmë për menaxhimin e vijës bregdetare do të kërkojmë që nga viti 2021 vija bregdetare të jetë e gjitha e mirë kontrolluar të mos kemi asnjë problematikë, si ato që u shfaqën përsëri në fillim të vitit për sa i përket ndërtimeve pa leje në vijën bregdetare. Të jetë e qartë për të gjithë që kjo pasuri është pasuri kombëtare”, – tha Klosi.
“Ne duam shumë që vijën tonë bregdetare ta shndërrojmë në një vijë pushimi jo vetëm për bashkëkombësit tanë, por bregdeti shqiptar të shndërrohet në një krenari kombëtare dhe një bregdet i rajonit, por për ta pasur krenari kombëtare dhe njëkohësisht prodhues të një ekonomie të fortë përsa i përket ekonomisë shqiptare, na duhet qartazi që të kemi standard në jetën e plazhit tonë dhe prandaj do të kërkojmë fort që duke filluar nga kjo përpjekje e madhe me strukturën tuaj për të vazhduar me gjithë premtimin e dy problematikave, pra të sigurisë dhe pastërtisë në plazhet tona do të luftojmë që të shkojmë drejt standardeve më të mira europiane për plazhet shqiptare, që është blu febi, apo vendosja e standardeve europiane në plazhet shqiptare”, – tha Klosi më tej.
“Natyrisht ju tani jeni bërë shumë, nuk është më që çdo njëri punësohet drejt për së drejtë konkurrenca është rritur ndërmjet jush prandaj profesionalizmi dhe aftësia juaj fizike por natyrisht dhe intelektuale edhe gatishmëria për të qenë të gatshëm në çdo moment të caktuar do t’jua rrisë më shumë potencialin tuaj për këtë aktivitet kaq shumë të kërkuar. Ky vit është një vit i vështirë, por edhe pse është një vit i vështirë ja dolëm që të vendosim disa rregulla të cilat do të ngrejë plazhin shqiptar në një standard më të lartë. Na duhet shumë që këtë që po ndodh në vijën bregdetare ta realizojmë në çdo vend ku ka një aktivitet noti. Pra dhe në pishina dhe në zonat liqenore që padyshim funksionon, pra kudo që ka funksion dhe ku ka aktivitet të plazhit dhe që njerëzit notojnë duhet të ketë patjetër një uniformën tuaj kaq simpatike dhe gjallërinë dhe energjinë e moshës tuaj”, – përfundoi Klosi. /atsh