Turizem

Plazhi publik ku të gjitha shërbimet ofrohen falas në Vlorë

Plazhi publik në qytetin e Vlorës është një mundësi e mirë për të gjitha moshat për të pushuar këto ditë vere.

Kreu i Bashkisë së Vorës, Dritan Leli, duke publikuar një video nga plazhi publik në qytetin bregdetar, nënvizon se në këtë plazh të gjitha shërbimet ofrohen falas.

“Plazhi publik i Bashkisë Vlorë, që po funksionon prej ditësh në afërsi të godinës së ish Akademisë së Marinës është një mundësi pushimi për të gjitha moshat në këto ditë vere, ku ofrohen falas të gjitha shërbimet, njëlloj si edhe në hapësirat që shfrytëzohen nga subjektet private”, shprehet Leli.

Sipas kryebashkiakut, ky është një model i vizionit të Bashkisë për t’ju gjendur pranë pushuesve.

“Ky mjedis, përbën njëkohësisht, një model të vizionit të administratës së Bashkisë, për t’ju gjendur pranë dhe për t’u krijuar standarde pushimi kategorive në nevojë; të moshuarve, grave e fëmijëve.”,- nënvizon Leli./atsh

Plazhi publik ku të gjitha shërbimet ofrohen falas në Vlorë Read More »

“Pusho shqip”/ Darzezë dhe Seman në Fier, destinacionet turistike të relaksit dhe adrenalinës

Ministër i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi ka publikuar sot një video nga bukuritë e plazhit Darzezë dhe Seman pranë Fierit, si ftesë për vizitorët vendas dhe turistët e huaj.

“Plazhet e Adriatikut, Darzezë dhe Seman pranë Fierit, relaks dhe adrenalinë”, shprehet ministri Klosi në videon e publikuar.

Plazhet e Darzezë dhe Seman po kthehen gjatë viteve të fundit në të preferuarit e shumë turistëve të huaj, pasi janë plazhe të virgjëra me rërë të pastër dhe ujë të kthjellët.

Darzeza, Semani, Ndërnënasi dhe Pish Poro në vijën bregdetare të Fierit janë plazhe ranore me shtrirje të konsiderueshme që të ofrojnë qetësi dhe argëtim në të njëjtën kohë.

18 km në perëndim të qytetit të Fierit, shtrihet plazhi i Semanit, me gjatësi 7 km. Pjesë vijës bregdetare të Fierit janë po ashtu edhe plazhi i Darzezës 13,7 km, plazhi Ndërnënas 8 km, dhe plazhi Pish Poro 9,5 km.

Hapësira pa fund bregdetare me rërë të imët kurative, plazhe familjare me ujëra të ngrohta dhe të cekëta të pasura me gjallesa ujore janë ato që të ofron kjo pjesë e Adriatikut.

Ndërkohë gatimet tradicionale me prodhime vendase dhe çmime të përballueshme mbeten joshja e pushuesve në bregdetin e Fierit.

Vija bregdetare e Fierit nuk ofron vetëm plazhe, por edhe vende fantastike për aventurë, eksplorim, peshkim apo sporte ekstreme. /atsh

“Pusho shqip”/ Darzezë dhe Seman në Fier, destinacionet turistike të relaksit dhe adrenalinës Read More »

Fluks pushuesish në jug të vendit

Me ujin e kristaltë dhe plazhet mahnitëse bregdeti i Vlorës ka mirëpritur gjatë kësaj fundjave pushues të shumtë nga qytete të ndryshme të vendit ku nuk kanë munguar dhe më besnikët e turizmit tonë, shqiptarët nga Kosova.

Gjatë pasdites së sotme përgjatë bregdetit të Vlorës shihet një fluks i madh pushuesish të cilët po rikthehen në qytetet e tyre pasi kanë kaluar një fundjavë në brigjet dhe plazhet mahnitëse që ky vend ofron.

Të shumta janë dhe makinat e shqiptarëve të Kosovës që tashmë e kanë kthyer Vlorën në vendin e tyre të preferuar për fundjavat verore.

Në axhendën e qëndrimit të vizitorëve të shumtë gjatë kësaj fundjave që vizituan Vlorën, përfshihen shëtitje në qytet, vizita në objekte dhe vende të ndryshme historike dhe kulturore, si Zvërneci, Kanina, etj, ndërsa nuk mungon as Llogoraja, si dhe plazhet e shumta që shtrihen përgjatë vijës bregdetare.

Me një transformim rrënjësor vitet e fundit falë projektit të Rilindjes Urbane tashmë Vlora është tashmë destinacioni i preferuar për pushuesit e të gjitha grupmoshave./atsh

Fluks pushuesish në jug të vendit Read More »

Faqja e njohur turistike: Shqipëria vendi i mrekullueshëm për t’u eksploruar

Një vend i vogël i vendosur në Gadishullin Ballkanik në Jug dhe Juglindje të Evropës.

Ai ka shumë kështjella dhe zona arkeologjike.

Edhe pse shumë turistë nuk dinë shumë për këtë vend, ai është i mrekullueshëm për t’u eksploruar sepse ofron natyrën e egër dhe ajrin mesdhetar.

Vendi është më i lirë dhe më pak i mbushur me njerëz në pushime krahasuar me vendet e tjera, shkruan faqja e njohur turistike nomadlo.com.

Nëse planifikoni ta vizitoni, më poshtë janë atraksionet kryesore të Shqipërisë për t’u parë dhe shijuar:

BERATI

Qytet i vendosur në lumin Osum pikërisht në mes të Shqipërisë. Është i njohur për shtëpitë e tij të bardha otomane dhe gjithashtu është i njohur si “qyteti i një mbi një dritareve” sepse shtëpitë kanë shumë të tilla. Ai quhet ndryshe edhe qyteti i muzeve dhe kështu do të ishte një rast i shkëlqyer për ata që e duan historinë dhe kulturën.

RIVIERA SHQIPTARE

Riviera Shqiptare, që njihet edhe si Bregu, është një vijë bregdetare përgjatë detit Jon. Është relativisht më pak e mbushur me njerëz dhe plazhet ju mundësojnë gjithçka. Hotelet dhe ndërtimet e tjera ju ofrojnë të kaloni pushime të shkëlqyera, ndërsa fshatrat përreth ia vlen të vizitohen.

DURRËSI

Ky qytet i madh është qyteti port më i rëndësishëm në Shqipëri. Është i pasur si në aspektin ekonomik ashtu edhe në atë kulturor. Gjatë gjithë vitit hapen ekspozita. Sidoqoftë, Amfiteatri luan një rol kryesor dhe njihet si një tërheqje e rëndësishme e qytetit. Përveç kulturës dhe historisë, qyteti ka edhe plazhe për turistët.

KRUJA
Është një qytet i rrethuar nga shumë lokacione të rëndësishme, si kalaja e Krujës, e vendosur në qytetin e konsideruar si i shenjtë nga popullsia vendase. Ka muzeun ”Skënderbeu”, që është një kujtesë e luftërave në zonë. Për më tepër, zonat pranë qytetit janë me rëndësi kulturore dhe të mira për t’u vizituar./atsh

Faqja e njohur turistike: Shqipëria vendi i mrekullueshëm për t’u eksploruar Read More »

Kanioni i Llëngës, atraksion për turizmin malor në Pogradec

Shqipëria gjithnjë e më shumë njihet në botë si një vend turistik, i mbushur me bukuri natyrore që zbulohen dalëngadalë. Peizazhi natyror i larmishëm i vendin tonë ofron të gjitha llojet e turizmit.

Kanioni i Llëngës në Trebinjë të Pogradecit, është një tjetër bukuri natyrore shqiptare, që krahas historisë dhe kulturës që mbart në vetvete kjo zonë ka potenciale dhe ofron mundësi të mëdha për turizmin malor.

Kanioni i Llëngës i quajtur ndryshe si “Gryka e Gurit” ndodhet në zonën e Mokrës, në afërsi të Kishës së Shën Marenës, rreth dy e 30 minuta larg qytetit të bukur liqenor të Pogradecit.

Kanioni është i gjatë rreth 1 km dhe ka një gjerësi prej 15 deri 20 metra e gjerë. Ajo përbën një bukuri të rrallë me shpate mali që bien thikë në një lartësi rreth 50-60 m mbi hullinë e kanionit. Gjithashtu, një reliev të ngjashëm ka edhe një tjetër kanion më i vogël përsëri në afërsi të fshatit Llëngë.

Vizitorë dhe turistë që frekuentojnë pushimet në liqenin e Pogradecit kanë mundësinë të shijojnë edhe një udhëtim në natyrë drejt kësaj zone fantastike.

Kanioni është nga ato destinacione që ngjall interes të madh për turizmin e aventurës dhe sot është një vend i frekuentuar shpesh nga dashamirësit e natyrës dhe gjatë fundjavës./atsh

Kanioni i Llëngës, atraksion për turizmin malor në Pogradec Read More »

Parku Divjakë-Karavasta parajsa e turizmit natyror

Zëvendëskryeministri Erion Braçe, i ka bërë ftesë qytetarëve dhe turistëve të vizitojnë Divjakën, një nga destinacionet më të preferuar për turizmin detar, natyror dhe të vëzhgimit të shpendëve ujorë.

“Shihe nga lart tani dhe shko ku të duash me biçikletë e varkat tona. Merr frymë thelle aq sa mushkëritë të ndjejnë ajrin e pastër të një parku natyral, kurrë të prekur nga ndotja. Aty e ke, 50 minuta larg nga çdo drejtim”, shprehet Braçe.

Plazhi, laguna dhe pylli që e rrethon janë tre asetet kryesore të zhvillimit të turizmit në Divjakë, krahas monumenteve të kulturës që ndodhen në zonë.

Me një kullë panoramike, varka për të shëtitur vijë ujore përgjatë gjithë parkut, pyllin e gjelbëruar dhe me larmishmëri shpendësh janë disa nga aventurat që nuk duhen humbur kur viziton këtë park të rijetësuar.

Gjatë sezonit turistik në këtë park ofrohet një guidë prej 5 km, ku vizitorët njihen me gjallesat dhe bimësinë e parkut.

Vendet më të preferuara nga vizitorët janë “Ishulli i Pelikanit”, Këneta e Madhe ku jeton Pelikani, por edhe shpendë të tjerë dhe Këneta e Vogël, ku kryesisht strehohen Flamingot dhe Rosat e Egra.

Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta është një zonë e mbrojtur në zonën bregdetare të Shqipërisë, që përbëhet nga ekosisteme komplekse, shumë të pasura në biodiversitet dhe burime natyrore.

Parku është shpallur si zonë e mbrojtur natyrore për shpendët e ujit, si ligatinë me rëndësi ndërkombëtare sipas Konventës së Ramsarit, që nga viti 1995.

Zona e parkut kombëtar Divjakë-Karavasta është zona më e rëndësishme komplekse e Shqipërisë për sa i përket biodiversitetit. /atsh

Parku Divjakë-Karavasta parajsa e turizmit natyror Read More »

“Pusho shqip”/ Gurrat e Gurit të Bardhë në Klos, madhështia e peizazhit malor

Bashkia Klos fton turistët vendas dhe të huaj të vizitojnë Gurrat e Gurit të Bardhë, një destinacion i preferuar turistik që ofron pamje madhështore.

Gurrat e Gurit të Bardhë janë nga më të bukura që ka zona, për ujin, ngjyrat e natyrës që kompozohen bukur në peizazhin malor të Klosit.

Në fshatin Guri i Bardhë ndodhet vendi i quajtur “Gurrat”, aty ku uji është simbol i këtij vendi. Guri i Bardh është i klasifikuar në 100 fshatrat turistikë të Shqipërisë dhe përbën një vend që ia vlen për t’u vizituar.

Në këtë fshat ndodhet Kalaja e Petralbës e cila gjendet poshtë në pjesën e poshtme të fshatit Guri i Bardhë dhe përmbi fshatin Fshat, ku madhështisë së të shkuarës i bashkohen kullat që janë një pasuri e madhe e trashëgimisë së Klosit.

Fshati Gur i Bardh është në juglindje të bashkisë Klos dhe kufiri ndarës me bashkinë Tiranë.

Guri i Bardh ndodh 9 km nga Klosi, dhe rruga ofron pamje malore fantastike, një ballkon ku sheh përreth male, bimësi të harlisur, kulla të bardha, traditë mikpritjeje, një vend që çdo turist do ta ëndërronte. //atsh

“Pusho shqip”/ Gurrat e Gurit të Bardhë në Klos, madhështia e peizazhit malor Read More »

Vija bregdetare, jo më një aksesor i ekonomisë sociale, por një nga shtyllat e forta të zhvillimit të vendit

Masterplani i zonës së bregdetit do të bëjë që plazhi të mos ketë vetëm detin dhe rërën, por t’i hapë rrugë dhe zhvillimit të shumë aktiviteteve të tjera, duke e kthyer vijën tonë bregdetare të konkurueshme me simotrat e saj europiane.

Kështu theksoi sot ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi në dëgjesën publike me grupet e interesit të zhvilluar në Spille.

“Një pasuri e madhe që nuk mund të lihet të zhvillohet papasur plane të menaxhuara saktë të pa ndërtuara të cilat i afrohen standardit të menaxhimit të kohës. Ne nuk mund të pranojmë që vija bregdetare shqiptare të vazhdojë të shikohet si një aksesor i ekonomisë sociale, vija bregdetare shqiptare do të jetë një nga shtyllat e forta të zhvillimit të ekonomisë së vendit”, – tha Klosi.

Tashmë, vijoi Klosi, në diskutimin qeveritar e më pas në parlament do të kemi Ligjin e ri për kontrollin e vijës bregdetare, ligji i ri i cili nuk do të duhet të bie ndesh me interesat e zhvillimit, por duhet të ruaj në mënyrë sa më të plotë një ekulibër të qëndrueshëm ndërmjet kërkesës edhe mundësisë për zhvillim jo vetëm në Spille, jo vetëm në plazhin e Rrogozhinës, Kavajës por gjithë Shqipërisë.

“Pra të kemi zhvillim për të bërë turizëm por edhe të ruajmë pasurinë tonë të madhe kombëtare që kemi, të ruajmë natyrën”, tha Klosi.

Ligji i ri menaxhimit të vijës bregdetare është një ligj, i cili kërkon të ruajë në mënyrë shumë strikte edhe fanatike, vijën bregdetare, e cila është një pasuri e madhe në të cilën nuk do të lejohen ndërtime dhe zhvillime të pa kontrolluara të bizneseve.

“Na duhet ta shohim këtë breg, këtë hapësirë më varka, shumë më tepër jahte, mjete lundruese. Ligji i ri do të përcaktojë rregullat e turizmit detar, të ketë mundësi që të afrojë biznes shumë më tepër në det, por njëkohësisht të kujdesemi shumë më mirë për tokën. Pra ligi i ri dhe plani i ri zhvillimor që ne do të bëjmë për këtë zonë do tu japim mundësi atyre që duan të bëjnë biznes të vërtet përsa i përket zhvillimeve të zonës së Spilles dhe në gjithë zonën”, – tha Klosi.

Kjo është vetëm një dëgjesë e parë e Masterplanit të zonës së bregdetit, e cila do të vazhdojë dhe në zonat e tjera bregdetare./atsh

Vija bregdetare, jo më një aksesor i ekonomisë sociale, por një nga shtyllat e forta të zhvillimit të vendit Read More »