Sudiuesi Auron Tare, ish-drejtori i Parkut Arkeologjik të Butrintit, u shpreh kundër dhënies së kësaj trashëgimie arkeologjike me koncesion për menaxhim te privati.
Qeveria e Edi Ramës ka vendosur t’ia japë Butrintin me koncesion për 10 vite kompanisë britanike “Prince & Pearce”, dhe ky duket se është një rast unik në Europë.
“Situata në 10-vjeçarin e fundit në Butrint lë për të dëshiruar, si situata e vizitorëve dhe ekspeditat arkeologjike, shkolla e restaurimit e cila nuk është më”, – thotë Auron Tare.
Më tej ai shton se kjo do t’i hapë rrugën kompanive të tjera private për të marrë në menaxhim trashëgimi kulturore, ku sipas tij nuk është çudi nëse një kompani greke merr në menaxhim Gjirokastrën apo Tepelenën.
“Megjithatë do të thosha me gjithë këtë situatën që ka trashëgimia kulturore në Shqipëri, Butrinti i qëndroi, i rezistoi”.
“Në asnjë mënyrë nuk mund t’i jepet një fondacioni të huaj për menaxhim. Nëse kjo do të ndodhë, atëherë ne do të mund të kemi shumë mirë një fondacion grek që mund të marrë Gjirokastrën, Tepelenën, apo Krujën”, theksoi Tare.
Sipas ish-drejtori i Parkut Arkeologjik të Butrintit, teksa ishte i ftuar në “Ora News”, – “PPP në trashëgiminë kulturore është shumë e rrezikshme. Nuk mund t’u jepen të huajve. Nuk kemi një model tjetër në Europë. Ose do të pranojmë që Butrinti ka falimentuar, dhe i jepet një pale të huaj”.
“Ose themi që Butrinti është i suksesshëm, dhe nëpërmjet një fondacioni të mblidhen të gjithë ekspertët më të mirë shqiptarë. Por duhet të jetë një bërthamë shqiptare, nuk mund ta dorëzosh trashëgiminë tënde te një i huaj”, – tha Auron Tare.
Sërish radhë në kufirin e Morinës. Turistët nga Kosova kanë vendosur që të shfrytëzojnë deri në fund javët me diell, duke ardhur edhe këtë fundjavë pranë bregdetit shqiptar.
Burime të Dosja.al bëjnë me dije se vetëm sot në Shqipëri kanë hyrë rreth 10 mijë automjete e 25 mijë qytetarë, duke shkaktuar një radhë prej rreth 2 kilometrash.
Për shkak të radhëve të krijuara nga fluksi i madh i njerëzve, Pika Kufitare po punon me procedurë të përshpejtuar por megjithatë ka qënë e pamundur shkaktimi i radhëve.
Duke marrë parasysh nisjen me vonesë për shkak të pandemisë së koronavirusit, sezoni turistik në vend do të zgjasë edhe përgjatë shtatorit. Ndërkohë që prej hapjes së kufirit, kanë qënë vizitorët nga Kosova ata që mbajnë vendin e parë për turizëm në Shqipëri, duke kaluar qoftë edhe për një fundjavë.
Në plazhet e jugut gjen plot alternativa, duke filluar që nga gjelltoret, sufllaqet, piceri, restorante, por edhe vendet” high class” ku si sipas xhepit mund të zgjedhësh… dhe pikërisht këtu gabojnë pushuesit, sepse nuk dinë të zgjedhin e kur u vjen fatura coroditen….
Me beso po deshe: Jugu jonë është po aq i bukur sa Maldivet, Bali, Miami etj me rradhë… kur jemi thuajse në fund të një sezoni turistik veror që çdokush e ka shijuar sipas mundësive të veta, ka dhe shumë syresh që ende u ka ngelur ora tek fotot e faturave, tek “ babëzia” e “ pronarëve” të plazheve që këta të fundit i ka “ babëzitur” shteti njeherë po nejse, ky është muhabet tjetër…Por cfarë pashë këtë vit në Dhërmi?
“ Më falni” njëherë që po i përmend emrin Dhërmiut sepsa ka shumë nga ata “atdhetar” që u bie pika kur ia dëgjojnë emrin, që thonë se u bie më lirë kur pushojnë jashtë, e se në Dhërmi apo Jalë e ha një vezë aq e kaq, e madje ka nga ata që pasi kanë ngrënë një levrek të egër ose një gjinkallë deti ankohen se u shkoi shtrenjtë: Sigurisht kur vjen për herë të parë në jug pasi e ha peshkun e egër me 8000 mijë lekë kg apo gjinkallën 10.000 lekë të bëjnë sytë xixa…. Por a e keni idenë me sa futet në kuzhinën e një restoranti një peshk i egër, apo një gjinkallë? Epo duhet ta keni përpara se ta porosisni, ta hani, e të shani pasi keni lëpirë dhe buzët…por kështu ndodh kur e ke sefte?
Tani për ata kam një pyetje: Sa u ka kushtuar një peshk në Greqi, apo një antipastë në Bali, apo një darkë në Maldive? A po, kemi këtu edhe Turqinë, sigurisht me një turizëm të mirëorganizuar dhe plot kulturë, por që atje përfundon duke u lar nëpër pishinat e resorteve sepse nuk e ka kurrë detin tonë…ku përtej kësaj nuk je “ i aftë” e nuk guxon të dalësh jashtë kornizës së rregullores së hotelerisë ku je, ndërsa ketu ti zotëri/zonjë të vjen dhe të kërkon cmim duke filluar nga cadra( ku nuk do t’ia dish fare se sa ai biznes ka paguar për hapësirën ku ti do të shtrihesh dhe për pastrimin e tij, por të dhimbset vetem 1000 lekëshi yt)
A ka probleme turizmi ynë? Sa të duash…
Në jug sigurisht ka pronarë biznesesh që vetëm për atë punë nuk janë, që i presin klientët tek dera pa minimumin e respektit e pa kurrfarë buzëqeshje,sikur jua ka për borxh, kur në të vërtetë duhet t’i rrijë gati e t’i jetë falenderues qe zgjodhi hotelin e tij/ saj… E madje shkon më tej, ku shumë të kërkojnë të bësh pagesën pa marrë frymë ende e pa fshirë djersën nga vapa zhuritëse… e di që të ka ndodhur edhe ty kështu…ama ka shumë të tjerë që të presin me qytetari, që të rrinë gati e ia dinë punës, që kanë respekt për ty si klient e bëjnë maksimumin të kalosh pushime të bukura….
Plazhet private dhe ato publike
Edhe në Greqi, Spanjë apo Itali mund te bësh plazh në vende publike me cadrën tënde dhe peshqir me vete sic ndodh rëndom, por kurrë nuk do t’i bënit në Dhërmi ato lloj pushimesh sepse këtu në vendin tuaj ju “ bie hunda” juve që shani orë e sekondë bizneset dhe plazhet e jugut…Të takon ty të zgjedhësh se ku do ta kalosh ditën tënde në plazh… jugu të ofron shumë mundësi, por nëse zgjedh të pushosh në një plazh publik të lutem merri me vete zhapat e shalqinit që ke konsumuar apo shishet plastike të ujit dhe të lëngjeve… Pse i le kështu në vendin tënd, ndërkohë që jashtë të dridhen leqet e këmbëve nëse hedh qoftë edhe një qese aty ku ke pushuar… Ti që krenohesh me pushimet në Spanjë apo Itali apo Greqi ( dhe mirë bën) a e ke lënë ndonjëherë paketimin e një ushqimi në breg, po bishtat e cigares, apo qesen e akullores e ke zhytur poshtë zhezlongut? Sigurisht që jo… ndërsa në Shqipëri e bëjnë dhe privati t’i pastron e në mëngjes kur kthehesh e gjen akull plazhin… Sigurisht edhe këtu do të thonë: “E ka për detyrë”… dakord e ka për detyrë, por mos ia nxirr për hundësh 800 apo 1000 lekëshit që i jep për të qendruar si njeri…..nëse nuk do të paguash apo të duket shtrenjtë shko pak më tej në një plazh publik, por mos u anko nëse të vrasin shpinën guralecet e mbi të gjitha mos e ndot sepse nuk ke asnjë të drejtë….
Kryeministri Edi Rama, e ka nisur mëngjesin me një thirrje për të gjithë pushuesit, të cilëve u sugjeron që të vizitojnë jugun.
Në postimin e tij, Rama, u sugjeron që të vizitojnë Kishën e Shën Kollit në Mesopotam, e cila sipas tij është shpëtuar nga rrënimi nga qeveria.
Kryeministri Edi Rama pasi pushoi në jug të vendit këtë verë u ka bërë një sugjerim të gjithëve pushuesve që zgjedhin pikërisht këtë pjesë të Shqipërisë për ta vizituar.
“MIRËMËNGJES, dhe me sugjerimin miqësor për të gjithë ata që zbresin në Jug, për të mos e humbur këtë perlë të Trashëgimisë sonë Kulturore, pasi e shpëtuam nga rrënimi dhe e kthyem në një tjetër destinacion tërheqës për turistët e për eksploratorët e thesareve të Shqipërisë, ju uroj një të dielë të mbarë”, shkruan Rama.
Një grup turistësh francezë kanë zgjedhur si destiancionin e tyre turistik gjatë këtyre ditëve të nxehta gushti Malin e Tomorrit. Ata kanë eksploruar bukuritë natyrore si dhe kanë shijuar freskinë në majat e këtij mali i cili është një nga perlat malore të Shqipërisë.
Administrata Rajonale e Zonave të Mbrojtura Berat tha sot se megjithëse të paket sivjet, për shkak të pandemisë, turistët e huaj nuk mund t’i mungojnë Malit të Tomorrit.
Gjithashtu ata kanë eksploruar bukuritë dhe shtigjet e shumta që ofron ky vend duke bërë hiking si dhe florën dhe faunën e zonës.
Mali i Tomorrit është vizituar nga mijëra turistë vendas dhe kryesisht të huaj gjatë muajt gusht dhe fluksi vazhdon dhe shtohet nga dita në ditë në këtë zheg përvëlues të verës
Mali i Tomorrit shënon majën më të lartë 2416 metra, ai ngrihet vetmitar në një rrafshinë pa fqinjë që ta rivalizojnë dhe zotëron kështu pamjen nga të gjitha pikat e horizontit.
Bukuritë e rralla që ofron peizazhi, majat e larta, hone, lugina dhe gjelbërimi i pamasë e bën Malin e Tomorrit një nga destinacionet unike të turizmit malor. /atsh
“SYRI I KALTËR” – NJË ASET QË QAN PËR ZOT…
-Ose: Tortura që e ka emrin “Syri i Kaltër”-
Kisha kohë pa shkuar te Syri i Kaltër, më mirë të them, prej kohës kur rruga ishte e asfaltuar.
E dija që as dy vite të shkuara më parë, kishte të pa asfaltuara vetëm dy apo tri kthesa ndërkohë që sot, prej rrugës nacionale e deri ku del uji i Syrit, është e gjitha pluhur e baltë, pa as një të vetme grimcë asfalti.
Për çudi asnjë shënjë e vetme diku, si të mos kishte parë asnjëherë asfalt në kurriz.
Jam befasuar nga vizitorët e shumtë po edhe jam brengosur kur mu desh të shikoja me sytë e mi cfilitjen e tyre, makinat lënë vend e pa vend anës rrugës, shumë larg destinacionit, njerzit-vizitorë në këmbë përmes pluhurit dhe vapës.
Dhjetra e dhjetra makina me targa të lloj-lloj shteteve, me qindra e qindra njerëz të moshave e gjinive të ndryshme.
Ardhur prej Kosove, Maqedonisë së Veriut, Italisë, Bullgarisë, Greqisë e plot të tjerë nga vendi.
Të gjithë të nisur si drejt një feste të stërmadhe në natyrë.
Të gjithë drejt “Syrit të kaltër”, si një burim i rrallë natyror, ca më tepër si atraksion turistik me statusin “Monument natyror”.
Po, për të ardhur keq,
“Syri i kaltër” i katandisur si mos më keq, gjithandej ferra e driza, shkurre e bimësi si pa parë kurrë vëmëndje dhe dorë njeriu.
E tillë e gjithë sipërfaqia, dikur me shtigje e rrugica të kuruara hijshëm e nga ku mund ti bije kryq e tërthor asaj mrekullie natyrore në të dy anët e lumit që bëhet njësh me ujin që buron nga Burimi monumental. Tani gjithë ajo merekulli e gjëlbër natyrore e ujore e mbetur pa as më të vogëlin shkëlqim të së kaluarës.
Gati të dhimbseshin ata njerëz që prej kushedi nga vinin e të etur për të vizituar “Monumentin natyror” me emrin “Syri i kaltër”, ofruar jo pak prej agjencive turistike por që jo pak është shpenzuar gjithandej për promocion.
Madje seti promocional në hyrje të rrugës, aty ku duhet të kthehesh majtas apo djathtas për te “Syri…” shkëlqen i ndezur nga ngjyrat e bukuritë.
Edhe punonjësi i shërbimit, bash aty në hyrje të rrugës që kalon mbi digën e liqenit, tepër korrekt kur të jep biletën dyqynd lekëshe, po edhe kur e pyet e ngre supet kur i thua diçka për katandisjen e rrugës.
I hadha një sy biletës për të parë institucionin mbikëqyrës e menaxhues dhe lexova të shkruar me bojë të kaltër, në ngjyrën e ujit të “Syrit…”: Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura”.
Të paktën për “Syrin e Kaltër” më duhet të them: “Monumenti i Natyrës”, “Syri i kaltër”, një aset i jashtëzakonshëm turistik që, për fat të keq, ndodhet në një “Zonë të pa mbrojtur”.
Sejmen Gjokoli
Syri i Kaltër, 16.08.2020
Plazhi i Gjeneralit, i cili ndodhet në zonën e Kavajës, është një nga destinacionet që nuk duhet humbur.
Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, duke publikuar foto nga gjiri i mrekullueshëm i Plazhit të Gjeneralit thekson se është një zonë me biodiversitet të pasur tokësor dhe ujor.
“Plazhi i Gjeneralit, lindje dhe perëndime dielli që nuk duhen humbur, plazhe natyrore me një biodiversitet i pasur tokësor dhe ujor”,- nënvizon Klosi.
Kavaja ka një vijë bregdetare thuajse 30 kilometra e nisur nga Golemi dhe që përfundon në Spille.
Mes tyre është edhe Plazhi i Gjeneralit, i cili ndodhet midis dy kepave shkëmbore dhe është formuar nga veprimtaria akumuluese e valëve të detit.
Përbëhet nga rërë e imët me ngjyrë të verdhë në të hirët. Ka formën e patkoit dhe rrethohet nga shpate të buta kodrash me lartësi rreth 100 m, të veshura me shkurre mesdhetare, gjithmonë të blerta: dafinë, shqopë, mare, etj. Kepat shkëmbore në veri dhe në jug të plazhit me blloqe shkëmbore konglomeratike, të përbëra nga zaje me gjithfarë ngjyrash, përbëjnë një mozaik të mahnitshëm që harmonizohet me koloritin e pyjeve fantastikë nënujore të leshterikëve të detit (Cymodocea nodosa e Zostera marina).
Këto peizazhe me bukuri përrallore, pastërtia e kristaltë e ujërave dhe e rërës e tërhoqën gjeneralin italian në vitet ’30 të shekullit të kaluar që të vinte me jaht në këtë plazh të virgjër dhe të pushonte me familjen e tij. Së bashku me vlerësimin, ai i la plazhit edhe emrin e gradës së tij të lartë ushtarake./atsh
Një ndër monumentet më interesante që ndodhen në Shqipëri sa i përket historisë së saj dhe pozicionit ku ndodhet është edhe kalaja e Porto Palermos, në gjirin me të njëjtin emër në brigjet e detit Jon.
Kryeministri Rama ka publikuar një foto nga kalaja e Ali Pashës në Porto Palermo si ftesë për këtë sezon turistik për turistët e huaj dhe pushuesit vendas si një destinacion i veçantë ku takohet historia, kultura dhe madhështia e detit.
Kalaja e Porto Palermos ndodhet mbi një ishull rreth 30 m larg bregut ku rripi i ngushtë ujor midis bregut dhe ishullit është mbushur me dhe e gurë për të realizuar një lidhje tokësore me të. Ajo është një nga sarajet e shumta të strategut Ali pashë Tepelena, të cilat ai jo pa qëllim i ndërtonte në pika strategjike. Por kjo kala, qëndron në mes të detit dhe legjendës.
U ndërtua nga Ali Pasha si një dhuratë për një nga gratë e tij, Vasiliqinë, të cilën, sipas kronikanëve të kohës, pashai i Janinës e kishte shumë për zemër. Bukuria dhe madhështia e kësaj kalaje ka zënë vend në shumë libra kushtuar Ali Pashës. Për të, ashtu si dhe shumë të tjerë, ka shkruar dhe Aleksandër Dyma, autori i “Konti Monte Kristos”. /atsh