Te fundit nga zona

Moti në Orikum për tre ditët e ardhshme. Ja kur fillojnë ditët me diell !

Parashikimi i motit ne Orikum :

Ne Orikum dhe ne fshatrat Dukat, Tragjas e Radhime ne dy ditet ne vazhdim do kemi reshje shiu te cilat nuk do jene reshje te dendura. Moti me shi do vazhdoje kryesisht diten e Hene dhe te Marte.

Duke nisur nga e Merkura do kemi nje mot te permiresuar dhe me diell.

Moti në Orikum për tre ditët e ardhshme. Ja kur fillojnë ditët me diell ! Read More »

Dukat, Tragjas e Radhimë, më ke dhënë sisën e gjinë – Poezi nga Zhaneta Braho(Poetët e krahinës)

Nga Zhaneta Braho

Dukat Tragjas e Radhime
Me ty me vjen mbare te flas,
Me ke dhene sisen e gjine..,
Te jam ” afer”
Dhe pse….larg.!!!
Nje pyetje te ben jot” bije;
A mund te pergjigjesh pak;
Ne ” pjelles” tende kush na denoi
Perse lindem te pafat,
. Rrugeve me keq se kurdhet,
” Ku del tym
e ku ska flak””
Perse na late jetime,
Pse s’ na vrate…,
qe ne barke??!!!.
Zhgenjimin te madh e muarme,
Ndoshta …barku Jo,,
_. por shpirti qan.!!!
Kam uri kam Edhe dhembje,
Desha…ngrohtesine tende
Ish e drejta. Sdoja shume ,
Aty . Mbi rrogoz
_. ne gjume,
ulur kembe kryq ne gjunje
buken me sheqer…e uje!!!
Eh..moj krahine,
Ska njesi per ta matur,
Sa te vrare femijet ,.
neper. bote shpirt_ plasur ..!!
Kujt . ti besojme
Neve ne kte jete,
Nje i ngjitet fronit
Tjetri hajdute _ zbret.!!;
Eshte ligji i Xhungles,
qe sundon ne bote,
Aty te nxjerrin syte,.
_ Aty …nxjerrin thonjte.!!!
Shume larg harruar,,,
_ mbeti. Njerezia,
Eshte thatesire
po’ vyshket dashuria.!!!
Degjoni o njerez ,
Globi nuk eshte mire ,,
Merakun e kam,
per brezat qe do vijne
A do kete valle,
paqja… nje fytyre???!!.
Lindem lakuriq
te gjithe ne shqiptaret,
s’ njohem Perendite.
Djalli…mbolli faren.!!!
Ererat na flaken ,
neve me te ‘ dobetit”,
E. Patem nevojen,
per ndihmen e” Zotit”,
Falena…i thame,
Ish . faji i …te fortit.!!!
Ndoshta…
erresira e mbremjes,
Mendimet . I shkrine,
Po’ e mbyll penxheren
e te kaluares,
_ e dashura
krahine.,
E jeta me misterin e saj,
me zgjon. ..nje deshire:
Te dua ne dimensione te medha,
Sepse me ben te ndihem’ mire
Ndoshta se nuk
kam njohur …
pushtetin,…
As pasurine ..!!

Dukat, Tragjas e Radhimë, më ke dhënë sisën e gjinë – Poezi nga Zhaneta Braho(Poetët e krahinës) Read More »

Ne Orikum,Dukat,Tragjas,Radhime,Llogara dhe Karaburun – aty ku natyra i ka ngritur monument vetvetes

Orikumi dhe Karaburuni ndodhen midis Gjirit të Vlorës në Lindje dhe Detit Jon në Perëndim. Lartësia e Karaburunit shkon nga 15-30 m deri në 800 m mbi nivelin e detit. Pikat më të larta janë Maja e Flamurit (826 m) e ajo e Caderes (839 m). Kjo zonë ka statusin Rezervat Natyror i Menaxhuar, kategoria e IV. Zona e Karaburunit karakterizohet nga një diversitet biologjik dhe pejzazhor, i cili i dedikohet pozitës gjeografike, orografisë, hidrografisë, vertikalitetit, kushteve tokësore dhe klimatike të ndryshme. Kjo zonë mban habitate të ndryshme, të cilat nga ana e tyre përdoren nga një numër i konsiderueshëm kafshësh (shpend e gjitarë) të një rëndësie kombëtare dhe rajonale për ruajtje. Zona e Karaburunit aktualisht gjendet afër një popullate të konsiderueshme ku qendra më e madhe urbane është qyteti i Orikumit. Mjedisi social ekonomik i zonës është pothuajse agrar, ndërsa në verë merren me turizëm. Banorët përreth zonës së Karaburunit merren kryesisht me pemëtari, vreshtari, bimë foragjere, blegtori. Brenda zonës Karaburun gjatë periudhës së dimrit, është zhvilluar aktiviteti i blegtorisë (dhi e dhënë). Duke qenë në një pozicion të ndërmjetëm në rrugën e vetme nacionale që lidh Vlorën me Orikumin, Himarën e me tej deri ne Sarandë, ajo ka favorin të ofrojë pika me interes historik si Vlora, Kanina, Amantia, Mavrova, Orikumi, Himara etj.

Të dhënat historike, shumë gjetje arkeologjike dhe 19 monumente kulture, evidentojnë se rajoni ka qenë ndër me të zhvilluarit dhe të civilizuarit në Shqipërinë e Jugut. Kjo vërtetohet me gjetjet në shtatë qytete antike mjaft të pasura me vepra arti, arena, objekte kulti, varre monumentale, etj.


Nuk po flasim për Orikun e lashtë, por atë të kohëve të sotme. Në këtë vend ishte këneta dhe kullotat e Dukatit dhe asgjë tjetër. I gjithë vendi ishte një pyll i përzier me hilqe, frashër, që e bënte të pakalueshëm për njerëzit. Këneta vetë, kishte puse dhe vende ku uji ishte deri 1 deri 2 metra ujë. “Ishte e pashfrytëzuar se e bënin vetë kushtet që kombinonte me detin dhe ushqehej dhe me puset vetë. Deri në vitin 1956 s’kish gjë prej gjëje përveç një poste policie.  Për herë të parë u ndërtuan rreth 20 apartamente ku do strehoheshin rusët që do të vinin për bazëne Pashalimanit dhe shqiptarët gjithsej 72 familje të tyre”. Dalëngadalë punët ecën, kurse Pallati i Kulturës, një ngrehinë tipike e stilit sllav, u inaugurua më 15 gusht të 1960. Kështu u krijua Orikumi si qytet tipik socialist, me ndërtesa tipike dhe njerëz tipikë, oficerë, marinarë dhe familjet e tyre.

Me fundin e epokës së Luftës së Ftohtë, kur baza u prish dhe banorët mbetën në ato dy katëshit e vjetër, që u ndërtuan fillimisht për ushtarakët rusë dhe kolegët e tyre shqiptarë, fytyra e qytetit ndryshoi. Nevoja i mësoi banorët që t’i faleshin emigracionit, ndërsa pjesa e mbetur rregulloi shtëpitë dhe mendoi për turizmin shtëpiak. Falë punës së paqme të kryetarëve të bashkive, u shtrua rruga deri te baza, që nuk u bë kurrë gjatë viteve të Luftës së Ftohtë dhe sot ajo lidh vendin që nga fundi i Unazës së Re të qytetit dhe derisa përfundon në hyrje të Bazës Ushtarake të Pashalimanit në krahun jugor të Rrugës Nacionale Orikum- Pashaliman. U rregulluan kanalizimet dhe u rregullua bulevardi kryesor në qytet. Që sot gëlon nga të rinj dhe mijëra pushues nga vendi dhe të huaj.

Tani banorët e këtij qyteti i kënaqen plazhit të paanë, që shtrihet nga pranë Bazës dhe vijon deri buzë qytetit, ku një rreth pallatesh të tëra e kanë ndryshuar Orikumin krejtësisht duke e bërë një nga atraksionet më të mëdha të pas bregdetit të Vlorës. Dhjetëra shitore të vogla, rrethojnë qytetin, ku mbizotërojnë merkatat e vogla, pijetoret dhe në barazim me këto kafe-internet. Në këto mjedise, fëmijët e brezave të tashmë të Orikumit, ardhur nga emigracioni mbajnë gjallë fantazinë kibernetike dhe përcjellin trendin e moshës së tyre, që e ka bërë sërish të vjetër qytetin vogëlan.

Karaburuni

Karaburuni, kjo perlë e natyrës dhe historisë shqiptarët me plazhe te cilat vitet e fundit po shfrytezohen nga pushuesh dhe turiste

Llogaraja, porta e Rivierës Shqiptare

Parku Kombëtar i Llogarasë gjendet në juglindje të qytetit të Orikumit dhe 37 km larg qytetit të Vlorës. Ai përmbledh një siperfaqe prej 1,010 ha. Ajri i freskët e i shendetshëm, pamja e mrekullueshme e drurëve halorë,fshati turistik dhe ujët e ftohtë që burojnë nga brendësia e maleve i japin këtij parku vlera turistike e kombëtare. Nga të huaj e vendas cilësohet si një nga vendet më të bukura të Rivieres Shqiptare. Parku i Llogarasë përbëhet nga dru halore, pisha e zezë, bredhi, lisi, dëllenja e butë e robulli. Ështe shpallur monument natyror dhe kulturor në vitin 1966, po në atë vit ka marrë dhe statusin e parkut kombëtar. Prej disa vitesh në park funksionojnë një sërë objektesh turistike si hotele të vegjel, restorante, bare të hapura në natyre, etj.,të cilët kënaqin kërkesat e turistëve dhe udhëtarëve.

Orikumi antik dhe Orikumi modern

Një nga qendrat më të mëdha në këtë zonë ka qenë dhe është Orikumi, që shtrihet në bregun jugperëndimor të Gjirit me të njëjtin emër, në këmbët e gadishullit të Karaburunit. Qendra arkeologjike ndodhet në një kodër të ulët shkëmbore gëlqerore në fundin e një skele druri që ndan një lagunë të vogël nga gjiri (Pasha-Liman). Një kanal, tani i shndërruar në një kënetë lidhte lagunën me detin. Orikumi ka qenë qytet antik i disa periudhave, që nga ato greke, romake dhe deri në mesjetën e hershme. Sot ai është kthyer në një qytet modern, që merr më shumë rëndësi dhe gjallëri në nerv me vërshimine turistëve të shumtë vendës dhe të huaj. Orikumi ka akoma mundësi dhe resurse të tjera turistike të pashfrytëzuara. Ende një pjesë e tij, më e bukuara, mbahet nga repartet ushtarake në një vijë të gajtë bregdetare. Por Orikumin nuk duhet ta marrësh të shkëputur nga e gjithë zona për rreth që fillon nga Lugina e Llogarasë deri në Pasha-Liman (tek Gjiri i Bristanit) duke u kufizuar me Gadishullin e Karaburunit, me luginën e Llogarasë dhe Dukatit fushë duke përfunduar me lagunën e Orikumit. E vendosur midis Parkut Kombëtar Llogara dhe Rezervatit Natyror të Menaxhuar Karaburun kjo zonë shërben si një urë lidhëse midis dy ekosistemeve natyrore, dhe është pjesë e pandarë natyrale e tyre.

Mes bukurive dhe çudive natyrore të Llogaras

Të shkosh në plazhet e gjirit të Vlorës nga Uji i ftohtë e deri në Orikum dhe të mos lësh një pjesë nga koha jote për në Llogara, mos thuaj isha në Vlorë. Një vakt në Llogara, mëngjes apo drekë, është një kënaqësi mbresëlënëse. Ushqimet blegtorale bio këtu janë fantastike, ose, ndoshta  kështu të duket mes freskisë së pishave, që nga mishi i pjekur në hell,  nga djathi, gjiza, salca e lëkurës e deri te harapashi, gatim tradicional i zonës me të përbrendshmet e qengjit, miell  misri dhe gjalpë. Kënaqësia tjetër më e madhe, është rruga që mbi Dukat e deri në qafë sipër, ku duket Riviera, fshatrat e Himarës, Korfuzi dhe brigjet e Jonit.  E shijon këtë mrekulli me makinë, snatyrisht duke ecur ngadalë, por edhe duke zbritur here pas here nga makina për të marrë një dorë çaj apo rigon mali, apo për të soditur pishat, që për shkak të erës, i ngjajnë një flamuri të shpalosur, dhe bash për këtë ato quhen pisha flamur. Në qoftë se je i ngeshëm dhe kurioz mund të hysh thellë në pyll dhe të relaksohesh me pamjet e mrekullueshme dhe bimësinë që gjen atje. Ndërsa po vajte te km 31 i rrugës Sarandë-Vlorë, ne dalje të Parkut, në të djathtë të rrugës kryesore, ndodhet Pisha Flamur, që është shpallur Monument Natyre dhe që është lehtesisht e dallueshme. Ajo ndodhet në lartësinë 910m mbi nivelin e detit, ka një moshë mbi 100 vjeçare dhe  mbart vlera unikale, si vepër artistike e ererave të Jugut. Është e gjatë 17 m, ka perimetër 3.30 m, diametri maksimal 75m. Pisha flamur vazhdimisht ka terhequr vemendjen e vizitorëve vendas e të huaj dhe është botuar në guida të ndryshme turistike dhe botime shkencore. Natyrisht këtu nuk mund të rrish pa bërë një foto, me të cilën mund t’u mburresh miqve në Facebook, duke u thënë: “A e shihni ku kam qenë unë”?!..

Objekte me vlerë historike

Pushuesit që vijnë në gjirin e Vlorës dhe Orikum, veç plazhit, në orë të veçanta të ditës mund të vizitojnë edhe objekte historike që ndodhen në të gjithë zonën si:

Kisha e Marmiroit

Në fund të gadishullit të Karaburunit, aty ku ai bashkohet me luginën e Dukatit gjendet një objekt kulti i vetmuar, i ndërtuar mbi një kodër fare pranë bregut të detit. Është një kishë bizantine me kupole, ndërtimi i së cilës datohet diku ne shek. XII. Për të vizituar Kishën e Marmiroit ndiqet rruga që përshkon qytetin e Orikumit deri tek pompat e ujësjellësit dhe prej andej ndiqet rruga që të çon në rreze të kanalit.

Gramata

Gjiri i Gramatës (ose siç thirret nga vendasit, Gjiri i Gramës) ndodhet rrëzë shpatit perëndimor të Gadishullit të Karaburunit. Në një zonë të pabanuar ku mund të me vështirësi në rrugë këmbësore. Ne antikitet që nga shek. VI p.e.r. shkëmbinjtë masivë që gjenden në këtë gji kanë shërbyer si gurore për ndërtimin e qyteteve. Në muret e tij të gurta, gjenden shkrime të marinarëve që i shprehin falenderimin perëndisë Poseidon. Sot përbën një vlerë unikale për detin e Mesdheut. Në këtë zonë ndodhet gjithashtu edhe shpella e Gramës, muret e gurta të së cilës përmbajnë vizatime dhe shkrime, shumica e të cilave i referohen mikpritjes se vendasve.

Kalaja e Gjon Boçarit

Kalaja mesjetare e shekullit XV, e lokalizuar pranë fshatit Tragjas. Përbëhet nga dy kulla gjashtëkëndore në skajet veriperëndimore dhe juglindore. Ka një gjatësi prej rreth 50 metra, me mure 5 metër të lartë dhe 1.25 metër të gjerë. Në këtë kala Princesha e Kaninës dhe e Vlorës, Rugjina e Balshajve, pati rezidencën e fundit ndaj pushtueseve Osmanë në vitin 1417. Për të vizituar këtë monument kulture ndiqet rruga që të çon në fshatin Tragjas.

Kullat e Dervish Aliut në Dukat

Kullat e Dervish Aliut në afërsi të fshatit Dukat ndodhet një kompleks ndërtimor me vlera historike. I ndërtuar në fillim të shek. XIX ky kompleks mban emrin e Dervish Aliut, personazh i njohur si organizator i revoltave fshatare kundër reformave të Tanzimatit në Shqipëri gjatë viteve 1847-1848.Banesa është e tipit Kullë, që i ngjan një keshtjellëze të fortifikuar.

Shpella e Haxhi Alisë

Ndodhet në gadishullin e Karaburunit në afërsi të kepit të Gjuhëzës. Shpella e Haxhi Alisë është quajtur ndryshe shpella ilirike. Thuhet se një luftëtar dhe detar i shquar Ulqinas i quajtur Haxhi Ali u strehua bashkë me të birin në këtë shpellë. Prej aty ata sulmonin piratet e detit dhe duke bashkëpunuar me barinjtë, mbronin tregtaret dhe udhëtarët që kalonin nga ato anë. Edhe sot anijet që kalojnë pranë shpellës i bien sirenës në nder të tij.

Rrepet e Izvorit

Në fund të Tragjasit janë shtatë rrepe të mbjellë, ndoshta, para 250 vjetesh. Përmasat e rrapit më të madh janë: lartësia 60 m, diametri maksimal 2 m, perimetri i trungut 10 m dhe kurora e rrapit ka një diametër pre 40 m. Në rrepet e Izvorit organizoheshin takime dhe kuvendet e popullit. Rrepet e Izvorit janë lehtësisht të dallueshëm nga rruga kryesore.

Shpella e Dukë Gjonit

Kjo shpellë ndodhet në faqen jugore të Gadishullit të Karaburunit në vendin e quajtur Petrunë, 400 m mbi nivelin e detit. Atë e ndajnë në disa salla e kate stalaktidet e stalagmitet. Në sallën e parë ndodhet një burim i vogël që ka ujë gjatë gjithë vitit. Kjo shpellë ka bukuri të rralla, vlera shkencore, kulturore e turistike.

Rezultate imazhesh për foto nga plazhet e orikumitRezultate imazhesh për foto llogaraRezultate imazhesh për foto oriku orikumRezultate imazhesh për foto kisha e marmiroitRezultate imazhesh për kalaja e gjon bocarit

Ne Orikum,Dukat,Tragjas,Radhime,Llogara dhe Karaburun – aty ku natyra i ka ngritur monument vetvetes Read More »

Historia tronditëse e Fadil Capos nga kampet e përqendrimit të komunizmit

Ishte vetëm gjashtë vjeç kur pa ti mjegullohej imazhi i nënës nëpër xhadenë e Dukatit, pranverën e vitit 1948. Fadil Çapo është sot 76 vjeç por e kujton si sot atë ditë… Na pret mjaft i emocionuar ne shtepine e tij pranë portit të Vlorës. Pyet se kush na ka treguar për historinë e tij… Shikimin e ka të mjergullt, duart i dridhën, njërën këmbë e ka prej druri sepse e ka humbur për shkak të diabetit. Dhimbja ka lënë shumë gjurmë në portretin e Fadilit. Por ai mban mënd mirë mundimet e jetës, qysh kur ishte fëmijë në Dukat, pa nënë dhe pa baba e më pas në kampet e internimit në Plug e Saver. Pjesa më e dhimbshme është padyshim ikja e nënës.

Nga Luljeta Progni


Dukat 1948. Në portën e madhe të familjes Çapaj dëgjohen trokitjet e forta dhe britmat e policëve. E zonja e shtëpisë, Valideja, me foshnjen dy muajshe në duar, del me nxitim për të hapur portën. “Ç’kërkoni?” i pyet. Policët hyjnë me furi brenda oborrit. Një prej tyre e nxjerr jashtë dhe i thotë ashpër “Do vish me ne”. Një tjetër nxjerr në rrugë edhe dy djemtë më të rritur: Eqeremin dhe Idaiun, mbi 14 vjeç. Tre fëmijët e tjerë më të vegjël, Fadili 6 vjeç, Floriana 7 vjeç dhe Lefteri 4 vjeç shohin të hutuar, pa kuptuar se çfarë po ndodh. Policët bastisin shtëpinë, mbyllin dyert me çelës dhe dalin jashtë duke shoqëruar me forcë nënën me foshnjen dhe dy të rinjtë, e më pas largohen. Gjithçka ndodh për disa minuta. Tre të miturit dalin tek porta e madhe dhe duan t’i ndjekin, por një prej policëve kthehet dhe iu bërtet të kthehen. Qëndrojnë tek porta e madhe duke ndjekur me sy nënën me foshnjen në duar dhe vëllezërit që ecin drejt qendrës së Dukatit.

Para shtëpisë së madhe të gurtë ka rënë heshtja. Një heshtje që fillon t’i trembë fëmijët. Lefteri fillon të qajë me dënesë, ndërsa dy më të mëdhenjtë, Flora dhe Fadili, mundohen ta qetësojnë edhe pse janë po aq të trembur sa ai. Mbyllin portën dhe ulen në shkallët e shtëpisë duke pritur me shpresën se nëna do të kthehet së shpejti. Pas orësh të tëra pritje, errësira ka rënë mbi Dukat dhe fëmijët fillojnë të mendojnë për t’u strehuar diku. Dera e shtëpisë është mbyllur, nuk mund të hyjnë. Aty përpara gjenden lëpushat ku çlodhen lopët kur vijnë nga kullota. Shtrihen të tre aty pa folur. Lefteri i lodhur nga e qara mbyll sytë dhe fle i pari, ndërsa Fadili dhe e motra edhe pse nuk flasin mendojnë të njëjtën gjë “Kur do të kthehet nëna?”.

Të nesërmen në mëngjes Fadili shkon me vrap për të hapur portën. Pret aty me sytë nga rruga për të dalluar ndonjë hije njeriu a ndonjë zhurmë, por asgjë nuk lëviz. Edhe pas disa orësh, kur dielli ka arritur në kupë të qiellit askush nuk po duket. E motra ndez një zjarr me dru dhe zjen disa misra që janë varur në hangarin e lopëve. Presin gjithë ditën derisa errësira mbulon përsëri fshatin.

E njëjta ditë pritje me portën hapur përsëritet. Të tre fëmijët ndjehen të uritur e të lodhur, por më shumë se çdo gjë i druhen frikës se ç’u bë me nënën, vëllezërit dhe motrën e tyre të vogël. Pas 7 ditësh dëgjojnë një zhurmë makine mbi xhade dhe dalin me vrap para portës. Nga lart po dukej vërtet një makinë që zbriste nëpër kthesa duke u anuar sa andej këtej. Fëmijët presin me ankth: Të jetë nëna në makinë?

Makina afrohet me ngadalë, por nuk po arrijnë të shquajnë asnjë të njohur. Pas pak kalon para tyre, plot me njerëz në karroceri dhe në fund të saj, mbështetur në spond Fadili arrin të dallojë nënën. Valideja i thotë diçka, por fëmijët nuk arrijnë të kuptojnë gjë. Fadili vrapon pas pluhurit që ngre makina për disa metra… Më pas makina zhduket pas një qafe dhe gulçima e saj shuhet. Lotët i rrjedhin në faqe. E kupton se nëna do të shkojë larg, shumë larg dhe do të vonohet shumë, shumë më tepër se këto 7 ditë.

Fëmijët kthehen tek porta dhe qëndrojnë aty për disa çaste. Nuk dinë asgjë se çfarë po ndodh. Mbi shtëpi dëgjohen zërat e disa njerëzve që kishin dalë për të parë makinën. Dikush prej tyre thotë: “E morrën dhe Validenë“.

Jeta në kasollën e Gani Çapos

U gdhinë e u ngrysën 20 ditë rresht të vetëm, duke ngrënë misra e duke fjetur në lëpushat e lopëve, rrëzë hangarit. Askush nuk erdhi t’i shihte si ishin, a ishin sëmurë, a kishin ngrënë, a kishin fjetur, a ishin gjallë…Askush nuk u hodhi përtej mureve një kore bukë. Askush nuk erdhi t’u tregonte se ku shkoi nëna dhe se ç’do të bëhej me ata tre të mitur.

Ditën e 21-të fëmijët që po rezistonin përballë urisë, vetmisë e frikës dëgjuan një të trokitur të lehtë në derë. Ishte Gani Çapaj, një bari që shpesh kulloste lopët e tyre, kushëri i familjes. Fadili shkoi tek porta dhe hoqi llozin. Ganiu hyri duke i parë me vëmendje të tre.

-Si je Fadil? Mirë jeni?

-Po, mirë, – iu përgjigj Fadili.

-Do vini të rrini ca ditë andej nga unë?

-Mirë, – i tha Fadili dhe mori për dore Lefterin e Florën.

Kasollja e Ganiut ishte prej kashte, e shtruar poshtë me baltë dhe ndodhej pak larg fshatit. Ganiu kishte edhe tre fëmijët e tij: dy vajza mbi 10 vjeç dhe një djalë moshatar me Lefterin. Të gjithë flinin në atë kasolle dhe ndanin atë pak bukë e qumësht, që Ganiu mund të siguronte sa për të mbajtur shpirtin gjallë. Fëmijët filluan të mësoheshin në kasollen e Ganiut.

Ditët u bënë javë, javët muajt e muajt vite. Fadili dhe e motra filluan shkollën, e më pas edhe Lefteri. Pas disa vitesh Fadili punonte duke e ndihmuar Ganiun e më vonë filloi punë si bari me delet. Megjithatë uria nuk iu nda kurrë të tre fëmijëve. Shpesh kur kulloste delet, hante Mërrajte, një lloj bari që e hanin edhe delet.

Kështu kaluan 12 vjet. Nuk kishte ditë që të mos mendonte për nënën. Gjithmonë ëndërronte “Ta takoj dhe njëherë pa pastaj le të vdes”. Mundohej të kujtonte mimikën e saj, qortimet, porositë, gatimet… “Ku ishte tani ajo?”. “A mendonte dhe ajo për ata?” “A do takoheshin ndonjë ditë?”…

Shpesh kur rrinte nën hijen e dushqeve dhe delet kullosnin poshtë, mundohej të parafytyronte si do të ishte çasti i takimit me të. Imagjinonte sikur ajo të vinte një ditë dhe të riktheheshin në shtëpinë e madhe bashkë me vëllezërit, motrat dhe babain…

Takimi me nënën pas 12 vitesh

Ishte pranvera e vitit 1960. Fadili sapo kishte mbushur 18 vjeç. Në mbrëmje Ganiu u kthye nga puna si zakonisht dhe e thirri mënjanë Fadilin. I kishin sjellë një letër ku shkruhej një porosi e Validesë për të: “Aman, thuaji Ganiut nëse fëmijët e mij janë gjallë, brenda mundësive të m’i sjellë t’i shikoj, nëse nuk janë gjallë m’i tregoni ku i kanë varret që t’u shkoj.”

Nuk kishte lajm më të bukur për Fadilin, Florën dhe Lefterin. U bënë gati për t’u nisur që të nesërmen. Ganiu kishte folur me shoferin e kooperativës, Ahmet Alushin dhe ai ishte treguar i gatshëm menjëherë për t’i çuar fëmijët tek Valideja, në kampin e Plugut, Lushnje.

Të nesërmen në mëngjes Shoferi, Ganiu dhe të tre fëmijët u nisën. Pasi udhëtuan gjithë paraditen, arritën në qendër të fshatit Plug. Fadili po shihte rreth e rrotull për nënën, por të gjitha gratë nga larg dukeshin njësoj: të veshura me të zeza dhe shami të bardha që punonin nëpër arra duke prashitur me shata. Ganiu zbriti dhe pyeti disa fshatarë: “Jemi nga Dukati i Vlorës. Duam të takojmë Velide Çapon se këta janë fëmijët e saj.” Dikush nga ata iu përgjigj: “Shkoni pyesni te punëtorët atje, ato gratë me shami të bardha”.

Fadili e dëgjoi, u hodh vrik nga karroceria dhe u nis me vrap drejt parcelave. Ndaloi para një kanali të madh vaditës plot me ujë. Nga aty i thirri një gruaje:

-Si jeni mirë? Do të pyes për një grua. E njeh një Velide Çapon?

Gruaja matanë kanalit kishte pranë një vajzë të vogël rreth 12 vjeçe, që po i mbante shatën. E vështroi me kujdes dhe i tha:

-Hajde këtej more djalë. Hajde këtej nga rruga.

Fadili mbërriti me një frymë dhe u afrua përballë gruas, ndërsa vajza po e shihte me vëmendje.

Gruaja e pyeti:

-Për çfarë e do Velide Çapon?

-E duan ca nga Vlora, nga Dukati, – iu përgjigj Fadili.

Gruaja disi e menduar, me një hije dyshimi e pyeti përsëri:

-Cili është?

-Është Gani Çapo, – iu përgjigj përsëri Fadili.

-Po ti i kujt je?

-I Gani Çapos, – ia ktheu menjëherë.

-Jo more djalë, se Ganiu nuk ka djalë kaq të madh, e kundërshtoi gruaja me hezitim.

Ndërkohë vajza përbri i pëshpëriti gruas pranë veshit:

-Mama, mos është Fadili ky, se ka atë shenjën në buzë që më ke treguar?

-Mos je ti Fadil, more djalë?

-Unë, Fadili jam, – iu përgjigj djali me zërin që i dridhej.

Valideja shtangu, nuk e mbajtën më këmbët dhe u lëshua përtokë. Fadili me Teftën iu hodhën sipër duke lëshuar mbi të lotët rrëke. Ganiu me dy fëmijët e tjerë nxituan hapat kur i panë ashtu. Velideja filloi të përmendej, ndërsa Ganiu po i fliste me zë të ulët:

-Mos u mërzit. Ja t’i prumë fëmijët. I ke shëndoshë e mirë. Ja Fadili, Flora, Lefteri.

Nëna hapi sytë dhe i shikonte fëmijët e hutuar. Iu kapte duart, i ledhatonte në fytyrë… Ndërsa ata e shihnin të përlotur.


Fadil Çapo dhe motrat e vëllai më i vogël qëndruan me nënën në Plug, nuk u kthyen më në Dukat. Dy vëllezërit më të mëdhenj Eqeremi dhe Idaiu vuajtën dënimin në kampet e punës dhe burgjet e Spaçit e Burrelit. Fadili nuk e pa më kurrë të atin, Veledin Çapon, i cili ishte një nga krerët kryesorë të organizatës antikomuniste “Rilindja Kombëtare”. Veledini u dënua me dënim kapital bashkë me shumë burra të tjerë nga Dukati, por mundi të arratisej në vjeshtën e vitit 1948 pas përndjekjes që iu bë nga regjimi. Pas ribashkimit me nënën Fadili jetoi në Plug, në kushte të vështira, por bashkë me familjen. Aty ai krijoi edhe familjen e vet.

Historia tronditëse e Fadil Capos nga kampet e përqendrimit të komunizmit Read More »

Vëlla ka ardhur Pranvera, vëlla zemra unë e mjera – Nga Aishe Musta Alicka

Nga Aishe Musta Alicka

VELLA KA ARDHUR PRANVERA

Hyri Marsi, vjen Pranvera
Prilli i gjelber, lule Mai
Manushaqe, te porsacelura
Blegerin qengji manar
Blegerin, kerkon Mitane
Korba, korba,per vellane

Vella ka ardhur pranvera
Vella zemra , une e mjera
S;te shoh te ndritesh tek dera
Bashke me lulet si nga hera

Po dhe lulet s’kane cele
Me vese loti jane mbuluar
Pse je z’behur moj Pranvere?
C’ma bere vallane syshkruar?

Bej durim, por z’duroj dot
S’qasem dot tek ajo porte
Dhe perse niper e mbesa plote
Fare e fis, miq e shoke
Por i kane ikur te zote
Me mbyt helmi , lume me lote
Per babane e per mamane
Helmit do ja bej dermane
Po kurre nuk do gjej shpetim
Sido jeta qe te vije
Nga helmi i vellait tim

Dhimbja jote, vaj me thinja
Dallge shpirti
Neper ferra, neper driza
Perplaset neper ato brinja
Loti helm, si vetetima
Mbushen faqet me rrepira

Oh, c’te them , o korba nate
Shpirte zhuritur per ate prag

Mitat ka ardhur Pranvera
Kendojne zoqte si nga hera
Ngreu pak , o ze i arte
Se bilbilat po kendojne
Dege me dege te kerkojne
Se dhe malli i ka marre
Muaj kane qe s’te kane pare
Te te degjojne si me pare
Zerin tend si violine
E zeza per vallain tim

Pa ngreu nje cik o lume
Ta hedhesh vallen mbi gjunje
Valle burrash, valle labe
Lidhur sup me sup krenare
Si dragojte ne ato male

Vallja….kenga alegria…
Dashuria , miresia…
Sofra… buka……rakia…
S’pushuan kurre ne ate dere
S’pushonte porta ne rruge
Mike e madhe per te gjithe
Nga hareja… miresite….

Po tani ka rene zia
Se ka ikur nga shtepia
Korba vella bukuria
Bashke me prinderit e tia
I kthyet krahet shtepise
O vella o yll o drite
Humorit dhe alegrite
Ato shakate me kripe
Zot i portes , i miqesise
Sherim, ilac dhe per dynjane
Lum motrat qe te kishin krah
Se kishe ngare me mamane
E babane zemerbardhe
Lum ne, per gjurmet qe lane

Aishe Musta Alickaj….Athine. 14 . Mars . 2018.

Vëlla ka ardhur Pranvera, vëlla zemra unë e mjera – Nga Aishe Musta Alicka Read More »

Orikum – Kisha e rrallë e Shën Marmiroit nga më të vecantat e zonës

Kisha e Marmiroit është një objektet e kultit më të veçanta në zonën e Orikumit, Vlorë. Ajo  mendohet se është ndërtuar në shekullin e XII dhe struktura e saj është ngjashme me pak kisha në Ballkan.

Kisha është e ndërtuar me gurë të papunuar . Për portat dhe fasadat janë përdorur gurë të punuar të cilët janë marrë nga rrënojat e Orikut antik.

Mendohet se ky objekt i përkiste dikur një manastiri të vogël. Kjo tezë mbështetet në gjurmimet dhe studimet shumëvjeçare të Institutit te Monumenteve të kulturës në Tirane.

Sipas botimeve të studjuesve Piro Thomo karakteristike e kishave në formë kryqi me kupolë është se ato ndeshen vetëm në manastire. Ndërsa nga mbikëqyrja e vendit vihet re se muret e Narteksit dhe disa të tjera rreth Kishës janë në gjendje të rrënuar.

Nga to ruhen deri më sot mbeturinat e një oxhaku, një dritareje dhe disa kamare të cilat menjëherë të krijojnë idenë se ato i përkisnin dikur veçse konakëve të një manastiri.

Në vitin 1971 kur Instituti i Monumenteve të kulturës e mori nën kujdesin e tij këtë objekt ai ndodhej në gjendje pothuajse të rrënuar. Nën drejtimin e Prof. Dr. Aleksandër Meksit kisha u rindërtua përsëri në formën dhe trajtat fillestare të saj.

Një video e publikuar nga fotografi Fation Plaku tregon pamjen nga ajri të kësaj kishe të veçantë.

Orikum – Kisha e rrallë e Shën Marmiroit nga më të vecantat e zonës Read More »

Llogaraja mbulohet nga dëbora!

Llogaraja mbulohet nga dëbora. Prej orëve të para të mëngjesit të së shtunës, rreshjet e dëborës kanë krijuar vështirësi në aksin rrugor pranë qafës së Llogarsë, ndërsa trashësia e dëbores ka arritur deri në 30 cm.

Eshtë kërkuar kujdes nga drejtuesit e automjeteve, të cilët duhet të jenë të pajisur me zinxhir, për shkak të pranisë së ngricave në rrugë, cka vështirëson edhe më shumë lëvizjen e automjeteve.

Problematike situata mbetet kryesisht në orët e para të mëngjesit, por edhe gjatë pasdites dhe mbrëmjes, pasi ulja e temperaturave në zonë, krijon ngrica në zonë.

Llogaraja mbulohet nga dëbora! Read More »