Shendetesi

Vlerat Mahnitëse të Kumbullave të Zeza të Veriut – Pse Konsiderohen Thesare Të Tokave Shqiptare

Kumbullat e zeza konsiderohen si një ndër thesaret më të ëmbla të Shqipërisë.
Ky frut në Shqipëri rritet kryesisht në Tropojë. Kumbulla e zezë njihet për cilësinë dhe shijen e mirë.

Kumbullat e para të zeza janë ndër frutat më të reja nue treg.

Së fundmi, sipërfaqet e mbjella me kumbullën e zezë po zgjerohen gjithnjë e më shumë. Kjo si rrjedhojë e kërkesës së lartë nga tregjet Evropiane.

Kumbullat e Tropojës janë një varietet i kumbullës Prunus Domestica. Ky varietet është rritur në trojet verilindore të Tropojës që në fillim të shekullit të 16-të.

Ky frut ka qenë dhe mbetet një pjesë domethënëse e stilit të jetesës dhe mirëqenies së shumë familjeve të zonës. Këta banorë edhe sot e përdorin frutin për përgatitjen e reçelit, hoshafit, kompostos apo rakisë.

Tradicionalisht, kumbullat e zeza të Tropojës thahen në diell ose në furrat tradicionale të drurit me dy ndasi, një për zjarrin dhe një për kumbullat, një teknikë që konsiderohet vepër arti dhe një karakteristikë e zonës së Tropojës.

Megjithatë, janë të paktë ata njerëz që vazhdojnë t’i përpunojnë kumbullat në këtë mënyrë dhe kjo teknikë është në rrezik zhdukjeje.

Sipas të dhënave të AgroWeb.org, në krahasim me kultivarët e tjerë, kumbullat e zeza të Tropojës kanë 20 përqind më shumë sheqer.

Gjithashtu tul më të ngjeshur dhe rezistencë më të lartë ndaj insekteve. Varieteti i kumbullës së Tropojës ofron vlera të jashtëzakonshme kuruese. Kompostoja e përgatitur prej tyre besohet të jetë një kurë e shkëlqyer për sëmundjet e rrugëve të frymëmarrjes.

Kjo kumbull është burimi kryesor i të ardhurave për të paktën 140 prodhues të vegjël dhe të mesëm dhe 600 deri në 800 punëtorë të përkohshëm, që angazhohen gjatë stinës së vjeljes së kumbullave.

Vlera e kumbullës në treg është e lartë dhe volumi i shitjeve është rritur ndjeshëm gjatë viteve të fundit nga 431 në 1,600 ton.
Vlerat më të mira të kumbullës së zezë të Tropojës

Antioksidantët: Kumbullat përmbajnë vitaminë C dhe fitoushqyes siç janë luteina, kriptoksanthina, zeaksanthina, acidi neoklorogenik dhe ai klorogenik.

Diabeti: Sipas informacioneve të AgroWeb.org, kumbullat kanë ndikim të lartë kundër hiperglicemisë dhe ndihmojnë në mposhtjen e diabetit.

Tretja: Kumbullat janë një burim i mirë fibre dietike, dhe përbërësve të tjerë si sorbitoli dhe isatina që ndihmon në rregullimin e sistemit tretës.

Shëndeti kardiovaskular: Konsumi i kumbullave ndihmon në mirëmbajtjen e shëndetit kardiovaskular.
Sistemi imunitar: Kumbullat janë të mira në forcimin e sistemit imunitar falë përmbajtjes së lartë të vitaminës C.

Kolesteroli; Kumbullat e thata ndihmojnë në parandalimin e hiperkolesterolemisë dhe hiperlipidemisë.

Kujdesi për lëkurën: Kumbullat janë të pasura me vitaminë C dhe antioksidantë që ndihmojnë në paraqitjen e shëndetshme, rinore dhe plot dritë të lëkurës./AgroWeb.org

Vlerat Mahnitëse të Kumbullave të Zeza të Veriut – Pse Konsiderohen Thesare Të Tokave Shqiptare Read More »

Të heqësh dorë nga kafja , zbuloni cfarë i ndodh trupit

Shqiptarët janë të çmendur pas kafesë. Konsumimi i kafes në vend është 2.3 kilogramë për frymë në vit.
Kur vjen puna tek kafja, në botë ashtu si edhe në Shqipëri identifikohen lehtë tre kategori njerëzish: ata që nuk e imagjinojnë jetën pa kafe, ata që nuk e pinë kurrë kafenë dhe ata që duan të heqin dorë prej saj, por nuk e marrin guximin.

Po ti ku e gjen veten? Cilitdo grup t’i përkasësh, në AgroWeb do të mësosh më shumë për mënyrat se si të heqësh dorë shëndetshëm nga kafeja dhe lëngjet e gazuara me kafeinë, por edhe mbi atë se çfarë i ndodh trupit kur redukton kafeinën.

Shqiptarët janë të çmendur pas kafesë. Konsumimi i kafes në vend është 2.3 kilogramë për frymë në vit.

Shqiptarët konsumojnë 37 milionë filxhanë kafe ekspres në vit dhe 30 millionë kafe Turke. Kafenetë janë plot gjithë kohën.

Pasi të barazpeshoni negativet dhe pozitivet dhe të vendosni të lini kafenë, merr së pari informacionet e vlefshme që të ofron AgroWeb në mënyrë që ta kalosh këtë periudhë sa më lehtë të jetë e mundshme.
Do të keni dhimbje koke
Kur lë kafenë, koka të rëndohet shumë dhe ajo që dëshiron të bësh është të rrish në krevat me një pako paracetamoli afër, për çdo rast.

Kafeja është një stimulues të cilën, pasi e ke konsumuar rregullisht të ka krijuar varësi.

Largimi ndaj saj vjen me disa pasoja dhe dhimbja e kokës është një prej tyre.

Arsyeja e saktë përse shtohen dhimbjet e kokës pas lënies së kafesë nuk është analizuar krejtësisht, por disa ekspertë të mjekësisë shpjegojnë që kafeina relakson enët e gjakut.

Kur nuk pi më kafe, enët e gjakut ngushtohen dhe shkaktojnë dhimbje. Lajmi i mirë është që pas shtatë deri në dhjetë ditë, dhimbja zvogëlohet.
Mungesa e kafesë shkakton luhatje humori
Luhatjet e humorit, lodhja dhe acarimi janë të paevitueshme kur i thua kafesë ose pijeve me kafeinë, lamtumirë.

Që njerëzit të mos mendojnë se ke lajthitur, më mirë paralajmëroji që mungesa e këtyre lëngjëve të dëmshme shkakton këtë paqëndrueshmëri që fatmirësisht nuk zgjat shumë.
Më shumë energji
Është e pamundur të mohohet. Gjatë ditëve të para të heqjes dorë nga kafeina, me siguri do të ndihesh pa energji.

Por shumë shpejt energjia do të rikthehet fuqishëm. Njerëzit që konsumojnë kafe dhe lëngje stimuluese të gazuara veçanërisht në mbrëmje dhe në darkë nuk bëjnë një gjumë të qetë. Ata zgjohen të lodhur dhe kërkojnë më shumë kafeinë.

Kur ta heqësh këtë zakon, do të flesh më mirë dhe do të kesh më shumë energji pë të përballuar ditën.
Thuaji stresit lamtumirë
Kur konsumon produkte me kafeinë, adrenalina shtohet ndjeshëm dhe në mënyrë të panevojshme, së bashku me stresin.

Kur të heqësh dorë prej këtyre produkteve, do të ndihesh më pak në ankth dhe në stres.

Për më tepër, kafeja dhe pijet e tjera me kafeinë kanë ndikim në buxhetin tënd përsonal, ndaj si rrjedhojë do të ndihesh më pak i stresuar edhe për shpenzimet.
Kujdes luhatjet e peshës
Nëse pijet me kafeinë janë të mbushura me kalori, sheqer ose ëmbëlsues natyralë, pasi të hiqni dorë prej tyre do të ndihmoni organizmin të bjerë në peshë.

Por nga ana tjetër, nëse dëshironi të hiqni dorë nga zakoni i të pirit çaj të freskët jeshil ose kafe të zezë, kjo do t’ju bëjë të shtoni në peshë.

Arsyeja: kafeja zvogëlon përkohësisht oreksin dhe shton ritmet e metabolizmit.

Në mënyrë që të pakësoni dëmet, pini më shumë ujë dhe konsumoni shumë fruta dhe perime.
Kujdes me antioksidantët
Heqja dorë nga pijet me kafeinë, bën që të përfitosh më pak antioksidantë.

Besoje ose jo, kafeja është burimi primar i antioksidantëve në vaktet ditore.

Antioksidantët janë luftëtarë të zotët kundër radikaleve të lira. Ato zvogëlojnë gjasat e zhvillimit të tumoreve të gjirit dhe mushkërisë.

Çaji është gjithashtu një pije e mbushur me antioksidantë që ndihmojnë qelizat e shëndetshme kundër dëmëve kancerogjene.
Kujdes me kujtesën
Studimet kanë treguar që kafeina ka një ndikim pozitiv në kujtesën afatgjatë dhe atë afatshkurtër.

Ndaj, kur të heqësh dorë prej saj do të kesh problem të kujtosh ku ke vendosur çelësat, syzet apo edhe emrat./AgroWeb.org

Të heqësh dorë nga kafja , zbuloni cfarë i ndodh trupit Read More »

Ushqimet që ndikojnë në shëndeti dhe rregullojnë PH në trup

Normat e lejuara të PH në gjak janë 7.35 dhe 7.45 që do të thotë që duhet të jetë lehtësisht bazik dhe alkalin. Gjatë përditshmërisë tonë na ndodh që konsumojmë ushqime që përmbajnë acid dhe që kanë efekte negative në  shëndetin tonë si gurët në veshka, përkeqësimin e kockave dhe të muskujve.
Ushqimet alkaline ju ndihmojnë për të balancuar PH pasi përmbajnë natrium që shërben kundër aciditetit.

Ja ushqimet që duhet të konsumoni:

Perimet

Brokoli i gatuar  është plot me vitamina C dhe A, fibra dhe acid folik. Ju mbron nga sëmundje të ndryshme kronike dhe ju ndihmon në procesin e detoksifikimit natyror.

Lulelakra e gatuar përmban vitamina me veti anti-inflamatore dhe që mbrojnë nga sëmundja e kancerit, e zemrës dhe të trurit, madje edhe nga shtimi në peshë.

Lakra jeshile është e pasur me acid folik, magnez dhe vitaminë C e K. Parandalon kancerin si dhe përmirëson tretjen tuaj.

Karrotat përmbajnë komponime alkaline natyrale, të cilat ju ndihmojnë të neutralizoni acidin e tepërt të stomakut, kolesterolin më të ulët, të përmirësoni vizionin dhe të minimizoni shenjat e plakjes.

Panxharët e gatuar përmbajnë mangan, kalium dhe japin efekt anti-plakje në trupin tuaj, zvogëlojnë inflamacionin dhe madje ju ndihmojnë të bieni nga pesha.

Ullinjtë

Ullinjtë e pjekur janë një burim i shkëlqyer vitaminë E dhe yndyrnave të pangopura, që shërbejnë si antioksidant natyror, zvogëlojnë shanset e shtimit në peshë, parandalojnë mpiksjen e gjakut dhe eliminojnë kolesterolin në gjak.

Spinaqi

Spinaqi përmban vitaminën A, C, K dhe kalcium, të cilat prodhojnë efekte anti-kancer, pastrojnë trupin tuaj, si dhe forcojnë kockat dhe flokët tuaja.

Fruta

Avokado përmban fibra të tretshëm.

Pjepri është i pasur me kalium, fibra dhe ushqyes të tjerë. Këto përbërës janë në gjendje të bëjnë kockat dhe dhëmbët më të fortë, të rritin sistemin tuaj imunitar dhe të përmirësojnë shikimin tuaj. /atsh

Ushqimet që ndikojnë në shëndeti dhe rregullojnë PH në trup Read More »

Balanconi hormonet me këto ushqime natyrale

Hormonet kontrollojnë zhvillimin, rritjen, funksionin riprodhues, metabolizmin, humorin, peshën, dhe vitalitetin e njeriut. Hormoni kryesor i cili ka ndikim në lëkurë është testosteroni, dhe të ndjekësh një dietë të pasur me ushqyes esencialë të cilët i mbajnë hormonet të balancuara është zgjidhja më e mirë.

Më poshtë mund t’i gjeni ushqimet më të mira për lëkurën të cilat balancojnë më së miri hormonet.

Avokadot: dhe yndyrat tjera të mira si vaji i ullirit dhe i kokosit, ndihmojnë në prodhimin e niveleve të shëndetshme të kolesterolit, një komponent kyç në balancimin e hormoneve. Yndyrnat e shëndetshme që përmban avokado, rregullojnë qelizat e lëkurës në atë mënyrë që membrana të qëndrojë në formë, duke lejuar lëkurën që të thithë më mirë ujin dhe të duket më e pastër.

Salmoni: ky peshk i jashtëzakonshëm është i mirë për trurin, zemrën dhe për hormonet. Ashtu si ushqyesit e shëndetshëm në avokado, acidet yndyrore të omega-3 që përmban salmoni, janë ndihmues të hormoneve dhe kolesterolit. Veç tjerash, salmoni mund të ndihmojë në qetësimin e lëkurës kur keni akne dhe ekzema. Rekomandohet ta konsumoni 2 herë në javë.

Brokoli dhe spinaq:Këto dy bimë të gjelbra përmbajnë përbërësit natyralë sulfurofan dhe indole-3 karbinol, që përmirësojnë aftësinë e mëlçisë për të prodhuar estrogjenin. Estrogjeni është ai që ju duhet më shumë, për lëkurë më të pastër dhe më të shëndetshme, ai dërgon mjaftueshëm gjak në lëkurë sa për ta riparuar atë shpejt nga ndonjë infeksion apo dëmtim i mundshëm.

Vitamina B: është e rëndësishme për metabolizmin tuaj, veçanërisht për hormonet. Vitamina B ju jep energji, ju qetëson dhe balancon nivelet e stresit. Ushqimet që përmbajnë vitaminën B janë peshku, pula, avokado,kosi, farat, arrat etj.

Reduktoni përdorimin e kafeinës: kafeina e marrë nga burimet e mira si kafeja, çaji dhe çokollata mund të jetë tepër e dobishme, por sasia e madhe e kafeinës mund të ketë efekt të kundërt dhe mund të prishë balancin mes hormoneve tuaja. Kafeina në sasi të mëdha shkakton çekuilibrimin e estrogjenit.//atsh

Balanconi hormonet me këto ushqime natyrale Read More »

Mashtrimi me rimbursimin e ilaçeve, “zhduken” 2 miliardë lekë

Një tjetër skemë mashtrimi dyshohet me barnat me rimbursim. Bëhet fjalë për afro dy miliardë lekë, të cilat nuk dihet se ku janë shpenzuar. Sipas raportit të Kontrrolit të Lartë të Shtetit, në qershor të vitit 2017 Fondi i Sigurimeve Shëndetësore ka alokuar dy miliardë lekë shtesë, pasi kishte planifikuar rritje të numrit të pacientëve kronikë, të cilët përfitojnë barna me rimbursim.

Por, nga auditi ka rezultuar se në këtë periudhë, jo vetëm që nuk ka pasur rritje të numrit të pacientëve, por ulje të tyre. Vetëm në Qendrën Spitalore Universitare ka pasur një rritje të numrit të recetave me 3.4%, shifër që sipas ekspertëve të KLSH-së nuk e justifikon fondin e alokuar.

“Ajo që ka ndodhur është se, është parashikuar që të rritet numri i pacientëve kronikë, por në fakt nga auditimi ynë është konstatuar që kemi një rënie të numrit të pacientëve krahasuar me vitin 2016, në masën 720 pacientë. Pra, kemi rialokim të paligjshëm në masën dy miliardë lekë për rimbursimin e barnave dhe nga ana tjetër, rritja e numrit të recetave me 3.4% nuk e justifikon këtë rritje të kësaj shume të rialokuar për rimbursim”, tha Rinald Muça, drejtor i Departamentit të Auditimit të Performancës në KLSH.

Kontrroli i Lartë i Shtetit e quan keqmenaxhim të fondeve, për sa kohë nuk dihet se ku kanë shkuar këto parà, të cilat i kanë rritur shpenzimet për rimbursimin e barnave nga qershori i 2017-s e në vazhdim me rreth 23%.

Por, sipas zotit Muça, ky raport i është dërguar Prokurorisë për të nisur një hetim më të detajuar, ndërkohë që edhe vet KLSH-ja pritet të nisë një tjetër audit për të gjetur destinacionin e afro dy miliardë lekëve./Top Channel

Mashtrimi me rimbursimin e ilaçeve, “zhduken” 2 miliardë lekë Read More »

Punësimi i infermierëve të rinj, konkursi më 18 korrik

Të gjithë kandidatët që duan të bëhen pjesë e sistemit të shëndetësisë, do të mund t’i nënshtrohen konkursit që do të zhvillohet më datën 18 të këtij muaji.

Lajmi është bërë i ditur në faqen zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë, e cila bën me dije se kjo është e vetmja mënyrë për të punësuar infermierët në spitalet dhe qendrat shëndetësore publike në vend, duke aplikuar përmes portalit: www.infermierepershqiperine.al.

Kandidatët e interesuar nga të gjitha qarqet e vendit, do t’i nënshtrohen provimit në orën 14.00, në godinën e Lëndëve Paraklinike (pas Spitalit Infektiv) pranë ambienteve të Qendrës Spitalore “Nënë Tereza”./atsh

Punësimi i infermierëve të rinj, konkursi më 18 korrik Read More »

Ndërhyrje e rrallë në QSUT, e para edhe për vendet e Ballkanit Perëndimor

Për herë të parë në shërbimin e kardiokirurgjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, është kryer zëvendësimi i valvulës mitrale me hapje shumë të vogël dhe nën videoskopi, ndërhyrje kjo, e para e këtij lloji jo vetëm për vendin tonë, por edhe në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.

Ndërhyrja është kryer për herë të parë jo vetëm në Shqipëri, por në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor dhe është realizuar ajo që quhet “zëvendësimi i valvulës mitrale në miniinvaziv (me hapje shumë të vogël) dhe nën videoskopi”. Kjo do të thotë që kirurgu ka realizuar ndërhyrjen kirurgjikale jo nën vëzhgimin direkt, por nëpërmjet kamerave tredimensionale, të cilat lejojnë një shikueshmëri jashtëzakonisht të mirë të operacionit në brendësi pa e hapur pacientin, ose duke e hapur me prerje shumë të vogla.

Kjo risi bën që pacientët e operuar brenda tri apo katër ditëve të mund të shkojnë në shtëpi, pra të rehabilitohen në një kohë shumë të shkurtër pas ndërhyrjes.

“Kjo ndërhyrje sjell jo vetëm benefitet ose përfitimet nga rehabilitimi i shpejtë, nga eleminimi apo reduktimi i rrezikut operator, por njëkohësisht ka një efekt kozmetik të jashtëzakonshëm për pacientin. Këto janë operacione që i preferojmë tek pacientët e rinj, kryesisht të gjinisë femërore të cilat kanë edhe përfitimet më maksimale ndaj kirurgjisë së valvulës mitrale. Sigurisht, që në të ardhmen mendojmë ta shtrijmë edhe në kirurgjinë e valvulave të tjera dhe të bypass-it këtë procedurë kirurgjikale. Me përkushtimin e stafit të kirurgëve, mjekëve reanimatorë e anestezistë, infermierëve tanë, që punojnë dhe studiojnë për të sjellë risi në trajtimin e pacientëve në shërbimin tonë, në të ardhmen do të kemi të tjera arritje”, – është shprehur prof. Edvin Prifti, shef i shërbimit të Kardiokirugjisë në QSUT. /atsh

Ndërhyrje e rrallë në QSUT, e para edhe për vendet e Ballkanit Perëndimor Read More »

Një përzierje barnash që zgjat jetën?

Shkencëtarët nga e gjithë bota vazhdojnë kërkimet dhe eksperimentet te gjallesat, kryesisht minjtë, për të zbuluar mënyra për të përmirësuar dhe zgjatur jetën e njerëzve. Në këtë kuadër një përzierje e barnave mjekësore ka arritur të zgjasë jetën e minjve më të vjetër, duke i bërë ata të jetojnë më gjatë dhe me një shëndet të mirë. Barnat, njëri antitumor dhe një tjetër antioksidant, i përkasin familjes së barnave senolite, të cilat synojnë qelizat më të vjetra: ata kanë fshirë qelizat e plakura nga indet e kafshëve, duke rigjeneruar tërë organizmin. Rezultati i eksperimentit i takon grupit të klinikës “Mayo” të udhëhequr nga James Kirkland dhe është botuar në revistën “Nature Medicine”.

Qelizat e reja janë qeliza të cilat nuk arrijnë më që të ndahen si më parë, por nuk vdesin dhe bëjnë që minjtë e vegjël të rriten më shpejt. “Këto qeliza shkaktojnë probleme shëndetësore tek minjtë e rinj dhe zvogëlojnë mbijetesën. Barnat senolitike që i vrasin ato, mund të përmirësojnë shëndetin dhe të zgjasin jetën e shumë kafshëve më të vjetra”, thotë Kirkland.

Përzierja e barnave të testuara në studimin në fjalë përbëhet nga dasatinibi, i cili stimulon vdekjen e qelizave kancerogjene dhe quercetina, një antioksidant që gjendet te mollët dhe ushqime të tjera. Barnat senolitike punojnë duke u lejuar qelizave të menjëhershme të vetëshkatërrohen, në vend që të dëmtojnë qelizat e shëndetshme që kanë afër si dhe pjesën tjetër të organizmit.

Në eksperiment, studiuesit transplantuan në minj të vegjël dhe në moshë mesatare, një sasi të vogël qelizash të ndjeshme, të mjaftueshme për t’i bërë ata më të brishtë dhe për të zvogëluar mbijetesën e tyre. Barnat senolitike ishin të nevojshme për minjtë e moshuar ose të shëndoshë, gjë që tregon se obeziteti i përkeqëson efektet e plakjes. Te minjtë e plakur në mënyrë natyrale, përdorimi i barnave senolitike ka përmirësuar funksionet fizike të tyre. Ata mund të konkurrojnë më mirë në një punë rutinë dhe të mbajnë një presion më të fortë, duke rritur nivelin e aktivitetit ditor. Jeta e tyre është zgjatur me 36%, pa kaluar sëmundje ose paaftësi para fundit të jetës.

Por, përpara se të mund të përdoren tek njerëzit, këto barna do të duhet të kalojnë e të testohen në prova klinike, që të tregojnë për sigurinë dhe efektivitetin e tyre. /atsh

Një përzierje barnash që zgjat jetën? Read More »