Shendetesi

Deri tani 197 raste, 33 të shëruar, 10 vdekje dhe 1325 teste të kryera

Në vendin tonë deri tani janë evidentuar 197 raste gjithsej me COVID-19, 164 raste aktive, 33 të shëruar, 10 të vdekur, ndërsa janë kryer 1325 teste gjithsej.

Shifrat bëhen të ditura nga adresa zyrtare e platformës “coronavirus.al”, e krijuar me qëllim informimin e qytetarëve për shifrat zyrtare, vetëm për situatën e të prekurve me COVID-19 në Shqipëri.

Përmes platforme qytetarët kanë mundësi të ndjekin në kohë reale të rejat nga fronti i luftës kundër COVID-19.//atsh

Deri tani 197 raste, 33 të shëruar, 10 vdekje dhe 1325 teste të kryera Read More »

Kurba pas 20 rasteve të para, Shqipëria me rritje të butë falë masave shtrënguese

Masat e ndërmarra në kohë rekord nga qeveria kundër COVID-19, kanë bërë që Shqipëria të shënojë nivelin më të ulët ndër vendet e tjera pas 20 rasteve të para të përhapjes së tij.

Kryeministri Edi Rama, shprehet se “kurba e rritjes së presionit të armikut e matur për çdo vend pas 20 rasteve të para, ku mund të shihni rezultatin e masave shtrënguese dhe rezistencës fantastike të 99% të shqiptarëve deri tani”.

“Tani si do vazhdojmë, me ngjitje të butë që të shpëtojmë Shqipërinë nga katastrofa, duke bërë Rezistencë për Ekzistencë apo do lëshohemi në krahët e frikës se “do vdesim për bukë”, që pastaj kjo shigjeta e kuqe të iki lart si raketë dhe ne të biem në këmbët e armikut duke numëruar qindra e mijëra të vdekur(?)!” – shprehet Rama./atsh

Kurba pas 20 rasteve të para, Shqipëria me rritje të butë falë masave shtrënguese Read More »

Kalo: Mbështetja dhe mirënjohja ndaj mjekëve, shtysë për t’ia dalë mbanë në këtë betejë

Mjeku i njohur në shërbimin infektiv pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Tritan Kalo ka vlerësuar mbështetjen që po u bëhet mjekëve dhe infermierëve, për punën që po kryejnë ne frontin e parë të luftës.

Përmes një statusi, Kalo citon vlerësimin e bërë nga professor Kastriot Myftiu, mjek në Elbasan.

MIRËNJOHJE që në mendimin tim e tejkalon shkallën më të lartë të respektit…Prof. Kastriot Myftiu, një erudit e përkthyes shumë dimensional i gjuhës angleze, një Mjek i shumëditur i Mjeksisë Alternative, një djalë Elbasani 24 karatësh. Ka bërë në adresën time dedikimin e mëposhtëm, i cili më ka lënë pa fjalë POR për të cilin i jam tejskarisht mirënjohës…..NUK e di nëse i meritoj ato çka shkruhen, por një mbështetje e tillë më shtyn edhe më shumë të ecim së bashku përpara në betejën me COVID-19.….NË MIRËKUPTIM dhe në MBËSHTETJE të njëri-tjetrit, NE DO T’IA DALIM MBANË ME SIGURI!!!!”, -thotë Kalo.

Mjeku Kalo i ka bërë thirrje të njëpasnjëshme qytetarëve që të qëndrojnë pranë banesave të tyre, të ruajnë higjienën personale pasi vetëm në këtë mënyrë do të frenohet përhapja e mëtejshme e virusit./atsh

Kalo: Mbështetja dhe mirënjohja ndaj mjekëve, shtysë për t’ia dalë mbanë në këtë betejë Read More »

Organizata Botërore e Shëndetësisë: Nuk ka prova që virusi transmetohet nga uji

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, nuk ka prova që virusi COVID-19 transmetohet nga uji i pijshëm, e po ashtu nuk ka prova që ai transmetohet përmes sistemeve të ujërave të ndotura.

Programi gjerman GIZ Albania, njofton se, kur shpërthimi i kësaj sëmundjeje infektive po rrezikon shëndetin e njerëzve, shërbimet e ujësjellës-kanalizimeve luajnë një rol jetik për t’u siguruar qytetarëve funksionimin e sistemeve të furnizimit me ujë dhe kanalizime, duke marrë masat e duhura për parandalimin e transmetimit të virusit COVID-19 nga njeriu tek njeriu.

Organizata Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ) ka zbaton në venin tonë një program të rëndësishëm për “Orientimin e Shërbimeve të Furnizimit me Ujë dhe Kanalizime drejt Performancës dhe Konsumatorit”.

Programi synon që në bashkëpunim me qeverisë dhe njësitë venore të përmirësojë sistemin e ujësjellës kanalizime, menaxhimin e qëndrueshëm të shërbimeve të ujit dhe zhvillimin e kapaciteteve të subjekteve të saj.

Objektivi i programit është që, aktorët kombëtarë dhe lokalë në furnizimin me ujë të pijshëm dhe kanalizime zbatojnë parimet udhëzuese të reformës së sektorit, veçanërisht orientimin dhe përgjegjësinë e performancës, në një mënyrë të koordinuar./atsh

Organizata Botërore e Shëndetësisë: Nuk ka prova që virusi transmetohet nga uji Read More »

Instituti i Shëndetësisë Publike apel qytetarëve: Zbatoni rekomandimet, po rrezikoni veten dhe familjen

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës vazhdon të bëjë thirrje qytetarëve që t’i përmbahen rekomandimeve të këtij instituti dhe mos të dalin në grumbuj gjatë orëve të lira të lëvizjes sepse janë duke rrezikuar veten dhe familjet e tyre.

“Në Prishtinë po vërehen dalje masive në orët e lira të lëvizjes. Grumbuj të njerëzve që po rrezikojnë veten dhe të gjithëve! Ju lutem kini kujdes se mund të shkaktoni shpërthim epidemik në kryeqytet”, thuhet në njoftim.

“Ju lutemi ti përmbaheni rekomandimeve të Institutit Kombëtar dhe mos dilni në grumbuj gjatë orëve të lira të lëvizjes sepse jeni duke rrezikuar veten dhe familjet e Juaja!

Në Prishtinë po vërehen dalje masive në orët e lira të lëvizjes. Grumbuj të njerëzve që po rrezikojnë veten dhe të gjithëve! Ju lutem kini kujdes se mund të shkaktoni shpërthim epidemik në kryeqytet!.

Shikoni ju lutem valën epidemike në shtetet e Europës, veni gishtin në kokë dhe mendoni. Mos pengoni ekipet e Institutit me pyetje të cilat i keni mësuar tashmë nga rekomandimet e Instituti Kombëtar dhe Ministrisë së Shëndetësisë. Na ndihmoni ta kryejmë punën sublime por mundohuni të zbatoni secili detyrën e juaj duke ruajtur shëndetin tuaj. Ju kemi lënë të pushoni dhe jo secili të marr detyrën e epidemiologut duke pyetur detaje, duke u munduar të rikonstruktojnë çdo vatër infeksioni, duke u zhytur në kureshtjen e njohjes së çdo procedure të hulumtimit. Pushoni dhe vetëm pushoni që të na lini të punojmë!Ju gjendeni në shtëpitë e juaja me familiar. Ne akoma gjendemi në punë pa orar nga 15-20 orë! Për ju! E ju për ne: JU LUTEMI QËNDRONI NË SHTËPI!/KosovaPress/

Instituti i Shëndetësisë Publike apel qytetarëve: Zbatoni rekomandimet, po rrezikoni veten dhe familjen Read More »

Artistët, dedikim për sakrificën e bluzave të bardha përballë betejës me COVID-19

Këngëtarë, instrumentistë, futbollistë, artistë dhe gazetarë sollën sot ndryshe “Kënga e mjekut”, të kompozuar nga Agim Prodani në 1963 dhe të kënduar nga artistja e madhe Anita Take.

Kjo këngë tingëllon sot më bukur se kurrë në këto ditë të vështira jo vetëm për mjekët shqiptarë, por edhe ata në botë që po përballen me koronavirusin “COVID-19”.

E realizuar me mbështetjen e Agim Prodanit kjo video është një shenjë mirënjohje të pakufijshme ndaj bluzave të bardha që me humanizmin e tyre profesional e shpirtëror janë në ballë të frontit në këtë betejë të pamëshirshme ndaj njerëzimit që ka pushtuar sot botën, vendin tonë dhe njerëzit tanë të mrekullueshëm.

Kjo këngë jehon sot si një nderim për mjekët dhe infermierët që ndodhen në spitale për të kuruar pacientët e sëmurë nga ky virus që ka pushtuar shumicën e vendeve në botë./atsh

https://www.facebook.com/Agjencia.Telegrafike.Shqiptare/videos/306363627000982/?t=0

Artistët, dedikim për sakrificën e bluzave të bardha përballë betejës me COVID-19 Read More »

Punë e palodhur e ekipit të anestezi-reanimacionit në përballje me COVID-19

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu shprehu vlerësimin dhe mirënjohjen ndaj mjekëvë dhe infermierëve që janë në frontin e parë të luftës me COVID-19.

Doktor Krenar Lilaj është në krye të organizimit të punës së shërbimit anestezi- reanimacion në të gjithë stukturat spitalore shëndetësore, që do të trajtojnë personat me infeksionin e shkaktuar nga COVID-19

“Mirënjohëse për punën e palodhur të ekipit të anestezi-reanimacionit në këto ditë të vështira në përballje me COVID-19. Dr. Krenar Lilaj është në krye të organizimit të punës së shërbimit anestezi- reanimacion në të gjithë stukturat spitalore shëndetësore, që do të trajtojnë personat me infeksionin e shkaktuar nga COVID-19. I gjithë ekipi po bën një punë heroike”-u shpreh Manastirliu./atsh

Punë e palodhur e ekipit të anestezi-reanimacionit në përballje me COVID-19 Read More »

E dalë në pension prej vitesh, mjekja Burbuqe Ajazi vazhdon të shërbejë me profesionalizëm në Peqin

Mjekja gjinekologe, në Peqin Burbuqe Ajazi, megjithëse ka dalë në pension, vazhdon të shërbejë me shumë profesionalizëm, përkushtim dhe pasion në spitalin e Peqinit.

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka falënderuar mjeken Ajazi, e cila mbrëmë së bashku me stafin e mrekullueshëm të mjekëve të Peqinit, ka asistuar për lindjen e shëndetshme të një foshnjeje.

“Mjekja gjinekologe, Burbuqe Ajazi, ndonëse prej vitesh e ka mbushur moshën e pensionit, vazhdon të shërbejë me shumë profesionalizëm, përkushtim dhe pasion në spitalin e Peqinit, duke u kthyer në shembull të jashtëzakonshëm frymëzimi për brezat e rinj të mjekëve dhe infermierëve”, është shprehur Presidenti Meta.

“Edhe pse në një periudhë të vështirë për të gjithë shëndetësinë shqiptare për shkak të situatës së pandemisë COVID-19, mjekja e nderuar dje në mbrëmje ka dalë në punë, dhe së bashku me stafin e mrekullueshëm të mjekëve të Peqinit, ka asistuar për lindjen e shëndetshme të një bebi shumë të bukur!”, ka theksuar Meta

“Duke i uruar jetë të gjatë dhe shëndet foshnjës së sapolindur, ndaj me prindërit gëzimin për lindjen e djalit të tyre në këto momente shumë të lumtura e të veçanta për ta. Në këtë situatë të vështirë të gjithë kemi nevojë për lajme kaq të mira! Mirënjohje dhe falenderim të thellë për mjeken e nderuar Burbuqe Ajazi!”, ka përfunduar Presidenti Meta./atsh

E dalë në pension prej vitesh, mjekja Burbuqe Ajazi vazhdon të shërbejë me profesionalizëm në Peqin Read More »