Problematika

Rama: Autoritetet e Kosovës të lehtësojnë kalimin e shtetasve shqiptarë, siç është pa asnjë kusht hyrja në Shqipëri e shqiptarëve të Kosovës

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “beson se autoritetet e Kosovës i kanë të gjitha mundësitë ta lehtësojnë procesin e lëvizjes në kufi për qytetarët shqiptarë që shkojnë në Kosovë, siç është pa asnjë kusht dhe kërkesë të tepërt, veç ardhjes me targa të rregullta, hyrja në Shqipëri e qytetarëve shqiptarë të Kosovës”.

Rama tha se “ne nuk kemi në Shqipëri një shërbim tamponimi privat”.

“Ne nuk mendojmë, dhe kur them ne, jemi ne që e kemi marrë përsipër këtë vendim, por janë ekspertët që e kanë sugjeruar, që çështja e tamponit është si analizat e gjakut. Tamponimi bëhet mbi bazën e strategjisë së gjurmimit. Vlera e tij është shumë, shumë relative kur bëhet kot, ose si analizë gjaku sepse mund ta bësh sot dhe ende nuk ke shenja të kapshme se është në inkubim dhe nesër të shfaqen shenjat”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se “është diçka që nuk e kemi si shërbim”. /atsh

Rama: Autoritetet e Kosovës të lehtësojnë kalimin e shtetasve shqiptarë, siç është pa asnjë kusht hyrja në Shqipëri e shqiptarëve të Kosovës Read More »

Ndërprerje e pjesshme e energjisë në disa qytete të vendit

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike njoftoi abonentët e energjisë elektrike në Vlorë se do të ketë ndërprerje të pjesshme të energjisë në disa zona.

OSHEE shprehet se ndërprerja e energjisë vjen për shkak të remontit në linjën 35 Kv.

“Për shkak të remontit të planifikuar në linjën 35kV L30 – 31/2 Uji i Ftohtë – Radhimë-Orikum, në datën 26 maj gjatë intervalit kohor 07:00-08:00 dhe 16:00-18;00 do të stakohet energjia në disa zona në Vlorë”, shprehet OSHEE.

Ndërprerjet do jenë në Radhime, Tragjas, Dukat, Fshat Dukat, Llogara, Jonufer, Orikum, Shën Thanas.

Gjithashtu, edhe abonentët e Sarandës do të kenë ndërprerje të energjisë më 26 dhe 28-29 maj.

Me kërkesë të OST e cila do të punojë për shtrimin e fibrës optike në linjën 154kV Bistrice – Mourtos, në datat 26 dhe 28-29 Maj do të stakohet energjia gjate intervalit kohor 08:00-16:00 në këto zona në Sarandë: Dober, Mancet, Shales, Dishat, Verve, Çiflik, Vagalat, Shkalle, Konispol.

OSHEE njoftoi abonentët se do ketë stakime të energjisë edhe në disa zona të Tiranës.

“Për shkak të remontit të planifikuar në NST Qafë Mollë, në datat 26-27 Maj do të stakohet energjia në këto zona në intervalin kohor 09:00-14:00: Shkallë, Darshe, Qafe Molle, Shenmeri, Dom, Fag, Derje”, shprehet OSHEE

OSHEE njoftoi për ndërprerje të energjisë edhe në Shkodër: Për shkak të punimeve në NST Shkodra 2, në datën 26 Maj gjatë intervalit kohor 08:00-16:30 do të stakohet energjia në këto zona në Shkodër.

OSHEE njoftoi po ashtu për ndërprerje të energjisë edhe në Bulqizë: “Për shkak të remontit të parashikuar në NST Shupenzë, në datën 26 Maj gjatë intervalit kohor 09:00-16:30, do të stakohet energjia në disa zona në Bulqizë. /atsh

Ndërprerje e pjesshme e energjisë në disa qytete të vendit Read More »

Fundjava rrezik shumë më të madh ekspozimi nëse lejohet qarkullimi i lirë i makinave

Kryeministri Edi Rama shpjegoi sot se pse në fundjavë ka një rrezik shumë më të madh ekspozimi nëse lejohet qarkullimi i lirë i makinave.

Rama tha se “e gjithë dinamika e kësaj lufte, e cila do të jetë gjithnjë e më shumë betejë e përditshme e secilit me veten në radhë të parë, varet qysh prej ditës 1 nga niveli i ekspozimit të popullatës ndaj virusit”.

“Ja pse nuk është e vështirë të kuptohet pse në fazën 1 orët e lëvizjes ishin shumë të kufizuara për punë apo për pazar. Faza dy nisi me lehtësime me zona dhe fasha të ndryshme, ashtu sikundër s’besoj të jetë më e vështirë për t’u kuptuar se me fashën tanimë të hequr fare në “zonat e gjelbra” apo të zgjeruar deri në 9 të darkës në “zonat e kuqe”, dita e shtunë dhe e diel kanë një rrezik shumë më të madh ekspozimi nëse lejohet qarkullimi i lirë i makinave dhe derdhja në rrugë e të gjithëve pa përjashtim në këtë mot kaq të bukur dhe joshës”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se “nuk është virusi që na lufton me orare dhe as që del më i armatosur të shtunën a të dielën në “zonat e kuqe”, por jemi ne që përpiqemi të mbrohemi ndërkohë që hapemi me kujdes dhe zgjerohet hapësira jonë e lëvizjes”.

“Unë e kam ditur dhe ua kam thënë qysh ditën e parë dhe në vijim se çfarë lufte nervash dhe sprove ekstreme durimi do të ishte e tërë kjo dreq historie. Dhe nëse sot shumëkush e hedh ujët përpjetë duke bërë të zgjuarin dhe duke përqeshur gjithçka kemi bërë deri këtu sepse i duket krejt gabimisht sikur e tëra ishte kot përderisa nuk numëruam mijëra apo qoftë edhe qindra të vdekur, e vërteta që e di çdo mendje e kthjellët është se pikërisht pse ne bëmë ato që bëmë dhe po bëjmë ato që po bëjmë nuk patëm vuajtjet e tmerrshme të shumë vendeve e shumë popujve të tjerë”, tha Rama.

Kryeministri solli shembullin e shtetit të Masaçusets në Amerikë që dihet botërisht si shteti me sistemin më fantastik shëndetësor të SHBA-së. “Ka dyfishin e popullsisë së Shqipërisë dhe sot është ende i mbyllur teksa ka numëruar deri më tash mbi 6 mijë të vdekur. Pse? Pikërisht sepse nuk bëri këto që plot ndjekës së kësaj faqeje i quajnë budallaqet e mia dhe më tregojnë Suedinë, komplotin e Bill Gates për t’i futur laçjanëve dhe myzeqarëve mikroçipin në trup përmes vaksinës që t’u kontroll pastaj mendimet, komplotin e madh global për të vrarë pleqtë që kapitalizmi të mos harxhojë lekë për pensione dhe lloj-lloj fantazish e absurditetesh të kësaj natyre në botën akademike të rrjeteve sociale”, tha Rama.

Rama tha se Suedia sot ka numrin më të madh të vdekjeve për milionë banorë në planet, ndërsa Shqipëria ndër më të ulëtin. “Suedia nuk është vendi i ‘qepalla vëlla’ dhe as vendi ku bëhen dasma me nga 500 vetë pa llogaritur faktin se ata s’kanë nevojë as për policë as për ushtri në rrugë kur qeveria u thotë ruani distancat. Tani kanë filluar pretendimet se bota qenka hapur dhe vetëm Shqipëria rri mbyllur. Ndërkohë që na doli së fundi se tërë tumat e zhurmave me molotov e flakëhedhës dhe me bllokime rrugësh e bojkotime zgjedhjesh e paskan pasur hallin tek teatri, Shekspiri dhe Molieri. Cila botë është hapur më shumë se Shqipëria sot në fazën 2. Shkoni në Greqi dhe Itali dhe lëvizni me makinë jashtë prefekturave ose shkoni në Spanjë e ikni me makinë në plazh e me radhë dhe shiheni si është”, tha Rama. /atsh

Fundjava rrezik shumë më të madh ekspozimi nëse lejohet qarkullimi i lirë i makinave Read More »

Protesta e Aleancës për mbrojtjen e teatrit në Tiranë

Pasditen e sotme u zhvillua protesta e radhës e thirrur nga Aleanca për mbrojtjen e teatrit, në hyrje të pedonales në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Protesta nisi rreth orës 19:30. Para pjesëmarrësve foli regjisori Robert Budina, sipas të cilit “të gjithë ata që veprojnë dhe nuk veprojnë do të japin llogari”.

“Do të t’i sjellim njerëzit përpara Kryeministrisë dhe të gjithë do të vendosim fatin tonë. Ju i detyroheni popullit tuaj dhe duhet të bëni çdo pakt përpara kamerave dhe ta kuptojmë se çfarë bëni”, u shpreh Budina.

Budina tha se protesta është institucion. “Mos rrini më rrugëve, merrni të drejtën tuaj dhe përplasjani turinjve. Ka shumë forma. Mos u bindni. Ne do ta fitojmë betejën. Nuk mund të bësh lojë në tempullin e qytetarisë”, u shpreh ai.

Po pasditen e sotme, Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit zhvilloi një tubim në Durrës, ku ftoi qytetarët të firmosin peticionin që Teatri të bëhet ashtu si ishte, aty ku ishte./atsh

Protesta e Aleancës për mbrojtjen e teatrit në Tiranë Read More »

Protesta, mjeku Ulqini: Thyerje e të gjithë protokolleve, të shpresojmë të mos reflektohet në shifra të prekurish

Mjeku Dritan Ulqinaku deklaroi mbrëmjen e sotme në një nga mediet e vendet se 15 raste në ditë në aspektin e transmetimit të COVID-19 nuk janë shqetësuese.

“15 raste në aspektin e transmetimit të kësaj sëmundjeje nuk është absolutisht asgjë. Për hir të së vërtetës ne prisnim një numër ndoshta dy-tre herë më të madh, që prapë nuk do të ishte problem, sepse virulenca duket sikur ka rënë e këtij virusi. Këtë e tregon edhe shtrimi në spital. Pothuajse nuk po shtrohen më njerëzit e infektuar në spital me COVID-19. Pra, ne ishim përgatitur për një numër 2-3 herë më të madh dhe ky numër është mëse i zakonshëm. Do të ishte shumë më mirë që të mos kishim asnjë rast për 2 javë por është shumë e vështirë të arrihet, shpresojmë të arrihet por prapë nuk janë shifra për t’u alarmuar”, u shpreh ai.

Ai argumentoi se kurba në Shqipëri nuk është një kurbë klasike ndërsa numri i vatrave të infeksionit është normal.

“Nuk kemi të bëjmë një kurbë klasike. Kemi të bëjmë me një minimum të mundshëm dhe ky minimum mbahet gjallë tek-tuk nga vatra të vogla që mund të jenë fasoneri ose vatra familjare. Pra një person që është i infektuar dhe nuk ka dijeni që është i infektuar mund të infektojë shumë lehtë në momentin e mungesës së masave të kontrollit dhe distancimit fizik, 2-3 shoqe, 4 shoqe të cilat janë duke ngrënë drekë së bashku ose ulen në një cep pas pune, ose në një familje. Janë mëse të pranueshme 2 vatra në ditë, nuk janë asgjë”, tha ai.

Lidhur me protestat e zhvilluara në bulevard, mjeku tha se “është thyerje e të gjithë protokolleve të mundshëm”.

“Personalisht me vjen turp që unë vazhdoj të komentoj masat anticovid, jo vetëm unë, por të gjithë kolegët e mi. Nuk ka asnjë lloj protokolli që mund të përshkruajë një situatë të tillë, flas gjithmonë në aspektin shëndetësor, – ndërsa shtoi se, – mund të ndodhë që pas një jave të flasim me shifra mbi 3-shifrore, pra mbi 100 në ditë. Të shpresojmë që të mos ndodhë por është thyerje e të gjitha protokolleve. Unë nuk di një vend të botës që janë bërë manifestime, janë bërë manifestime por kanë ruajtur distancën 1 metër e gjysmë minimumi, në vende të tjera 4 metra”./atsh

Protesta, mjeku Ulqini: Thyerje e të gjithë protokolleve, të shpresojmë të mos reflektohet në shifra të prekurish Read More »

Vlorë, pastrohet rrjeti i kanalizimeve në “Lungomare”

Ndërmarrja e Ujësjellës Kanalizimeve Vlorë vijon punën për pastrimin e rrjetit të kanalizimeve në qytet, si dhe përmirësimin e furnizimit me ujë të pijshëm për qytetarët.

“Sektori i Kanalizimeve pastroi sot rrjetin në “Lungomare” ku punonjësit kryen kontrollin e linjës me telekamerë, si dhe larje të rrjetit me autosondë”, bëri të ditur UK Vlorë.

Uk Vlorë thekson se “punonjësit punuan edhe për remontin e stacionit të kanalizimeve të ujërave të zeza Nr. 208 tek ish-Delfini. Po ashtu, u punua për pastrimin e këtij stacioni, për ta bërë sa më funksional”.

Ndërkohë që ndërmarrja e Ujësjellës Kanalizime ka nisur prej ditës së djeshme një kontroll në të gjithë qytetin e Vlorës dhe në njësitë administrative për të evidentuar konsumatorët që shpërdorojnë ujin e pijshëm. 9 grupet e shpërndara në terren do të kalojnë çdo ditë në “sitë” të gjithë territorin e qytetit.

Për shkak të shpërdorimit, disa zona periferike dhe fundore në qytet dhe në Njësitë Administrative, me rritjen e temperaturave hasin probleme në furnizim./atsh

Vlorë, pastrohet rrjeti i kanalizimeve në “Lungomare” Read More »

Të dënuar për trafik droge/ OFL kërkesë 4 shtetasve në Fier për vetëdeklarim të pasurisë

Operacioni Forca e Ligjit, në kuadër të zbatimit të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, i ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë 4 shtetasve.

Konkretisht kërkesa i është nisur shtetasit F. G., banues në Fier, pasi Gjykata e Milanos, Itali, e ka dënuar me burg për veprën penale “Organizatë kriminale, me qëllim trafikim droge”.

Po ashtu, kërkesa i është nisur edhe shtetasit S. M., banues në Fier, i shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi autoritetet italiane kanë lëshuar urdhrin e arrestit për kryerjen e veprës penale “Trafik ndërkombëtar i lëndëve narkotike”.

“F. K., banues në Fier, pasi Gjykata Penale e Romës, Itali, ka vendosur dënimin e tij për veprën penale “Shoqatë kriminale, trafikim, prodhim dhe posedim i lëndëve narkotike dhe substancave psikotrope”, ndërsa Gjykata Penale e Milanos, Itali, e ka dënuar për veprën penale “Pjesëmarrja në organizatë kriminale dhe shkelja e ligjit për narkotikët” dhe shtetasit S. G., banues në Fier, i arrestuar për veprën penale “Trafikim i lëndëve narkotikëve””, thuhet në një deklaratë të OFL.

Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.

OFL është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse për vendosjen e sekuestrove emergjente mbi pasuritë e dyshuara të përfituara nga krimi, si dhe për dërgimin e formularëve të vetëdeklarimit të gjithë personave që janë subjekt i Ligjit Special.

OFL siguron se do të informojë publikun në vijimësi për të gjitha nismat procedurale dhe operacionet ekzekutive që do të kryejë./atsh

Të dënuar për trafik droge/ OFL kërkesë 4 shtetasve në Fier për vetëdeklarim të pasurisë Read More »

OFL u dërgon formularin për deklarim pasurie 4 personave në Vlorë të dënuar për vepra të rënda penale

Operacioni Forca e Ligjit, në zbatim të Ligjit Special u ka dërguar sot kërkesë me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë 4 shtetasve nga Vlora.

Operacioni Forca e Ligjit thekson se këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48-orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.

Në kuadër të zbatimit të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, OFL i ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë, shtetasve: E. B., banues në Vlorë, i cili rezulton të jetë subjekt i Aktit Normativ, pasi Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda Tiranë e ka dënuar përfundimisht me 7 vite e 6 muaj burgim, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e municioneve luftarake”; E. Ç., banues në Vlorë, i cili rezulton të jetë subjekt i Aktit Normativ, pasi është dënuar në Itali për veprën penale “Trafikim i lëndëve narkotike” dhe është bërë njohja e vendimit penal nga Gjykata e Vlorës, në vitin 2019;T. B., banues në Vlorë, i arrestuar dhe nën hetim për veprën penale “Shtrëngim për dhënie të pasurisë”; dhe L. K., banues në Vlorë, subjekt i Aktit Normativ, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë e ka dënuar me 5 vite burgim, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotikëve”.

Operacioni Forca e Ligjit është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse për vendosjen e sekuestrove emergjente mbi pasuritë e dyshuara të përfituara nga krimi, si dhe për dërgimin e formularëve të vetëdeklarimit të gjithë personave që janë subjekt i Ligjit Special. /atsh

OFL u dërgon formularin për deklarim pasurie 4 personave në Vlorë të dënuar për vepra të rënda penale Read More »