Problematika

“Menaxhimi dhe trajtimi i ujërave të ndotura”/ BE mbështetje për mirëmbajtjen e infrastrukturës përgjatë bregdetit shqiptar

Sektori i ujit është një nga gjashtë prioritetet kryesore të qeverisë shqiptare.

Projekti “Mbështetje e BE-së për Shërbimet e Menaxhimit dhe Trajtimit të Ujërave të Ndotura” në bashkëpunim me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, synon të forcojë kapacitetet në nivel kombëtar dhe vendor në sektorin e ujit.

Veçanërisht ky projekt fokusohet në mirëfunksionimin dhe mirëmbajtjen e infrastrukturës përgjatë bregdetit shqiptar.

Përmes këtij projekti mbështetet përmirësimi i performancës së shoqërive të ujësjellës-kanalizimeve dhe operimi dhe mirëmbajtja e impianteve të trajtimit të ujërave të ndotura.

Po ashtu mbështetet rritja e kapaciteteve të personelit drejtues dhe teknik të shoqërive të ujësjellës-kanalizimeve përmes trajnimeve të ndryshme.

Edukim mbi rëndësinë e trajtimit të ujërave të ndotura është po ashtu në fokus të këtij projekti, përmes së cilit është kryer monitorimi i ujit. 38 shkolla dhe 2576 nxënës nga 9 qytete janë përfshirë në këtë projekt.

Informimi publik dhe biseda me qytetarët mbeten po ashtu të rëndësishme. Sipas të dhënave rreth 64% të qytetarëve janë të gatshëm të paguajnë për shërbime të përmirësuara të ujit dhe ujërave të ndotura./atsh

“Menaxhimi dhe trajtimi i ujërave të ndotura”/ BE mbështetje për mirëmbajtjen e infrastrukturës përgjatë bregdetit shqiptar Read More »

Rritja e rasteve ditore me COVID-19/ Apel sipërmarrjeve turistike dhe pushuesve të zbatojnë masat

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale kërkoi sot që çdo sipërmarrje turistike dhe të gjithë pushuesit të zbatojnë protokollin e masave anti-COVID-19 përgjatë gjithë sezonit veror.

Sipas Ministrisë, stafi i shërbimit, në kontaktet me pushuesit duhet të mbajë në mënyrë të domosdoshme maskat mbrojtëse. Në strukturat akomoduese duhet të ruhet distancimi fizik jo më pak se 1.5 metër.

Ministria e Shëndetësisë kërkon që të zbatohen me rigorozitet masat e pastrimit dhe dezinfektimit në të gjitha zonat bufe, bare, restorante, kuzhina në të gjitha strukturat akomoduese.

“Të tregohet kujdes në përdorimin e ashensorit në strukturat akomoduese që e disponojnë atë, duke respektuar masat e distancimit dhe të higjienës”, thuhet në një njoftim për shtyp.

Po ashtu, Ministria e Shëndetësisë kërkon që të kryhet dezinfektimi i krevateve të plazhit, shërbimeve higjienike dhe aksesorëve të ndryshëm në mënyrë periodike.

“Të respektohet hapësira midis çadrave dhe ndenjëseve të pushuesve në distancë jo më pak se 3.5 m dhe të evitohen grumbullimet shoqërore”, thuhet në njoftim./atsh

Rritja e rasteve ditore me COVID-19/ Apel sipërmarrjeve turistike dhe pushuesve të zbatojnë masat Read More »

Lleshaj: Nuk do të lejojmë ndërtimet pa leje përgjatë vijës bregdetare

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj kërkoi sot një vëmendje të shtuar të strukturave përgjegjëse për të parandaluar ndërtimet pa leje përgjatë vijës bregdetare.

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj zhvilloi sot një takim në Sarandë, me kryetarët e Bashkive Sarandë, Delvinë, Himarë, Finiq e Konispol, deputetët e qarkut Vlorë, përfaqësues e drejtues vendorë, Prefektin, drejtues të Policisë së Shtetit dhe IKMT, për të diskutuar për mbarëvajtjen e sezonit turistik, masat për mbrojtjen e mjedisit dhe kundër ndërtimeve pa leje, luftën antikanabis dhe çështje të tjera që lidhen me sigurinë.

Duke folur për krimin mjedisor, Lleshaj “kërkoi që strukturat përgjegjëse të bëjnë maksimumin kundër krimit mjedisor”. Ai tha se “Policia e Shtetit do të ndërmarrë masat ligjore kundër atyre që kryejnë krim mjedisor, Kodi Penal i Republikës ka 19 nene që adresojnë krimin mjedisor”.

Lidhur me ndërtimet pa leje, Lleshaj tha se IKMT dhe Policia e Shtetit punojnë së bashku për të adresuar këtë problem. “Kundër krimit mjedisor do të ketë gjoba shumë të majme ashtu sikundër edhe përgjegjësi penale. Policia bashkë me IKMT do të marrin masa të plota për ta ushtruar këtë përgjegjësi me seriozitet”, tha ai.

“Vija bregdetare nuk duhet të cënohet më tej. Ne nuk do të lejojmë më asnjë tullë që të vendoset pa leje në vijën bregdetare. Për këtë duhet që drejtuesit përkatës, veçanërisht Policia e Shtetit ta kenë të qartë se e kanë faturë mbi shpinë çdo konstatim për cënim të vijës bregdetare”, tha Lleshaj.

Ai garantoi se “nuk do të lejojmë asnjë tullë të re të shtohet përgjatë vijës bregdetare, apo ndërhyrjet nëpër plazhe”. “Policia dhe IKMT e kanë të qartë se këtu nuk ka asnjë hapësirë për të diskutuar. Ndërtimet pa leje që janë jashtë çdo procesi legalizimi nuk tolerohen, ndërsa ato që janë futur në proces legalizimi nuk bëhet fjalë që ne të ndërhyjmë. Por, asnjë tullë apo bankinë private nuk mund të ndërtohet në vijën bregdetare. Prekja e konfiguracionit natyror të vijës bregdetare është e papranueshme”, tha ai.

Lleshaj shtoi se “Policia ka po ashtu detyra të shtuara edhe në kontekstin e sigurisë në plazhe”. “Këtë vit të shtohen masat e Policisë edhe sa i takon kontrollit në plazhe”, tha Lleshaj.

Ministri u shpreh se “siguria është prioritet, ndaj Policia do të godasë edhe krimin e vogël, i cili është i papranueshëm sidomos kur ndodhe dhe në zonat minoritare “.

Lleshaj tha se “ne kemi një ndër Policitë më të vogla në rajon, por qeveria po vijon përpjekjet për shtimin e numrit të policëve, që të afrohemi me numrin e policisë për frymë të vendeve europiane”.

“Kryeministri ka dhënë miratimin e tij për shtimin e mbi 500 punonjësve të rinj policie. Me këtë shtojmë kapacitetet”, tha Lleshaj, ndërsa nxiti edhe përfshirjen në radhët e Policisë nga zonat minoritare./atsh

Lleshaj: Nuk do të lejojmë ndërtimet pa leje përgjatë vijës bregdetare Read More »

Ministria e Shëndetësisë apelon: Evitoni vizitat tek të moshuarit dhe të afërmit

Rritja e numrit të të prekurve me koronavirus ditët e fundit ka bërë që ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të ripërsërisë thirrjen për kujdes duke i kërkuar qytetareve të evitojnë vizitat tek miqtë apo të afërmit.

Sipas ministrisë së Shëndetësisë, e vetmja mënyrë për të ndaluar përhapjen e infeksionit është duke ruajtur distancën fizike prej 1.5 metër nga njëri-tjetri si dhe duke ruajtur higjienën personale.

“Parandaloni përhapjen e COVID-19 .Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i bën apel të gjithë qytetarëve dhe bizneseve të respektojnë rregullat, evitoni vizitat tek të moshuarit dhe të afërmit.
E vetmja mënyrë për të ndaluar përhapjen e infeksionit është duke ruajtur distancën fizike prej 1.5 metër nga njëri tjetri, duke ruajtur higjienën personale dhe duke larë duart vazhdimisht, mbani maskat kudo ku ambienti është i mbyllur, bizneset dhe institucionet të respektojnë protokollet e përcaktuara.Çdo rast i identifikuar pozitiv, duhet të vetëizolohet.

Të sëmurët kronikë dhe të moshuarit janë dy kategori ku COVID-i zhvillon forma të rënda të tij, çka vë në rrezik edhe jetën në shumicën e rasteve.

Ditët e fundit, numri i të infektuarve ka variuar në shifrat 82, 69, 66, 50 çka ka sjellë edhe shqetësimin e bluzave të bardha të cilët kanë apeluar përmes medieve të ndryshme, respektimin rigoroz të rregullave të miratuara më herët nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale si distancimi fizik apo përdorimi i maskave veçanërisht në ambiente të mbyllura. /atsh

Ministria e Shëndetësisë apelon: Evitoni vizitat tek të moshuarit dhe të afërmit Read More »

Lleshaj në Finiq: Përforcojmë kapacitetet teknike në shërbim të rendit dhe të sigurisë së banorëve

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj vizitoi sot Finiqin, ku gjatë një bashkëbisedimi me banorët e kësaj bashkie theksoi se “minoritetet janë ai element, ajo urë e cila vendos, në rastin tonë midis popullit shqiptar dhe popullit grek. Ata popullojnë këtë gadishull që kur ka lindur koha”.

Në fjalën e tij, Lleshaj u shpreh se “përgjatë kësaj historie regjistrojnë në marrëdhënien e tyre gjëra pozitive, marrëdhënie miqësore, bashkëjetesë shembullore edhe për shumë kombe dhe marrëdhënie të tjera fqinjësore”.

“Për herë kam qenë dhe jam optimist që kjo marrëdhënie nuk mund të cenohet edhe sikur ne të punojmë kundër saj, janë vetë popujt tanë, të cilët e kanë ndërtuar marrëdhënien. Marrëdhënien e ndërtojnë popujt dhe jo qeveria”, – tha Lleshaj.

Ministri Lleshaj u shpreh se “i kam ndjekur edhe rastet e shkëputura, për fat të keq të tendencave për të fryrë gjëra që realisht janë të vogla. Por besoj që pjekuria jonë si qytetarë europianë është e tillë saqë ne do të jemi në gjendje për t’i margjinalizuar dhe për t’u treguar vendin të gjithë atyre që tentojnë të helmatisin këtë marrëdhënie”.

“Është fat që tashmë ka një bashki edhe këtu në Finiq, që këto minoritete të kenë institucione, të kenë një zë në jetën politike e shoqërore të vendit. Ne duhet të bëjmë përpjekje që kësaj Bashkie t’i japim jetë, t’i japim energji, t’i japim mbështetje në mënyrë që të konsolidohet, sepse është bashki e re, të cilës i mungojnë shumë gjëra dhe duhet së bashku t’i japim mundësi”, – nënvizoi Lleshaj.

Ministri Lleshaj tha se “i kam ndjekur me shumë shqetësim, rastet dhe raportimet për akte kriminale, të cilat fokusohen kryesisht tek vjedhjet, tek dhunimi i banesave, etj., të cilat në gjuhën e Policisë konsiderohen si krime të vogla. Por në thelb për mua janë krime të mëdha, për arsye se prodhojnë pasoja shumë të mëdha. Jo vetëm të karakterit ekonomik, por pasoja të mëdha shkaktojnë në nivelin psikologjik, trauma, njerëzit ndihen të dhunuar”.

“Ngelet sfida jonë e përbashkët, e komunitetit, e Policisë, e organeve vendore, edhe e Ministrisë, edhe të gjithë strukturave të tjera për ta adresuar këtë fenomen me seriozitet të madh me vendosmëri të lartë në mënyrë që të bëjmë të mundur që të goditet dhe të harrohet si fenomen. Ne duhet të ndryshojmë qasjen në shumë aspekte. Së pari, do të forcojmë kapacitetet e strukturave lokale të Policisë, qoftë në pikëpamje njerëzore, qoftë në mënyrën e organizimit, qoftë në mënyrën e trajnimit në nivelin e pajisjes dhe në nivelin e mbështetjes nga lart. Kjo me qëllim që strukturat këtu të Policisë të jenë eficente”, – shtoi Lleshaj.

Sipas tij, kemi një problem që në strukturat e Policisë nuk kemi minoritar mjaftueshëm.

Ministri i kërkoi banorëve që të nxisin djemtë dhe vajzat, për aq sa është e mundur, që të jenë pjesë edhe e Policisë së Shtetit, dhe e Policisë këtu. Kjo do ta thjeshtojë së tepërmi mënyrën se si Policia do ta kryejë detyrën e saj.

“Për këtë ne kemi edhe gatishmërinë për të lëshuar pak, por pak në standarde, jo shumë, duke mos anashkaluar ato të domosdoshmet. Kemi një kuotë të dedikuar të djemve dhe vajzave të minoritetit dhe ne na duhet që ta bëjmë këtë punë. Ne jemi në një proces të rishikimit të të gjithë qasjes së Policisë, me idenë që ta zbresim Policinë sa më poshtë dhe jo ta ngjisim lart nëpër struktura vendore apo qendrore”, – tha Lleshaj duke shtuar se kemi ende një Polici, e cila është e centralizuar dhe ka shumë struktura lart, dhe kemi një Polici që është shumë e vogël.

Çështje tjetër, vijoi ai, që mbetet me rëndësi është të përforcojmë kapacitetet teknike në shërbim të rendit dhe të sigurisë këtu.

“Të vendosim më shumë sisteme dhe sensore, kamera, teknologji tjetër në funksion të njoftimit të hershëm dhe të marrim masa me banorët që edhe ata të bëjnë ndonjë hap këtë punë. E rëndësishme të punojmë së bashku edhe për t’i sensibilizuar banorët, që edhe me investime shumë të vogla që ata mund të bëjnë në shtëpitë e tyre, me sensore elektronikë, me sisteme të vogla alarmi, ose thjesht sinjalizimi që Policia të sinjalizohet në kohë, vlejnë për të luftuar këtë fenomen negative”, – theksoi Lleshaj.

Ministri tha se “ne do të zhvillojmë një program, nga Drejtoria e Policisë në qendër bashkë me Drejtoritë Vendore. Do t’jua paraqesim edhe juve përmes bashkisë, me idenë që të kombinojmë përpjekjen tonë edhe me kontributet që mund të kemi nga ana juaj për bashkëpunim. Kjo për të dhënë një mesazh të fortë ndaj këtyre të paudhëve që bëjnë këto krime. Për t’ju dhënë edhe një qetësi banorëve që ndoshta nuk janë këtu, ose kudo qofshin, një ndjenjë sigurie”.

Lleshaj shprehu bindjen se do ta ndryshojmë jo vetëm gjendjen, por edhe perceptimin.

“Nuk do të kursejmë asnjë kapacitet derisa të arrijmë që banorëve t’u ofrojmë siguri të plotë, që ata të gëzojnë jetën e tyre, dhe pronat e tyre. Të jenë të qetë në vendin e tyre”, – tha Lleshaj./atsh

Lleshaj në Finiq: Përforcojmë kapacitetet teknike në shërbim të rendit dhe të sigurisë së banorëve Read More »

OFL në Elbasan, Vlorë e Sarandë, u dërgon formularin e deklarimit të pasurisë 3 personave të dënuar më parë

Në kuadër të zbatimit të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, OFL i ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë tre shtetasve.

Konkretisht OFL i ka dërguar kërkesë për vetëdeklarimin e pasurisë shtetasit K. D., banues në Sarandë, i dënuar nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, për veprën penale “Vjedhja e mbetur në tentativë, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal”, M. D., banues në Vlorë, i cili ka lidhje familjare me subjektin K. D., si rrjedhojë është subjekt i nenit 16 të Aktit Normativ Nr.1, datë 31.01.2020, si dhe Z. Gj., banuese në Elbasan, e dënuar nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve, e kryer në bashkëpunim””.

“Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme”, – thekson OFL.

OFL është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse për vendosjen e sekuestrove emergjente mbi pasuritë e dyshuara të përfituara nga krimi, si dhe për dërgimin e formularëve të vetëdeklarimit të gjithë personave që janë subjekt i Ligjit Special.

OFL do të informojë publikun në vijimësi për të gjitha nismat procedurale dhe operacionet ekzekutive që do të kryejë./atsh

OFL në Elbasan, Vlorë e Sarandë, u dërgon formularin e deklarimit të pasurisë 3 personave të dënuar më parë Read More »

Vetëdeklarimi i burimeve të pasurisë, OFL u dërgon formularin 4 personave të dënuar për vepra të rënda penale

Në kuadër të zbatimit të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, Operacioni Forca e Ligjit i ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë 4 shtetasve në Lezhë, Kurbin dhe Tiranë.

Konkretisht, OFL i ka nisur kërkesë shtetasit M. Z, banues në Tiranë, të dënuar për veprën penale “vjedhja me dhunë, e kryer në bashkëpunim”, dhe shtetasit L. I, banues në Tiranë, i dënuar për kryerjen e veprës penale “vjedhja me dhunë”.

OFL u ka nisur shkresë edhe shtetasve F. X, banues në Kurbin, dhe Gj.K, banues në Lezhë, të dënuar për kryerjen e veprës penale “trafikimi i narkotikëve”.

“Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme”, njoftoi OFL.

OFL bën të ditur se është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse për vendosjen e sekuestrove emergjente mbi pasuritë e dyshuara të përfituara nga krimi, si dhe për dërgimin e formularëve të vetëdeklarimit të gjithë personave që janë subjekt i Ligjit Special./atsh

Vetëdeklarimi i burimeve të pasurisë, OFL u dërgon formularin 4 personave të dënuar për vepra të rënda penale Read More »

Zemaj apel qytetarëve: Tubimet e njerëzve janë bërë rreziku më i madh

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka tërhequr vëmendjen se mos respektimi i distancës fizike dhe sociale dhe masave parandaluese të rekomanduara nga IKSHPK, mosmbajtja e maskave dhe dorezave, ditëve të fundit ka rezultuar me rritjen e frikshme të numrit të të infektuarve.

Sipas tij tubimet dhe grumbullimet e njerëzve janë bërë rreziku më i madh.

Zemaj tha se të gjitha institucionet publike e private duhet rigorozisht të ndërmarrin të gjitha veprimet që dalin nga udhëzimet e “Manualit për mbrojtjen nga përhapja e virusit COVID-19”.

“Në këtë mëngjes të punës, tek po lexoj informacionet e medieve vendore dhe të vendeve tjera, po shohim se COVID-19 vazhdon të jetë pelerina e zezë që po mbështjellë thuajse shumicën e kryetitujve. E në këtë kuptim edhe mendjen tonë”, tha Zemaj.

“Ky virus është shqetësimi ynë më i madh aktualisht. Është shndërruar si një kërbaç që çdo ditë po godet ndonjë qytetarë. Që nga fillimi detyrës unë si ministër dhe tërë stafi im me të gjitha kapacitetet po angazhohemi në këtë kryengritje kundër virusit. Por ushtarët kryesor jeni secili nga ju”, u shpreh ai.

“Kjo situatë është krijuar sidomos pas datës 30 maj kur u lehtësuan masat. Çdokush duhet jetë i vetëdijshëm se virusi vërsulet e shpërndahet në tubime e grumbullime njerëzish dhe përmes kontakteve. Në këto rrethana është e pamundur mbikëqyrja e përgjithshme”, tha Zemaj.

Ai shtoi se, “e vetmja armë e jona kundër këtij virusi është ruajta e distancës fizike e sociale dhe respektimi i masave mbrojtëse dhe parandaluese”./atsh

Zemaj apel qytetarëve: Tubimet e njerëzve janë bërë rreziku më i madh Read More »