Problematika

‘E pamundur të ngulësh çadrën tënde në plazh, pa pasur afër dy prapanica që nuk i njeh. Fantazi të flasësh për një parking falas’

Nga Edmond Arizaj

Këta turistët e bumit të këtij viti, që ankohen e që bëjnë llapa-llapa, nëse duan edhe çmime të ulëta, edhe shërbim me pesë yje, të shkojnë në Sardenjë, në Santorini, Bora-Bora, apo Maldivet normale.

Po tani, edhe të presësh biletë Wizair 20 euro, edhe të kërkosh shërbim e kushte si në biznes klas me Fly Emirates, rri pak ngushtë.

Qejfi paguhet. Edhe për ata që qëmtojnë për të kursyer 5 euro. Kërkojnë çmime të lira, plus shërbim mbretëror!!!

Ne shqiptarët e shkretë kemi kaq vite që lutemi e ulërasim vetëm për shërbimin.

Por pas këtij sezoni, jam kaq shumë i sigurtë se do kemi edhe më për t’u ankuar.

Pse? Sepse vitin tjetër, mos prisni më çmime të përballueshme me një kredi të vogël. Do të duhen dy.

Deti, rëra, Dielli, freskia do të kthehen në një mall shumë të shtrenjtë dhe për shqiptarët mesatarë e nën mesatarë nuk do të mbetet pothuaj asgjë, as plazh publik, as det i lirë, asgjë.

Sepse turizmi “low coast” do të vazhdojë të jehojë nëpër tik-toqe, e instagrame, pavarësisht se “pronarët” e bregdetit shqiptar do të vijojnë me ngritje çmimesh.

Ooo mund të vë bast që sot me kë të dojë që çmimet do të rriten!

Dhe pastaj do kujtohemi për ata 500 mijë shqiptarët e Kosovës që i ndërruam me 500 mijë fukarenjtë e Italisë, që llogarisin edhe një euro për shishen e ujit, shërbyer në buzë të detit.

Jam i sigurtë që në Karpi, Puglia, Siçili, Sardenjë, Rimini, po buzëqeshin këtë sezon pa pasur nëpër këmbë kopracët, kursimtarët, pleqtë e pensionistët.

Është bukur vërtetë të shohësh që miliona zgjedhin të pushojnë në vendin tënd.

Por është shëmtuar të kujtosh se shumë prej bashkëatdhetarëve e kanë të zorshme të pushojnë 10 ditë pa bërë llogari financash; është mision i pamundur të gjesh në 300 e kusur kilometra vijë bregdetare, një vend ku të ngulësh çadrën tënde, pa pasur afër dy prapanica që nuk i njeh, është pothuaj fantazi të flasësh për një parking falas, është gëzim të të shërbejnë buzagaz për të paktën një orë…

Ndoshta ne shqiptarët duhet të tregohemi dredharakë. Nuk mund të pushojmë më (shumica) në vendet më të bukura tonat në periudhën korrik-gusht, por ama nga maji-qershori dhe shtator-tetori mund të kemi pushime fantastike, pa rrëmujë, me shërbim të përkryer (me siguri 80 përqind), parking pa pagesë, ushqim mëse i freskët dhe më i lirë, deti aq i pastër sa mund të rregullosh flokët në pasqyrim, për çadrën s’të vjen njeri të të kapë nga krahu për pagesën, madje ke vende sa të duash të rrish në intimitet.

Edhe ndryshimet klimatike janë favorizuese. Mendojeni njëherë.

‘E pamundur të ngulësh çadrën tënde në plazh, pa pasur afër dy prapanica që nuk i njeh. Fantazi të flasësh për një parking falas’ Read More »

Trondit gazetarja: Vajza politikanësh e biznesmenësh janë abuzuar seksualisht pas konsumit të ekstazisë

Shkruan Aida Topalli

Cannabis sattiva, apo siç njihet tradicionalisht, hashashi, kokaina, heroina dhe çdo drogë tjetër, tashmë po shndërrohen në një mit.

Herë pas here jemi përpjekur të paralajmërojmë shpërthimin e një lloji të ri droge, ajo sintetike. Ndër të parët që folëm publikisht, kur sapo kishte nisur të kthehej në trend.

Treguam efektet dhe pasojat. Dhe më e rënda, se si grupmoshat e reja u nisën me vrull ta provonin, e më pas të ktheheshin në përdorues të rregullt.

Janë të vështira për t’u dalluar. Ngjajnë me produkte farmaceutike. Por janë të dëmshme shumë herë më shumë sesa drogërat e tjera, të njohura botërisht, si tradicionale.

Qindra vajza të reja, kanë rënë pre e kësaj droge, duke humbur vetëdijen e duke u kthyer kështu në objekt seksi për grabitqarët seksualë. Mes tyre edhe vajza politikanësh, biznesmenësh e njerëzish të drjtesisë. Histori që flenë në familjet e gjithësecilit, por asnjëherë nuk kanë përfunduar në dyert e policisë. Për një arsye të thjeshtë, ruajtja e nderit dhe moralit.

Por kjo mbajtje në fshehtësi, ka bërë që shumë vajza të tjera të mos kenë dijeni dhe të bien pre e këtyre sulmeve, që mund të konsiderohen nga më të frikshmet, për shkak se nuk mban mend asgjë çfarë ka ndodhur.

Janë me dhjetëra video që qarkullojnë, filmuar nga grabitqarët seksualë, të vajzave të reja, nën efektin e drogërave sintetike, të cilat kanë përfunduar në inbox-et e baballarëve dhe vëllezërve, si forma shantazhi, herë për të marrë para në këmbim, e herë për të përfituar të tjera gjëra.

Madje, një nga videot e bëra, në të cilën abuzohet me vajzën e një punonjësi të drejtësisë, gjithçka është bërë vetëm për ego.

Operacioni i finalizuar një ditë më parë nga seksioni kundër Narkotikëve në DVP Tiranë, nuk duhet parë kaq cekët.

Në gamën e gjerë të analizës, kemi të bëjmë me shpërbërjen e një grupi që më duart e tyre, furnizonin të rinjtë me një substancë që të humbet vetëdijen dhe kontrollin. Pas konsumimit je i aftë të bësh gjithçka, dhe në fund nuk mund të mbash mend asgjë. Duke rënduaar kështu psikozën rinore.

Duke ngritur skuta të errëta, që nuk ndriçohen kurrë në memorie.

Pa shtuar këtu edhe varësinë që krijojnë. Njëmbëdhjetë mijë kokrra ekstazi, është njëlloj si të shpëtosh të paktën 5 mijë të rinj nga përdorimi.

Ndoshta nuk është folur mjaftueshëm për efektet kaq negative dhe pasojat kaq të rënda të kësaj droge, dominuese e shekullit të ri. Kjo sepse herë-herë është si një thikë me dy presa, ti jep inforacion për pasojat, por kureshtarët tentojnë të shuajnë kureshtjen dhe të provojnë këto efekte në trupin e tyre.

Asnjë instancë nuk është e aftë që ta ndalojë njëherë e mirë shpërndarjen dhe konsumimin. Për një arsye të thjeshtë, sepse gjithçka nis nga personalja. Jemi ne ata që vensdosim nëse do ta konsumojmë apo jo.

Dhe nëse vendoset të konsumohet, atëherë do të përdoret çdo mënyrë për ta gjetur. Sado grupe të shkatërrohen, të tjerë do të ngrihen e përhapen. Andaj, në kësisoj rastesh, lufta është me veten… mes të rinjve…

Trondit gazetarja: Vajza politikanësh e biznesmenësh janë abuzuar seksualisht pas konsumit të ekstazisë Read More »

Fredi Beleri ka tre kërkesa për Mitsotakis

Kryetari i zgjedhur i Bashkisë Himarë Fredi Beleri ka zbardhur takimin me deputetin grek Angelos Syrigos pas hekurave, të cilit i ka parashtruar dhe tre kërkesa për t’ia transmetuar kryeministrit të Greqisë Kyriakos Mitsotakis.

Beleri deklaron në një postim në “Facebook” se kërkon të marrë menjëherë detyrën si Kryetar i Bashkisë për të ndaluar grabitjen e pronave të komunitetit grek.
Sipas tij, u përgatit “një ligj që supozohet se kishte për qëllim zhvillimin e zonës duke tërhequr kapitale të huaja, por se deri më sot as edhe një i huaj nuk ka investuar në zonën tonë dhe të gjithë ata që janë shpallur investitorë strategjikë janë që të gjithë shqiptarë me lidhje me pushtetin.

Ai thekson më tej se “qëllimi ynë është, gjithashtu, të jetojmë në një shtet demokratik ku nuk ka dallime për përkatësinë etnike të shtetasve të vet dhe të ndalojnë politikat e shantazhimit të popullsisë”.

POSTIMI I PLOTË
Falënderoj nga zemra profesorin, deputetin e Demokracisë së Re dhe mikun tim të ngushtë, z. Angelos Syrigos, i cili më vizitoi në burgun e Tiranës, i dërguar i Kryeministrit Grek, z. Kyriakos Mitsotakis.

Nga z. Angelos Syrigos kërkova që t’i transmetojë Kryeministrit të Greqisë vendimin tim, i cili është kërkesë e të gjithë popullit të Himarës, për të marrë menjëherë detyrën si Kryetar i Bashkisë për të ndaluar grabitjen e pronave të komunitetit grek.

Përgatitën një ligj që supozohet se kishte për qëllim zhvillimin e zonës duke tërhequr kapitale të huaja. Deri më sot as edhe një i huaj nuk ka investuar në zonën tonë. Të gjithë ata që janë shpallur investitorë strategjikë janë që të gjithë shqiptarë me lidhje me pushtetin.

Qëllimi ynë është, gjithashtu, të jetojmë në një shtet demokratik ku nuk ka dallime për përkatësinë etnike të shtetasve të vet dhe të ndalojnë politikat e shantazhimit të popullsisë.

Z. Syrigos i thashë se pres tre gjëra:
– të betohem menjëherë si kryetar i bashkisë, populli i së cilës më zgjodhi.
– të lirohem nga burgu, në mënyrë që të mundem të ushtroj detyrën time si kryetar bashkie.
– të rrëzohet akuza e padrejtë, qesharake, tendencioze dhe e pabazë që është ngritur ndaj meje.

Në personin e Kryeministrit Grek falënderojmë Greqinë që lufton krah nesh për të siguruar të drejtat tona njerëzore.

Fredi Beleri ka tre kërkesa për Mitsotakis Read More »

Kush i mban të prishura në QSUT aparatet që mund t’u shpëtojnë jetën falas shqiptarëve?!

Nga Carlo Bollino

Pas editorialit të dy ditëve më parë, përmes të cilit denoncova turpin e një shëndetësie private që merr dhuratë nga shteti një terapi jetëshpëtuese siç është trombectomia, duke detyruar pacientët me këtë diagnozë të gjejnë brenda 6 orëve 20.000 euro për të derdhur në Spitalin Amerikan, (i vetmi në gjendje ta aplikojë, ndryshe pacienti vdes), më erdhën shumë komente publike, por edhe private.

Bashkë me reagimet, mësova edhe disa lajme shtesë, edhe pse në formë anonime, pasi të gjithë kanë frikë të flasin për këtë temë. Heshtin mjekët e përfshirë, sepse e dinë që janë në faj. Heshtin politikanët e përfshirë, sepse e dinë që nuk kanë të drejtë. Heshtin mjekët e ndershëm, sepse nuk besojnë se diçka mund të ndryshojë. Heshtin deri edhe të afërmit e viktimave të cilët, si gjithë të tjerët, i druhen kushedi se ç’raprezalje, sikur humbja e një familjari për faj të një shëndetësie të sëmurë nuk është një dënim dhe një dhimbje e mjaftueshme.

Ka nga ata që edhe falanderojnë spitalet private se pranuan shumën e kërkuar dhe mjekët e politikanët që i detyruan ta paguajnë atë shumë, sikur e gjitha të ishte normale. Sikur shëndeti publik duhet të funksionojë vetëm kështu, patjetër. Problemi është se pikërisht kjo heshtje dhe ky servilizëm, në fund të fundit, lejojnë që sistemi të mos ndryshojë.

Për fat të mirë, i mbrojtur nga anonimati, ndonjë flet. Dhe në këtë mënyrë zbulova se gjëndja është edhe më e rëndë nga sa shkruajta. Në të vërtetë QSUT i disponon prej vitesh ato aparate të domosdoshme për të kryer trombectominë, por nuk i përdor. Kjo, pasi disa janë prishur në pritje të mirëmbajtjes, ndërsa të tjerave u mungon një aksesor i domosdoshëm që quhet “kateter”. Kateteri është një lloj tubi që futet në damar, arrin në tru dhe liron trombin që ndryshe e çon në vdekje pacientin. Çështja është se askush nuk bën një tender as për të blerë katetera dhe as për të kryer mirëmbajtjen.

Me aparatet e prishura ose pa katetera, mjekët e QSUT-së nuk janë në gjendje të kryejnë trombectominë, dhe pacientët, të cilëve iu diagnostikohet pikërisht në QSUT tromboza cerebrale akute, duhet të nisin numërimin e 6 orëve për të gjetur brenda atij afati kohor 20 mijë eurot për t’ja paguar Spitalit Amerikan, që për vete ka bërë edhe mirëmbajtjen e aparaturave, edhe blerjen e kateterave. Pranë këtij të fundit punon pjesa më e madhe e mjekëve të formuar në QSUT, por të lenë pa aparatura. Ja pra, skandali është i gjithi këtu.

I kujt është faji? I mjekëve të neurokirurgjisë të QSUT-së që duhet t’i kërkojnë drejtorisë së QSUT-së dhe ministrisë organizimin e tenderave? Dhe nëse nuk e kërkojnë, përse nuk e kërkojnë? Është faji i drejtorisë së QSUT-së që nuk kontrollon funksionimin dhe përdorimin e aparaturave të veta? Është faji i ministrisë që nuk informohet? Apo që bën sikur nuk sheh? Në fund të fundit, kush fiton nga kjo seri neglizhencash është spitali privat dhe kush paguan pasojat, janë qytetarët. Skandali për këtë qe po ndodh është aq i rëndë sa ndoshta edhe SPAK do të ishte mirë të hidhte sytë.

Shëndetësia në Shqipëri është e kushtëzuar nga konflikti gjigand i interesave mes publikes dhe privatit, ku strukturat private favorizohen gjithmonë në dëm të strukturave publike. Rasti i trombectomisë, një terapi jetëshpëtuese deleguar në formë ekskluzive Spitalit Amerikan, u bë një çështje kombëtare pasi familjarët e aktorit të njohur Genc Fuga i prekur nga tromboza, bënë një apel publik për të gjetur në 6 orë 20.000 euro të domosdoshme për shtrimin në spitalin privat, pasi QSUT nuk mund të bënte asgjë.

Një skandal ndaj të cilit shteti duhet të reagojë menjëherë dhe ta korrigjojë, ose duke futur trombectominë në terapitë e rimbursueshme (po pse në Europë kjo terapi kushton nga 10 mijë në 11 mijë euro, ndërsa në Shqipëri 20.000 euro?!) ose duke i dhënë QSUT-së pajisjet e nevojshme për te rifiluar ta bëjnë këtë shërbim falas për të gjithë pacientët.

Do të ishte mirë që të paktën Ministria e Shëndetësisë të mos vazhdojë të heshtë si gjithë të tjerët, duke e lënë gjendjen kështu siç është në pritje që personazhi tjetër i njohur të bëjë zhurmë përsëri. Pasi, ndërkohë dihet, hallet e përditëshme të njerëzve të thjeshtë nëpër spitale, nuk bëjnë asnjëherë zhurmë./Shqiptarja.com

Kush i mban të prishura në QSUT aparatet që mund t’u shpëtojnë jetën falas shqiptarëve?! Read More »

Vlora dhe Fieri në luftë me flakët, ndërhyrje nga ajri për të shuar zjarrin

Ministri i Mbrojtjes Niko Pelesh ka publikuar pamjet nga aksioni për shuarjen e zjarreve në Fier e Vlorë.
42 trupa dhe 13 mjete janë angazhuar prej orësh në aksionin për shuarjen e zjarreve të ndezura në Peshtan të Fierit dhe fushën e mbetjeve në Vlorë.
Efektivët e Repartit të Poshnjes po punojnë në terren në zonën e pyllëzuar dhe tejet të vështirë në Peshtan, ndërsa helikopteri Cougar vijon ndërhyrjen nga ajri për shuarjen e zjarrit në fushën e mbetjeve në Vlorë.

Vlora dhe Fieri në luftë me flakët, ndërhyrje nga ajri për të shuar zjarrin Read More »

E trishtë! Gjarpërinjtë dhe ferrat ‘pushtojnë’ varrezat e qytetit

Fiks Fare denoncoi neglizhencën e Bashkisë së Vlorës për të pastruar varrezat e qytetit në Babicë.

Gjarpërinj, ferra dhe shkurre kishin “pushtuar” të gjithë territorin e këtyre varrezave, teksa në momentin që gazetarët shkuan në atë vend, asnjë punonjës shtetëror nuk ndodhej. Por, të vetmit që ndodheshin në atë vend ishin disa gjarpërinj, të cilët kishin “larguar” familjarët e të ndjerëve që preheshin në atë vend.

Në redaksinë e emisionit investigativ u ankuan qytetarë të shumtë, të cilët deklaruan se ferrat dhe shkurret kishin “pushtuar” gjithçka dhe “asnjë zyrtar nuk e ka vënë ujin në zjarr për kositjen e tyre”. Gazetarët kërkuan edhe të afërm për t’i intervistuar, por në atë moment askush nuk ndodhej në atë territor. Madje, edhe disa të afërm që po përpiqeshin të vizitonin të afërmit e tyre të ndjerë e kishin të pa mundur të hynin dhe kërkonin ndihmë për të gjetur zgjidhje.
Kamera e Fiksit, krahas shkurreve dhe ferrave, filmoi edhe vende me plehra në brendësi të varrezave dhe askush s’kishte marrë masa për ti larguar. Por, i vetmi vend që ishte pastruar ishte varri i babait të kryetarit aktual të Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli. Punonjësit, përveç varrit, kishin pastruar edhe rreth e përqark, madje edhe rrugën për të shkuar në atë vend.

“Është gjendje skandaloze. Kemi varrosur të afërmit, unë kam motrat dhe nipin këtu në këto varreza. Nuk shkojmë dot nga ferrat. Askush nuk ndërhyn” thotë një banor i zonës.

Pas kësaj problematike, grupi i Fiksit shkoi në Bashkinë e Vlorës për t’u interesuar. Punonjëset e informacionit i thanë gazetarëve se “komunikuan me drejtorin e shërbimeve dhe se për këtë problematikë duhet të interesohen te komunalja”. Ato pohuan se Bashkia e Vlorës s’ka pasur asnjë informacion për këtë gjendje. Fiksi shkoi edhe te Komunalja, duke komunikuar me drejtoreshën.

“Nuk kemi informacion se është kompetenca e jonë. Ne kemi 83 punëtorë, por kemi edhe punë të tjera. Kemi dërguar disa punëtorë në atë vend” thotë drejtoresha.

Pyetjes se, me kaq punëtorë nuk mundi dot t’i pastronte, ajo tha se “nuk jam vënë në dijeni nga titullari që kjo përgjegjësi i është ngarkuar institucionit tim”. Më tej pohon se, para se Fiksi të interesohej, kishte 3 ditë që punëtorët e saj kishin filluar dhe pastrimin e varrezave në zonën e atyre që humbën jetën në tragjedinë e Otrantos dhe një ditë po dhe një ditë jo, Komunalja çon dy punëtorë në Babicë.

“Punëtorët e tjerë i kam shpërndarë në vende të tjera” pohon drejtoresha.

Por, disa ditë pas konstatimit të kësaj problematike dhe interesimit në institucionet përgjegjëse, dhjetëra punëtorë të Bashkisë së Vlorë shkuan në varrezat e Babicës dhe prenë barin dhe ferrat. Fiksi udhëtoi sërish në atë vend, duke dokumentuar se punëtorët po pastronin gjithçka. Pra, u desh ndërhyrja e emisionit investigativ që punëtorët e Bashkisë së Vlorës të bënin punën e tyre!

E trishtë! Gjarpërinjtë dhe ferrat ‘pushtojnë’ varrezat e qytetit Read More »

Kaos në veri të Kosovës, pl agosje, gaz lotsjellës e b omba, Serbia urdhëron ushtrinë që të jetë gati, Vuçiç shfrytëzon situatën, jep dorëheqjen nga…

Rikthehen tensionet e forta në Veri mes Kosovës dhe Serbisë. Grupe qytetarësh serbë u përplasën ditën e djeshme me po licinë e Kosovës e cila tha se po ndihmonte kryetarët e rinj të tre komunave të banuara me shumicë serbe në veriun e vendit, për të hyrë në zyrat e tyre. Nga ana e Kosovës ndërhyrja e policisë është legjitime ndërsa shtoi se sovraniteti dhe integriteti territorial i Republikës së Kosovës është i pacenueshëm, i patjetërsueshëm dhe i pandashëm. Serbia në vend që të ulte tensionet, provokoi dhe më shumë pasi Vuçiç vuri në gatishmëri ushtrinë. Për të shuar tensionet ndërhynë dhe ndërkombëtarët. Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian kanë dënuar ashpër situatën e krijuar në Veri. Kryeministri Kurti nuk u tërhoq edhe pas mesazheve të forta nga SHBA-BE. Gjithashtu nga ana tjetër Vuçiç dha dorëheqjen si kreu i partisë së tij dhe paralajmëroi mbledhjen e këshillit të sigurisë dhe kohë të errëta për Beogradin.

Detajet se çfarë ndodhi në Veri
Në një njoftim të policisë thuhet se pesë pjesëtarë të saj pësuan lëndime, ndërsa katër makina u dëmtuan gjatë përleshjeve. Rreth 10 persona kërkuan ndihmë mjekësore në një spital lokal duke u ankuar për lëndime të lehta dhe ndikimin e gazit lotsjellës. Sipas policisë janë dëgjuar edhe të shtëna me armë zjarri. Kryetarët e komunave në veri të Kosovës kanë arritur të futen në ndërtesat e komunave, të shoqëruar nga forcat policore. Nga mediat e Kosovës raportohet se pak minuta pasi ka hyrë kryetari i ri i Leposaviç, aty është vendosur flamuri i Kosovës. Lulzim Hetemi, i cili tashmë është kryetar i kësaj komune, ka hyrë në objektin komunal pas tensioneve. Policia e Kosovës arriti të shpërndajë turmën, dhe të mundësojë futjen e kryetarit Hetemi në komunë. Pak minuta para hyrjes së tij, pranë objektit të komunës janë dëgjuar të shtëna me kallashnikov.

Vuçiç bën gati ushtrinë

Presidenti serb Aleksandër Vuçiç, nga ana tjetër urdhëroi ushtrinë Serbe të ngrejë gatishmërinë luftarake në nivelin më të lartë dhe të lëvizë trupat e saj më afër kufirit me Kosovën, pas shpërthimit të tensioneve. Ministri serb i Mbrojtjes Vuçeviç në një transmetim të drejtpërdrejtë televiziv në Beograd tha se është urdhëruar një lëvizje urgjente e trupave, meqë sipas tij, “është e qartë se terrori ndaj komunitetit serb në Kosovë po ndodh”. Vuçeviç, duke folur nga rruga në qendër të Beogradit për televizionin pro-qeveritar Pink, ka vlerësuar se ngjarjet në veri të Kosovës, “ku pushteti i Prishtinës merr në dorë ndërtesat e vetëqeverisjes lokale, nuk janë lojë”. dhe se kjo “vë në rrezik sigurinë e të gjithëve në rajon”. Siç theksoi ai, ushtria do ta përmbushë absolutisht urdhrin e Vuçiçit dhe do ta mbrojë sovranitetin e Serbisë dhe të drejtën e jetës së të gjithë qytetarëve të saj.

Kaos në veri të Kosovës, pl agosje, gaz lotsjellës e b omba, Serbia urdhëron ushtrinë që të jetë gati, Vuçiç shfrytëzon situatën, jep dorëheqjen nga… Read More »

Deklarata bombë e Artan Hoxhës: Sali Berisha ka tentuar të marrë peng Ilir Metën, ja arsyeja

Gazetari Artan Hoxha ka tronditur me deklaratën e tij ndërsa ishte i ftuar në një emision televiziv, ku tha se në vitin 2000, në kohën kur Ilir Meta ka qenë kryeministër, Sali Berisha ka tentuar ta marr peng.

“Në 28 nëntor të vitit 2000, Ilir Meta ka qenë kryeministër, ka bërë një vizitë në shtator për zgjedhjet lokale dhe kanë tentuar ta marrin peng edhe pse ka qenë i shoqëruar me Forcat Speciale dhe Garda e Republikës. Pra i kanë marrë makinat dhe kanë tentuar ta marrin peng që ka qenë i organizuar nga mbështetësit e Sali Berishës.

Në 28 nëntor është sulmuar komisariati i Tropojës nga njerëz të armatosur dhe ka qenë i përgatitur një plan që nëse binte komisariati i Bajram Currit të gjitha komisariatet rresht në veri të Shqipërisë deri në Tiranë do të binin njëra pas tjetrës, por për fat të mirë ai komisariat nuk ra atë ditë, sepse pati njerëz vërtet trima që e mbajtën, por u desh të paguhej me jetë njerëzish, u vranë dy persona. Dhe atë mbrëmje Ilir Meta ka dhënë urdhër që Sali Berisha të ndalohet dhe është i vetmi rast kur Sali Berisha është ndaluar, është marrë nga mjeti i tij blinduar para Partisë Demokratike dhe është çuar në qelitë e izoluara pranë Drejtorisë së Policisë Tiranë”, tha Hoxha.

Deklarata bombë e Artan Hoxhës: Sali Berisha ka tentuar të marrë peng Ilir Metën, ja arsyeja Read More »

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com