Politike

Pasuria e deputetëve të PD, këto janë milionat e Bashës, Berishës dhe ish-ministrave

Zbardhet pasuria e deputetëve të Partisë Demokratike për vitin 2017. Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive më 31 mars mbylli procesin e deklarimit dhe pas përpunimit të deklaratave tashmë gjithçka është gati. Gazeta ka arritur të sigurojë të dhënat për pasuritë e të gjithë parlamentarëve, teksa sot po publikon të ardhurat e demokratëve, ndërsa në ditët në vijim të partive të tjera.

Ajo që bie në sy është se në radhët e demokratëve ka ende emra me pasuri shumë të lartë. Deputetët që kryesojnë janë kryesisht emrat e vjetër, ndërsa emrat e rinj që hynë për të parën herë në Parlament kanë pasuri kryesisht të ulëta. Nëse i marrim me radhë, deputetët që dominojnë në PD, janë Astrit Veliaj dhe Agron Shehaj.

Astrit Veliaj është biznesmen i njohur dhe pasuritë e tij janë të shumta. Vetëm apartamente ka në pronësi rreth 35, ndërsa po ashtu ka banesa private dhe shumë troje. Ndërsa pas tij vjen Agron Shehaj, i cili po ashtu është biznesmen i njohur dhe vetëm gjatë vitit 2017 ka përfituar rreth 7 milionë euro të ardhura. Fitimet kanë ardhur nga shitja e aksioneve, apo dhe nga përfitimet e kompanive të tij.

Pasuria e Berishës dhe Bashës

Një rëndësi zënë dhe pasuritë e deklaruara nga kreu i PD Lulzim Basha dhe ish-kryeministri Sali Berisha. Sa i takon Bashës, duket se është bashkëshortja e tij që ka fitime shumë të larta. Basha ka deklaruar vetëm të ardhurat nga paga si deputet dhe nga drejtimi i Partisë Demokratike, ndërsa bashkëshortja e tij ka deklaruar rreth 19 mijë euro fitime nga drejtimi i disa programeve.

Ndërsa si takon Berishës, ata që kanë pasuri shumë të lartë janë fëmijët e tij. Vetë Berisha ka deklaruar 4 llogari bankare të tij dhe të bashkëshortes, si dhe pagën e tij si deputet dhe pensionin e zonjës Liri Berisha. Por ajo që bie në sy janë të ardhurat e fëmijëve Shkëlzen Berisha dhe Argita Malltezi. Shkëlzen Berisha ka përfituar rreth 30 mijë euro nga konsulencat, ndërsa duket se ka një rënie në llogaritë bankare dhe ka shlyer shumë borxhe.

Në 5 llogari bankare ka pasur rënie të parave, ndërsa bie në sy se Shkëlzen Berisha ka një llogari bankare dhe në Suedi. Ndërsa sa i takon Argita Berishës pasuria e saj është relativisht më e lartë. Në 7 llogari bankare ka pasur shtim të të ardhurave, ndërsa rënie ka pasur në 2 prej tyre. Zonja Malltezi ka deklaruar 22 977 euro nga konsulenca dhe rreth 40 mijë euro nga qeratë. Po ashtu të ardhura ka nga mësimdhënia si pedagoge në universitete publike dhe private dhe nga shitja e librave.

Ish-ministrat e PD

Nga deklarimet për vitin 2017, ajo që bie në sy është se ish-ministrat apo ish-zv/ministrat e PD vijojnë të kenë pasuri relativisht të larta. Florion Mima rezulton të ketë një pasuri vërtet të lartë. Ai ka të ardhura nga qeratë, nga bashkëshortja, ndërsa rezulton me shumë llogari bankare. Ndërsa Edmond Spaho, kreu i grupit parlamentar të PD, ka shpenzuar rreth 8 mijë euro për të shkolluar fëmijët jashtë vendit. Një tjetër ish-ministër është Halim Kosova, i cili rezulton me të ardhura shumë të larta.

Ai ka deklaruar fitime nga qeratë, si dhe nga fitimet si mjek pranë spitaleve private. Po ashtu me të ardhura të larta rezultojnë bashkëshortja dhe fëmijët e tij, duke marrë mijëra euro në vit. Edhe Tritan Shehu renditet në këtë mes, i cili gjatë vitit 2017 ka shitur apartamentin. Ndërkohë ka shumë deputetë që deklarojnë vetëm të ardhurat nga paga e tyre dhe e bashkëshortëve.

Sipas informacioneve, gjatë vitit 2018 ILDKP ka planifikuar të zhvillojë një kontroll të plotë të pasurisë për ministrat, deputetë dhe funksionarët e tjerë. Kjo do të thotë se do të kontrollohen të ardhurat që nga dita e parë e deklarimit të pasurisë dhe deri më sot. Kush rezulton me pasuri të pajustifikuar do të duhet të përballet me ligjin./ SOT

Pasuria e deputetëve të PD, këto janë milionat e Bashës, Berishës dhe ish-ministrave Read More »

“Rebelët” rrëzojnë aksionin opozitar, deputetët braktisin Kryemadhin. Lista me emrat që distancohen nga bashkëpunimi me PD

Lëvizja Socialiste për Integrim prej disa kohësh është përfshirë nga një krizë e brendshme. Edhe pse kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi e ka evituar këtë fakt, duke mos e pranuar, një krizë e tillë sa vjen dhe bëhet më e dukshme. Që prej daljes në opozitë dhe më konkretisht qysh në momentin që LSI faktoi aleancën opozitare me Partinë Demokratike disa deputetë të kësaj force nuk po i binden më Kryemadhit. Konkretisht bëhet fjalë për deputetët Robert Bitri, Vangjel Tavo, Nasip Naço, Lefter Koka, Agron Çela, Edmond Haxhinasto dhe Viktor Tusha.

Të gjithë këta deputetë gjatë gjithë kësaj legjislature në një farë mënyre janë treguar të distancuar ndaj Kryemadhit, pasi disa herë radhazi nuk i janë bindur urdhrave të saj sa i takon aksionit opozitar. Madje këta deputetë janë shfaqur indiferent edhe sa i takon bashkëpunimit me Partinë Demokratike.

Kjo për faktin se shpesh në komisionet parlamentare, por edhe në seancat plenare ka pasur një moskoordinim veprimesh apo më saktë një distancim të deputetëve të LSI ndaj atyre demokratë. Madje, një gjë e tillë është pasqyruar më së shumti gjatë këtyre javëve të fundit.

Në seancën plenare të së enjtes deputeti Robert Bitri, i cili ka qenë dhe deputeti i parë rebel ndaj Kryemadhit, nuk iu bashkua sërish grupit parlamentar të LSI dhe atij të PD gjatë bojkotit të Parlamentit. Madje, ai përveç kësaj u rreshtua krah deputetëve të mazhorancës gjatë miratimit të rendit të ditës.

Sakaq, po dy javë më parë deputeti tjetër i LSI, Agron Çela qëndroi në seancë duke mos iu bashkuar grupit gjatë bojkotit të seancës. Ndërsa të njëjtën gjë bënë dhe deputetët Vangjel Tavo dhe Lefter Koka në seancën plenare të tre javëve më parë. Veprime që ndonëse u justifikuan para pak ditësh nga ana e Kryemadhit se kanë qenë për arsye teknike, duket se më së shumti kanë qenë një rebelim kundër aksionit opozitar të ndërmarrë nga LSI.

“Rebelët” rrëzojnë aksionin opozitar

Bashkëpunimi Basha-Kryemadhi ndonëse u krijua kundër qeverisë ka shkaktuar përçarje brenda kampit të LSI. Qysh prej caktimit të aksionit opozitar për mosbindje civile dhe bojkot të komisioneve parlamentare, deputetët e LSI kanë qenë të parët që kanë rrëzuar këtë aksion. Ishte fillimisht deputeti i LSI, Robert Bitri ai i cili hodhi poshtë urdhrat e Bashës dhe Kryemadhit dhe më pas Edmond Haxhinasto, Nasip Naço etj.

Kjo për faktin se deputetët e LSI, kanë marrë pjesë rregullisht në komisionet parlamentare madje përveç diskutimeve ata kanë bashkuar edhe votat e tyre me mazhorancën gjatë miratimit të projektligjeve. Por përveç kësaj, në radhët e aksionit opozitar deputetët “rebel” janë shfaqur të distancuar edhe gjatë aksioneve që ka ndërmarrë opozita në Parlament ku ka bllokuar foltoren në shenjë proteste kundrejt kryeministrit.

Veprime që shpesh nuk janë mirëpritur nga ana e 6 deputetëve të LSI, të cilët nuk janë bërë pjesë e këtyre shfaqjeve ndonëse Kryemadhi apo deputetë të tjerë të kësaj force janë bashkuar me demokratët. Ndërkaq, distancimi i deputetëve të LSI nga PD u pa dhe para pak ditësh në protestën që opozita zhvilloi para Ministrisë së Brendshme ku deputetët e LSI nuk morën pjesë ndonëse Kryemadhi tha se partia e saj do rreshtohej krah PD.

Deputetët “braktisin” Kryemadhin

Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi duket se po braktiset nga deputetët e saj. Kjo sepse deputetët rebel përveç distancimit ndaj PD po shtojnë pakënaqësitë edhe ndaj Kryemadhit. Madje ata po braktisin edhe seancat plenare. Deputeti Vangjel Tavo si dhe Agron Çela për rreth 6 muaj nuk janë bërë pjesë e punimeve parlamentare. Kohë që tregon se pavarësisht problemeve që mund të kenë, është dhe një sinjal rebelimi ndaj Kryemadhit.

Kjo sepse deputeti Tavo edhe pse ka munguar për arsye familjare, akuzat e LSI të bëra ndaj tij në lidhje me lobimin në SHBA, duket se kanë ngjallur tek ky i fundit një pakënaqësi. Megjithatë ngelet për tu parë sesi do të vijohet nga ana e Kryemadhit për të shuar këto rebelime pasi gjatë ditëve të fundit janë shtuar akoma më shumë./ SOT

“Rebelët” rrëzojnë aksionin opozitar, deputetët braktisin Kryemadhin. Lista me emrat që distancohen nga bashkëpunimi me PD Read More »

Çfarë thonë Fatos Klosi dhe Petro Koçi për protestën e 26 majit të organizuar nga opozita e bashkuar

Opozita ka planifikuar që të ngrihet në protestë në datën 26 maj nën kauzën e rrëzimit të ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, pas lidhjeve që aludohet të ketë vëllai i tij me trafikun e drogës. Mirëpo në rast se kthehemi pas në kohë, plot 22 vite më parë data 26 maj e vitit 1996 do të hynte në histori si dita e zgjedhjeve më të këqija në historinë shqiptare. Kjo ishte ditë zgjedhjesh, por që degjeneroi në dhunë dhe u sulmuan fizikisht shumë qytetarë të thjeshtë, por edhe personalitete të njohur, si: Namik Dokle, Arta Dade, Servet Pëllumbi, etj.

Partia Demokratike u akuzua se në atë ditë dënoi me “vdekje” zgjedhjet e lira, ndërsa si për koiçidenca, opozita ka zgjedhur ta zhvillojë protestën e radhës pikërisht në këtë datë. Për të treguar nëse përzgjedhja e kësaj date është bërë me qëllim për të përkujtuar zgjedhjet e 1996 apo është thjeshtë e paplanifikuar, gazeta kontaktoi me zëvendësministrin e Mbrojtjes, Petro Koçi dhe me ish-kreun e Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi.

Të dy këta personazhe ndajnë mendime të ndryshme për këtë temë. Petro Koçi theksoi se organizimi i protestës së javës së ardhshme është bërë me paramendim. “PD do festojë përgjakjen e zgjedhjeve të 26 majit 1996. Në fakt ajo ditë ka qenë grusht shteti që zgjati efektin e vet vetëm një vit. Por Partia Demokratike nuk ngopet kurrë me bëma të tilla. Prandaj vijoi me 14 shtatorin 1998, me 21 janarin, etj”, deklaroi zëvendësministri i Mbrojtjes.

Ndërsa planin e opozitës për të protestuar të shtunën, ai e konsideroi si një përpjekje për të bllokuar hapjen e negociatave. “Është protestë kundër hapjes së negociatave. PD po kryen luftë pa kompromis kundër integrimit evropian. Gjithë inskenimet e PD janë pjesë e një konspiracioni kundër një interesi strategjik të Republikës së Shqipërisë. Kjo e fundit mund të theksohet. PD, në krye të një konspiracioni kundër hapjes së negociatave, një interesi strategjik themelor”, tha Petro Koçi.

Reagimi i Fatos Klosit

Krejt ndryshe nga Petro Koçi, mendon ish-kreu i SHISH, Fatos Klosi. I kontaktuar po ashtu ditën e djeshme nga gazeta, Klosi nuk e hodhi poshtë mundësinë që një gjë e tillë të jetë menduar nga opozitarët. Por nga ana tjetër, ai theksoi se edhe nëse ky organizim është i vërtetë nga Partia Demokratike, sërish është i pavlerë sepse populli nuk gënjehet më.

“Nuk besoj të jetë bërë me qëllim për 26 majin e 1996. Ata mund ta kenë menduar, por populli nuk e fërshëllen fare këtë gjë. Nuk ka ndonjë pasojë. E përsëris që dikush nga opozita mund ta ketë menduar sepse kanë qejf atë krisjen që ka ndodhur, por nuk besoj se popullit i bëjnë përshtypje këto gjëra. Në të gjitha këto mitingjet më shumë provohen aftësitë e këtyre që organizojnë sesa motivi për të cilin bëhet një gjë e tillë”, tha Klosi.

Më tej, ai komentoi edhe planin e opozitës për të protestuar kundër ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj. Sipas Klosit, kjo është një kauzë e dështuar dhe qesharake. “Të dalësh në protestë që ministri i Brendshëm të japë dorëheqjen sepse vëllai i vet qenka marrë shumë vite më parë me drogë, më duket e pakuptimtë. Kjo është luftë politike dhe ata do të bëjnë punën e tyre, por nuk më duket serioze me thënë të drejtën. Më duket një kauzë e padrejtë dhe fallso.

Nuk është kauzë lufte kjo që duhet të bëjë një opozitë. Opozita të paktën duhet të bëjë luftë për të treguar se unë jam më e zonja se partia që është në pushtet dhe unë i bëj gjërat më mirë, jo vëllai i këtij është kështu, ky tjetri ka këtë apo atë mik. Kauza e opozitës është qesharake”, u shpreh Fatos Klosi./ SOT

Çfarë thonë Fatos Klosi dhe Petro Koçi për protestën e 26 majit të organizuar nga opozita e bashkuar Read More »

Partia Demokratike zbuloi ”asin nën mëngë”. Pse Jetmir Olldashi tradhëtoi burimin dhe e mbajti 4 muaj të fshehtë audio- përgjimin

Dyzetë e tetë orë pas rrëfimit kontradiktor të dëshmitarit X, Albert Veliut, i njohur edhe si ‘Babalja’, Partia Demokratike zbuloi ‘asin tjetër nën mëngë’, burimin e dytë të shtrenjtë, në të ashtuquajturën çështja ‘Xhafaj’. Në një video-konferencë, të prezantuar nga Lulzim Basha, u shfaq Jetmir Olldashi.

Ky i fundit, që në krye të rrëfimit tha se punonte prej 16 vitesh në media si “gazetar investigativ”, ndërsa e mbylli versionin e tij, duke thënë se ‘në profesionin tonë të gazetarit, rëndësi ka vetëm e vërteta”. E vërteta është se, emri i Jetmir Olldashit nuk lidhet qoftë edhe me një investigim të vetëm gazetaresk.

Në 16 vitet e fundit të historisë së gazetarisë shqiptare, asnjë investigim serioz dhe profesional, nuk mban emrin e tij. Përkundrazi ai është e njohur më shumë si zëdhënës në disa institucione publike në kohën kur ishte në pushtet Partia Demokratike dhe si pronar e një portali të vogël ekstremist shumë afër me Partinë Demokratike.

Shitja e burimit

Një nga parimet themelore të gazetarisë është mbrojtja e burimit. Ky parim i shenjtë reflektohet gjen mbrojtje si në Kodin e Procedurës Penale të Shqipërisë, ashtu edhe në legjislacionin ndërkombëtar. Burimi mund të zbulohet vetëm në raste të jashtëzakonshme dhe vetëm me vendim gjykate. Çfarë bëri ‘gazetari investigativ’ Jetmir Olldashi?

Doli në një konferencë shtypi dhe dekonspiroi burimin, përkatësisht Albert Veliun, dëshmitarin X të Partisë Demokratike. Kryefjala e rrëfimit të tij ishte shitja e burimit, teksa tha se përgjimin e ka kryer Albert Veliu. Dekonspirimi erdhi vetëm 48 orë pasi Veliu deklaroi publikisht që nuk e dinte se kush e kishte bërë përgjimin.

Nga njëra anë ‘gazetari investigativ’ tha se ai dhe burimi ishin të rrezikuar, nga ana tjetër tradhton burimin, duke e ekspozuar ndaj një rreziku. Gjithashtu, nga pikëpamja profesionale, ku publikohet një investigim, fshihet burimi, por jo gazetari. Në rastin konkret, u zbuluar fillimisht vetëm burimi, ndërsa çuditërisht u tentua të fshihej gazetari.

Mbajtja e përgjimit 4 muaj në sirtar

‘Gazetari investigativ’ Jetmir Olldashi në mënyrë të çuditshme ka mbajtur katër muaj në sirtar materialin e pretenduar kundër vëllait të Ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj. Një gazetar profesional, një investigim të tillë për një aktivitet të paligjshëm, siç është trafiku i drogës, në interes të publikut, duhet ta publikonte menjëherë.

Në rastin konkret, ‘gazetari investigativ’ mban në sirtar për katër muaj audiopërgjimin dhe befas e publikon një parti politike. Për çfarë e ka mbajtur katër muaj Olldashi audiopërgjimin? Ose gazetari ishte i ndërgjegjshëm që audio që e ka realizuar nëpërmjet Albert Veliut ishte e pavlefshme, ose e manipuluar, ose nuk e kuptohet pse nuk e ka botuar kurrë në media e tij. Ishte në pritje për ta “shitur” dikush? Shqiptarja.com

Partia Demokratike zbuloi ”asin nën mëngë”. Pse Jetmir Olldashi tradhëtoi burimin dhe e mbajti 4 muaj të fshehtë audio- përgjimin Read More »

Berisha rrezikon burg të përjetshëm, CIA i zbulon lidhjen me Osama Bin Laden

Dosja e CIA, Berisha ndihmoi Bin Laden të ngrinte celulat terroriste në Shqipëri, tani është i tmerruar nga ngritja e Byrosë së Hetimit

Nëse Ilir Meta, sipas raporteve më prestigjioze ndërkombëtare, konsiderohet si bajlozi më i madh i korrupsionit në Ballkan, Sali Berisha qëndron disa shkallë më lart, pasi emri tij lidhet me krimet më të tmerrshme njerëzore, kombëtare dhe ndërkombëtare gjatë 27 viteve të pluralizmit shqiptar.

Emri i Sali Berishës lidhet me furnizimin me naftë të Millosheviçit për masakrimin e popujve të Ballkanit, ngritjen e SHIK-ut famëkeq të Bashkim Gazidedes, me të cilin zhdukte njerëz, digjte gazeta dhe masakronte kundërshtarët politikë.

Lidhet me maskaradën e zgjedhjeve të 26 majit ’96, me hapjen depove në ’97, me luftën civile, bombardimin e Jugut, vrasjen e Azem Hajdarit, grushtin e shtetit të ’98, planin për bombardimin e Ambasadës Amerikane, Gërdecin, 21 Janarin, shitjen e detit dhe më një sagë të gjatë krimesh njerëzore dhe ekonomike.

Për të përmbledhur të gjithë veprimtarinë kriminale të Sali Berishës ndoshta duhet të ngrihet një skuadër e përbashkët hetimor me prokurorë shqiptarë, amerikanë dhe hetues nga të gjitha vendet e Bashkimit Evropian, për të punuar për një kohë të gjatë.

Nisur nga kjo veprimtari masive dhe e shtrirë në kohë keqbërëse, që do ta kishte zili edhe Pablo Eskobar, Sali Berisha ka të drejtë që është i tmerruar nga drejtësia e re.

Ekstradimi i Izet Haxhisë në Shqipëri, dëshmitarit kyç të krimeve kryesore të Sali Berishës, është një nga makthet, por jo i vetmi për Sali Berishën.

Ish-kryeministri është i tmerruar nga hapja e një tjetër dosje nga Byroja Kombëtare e Hetimit dhe Prokuroria e Posaçme, dosje e cila mund ta çojë në burg për jetë.

Bëhet fjalë për lidhjet e Sali Berishës me Osama Bin Laden, terroristin më famëkeq të të gjitha kohërave.

Bashkëpunimi i Sali Berishës me Osama Bin Laden rezulton në një dosje të CIA-s amerikane, e cila ka skanuar të gjithë njerëzit anembanë botës që kanë pasur lidhje me terroristin.

Deri më sot, kjo dosje është lënë në harresë, për shkak se gjykatat dhe prokuroria shqiptare ishin vegla qorre në duart e Sali Berishës dhe Ilir Metës.

Me ngritjen e organeve të SPAK-ut, ku përfshihen Byroja Kombëtare e Hetimit, Prokuroria e Posaçme dhe Gjykata Speciale, hapja e kësaj dosje është e pashmangshme.

Jo rastësisht amerikanët përsërisin herë pas herë masazhin që peshqit e mëdhenj të politikës duhet të kenë frikë.

Nga ana tjetër, jo rastësisht, Sali Berisha bën thirrje për rebelim popullor, pasi mendon se mund t’i shpëtojë hetimit dhe gjykimit, duke destabilizuar vendin siç bëri në ’97.

Dokumentet e CIA-as amerikane për lidhjet e Bin Laden me Sali Berishën janë bërë publike nga një sërë mediash prestigjioze dhe investigative, si “Qendra për Paqe në Ballkan”, “Historycommons”, apo dhe revista e inteligjencës “Jane”, të cilat u janë referuar dhe raportimeve të mediave të kohës dhe dokumenteve të Interpolit.

Duke ju referuar informacioneve të dhëna nga një agjent i CIA-s, raportohet se në 9 prill të vitit 1994 Bin Laden ka udhëtuar në Shqipëri, si pjesë e një delegacioni të qeverisë saudite dhe është takuar me zyrtarët e qeverisë vendase.

“Bin Laden vizitoi Shqipërinë si anëtar i delegacionit të qeverisë së Arabisë Saudite dhe u takua me zyrtarët e qeverisë vendase.

Ai e prezantoi veten si mik të qeverisë së Arabisë Saudite dhe se mund të financonte projekte humanitare.

Megjithatë, qeveria e Arabisë Saudite, më herët, po atë muaj kishte ndërprerë të gjitha lidhjet me Bin Laden.

Një ish-oficer i zbulimit amerikan do të ankohej në vitin 1999: ‘Pse ishte ai një anëtar i atij delegacionit? Sauditët supozohej të ishin aleatët tanë. Ata na thanë se ai ishte person non grata, por këtu ai ishte në një vizitë zyrtare’”, thuhet në dokument, për të cilin ka raportuar dhe “Washington Times” në vitin 2001.

Ndërsa media prestigjioze kanadeze, “Ottawa Citizen” ka raportuar se CIA dhe Interpoli ishin në vëzhgim të vazhdueshëm të aktiviteteve të Al-Kaedës në Shqipëri. Edhe ajo dhe mediat greke kanë deklaruar se Bin Laden vizitoi Tiranën.

Mediat ndërkombëtare, të cilat ju referohen informacioneve të agjencive të inteligjencës, por edhe raportimeve të kohës, kanë raportuar se që nga viti 1994 e deri më 1999 ka pasur një bashkëpunim të ngushtë mes qeverisë shqiptare dhe Bin Laden e grupit të tij, me qëllim ngritjen e celulave terroriste në vendin tonë.

“Në vitin 1994 kryeministri shqiptar Sali Berisha ndihmoi Bin Laden pas vizitës së tij në Shqipëri, për të ngritur një rrjet në Shqipëri përmes fondeve te bamirësisë të Arabisë Saudite”, raporton “Qendra për Paqe në Ballkan”./Pamfleti

Berisha rrezikon burg të përjetshëm, CIA i zbulon lidhjen me Osama Bin Laden Read More »

Luli e Titi- opozita e re “Babale & Babole”

(Skandal) Opozita prej sot ka një aksion të ri dhe prej tij edhe emrin e ri.

“BABALE & BABOLE” është grupimi i ri dhe i gjërë opozitar që i ka brenda të gjithë, edhe Babalen e Lulzim Bashës edhe Babolet e tij të shumtë, nga Dashnor Shehi tek Vangjel Dule.

Të mbledhur sot, një ditë pasi të gjithë shqiptarët panë me sytë e tyre, maskaradën sa qesharake por edhe kriminale konsumuar si aksion opozitar nga PD, Lulzim Basha dhe ministrat e tij të Drejtësisë, në qendër të së cilës qëndronte një kriminel ordiner që pohonte me gojën e tij se kishte blerë e trafikuar drogë, ftuan shqiptarët, demokrate por edhe socialistë, të shpëtojnë Shqipërinë nga krimi por me kriminelet e tyre.

Këta ose janë të marrë ose të pacipë.
Lulzim Basha dhe Petrit Vasili janë të njohur për të dyja.
Por ca të tjerë që e mbajnë veten për burra e mbi të gjitha burra serioze si Agron Duka e Vangjel Dule ku hyjnë?

Sikur mos të mjaftonte kjo, kanë caktuar si datë të çlirimit të Shqipërisë nga krimi por me kriminelët e tyre, 26 majin, ditën simbol kur të njëjtët personazhe ndalen orën e Shqipërisë duke zeruar çdo kontribut demokratik, kthyer 6 vite pas në pikën zero, kur vodhën zgjedhjet dhe asgjësuan elektoralisht opozitën e kohës.

Me kriminelët e tyre e bënë dhe atëherë.
Me të njëjtët kriminelë mendojnë edhe sot të ndalin orën evropiane të këtij vendi.Pamfleti

Luli e Titi- opozita e re “Babale & Babole” Read More »

Kuvendi i Shqipërisë, në kuadër të Ditës Kombëtare të Jetimëve, priti 200 fëmijë jetimë

Kuvendi i Shqipërisë, në kuadër të Ditës Kombëtare të Jetimëve, me kujdesin e veçantë të Kryetarit të Kuvendit, z. Gramoz Ruçi dhe në bashkëpunim me Institutin Kombëtar të Integrimit të Jetimëve Shqiptarë, priti sot në sallën e seancave plenare 200 fëmijë jetimë nga Shqipëria dhe Kosova.

Të pranishëm në aktivitet ishin zëvendëskryetarja e Kuvendit, znj. Vasilika Hysi, deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, që janë edhe anëtarë të grupit “Miq të Fëmijëve”, si edhe shumë figura të shquara të jetës publike nga arti, shkenca, komunitetet fetare, televizioni dhe muzika.

Kryegjyshi botëror i bektashinjëve, Haxhi Baba Edmond Brahimaj, aktorët Luftar Paja, Mirush Kabashi, Marjana Kondi, Raimonda Bulku, Rudina Dembacaj, tenori Kastriot Tusha, artistët Bujar Kapexhiu dhe Mimika Luca, kompozitori Agim Krajka, këngëtarët Justina Aliaj, Luan Zhegu, Irma Libohova, Manjola Nallbani, Kozma Dushi, moderatorja Silvana Braçe, miss-i i parë shqiptar Valbona Selimllari, si edhe figura të tjera të njohura të ekranit si Eni Çobani dhe motrat Marina dhe Luana Vjollca ishin të pranishëm në aktivitetin e sotëm për t’u qëndruar pranë fëmijëve në aktivitetin e tyre.

Fëmijët jetimë simuluan një seancë plenare, ku përmes fjalimeve të mbajtura, paraqitën me plot mjeshtëri fjale kërkesat e tyre për më shumë solidaritet, si një shtresë e veçantë që meriton ndihmën, vëmendjen dhe kujdesin e posaçëm nga shoqëria dhe strukturat shtetërore përgjegjëse. Fëmijë nga qytete të ndryshme të Shqipërisë dhe Kosovës, sollën në foltore të Kuvendit emocione të ndjera nga jetimë të luftës së Kosovës, të prindërve të rënë në krye të detyrës, në aksidente pranë vendit të punës etj.

Fëmijët jetimë, përmes fjalëve në foltoren e Kuvendit përcollën mesazhe të forta për një shoqëri më solidare ndaj jetimëve. Zëvendëskryetarja e Kuvendit, znj. Vasilika Hysi, në përmbyllje të aktivitetit mbajti një fjalë përshëndetëse. Seancën me fëmijët jetimë zëvendëskryetarja e cilësoi si ndër më emocionueset për t’u drejtuar. “Përgjatë të enjteve ne kemi bërë seanca, ku kemi miratuar ligje të mira, siç ishte ligji “Për Strehimin Social”, që e përgatiti me shume shpirt kolegia ime, znj.Eglantina Gjermeni. Kur ishte ministre e Ministrisë së Zhvillimit Urban, në qeverisjen e mëparshme, ajo loboi shumë që fëmijët jetimë, nënat me fëmijët jetimë, personat e vetëm dhe shumë kategori të tjera si romë, egjiptian, etj., të jenë parësor në strehimin social.

Por krahas ligjeve të mira, siç është edhe ligji për të drejtat e fëmijëve dhe mbrojtjen e tyre, kemi bërë debate shterpë, ku ju kemi lënduar juve, ju kemi dëmtuar dhe nuk kemi mundur të ofrojmë atë që duhet. Kjo seancë, kjo sallë, kjo foltore, është dëshmitare shpesh e debateve patetike. Ndërsa ju të gjithë keni diskutuar me një etikë të veçante dhe i kemi qëndruar thelbit të seancës”, -iu drejtua znj.Hysi fëmijëve.

Znj. Hysi, pasi u zotua në fjalën e saj për më shumë përpjekje nga politika në drejtim të ndihmës ndaj fëmijëve jetimë, e rrethuar nga emocioni që u përcoll gjatë simulimit të seancës plenare të fëmijëve, ndau me të pranishmit një ndjesi dhe përjetim personal: “Unë i ndjek problemet, shqetësimet e fëmijëve jetimë, jo vetëm sepse drejtoj një komision për të drejtat e njeriut, por dy prindërit e mi janë rritur jetimë dhe ndërkohë dy xhaxhallarët e mi janë rritur në shtëpinë e foshnjes”, – u shpreh zëvendëskryetarja e Kuvendit.

Znj. Hysi i ftoi fëmijët jetimë të jenë prezentë në një seancë plenare me praninë e të gjithë deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, për të qenë të dëgjuar në të gjitha problematikat e tyre. “Në emër të Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, z. Gramoz Ruçi, jeni të ftuar të kuvendojmë se cilat do të ishin dy-tre iniciativat e para, që ne duhet t’i ndërmarrim dhe finalizojmë me sukses në këtë periudhë dhe do të ishte mirë që me rastin e festës së 1 qershorit një nga këto iniciativa të finalizohej”,- tha në fjalën e saj zëvendëskryetarja Hysi. Në mbyllje të aktivitetit z.Ilir Cumani shprehu falenderimet e tij, në emër të fëmijëve dhe institutit që drejton, për kujdesin e Kuvendit të Shqipërisë në mbarëvajtjen e këtij aktiviteti.

Kuvendi i Shqipërisë, në kuadër të Ditës Kombëtare të Jetimëve, priti 200 fëmijë jetimë Read More »

Kryeministri Rama e ka ndërruar emrin, si quhej më parë

 

Edhe pse të gjithë e dinë se Kryeministri Edi Rama në të kaluarën thirrej shpesh Edvin, pak e dinë se në fakt ai ishte emri i tij i vërtetë.

Në certifikatën tij të lindjes ai ishte Edvin Kristaq Rama.

Ndërsa pas angazhimit të tij në politikë, ai i firmoste shkresat me emrin Edi.

Ditëve të sotme të gjithë e njohin atë si Edi Rama ndërkohë që opozita ka deklaruar se Rama e ka ndërruar emrin për t’i shpëtuar ligjit dhe aferave korruptive.

Kryeministri Rama e ka ndërruar emrin, si quhej më parë Read More »