Politike

Edi Rama: E kam njohur Monikën në rrethana të tjera, kur e shoh tani më dhimbset. Është rrufe në qiell të pastër. Ja kur do ta shkarkoja Fatmir Xhafajn

Kryeministri Edi Rama u është përgjigjur dje sërish akuzave të opozitës ndaj ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj. Në një intervistë për “Abc News”, shefi i qeverisë deklaroi se ka bindje të plotë se gjithçka që po bëhet ndaj ministrit është mashtrim. Madje ai deklaroi se opozita është duke bërë gabimin e jetës. Por Rama tha se qëndrimi i tij do ndryshojë nëse rezulton që vëllai i Xhafajt merret tani me drogë. Më tej kryeministri nuk kurseu sulmet dhe ironitë ndaj Monika Kryemadhit dhe Ilir Metës.

-Qeveria juaj po përballet edhe me një situatë në lidhje me ministrin e Brendshëm, Fatmir Xhafaj. Është publikuar nga PD një audiopërgjim. Do të flasim pak edhe për qëndrimin tuaj në lidhje me këtë. Por më parë do të doja të dija cili është opinioni juaj në lidhje me punën e ministrit të Brendshëm?

Unë kam një opinion shumë pozitiv për punën e ministrit, bazuar në fakte, bazuar në rezultate dhe bazuar në një proces transformimi të Policisë së Shtetit dhe e vërteta është që besoj shumë se fokusi i ministrit dhe goditjet e policisë dhe shenjat që policia ka dhënë në luftën kundër krimit të organizuar, sidomos disa rezultate të saj konkrete dhe disa prekje të rëndësishme interesash të fshehta që lidhin trafikun e drogës me politikën, e kanë kthyer ministrin në një shënjestër.

Dhe përveç kësaj, për fat të keq kjo kthesë e syve tek ministri në këtë fazë është e lidhur me një përpjekje të organizuar dhe sistematike të opozitës për të minuar rrugën e çeljes së negociatave në momentet e fundit dhe për të krijuar situata që janë vështirësisht në korridoret ku gjenden deputetë apo grupe të huajsh që janë kundër zgjerimit të BE dhe vetvetiu janë edhe kundër hapjes së negociatave për Shqipërinë. Dhe kjo është pjesa më fatkeqe për Shqipërinë dhe shqiptarët.

-Nëse do të distancoheshit, një ministër vëllai i të cilit është i dënuar për trafik droge, moralisht duhet të japë dorëheqjen?

Kjo është një histori e vjetër dhe është një histori e ditur. Nuk ka asnjë zbulim në këtë histori. Këtë histori edhe opozita edhe mediat e kanë nxjerrë në pah dhe publikuar më shumë se një herë në të shkuarën. Dhe fakti që kjo histori rikthehet tani në formën e një zbulimi të diçkaje të re përsëri shpjegon atë që thash: këmbënguljen e opozitës për të bërë çmos që procesi i negociatave të dështojë.

Opozita nuk ka një vizion, nuk ka një alternativë, një program, një skuadër, është e çoroditur dhe kapet pas fijes së barit si e mbytur. Nëse i kthehemi pyetjes tuaj për anën morale, unë besoj se jetojmë në një sistem ku që nga mosha 18 vjeç secili varet nga këmbët e veta dhe nuk mund të jetë vëllai përgjegjës për vëllanë tjetër.

Edhe ata që kanë komentuar si spektatorë të jashtëm dhe nga ata që nuk janë fort optimistë për çeljen e negociatave për Shqipërinë kanë thënë që nuk mund të ngatërrohet vëllai me vëllain. Kjo meriton një sqarim për të kuptuar nëse realisht ka një implikim. Kam marrë përgjigjen e një agjencie të specializuar ndërkombëtare.

Por kjo që unë them nuk duhet marrë nga askush si një përgjigje përfundimtare. Secili ka të drejtë të ketë dyshimet e veta. Nëse pretendimi është i vërtetë në këtë rast pozicioni im do rishikohet dhe rivlerësohet, por nëse prokuroria nxjerr me një mbështetje shkencore, thotë që kemi të bëjmë me një falsifikim, atëherë jemi në kushtet e një strukture kriminale. Nëse do të ishte e vërtetë që vëllai i ministrit ende merret me trafik drgoe, Xhafaj nuk do të qëndronte si ministër, aq më tepër tani në çeljen e negociatave.

-Ku e gjetët zërin e Agron Xhafajt për të bërë audio përgjimin që nuk është zëri i tij në audio përgjim? Pse insistoni në këtë gjë?

Atëherë, është e kotë që unë të insistoj, të jap detaje, pasi në fund të fundit ky është zëri i një pale. Dhe çfarë do lloj detaji të jap unë këto nuk përbëjnë një argument të plotë për këdo që kanë dyshim. P.sh njerëzit në Vlorë, unë kam marrë shumë mesazhe nga Vlora. Në Vlorë dëshmitari X, njihet dhe nuk është fare X, është një figurë që nuk ka asgjë të panjohur për Vlorën. Dhe në Vlorë njerëzit janë të habitur sesi një personazh kaq i marrë fund, në rrugët e qytetit të kthehet në një hero mediatik. Pra ka njerëz të cilët instinktivisht këtu e kuptojnë që kemi të bëjmë me një farsë.

Ka njerëz që dëshirojnë që kjo të jetë një farsë. Ka njerëz që e njohin dëshmitarin X, siç është komuniteti në Vlorë, ku të majtë e të djathtë janë të skandalizuar sesi ky personazh u kthye në hero të opozitës. Megjithatë ka njerëz që në fund fare janë njerëz të ndershëm që nuk janë partizan të kësaj historie dhe që dyshojnë, dhe atyre unë u them që fjala ime vlen për aq sa vlen në këtë moment. Duhet të presim përfundimin. Unë pres me durim përfundimin. Shpresoj që të mos vonojë sepse meraku im nuk është tek çështja. Çështja do zbardhet dhe këtu fajtorët do dalin.

Nuk ka asnjë rrugë tjetër. Këtu faji nuk mund të ngelet jetim. Por mbyllja e kësaj çështjeje në një kohë të arsyeshme është shumë e rëndësishme për procesin ku ne jemi. Sepse e gjitha kjo po zhvillohet, dhe po e përsëris, në një kohë kur unë po bëj përpjekje për të bindur ata që janë hezitues për faktin se Shqipëria duhet të marri një dritë jeshile në fund të qershorit.

Dhe ata që janë hezitues janë dhe dashamirës ndaj Shqipërisë por kanë presione që nuk lidhen me Shqipërinë por me situatat në vendet e tyre. Dhe brenda partive të këtyre vendeve ka njerëz që mezi presin nga këto gjëra për të thënë që shiko u bë nami…u bë nami… Dhe kjo prandaj është shumë e rëndësishme nga pikëpamja e drejtësisë. D.m.th që prokuroria ta thotë versionin e saj.

-Ju ka kërkuar zoti Xhafaj dorëheqjen?

Jo! Po pse duhet të ma kërkonte dorëheqjen?

-Qarkullon informacion që ju ka kërkuar dorëheqjen.

Nuk e di se çfarë lloj informacioni është ky por mund të them që ky informacion nuk është bazuar tek e vërteta, por tek nevoja për të bërë lajm. Për të marrë sa më shumë klikime për të rritur audiencën, etj. Por jo, nuk më ka kërkuar dorëheqjen.

-Po shkëpus pak nga pjesa e fjalimit tuaj në Parlament për narkotrafikun. Tani kanabisi i përket së shkuarës, ndërsa kokaina thoni ju i përket këtyre. I kujt dhe kujt ia adresoni këtë akuzës, opozitës?

Po.

-Në ç’kuptim? Ka lidhje me kapjen e 613?

Po.

-Do ekstradohet Arbër Çekaj nga Gjermani?

Nuk e di pasi këto janë procedura ligjore që nuk më takojnë mua. Por di të them që tanimë procesi ka hyrë në fazë të re me arrestimin e personit që deri tani është glorifikuar si koka e trafikut, dhe është ai. Dhe nga ana tjetër, të dhënat që disponoj, kuptohet në rrugë operative janë mjaftueshëm për të kuptuar pse është gjithë ky acarim.

-Pse gjithë ky acarim nga ana e opozitës, sipas jush? Përse PD qenka acaruar nga kapja e 613 kg kokainë dhe ndalimin e një personi në Gjermani?

Sepse ka dyshime shumë të arsyeshme që të çojnë drejt njerëzish shumë të lidhur me rangjet më të larta të Partisë Demokratike.

-Dyshime të arsyeshme apo informacione, apo të dhëna, pasi ju jeni kryeministër?

Informacionet krijojnë dyshimin e arsyeshëm. Pastaj është hetimi që nxjerr nëse dyshimi i arsyeshëm është i vërtet ose jo, me prova.

-Më përmendët pak më parë luftën ndaj ministrit të Brendshëm, sulmohet nga mafia, etj?

Jo unë nuk e kam përdorur në konotacionin mafie, pasi nuk besoj se në Shqipëri ka mafie. Unë po flas për sjelle mafioze dhe është diçka tjetër nga një mafie e organizuar. Por në Shqipëri ka njerëz që janë të lidhur jashtë kufijve me mafien jashtë shtetit.

-A mund të jenë këta të lidhur me politikën sipas jush?

Në kuptimin konkret të kokainës, lidhjet janë shumë të forta dhe di që të them që janë shumë lart.

-Shumë lart me opozitën, po thoni?

Janë shumë lart në lidhje me pushtetin e dikurshëm, që është opozita e sotme.

-Mund të jeni më i qartë z. kryeministër?

Jo nuk mund të jem, pasi e thashë që unë nuk hyjë tek njerëzit si ata në opozitë, që e kanë në kulturë shpifjen apo e kanë në kulturë transformimin e një informacioni, pra unë nuk e bëj këtë. Por di të them që në rastin e kokainës që ka dyshime që çojnë në hierarkinë e pushtet të shkuar, sot opozita.

-Protesta e opozitës e paralajmëruar të shtunën në 26 maj. Si e shihni këtë protestë dhe aksionin opozitar?

Kjo protestë nuk është aksion opozitar, por opozita ka marrë përsipër një gjë shumë të rëndë, të minojë çeljen e negociatave. Të gjithë ata që do shkojnë në protestë, do të kuptojnë sa keq janë përdorur dhe sesa pabesisht janë tërhequr në një rrugë proteste, që nuk është një rrugë për të udhëhequr vendin.

-Një vit më parë nënshkruat marrëveshje me Bashën, çfarë ndryshoi?

Fakti që mesa duket kur firmosëm marrëveshjen, ai mendoi se do fitonte zgjedhjet, por humbja e thellë i riktheu aty ku ishin, ndoshta dhe më poshtë.

-Kemi parë një tendosje të marrëdhënieve mes kryetares së LSI dhe ju…

Unë nuk kam asnjë tendosje me Monikën. Përkundrazi unë për Monikën kam vetëm atë shprehjen e keqardhjes. E kam njohur në rrethana të tjera dhe kur e shoh realisht më dhimbset. Nuk kam realisht asnjë tendosje me Monikën. Monika është një rrufe në qiell të pastër. Sa i takon lëvizjes ajo nuk është më ajo që ka qenë. Lëvizja është thjesht çizmja gjithçka dhe qëllimi asgjë.

-Pse mendoni këtë?

Ka lidhje me vetë lëvizjen. Largimi i Metës dhe dhënia trashëgim e lëvizjes Monikës është zanafille e një rrënimi që vazhdon çdo vit.

-Keni përmendur Vasilin…

E kam përmendur dy apo tre herë si i vetmi lezet i muhabetit sepse të merresh me LSI është sëkëlldi e madhe.

-E keni pasur aleat…

S’kam asgjë me asnjë prej tyre. Por flas për LSI si një forcë e cila ka pasur një zhvillim degradues dhe vazhdon që kur Ilir Meta e la drejtimin. Kur ishte Meta kishe një sens orientimi, pragmatik nuk diskutohet, por kishte pak gabime.

-Si e shihni Metën si President?

Meta si president provon drejtësinë e zgjedhjes që ne kemi bërë. Nuk mund të them asgjë se provoi që patëm të drejtë që e zgjodhëm. Ne nuk e zgjodhëm si përfaqësuesin tonë, në atë kohë nuk kuptohej tamam, por tani besoj kuptohet, që kemi zgjedhur një përfaqësues të opozitës dhe në rangun e përfaqësuesve të opozitës një president më adap në këtë punë nuk mund të zgjidhnim. Ilir Meta pavarësisht të gjithave, nuk ka bërë asnjë gabim deri më sot.

-Ishte një mbledhje e Këshillit të Sigurisë, patët biseda informale?

Jo s’patëm kohë sepse unë shkova në momentin e fundit dhe u largova sepse do nisesha për në Sofje. Nuk është se kemi shumë komunikim, por kjo ka pak rëndësi.

Edi Rama: E kam njohur Monikën në rrethana të tjera, kur e shoh tani më dhimbset. Është rrufe në qiell të pastër. Ja kur do ta shkarkoja Fatmir Xhafajn Read More »

”Çështja Xhafaj”/ PS: Është gënjeshtër e madhe, dëshmia e pabesueshme. PD po godet të ardhmen europiane

Kryetarja e Komisionit të Sigurisë Kombëtare dhe njëherësh deputete e PS, ka hedhur dje poshtë përgjimin ndaj vëllait të ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj. E ftuar në një emision televiziv, ajo tha se gjithçka është trillim i opozitës për të sulmuar ministrin. Sipas deputetes, me këto lëvizje PD është duke goditur vendin dhe të ardhmen europiane. “Opozita i ka përqendruar bateritë e veta në mbajtjen gjallë të një gënjeshtre, që e sajoi dhe e hodhi në publik. Më shumë sesa i bën keq individëve që preken nga kjo gjë, ajo i bën keq interesave të vendit.

Në këtë moment të gjitha partitë politike të vendit duhet të ishin bashkë, pasi jemi para momentit kur Shqipëria pret çeljen e negociatave, pas një rekomandimi të pakushtëzuar. Kjo çështje është një gënjeshtër e madhe. PD për fatin e saj të keq, i është dashur që për të ngritur një çështje të tillë të zhytet në gjirizet më të thella të krimit.

Agron Xhafaj apo çdo person tjetër nuk do kishte një mbrojtje më të mirë se ajo dëshmi e çalë që dëgjuam”, u shpreh Felaj. Deputetja Felaj tha se dëshmitari X është tërësisht i pabesueshëm. Sipas saj, gjithçka është montazh. “Ai është i pabesueshëm. Ka kaq shumë kapërcime logjike. Është tërësisht i montuar. Bisedat duket që janë krejt pakuptim.

Duke dëgjuar dëshmitarin të krijohet ideja sikur ky e përgjoi se donte të hakmerrej. Po nëse e dëgjon duket sikur thotë se Agron Xhafaj përgjoi veten dhe ai dha PD. Pra ka mospërputhje të mëdha mes dy dëshmitarëve që serviri PD. Këta persona do të jenë në rolin e deklaruesit në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, dhe të ndihmojnë në zbardhjen e së vërtetës për këtë ngjarje që e ngritën ata vetë”, tha ajo.

Partia Demokratike pak ditë më parë publikoi një audio-përgjim, ku pretendohet se është duke biseduar vëllai i ministrit Xhafaj për trafiqe droge. PS doli dhe i hodhi poshtë, ndërsa më pas opozita publikoi një intervistë të të ashtuquajturit “dëshmitari x”.

Ky i fundit pretendon se ishte ai që bisedonte me Xhafajn për trafiqe droge. Nga ana tjetër kryeministri Edi Rama doli dhe deklaroi se nuk do të ketë shkarkim të Fatmir Xhafajt nga detyra. Ndërkohë prokuroria ka nisur hetimet dhe do jetë ajo që do të vërtetojë nëse regjistrimi është autentik apo jo./SOT

”Çështja Xhafaj”/ PS: Është gënjeshtër e madhe, dëshmia e pabesueshme. PD po godet të ardhmen europiane Read More »

Protesta e 26 majit/ Përçahet opozita e bashkuar. Përplasje Basha-Berisha-Kryemadhi për skenarët e dhunës

Opozita shqiptare ka nisur të detajojë planin për protestën e 26 majit. Pas daljes së përgjimeve për vëllanë e ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, PD dhe LSI vendosën të ashpërsojnë dozën e reagimit dhe të protestojnë për largimin e zotit Xhafaj. Gazeta ka mësuar detaje nga ajo se çfarë realisht është duke ndodhur në kampin opozitar. Burime shumë të sigurta të gazetës thanë se PD dhe LSI ende nuk kanë qartësuar fiks se çfarë do të ndodhë më 26 maj, por janë duke shqyrtuar disa opsione.

Opsioni kryesor dhe më i mundshmi që pritet të ndodhë është që protesta të nisë fillimisht pranë Ministrisë së Brendshme dhe nëse ka shumë njerëz turma do i drejtohet Kryeministrisë. Sipas burimeve, PD ka aplikuar për leje në polici dhe mësohet se dhe aty nuk ka shënuar një zonë fikse, por ka marrë leje për të gjithë Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Mësohet se po synohet që të bllokohen të gjitha dyert e Ministrisë së Brendshme, ndërkohë që po ashtu nuk përjashtohet mundësia që të ketë sulme me vezë, domate apo sende të tjera ndaj godinës së ministrisë. Në takimet që Basha ka pasur me krerët e degëve të PD në Tiranë, është hedhur si mundësi që të tentohet dhe mësymja brenda ministrisë, por ky është një skenar disi më i vështirë, për faktin policia pritet ta blindojë godinën.

Por një burim i tha gazetës se protesta ka sjellë një përplasje mes Lulzim Bashës, Sali Berishës dhe Monika Kryemadhit. Basha mësohet të jetë shprehur se duhet të protestohet në mënyrë paqësore, por Berisha, Kryemadhi dhe klanet pranë tyre kërkojnë që të bëhet një protesta sa më agresive. Sinjalet u dhanë dje në komisionet parlamentare, ku Flamur Noka, paralajmëroi rrëzim të qeverisë më 26 maj. Një burim i tha gazetës se Berisha ka kërkuar që të ketë reagim sa më të ashpër, por Basha nuk ka gjetur mbështetjen e tij, duke këmbëngulur se duhet reagim s amë i qytetëruar.

Koordinimi me LSI

Përveç përplasjeve brenda PD sa i takon skenarëve të protestës, mësohet se dhe marrëdhëniet mes PD dhe LSI nuk janë fort të mira. Të dyja partitë janë duke punuar të ndara sa i takon asaj se çfarë do të ndodhë më 26 maj. Burime nga degat e PD Tiranë thanë se deri më tani nuk janë përgatitur për skenarë dhune, por nuk e përjashtojnë si mundësi që të jenë mbështetësit e LSI ata që mund të provokojnë përplasje të forta mes protestuesve dhe policisë.

Basha mësohet se ka ngritur një grup pune që po merret me organizmin e protestës. Ky grup përveçse ka porositur degët që të mbledhin sa më shumë protestues dhe ka garantuar transportin, është duke menduar dhe mbi strategjitë që do të përdoren në tubim. Gjatë javës pritet që të ketë një mbledhje grupi të PD, ku do të detajohet dhe roli i deputetëve në protestë.

Protesta e PD

Partia Demokratike ka protestuar me dhjetëra herë kundër qeverisë dhe nuk kanë munguar sulmet ndaj institucioneve. Kur u ndërtua bunkeri paranë Ministrisë së Brendshme, atij ju vu zjarri, ndërsa ka pasur sulme me gurë dhe ndaj Kryeministrisë.

Duke qenë se Ministria e Brendshme është në një pozicion ku ka hapësirë nga të katërta anët dhe nuk ka asnjë mur apo kordon mbrojtës, policia i druhet faktit se ajo mund të sulmohet me objekte të forta. Burimet i thanë gazetë se forcat e rendit do të jenë në gatishmëri, që nga Forcat Renea, te Forcat Shqiponja dhe të gjithë efektivët e tjerë. Pritet që Ministria e Brendshme dhe Kryeministria të rrethohen nga efektivët./ SOT

Protesta e 26 majit/ Përçahet opozita e bashkuar. Përplasje Basha-Berisha-Kryemadhi për skenarët e dhunës Read More »

Presioni i Ramës kundrejt Metës për mermerin dhe guroret në Tomorr, cili është pazari i radhës që kërkon në kurriz të reformës në drejtësi?!

Edi Rama, kryeministër i vendit po luan si “macja me miun” me Ilir Metën dhe Monika Kryemadhin, përsa i përket pasurisë.

Rasti më i pastër janë bizneset e familjes presidencial-opozitare Meta-Monika të nxjerrjes e tregtimit të mermerit të cilësisë së lartë dhe guroret.

Ndërkohë që Meta mbeti në Berat-Skrapar-Mali i Tomorrit me gjithë bashkëshorten Monikë në përpjekje për të shtuar kredibilitetin e kompanive të tyre të mermerit dhe guroreve e për të pasur një treg të mirë shitjeje me një çmim sa më të lartë, Edi Rama nuk e lë “rehat” duke i bërë presion përmes ministrit të Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi.

Sa herë që Meta shkon në zonën e bizneseve të tij për të dhënë garanci për blerësit e mundshëm se kompanitë e tij të mermerit, guroreve dhe të interteve nuk janë të rrezikuara, madje sponsorizojnë dhe aktivitete të mëdha në dobi të turizmit, Rama çon Klosin menjëherë i cili deklaron se do të mbyllë të gjitha kompanitë e guroreve, inerteve dhe mermerit pasi ndotin mjedisin.

Një presion që ia ka prishur pazarin tërësisht Metës, dhe jo vetëm nuk po i shiten kompanitë që ka nxjerrë në treg me çmim të lartë, por është stopuar madje dhe interesi.

Presioni i Ramës ia ka nxirë jetën biznesmenit Ilir, pasi nëse do kishte dashur t’i mbyllte s’kishte pse deklaronte përmes Klosit çdo ditë me revokim lejesh, do t’i mbyllte dhe pikë.

Sikurse ka lajmëruar “Pamfleti” Meta i ka nxjerrë në shitje bizneset, sidomos ato të Malit të Tomorrit që përfshijnë intertet, guroret dhe në veçanti mermerin.

Kjo në kuadrin e verifikimit të pasurisë dhe reformës në drejtësi, ku Meta dhe Monika rrezikojnë të mos justifikojnë dot të ardhurat, ndaj pritet të lëvizin jashtë vendit. Fëmijët i kanë larguar.

Edi Rama, i dërgoi edhe dje ministrin Klosi që mbeti atje duke dhënë “llogari” para qytetarëve në Berat dhe deklarata e vetme që jep është mbyllja e biznesit të guroreve, inerteve e mermerit, një goditje e drejtëpërdrejtë ndaj Ilir Metës.

Kreu i Turizmit dhe Mjedisit theksoi se Berati duhet të zgjerojë ofertën turistike nga 1 ditore përgjatë gjithë vitit për të pasur më shumë mirëqenie dhe të ardhura.

Ministri Klosi tha se së shpejti do të marrë fund edhe problematika e venddepozitimit të mbetjeve pranë lumit.

Gjatë takimit të llogaridhënies në Poliçan ministri Klosi tha se është marrë vendimi për revokimin e lejeve të guroreve në malin e Tomorit.

Ministri Klosi u kërkoi banorëve të Poliçanit, që të zhvillojnë qendrat e argroturizmit për t’u ofruar turistëve jo vetëm bukuritë natyrore por edhe produktet më të njohura të zonës.

Klosi zhvilloi takime të llogaridhënies edhe me banorë të njësive administrative Sinjë, Vërtop, Mbrakull, ku pasi dëgjoi problemet dhe shqetësimet e ngritura, kërkoi që çdo shqetësim të denoncohet në platformën e bashkëqeverisjes.

“Kritikoni, denonconi, evidentoni me fakte apo me shqetësimet tuaja, cdo punonjës të korruptuar të këtij shteti, cdo njeri që nuk përgjigjet në bazë të standarteve të etikës, në bazë të moralit dhe profesionalizmit të kërkuar nga administrata publike.

Edhe përsa i përket Mjedisit, kemi disa zgjidhje shumë të mira për qarkun e Beratit. projekti zviceran tashmë ka filluar punën për të rishpërndarë edhe njëherë të gjithë sistemin e vjetër të trajtimit të mbetjeve urbane.

Është e pafalshme që ne të kemi akoma venddepozitime pranë lumit dhe kur del lumi e fryhet e ka më shumë reshje, plehrat e Beratit, apo të Urës Vajgurore, apo të Poliçanit e Skraparit, shpërndahen gjatë gjithë rrjedhës së lumit dhe krijohet një situatë si ajo që na u krijua vjet në dimër e cila nuk është fare prezantuese e qarkut tonë kaq të bukur dhe kaq të mrekullueshëm”, deklaroi ministri i Ramës në Berat.

Ndësa në Poliçan, ministri Klosi ka qënë më i ashpër, taksa nënvizoi se “ne kemi kërkuar dhe jemi së bashku për të ndarë këtë shqetësim që të krijojmë pika të 100 fshatrave nga të cilat edhe nga Policani kemi zgjedhur zona të caktuara për ta afruar si një mundësi të artë të zhvillimit rural, por të kemi mundësi që të ngrejmë edhe qendra të agroturizmit, pra që turistët që vijnë e vizitojnë Beratin të kenë arsye të vizitojnë Policanin, për të pasur një pikë turistike, një zonë ku shërbehet mirë, ushqime bio, tradicionale, për të pasur mundësinë që të ofrojmë arsyet pse një qytetar shqiptar apo i huaj të shtojë ditët e qëndrimit në qarkun e Beratit.

Dhe alternativa, duke mbrojtur malin e Tomorit, duke afruar zona kulinarie, afruar shëtitjet apo vizitat në kantinat e verës apo prodhimit të vajit të ullirit dhe prodhimeve të tjera që ka kjo zonë do ta bëjë shumë më tepër atraktiv të gjithë sektorin turistik të zonës.

Eshtë e tmerrshme ajo që ka ndodhur në malin e Tomorit. Është e tmerrshme që mali i Tomorit vazhdohej të shfrytëzohej në mënyrë krejtësisht jo të rregullt përsa i përket interesave të njerëzve, të komunitetit shumë të madh bektashi dhe të njerëzve që e shikojnë malin e Tomorit si mal të shenjtë.

E kemi thënë në fushatë, e kemi kërkuar shpesh që ato që shfrytëzojnë guroret në malin e Tomorit, të kishin një trajtim normal të Mjedisit.

Nuk e bënë kurrë dhe ne prandaj kemi marrë vendim që atyre guroreve t’u revokojmë lejet derisa  në kuadër edhe të gjitha poltikave që kemi në të gjithë Shqipërinë trajtimi i malit  të bëhet me norma e parime, nisur edhe nga e mira e përgjithshme e qytetarëve dhe komunitetit që jeton në këtë zonë kaq të bukur”.

Kështu Meta dhe Kryemadhi, vetëm nga revokimi i lejeve të guroreve, inerteve dhe mermerit nga qeveria Rama, i shkaktohet një humbje që iu kalon të 1 miliardë eurot.

Imagjino të vijojë pafund bllokimi i shitjes së tyre, sa do jetë gropa financiare për Ilirin e Monën./Pamfleti

Presioni i Ramës kundrejt Metës për mermerin dhe guroret në Tomorr, cili është pazari i radhës që kërkon në kurriz të reformës në drejtësi?! Read More »

7 arsye se pse Berisha mund të eliminojë Lulzim Bashën, shërbimet në alarm

Berisha ndolli vrasjen e Bashës një vit më parë, akuzoi kundërshtarët politikë siç bëri me rastin e Azem Hajdarit, merren masa ekstreme për ruajtjen e kreut të PD nga Berisha në protestën e 26 Maji
Një vit pasi Sali Berisha përhapi disa teori konspirative, sipas të cilave, shërbimet e huaja armiqësore janë investuar për të vrasjen e Lulzim Bashës, shërbimet informative vendase dhe ato partnere janë vënë sërish në lëvizje, për zbatimin e një plani, për të shtuar masat e sigurisë për mbrojtjen e jetës së kryetarit të opozitës.

Lëvizja e nëndheshme vjen para protestës së opozitës së 26 Majit, pikërisht në 22 vjetorin e një prej krimeve zgjedhore më të rënda në historinë e Evropës, me protagonist Sali Berishën.

Në 26 Maji ’96 Sali Berisha gjakosi opozitën e atëhershme dhe mbushi kutitë e votimit me dhunë. Ky akt i paprecedentë solli destabilizimin e vendit dhe detyroi amerikanët të përmbysnin Berishën nga pushteti me forcë. 22 vjet më vonë, PD do të zhvillojë një protestë.

Alarmi i shërbimeve vendase dhe atyre partnere vjen pas edhe një analize dhe verifikimi të gjatë të informacioneve dhe të alarmit që dha Sali Berisha një vit më parë eliminimin e Bashës.

Shërbimet kanë arritur në përfundimin se jeta e Lulzim Bashës nuk rrezikohej nga asnjë faktor i jashtëm. Kjo bindje u përforcuar pas zbulimit të provave, sipas të cilave PD dhe Lulzim Basha kishin lidhje të errëta dhe financoheshin nga oligarkë rusë.

Në këtë kuadër, të gjitha dyshimet janë përqendruar mbi Sali Berishën, i cili krijoi një alibi duke akuzuar Edi Ramën, për t’i hapur rrugë një tentative të mundshme për të hequr qafe Lulzim Bashën.

Një vit më parë Berisha tha: “Në qoftë se dy persona vijnë për të vrarë liderin e opozitës dhe shpallen non grata, ata i ka futur qeveria, ata janë vrasës të paguar të qeverisë, diktuar nga qeveria. Në qoftë se është e vërtetë se shërbimet amerikane i kanë bllokuar, është Edi Rama para tyre, ka dashur të vrasë liderin e opozitës, dhe në këtë rast është zbuluar dhe nuk i nxirrte dot në gjyq. Si mund të përzihen dy njerëz që tentuan të vrasin ligjin e opozitës. Sapo e dëgjova këtë, thashë me mendjen time, në qoftë se është e vërtetë, ata janë vrasës me pagesë të qeverisë. Si ka mundësi që kryeministri të shpallë non grata dy kriminelë që vijnë për të vrarë liderin e opozitës, kundërshtarin politik”.

Një skemë të tillë Sali Berisha e përdori edhe në rastin e Azem Hajdarit. Ky i fundit ishte një nga pretendentët më seriozë për të marrë drejtimin e Parisë Demokratike. Ishte makthi më i tmerrshëm për Sali Berishën.

Me eliminimin e Azemit, Berisha me një gurë vrau dy zogj. Së pari hoqi qafe një rrezik të madh që mund t’i merrte partinë dhe së dyti, vrasjen e Azemit e përdori për të marrë pushtetin më dhunë, me anë të grushtit të shtetit të 14 shtatorit 1998. Fillimisht Berisha akuzoi Fatos Nanon për vrasjen e Azemit. Këtë akuzë e përdori si alibi për të pushtuar institucionet.

Më vonë, Berisha akuzoi Izet Hazhinë, të cilin e kishte urdhëruar për të organizuar grushtin e shtetit pas vrasjes së Azemit.

Tashmë, Izet Hazhia akuzon Sali Berishën si orkestruesin e vrasjes së Azemit. Izeti është ekstraduar në Shqipëri dhe kërkon hapjen e kësaj dosje. 20 vjet pas kësaj ngjarje, të gjitha dyshimet bien mbi Sali Berishën.

Po pse Sali Berishës i intereson eliminimi i Lulzim Bashës?

Së pari, Sali Berisha po kërkon prej tre vitesh një shkak për destabilizimin e vendit, me shpresën se do të mund të shpëtojë veten dhe familjen e tij nga drejtësia e re. Ka bërë thirrje për armatosjen e popullit, për mosbindje civile, për rebelim popullor etj., por askush nuk ia ka vënë veshin.

Në këto kushte, Berishës i duhet një ngjarje tronditëse për të manipuluar popullin, siç bëri me rastin e Azem Hajdarit, për destabilizim e vendit dhe për të krijuar një mundësi për të ardhur në pushtet.

Së dyti, Lulzim Basha dështoi në realizimin e detyrës jetike, për sabotimin e reformës në drejtësi. Lulzim Basha, bashkë me Ilir Metën dhe Monika Kryemadhin, humbi betejën me amerikanët për sabotimin e reformës në drejtësi, sidomos të ligjit të Vetingut dhe të ligjit për ngritjen e Byrosë Kombëtare të Hetimit, Prokurorisë së Posaçme dhe Gjykatave Speciale. Sot të gjithë ushtarët e Sali Berishës në gjykata dhe prokuroi po fluturojnë njëri pas tjetrit.

Së treti, Lulzim Basha nuk shërben më si një mburojë për Sali Berishën dhe familjen e tij. Lulzim Basha me partinë e tij të katandisur nuk mund ta ndalojë Byronë Kombëtare të Hetimit dhe Prokurorinë e Posaçme që t’u vënë prangat Berishës dhe Shkëlzenit dhe që t’u konfiskojnë pasurinë.

Së katërti, që kur Sali Berisha e la Patinë Demokratike në dorën e Lulzim Bashës, PD ka humbur gjysmën e elektoratit. Nën drejtimit e Bashës, PD ka lundruar nga humbja në humbje. Me këtë ritëm, në zgjedhjet e 2021, Partia Demokratike mund të përfundojë parti e katërt.

Së pesti, Lulzim Basha po tenton që të ndahet nga Berisha, dhëndri, Shkëlzeni dhe ushtria e tyre. Në zgjedhjet e 2017, Basha hoqi njerëzit e Berishës nga lista e kandidatëve për deputetë si dhe vendosi besnikët e vet. Tashmë ka ndryshuar edhe statutin e partisë për të blinduar pozitat e veta.

Së gjashti, që pas vizitës së George Soros në dhjetor të vitit 2014, Lulzim Basha është në një aleancë solide me Edi Ramën. Marrëveshja e 18 Majit 2017, ishte vetëm një shenjë e kësaj aleance. Basha tashmë shërben si një garanci për pushtetin e Edi Ramës.

Së shtati, nëse Berisha thjeshtë e shkarkon Bashën si kryetar PD, Basha mund të kthehet në një rrezik të madh për familjen Berisha. Që nga viti 2005, Basha ishte një ndër ushtarët më të besuar të familjes Berisha. Basha i di shumë sekrete të tmerrshme Berishës. Shumë sekrete Berishës i dinte edhe Sokol Olldashi, por sapo Olldashi u rebelua dhe nisi të flasë, gjeti vdekjen në mënyrë misterioze./Pamfleti

7 arsye se pse Berisha mund të eliminojë Lulzim Bashën, shërbimet në alarm Read More »

“Nacionalizmi juaj më ka provokuar”, Rama përballet me qytetarin në Dropull: E ka thënë qirio Saliu

Në një dëgjesë me përfaqësues të minoriteti në Dropull kryeministri Edi Rama, referuar rastit të ish ministrit në kohën e qeverisë demokrate, Spiro Ksera tha se qeveria nuk arreston njerëz, ato i bën prokuroria. Ai tha se ajo që bën qeveria janë kushtet për reforma të nevojshme që drejtësia të funksionojë.

Nuk munguan as batutat mes tij dhe një banori të Dropullit, i cili kërkonte që Këshilli i Bashkisë së Dropullit të mos kthehj në konkurs mode, por punësimet të bazohen në meritokraci. Ai gjithashtu iu ankua kreut të qeverisë se termat e tij nacionaliste “e kishin lënduar”.

Banori: Dua të flas për problematikat të Dropullit, flas si fermer. Gjithë fushata e PS në vitin 2017 ishte bazuar në gënjeshtër, duke thënë se 100 e ca vetë ishin të punësuar në bashkinë Dropull. Këshilli i bashkisë të mos jetë konkurs mode, të bazohet në meritokraci. Tepsia vetëm, të ndarë nga PDIU?

Rama: Po LSI-në ku e le apo s’e thua se je vetë me LSI-në?

Banori: Jo, jo unë jam me PD. Nacionalizmi juaj më ka provokuar.

Rama: Më thuaj një nacionalizëm që kam shprehur unë..

Banori: Të zgjerojmë Shqipërinë…

Rama: Jo këtë mos e ka thënë qirio Saliu. Së pari, qeveria nuk arreston njerëz. Arrestimet i bën prokuroria. Dhe këtë e kam edhe për shumëkënd që duke qenë i dëshpëruar nga shumë vite padrejtësira, ka humbur durimin e më thotë mua pse nuk fut në burg këtë e atë. Lavdi popullit shqiptar në ’90 sistemi ku të kapte e fuste në burg qeveria e kryeministri, mori fund. Sot jemi në një sistem që këtë e bën vetëm drejtësia. Më vjen keq që e përmend Spiro Skerën. Unë kam pasur raport miqësor me të, nuk e kam takuar, por raportet i kam pasur të mira. Problemet me tenderat i zgjedh ai. Përmende disa gjëra të pavërtete se ‘Shqipëria të shtrihet në jug, në lindje, apo në perëndim’. Se kam thënë. Ku e ke dëgjuar? Se kam thënë.

“Nacionalizmi juaj më ka provokuar”, Rama përballet me qytetarin në Dropull: E ka thënë qirio Saliu Read More »

Braçe-Noka debatojnë ashpër, “dekonspirohet’ Basha: O ministrin , o kryeministrin

Komisioni i Ekonomisë është përfshirë në debate të ashpra për çështjen “Xhafaj”. Deputeti Flamur Noka ka replikuar ashpër me socialistin Braçe, ndërsa ka paralajmëruar publikimin e një përgjimi tjetër në lidhje me vëllain e ministrit Xhafaj.

Noka; Përgjimi porovon se Agron Xhafaj trafikonte drogë. Largimi i Agron Xhafajt ishte lëvizje dinake, për t’u hedhur hi syve njerëzve. Nëse nuk rrëzojmë ministrin, rrëzojmë kryeministrin. Agron Xhafajn duhet ta përfshinte ligjin anti-mafia.

Braçe:Zoti Noka, kërcënimet në një demokraci kushtetuese janë të tepërta. Nëse doni ta merrni pushtetin me dhunë si në 26 maj 1996 merreni, këtu jemi, bujrum. E keni provuar edhe më parë dhe e keni lëshuar qetësisht.

Noka: Po mbroni me forcën e kartonave një person të përfshirë në trafikun e drogës. Me këtë arrogancë që i drejtoheni shqiptarëve shumë shpejt do thyeni qafën.

Spaho:E kemi trim, e ka zgjedhur Kavaja, thatë për Elvis Rroshin. Kështu thatë edhe për Saimir Tahirin, duhet të ishte në burg. Kështu thatë edhe për Arben Ndokën. Ju mund të qeshni por kur Rama shkon në Bundestag nuk qeshi. Ia futën të dyja këmbët në një atlete. Ju kanë vënë dy kushte. Këtë thanë deputetët holandezë. Këtë tha presidenti francez, Macron. Këto iu thanë Ramës në Sofje.

Braçe-Noka debatojnë ashpër, “dekonspirohet’ Basha: O ministrin , o kryeministrin Read More »

Çështja ‘’Xhafaj’’/ Alibeaj ‘braktis shokët’, nuk shkon në Prokurorinë e Krimeve të Rënda

Prokuroria e Krimeve të Rënda kishte thirrur sot për të dëshmuar tre zyrtarët e PD, Ervin Salianji, Enkelejd Alibeaj dhe Gazmend Bardhi në lidhje me audio-përgjimin ku implikohet Agron Xhafaj, vëllai i ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj.

Por ndonëse deputeti i PD, Ervin Salianji është paraqitur bashkë me këshilltarin ligjor të PD, Gazmend Bardhi për të dëshmuar, ajo që u vu re ishte mungesa e deputetit Enkelejd Alibeaj.

Deputeti Enkelejd Alibeaj nuk është paraqitur në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, por është shfaqur në një aktivitet me rastin e 45-vjetorit të revoltës së Spaçit. Nuk dihet nëse arsyeja e mungesës së deputetit të PD ka qenë ky aktivitet ku ai merrte pjesë.

Në këtë aktivitet merrnin pjesë gjithashtu edhe presidentit i Republikës Ilir Meta si dhe ambasadorja e BE, Romana Vlahutin.

Çështja ‘’Xhafaj’’/ Alibeaj ‘braktis shokët’, nuk shkon në Prokurorinë e Krimeve të Rënda Read More »