Do rrafshoj malin për 25 vjet, do nxjerr 21 milionë m3
Një informacion nga Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore (AKBN), na ka bërë të ditur, se në dosjet e lejeve minerare të dhëna prej kësaj agjencie, gjendet e “maskuar” edhe licenca e një guroreje tjetër gjigande, me adresë malet e Skraparit, ku prodhohen pllaka e blloqe mermeri.
Sipas të dhënave të përcaktuara nga eksperti Adhurim Çaushi, drejtues zyrtar i studimit për shfrytëzimin e zonës së mermerit dhe ortak biznesi me Këshilltarin e gjithë drejtorëve të AKBN, “eskpertin” privat Edmond Goskoli, konfirmohet me shkresë zyrtare, se sipërfaqja e kësaj guroreje që po rrafshon male të tjerë në Skrapar është 2.1 kilometër katrore.
Sipas studimit dhe lejes së shfrytëzimit, aktiviteti po zhvillohet me logon e firmës shqiptare “Mining Ventures Albania” Shp.k (përgjëgjësi të kufizuar), me adresë në fshatin Melovë të Skraparit.
Kjo firmë është krijuar vetëm pak ditë, para se të bënte kërkesën e pajisjes me leje për gruroren dhe deklaron, se nuk diponon kapacitetet për të zhvilluar këtë biznes, por sqaron në dosje, se “ka mbështetje financiare, teknike e materiale”, nga 2 aksionerët e saj ”Mahadev Marmo Private” dhe “Mining Resources Worldwide (FZE)”, me origjinë nga India, të cilat komandojnë me letra, biznesin e mermerit në Skrapar.
Sipas burimit nga AKBN, thuhet se edhe ky biznes mermeri, me sipërfaqe 2.1 kilometër katrore në malet e Melovës së Skraparit, i kodifikuar “Zona Minerare 136/8”, zotërohet nga Presidenti Ilir Meta, paçka se”maskat” e licensimit janë nga India, të përdorura edhe në këtë rast, për të fshehur pronarët e vërtetë, që po bluajnë” miliarda lekë nga pasuritë kombëtare!
Kjo zonë prodhimi mermeri ka leje shfrytëzimi për 25 vjet, dmth., sa të rrafshohet krejt mali, ose deri kur Ilir Meta të bëhet 75 vjeç!
Sipas shkresës zyrtare, miratimi si zonë e planifikuar për shfrytëzim, studimi teknik, gjeologjik e mjedisor i kësaj gruroreje, janë bërë brenda 1 muaji, miratuar me Urdhrin Nr 107, datë 10. 03. 2014 të ministrit të Ekonomi-Tregëti-Energjetikës.
Me shumë “emergjencë” e ka pajisur me leje aktiviteti gruroren edhe AKBN-ja, që në atë kohë drejtohej nga Dael Dervishi, djali i dajës së Ilir Metës, duke autorizuar indianët, të ngjiten në lartësinë 1800-2045 metër mbi nivelin e detit në Skrapar, për të rrafshuar 2,1 Km2 sipërfaqe mal, ku do të marrin 21 milionë metër kub (m3) pllaka e blloqe mermeri!/Pamfleti
Kryeministri Edi Rama ka hedhur poshtë që të gjitha zërat që po qarkullojnë këto ditë nga opozita dhe disa media që Shqipëria do të strehojë ish luftëtarët e kapur rob të ISIS-it, në një kamp të financuar nga vendet e BE.
Teksa i kthen përgjigje një qytetari në Facebook i cili e pyet në lidhje më këtë çështje Rama thotë se kjo është e pa vërtetë, zero, por sipas shefit të qeverisë kjo histori tregon se në çfarë katandie është opozita inekzistente e këtij vendi.
“Z.Kryeministër…reagoni më shpejtë dhe prerë për gjërat sensitive si kjo që po lakohet ditët e fundit për qendrat e ISIS, mos lejoni te përpunohet opinioni”– i shkruan qytetari kryeministrit Rama.
Ndërkaq Rama i përgjigjet: “E kemi sqaruar që është një fantazi e kthyer ne akuza dhe s’ka asgjë të vërtetë, zero, por tregon se ne çfarë katandie është opozita inekzistente e këtij vendi”.
Por edhe më herët Rama e ka sqaruar këtë çështje përmes një deklarate për mediat nga Këshilltari i Sigurisë në Kryeministri Sander Lleshi, i cili bëri me dije se nuk ekziston asnjë lloj ideje apo kërkese për të krijuar një kamp për ish luftëtarët e ISIS në Shqipëri, shkruan java.
“Këto opinione qe i referohen një fraze të përdorur nga kryeministri Borisov, janë krejt pa lidhje me subjektin të cilit shefi i qeverise bullgare iu referua në prononcimin e tij”, shkruan ndër të tjera Lleshi.
Sipas tij Shqipërisë as nuk i është kërkuar, as nuk i është propozuar një gjë e tillë.
“Behet thjeshte fjale për Qendrën e Koordinimit kundër Ekstremizmit te Dhunshëm, që ishte edhe organizatorja e konferencës ndërkombëtare te para pak ditëve, ku mori pjesë edhe kryeministri i Bullgarisë.
Shqiperia ka propozuar kthimin e kësaj qendre në një qendër rajonale, për të kryer analiza, vlerësime, studime, shkëmbim informacioni si edhe programe të përbashkëta kundër ekstremizmit të dhunshëm.
Por kjo qendër as nuk është, as nuk mund të jetë dhe as nuk i ka shkuar kurrëkujt në mendje që të kthehet në një repart grumbullimi te ish-militanteve te ISIS-it” thuhej në deklaratën e Lleshit.
Që nga fëmijëria, pjesëmarrja në politikë, arrestimi, qëndrimi në burg, pafajësia, divorci, martesa e dytë me Xhoanën e deri te pesë tentativat për vrasje.
Nano ka qenë për 13 vite kryetar i PS-së, ka dhënë plot 5 herë dorëheqjen, tri herë si kryeministër dhe dy herë si kryetar i PS-së. Fatos Nano di pesë të gjuhë të huaja.
Në vitin e dytë të gjimnazit, ai formoi një grup rroku (ishte solisti) që luante muzikën Bitëllsave. Gjatë burgimit atij i janë qethur flokët si ndëshkim për deklaratat që bënte në media. Dashuria për futbollin dhe cigaret.
Njihuni me jetën e Fatos Nanos nëpërmjet një profili me 50 fakte.
1- Fatos Nano ka lindur më 19 shtator 1952 në Tiranë. Pas 6 ditësh ai feston 64-vjetorin. Është djali i vetëm i katër fëmijëve të Thanas dhe Marie Nanos. Motrat e tij janë Sashenka, Vjollca, që janë dhe më të mëdha në moshë, ndërsa Mimoza është motra e vogël.
2- Fatos Nano ka lindur në një familje që ishte pjesë e elitës së regjimit komunist të vendit. Babai i tij, Thanas Nano, ishte drejtor i Radio Televizionit Shqiptar për shumë vjet.
3- Nano ka studiuar në shkollën e mesme “Sami Frashëri” në Tiranë, e rezervuar për fëmijët e nomenklaturës. Aty mësoi gjuhët e huaja si dhe të luante me kitarë. Në vitin e dytë të gjimnazit, ai formoi një grup rroku (ishte solisti) që luante muzikën Bitëllsave, rreptësisht e ndaluar për publikun gjatë asaj periudhe.
4- Pasi përfundoi gjimnazin në shkollën “Sami Frashëri”, Nano studio në Universitetin e Tiranës në degën Ekonomi Politike. Në nivel të arsimit është vlerësuar si nxënës i shkëlqyer dhe një nga studentët më të mirë të universitetit. Fatos Nano di pesë gjuhë të huaja, anglisht, frëngjisht, italisht, rusisht dhe serbo-kroatisht. Cilësohej si një nga pedagogët më të kualifikuar.
5- Fatos Nano ka qenë katër herë kryeministër i vendit. Më konkretisht: në qeverinë që përgatiti zgjedhjet pluraliste të vitit 1991, në qeverinë e fituar nga Partia e Punës për tre muaj më 1992, në qeverinë e vitit 1997 dhe në qeverinë e vitit 2002 deri në 2005-ën. Nano ka qenë kryetar i PS-së për 13 vjet. Ka dhënë dorëheqjen tri herë si kryeministër dhe dy herë si kryetar i Partisë Socialiste, duke themeluar “institucionin” e dorëheqjes në Shqipëri, por edhe duke vënë një rekord në këtë fushë.
6- Koha më e shkurtër e qëndrimit kryeministër ka qenë në vitin 1991, kur drejtoi kabinetin vetëm për tre muaj. Ndërsa koha më e gjatë e qëndrimit ka qenë mandati i tij i fundit. Si kryetar i Këshillit të Ministrave drejtoi qeverinë socialiste për 36 muaj. Nga gushti i vitit 2002 deri në shtator 2005, kur dha dorëheqjen.
7- Fatos Nano është zgjedhur deputet i Parlamentit pesë herë. Deputet i Tiranës në vitin 1991. Deputet i Kuçovës në vitin 1992. Deputet i Tepelenës në vitin 1991 dhe në vitin 2001 dhe deputet i Sarandës në vitin 2005 deri në vitin 2009.
8- Fatos Nano mban titullin “Doktor Profesor i Shkencave Ekonomike”. Titullin e parë e ka marrë në vitin 1980 dhe titullin profesor kur ishte kryeministër në vitin 2003 nga Fakulteti i Ekonomisë së Tiranës. Mban tituj nderi nga dy universitete italiane. Në vitin 2000 Universiteti i Ndërkombëtar i Milanos, e dekoroi me titullin “Doktor Honoris Causa” në fushën e Ekonomisë dhe po në këtë vit merr titullin e nderit “Doktor Honoris Causa” në fushën e Shkencave Ekonomike nga Universiteti i Barit. Ka marrë titullin “Honoris Causa”, edhe nga Universiteti Europian i Tiranës.
9- Pas mbarimit të universitetit, për katër vite, Fatos Nano zhvendoset në Elbasan, ku punon si ekonomist në Kombinatin Metalurgjik. Më pas transferohet në Tiranë, ku punon fillimisht si ekonomist në kooperativën e Priskës.
10- Ngjitja e karrierës profesionale të Nanos nisi pas rikthimit në Tiranë në vitin 1980. Ai emërohet të punojë në Institutin e Studimeve Marksiste-Leniniste. Një post që i dha mundësinë të kishte kontakte më të shpeshta me botën perëndimore për shkak të udhëtimeve.
11- Gjatë viteve 1984-1990, Fatos Nano do të ishte një nga ekonomistët e parë që paraqiti projekte për reformat social-ekonomike dhe reformën e Ekonomistë në Europën Juglindore. Në të njëjtën kohë do të punonte edhe si pedagog i jashtëm në Fakultetin Ekonomik të Tiranës.
12- Në vitet 1989-1990 ishte një ndër intelektualët që kërkon ndryshime në ekonominë e vendit. Së bashku me kolegët pedagogë, Gramoz Pashko, Leontiev Çuçi dhe Anastas Angjeli përbënin bërthamën e një grupi profesorësh liberalë në Universitetin e Tiranës.
13- Gjatë kohës që ishte i burgosur në burgun e sigurisë së lartë në Bënçë të Tepelenës u shpall “Qytetar Nderi” nga dy qytete. Në mars të vitit 1996 u bë “Qytetar Nderi” i Kuçovës dhe në prill të po atij viti, qyteti ku ishte burgosur, Tepelena i dha titullin “Qytetar Nderi”.
14- U martua në moshën 24-vjeçare me Rexhina Fatollin, vajza simpatike, qe e njohu në vitet e para të gjimnazit “Sami Frashëri” në kryeqytet. Pas 27 vitesh martese, çifti u divorcua në vitin 2001.
15- Fatos Nano, në vitin 2001, atëherë 50 vjeç, u martua sërish, me një ceremoni në Kishën Ortodokse të Tiranës me Xhoanën. Ceremonia u drejtua nga kryepeshkopi Janullatos. 29-vjeçarja Nano jetonte në Athinë ku dhe ishte divorcuar në vitin 1998 nga martesa e parë.
16- Martesa e parë e Fatos Nanos u bë në një ambient familjar, në shtëpinë e të atit të tij në Tiranë. Ndërsa martesa e dytë u bë me një ceremoni gjigante në Kishën Ortodokse në Tiranë dhe më pas në qytetin e Durrësit.
17- Martesa e Fatos dhe Xhoana Nanos, dhe divorci i ish-kryeministrit ishin një ngjarje që lanë shenjë në sjelljen politike të vendit. Duke sfiduar mentalitetin e kohës, ish-kryeministri Nano deklaroi publikisht lidhjen e tij me gruan shumë vite më të re në moshë, divorcin dhe nisjen e një jete të re. Në një intervistë televizive, pak kohë para ceremonisë së martesës, Xhoana Nano, asokohe 10 vite më e re kishte deklaruar me Fatos Nanon do të bënte më shumë se një fëmijë dhe se mosha nuk përbënte asnjë problem mes tyre.
18- Fatos Nano ka dy fëmijë, Sokolin 36 vjeç dhe Edenë, 33 vjeç, nga martesa e parë me Rexhina Nanon. Ndërkohë që ka dhe një djalë të birësuar nga martesa e tij me Xhoana Nanon, Klajdin, 23 vjeç.
19- Sipas të dhënave mediatike, ndaj Fatos Nanos janë bërë pesë tentativa për vrasje. Një ndër atentatet ka ndodhur në Berat, një në Shkodër, një në vilën kryeministrore, një kërcënim në zyrë dhe ngjarjet e 14 shtatorit të vitit 1998.
20- Fatos Nano ka bërë 1 353 ditë burg. Ai u dënua me 12 vjet burg me akuzën për shpërdorim detyre në favor të të tretëve dhe vuajti dënimin në burgun e Tiranës deri në vitin 1994 dhe në burgun e sigurisë së lartë në Bënçë te Tepelenës deri në vitin 1997.
21- Fatos Nano u arrestua në 30 korrik 1993 në Tiranë dhe u lirua më 13 mars 1997, pas revoltave të armatosura në jug të vendit. Lirimi i tij ishte një kërkesë e opozitës së majtë, por edhe e ndërkombëtarëve si një lëvizje për të qetësuar trazirat në vend.
22- Kristina Çupi, ish-sekretarja personale e Nanos, në një nga kapitujt e librit të Ylli Polovinës, ”Të jesh apo të mos jesh” se çfarë Nano para se ta arrestonin.
“Ditën kur do të ikte, më 30 korrik, më është thyer filxhani. Ishte mëngjes. Njoftimi me shkrim, një pusullë thirrëse, erdhi nga Prokuroria e Tiranës. Ishte ora tetë. Mirëpo Fatosi duhej të shkonte patjetër në mbledhjen e socialistëve të kryeqytetit, që mbahej në Teatrin e Operës dhe i thashë se kishte për të shkuar edhe … Më dridhet zëri kur e them. Ai tha: “Do vete njëherë në mbledhjen e Tiranës”. Shkoi. Kur erdhi këtu, ishte me një grup njerëzish. Një mik i tij, një afarist, i tha se duhet të blinin “Fanta”. I blemë ato dhe Fatosi tha: “Tani duam edhe një kafe”. Ia bëra kafet te një nga zyrat. Kur ia solla të tijën, më pa në sy (se si po më shihte) dhe tha: “Mund të mos kthehem”. E dëgjuan edhe të tjerët. Mbetëm. Sepse shtoi: “Ata do të bëjnë shpejt atë që kanë ndër mend ta bëjnë”. Aty m’u thye filxhani. Mos u mërzit i thashë, mos u mërzit se kam shenjë të mirë. Pastaj iku. E pritëm, e pritëm. Dikush vajti. Vajtën të tjerë. Prisnim para Prokurorisë. Disa druheshin të pyetnin (siç e kemi ne që ndonjëherë kemi frikë). E kishin arrestuar”, ka treguar Kristina.
23- Gjatë kohës që ishte i burgosur mori vetëm 24 orë leje. Në dhjetor të vitit 1995 i vdes e ëma dhe shteti i dha vetëm një ditë leje për ta varrosur. Ndërkohë që trajtimi i tij në burg, sipas dëshmive, nuk ndryshonte nga ai të dënuarve të zakonshëm.
24- Sipas dëshmisë së ish-bashkëshortes së tij, Rexhina, gjatë qëndrimit në burg, Fatos Nanos i janë qethur flokët si ndëshkim për deklaratat që bënte në media. Ndërkohë që në të gjitha seancat gjyqësore ai sillej nga policia në pranga. Dosja e Fatos Nanos për shpërdorimin e ndihmave italiane ishte 3200 faqe. Në të përfshiheshin dhe vendime të dhëna nga qeveria e Adil Çarçanit. Kryetari i Gjykatës së Kasacionit, Zef Brozi, nuk pranoi të ishte ai njeriu që do të gjykonte Nanon.
25- Avokat Idajet Beqiri ka rrëfyer në media para disa kohësh detaje nga jeta në burgun 313 në Tiranë dhe në atë të Bënçës në Tepelenë, ku ndodhej i izoluar së bashku me kryesocialisti Fatos Nano. Ja çfarë kujton Idajet Beqiri nga ajo kohë: “Në kushtet e vështira të burgut 313 erdhi dhe vuajti së bashku me ne në 30 korrik 1993 edhe Fatos Nano. Fillimisht kam menduar se “si bythëpambuk Tirane” nuk do i duronte dot këto kushte skandaloze në burg dhe do thyhej. Por isha i gabuar. Fatos Nano sillej dhe qëndronte në burg si burgaxhi i regjur. Më zgjuarsinë e tij, me batutat e tij të hidhura, jo vetëm që i vinte të gjithë në lojë, por gjithashtu i shkujdeste aq keq gardianët dhe oficerët e burgut, sa e thyente sa herë të donte izolimin e egër që i bënin”.
26- Historiani amerikan, Fred Abrahams, në librin e tij ‘Shqipëria e re’, tregonte se si ndryshoi Fatos Nano pas daljes nga burgu.
“Nanoja dukej ndryshe nga ç’kishte qenë përpara burgosjes së tij- më i shëndoshë dhe me mjekër. Këshilltarët e tij të afërt treguan se Nanoja kishte vuajtur në burg dhe doli prej andej një njeri i ndryshuar, me më pak kontroll të vetvetes. Megjithatë ai mbeti i mençur dhe dinak. Prapa hekurave, ai kishte qëndruar aktiv në parti, duke pasur furnizim të pandërprerë me lajme, cigare dhe pije”, shkruante Abrahams në librin e tij.
27- Në vitin 2000 Gjykata e Tiranës i dha pafajësinë për akuzat e ngritura nga Prokuroria. Pas marrjes së pafajësisë, Nano fitoi edhe mbrojtje morale për akuzat për korrupsion. Më vonë edhe Sali Berisha ka deklaruar se burgosja e Nanos ishte veprim i nxituar. Në vitin 2002, Fatos Nano dëmshpërblehet nga shteti për burgim të padrejtë në shumën prej 72 milion lekësh. Nano, paratë e burgut ia dha ish-bashkëshortes së tij, Rexhina Nanos, si edhe apartamentin e tij në Tiranë.
28- Në një nga kabllogramet konfidenciale të Ambasadës Amerikane në Tiranë të zbardhur nga Wikileaks bëhej edhe një biografi e detajuar e Fatos Nanos në vitin 1997. Nano ishte liruar nga burgu pak muaj më parë dhe sapo ishte zgjedhur kryeministër.
Ambasada tregon detaje të jetës së tij: “Nano është intensiv, i fokusuar dhe individual. Është 168 cm, një gjatësi mesatare për meshkujt shqiptarë. Doli nga burgu mbi peshë dhe i parruar. Shumë të njohur të vjetër u shprehen se nuk e kishin njohur atë pas daljes nga burgu. Një duhanpirës i regjur, një kafshë sociale që shijon bredhjet në orët e vona të natës me rrethin e ngushtë të shokëve politikanë. Nano është serioz edhe kur bën shaka….
…Gruaja, e vizitonte Nanon një herë në javë në burgun e Tepelenës. Ata janë dukshëm të përkushtuar ndaj njeri-tjetrit. Edhe pse ajo nuk është shumë e aftë në gjuhët e huaja dhe nuk flet shumë në publik, në prani të të huajve, duket qartë se Nano ka konsideratë të lartë për të”, është përshkrimi i Ambasadores Mariza Lino për ish-kreun e opozitës.
29- Është akuzuar si pasardhës i komunistëve dhe bllokmenëve. Ndërkohë që ka meritën se transformoi Partinë Socialiste nga një parti që idealizonte Enver Hoxhën dhe Marksin, në një parti moderne të majtë dhe arriti ta integrojë në partitë e majta evropiane. Meritë kjo që është njohur së fundmi nga ish-rivali i tij më i madh Sali Berisha. Në 25 vjetorin e PS-së, Berisha duke iu drejtuar me anë të një mesazhi socialistëve, vlerësonte Fatos Nanon si reformator. “Fatos Nanos, në një garë, nga anëtar i thjeshtë arriti të zgjidhet kryetar i PS dhe ta shkëpusë PSSH nga modeli stalinist pothuaj 60-vjeçar i partisë së një njeriu! Fatos Nano e aderoi PS-në në organizmat e socialistëve europian dhe ka meritën e pranimit të rotacionit jo vetëm në parti por dhe në nivel vendi!, shkruante Berisha ndër të tjera në mesazhin e tij, ku sulmonte kryetarin aktual të PS-së, Edi Ramën, se e ka mbushur PS-në e sotme me kriminelë.
30- Batuta më e fortë e Fatos Nanos është për kryetarin aktual të Partisë Socialiste, Edi Ramën. “E mora nga Parisi me thonj të paprerë dhe shitësh ikonash të vjedhura”, deklaronte Nano në një nga takimet elektorale. Ndërsa një tjetër batutë e famshme ka qenë për LSI-në. “Lëvizja e Skraparllinjve të Inatosur” e pati quajtur Fatos Nano LSI-në e Ilir Metës, kur u themelua, atë shtator të vitit 2004
31- Një tjetër thënie e famshme e Fatos Nanos është përshkrimi që i bënte historisë së vendit tone me një fjali të vetme. “Ne kemi kaluar nëpër çdo gjë si komb – copëtim, diktaturë, madje dhe anarki”, ka deklaruar Nano.
32- Fatos Nano ishte një nga figurat kryesore të intelektualëve që u thirr në takimin e famshëm të Presidentit Ramiz Alia me inteligjencën në gusht të vitit 1990. Së bashku me të ishin Sali Berisha e shumë të tjerë që përbënë bërthamën e politikës në 25 vitet e fundit.
33- Në moshën 39-vjeçare, Nano do të marrë një nga postet më të rëndësishme në qeverinë e Adil Çarçanit. Emërohet zëvendëskryeministër për reformat në ekonomi. Ylli politik i Fatos Nanos nis të shkëlqejë që në momentet e para. Në shkurt të vitit 1991, Nano emërohet nga Partia e Punës si kryeministër. Një nga arsyet që Nano depërtoi në qendër të pushtetit në një kohë shumë të shkurtër, ishte fakti që vendi po ndërmerrte reforma shumëplanëshe. Vetëm një politikan që nuk kishte qenë funksionar i mëparshëm mund ti bënte.
34- Në 31 mars 1991, qeveria Nano arrin të zhvillojë zgjedhje normale dhe pa incidente serioze. Fatos Nano zgjidhet deputet në një nga zonat elektorale të Tiranës dhe merr mandatin e dytë si kryeministër, përsëri nga Partia e Punës.
35- Dorëheqja e parë si kryeministër u bë në maj të vitit 1991. Kundërshtimi i opozitës për legjitimitetin e pushtetit, grevat e punëtorëve në vend dhe gjendja e rënduar ekonomike në vend bënë që Nano të jepte dorëheqjen për t’u krijuar Qeveria e Stabilitetit që u drejtua nga Ylli Bufi.
36- Fatos Nano është kryetari i parë i Partisë Socialiste. Në Kongresin e 10-të të PPSH-së, Nano mori drejtimin e partisë më të madhe në vend, duke shënuar ndarjen e partisë që drejtoi regjimin komunist dhe zëvendësimin jo vetëm me një emër tjetër, por edhe me një tjetër frymë.
37- Ishte politikani i parë që vendosi kontaktet me partitë e tjera të majta evropiane që i dhanë njohjen PS-së në rajon e më tej. Nano bashkëpunoi me Beneto Kraksin e të majtës italiane, Andrea Papandreun e PASOK-ut grek, etj.
38- Takimi i parë i Fatos Nanos me kundërshtarin e tij më të madh, Sali Berisha, sipas dëshmive të të dy palëve, ka ndodhur më 1990 në ambientet e redaksisë “Zëri i Popullit”, ku diskutuan për një shkrim që ishte botuar.
39- Është politikani i parë që ka njohur rezultatin e zgjedhjeve në vend fill pas daljes së rezultateve. Në zgjedhjet parlamentare të 22 marsit 1992, Nano pranoi humbjen dhe daljen në opozitë të PS-së. Në këto zgjedhje, Nano fitoi mandatin e deputetit në Kuçovë.
40- Takimi që i ka dhënë më shumë pikë Fatos Nanos, ka qenë ai me presidentin amerikan Bill Klinton. Gjatë mandatit të parë në krye të qeverisë arriti të shkëlqente në marrëdhëniet ndërkombëtare duke sjell një bashkëpunim të ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
41- Vizita më e rëndësishme e Fatos Nanos jashtë vendit është ajo në Shtëpinë e Bardhë në Uashington, në vitin 2004 dhe takimi me Presidentin Xhorxh Bush. Vizita u bë në kuadër të anëtarësimit të vendeve të reja në NATO. Gjatë takimit doli edhe një detaj interesant, Bush theu protokollin duke e zgjatur takimin me Nanon më shumë sesa koha e programuar. Siç duket kryeministri shqiptar e bëri për vete me batutat e tij liderin amerikan.
42- Pas humbjes së zgjedhjeve nga Partia Socialiste në 3 korrik 2005, Fatos Nano jep dorëheqjen nga posti i kryeministrit. U vlerësua për rotacionin paqësor të pushtetit.
43- Pas dorëheqjes së kryeministër i vendit, në shtator 2005, Fatos Nano jep dorëheqjen edhe si kryetar i Partisë Socialiste. Me këtë veprim, Fatos Nano futi një akt civilues në politikën shqiptare, që kryetari që humbet zgjedhjet largohet, veprim ky që nuk është përsëritur nga liderët e tjerë politikë. Sali Berisha e bëri këtë veprim kur humbi zgjedhjet e vitit 2013.
44- Fatos Nano është duhanpirës që nga vitet e para të adoleshencës. Cigaret e preferuara për të janë puro kubaneze dhe cigaret me filtër “Marlboro”. Në shumicën e takimeve dhe daljeve publike, në dorën e tij të majtë do të ishte pothuajse gjithnjë një cigare. Fatos Nano nuk është vetëm një i pasionuar pas muzikës, por edhe një njeri që në adoleshencë ka kënduar. Në intervistat e tij ka pohuar se grupi i tij i preferuar muzikor ishin “Bitëllsat”. Këngët e këtij grupi i këndonte fshehurazi nën shoqërinë e miqve.
45- Është politikani i parë që u pa të ndiqte ndeshjet e Kombëtares. Pothuajse ka marrë pjesë në të gjitha ndeshjet më të rëndësishme brenda dhe jashtë vendit. Edhe pasi u largua nga politika. Nano është një i apasionuar i madh i futbollit. Në Shqipëri bën tifo me “Partizanin”, ndërsa në Itali me Interin, ndërkohë që është edhe tifoz i Italisë.
46- Është një nga politikanët që ka një raport të veçantë me pijen. Padyshim që njohja që ka ai për verën dhe xhinin, por edhe shumë pije të tjera alkoolike futen në kulturën e tij gjenerale. Pija e tij e preferuar “Xhini” i shoqëruar me tonik.
47- Më 17 gusht të vitit 2003, Fatos Nano kryen një operacion të planifikuar në tëmth. Operacioni u bë pas disa shqetësimeve shëndetësore të Nanos të përsëritura që nga viti 1996. Ky ishte operacioni i dytë i Nanos, pasi po në vitin 2003 bëri një ndërhyrje estetike në sy.
48- Më 19 shtator të vitit 2007, Nano anononçoi themelimin e Lëvizjes për Solidaritet dhe Politikë Institucionale në PS. Në këtë lëvizje, Nanos iu bashkuan plot 14 deputetë socialistë. Por me kalimin e muajve, Nano pak nga pak e la në hije nismën, duke bërë që kjo lëvizje të shuhej. Ndërsa Edi Rama vendosi të hakmerrej ndaj mbështetësve të Nanos, duke i lënë jashtë listave të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.
49- Ëndrra më e madhe politike ka mbetur Pallati i Brigadave. Më 8 korrik 2007, Fatos Nano hyn zyrtarisht në garën presidenciale. Por Partia Socialiste nuk e mbështeti ish-kryetarin e saj. Për tu hakmarrë ndaj mosmbështetjes së Ramës, 6 deputetë socialistë, mbështetës të Nanos, ia dhanë votat Bamir Topit. Në 20 gusht, Bamir Topi zgjidhet president me votat e Nanos, ndërsa Shqipëria arrin të shmangë zgjedhjet e parakohshme.
50- Fatos Nano prej vitesh i është larguar jetës politike në vend. Numërohen me gishtat e dorës deklaratat e tij të rralla politike gjatë kohëve të fundit. Nano bën një jetë mes Vjenës dhe Tiranës, dhe pse është një personazh mjaft i kërkuar nga mediat, rrallëherë është kapur nga paparacët.
Ditën e sotme kryeministri Rama ka replikuar me ndjekësit e tij në rrjetet sociale ku temë e replikave mes tyre ka qenë ‘’Pasqyra e qeverisjes këtë javë”.
Replikat:
Komentuesi: Shum bukur i montoni kto videot po realiteti eshte cope cope ndryshe nga kto qe shohim ktu
Edi Rama: Hahaha i montojme bukur eee? Po faktet ku i gjejme apo montazh thuaj, film hesapi! Jo Enea jo, jane faktet konkrete te punes keto, s’jane montazhe dhe realiteti eshte edhe ky i ndryshimeve qe kush do te shikoje i shikon, jo vetem ai i gjerave qe kane nevoje te ndryshojne!
Komentuesi: Ne teori jeni te mir po ne praktik nuk po shohim gje
Edi Rama: Po pse keto qe sheh ketu teori jane apo fakte konkrete te punes se palodhur qe behet perdite?
Komentuesi: Po re si jo..ashtu esht😳😳
Edi Rama: Hapi syte dhe lere mendjen te shikoje se kur s’do mendja nuk ka cfare shikon syri hic Ilir
Komentuesi: ehu kur do behen kto rruget kismet se jean gjall 😂😂😂😂
Edi Rama: Po behen e do behen te gjitha dhe pa merak se gjalle do jesh😉
Komentuesi: Turp vetem genjeshtra
Edi Rama: Hahaha po pse genjeshtra apo se s’te pelqen te shohesh asgje te mire qe behet?! Jane fakte keto Bardhi fakte dhe nuk eshte turp te vleresosh punet e mira qe behen, sepse ky eshte edhe vendi yt o mik.
Sot përkujtohet në gjithë Kosovën 140 vjetori i themelimit të Lidhjes së Prizrenit. Nëpërmjet një statusi në rrjetet sociale, kryeministri Rama thotë se asnjëherë virtyti dhe aq më pak fati e kanë braktisur një Shqipëri të përbashkuar.
Statusi i Edi Ramës në Facebook:
“Sot përkujtojmë 140 vjetorin e themelimit të Lidhjes shqiptare të Prizrenit, mesazhi i së cilës kumbon i thjeshtë por domethënës, dje, sot e përgjithmonë: asnjëherë virtuti dhe aq më pak fati e kanë braktisur një Shqipëri të përbashkuar.
Kjo ditë na kujton gjithashtu se po i afrohemi fundit të gjysmës së parë të Vitit të Skënderbeut, arritjet pa zhurmë dhe eventet unike të të cilit po zhvillohen anembanë kombit shqiptar në trojet e tij stërgjyshore dhe në diasporë.
Ju uroj një të dielë të qetë në meditim të mesazheve madhore të tij dhe një kredhje në informacionin e bollshëm multimedial të faqes në internet të Vitit tonë mbarëkombëtar 😃 🇦🇱 👌👌https://vitiiskenderbeut.al”– shkruan Rama në facebook.
Gazeta ”SOT” ka zbardhur draftin e qeverisë për ndërtimin e Teatrit Kombëtar. Godina e re do të ndërtohet nga një kompani që do të zgjidhet permes një procedure të veçantë. Nga ana tjetër qeveria ka përgatitur draftin për negocimin. Për përzgjedhjen e kompanisë private që do të ndërtojë godinë e re teatrore qeveria ka menduar të ngrejë një komision negocimi, i cili kryesohet nga kryetari i Bashkisë Tiranë ose përfaqësues i autorizuar prej tij dhe në përbërje të tij ka përfaqësues të Ministrisë së Drejtësisë, Ministrisë së Financës dhe Ekonomisë, Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministrisë së Kulturës, Avokaturës së Shtetit dhe Teatrit Kombëtar.
Kompetencat e Komisionit të Negocimit
Drafti parashikon që komisioni i negocimit të kontratës vlerëson dhe negocion me partnerin privat shoqërinë “Fusha shpk”, propozimin e paraqitur prej tyre dhe harton projekt-kontratën finale të negociuar nga palët, shoqëruar me relacionin përmbyllës të negociatave, brenda një afati kohor prej 30 ditësh nga data e ngritjes së komisionit. Komisioni i negocimit të kontratës autorizohet dhe gëzon të gjithë të drejtat për vlerësimin mbi tjetërsimin e pronave në pronësi të pushtetit qendror apo të vetëqeverisjes vendore për realizimin e këtij projekti dhe propozimin lidhur me tjetërsimin e pronës bazuar në ligj.
Kontrata dhe përmbajtja e saj
Kontrata midis Shtetit Shqiptar dhe partnerit privat reflekton termat e referencës së propozimit të paraqitur nga shoqëria “Fusha shpk” sipas këtij ligji, të cilat janë vlerësuar nga komisioni negociator dhe janë pjesë e pandashme e kontratës. Kontrata përmban kërkesat që burojnë nga Kodi Civil, si dhe parashikon ato terma që vlerësohen të përshtatshëm nga palët, të tilla si:
Përkufizime, interpretime, natyra dhe objekti i punëve që duhet të kryhen, cilësia e punimeve për ndërtimin e godinës të re të Teatrit Kombëtar;
Afatet dhe kohëzgjatjen e kontratës në lidhje me fillimin dhe përfundimin e punimeve për godinën e Re të Teatrit Kombëtar;
Pronësinë e aseteve, përcaktimin e sipërfaqeve përkatëse shtet që do të vendosen në dispozicion të partnerit privat në shkëmbim këto të përftimittë godinës së re të Teatrit Kombëtar;
Të drejtat dhe detyrimet e institucionit përgjegjës për realizimin e projektit për zhvillimin urban në zonë të qytetit të Tiranës dhe ndërtimin e godinës së re të Teatrit Kombëtar;
Të drejtat dhe detyrimet e partnerit privat, shoqëria “Fusha” shpk në zhvillimin e projektit për ndërtimin e godinës së re të Teatrit Kombëtar;
Paraqitjen e një pasqyre financiare që pasqyron garancinë ekonomike të partnerit privat dhe/ose çdodokument tjetër provues nga pala financuese, nëse ka, për garantimin e zhvillimit të projektit;
Sigurimin e kontratës të depozituar në një bankë të nivelit të dytë nga ana e partnerit privat, ose nga një kompani sigurimi që operon në Shqipëri, përpara përmbylljes së negociatave dhe pasqyrimin e kësaj të dhëne në relacionin përmbyllës;
Të drejtat e institucioneve përgjegjës pjesë e komisionit për të ndjekur dhe monitoruar procesin e ndërtimit të godinës së re të Teatrit Kombëtar dhe cilësinë e shërbimeve që duhen përmbushur nga partneri privat;
Miratimi i kushteve të kontratës Kushtet e kontratës së negociuar do të kalojnë me dhënie pëlqimi në parim nga Këshilli Bashkiak me shumicën e votave, në prani të më shumë se gjysmës së të gjithë anëtarëve të këshillit dhe do të dërgohet zyrtarisht nga Bashkia Tiranë pranë ministrive pjesë të komisionit të negocimit, me qëllim dërgimin për miratim në Këshillin e Ministrave.
Kontrata do të nënshkruhet nga kryetari i Bashkisë Tiranë brenda afatit kohor prej 10 ditësh nga hyrja në fuqi e Vendimit të Këshillit të Ministrave për miratimin e kontratës. Kontrata hyn në fuqi me nënshkrimin nga Kryetari i Bashkisë apo personi i autorizuar prej tij.
Falsiteti i barazisë para ligjit
Kur ishe në pushtet, Lulzim Basha shkelte brutalisht e hapur ligjin, duke bërë korrupsion e shpërfillur drejtësinë dhe nuk e zinte në gojë barazinë para ligjit, ndërsa prej 5 vitesh në opozitë, ky “klient i drejtësisë” po çirret e ngjiret, për barazi para ligjit.
Se sa e ka zbatuar dhe sa e do Luli barazinë para ligjit, këtë hipokrizi po ia vërteton “Pamfleti”, duke krahasuar rastin e 220 milionë eurove të vjedhura prej tij nga fondet e “Rrugës së Kombit”, me rastin e qytetarit të papunë T.B… nga Gjirokastra, i cili vodhi një kapakë pusete në rrugë për ta shitur si skrap, (në muajin korrik 2012) kur Luli ishte në pushtet.
Ja çfarë ka ndodhur atëherë, me Lulin e PD dhe me fukarain e Gjirokastrës…
Njoftimi zyrtar i policisë për qytetarin e papunë Gjirokastër, 17 korrik 2012
Në pikën e grumbullimit të skrapit në lagjen “Cfakë” të Gjirokastrës, me pronar 40 vjeçarin A. C, u gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, kapaku i pusetës së vjedhur në një nga rrugët e qytetit.
Rezultoi, se vjedhësi dhe shitësi i kapakut të pusetës është shtetasi. T. B…, 38 vjeç, nga qyteti Gjirokastër, i cili u arrestua me akuzën: vjedhje të pasurisë shtetërore!
Gjykata vendosi: – Për veprën penale vjedhje të pasurisë shtetërore të provuar dhe pranuar, i pandehuri T. B… i papunë, dënohet me 3 vite burgim.
Ja krahasimi për drejtësinë e barabartë në vitin 2012, kur Luli ishte në pushtet
Lulzim Basha, në postin si Ministër i Punëve Publike dhe Transportit, sipas provave faktike të dosjes hetimore, se ka vjedhur 220 milionë euro nga fondet shtetëore të “Rrugës së Kombit”, por dosja e tij u mbyll për tejkalim afatesh hetimore, mbasi i pandehuri Lulzim Xhelal Basha, në çdo seancë nuk paraqitej me shkakun “Është i sëmurë, me regjim shtrati në Holandë”. Dhe dosja u mbyll… për procedurë!
Qytetari T.B…, fukarai nga Gjirokastra, i lënë pa punë dhe pa ndihmë ekonomike në ish-pushtetin e Lulit, për të blerë bukë vodhi një kapakë pusete në rrugën e qytetit, por u arrestua dhe sipas Nenit 134/1 të Kodit Penal “Vjedhje e pasurisë publike”, u dënua me 3 vite burgim.
Sipas aktit të ekspertimit, kapaku i pusetës që vodhi fukarai T.B… në rrugën e Gjirokatrës, peshonte 12 kilogramë dhe u shit për skrap, me vlerën 220 lekë të reja
Sipas aktit të ekspertimit, dëmi ekonomik që iu bë pasurisë shtetërore nga vjedhja e ministrit Lulzim Basha në fondet e “Rrugës së Kombit”, ishte 220 milionë euro!
Qytetari T. B… nga Gjirokastra, u detyrua prej drejtësisë, të rikthente vlerën financiare të kapakut të pusetës, në llogarinë e bashkisë së qytetit.
Lulzim Basha, jo vetëm nuk u gjykua dhe nuk u dënua nga drejtësia, por as nuk u detyrua të rikthente në arkën e shtetit, 220 milionë eurot e vjedhura.
Qytetari T. B… nga Gjirokastra, pas dënimit nuk pranohet në punë nga askush, për shkak se ka vjedhur një kapakë pusete të rrugës.
Lulzim Basha, paçka se vodhi gjithë rrugën, u bë 3 herë ministër, 3 herë deputet, 1 herë kryetar bashkie i Tiranës dhe 2 herë kryetar i PD.
Qytetarit T. B… nga Gjirokastra, sa hërë kërkon punë për të ushqyer familjen, shteti i kërkon “Dëshmi Penaliteti”.
Lulzim Bashës, nuk iu kërkua dëshmi penaliteti as kur bëhet 3 herë ministër, 3 herë deputet, 1 herë krybashkiak dhe 2 herë kryetar partie (E detyron Statuti PD).
Qytetari T. B… nga Gjirokastra, pas dënimit me burg për 1 kapakë pusete që vodhi në rrugë, nuk flet për drejtësi të barabartë para ligjit.
Lulzim Basha edhe pas vjedhjes së krejt rrugës, vazhdon të mbajë falime për drejtësi e barazi para ligjit.Pamfleti
Turi i llogaridhënies vazhdon për kryeministrin, ku kësaj here ai është ndalur në qarkun e Fierit. Ai i ka kushtuar një rëndësi të veçantë agroturizmit dhe zhvillimit profesional. Më tej kryeministri shtoi se ka mungesë të theksuar të saldatorëve dhe Shqipëria ka nevojë për to.
Fjala e Edi Ramës gjatë turit të llogaridhënies në Fier
Para se të vinim këtu ishim në Panairin e Punës ku janë afishur më shumë se 1000 vende pune. Punë ka po ska profesionistë është shprehja që e dëgjon nga çdo kompani, që kemi vende të lira pune, por na mungojnë profesionistët që mund të mbulojnë këto vende pune. Saldatorë nga Tajlanda, saldatorë nga Turqia, nga Pakistani, saldatorë nga fundi botës janë sot në Shqipëri dhe punojnë. Punojnë për stadiumin e Arenës Kombëtare, punojnë në investimet e mëdha për TAP, pse? Sepse kemi mungesë për saldatorë. Po jap vetëm një shembull, dmth vijnë nga Tajlanda, nga Pakistani, nga Turqia, nga Kina. Saldator kinez, dhe paguhen nga kompani shqiptare.
Agroturizmi është një histori suksesi i njohur dhe patjetër që shembujt tregojnë se kush merret me agroturizëm bën para. Mënyra me efikase për të dalë nga varfëria. Në këtë zonë ka mundësi fantastike për agroturizëm, qeveria në financimet të agjensisë të zhvillimeve bujqësore dhe rurale ka një program për financim.
Programi i mbështetjes nga BE ka 11 mln euro për ata që investojnë në agroturizëm, janë grante pra nuk janë kredi dhe jepen pa asnjë interes.
Ky regjim do të jetë në fuqi deri në vitin 2021, për ti dhënë një hop të parë dhe për të zhvilluar ekonominë familjare në fshat.
Nuk po zgjatem me gazsjellësin, me linjën e interkonjeksionit, dhe as me një plagë të vjetër të zonës që është rafinimi i naftës, shpresoj të jemi në rrugë të mbarë pasi kemi një marrëveshje të re. Po e mbaj optimizmin, por kemi plane për të rritur kapacitetin, sigurinë dhe patjetër për të rritur prodhimin. Një nga pikat e dobta të Fierit ka qënë uji i pijshëm. Do të investohet shumë në UKT të rinj dhe ato ekzistues.
Investime në arsim profesional, por është rritur ndjeshëm nxënësit që marrin pjesë në arsimin profesional. Mangësitë kryesore të kompanive në Panairin e Punës janë mungesa e profesionistëve.
Ndërkohë shumë djem të rinj që mbarojnë arsimin e përgjithshëm dhe nuk shkojnë në universitet, por dhe shumë që mbarojnë universitetin dhe kanë marrë diploma kot janë pa punë. Ata të cilët shkojnë në arsimin profesional është statistikisht e provuar që kanë 35% më shumë shanc që të fillojnë një punë sesa ata me arsim të përgjithshëm dhe 20% më shumë sesa ata me universitet. Por ndryshe nga ata me arsim të përgjithshëm, kur fillojnë punë të parët ata me arsim profesional kanë një rrogë më të lartë, sepse dinë të bëjnë diçka.