Politike

Rama iku me charter për ‘foton e jetës’, Braçes i vjen “Ronaldo” në shtëpi

Kryeministri Edi Rama shkoi në stadiumin e Juventusit për të ndjekur sfidën kundër Lacios, por bëri edhe foto me yllin portugez, Kristiano Ronaldo. Rama postoi foto ne rrjetet sociale ku tregonte se kishte takuar Ronaldon pas ndeshjes, e se kishte marre edhe nje fanelle prej tij.

Por sot, deputeti socialist, Erion Brace ka postuar nje foto ne profilin e tij ne Instagram, me nje bluze te njejte si e Rames dhe shkruan:

“Kur te vjen vllai nga jashte shteti dhe te sjell dhurate Bardh e Zi!”.

Nuk dihet se kush ia ka sjelle Braces kete bluze.

brace bluze

Rama iku me charter për ‘foton e jetës’, Braçes i vjen “Ronaldo” në shtëpi Read More »

SHBA-BE rrisin presionet ndaj politikës dhe Vettingut: Deri në fund të vitit gati KLGJ e KLP. Çfarë pritet të ndodh më pas

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian kanë rritur përpjekjet për të ngritur organet e reja të drejtësisë. Teksa KLGJ e KLP po hasin vështirësi në gjetjen e anëtarëve, mësohet se ndërkombëtarët kanë rritur presionin ndaj politikës dhe organeve të vettingut. ”SOT” shprehet se Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit ka kërkuar nga KPK që të mos ketë më asnjë vonesë dhe të ecet me ritme të njëjta si në muajin korrik. Po ashtu, i njëjti mesazh ka shkuar dhe për Kolegjin e Apelimit.

Në shtator ligji që pritet të diskutohet është ai për magjistratët, ku synohet që të emërohen 50 gjyqtarë e prokurorë. PD e LSI janë rreshtuar kundër, por gazeta ka mësuar se me eksponentë të caktuar të këtyre dy partive ka pasur kontakte të vazhdueshme nga përfaqësues të ambasadave dhe eksponentë të Komisionit Europian. Atyre u është kërkuar që të mos ketë asnjë vonesë. Por nga ana tjetër, një çështje të cilën kërkojnë përfaqësuesit e EURALIUS dhe OPDAT në Tiranë të mbyllet sa më shpejt, është ajo e mendimit të neneve që rrëzoi Gjykata Kushtetuese.

Kjo gjykatë ka shfuqizuar nenet kryesore të ligjit për organet e reja të drejtësisë dhe pa ndryshimin e tyre, KLGJ e KLP nuk mund të marrin asnjë vendim. Këto dy institucione janë duke punuar për të hartuar nenet e reja dhe mësohet se është kërkuar nga politika angazhim që të bëhen sa më shpejt ndryshimet e kërkuara. Bashkimi Europian e tha qartë në qershor se pa u ngritur organet e reja, e veçanërisht SPAK, nuk do ketë integrim në Bashkimin Europian. Ngritja e SPAK bëhet 2 muaj pas ngritjes së KLP dhe sa kohë që kjo e fundit vonon, po ashtu zvarritet dhe lufta antikorrupsion. Për këtë arsye ndërkombëtarët duket se kanë filluar të vënë në rresht politikanët shqiptarë.

Arrestimet në politikë

”SOT” gjithashtu ka mësuar se plani i ONM dhe ai ambasadës së BE dhe asaj të SHBA është që deri në fund të vitit Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë të jenë ngritur. Momentalisht ngërçi qëndron te mungesa e përfaqësuesve nga Apelet. Si KLP ashtu dhe KLGJ do kenë nga 11 anëtarë secila. Nga 5 janë zgjedhur dhe vijnë nga shoqëria civile dhe avokatia. Pjesa tjetër janë gjyqtarë e prokurorë. Por nga këta, 2 prokurorë të KLP duhet të jenë nga Apeli dhe 1 duhet në Tiranë, e tjetri nga rrethet. E njëjta gjë dhe për gjyqtarët e KLGJ. Por për KLGJ nuk ka përfaqësues nga rrethet, ndërsa për KLP nuk ka prokurorë Apeli nga Tirana. Më 6 shtator mbyllet gara për anëtarët e KLGJ dhe gazeta ka mësuar se emrat që do shfaqin interes do jenë prioritarë në sitën e vetingut. Shpresat janë që deri në fund të tetorit të ketë mbaruar rivlerësimi dhe më pas deri në dhjetor të ngrihen KLGJ e KLP. Dy muaj më pas, që i bie rreth janarit ose shkurtit SPAK dhe Byroja e Hetimit duhet të jenë ngritur dhe më pas nis goditja në nivele të larta. Plani është që deri në maj të kenë shkuar para drejtësisë disa pushtetarë të lartë, me qëllim hapjen e negociatave./pamfleti

SHBA-BE rrisin presionet ndaj politikës dhe Vettingut: Deri në fund të vitit gati KLGJ e KLP. Çfarë pritet të ndodh më pas Read More »

Rama: Nuk ka këmbime me BE-në, por secili të bëjë pjesën e tij

Në një intervistë për gazetën italiane “Corriere della Sera”, kreu i ekzekutivit shqiptar, Edi Rama tha se “marrëdhëniet mes Italisë dhe Shqipërisë kanë qenë gjithnjë të shkëlqyera, pavarësisht forcave politike në pushtet”.

“Duhej të bënim diçka për këta persona që pafuqia europiane i kishte kthyer në të burgosur”, thotë ai.

Kryeministri shqiptar Edi Rama konfirmoi pozicionin e qeverisë socialiste për të pritur 20 migrantë nga Eritrea që ndodhen në anijen “Diciotti”. Por, ai fton Kontinentin e Vjetër ta zgjidhë këtë çështje.

Si do të transferohen?

”Për këtë çështje po merren agjencitë kompetente. Ne do të bëjmë për ata atë që Italia bëri për ne, eritreasit e atëhershëm, kur na pritën dhe na ushqyen”.

Si kanë qenë negociatat me qeverinë italiane?

“Nuk ka patur asnjë negociatë. Donim të bënim diçka, por hezituam për të evituar mosmarrëveshjet me Romën. Biseda mes ministrave të Jashtëm e zgjidhi këtë gjë. Italia ka bërë shumë për ne dhe për Europën, por për shumë kohë është lënë vetëm”.

Do të prisni të tjerë?

“Nuk do e zgjidhte problemin. Shpresoj që Europa të zgjohet dhe që secili të bëjë pjesën e tij. E kemi thënë edhe në vitin 2015, shërben një plan europian dhe nuk do të mungojmë. Na e imponon historia, të qenurit europianë dhe shqiptarë”.

Ky gjest do të përshpejtojë hyrjen në BE?

“Nuk ka asnjë këmbim. Nuk e bisedova këtë çështje me Kryeministrin Conte. Këtu bëhet fjalë për jetë njerëzore. Në lojë ka gjëra të rëndësishme që kanë marrë peshë këto ditë”.

Dikur Salvini kritikonte hyrjen tuaj në BE…

“Nuk dua të gjykoj, nuk do të zgjidhte asgjë. Mbi çështjen “Diciotti” ka qenë mirënjohës. Objektivi është një pozicionim i bashkuar europian që sot nuk është”.

Çfarë raporti keni me Romën?

”Marrëdhëniet mes Italisë dhe Shqipërisë kanë qenë gjithmonë shumë të mira, pavarësisht nga partitë politike në pushtet. Pa Italinë nuk do të kishim ecur kaq shumë dhe jam i gëzuar që ”eritreasit” e ardhur dje nga Shqipëria sjellin vlera të shtuara në Itali”.

Pse ju intereson Bashkimi Europian?

”Është një pyetje që nuk ia bëjmë vetes: nuk e kemi humbur sensin e historisë, ëndërrojmë një të ardhme më të mirë dhe në një Europë të realizuar sipas shpirtit të Etërve Themelues. Të dalësh nga Bashkimi Europian do të thotë të dalësh nga historia, të ndryshosh Bashkimin Europian është të futesh tek e ardhmja”.

Dje emigronit, sot prisni migrantë…

“Kemi pritur gjithmonë popullatat në rrezik. Kujtoj hebrenjtë në arrati nga nazistët. Kujtoj gjysmë milioni kosovarë në vitin 1999. Kujtoj 3000 iranianët e liruar nga burgjet e Irakut. Kujtoj sirianët e mbërritur këta muaj”.

Ku duhet të përmirësohet Shqipëria?

“Po, në rrugën e europianizimit: kemi bërë shumë, por mbetet ende shumë për të bërë”.

Sidoqoftë, trafiku i drogës është shqetësues…

“Jemi mes atyre që kanë bërë shumë. Por, siç tregon lufta kundër mafias në Itali, kjo është një betejë që zgjat më shumë se seritë e ‘Gomorra’-s”. /atsh

Rama: Nuk ka këmbime me BE-në, por secili të bëjë pjesën e tij Read More »

Pakti i fshehtë Rama-Basha zbulohet nga Komisioni i Venecias, nuk preket sistemi zgjedhor. PS e PD tradhëtojnë aleatët që kërkojnë ndryshim. LSI në “qiell të hapur”

Lideri i PS dhe ai i PD kanë dalë në “habitatin” e tyre, atë të tradhëtisë ndaj aleatëve dhe të marrëveshjes mes tyre në vijim të 17 majit 2017 për të bashkëqeverisur politikën shqiptare.

Kur vjen puna për të ruajtur statusquonë politike, Edi Rama dhe Lulzim Basha e gjejnë për një sekondë gjuhën e përbashkët mes tyre.

Bëhet fjalë për sistemin zgjedhor proporcional rajonal sikurse është tani, për të cilin në mënyrë konspirative dhe pa dijeninë e aleatëve, ata kanë rënë dakord për të mos e ndryshuar.

Një sistem që në kushtet e tendencës për një politike dypolare në Shqipëri, tashmë që dhe LSI është në opozitë dhe s’mund të blejë vota me vende pune, është i destinuar që të jetë në favor të dy partive të mëdha, dhe në kurriz të partive të vogla, përfshirë dhe LSI.

Bëhet e ditur se Partia Socialiste dhe Partia Demokratike kanë arritur një pakt të fshehtë mes tyre për të mos e prekur sistemin zgjedhor aktual proporcional kombëtar, edhe pse kërkesat kryesore të aleatëve të tyre kanë qenë që të ndryshohet sistemi zgjedhor.

Ky pakt konfirmohet nga eksperti i Komisionit të Venecias, Iurie Ciocan, i cili po asiston Komisionin e Posaçëm të Reformës Zgjedhore.

Në raportin e hartuar nga eksperti zgjedhor konfirmohet fakti se PS-ja dhe PD-ja kanë kërkuar nga ndërkombëtarët asistencë për t’u dhënë të drejtën qytetarëve që janë jashtë vendit të votojnë, por me kushtin taksativ për të mos prekur sistemin aktual zgjedhor.

“Si Partia Socialiste (në qeveri), ashtu dhe Partia Demokratike në (opozitë) e mbështesin nevojën e miratimit të ndryshimeve në ligjin zgjedhor, që do t’u jepte mundësi qytetarëve shqiptarë që janë jashtë shtetit në ditën e zgjedhjeve të marrin pjesë në votim.

Vullneti i vendosur politik, i PD dhe PS është, në të njëjtën kohë, që të vazhdojnë ta mbajnë sistemin aktual zgjedhor dhe sistemin e shpërndarjes së mandateve siç është”, thekson raporti i ekspertit të Komisionit të Venecias.

Sistemi aktual proporcional kombëtar u garanton kryetarëve të partive pushtet absolut mbi zgjedhjen e kandidatëve. Sistemi zgjedhor u jep të drejtën krerëve të partive që të hartojnë listën e kandidatëve në çdo zonë zgjedhore dhe renditjen tyre në bazë të preferencave.

Po ashtu, ligji elektoral aktual favorizon partitë e mëdha, pasi zgjedhja e deputetëve bëhet në bazë të një formule matematike, e cila diskriminon partitë e vogla dhe ato parti që garojnë jashtë koalicioneve.

Në këtë mënyrë, Rama dhe Basha kanë dalë në “habitatin” e tyre, atë të tradhëtisë ndaj aleatëve dhe të marrëveshjes mes tyre në vijim të 17 majit 2017 për të bashkëqeverisur politikën shqiptare. Pa aleatë nëpër këmbë, por dhe pa mundësinë që kundërshtarëve brenda partive të riorganizohen në ndonjë organmizim tjetër politik./Pamfleti

Pakti i fshehtë Rama-Basha zbulohet nga Komisioni i Venecias, nuk preket sistemi zgjedhor. PS e PD tradhëtojnë aleatët që kërkojnë ndryshim. LSI në “qiell të hapur” Read More »

‘Mos ia vini re, ai nuk ekziston’! Topalli i jep goditje të fortë Bashës për heshtjen ndaj kufijve

Ish-kryetarja e Parlamentit dhe njëkohësisht ish-deputete e PD, Jozefina Topalli, ka shigjetuar kreun e PD, Lulzim Basha, duke e quajtur atë të pavlefshëm për vendin. Duke komentuar çështjen e nxehtë të ditëve të fundit, korrigjimin e kufijve mes Kosovës dhe Serbisë, Topalli ndalet te heshtja e kryedemokratit Basha, duke u shprehur se ai nuk ekziston.

Në një postim në ‘Facebook’, ish-deputetja që u përjashtua nga listat e PD nga vetë Lulzim Basha, bën një koment të fortë për korrigjimin e kufijve, teksa thekson se po tentohet të bëhet pazar me tokën shqiptare.

“Per ceshtjen e kufijve-Kryeministri lau duart si Pilati, Kryetari i opozites nuk ekziston. Prej disa javesh Presidenti Thaci dhe Vucic flasin per ndryshime kufijsh. Kunder kesaj ka dalur hapur Gjetmania e Britania duke terhequr vemendjen per rrezikun e madh qe mund te shkaktoje prekja e kufijve.

Brukseli perserit vazhdimisht qe “ne duam garanci qe te mos cenohet stabiliteti i Rajonit”.Nderkohe me eren e Trumpit ,US ka nje qendrim me pragmatist, por duke bere kujdes e duke kerkuar qe gjeja te mos pershkallezohet ne lufte ne rajon.

Nderkohe me ndonje perjashtim te rradhe politikanet shqiptare kane folur me vonese ose vazhdojne te heshtin thua se behet fjale per kufijte e Afrikes dhe jo te kombit tone; thua se nuk kemi humbur boll nga territoret tona; dhe thua se kufijte u ndryshokan me lehtesine me te cilen njeriu ndrron trotuar; thua se korigjimi do i sillte Kosoves toke serbe, kur ne fakt flitet me ba pazar vetem me toke shqiptare. Serbia ne çdo rast luan vetem me qarin.

As sot ne takimin informal te kryeministrave( te munguar) te rajonit nuk u fol per ate qe po ndodh, me perjashtim te Hajredinajt. Thua se kufijte jane çeshtje e dores se fundit .. ku e ku me pak e rendesishme se roaming ne rajon qe nuk i hyn kujt fort ne pune..

Kosova i ka kufijte e saj tha natyrshem Kryeministri I Kosoves edhe ne konferece shtypi. Kryeministri shqiptar nuk tha se ishte dakord me Hajredinajn.

Ne pergjigje te pyetjes per ndryshime kufijsh tha e mendonte si Hani, i cili praktikisht beri kujdes te mos te angazhohej ne deklarata. Sot Rama ngjasonte si Pilati.

Lau duart. Nuk kishte gje me thene.. per kufijte shqiptare…nderkohe qe tha se nuk mund te ishte indiferent ndaj emigranteve qe vijne nga Afrika. Duke u kthyer tek Thaçi.

Integriteti territorial i nje vendi nuk eshte e nuk mund te jete ne dore te nje njeriu .Ai eshte i percaktuar ne dokumentat themeltar te vendit , ne Kushtetuten e Kosoves, ne dokumentat nderkombetare. Ceshtja e kufijve nuk eshte ceshtje as e dy personave dhe as e dy vendeve. Rrezja e influences se saj shkon pertej rajonit dhe Europes.

Ajo behet globale.Prandaj asnjeri as ka te drejte as ka mandatat me hedh ne pazar tokat shqiptare. Sa per heshtjen epike te kryetarit te opozites ne Shqiperi per çeshtjen e kufijve,mos ia vini re…ai nuk ekziston”, shkruan Topalli.

‘Mos ia vini re, ai nuk ekziston’! Topalli i jep goditje të fortë Bashës për heshtjen ndaj kufijve Read More »

‘Hidhini në det’! Guxon emigrantja shqiptare, ja kujton të gjitha ministrit Salvini përmes një letre publike: Nuk jemi budallenj!

Ministri i Brendshëm i Italisë, Matteo Salvini, është kthyer në tmerrin e emigrantëve, për shkak të deklaratave të forta kundër tyre. Por një letër e hapur e një emigranteje shqiptare drejtuar ministrit ka tërhequr vëmendje të gjerë dhe është bërë virale në mediat fqinje. Është emigrantja Sonila Alushi, e cila jeton prej shumë vitesh në Itali dhe ka marrë guximin t’i drejtohet ministrit.

Emigrantja Alushi me anë të letrës së postuar në profilin e saj në Facebook, është kthyer shumë vite pas dhe ka kujtuar kohërat kur në muret e Lombardisë shiheshin të shkruara shprehje të ndryshme për shqiptarët.

“Shqipëria u tregua solidare me këtë vend Zoti Ministër, jo me ju. Shqipëria është një popull emigrantësh, është një popull bujar dhe mikpritës edhe pse ende i varfër. Por mbi të gjitha Shqipëria nuk harron ndihmat e shumta nga fqinjët e vet italianë. Ashtu siç nuk harron deklaratat tuaja përbuzëse si kjo e fotografisë më poshtë marrë nga faqja juaj e Facebook-ut. Apo frazat e dhunshme të shkruara jo shumë kohë më parë, nga mbështetësit tuaj, në muret e Lombardisë, si “Shqiptarët duhen varur”!, shkruan Sonila mes rreshtave.

Më tej, ajo kujton edhe deklaratën e Pivettit, e cila në ato vite kur ishte Kryetare e Parlamentit Italian u shpreh se “shqiptarët duhen hedhur në det”.

“Oh jo, ne nuk harrojmë deklaratën e turpshme të deputetes tuaj (atëherë quheshit Liga e Veriut), asokohe Kryetare e Parlamentit italian, Irene Pivetti, e cila pa minimumin e druajtjes dhe ndjenjës, tha që SHQIPTARËT DUHESHIN HEDHUR NË DET! Dhe të hedhur në det ne përfunduam vërtetë vetëm pak ditë më pas: e kish emrin Katër i Radës ajo anija e vogël që u fundos në Otranto. U mbytën 81 shqiptarë e midis tyre fëmijë, gra, burra e të moshuar. I vunë emrin “Gjëma e të Premtes së Shenjtë” asaj tragjedie në 28 Mars 1997. Vajtuam nga veriu në jug për ata të vdekur, një vend i tërë mbajti zi. Por, më pas, anijet dhe skafet vazhduan gjithsesi të lundrojnë drejt Italisë sepse ishtë çështje mbijetese dhe ju Ministër e dini mirë, edhe pse bëni sikur s’dini! Ju bëni sikur s’e kuptoni pse njerëzit braktisin shtëpitë e tyre, për të ardhur drejt Europës, duke rrezikur jetën në det.

Ju bëni gjoja Ministër, bëni gjoja në lidhje me shumë gjëra. Edhe për faktin që, duke ju dëgjuar ju, problemet më të mëdha të këtij vendi duket sikur vijnë nga emigrantët dhe refugjatët. Nuk patëm kohën të na thahen lotët për viktimat e Xhenovas dhe Çivitës, se ja ku dolët ju me një vendim mizor (mbi anijen Diciotti e cila u bllokua në brigjet italiane me në bord refugjatët nga Eritrea të cilët po vuanin nga sëmundje të ndryshme në kushte higjenike të turpshme) për të na bërë të qajmë dhe turpërohemi për viktima të tjera; nuk arritëm të mbanim zi për ata të vdekur e të kuptonim diçka lidhur me rrëzimin e asaj ure, se ja ku na dolët ju me ankesat tuaja të zakonshme të cilat e drejtojnë gishtin vetëm nga emigrantët! Për të mos folur rreth shvendosjes së kapitaleve, për papunësinë, për Mafian, për degradimin social, për varfërinë në rritje, etj. Gjithçka mbetur në hije!

Sot del e thoni nëpër mitingje, ato ku fansat tuaj haharisen me sarkazmën tuaj të trishtë, se Shqipëria na qënkërkësh sjellë më mirë se Franca! Hajde o Ministër se e dimë shumë mirë që Francës nuk i bën as ngrohtë e as ftohtë një krahasim qesharak si ky. Dhe e dimë mirë të gjithë si e mendoni ju lidhur me komunitetin tonë: të ishte për ju dhe mbështetësit tuaj, ne shqiptarët nuk ishim ndihmuar atëherë dhe nuk do ishim të pranuar as sot.

Shqipëria, me këtë gjest, duke u pozicionuar qartë në krah me Italinë, u tregua mirënjohëse dhe bujare sepse ky vend e meriton dhe ky vend nuk përfaqësohet vetëm nga ju. Mos e përdorni këtë gjest në favorin tuaj personal, mos na trajtoni si budallenj. Faleminderit!”, përfundon letrën e saj emigrantja shqiptare, Sonila Alushi.

‘Hidhini në det’! Guxon emigrantja shqiptare, ja kujton të gjitha ministrit Salvini përmes një letre publike: Nuk jemi budallenj! Read More »

Nikoll Lesi: Përballja në Tiranë për Bashkinë do jetë epokale, si “beteja e Stalingradit”. Durrësin opozita e ka të marrë

Nikoll Lesi ka publikuar një analizë në gazetën e tij, plot aludime për zgjedhjet e ardhshme vendore.

Sipas tij, opozita e ka të marrë Durrësin, ndërsa për Tiranën do të ketë një garë të egër.

“Erion Veliaj është kandidati i vetëm nga mazhoranca, i cili mund të përballojë stuhinë opozitare e cila do të jetë e përqëndruar sidomos në Tiranë dhe Durrës për zgjedhjet vendore maj 2019. Opozita ka disa kandidatura për t’u përballur me Erion Veliaj, por njera duket më e forta për rivalizim. Burime nga selia blu thonë se do të rakordojnë me LSI për emrin, jo vetëm për faktin se janë në një koalicion, por edhe se votat e LSI vendosin për emrin e kryetarit të ri të bashkisë së Tiranës. Gjithnjë nëse PD-ja ruan votat e saja historike në Tiranë.

Nga ana e tij Erion Veliaj duhet pranuar se ka vota me shumë se vetë PS-ja, sidomos nga brezi i ri, çka e bën rival pothuaj fitues. Megjithatë akoma është herët për të parashikuar, sepse do jenë vendimtare votat e qytetarëve në raport me inatet dhe pakënaqësitë ndaj kryeministrit e qeverisjes qendrore, vota këto të cilat nga vendore kthehen direkt në vota politike. Erion Veliaj punon, kjo mbetet e padiskutuar, por qeverisja qendrore mund ti jap kosto. Nuk dihet akoma nëse kostoja e qeverisjes qendrore do të jetë më e madhe se rritja e votave të opozitës, pasi nëse është kështu Erion Veliaj rrezikon shumë.

Opozita e ka pikësynim Tiranën, jo vetëm si pushtet vendor, por për goditur kryeministrin dhe PS-në mu në zemër të “perandorisë” së saj. Ndaj përzgjedhja e kandidatit apo kandidates do jetë një proces i shumëdiskutuar dhe publik nga opozita. Flitet edhe për një kandidat shumë të fortë nga shoqëria civile, por akoma mbetet te hipotezat. Strategjia e opozitës do të jetë që nëse merr Tiranën, pasi Durrësin e llogarisin të fituar prej kohëve të Vangjush Dakos, mënjëherë do fillojnë demonstrata për rrëzimin e kryeministrit dhe zgjedhje të parakohshme.

Kjo strategji quhet si plani B, pasi plani A për opozitën është që këtë vjeshtë ta rrëzojnë Edi Ramën. Por kjo duket paksa e vështirë, sepse kërkon vendimmarrje të fortë opozitare, pasi do kërkojë përplasje njerëzore, sidomos te Godina e Teatrit Kombëtar.

Në këtë rast çështja Teatri do të jetë edhe një test për Erion Veliaj, sepse angazhimi i tepërt i tij, pas kthimit nga presidenti Meta i ligjit në fjalë, mund ti shkaktojë kosto elektorale, personale. Personale themi, pasi ajo ishte dhe mbetet interes direkt i kryeministrit Rama. Edhe vetë opozita ka akuzuar direkt kryeministrin se do të fitojë 200 milionë euro nga ndërtimi i kullave në tokën e Godinës së Teatrit.

Mëgjithatë lëmshi ka filluar të zgjidhet në Tiranë ku duket Erion Veliaj do jetë përballë një femre, edhe simpatike, ose një pjestari zjarr nga shoqëria civile.

Përballja në Tiranë, për Bashkinë, do jetë epokale, tamam si “beteja e Stalingradit””, shkruan ai.

Nikoll Lesi: Përballja në Tiranë për Bashkinë do jetë epokale, si “beteja e Stalingradit”. Durrësin opozita e ka të marrë Read More »

Nard Ndoka është i sigurtë: Përballja me Erion Velinë do të jetë e kollajtë, ja 3 kandidatë të fortë

Nard Ndoka kreu i PDK-së, i kërkon liderit të opozitë s Lulzim Basha që t’i garantojë qytetarët që po largojmë një qeveri të korruptuar, të gjunjëzuar përpara krimit dhe po vjen një ekip, që ofron zgjidhje, garanton shpresë dhe besim për të ardhmen e tyre.

Ndoka beson se bashkëpunimi me LSI-në ka rezultuar efikas dhe pozitiv, duke e paraqitur opozitën e bashkuar si një institucion programor, sipas tij përballë qeverisë së ‘tepsisë dhe kazanit’.
Por aleati i Bashës zbulon për “Gazeta Shqiptare” tri kandidaturat e forta të opozitës në garën për kryebashkiakun e ri të Tiranës përballë Erjon Veliaj.

Nard Ndoka vlerëson se Jorida Tabaku është personazh në rritje në politiken shqiptare dhe se ka personalitet, dinjitet, eksperience dhe lidhje të forta me kryeqytetin.

“Opozita ka mjaft emra dinjitozë për Tiranën: Klajda Gjosha, kandidate potenciale dhe politikane karriere, Dashamir Shehi, politikan popullor, manaxher brilant, i dashur dhe babaxhan për tiranasit, mediatik dhe karizmatik”- shprehet Ndoka.

Ai është i sigurt se përballja në Tiranë nuk do të jetë e vështirë pasi sipas Ndokës, “demagogjia e Veliajt, konsumi moral dhe menaxherial, ndëshkimi për keqqeverisjen lokale e qendrore, e bëjnë të lehtë fitoren e kandidatit të opozitës së bashkuar”.

Z.Ndoka, opozita po përgatitet për aksionin e ri politik kundër qeverisë ‘Rama’ por sipas jush cila do të ishte rruga më e efikase që të çon drejt rrëzimit të Edi Ramës nga pushteti?
Aksioni politik i opozitës duhet t’i paraprijë lëvizjes dhe shqetësimit qytetarë në rritje. Nuk është qëllim në vetvete pushteti; por standardet, zbatimi i ligjit, korrupsioni, droga, grupet kriminale, pasiguria, papunësia, varfëria dhe shumë e shumë probleme të tjera sociale, që shqetësojnë sot çdo familje dhe qytetarë shqiptarë. Opozita duhet të jetë impulsive, e fortë, e vendosur; duke u organizuar si alternativë qeverisëse dhe si garanci për të ardhmen. Protesta është rruga fundore, por kërkohet një opozitë frontale në Kuvend, në takime me grupet e interesit dhe qytetarët, në çdo fshat e qytet, duke ngritur ndjeshmërinë , përgjegjësinë qytetare dhe politike për t’i dalë zot vendit. Çdo njeri sot, mendon si të largojmë Ramën nga pushteti, ndaj është detyra e opozitës që të gjejë rrugët për ta realizuar sa më parë.

Një opsion është edhe bojkoti i Kuvendit apo djegia e mandateve…?
Opozita ka shumë mundësi dhe rrugë për t’u ringritur si alternativë; lënia e mandateve është pika kulmore, ku duhet të ndahemi përfundimisht nga mundësitë e bashkëpunimit institucionaleme mazhorancën.

Po me PD-në ku ndaheni dhe bashkoheni në betejën për rrëzimin e qeverisë?
Nuk ka diferenca në qëndrimet mes opozitës, dikush kërkon rrugë më të shkurta, dikush tjetër kërkon marrjen e përgjegjësive; për dje, sot dhe për nesër. Opozita dhe Z.Basha duhet t’i garantojë qytetarët që po largojmë një qeveri të korruptuar, të gjunjëzuar përpara krimit dhe po vjen një ekip, që ofron zgjidhje, garanton shpresë dhe besim për çdo qytetar.

Sipas jush bashkëpunimi me LSI po e ndihmon apo po e dëmton PD? Ju jeni për një koalicion të përbashkët PD-LSI për zgjedhjet e ardhshme lokale?
Bashkëpunimi me LSI-në ka rezultuar efikas dhe pozitiv, duke e paraqitur opozitën e bashkuar si një institucion programor, përballë qeverisë së tepsisë dhe kazanit. Forcimi i bashkëpunimit, axhenda e përbashkët, programi minimal dhe strategjitë për të ardhmen duhet të jenë kryefjala për më tej. Opozita e Bashkuar po tregon përngjashmëri dhe përgjegjësi për të ardhmen e vendit; debati, idetë, alternativat, vendimmarrja e përbashkët janë pikat e forta të Z.Basha në raport me aleatët dhe qytetarët. Opozita është plurale në përbërje, me ide dhe alternativa programore konkurruese, duke rritur në maksimum mbështetjen popullore dhe besimin për qeverisje më të mirë nesër.

Here pas here ju bëni ironi me kryeministrin, duke i vendosur epitete te ndryshme, por edhe duke i dhënë “këshilla” nganjëherë. Çfarë ju shtyn të ironizoni kaq shumë?
Kryeministri ka zgjedhur një rol qesharak në drejtimin e shtetit, ai po tallet me qytetarët shqiptarë. Ka pesë vite që merret me opozitën, nuk qeveris, nuk ka projekte konkrete, por vetëm demagogji pa fund. Është në luftë me akademikët, me artistët, me sportin, me studentët, me biznesin, me qytetarët e thjeshtë dhe me çdo njeri që ka kurajën ta kritikojë. Në këto rrethana një personazhi të tillë të papërgjegjshëm, vetëm ironia dhe sarkazma mund t’i përgjigjen stilit dhe sjelljes së tij. Ai e ka kthyer politikën dhe qeverisjen në një gropë balte, ku derrat kacafyten duke ngrënë njëri-tjetrin. Unë jam përpjekur që mos të futem në terrenin e tij me baltë. Nëse futesh aty, përbaltosesh njësoj si kryeministri Rama. Edi Rama ka ndërtuar një shtet “ligjor” dordolecash, në qendër ka vendosur vetën për të trembur të tjerët; drejtuesit e institucioneve, nëpunësit, qytetarët dhe këdo tjetër. Promovon në teori shtetin ligjor; me ligje, vendime e udhëzime, por në praktikë; vendos një dordolec në krye për të frikësuar të tjerët dhe asgjë më shumë. Koha e tij ka mbaruar.

Kritik dhe përballë të gjithëve, madje edhe me familjen tuaj politike, tuaj a është e gabueshme opozita?
Unë jam natyrë opozitari i përjetshëm, kritikoj çdo fenomen që gjykoj që dëmton sistemin dhe institucionet. Jam një zë oponent edhe brenda opozitës. “Furçat e lëpirjet” nuk janë arma ime politike, as nuk do jenë kurrë. Opozita ka gabimet e veta; në organizim, në çështje parimore, programore dhe ndjehet mungese besimi herë pas here. Janë tema debati në takimet tona opozitare dhe shumica e këtyre problemeve po marrin jetë, po provojmë dhe tentojmë mënyra dhe hapësira të ndryshme. Kur pranon gabimet dhe mendon dhe vendos për të ardhmen çdo gjë tjetër arrihet. Lulzim Basha është një lider, që të krijon mundë si dhe hapësire, për t’i thënë gjerat, por edhe reagon shpejt duke treguar, që ka formatin dhe garancitë institucionale, morale, politike dhe mendësi tipike europiane. Unë kam besim, se është momenti i opozitës dhe roli i liderit ka një rëndësi vendimtare për të gjithë.

Kjo është arsye që para disa ditësh, kur z.Berisha bëri thirrje për rrëzimin e qeverisë në shtator, ju shkruanit në’Fb’ : ‘Na prij Lulzim Basha…”?
Ishte një revoltë e brendshme. Besoj se ka ardhur koha që z.Basha duhet të dalë mbi të tjerët në vendimmarrje të aksionit opozitar. Ai ka përgjegjësinë, detyrimin kushtetues, politik dhe qytetar për të ndarë momentin kur Opozita duhet të ndahet nga pritja e reflektimit të një mazhorance normale. Megjithatë z.Basha vazhdon të kritikohet nga kundërshtarët e tij brenda partisë, ndërkohë që për kritikët e tij jeni shprehur se alternativa e vetme për ta ishte “rroftë Berisha”. Është disi vështirë të besosh se është mbyllur epoka “Berisha” në PD… Epoka ‘Berisha’ nuk është mbyllur në aspektin e vazhdimësisë dhe qëndresës, por unë kam cituar; se ata nuk kishin mendim ndryshe në atë parti asnjë herë. Kur Berisha u tërhoq nga drejtimi, automatikisht edhe bashkë punëtorët e tij, duhet të bënin një hap prapa. Koha duhet t’i lartësonte apo harronte në varësi të përkushtimit të tyre dhe lidhjes me bazë n. Unë nuk kam gjykuar asnjë herë se ato duhet të largohen, përkundrazi shumë prej tyre kanë histori suksesi që kanë bërë edhe emër të mirë. Apo si rasti i Patozit që nuk ka patur asnjë herë funksione ekzekutive. Ata krijuan një hendek mes lidershipit dhe bazës së tyre, kjo nuk do të thotë, se shumë prej tyre i duhen akoma opozitës me idetë dhe eksperiencën e tyre. Është përgjegjësi e Bashës për t’i afruar dhe e tyre për të kuptuar drejt realitetin e ri. Berisha është një busull reale për to, model i një lideri, që qëndron dhe kërkohet nga baza, por që di të ruajë pozicionin e artë politik që e shoqëron.

Sa besues jeni se Lulzim Basha do t’i shkurtoje mandatin Edi Ramës?
Lulzim Basha i dha një mundësi reale Edi Ramës, që të hynte në histori, si një politikan modern; që di të nënshkruajë marrëveshje historike për vendin. Lulzim Basha e ngriti veten e tij në lartësinë e përgjegjësinë e liderit ndaj vendit. I dha mundësinë vendit dhe Ramës të futej në shina institucionale e kushtetuese. Shmangu përplasjet politike dhe popullore, fitoi simpatinë e atyre që e ndjekin politikën shqiptare, humbi zgjedhjet, por fitoi besim dhe siguri tek të tjerët; se nuk është një politikan që kërkon pushtet, por përgjegjësi dhe rregulla. Rama, përmbysi gjithçka për tepsinë e tij, vodhi zgjedhjet, tradhtoi opozitën, përjashtoi dhe shkeli me këmbë aleatët. Sot ai po vuan agonin e tij. Ndaj sot Basha, nuk ka mundësi që të besojë te Rama dhe axhenda e tij. E vetmja mundësi është ndarja përfundimtare duke vendosur dhe diktuar rregullat e lojës.

Nëse vendi shkon drejt zgjedhjeve të parakohshme, a është e gatshme opozita t’i fitojë ato? A e ka Lulzim Basha besimin dhe garancinë e aleatë ve për të kryesuar nesër qeverinë e re?
Ne flasim sikur opozita është një lëvizje e krijuar dje; ne kemi potenciale dhe eksperienca qeverisëse aq shumë, sa për të ndërtuar tre-katër ekipe qeverisëse. Basha ka drejtuar dy tre ministri të rëndësishme që mbajnë firmën e tij për ngjarje të rëndësishme kombëtare, ndaj ka garancitë dhe besimin e aleatëve, por edhe të qytetarëve, që është kryeministri i duhur për të drejtuar vendin.

Si e shikoni apelin e ndërkombëtarëve drejtuar opozi tës për bashkëpunim me qeverinë me qëllim përmbushjen e reformave integruese, konkretisht atë të drejtësisë?
Opozita ka dhënë kontributin maksimal për reformat dhe do të vazhdojë ta japë atë. Është mazhoranca, ajo që ka përmbysur konsensusin politik dhe ka shembur totalisht garancitë ligjore dhe kushtetuese, duke e kthyer vetingun në një farsë dhe tendencë monopoli. Mazhoranca duhet të zmbrapset nga aventura e saj, duke ofruar realisht kompromis dhe garanci për institucionet përfshi edhe opozitën, si garant të sistemit.

Ambasadori amerikan Donald Lu ikën nga Shqipëria pa futur dot në ‘rrjetë peshqit e mëdhenj” ndërkohë që opozita jo rrallë u përplas me të duke e akuzuar shpesh për bashkëpunim me Edi Ramën. Sipas jush për cilat arsye?
Ambasadori Lu e ktheu në kauzë personale reformën në drejtësi, duke parë një kryeministër të paaftë dhe të gjunjëzuar në mëkatet e tij, ai me gjasa ishte produkt diplomatik i “Soros” dhe kishte marrë udhëzime që drejtësia të mbetej nën kontrollin e tyre për më tej. Lu humbi betejën e kauzën, humbi besimin e opozitës dhe qytetarëve, por do humbë edhe Ramën e Soros. Lu mbetet një mësim për opozitën e politikën në tërësi. Ambasadorët vijnë dhe ikin, Shqipëria mbetet këtu me halle të shtuara shumë, të cilat kërkojnë zgjidhje pikë së pari nga ne të gjithë.

Vitin e ardhshëm zhvillohen zgjedhjet lokale ndërkohë që PS-ja po shkon drejt zyrtarizimit të Erion Veliaj për një mandat të dytë. Ndërkohë nga opozita flitet se më i mundshmi përballë tij është emri i Jorida Tabakut…
Jorida Tabaku është personazh në rritje në politikën shqiptare. Ka personalitet, dinjitet, eksperiencë dhe lidhje të forta me kryeqytetin. Opozita ka mjaft emra dinjitoz për Tiranën; Klajda Gjosha, kandidate potenciale dhe politikane karriere. Dashamir Shehi, politikan popullor, manaxher brilant, i dashur dhe babaxhan për tiranasit, mediatik dhe karizmatik. Nuk duhet ta mendojmë të vështirë përballjen e Tiranës; demagogjia e Veliajt, konsumi moral dhe menaxherial, ndëshkimi për keqqeverisjen lokale e qendrore, e bëjnë të lehtë fitoren e kandidatit tëopozitës së bashkuar.

Nard Ndoka është i sigurtë: Përballja me Erion Velinë do të jetë e kollajtë, ja 3 kandidatë të fortë Read More »