Politike

Kryemadhi: Unë fallxhorja Monikë e parashikoj kështu të ardhmen e Ramës

LSI është duke mbajtur Konventën Kombëtare sot, gjatë të cilës Kryemadhi ka folur me tone të ashpra duke bërë edhe disa parashikime si “doktoreshë dhe fallxhore”, siç e quan Rama.

Konventa kombëtare e LSI-së, mblidhet për herë të parë si shqiptarë të thjeshtë, pa mandat deputeti. LSI-në nuk e bëjnë njerëzit, e bën shpirti, dashuria që kemi ne për njëri-tjetrin“, tha Kryemadhi.

Nuk i munguan edhe batutat me atë që kryeministri Edi Rama e quan, doktoreshë shkencash dhe fallxhore. Fallxhore, pasi sipas kreut të qeverisë, ishte pikërisht Kryemadhi që duke thënë se ka lexuar filxhanin që një E bie (për Edi Ramën) dhe një L ngrihet (për Lulzim Bashën) e çoi opozitën në situatën e sotme jashtë Kuvendit dhe jashtë zgjedhjeve, në rrugë në protesta antiqeveritare.

“LSI është si doktori që do të shërojë të sëmurin e përhershëm, për të shëruar sëmundjen

kronike që Shqipëria ka 30 vjet në tranzicion që e kalon, edhe si doktoreshë edhe si fallxhore e parashikoj të ardhmen e Shqipërisë, të ndritur të begatë, pa Edi Ramën kryeministër”, tha Kryemadhi në fjalën e saj në Konventën Kombëtare të LSI-së.

“Jo t’i presim thonjtë, por t’i presim dorën oligarkëve të këtij krimi që ka futur dorën në xhepin e shqiptarëve. Ne duhet të ngremë një sistem që të presë cdo dorë që do të dojë ta bëjë këtë. Kjo bëhet edhe me vullnet politik, por tani duhet me ligje, e shkruar e zeza në të bardhë”, vijoi më tej Kryemadhi.

Kryetarja e LSI-së tha se e ashtuquajtura reforma në drejtësi sipas saj, është deformuar me qëllim nga një plan mafioz për të lënë drejtësinë pa Gjykatë të Lartë dhe Kushtetuese.

“Me qëllim kemi mbetur pa gjykata, të Lartë dhe Kushtetuese, që ligji për kadastrat mos të ketë ku të paditet, por të grabiten pronat e shqiptarëve. Që teatri të shkatërrohet dhe të vidhet prona publike. e shumë ligje të tjera që kanë kaluar”, tha ndër të tjera Kryemadhi.

Kryemadhi: Unë fallxhorja Monikë e parashikoj kështu të ardhmen e Ramës Read More »

Kryemadhi: T’i japim fund tranzicionit 30-vjeçar në Shqipëri

“Ka ardhur koha që t’i jepet fund tranzicionit të zgjatur 30-vjeçar në Shqipëri” deklaroi sot Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi.

LSI mblodhi sot në Tiranë Konventën Kombëtare, ku morën pjesë gjithë delegatët, përfaqësuesit politikë të LSI-së dhe simpatizantë të kësaj force politike.

“Konventa kombëtare e LSI-së, mblidhet për herë të parë si shqiptarë të thjeshtë, pa mandat deputeti.

LSI-në nuk e bëjnë njerëzit, e bën shpirti, dashuria që kemi ne për njëri-tjetrin”, tha Kryemadhi.

Kryetarja e LSI-së tha se reforma në drejtësi është deformuar me qëllim për të lënë drejtësinë pa Gjykatë të Lartë dhe Kushtetuese.

Ne besojmë, tha Kryemadhi, se “pa parti politike transparente jeta politike shqiptare nuk do të jetë transparente”.

“Si doktoreshë edhe si fallxhore e parashikoj të ardhmen e Shqipërisë, të ndritur të begatë, pa Edi Ramën kryeministër”, tha Kryemadhi në fjalën e saj në Konventën Kombëtare të LSI-së./atsh

Kryemadhi: T’i japim fund tranzicionit 30-vjeçar në Shqipëri Read More »

Basha: Beteja jonë për një demokraci gjithëpërfshirëse

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaroi sot nga Lezha se “beteja jonë është më shumë se elektorale, është një betejë për demokracinë shqiptare”.

PD, tha Basha, ka një program të qartë për të sjellë ndryshimet që i duhen Shqipërisë, për një demokraci gjithëpërfshirëse.

“Kemi një program të qartë ekonomik dhe social, që shqiptarët të mos vuajnë më për bukën e gojës. Rama nuk do Shqipërinë e zhvillimit, por të përjashtimit. Ai i do njerëzit të ikin jashtë vendit, jo të rrinë këtu”, tha Basha.

Sipas kreut të PD-së, “rinia po e braktis vendin, ndërsa edhe forca punëtore e mbetur është më pak e kualifikuar”.

“PD do të bëjë që të gjithë shqiptarët të jenë të përfshirë në demokraci, të gjithë të gëzojnë respektin dhe dinjitetin që iu takon”, tha Basha.

Ai vlerësoi po ashtu edhe anëtarësimin në PD të 150 anëtarëve të rinj në Lezhë. Kjo, tha ai, është një tjetër dëshmi e bashkimit të shqiptarëve me PD./atsh

Basha: Beteja jonë për një demokraci gjithëpërfshirëse Read More »

Kuvendi, më 8 maj miratohet projektligji i fundit i Reformës në Drejtësi

Projektligji i fundit i Reformës në Drejtësi, ai i “Shërbimit përmbarimor gjyqësor privat” pritet të miratohet në Kuvend seancën e ardhshme plenare.

Kështu deklaroi sot kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, në fillim të mbledhjes së grupit parlamentar.

Duke informuar mbi kalendarin e projektligjeve në Kuvend, Balla tha se “këtë javë është punë në komisione, por javën pasardhëse, në 8 maj do të zhvillohet seanca e radhës e Kuvendit”.

“Çështja më e rëndësishme është projektligji i fundit i reformës në drejtësi, ai i ‘Shërbimit përmbarimor gjyqësor privat’.

E kemi gati dhe në 9 maj, në Ditën e Europës, ne përmbyllim të gjitha aktet, ligjet dhe vendimet që kanë të bëjnë me Reformën në Drejtësi”, tha Balla. /atsh

Kuvendi, më 8 maj miratohet projektligji i fundit i Reformës në Drejtësi Read More »

Shehaj: Në Shqipëri janë mbyllur vende pune

Ish-deputeti i PD-së, Agron Shehaj deklaroi sot se në Shqipëri janë mbyllur vende pune dhe nuk janë krijuar vende të reja pune.

Ai shprehet se shifrat për vende të reja pune të publikuara nga kryeministri nuk mund të faktohen pasi nuk janë reale duke shtuar se shifrat bazohen në studime të huaja dhe në të dhëna që janë përgatitur nga qeveria e tij.

“Në gjashtë vite të qeverisë Rama në Shqipëri ku nuk ka patur asnjë investim të ri të huaj, ndërsa qindra investitorë të huaj janë larguar nga vendi; nuk ka patur asnjë investim të brendshëm prodhues; nuk ka patur asnjë përmirësim teknologjik; nuk ka patur rritje të pagave reale”, deklaron Shehaj.

Ai shton se një ekonomi e tillë nuk prodhon as punë, as zhvillim. “Ndaj nga Shqipëria po largohen në masë të rinj e të vjetër në kërkim të punës, po largohen madje edhe mjekët, inxhinierët dhe specialistët duke i dhënë të ardhmes së vendit një goditje të rëndë”, shprehet ish-deputeti i PD-së./atsh

Shehaj: Në Shqipëri janë mbyllur vende pune Read More »

Patozi: Gara jonë në 30 qershor përballë kandidatëve të PS-së

“Partia Bindja Demokratike do të marrë pjesë në zgjedhjet e 30 qershorit, duke u përballur me të gjithë kandidatët e Partisë Socialiste, pa dallim”, – deklaroi sot kryetari i kësaj force politike, Astrit Patozi.

Përmes një deklarate për shtyp, Patozi shpalli objektivin e Partisë Bindja Demokratike për zgjedhjet e 30 qershorit.

“Ne kërkojmë mbështetjen e çdo qytetari që mendon se Shqipëria po qeveriset keq. Bindja Demokratike ka si orientimin e vetë kryesor që në këto zgjedhje të prezantohet me kandidatët e saj. Do të pranohen të gjithë kandidatët e djathtë, kandidatët e pavarur dhe ish-kryetarët e bashkive të djathta”, – tha Patozi.

Patozi tha se “nëse vendimi i kandidatëve të pavarur për të garuar në zgjedhjet e 30 qershorit përputhet me vizionin tonë, ne do t’i mbështesim ata pa dallim, duke mos kandiduar në bashkitë që ka kandidatë të pavarur”.

Arsyeja e vetme, tha Patozi, është qëllimi i fitores sonë ndaj çdo përfaqësuesi të Partisë Socialiste.

“Ne do të mbështesim pa mëdyshje edhe kandidatë nga ish-kryetarë bashkish të djathta. Gara jonë është me kandidatët e Rilindjes së Edi Ramës”, – tha Patozi. /atsh

Patozi: Gara jonë në 30 qershor përballë kandidatëve të PS-së Read More »

Rama i përgjigjet Haradinajt: E vërteta ime me shumë dëshmitarë

“Askush s’i ka bërë Ramushit presion në Berlin për të hequr taksën”, deklaroi sot Kryeministri Edi Rama.

Kryeministri Edi Rama reagoi sot pas deklaratave të Kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj për diskutimet në Samitin e Berlinit.

“Si rregull udhëheqësit nuk i komentojnë në publik bisedat mes tyre, e sidomos ato informale, aq më tepër pa rënë dakord paraprakisht dhe lëre pastaj t’i shtrembërojnë, duke gënjyer për të dalë “burra të mirë” para popullit të tyre, si të ishin duke shitur mish në pazar. Më vjen sinqerisht keq që miku im Ramush, nuk e ka mësuar ende këtë rregull kaq të thjeshtë, megjithëse normalisht ky s’është as ndonjë rregull udhëheqësish në fakt, po një normë elementare mirëkuptimi njerëzor. Nuk është hera e parë që e bën, po është hera më e gabuar dhe prandaj këtë herë, s’e kaloj dot në heshtje si të tjera”, u shpreh Rama.

Kryeministri tha se “askush s’i ka bërë Ramushit presion në Berlin për të hequr taksën. Unë jo e jo. Madje askush as ia ka kërkuar hiç që ta heqë taksën! Unë jo e jo. Përkundrazi”, tha ai.

Kancelarja Merkel dhe Presidenti Macron, sipas Ramës, kanë nxitur një diskutim informal në holl mbi rifillimin e dialogut. “Kam ndërhyrë vetëm një herë, duke thënë se ata duhet të hynin vetë në proces. Më tutje i kanë kërkuar me shumë durim dhe disa herë Ramushit jo ta heqë taksën, po thjesht të japë pëlqimin që taksa të pezullohet përkohësisht, për 6 muaj apo edhe për 4 muaj qoftë, duke u zotuar që të hyjnë në procesin e dialogut Kosovë-Serbi ata vetë. Edhe të dy personalisht, kancelarja dhe presidenti!”, tha Rama.

Kryeministri informoi se i ka sugjeruar Ramushit në dy momente ta pranojë këtë kërkesë të tyre, sepse ka menduar dhe mendon që përfshirja direkte në nivelin më të lartë e Gjermanisë dhe Francës, boshtit të Bashkimit Europian, u shfaq si një mundësi e re dhe shumë e favorshme për ta shtruar çështjen e finalizimit të dialogut, në nivelin më të lartë të mundshëm.

“E kam mbështetur dhe e mbështes edhe sot taksën si një “klithëm” të Kosovës, që ta dëgjojë bota dhe si të tillë edhe e kam mbrojtur, kudo e me këdo. Po unë di që ajo është një taksë që i është vënë Serbisë, jo një mur që i është vënë Gjermanisë, Francës apo SHBA, për t’i ndaluar ta ndihmojnë e ta mbështesin Kosovën, në rrugën e përpjekjes së mundimshme historike drejt njohjes përfundimtare nga gjithë bota. Dhe kur këta aleatë të mëdhenj dhe të pazëvendësueshëm dot nga askush e askurrë (pa të cilët jo Ramushin, po as Kosovën dhe të drejtën e saj njëqind vjet të mohuar s’do ta njihte kurrëkush ende sot), kërkojnë thjesht pezullimin e përkohshëm të taksës, në mënyrë që të mund ta ndihmojnë e ta mbështesin Kosovën drejt njohjes së saj të plotë ndërkombëtarisht, refuzimi është i pakonceptueshëm për mua”, shtoi ai.

Shtoj këtu, vijoi Rama, se më ka mbetur gozhdë fakti që miqtë e mëdhenj, hasën në një refuzim të pashpjegueshëm edhe kur propozuan që përkundër pezullimit të përkohshëm të taksës, nëse në fund të muajve të dialogut nuk do të arrihej objektivi final i nënshkrimit të paqes, atëherë do t’i hapej përfundimisht rrugë liberalizimit të vizave për Kosovën(!).

“Gjithësesi, meqë Ramushi u qa publikisht se unë i paskësha bërë më shumë presion se sa Vuçiçi për heqjen e taksës, mua s’më mbetet tjetër veçse të ngushëllohem me faktin që pas samitit edhe Vuçiçi, u shpreh publikisht ndaj meje po aq i palumtur sa Ramushi”, u shpreh Kryeministri Rama.

“S’kam dashur dhe s’dua të hyj asnjëherë në polemika publike me askënd në Kosovë, aq më pak me kryeministrin e Kosovës. Uroj që të mos jem i detyruar ta bëj përsëri. Ai ka të drejtën e tij të flasë në emër të Kosovës, po mua s’ma heq dot askush të drejtën të flas për Kosovën”, tha Rama në përfundim./atsh

Rama i përgjigjet Haradinajt: E vërteta ime me shumë dëshmitarë Read More »

Integrimi në BE, Balla: Mirënjohje Kancelares Merkel për vëmendjen e veçantë dhe mbështetjen që i ka dhënë Shqipërisë

Kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla shpreh mirënjohje Gjermanisë dhe Kancelares Anxhela Merkel për vëmendjen e veçantë dhe mbështetjen që i ka dhënë Shqipërisë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor në rrugën e anëtarësimit në BE.

“Mbështetja gjermane për Shqipërinë, e përllogaritur prej vitit 1988 kur rivendosëm marrëdhëniet diplomatike dhe ekonomike, shkon gjithsej në më shumë se 1 miliard euro, duke e vendosur Gjermaninë si donatori më i rëndësishëm për Shqipërinë”, deklaron Balla.

Ai vë në dukje se “në 30 vite, Gjermania ka mbështetur një numër shumë të madh projektesh në sektorë të shumtë e të ndryshëm, duke arritur suksese të konsiderueshme për zhvillimin e Shqipërisë.

Kushtet e jetesës së popullit shqiptar janë përmirësuar dukshëm, ndër të tjera edhe falë këtij bashkëpunimi të shkëlqyer, duke kontribuar që Shqipëria të afrohet më shumë me Bashkimin Europian”.

Balla shton më tej se “rreth 1 milionë banorë në zonat urbane të Shqipërisë konsumojnë tashmë ujë të pastër dhe më cilësor, falë investimeve të Bashkëpunimi Gjerman në sektorin e ujit që kapin shifrën e 392 milionë eurove. Ndërsa 332 milionë Euro të tjera janë investuar në energji dhe për eficencën e energjisë.

Ndërtimi i linjës së interkonjeksionit me Malin e Zi i dha fund ndërprerjeve të energjisë në vend. Kurse rindërtimi i godinës së Qytetit Studenti nr. 2 në Tiranë sipas parimit të eficencës së energjisë ka përmirësuar kushtet e jetesës për 1.200 studentë”.

Në sektorin e Zhvillimit Ekonomik, thekson Balla, prej 1988-s janë investuar 171.6 milionë Euro. Mbi 7.200 fermerë janë mbështetur me grante, kredi dhe garanci krediti; 10.000 të rinjve u është ofruar Arsim Profesional dhe trajnime ndërsa rreth 200.600 biznese përballen me më pak procedura burokratike.

Më tej, Balla shton se për mjedisin, konkretisht për sektorët e ruajtjes së biodiversitetit dhe menaxhimit të mbetjeve, Bashkëpunimi Gjerman ka investuar rreth 47.9 milionë euro si dhe është aktive në mbrojtjen e klimës. Një tjetër fushë është ajo e konsulencës mbi mundësitë ligjore të emigrimit drejt Gjermanisë si dhe të mbështetjes së integrimit të personave të rikthyer.

“Në gjashtë vitet e fundit marrëdhëniet kanë hyrë në një fazë të re edhe më intensive bashkëpunimi qoftë në planin politik, qoftë ekonomik. Ka një rritje të konsiderueshme të prezencës së kompanive private gjermane, trend i cili duhet të përforcohet edhe më shumë. Javën e shkuar mori udhë ndërtimi i një prej hoteleve me pesë yje në Shqipëri, investim i Grupit bavarez Lindner me brandin prestigjoz MK Hotel”, përfundon kreu I grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla. /atsh

Integrimi në BE, Balla: Mirënjohje Kancelares Merkel për vëmendjen e veçantë dhe mbështetjen që i ka dhënë Shqipërisë Read More »