Politike

Haradinaj niset sot drejt Hagës

Kryeministri i dorëhequr i Kosovës, Ramush Haradinaj, sot do të niset për në Hagë ku do të intervistohet si i dyshuar nga Dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale.

Edhe pse nuk ka një aktakuzë të ngritur ndaj tij, Haradinaj zgjodhi të japë dorëheqjen nga posti i kryeministrit, pasi sipas tij, dëshironte të paraqitej në Hagë si qytetar dhe jo si kryetar i qeverisë së vendit.

Përveç Haradinajt, për arsye të njëjta, drejt Hagës do të udhëtojnë edhe ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi dhe ish-shefi i Shtabit të UÇK-së Bislim Zyrapi dhe disa eprorë tjerë të UÇK-së./atsh

Haradinaj niset sot drejt Hagës Read More »

Haradinaj falenderon ata që po e përkrahin

Kryeministri në largim, Ramush Haradinaj falenderoi të gjithë ata që e kanë përkrahur këto ditë, pas dorëheqjes nga posti i kryeministrit dhe ftesës për intervistim nga Gjykata Speciale.

Ai tha se asnjëherë nuk është ndjerë vetëm.

“Faleminderit të gjithëve. Jeni shumë që më përkrahët këto ditë. Nuk jam ndier vetëm asnjëherë. Tregun për njohje, e jo ndarjen e Kosovës e as Dodik Republikë në Kosovë”, tha ai./KosovaPress/

Haradinaj falenderon ata që po e përkrahin Read More »

Ramush Haradinaj jep dorëheqjen

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj dha sot dorëheqjen e parevokueshme nga detyra. Haradinaj mblodhi sot anëtarët e kabinetit qeveritar dhe paraqiti dorëheqjen e tij, me arsyen se sipas tij, ka marrë thirrje nga Gjykata Speciale në Hagë si i dyshuar.

“Jap dorëheqje të parevokueshme nga detyra e kryeministrit të Republikës së Kosovës dhe dua t’iu falënderoj për besimin dhe për përkrahjen. Arsyeja e këtij vendimi është se kam marr thirrje të paraqitem për t’u marrë në pyetje nga dhomat e specializuara në Hagë si i dyshuar”, tha Haradinaj.

“Qeveritë dhe pushtetet janë të ndërrueshme. Jetojmë në demokraci, nderi i kryeministrit dhe i shtetit duhet të ruhet dhe unë nuk e poshtëroj asnjëherë. Në Hagë shkoj si Ramush Haradinaj, iu dal përballë shpifësve ashtu siç e kërkon nderi i luftëtarit shqiptar. Pastërtia ime edhe e luftës së UÇK-së është e konfirmuar nga dy aktgjykime nuk mund të njolloset nga askush dhe asnjë herë. Shteti im është Kosova, Kosova e paprekshme me një multietnicitet, me shumëgjuhësi, me territor e kufij, Kosovës i bëhet presion i padrejtë për çmimin e njohjes nga Serbia, ndarja apo Dodik Republika”, tha Haradinaj.

Kjo është hera e dytë që Ramush Haradinaj jep dorëheqje nga pozita e kryeministrit si i dyshuar për krime lufte. Në vitin 2005 ai dha dorëheqjen nga pozita e kryeministrit pasi i ishte ngritur aktakuzë për krime lufte nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës. /atsh

Ramush Haradinaj jep dorëheqjen Read More »

Gjykata e Vlorës i njeh mandatin e kryebashkiakut të Himarës, Jorgo Goro

Gjykata e Vlorës i ka njohur mandatin kryebashkiakut të Himarës Jorgo Goro, i cili zgjidhet për herë të tretë.

Vendimi u dha nga gjyqtari Skender Haluca, i cili mban dhe postin e kryetarit të Gjykatës së Vlorës.

Jorgo Goro kandidonte si përfaqësues i Partisë Socialiste dhe i Aleancës për Shqipërinë Europiane në zgjedhjet e 30 qershorit, nga ku mundi të siguronte 4209 vota./atsh

Gjykata e Vlorës i njeh mandatin e kryebashkiakut të Himarës, Jorgo Goro Read More »

Patozi-Bashës: Ndaje mendjen si jurist që je, mos njih vetëm vendimet e institucioneve që të pëlqejnë

Kryetari i “Bindjes Demokratike”, sfidoi sot Lulzim Bashën të ndajë mendjen dhe të njohë të gjitha vendimet e institucioneve, dhe jo vetëm të atyre që i pëlqejnë. Patozi iu referua përshëndetjes nga ana e Bashës të vendimit të Gjykatës së Durrësit për të mos dhënë mandatin për kryebashkiaken e re të dalë nga zgjedhjet e 30 qershorit.

“Eh, mor jurist, që nuk e tregon diplomën, megjithëse ta kanë bërë çështje prej shumë kohësh shkollimin tënd në Holandë! Qenke gëzuar për një vendim gjykate në Durrës, ndërkohë që po të kishe formimin elementar për atë, që pretendon se je arsimuar, duhet t’i njohësh të gjitha vendimet e institucioneve, jo vetëm ato që të pëlqejnë ty”, tha Patozi.

Ai solli një anekdotë me qershitë, për dikë që i ndante në të bëra pis ose jo. Dhe në fund i hëngri të gjitha, ngaqë i dukeshin të pastra edhe ato që kishin ngelur të fundit.

“Sepse ka dhjetëra vendime të tjera gjykatash të cilat ti nuk i pranon, se nuk të interesojnë”, tha Patozi.

“Por unë ta njoh hallin dhe nuk të vë shumë faj. Ti thjesht po shtyn ditët e tua, derisa të dalë një gjë tjetër e të harrohet fakti që i fale kundërshtarit 61 bashkitë pa betejë, kur u the njerëzve që zgjedhje vendore pa ty në Shqipëri nuk do të ketë”, theksoi kreu i “Bindjes Demokratike”.

“E nise këtë punë me gënjeshtrën që Bindja Demokratike mori pjesë në procesin e 30 qershorit për të legjitimuar fitoren e Edi Ramës. Tani e paske ndërruar pllakën e gramafonit dhe po thua që ne ishim në këto zgjedhje për të delegjitimuar procesin. Ka një shprehje të Shqipërisë së Mesme, që të shkon shumë në këtë rast: “O fol e mba, o dh.. e ha”, përfundoi Patozi. /atsh

Patozi-Bashës: Ndaje mendjen si jurist që je, mos njih vetëm vendimet e institucioneve që të pëlqejnë Read More »

Rama: “Gati për tryezë dialogu për sfidat e vendit dhe reformën zgjedhore, nuk njoh asnjë 13 tetor”

Ne jemi absolutisht të disponueshëm për t’u ulur në tryezë me të gjithë, pa asnjë përjashtim dhe paragjykim dhe për të diskutuar për sfidat e vendit dhe atë që është e rëndësishme të adresohet në funksion të rregullave të lojës, reformës zgjedhore”, deklaroi sot Kryeministri Edi Rama.

Në një prononcim për mediet pas mbledhjes së kryesisë së PS-së, Rama tha se “sa i takon Kushtetutës, ligjshmërisë dhe mandatit tonë qeverisës, këto nuk janë çështje që ne i kemi për diskutim për askënd tjetër, sepse lidhen me detyrimet tona”.

“Ne jemi një shumicë qeverisëse që kemi detyrë të forcojmë kulturën e ligjit dhe kemi detyrimin të mbajmë me nder dhe dinjitet një mandat që na është dhënë për të qeverisur deri në 2021”, tha Rama.

Interesit të gazetarëve lidhur me dekretin e presidentit për mbajtjen e 3 palë zgjedhjeve në 13 tetor, Rama deklaroi se “nuk njoh asnjë 13 tetor, është një e diel si të gjitha të dielat që kemi para”, duke shtuar se “zgjedhjet janë bërë në 30 qershor”.

“Ne jemi shumë të angazhuar për të filluar mbarë procesin e qeverisjes vendore. Kemi ngritur edhe 3 këshillat drejtues; në rajonin verior do të jem unë, në rajonin e mesëm Sekretari i Përgjithshëm i PS-së dhe në rajonin jugor Kryetari i Kuvendi. Ky është fokusi ynë. Ne kemi sfidën me problemet e vendit dhe të njerëzve, jo me problemet e brendshme të opozitës jashtëparlamentare apo të presidencës. 13 tetori për mua është njësoj si 12 tetori, 14 tetori etj. Nuk njoh asnjë 13 tetor. Është një e diel si të gjitha të dielat që kemi para”, tha Rama.

Kryeministri tha se “është shumë e rëndësishme të ngremë në një nivel të ri dialogun me të gjithë, me qytetarët, sipërmarrjen, me njerëzit e zakonshëm në çdo sektor, pavarësisht bindjeve dhe përkatësive të tyre politike”.

“Duhet të ngremë në një nivel të ri dialogun e brendshëm në parti që do të nisë shumë intensivisht edhe në funksion të zgjedhjeve në çdo organizatë; dialogun me opozitën parlamentare dhe atë jashtëparlamentare”, shtoi ai./atsh

Rama: “Gati për tryezë dialogu për sfidat e vendit dhe reformën zgjedhore, nuk njoh asnjë 13 tetor” Read More »

Opozita e gatshme të ndërmarrë çdo hap për t’u garantuar shqiptarëve të drejtën e votës

Opozita është e gatshme të ndërmarrë çdo hap për t’u garantuar shqiptarëve të drejtën e votës dhe, përmes zgjedhjeve të lira e të ndershme, për të garantuar një qeveri që buron nga njerëzit dhe u shërben njerëzve”, deklaroi sot Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Në një prononcim për shtyp, Basha tha se “kreu i shtetit mendon se 13 tetori është një mundësi për daljen nga kriza politike, përmes zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, zgjedhjeve lokale dhe siç është shprehur politikisht edhe përmes zgjedhjeve presidenciale që nënkupton ndryshimet kushtetuese”.

“Duke vlerësuar maksimalisht qëndrimin e presidentit dhe shqetësimin e tij, i kam bërë të qartë që PD dhe opozita e bashkuar janë në këtë betejë për njerëzit. Që zgjedhjet e ardhshme, ndryshe nga farsa e 30 qershorit duhet të jenë për njerëzit dhe jo për partitë”, tha Basha, duke informuar mbi takimin me Kreun e Shtetit.

Ndërsa për takimin me aleatët, Basha tha se është diskutuar për aksionin e mëtejshëm politik, që sipas kreut të PD-së do të jetë në disa rrafshe.

“Sot në takimin me opozitën kemi diskutuar për hapat e mëtejshëm që do të hidhen në aksionin tonë politik në të gjitha rrafshet në raport me njerëzit, në raport me faktorin ndërkombëtar dhe në raport me zgjidhjet që presin dhe do ti ofrojmë qytetarëve”.

“Kemi diskutuar gjerë e gjatë për emergjencën ekonomike ku ndodhet vendi. Sepse një nga mëkatet më të mëdha, një nga fajet më të mëdha të kësaj bande që na qeveris është se duke tërhequr opozitën në betejën parimore për vlerat themelore të lirisë dhe demokracisë, të luftës kundër krimit dhe drogës, ia ka dalë ti vërsulet Shqipërisë, buxhetit të saj, pasurive të saj, ta vjedhë dhe grabisë qytetarin e thjeshtë, pasuritë e këtij vendi dhe ta zhysë ekonominë në ditën e saj më të zezë në të paktën dy dekada. Ndaj bashkërisht kemi diskutuar për platformën tonë ekonomike, për zgjedhjet ekonomike që shqiptarët meritojnë dhe do të kenë me fitoren e opozitës së bashkuar, e cila tashmë jo vetëm përmes studimeve të opinionit publik, por edhe përmes referendumit të 30 qershorit është konfirmuar si maxhoranca e re politike”, tha ai./atsh

Opozita e gatshme të ndërmarrë çdo hap për t’u garantuar shqiptarëve të drejtën e votës Read More »