Politike

Kandidatja për kryeministre u premton prodhuesve subvencione dhe heqjen e akcizës së naftës

Kandidatja e Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryeministre, Vjosa Osmani u ka premtuar gjithë prodhuesve vendor se me marrjen e detyrës, do të ndërmarrë një seri masash për t’i larguar të gjitha pengesat që kanë aktualisht prodhuesit vendor që merren me bujqësi.

Sipas Osmanit, e rëndësishme është që të rritet subvencionet në bujqësi, të hiqet akciza në naftë dhe të merret disa masa tjera ligjore për t’iu lehtësuar punën këtyre bizneseve.

Këto premtime, kandidatja për kryeministre i bëri gjatë vizitës së sotme në një kompani qumështi në Fushë Kosovë.

Osmani tha për mediet se njëra prej temave të para që do të angazhohet është siguria në ushqim, teksa bëri thirrje që të konsumohet më shumë produktet vendore./KosovaPress/

Kandidatja për kryeministre u premton prodhuesve subvencione dhe heqjen e akcizës së naftës Read More »

Hajdari: Deri tani, kryetari i PD duhet të kishte dhënë 2 herë dorëheqjen

Deputetja e opozitës në Kuvend, Rudina Hajdari tha sot se “duhet një “shkollë politike” për kryetarët e partive kryesore mbi ndryshimin e sistemit, në mënyrë që të bien me këmbë në tokë”.

Sipas saj, marrëveshja nuk e shpëton dot këtë herë opozitën joparlamentare.

“Deri tani Kryetari i Partisë Demokratike duhet të kishte dhënë dorëheqjen 2 herë, dhe me këtë marrëveshjen tjetër që kërkon të bëjë me Ramën me anë të “Platformës Kombëtare” (pa realizuar asnjë objektiv deri tani) do jetë e treta e vërteta. Sepse demokratët nuk kanë ndërmend ta bëjnë Edi Ramën, të pavdekshëm”, theksoi ajo. /atsh

Hajdari: Deri tani, kryetari i PD duhet të kishte dhënë 2 herë dorëheqjen Read More »

15-vjetori i themelimit të LSI-së, Kryemadhi: Kauzat për të cilët u krijuam, ende reale

Lëvizja Socialiste për Integrim shënoi mbrëmjen e sotme 15-vjetorin e themelimit si forcë politike. Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi ka marrë fjalën në mbledhjen e Konventës Kombëtare të LSI, me rastin e 15-vjetorit të kësaj partie.

“Në këto 15 vite të rrugëtimit tonë politik, sfidat me të cilat jemi përballur kanë qenë të shumta e të jashtëzakonshme. Kauzat për të cilat u krijuam dhe kemi luftuar në këto 15 vite, janë akoma reale. Prandaj mbështetja për forcën tonë politike nuk ka shteruar asnjëherë nga njerëzit e thjeshtë, të cilët e duan Shqipërinë anëtare të denjë të Europës”, – tha ajo.

Kryemadhi gjatë fjalës së saj para anëtarëve u ndal edhe te plani ekonomik duke qenë në një linjë me PD-në për vendosjen e taksës së sheshtë dhe jo progresive./atsh

15-vjetori i themelimit të LSI-së, Kryemadhi: Kauzat për të cilët u krijuam, ende reale Read More »

Basha: U premtuan 300 mijë vende pune, por shqiptarët u përzunë

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaron se “Qeveria premtoi 300 mijë vende pune, por i përzuri nga Shqipëria më shumë se 300 mijë shqiptarë”.

Sipas Bashës, janë vjedhur, abuzuar dhe shpërdoruar miliarda euro në këto 6 vite duke shtuar se “të gjitha kanë përfunduar në xhepat e Edi Ramës dhe klientëve të tij ose janë shpërdoruar për tekat e tij në fasada dhe lluks”.

“Shqiptarët janë pa punë sepse ekonominë dhe mundësitë ekonomike i kanë marrë oligarkët dhe klientët e Edi Ramës. Që të hapim vende pune dhe mundësi për njerëzit, duhet të largojmë bandën e grabitqarëve”, përfundon Basha. /atsh

Basha: U premtuan 300 mijë vende pune, por shqiptarët u përzunë Read More »

Zgjedhjet e 30 qershorit, Cakaj: Raporti i OSBE/ODIHR-it konfirmon legjitimitetin e plotë të procesit

“Raporti i OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet e 30 qershorit ka konfirmuar legjitimitetin e plotë të procesit dhe ofruar një paketë të vlefshme rekomandimesh”, deklaroi sot ministri në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj.

Në një konferencë për shtyp ku analizoi gjetjet e raportit të OSBE/ODIHR-it, Cakaj tha se “tani është koha për dialog dhe bashkëpunim në funksion të Reformës Zgjedhore për zgjedhjet e vitit 2021”.

Duke cituar raportin e OSBE/ODIHR-it, Cakaj tha se “procesi ishte i rregullt në më shumë se 95% të vendit, ndërsa pjesa tjetër çështjet teknike ato që u vlerësuan negativisht”.

Zgjedhjet e 30 qershorit, sipas tij, vendosën një shembull të pakthyeshëm historik duke dëshmuar se qëndrueshmëria e institucioneve kombëtare është më e lartë se shuma e interesave partiake edhe kalon sjelljet e dhunshme dhe antiinstitucionale.

“Raporti i fundit i OSBE/ODIHR- i cilëson sjelljet e PD-së dhe LSI-së në raport me godinën e kryeministrisë si të dhunshme dhe sjelljet e tyre në përgjithësi si vandaliste. Në qershor Shqipëria ka pasur shumë më shumë se zgjedhje vendore, pasi është përballur me sfidën e rendit demokratik”, tha Cakaj.

Përveç dhunës vandaliste, opozita sipas tij, “ka edhe një program të mirëplanifikuar për të dëmtuar procesin e hapjes së negociatave në qershor dhe tani në tetor”.

Cakaj tha se “raporti i OSBE/ODIHR-it i vlerëson zgjedhjet e 30 qershorit si një proces i rregullt, demokratik dhe i njohur ndërkombëtarisht”.

Tani, tha ai, “kemi edhe një udhërrëfyes se si mund të rritet besueshmëria dhe cilësia e organizimit të zgjedhjeve”.

Cakaj tha se “gjatë këtyre ditëve është diskutuar mbi përmbajtjen e raportit dhe ka ekzistuar përpjekja për të keqpërdorur referencat e ndryshme ndërkombëtare para opinionit vendor”.

“PD dhe LSI janë të angazhuara në keqinformimin e faktorëve ndërkombëtarë, ndërsa tani kanë keqpërdorur referencat ndërkombëtare për konsum të brendshëm. Ky raport është më shumë kritik për opozitën se sa për procesin e zgjedhjeve vendore në veçanti”, tha ai.

Cakaj u shpreh se nevojitet rifillimi i një dialogu politik për të adresuar të gjitha shqetësimet e OSBE/ODIHR-it.

Duke u ndalur te disa prej gjetjeve kryesore të raportit, Cakaj tha se “vetë raporti sqaron se zgjedhjet janë zhvilluar pa konsideratë të mjaftueshme të interesave të elektoratit dhe mundësi të plotë të zgjedhjeve mes grupimeve politike, por ai shtoi se “kjo vjen nga bojkotimi i zgjedhjeve nga opozita dhe nuk do të thotë se zgjedhjet kanë qenë jolegjitime në tërësi”.

“Raporti sqaron se në Shqipëri për zgjedhjet vendore nuk ekziston një prag minimal i numrit të votave për të kualifikuar një kandidat legjitim”. Kuadri ligjor në Shqipëri mundëson pluralizmin dhe garën e lirë dhe përgjegjësi e qeverisë është të siguroj mundësinë e pjesëmarrjes në zgjedhje, por sipas ministrit, nuk mund të mbajë përgjegjësi për garantimin e pjesëmarrjes së opozitës në zgjedhje.

Raporti evidenton se klima gjatë fushatës ishte tepër e polarizuar dhe nuk i është kushtuar vëmendje programeve elektorale apo debateve dhe kjo, sipas Cakajt, “është rrjedhojë e natyrshme e një procesi atipik elektoral ku përgjegjësia u takon atyre që e kanë bojkotuar procesin”.

“Opozita në veçanti ka ushtruar presion madhor për mospjesëmarrje në zgjedhje. Kjo tregon se klima e zgjedhjeve ka qenë e ndikuar negativisht jo për shkak të veprimeve abuzive të qeverisë, por për shkak të një sjellje të caktuar politike që ne nuk e dëshirojmë”, tha Cakaj.

Përkundër kësaj sjellje, Cakaj tha se “askund në raport nuk konstatohet se zgjedhjet kanë qenë jolegjitime sepse opozita ka vendosur të mos marrë pjesë në to”.

Sa i takon dilemave juridike, Cakaj tha se “raporti nuk vjen në përfundimin se kjo është shkaktuar nga një ndërmarrje e njëanshme e qeverisë shqiptare, por rrethana e parë është mungesa e kuorumit në Gjykatën Kushtetuese që vjen si rrjedhojë e reformës së paprecedentë të reformës në drejtësi dhe e dyta zhdekretimi i zgjedhjeve dhe bojkotimi i tyre”.

Cakaj tha se “është koha për reflektim të sinqertë dhe marrje të përgjegjësive të secilit për gjetjet raportit”. “Nuk mund të jesh shkaktar i një problemi dhe të ankohesh se ekziston ai problem. Kjo është e papërgjegjshme”, tha Cakaj./atsh

Zgjedhjet e 30 qershorit, Cakaj: Raporti i OSBE/ODIHR-it konfirmon legjitimitetin e plotë të procesit Read More »

Balla: Raporti përfundimtar i ODIHR e thotë qartë, u siguruan zgjedhje demokratike

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka reaguar pas publikimit të raportit përfundimtar të OSBE/ODIHR për zgjedhjet e 30 qershorit.

Balla deklaron se raporti i ODIHR e thotë qartë se korniza ligjore për zgjedhjet siguroi në përgjithësi zgjedhje demokratike.

Sipas tij, zgjedhjet e 30 qershorit ishin një shprehje kuptimplotë e demokracisë, pasi iu garantuan të drejtën kushtetuese të gjithë shqiptarëve.

“Raporti përfundimtar i ODIHR për Zgjedhjet e 30 Qershorit e thotë qartë se korniza ligjore për zgjedhjet, ndonëse kryesisht e pandryshuar që prej zgjedhjeve të fundit, siguroi në përgjithësi zgjedhje demokratike. Tashmë të gjitha rekomandimet t’i adresojmë në Kodin Elektoral. Zgjedhjet e 30 qershorit ishin një shprehje kuptimplotë e demokracisë, duke u garantuar e drejta kushtetuese e çdo shqiptari për të votuar. Shqiptarët votuan të qetë, duke shprehur me votë vullnetin e tyre”, deklaron Balla./atsh

Balla: Raporti përfundimtar i ODIHR e thotë qartë, u siguruan zgjedhje demokratike Read More »

Meta: Mezi pres të kthehem tek Parlamenti

Presidenti Ilir Meta u shpreh sot se mezi pret të kthehet tek Parlamenti, duke deklaruar se do të paraqitet në komisionin parlamentar hetimor ndaj tij.

“Të dashur miqtë e mi gazetarë. Më ‘çmendët’ me sms tuaja, si asnjëherë tjetër! Po ç’është kjo pyetje kaq absurde që më bëni të gjithë: A do shkoj tek Parlamenti?! Unë mezi pres të kthehem tek Parlamenti”, tha Meta.

Po ashtu ai theksoi se Presidentit si Kryetar i Shtetit, i takon të jetë shembull i bashkëpunimit institucional.

“Dhe besoj se në këto dy vite kam bërë gjithçka për të vendosur këtë bashkëpunim, në respekt të plotë të Kushtetutës, shtetit ligjor dhe interesit publik”, tha ai.

Komisioni hetimor parlamentar për hetimin e Presidentit Ilir Meta në mbledhjen e djeshme vendosi të thërrasë Presidentin Meta më datë 6 shtator. Meta do të thirret për t’u pyetur rreth dekretit të tij për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit./atsh

Meta: Mezi pres të kthehem tek Parlamenti Read More »

Spiropali: Mazhoranca e hapur për dialog me opozitën, por pa kushte

Ministrja e Shtetit për Marrëdhënien me Parlamentin, Elisa Spiropali, theksoi se stina e re e politikës ka në qendër dy zhvillime shumë të rëndësishme, reformën zgjedhore dhe Integrimin në Bashkimin Europian.

Sipas Spiropalit, Partia Socialiste është shumë e hapur për dialog me opozitën brenda dhe jashtë Kuvendit, për të realizuar dhe adresuar të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR-it sa i takon reformës zgjedhore.

Ministrja Spiropali gjatë një interviste televizive nënvizoi se opozita në Kuvend ka qenë më produktive se ajo jashtë Kuvendit. “Kemi një opozitë në Kuvend, që ka qenë produktive. Kujtoj këtu se për çështje madhore ka qenë pjesëmarrëse dhe ka votuar, kujtoj këtu ligje të domosdoshme për Reformën në Drejtësi, duke e bërë më produktive se opozita e mëparshme, pavarësisht nënqeshjeve të opozitës pa mandate”, – tha Spiropali.

“Në këtë situatë politike të saponisur kemi përpara reformën zgjedhore, që do të jetë dhe kryefjala e diskutimeve parlamentare. Detyra jonë është që të kalojmë një reformë me mirëkuptim me opozitën në Kuvend, për të adresuar problematikat që lidhen me gjetjet e OSBE/ODIHR-it, në komisionin e reformës zgjedhore, ku bashkëkryetare është edhe përfaqësuesja e opozitës, zonja Hajdari dhe ka një vend dhe për opozitën e rrugës në atë tryezë”, – tha më tej Spiropali.

“Çështja tjetër shumë e rëndësishme është përgjigja nga Këshilli i Europës për çeljen e negociatave, e cila lidhet ngushtësisht me Reformën në Drejtësi. Ne tashmë pasi kemi kryer të gjitha detyrat presim implementimin e Reformës në Drejtësi. Ngrehina është gati, tani mekanizmi duhet të vihet në punë”, – tha Spiropali.

Lidhur me zgjedhjet e 30 qershorit, sipas Spiropalit, ishin një provë që opozita dështoi me turp në nismën e saj. “Ka qenë një situatë e ndryshme, zgjedhjet e 30 qershorit ishin ndryshe nga zgjedhjet e tjera. Ajo që ja dolëm të bëjmë është të realizojmë një palë zgjedhje, pavarësisht forcës e dhunës, dhe prandaj ishte një fitore për Shqipërinë, jo për PS. Shqipëria arriti të organizojë zgjedhje, të ketë qetësi atë ditë e të ketë mbështetjen e partnerëve tanë të rëndësishëm në ato zgjedhje. Ne, theksoi Spiropali, shpresojmë që opozita joparlamentare të reflektojë e të përgatitet për zgjedhjet e ardhshme, për t’u rifutur në sheshin e betejës elektorale”.

“Ne jemi të vendosur të respektojmë të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR-it. Ne jemi të gatshëm të depolitizojmë të gjithë procesin e administrimit të zgjedhjeve. Por opozita në rrugë ka shmangur çdo diskutim, duke dhënë argumente që nuk qëndrojnë”.

“Aspirata kombëtare për Integrim i përket Shqipërisë, jo mazhorancës apo opozitës. Jemi të gatshëm që për hir të kësaj aspirate të ulemi në tryezë, por jo të pranojmë ultimatum. Lulzim Basha humbje pas humbje vazhdon të këmbëngulë te qeveria teknike e ikja e Ramës, që u hodhën poshtë më 30 qershor, ku qytetarët shqiptarë e quajtën të dështuar këtë nismë. Ne e lexojmë drejt raportin e OSBE/ODIHR-it, prandaj duhet të ulemi me opozitën parlamentare e joparlamentare për t’i zgjidhur dhe përmirësuar standardet”, – tha Spiropali.

“Ne sa i takon Reformës Zgjedhore kemi dy synime kryesore: depolitizimin dhe votën e emigrantëve. Duhet të lëmë politikën e hurit dhe gurit, nuk i çoi askund krerët e vjetër të opozitës. Opozita ka dështuar me turp në aksionin e saj. Në u ktheftë në këtë rrugë, kjo është një humbje madhe për demokratët që duan një alternativë fituese”, – tha Spiropali.

E pyetur për rastin e Valdrin Pjetrit, Spiropali theksoi se shumë shpejt do të ketë një ligj që do rrisë kontrollin për kandidatët që do marrin pjesë në zgjedhje lokale apo qendrore. “Kandidati nuk zgjidhet vetëm nga kryetari i partisë, por nga e gjithë struktura drejtuese e saj. Partia nuk mund të bëjë hetim se çfarë ka bërë një person në moshën 20-vjeçare. Nuk është në tagrat e partisë, prandaj dhe Partia Socialiste do ketë një nismë ligjore për të përforcuar kontrollin mbi individët që zgjedhin të kandidojnë në zgjedhje qendrore apo lokale”, – tha Spiropali.

E pyetur për situatën e Presidentit, Ministrja Spiropali, nënvizoi se Presidenti Meta ka shkelur ligjin me të dyja këmbët. “Komisioni hetimor do përpilojë raportin dhe argumentet e saj se përse duhet shkarkuar presidenti. Më tej ky raport votohet në seancë parlamentare dhe në fund është Gjykata Kushtetuese që jep fjalën e fundit për këtë çështje. Por për ne situata është e qartë, Presidenti Ilir Meta ka shkelur ligjin me të dyja këmbët”, – përfundoi Spiropali. /atsh

Spiropali: Mazhoranca e hapur për dialog me opozitën, por pa kushte Read More »