Politike

Zëdhënësi i Metës: Nuk komentojmë asnjë dokument të klasifikuar

Pas bërjes publike të draftraportit të Komisionit të Venecias mbi anulimin e zgjedhjeve nga Presidenti Ilir Meta ka reaguar Zëdhënësi i Presidentit të Republikës, Tedi Blushi.

Ai iu përgjigj interesit të mediave duke sqaruar qëndrimin e tij kundrejt draftraportit.

“Nuk komentojmë asnjë dokument të klasifikuar, që na vjen nga institucione të ndryshme, përfshi edhe Komisionin e Venecias.

Aq më tepër që sot është data 27 shtator 2019, ndërsa ky dokument mban datën 29 shtator 2019.

Jemi të paqartë: është “ngatërresë” nga nxitimi, apo në datën 29 shtator 2019 do vijë një dokument tjetër?

Sa i takon çështjes në fjalë, qëndrimi im i mëparshëm është shumë i qartë: Zero shkelje të Kushtetutës!” – përfundon reagimi i Tedi Blushit. /atsh

Zëdhënësi i Metës: Nuk komentojmë asnjë dokument të klasifikuar Read More »

Opinioni i Komisionit të Venecias, Meta: “Zero” shqetësim, kam bërë mbrojtje të shkëlqyer të Kushtetutës

Presidenti i Republikës, Ilir Meta deklaroi sot se “ka bërë zero shkelje të Kushtetutës dhe ka bërë një mbrojtje të shkëlqyer të Kushtetutës dhe të pluralizmit politik”.

Në një intervistë televizive, Meta iu përgjigj pyetjes mbi opinionin e Komisionit të Venecias, që u publikua dje në medie.

Ai tha se “nuk ka asnjë shqetësim, shqetësimi është ‘zero’”. “Kur stafi ynë do të qartësohet se cili është drafti, i cilës datë është, apo do të vijë siç qarkulloi me data të ndryshme, përsëri përgjigja e institucionit të Presidentit do të jetë publike dhe për këtë draft dhe do të jetë në dispozicion të qytetarëve, të të gjithë partnerëve ndërkombëtarë dhe në dispozicion të të gjithë anëtarëve të Komisionit të Venecias”, tha ai.

Meta tha se “jemi të qartë për këtë çështje dhe lidhur me idenë e një drafti që ka rrjedhur është gjëja më e parëndësishme”.

“Kam zero koment për këtë çështje sepse e kam shteruar me kohë edhe si president, por edhe si institucion mbrojtjen e shkëlqyer dhe parimore të Kushtetutës, pluralizmit politik, të drejtës së zgjedhjes sipas vetë Këshillit të Europës, Konventës Europiane të të drejtave të Njeriut, sipas detyrimeve të pashmangshme që burojnë nga marrëveshja e Shqipërisë me BE për marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, edhe sipas vetë vendimit të qartë që ka marrë Gjykata e Strasburgut për të sqaruar se zgjedhje nuk do të thotë procedurë dhe proces mekanik votimi, pra pa alternativë, por do të thotë mundësi për të ndikuar, për të zgjedhur, zgjedhje në kuptimin substancial”, tha Meta.

I pyetur nëse i trembet Venecias, Meta tha: “Si mund t’i trembet Venecias, Luani i Artë i Venecias të paktën për këtë vit. Të jeni të sigurt se Luani i Artë i Venecias për këtë vit do të jetë siç e ka mbajtur premtimin deri më 24 korrik”.

Apeli im, tha Meta, “është që të gjithë të përqendrohen në zgjidhjen e krizës dhe të marrin shembull nga Presidenti në respektimin e Kushtetutës dhe parimeve të saj të cilat janë të shenjta për mua”. /atsh

Opinioni i Komisionit të Venecias, Meta: “Zero” shqetësim, kam bërë mbrojtje të shkëlqyer të Kushtetutës Read More »

Alibeaj: Dy emërimet e reja në Policinë e Shtetit persona të inkriminuar

Partia Demokratike reagoi sot lidhur me dy emërimet e reja në postet e larta drejtuese në Policinë e Shtetit.

Përmes një deklarate për shtyp, ish-deputeti i PD-së, Enkelejd Alibeaj reagoi për emërimin e drejtori i ri të Policisë së Lezhës Erigert Mitri dhe atij të Policisë Rrugore, Edmond Targaj.

“Partia Demokratike i ka denoncuar të dy këta drejtues të inkriminuar të policisë që në vitin 2016, por me mbrojtjen e duhur politike, ata jo vetëm nuk janë ndëshkuar nga drejtësia, por po riciklohen sërish dhe po ngjiten në karrierë si drejtues të policisë për t’i shërbyer pushtetit të korruptuar”, tha Alibeaj.

Sipas tij, “prioriteti i Edi Ramës është t’i japë krimit të organizuar dhe trafikantëve të drogës garanci dhe mbrojtje politike për t’u pasuruar së bashku dhe për të blerë zgjedhjet së bashku”.

“Zgjidhja e vetme për të cilën vendi ka nevojë është ndarja e politikës nga krimi, dekriminalizimi i Policisë së Shtetit dhe drejtimi i vendit nga një qeveri e pastër, që nuk i shërben krimit, por qytetarëve”, tha Alibeaj./atsh

Alibeaj: Dy emërimet e reja në Policinë e Shtetit persona të inkriminuar Read More »

Gjermania pro hapjes së negociatave, Hahn: Njohja e progresit, shtysë për reformat

Johaness Hahn, Komisioneri për Zgjerimin në Bashkimin Europian ka regaguar pas votimit në Bundestagun gjerman pro hapjes së negociatave të pranimit në BE për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Hahn e mirëpret votimin e Bundestagut në favor të hapjes së negociatave për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë në tetor.

“Njohja e progresit konkret është thelbësore dhe një shtysë për reformat në Balkanin Perëndimor si dhe për besueshmërinë e Bashkimit Europian”, – thotë komisioneri Hahn.

Hahn ka qenë një nga mbështetësit më të fortë dhe kontributorët kryesorë për hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, për ta bërë Ballkanin Perëndimor, më në fund, pjesë të Bashkimit Europian. /atsh

Gjermania pro hapjes së negociatave, Hahn: Njohja e progresit, shtysë për reformat Read More »

Vendimi për hapjen e negociatave të Shqipërisë me BE-në, Balla: Faleminderit Bundestagut

Kryetari i Grupit Parlamentar i Partisë Socialiste përshëndeti mbrëmjen e sotme vendimin e Bundestagut për fillimin e bisedimeve për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.

“Faleminderit. Bundestagu votoi me 395 vota PRO fillimit të bisedimeve për anëtarësim. Gjithashtu, 188 kundër (ndër ta pjesa më e madhe e djathta ekstreme AFD) dhe 16 të pavendosur”, -tha Balla.

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste ndodhet në Berlin kur prej disa ditësh k zhvilluar takime lobuese me deputetë të kaheve të ndryshme politike pro vendimit për hapjen e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian./atsh

Vendimi për hapjen e negociatave të Shqipërisë me BE-në, Balla: Faleminderit Bundestagut Read More »

Hapja e negociatave/ Spiropali: Ne i kemi bërë detyrat, këtë e konfirmon edhe Bundestagu

“Opozita është e mirëpritur për dialog, por Lulzim Basha është në një pozicion të vështirë, ka dalë nga sistemi dhunshëm dhe besoj ka presion për të mos hyrë në sistem”, tha sot zëdhënësja e Qeverisë, ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, e ftuar në një studio televizive.

Duke folur për tryezën për reformën zgjedhore të iniciuar nga OSBE, Spiropali tha se “ajo tryezë është e domosdoshme për të filluar një proces dialogu për reformën zgjedhore”.

“Me vjen keq që opozita jashtë parlamentare zgjedh të braktisë këtë tryezë dhe ambasadori i OSBE-së zgjodhi të thoshte se ishte i palumtur me situatën. Megjithatë ishte një hap i parë ardhja e tyre në tryezë në nivel teknik me zotin Kaso, por i pakuptueshëm me largimin e tyre”, – tha ajo.

Në lidhje me kthimin në sistem të opozitës, Spiropali theksoi se “besoj që Lulzim Basha është në një pozicion të vështirë për sa i përket pozicionit që ai duhet të ndjekë me reformën zgjedhore dhe me sistemin në tërësi për arsye që kuptohet ka dalë nga sistemi dhunshëm dhe besoj ka presion për të mos hyrë në sistem”.

Për sa i përket reformës zgjedhore, Spiropali tha se “do ta ndajmë në dy pjesë, ashtu siç përcaktohet nga deklarata e CDU/CSU apo partnerëve tanë. E para, ka të bëjë me rekomandimet e ODIHR, dhe ato ndryshime në mund t’i kalojmë me opozitën parlamentare dhe duhet ta bëjmë shpejt, sepse nuk është një reformë e PS-së, por e Shqipërisë. Pjesa e dytë që lidhet me diskutime për sistemin apo ndryshimet e sistemit, patjetër ne kemi nevojë për një tryezë të gjerë”.

Për sa i përket kërkesës së opozitës për largimin e Gjiknurit, Spiropali tha “jemi të gatshëm të bëjmë gjithçka edhe në nivel individësh, edhe nivel partie, por nuk ishte ky qëllimi i Kasos në tryezën për reformën zgjedhore, por ai artikuloi faktin se ne nuk kemi problem me sistemin, as me rekomandimet e OSBE/ODIHR, ata flasin në nivel politik. Por edhe nëse Gjiknuri do të dorëhiqet, sërish, opozita vendos kushte politike”.

“Jo ne, por shumëkush e kupton që PD nuk e di se çfarë kërkon. Nëse ajo kërkon standarde le të vijë në tryeza. Nuk mund të vish me kushte Gjiknuri ik, Rama ik, qeveria ik, e të vijmë ne. Kjo është një politikë primitive e vendosjes së kushteve”, – tha ajo.

Në vijim, Spiropali shtoi se “ne nuk kemi nevojë për opozitë jashtëparlamentare për të kaluar ligjet për reformën zgjedhore dhe debatin e bëjmë me opozitën parlamentare, po ne zgjodhëm dhe këmbëngulëm që opozita jashtëparlamentare të kishte një vend në tryezë, madje dhe një votë, në mënyrë që të mos përjashtojmë një forcë të madhe”.

Spiropali tha se nuk e përjashtojmë opozitën parlamentare, përtej kërkesës së PD-së për ta përjashtuar nga reforma zgjedhore.

“Kaso, në kërkesën e tij tha se reforma ka të bëjë nga dy aktorë: mazhoranca dhe opozita jashtëparlamentare me ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve duke përjashtuar opozitën parlamentare. Por ne s’kemi ndërmend ta përjashtojmë, sepse respektojmë institucionet. Opozita parlamentare është më e vlefshme për parlamentin se opozita që na hidhte bojë dhe çizme e gurë. Kjo opozitë na ka vënë në vështirësi për çështje të vërteta sesa opozita tjetër”, – tha ajo.

Për sa i përket bashkëpunimit për reformën zgjedhore, Spiropali tha se “ne kërkojmë gjithëpërfshirje me të gjithë aktorë opozitë parlamentare dhe jo parlamentare, pra ne duam një reformë më të gjerë zgjedhore”.

Për sa i përket votës së Bundestagut gjerman, Spiropali tha se “shumica parlamentare i ka dhënë qeverisë dhe kancelares Angela Merkel dritën jeshile për të votuar pro çeljes në negociatave të Shqipërisë në BE dhe është një lajm i mirë”.

Për sa i përket kushteve, Spiropali dhe se kushte ka me qindra që ne do t’i presim pas hapjes së negociatave, por janë dy çështje të rëndësishme dhe e para është Reforma në Drejtësi.

“Ai dokument i CDU/CSU, thekson mbështetjen për rrjedhën që ka marrë reforma në drejtësi dhe kërkon thellimin e reformës në drejtësi. Kërkon hetimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve që kanë dalë nga sistemi për shkak të Vetingut, vënien në punë të SPAK, Gjykatës së Lartë, Gjykatës Kushtetuese. Ne i kemi bërë të gjitha hapat legjislativ si dhe mbështetjen financiare që këto institucione të funksionojnë. Gjykata Kushtetuese, Gjykata e Lartë në tetor do të përmbyllet faza e përzgjedhjeve të kandidatëve. SPAK, po ashtu”, – tha Spiropali.

Për sa i përket peshqve të mëdhenj, Spiropali tha se procesi i drejtësisë varet shumë nga monitorimi që i bëjnë ndërkombëtarët, sepse ne e kemi futur në kushtetutë OMN dhe nuk është çështje që e shtyn para qeveria, por në momentin që krijohet SPAK, BKH, Gjykata Kushtetuese, do ngrihen brenda afateve të pritshme dhe do kemi dhe rezultate.

“Ne kemi besim se ngritja e SPAK dhe BKH që është kërkesë specifike edhe në dokumentet e CDU/CSU, po bëhet sipas afateve dhe po ngrihet pas një pastrimit tërësor të sistemit të drejtësisë nga Vetingu. Këto kërkesa nuk janë se bëhen përpara, por në momentin që ulet në tryezë për të çelur negociatat. Ne besojmë se në tetor do të çelen negociatat e Shqipërisë me BE. Nga Gjermania na është dhënë drita jeshile. Gjermania ka qenë absolutisht mbështetëse, patjetër tashmë me mbështetjen e plotë të Kancelares ne do kemi një ‘Po’. Ne i kemi bërë detyrat, këtë e ka konfirmuar Komisioni dhe Bundestagu”, – tha ajo. /atsh

Hapja e negociatave/ Spiropali: Ne i kemi bërë detyrat, këtë e konfirmon edhe Bundestagu Read More »

Po-ja e Gjermanisë për negociatat, Rama: Do na duhet të përmbushim shumë kushte në çdo aspekt, të gjitha në të mirën tonë

Pas PO-së së marrë nga shumica e Bungestagut për çeljen e negociatave BE- Shqipëri, kryeministri Rama shprehet se “kemi çelur një rrugë që do na duhet të përmbushim jo dy, as nëntë, por qindra në mos mijëra kushte në çdo sektor për çdo aspekt dhe të gjitha këto janë në të mirën tonë”.

Në një intervistë dhënë nga Nju–Jorku, kryeministri i pyetur për këtë qëndrim të Gjermanisë, thotë se ky është vetëm fillimi i një procesi të vështirë. “Së pari, është qeveria gjermane që ka marrë nga shumica në Bundestag një dritë jeshile për të shkuar në Këshillin Europian me një “PO” për çeljen e negociatave për Shqipërinë.

“Çelja e negociatave do të thotë fillimi i një procesi aspak të thjeshtë dhe të gjatë përmbushje kushtesh. Që do të thotë se gjëja më minimale që do të mësohemi tash e tutje është se duke çelur negociatat, kemi çelur një rrugë që do na duhet të përmbushim jo dy, as nëntë, por qindra në mos mijëra kushte në çdo sektor për çdo aspekt dhe të gjitha këto janë në të mirën tonë. Kushtet e përcaktuara në dokumentin e partive të shumicës janë kushte, të cilat i bëjnë mirë vendit dhe të cilat i duhen vendit. Nuk është, le të themi, në interesin e drejtpërdrejtë të CDU-s që Shqipëria të ketë një proces ku të përmbushë ato kushte, është në të mirën e vendit tonë. Kjo është e mira e negociatave”, tha ai.

“Negociatat”, – sipas kreut të qeverisë, – “nuk janë për ta marrë Shqipërinë dhe për ta çuar fizikisht diku tjetër, por për ta bërë Shqipërinë një vend europian, ku njerëzit si pjesë e familjes europiane të jetojnë në të njëjtat kushte dhe të kenë të njëjtat kushte”.

Rama është mirënjohës ndaj kancelares Merkel për kontributin e saj për këtë PO nga Bundestagu dhe thotë se këtë Shqipëria e meriton.

“I jam shumë mirënjohës kancelares, e cila ka qenë pa diskutim forca kryesore në thyerjen e asaj barriere që kishim në Bundestag. I jam shumë mirënjohës edhe atyre në CDU, që nga Johann Wadephul dhe gjithë të tjerët, e kanë mbështetur Shqipërinë dhe kanë bërë gjënë e duhur, ashtu sikundër mirëkuptoj edhe ata që kanë qenë kundër. Ka qenë një debat i fortë përderisa ka pasur një shumicë “pro” dhe një pakicë “kundër”, që do të thotë që “pro”-ja ka hapur negociatat përsa i takon Gjermanisë, përndryshe, për çfarë është diskutuar e për çfarë votuar. Ne do t’u mbushim mendjen dhe atyre që do kishin bërë më mirë që të kishin votuar pro, sepse Shqipëria e meriton, por kjo duhet bërë hap pas hapi, me fakte dhe me prova”, – përfundoi Kryeministri. /atsh

Po-ja e Gjermanisë për negociatat, Rama: Do na duhet të përmbushim shumë kushte në çdo aspekt, të gjitha në të mirën tonë Read More »

Basha: Vendimi i Budestagut pozitiv, opozita nuk ka qenë pengesë për dialog

“Vendimi i Bundestagut është pozitiv, ku ka kontribuar edhe opozita”, – deklaroi sot kryetari i PD-së Lulzim Basha në një takim me gazetarët sot në selinë e PD-së, ndërsa ka theksuar se negociatat hapen pas plotësimit të 9 kushteve.

Në fjalën e tij, Basha tha se “në emër të PD dhe opozitës së bashkuar të garantojmë çdo qytetar shqiptar dhe partnerët tanë, BE, partnerët tanë strategjikë euroatlantikë se PD dhe opozita e bashkuar do të bëjë gjithçka që vendit t’i hapen sa më parë negociatat. Për këtë duhet një lexim realist i situatës, çka mungoi dje. Për herë të katërt Edi Rama i hapi negociatat dhe jo më kot mediet dhe rrjetet sociale i kujtuan mashtrimet e njerëzve çdo vit. Mediet kryesore, fatkeqësisht, iu bashkuan Edi Ramës në dasmën pa nuse. Por vetëm e vërteta na ndihmon të shkojmë përpara”.

“E vërteta është kur vendi të plotësojë 9 kushte të ndara në dy faza. Për herë të parë kemi një mekanizëm me dy faza, ndërkohë që Maqedonisë kapitujt do t’i përcaktohen që në konferencën e parë. Ndërsa ne kemi dy kushte, vënien në punë të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, reformën zgjedhore gjithëpërfshirëse. Konferenca e dytë do të ndodhë vetëm nëse janë zbatuar 7 kushtet e tjera”, – theksoi ai.

Basha thekson se vendimi i Bundestagut ishte pozitiv dhe ky është dhe kontribut i opozitës.

“Ndonëse ngjarja e tërmetit nuk ndodhet më në fokusin e medieve për shkak të një tërmeti politik, siç ishte vendimi i Bundestagut, nga njëra anë pozitiv për të cilën jam mirënjohës partive si motra CDU/CSU. Ky është dhe rezultat i një punë katërmujore të opozitës për të bindur atë pjesë skeptike të forcave politike, sepse një jo e prerë siç mbizotëronte në atë kohë nuk do të ndihmonte Shqipëri dhe shqiptarët”, – tha ai.

“Do të garantojmë të gjithë partnerët tanë se PD opozita e bashkuar do bëjnë gjithçka që vendi të hap sa më parë negociatat”, – tha ai.

Më tej, Basha tha se zgjidhja e krizës kërkon vullnet politik.

“Zgjidhja politike nuk kërkon vetëm ndryshime ligjore dhe legjislative, por kërkon mbi të gjitha vullnet politik dhe zgjidhje politike dhe nuk mund të vijnë nga shkaktarët e kësaj krize. Është moment ku Rama dhe PS-së duhet të reflektojnë që t’i hapin rrugë zgjidhjes së krizës. Ne si opozitë po e trajtojmë këtë moment me përgjegjësi të madhe dhe po prodhojmë një plan antikrizë, një plan kombëtar për ta nxjerr vendin nga kriza. Ne jemi të gatshëm të kryejmë përgjegjësit tona”, tha ai.

Në lidhje me dialogun politik dhe uljen në një tryezë me Kryeministrin Rama, Basha tha se “as un dhe as PD dhe as opozita e bashkuar nuk kanë qenë pengesa për dialogun politik për t’i dhënë fund krizës”.

“Dua ta përsëris për çdo shqiptar. PD i ka thënë po propozimit të partnerëve ndërkombëtarë që më 9 qershor, ai që ka refuzuar propozimin për zgjidhjen e krizës është Edi Rama, sepse donte të kapte pushtetin lokal”, – tha ai.

Duke folur për Reformën Zgjedhore, Basha tha se ne jemi të gatshëm për të dhënë kontributin tonë për këtë reformë.

“Duke qenë se Reforma Zgjedhore është dhe një nga kushtet për integrimin europian të vendit, opozita e bashkuar është e vendosur të mbështesë realizimin e saj, por siç e kemi theksuar edhe sot duhet një reformë e vërtetë zgjedhore që mund të zbatohet vetëm nga institucione dhe parti politike që kanë vullnet për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme. Në këtë kuptim të gjithë personat dhe partitë politike, subjekte të hetimeve penale 184, 389 dhe hetime të tjera, janë në kushtet e konfliktit të interesit si me zgjedhjet të lira dhe të ndershme, si me reformën zgjedhore që ka nevojë vendi. Për këto arsye në kemi insistuar fort në atë parim që ne besojmë, ne kërkojmë që ky proces të jetë transparent, gjithëpërfshirës duke përfshirë në garantimin e reformës zgjedhore gjithë përfaqësuesit e grupeve të interesit dhe të shoqërisë civile. Angazhimi ynë kryesor për këtë reformë është ligji për financimin e partive politike dhe të fushatave, ku ne kemi propozim konkret financim 100% publik dhe kriminalizim të çdo financimi jo publik”, – tha ai.

Po ashtu, Basha tha se procesi i Reformës Zgjedhore të drejtohet nga një strukturë e përbërë nga përfaqësues të organizatave ndërkombëtare dhe të partnerëve tanë OSB/BE/SHBA.

“Prandaj kemi kërkuar sot që ky proces të jetë transparent, gjithëpërfshirës dhe publik. Gjithëpërfshirës, jo thjeshtë me opozitën. Ka një opozitë vendi dhe një parlament monist, por ne kërkojmë përfshirjen e të gjithë grupeve të interesit. Natyrisht ne jemi të hapur dhe mbështesim dhe çdo diskutim për sistemin zgjedhor, por siç e thashë, Komisioni Parlamentar për Reformën Zgjedhore nuk e ka legjitimitetin, pasi nuk është prodhim i një parlamenti legjitim. Për pasojë një komision që ka në përbërje individë që duhet të ishin prapa hekurave nuk mundet kurrsesi të japë garanci zgjedhore, sikundër komisioni që nuk ka përfaqësues të opozitës nuk mund të japë garanci për zgjedhje. Ndaj kemi propozuar sot që ky process të drejtohet nga një strukturë e përbërë nga përfaqësues të organizatave ndërkombëtare dhe të partnerëve tanë OSBE/BE/SHBA dhe tjerë faktorë. Të drejtohet nga një përfaqësues i parlamentit dhe një përfaqësues i opozitës së bashkuar dhe projekti i dakordësuar të prodhojë një produkt që të miratohet pa lojëra politike”, – tha ai./atsh

Basha: Vendimi i Budestagut pozitiv, opozita nuk ka qenë pengesë për dialog Read More »