Politike

Rama, ftesë opozitës: Nëse jeni patriotë, duhet urgjent bashkërisht të bëjmë Reformën Zgjedhore

Kryeministri Edi Rama i ka lëshuar një tjetër ftesë bashkëpunimi opozitës në të mirë të përbashkët të Shqipërisë dhe shqiptarëve, për një vendim pro çeljes së negociatave nga Këshilli i Europës. Duke iu drejtuar veçanërisht partive jashtë Parlamentit, Kryeministri tha se duhet të ulen sa më parë për të realizuar një nga kushtet e Gjermanisë, reformën zgjedhore.

“Nëse jeni patriotë të vërtetë dhe e keni të ndarë Europën nga qeveria socialiste, duhet urgjent bashkërisht të bëjmë Reformën, si fazë të parë. Jo të mbyllim Komisionin e Reformës, por t’i marrim një e nga një rekomandimet e ODIHR. Ato janë e zeza mbi të bardhë. Merren dhe futen në ligj dhe me atë letër i thuhet Gjermanisë mike, avokate e çeljes së negociatave sot, ne i kemi plotësuar të dyja këto. Pastaj vazhdojmë ne flasim për sistemin, flasim për votën e emigrantëve, të cilën edhe pa ju do e bëjmë,” tha Kryeministri.

Ai i është përgjigjur edhe kreut të PD në lidhje me ofertën e tij për zgjidhjen e krizës.

“I thotë një këmbësor që rri te hija e fikut një makine: “hap krahun”?! “Ta kemi dhënë planin, zbatoje!” Ou? Me çfarë dekreti minor e ke marrë të drejtën që të më çosh mua planin? Kë përfaqëson? Megjithatë, ata janë të mirëpritur në çdo moment. Unë ju kam të gjithëve njësoj. Juve këtu dhe ata atje. Madje për ata kam pak më shumë dhimbje dhe kujdes se ata kanë një hall më të madh,” tha Rama.

“Reformën zgjedhore mbi bazën e rekomandimeve të OSBE/ODIHR ta bëjmë menjëherë, urgjent! Ata që janë jashtë nuk e duan. Ju që jeni brenda s’keni pse mos ta doni. Ata që janë jashtë nuk e duan, sepse një nga gjërat që duam të bëjmë bashkë është që të mos ketë komisione politike. Kjo është e mirë për të gjithë, e të tjera gjëra që janë të shkruara aty. Unë e di që ju keni ide të tjera të vlefshme. Edhe ne kemi ide që mund t’i dëgjoni, s’është e thënë t’i pranoni. Edhe ata kanë ide, por s’janë këtu. Kështu që, të bëjmë Reformën Zgjedhore, të presim të plotësohet Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë dhe tu themi miqve gjermane, se nuk e dimë çfarë mund të ketë në vendim, mund të ketë kushte të tjera, por, për sa flasim dhe atyre që iu kemi borxhin më të madh në këtë proces, këto dy kushte t’ua bëjmë dhe le të përfitojmë pastaj pozitivisht nga qenia e tyre në krah me ne, sepse kushtet tyre janë plotësuar. S’mund të presim këtu të biem dakord për të gjitha, por të biem dakord për Europën,” tha më tej Kryeministri.

Kreu i qeverisë tha se atë që duhet të bënte çdo shqiptar që e do vendin e tij dhe do ta shohë të ecë përpara, e ka bërë Kancelarja Merkel, e cila dha shembullin më të mirë edhe ndaj paudhësisë së opozitarëve që punuan për të dëmtuar Shqipërinë edhe në sytë e parlamentarëve gjermanë.

“Një shembull për të kuptuar diferencën mes kujt do ta çojë para procesin dhe kujt bën çmos të gjejë argumente që tu mbushë mendjen atyre që e kanë në dorë të bllokojë procesin: Ata që janë në rrugë mbushën dynjanë në Shqipëri dhe nëpër botë, iu bënë spam emaileve të parlamentarëve gjermanë, “s’ka Gjykatë Kushtetuese” dhe kancelarja iu tha, – “tani i kemi kërkuar Shqipërisë të bëjë vetingun dhe të pastrojë sistemin. Shqipëria nuk ka Gjykatë Kushtetuese se spastrimi ka filluar. Është sukses që është pastruar sistemi, apo është dështim fakti që s’ka Gjykatë Kushtetuese?!” Ja si argumenton dikush që mbështet Shqipërinë edhe me sytë e ftohtë të argumenteve, jo me mendjen e çoroditur të luftës për pushtet. Një shembull i mirë për tu mbajtur mend,” u shpreh ai. /atsh

Rama, ftesë opozitës: Nëse jeni patriotë, duhet urgjent bashkërisht të bëjmë Reformën Zgjedhore Read More »

Lleshaj: Ky vit konfirmoi çrrënjosjen e kanabisit, nuk ka kthim pas

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ka reaguar pas deklaratave të kreut të PD, Lulzim Basha. Në reagimin e tij, ministri shprehet se ka qenë pikërisht Basha në kohën kur ka mbajtur postin e ministrit të Brendshëm që lejoi lulëzimin e kanabisit në Lazarat.

“Nga gropa ku zhytet thellë e më thellë dhe bërtet fort e më fort, Lulzim Basha paska “zbuluar” se ky paska qenë vit rekord i kultivimit të kanabisit! Ky individ, që në biografinë e tij ka edhe Lazaratin, nuk meriton asnjë keqardhje, por keqardhja për ata që ende e ndjekin pas, rritet dita-ditës. Ky vit ka konfirmuar çrrënjosjen e kanabisit dhe kthim mbrapa nuk ka më!” shprehet ministri Lleshaj. /atsh

Lleshaj: Ky vit konfirmoi çrrënjosjen e kanabisit, nuk ka kthim pas Read More »

Reforma Zgjedhore, Basha: Të zbatohen 5 pikat e planit të opozitës

Në një konferencë me gazetarët, Lulzim Basha këmbëngul se reforma zgjedhore nuk mund të bëhet pa opozitën në tryezë.

“Vetëm në mendjen e një njeriu që nuk e do integrimin europian, që do që të fshihet prapë për dështimin tjetër të radhës për hapjen e negociatave, mund të thotë “e marr dhe e bëj vetë” reformën zgjedhore”, tha Basha.

Ndërkohë kryetari i PD insiston në planin me 5 pika të PD. Sipas Bashës, një reformë zgjedhore pa opozitën në tryezë nuk është reformë po një “serum për të mbajtur në këmbë një pushtet të degraduar”.

“Ky është shansi i fundit për Partinë Socialiste që të kontribuojë në zgjidhjen e krizës së rëndë politike, siç e ka konstatuar edhe dokumenti i Bundestagut. Opozita ka marrë përgjegjësitë e saj, ka hartuar një plan me 5 pika, prandaj, edhe një herë e përsëris: ta zbatojë jo për hir timin apo PD, por për hir të qytetarëve shqiptarë, që e meritojnë integrimin në Bashkimin Europian! Të mos fshihet pas dështimit të radhës dhe të mos tregojë me gisht këdo përveç vetes për këtë dështim, se vetëm ai është përgjegjës për këtë dështim. Të zbatojë planin ose të hapë krahun!”, – përfundoi Basha. /atsh

Reforma Zgjedhore, Basha: Të zbatohen 5 pikat e planit të opozitës Read More »

Kryemadhi: Rama t’u përgjigjet 5 pikave të opozitës, pastaj dialog

“Platforma me 5 pika, që i është dërguar kryeministrit Rama është një strukturë strategjike që kërkon palë nga mazhoranca dhe opozita për zgjidhjen e krizës politike”, tha sot në një prononcim për media para selisë së PD-së, kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, ndërsa theksoi se Rama t’u japë përgjigje pyetjeve dhe të vijë në PD.

Kryemadhi tha se “është një strukturë strategjike që thotë një palë nga mazhoranca, një palë nga opozita dhe një palë nga ndërkombëtarët. Ajo është një nga 9 pikat e kushteve të Bundestagut. E gjithë kjo strukturë dhe ato 9 kushte dhe janë të domosdoshme”.

Në lidhje me deklaratën e një dite më parë që Kryeministri bëri “se është i gatshëm të shkojë deri në PD për zgjidhjen e krizës politike”, Kryemadhi u shpreh se ai duhet të kthejë përgjigje për platformën dhe më pas të vijë për dialog në PD.

“Duhet të nxjerrim vendin nga kriza dhe t’i japim shansin të gjithëve për një jetë më të mirë. Kemi të pashprehur Francën dhe kemi Holandën me një qëndrim të frikshëm për Shqipërinë. Rama ka 5 kushte dhe duhet të kthejë njëherë përgjigje për ta dhe pastaj hajde në PD të flasim”, tha ajo. /atsh

Kryemadhi: Rama t’u përgjigjet 5 pikave të opozitës, pastaj dialog Read More »

Spiropali: Të gatshëm për dialog, por jo për të bërë pazare me opozitën

“Mazhoranca është e interesuar që opozita të ulet në tryezën për reformën zgjedhore dhe të diskutojë mbi çdo platformë që ka të bëjë me rregullat e lojës dhe me rekomandimet e OSBE/ODIHR”, deklaroi mbrëmjen e sotme ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali.

Gjatë një interviste televizive, e pyetur lidhur me deklaratën e kreut të PD-së, Lulzim Basha i cili tha sot se kryeministri Rama ka në tryezë planin e opozitës për reformën zgjedhore duke kërkuar që të zbatohet, Spiropali tha se këto janë shantazhe që mund të bëhen në kopësht, por jo në mjedisin politik.

Ajo tha se “ ne kemi qenë të gatshëm që të ulemi në tryezë me opozitën jashtë parlamentare edhe pse një opozitë që ka dorëzuar mandatet, nuk ka marrë pjesë në zgjedhje i është ofruar një vend në tryezën e Komisionit për Reformën Zgjedhore. Kanë vendin e tyre, kanë edhe veto madje, por opozita parlamentare është aty sepse i takon me ligj që të jetë në atë tryezë, por është bërë edhe vendi për ta”.

“Po ne nuk mbajmë përgjegjësi për takime apo tryeza të organizuara nga partnerët tanë ndërkombëtarë në bashkëpunim me ne, ku përfaqësuesit e opozitës ngrihen dhe ikin. Lexojnë trakte politike, deklarata që mund të bëheshin fare mirë nga zyrat e partive, i diskutojnë në këto tryeza ku duhet të diskutohen zgjidhje, të jepen opinione. Kemi një draft të plotë të të gjitha rekomandimeve të OSBE/ODIHR,jemi të gatshëm që atë ta kthejmë në ligj, ekzaktësisht siç i ka rekomanduar OSBE/ODIHR dhe madje kemi shkuar edhe më tej dhe kemi thënë, sillni ju propozimet tuaja dhe ne jemi të gatshëm t’i votojmë, por ne nuk mund të presim kënd dhe të zvarrisim një proces të tërë i cili është i lidhur ngushtësisht edhe më rrugën tonë të integrimit europian”, deklaroi Spiropali.

“Askush nuk na vendos dot kusht dhe kushtet nuk mund të jenë arsye për të penguar procesin”, nënvizoi Spiropali, duke shtuar se “do të ishte mirë që opozita jashtë parlamentare të bjerë dakord me rekomandimet e OSBE/ODIHR se aty nuk ka as çudira as surpriza, janë e zeza mbi të bardhë, por për çështje që shkojnë përtej nesh, nuk kemi asnjë kompleks jemi të hapur t’i diskutojmë në tryezë”.

Përsa i përket deklaratës së Bashës, ministrja thekson se “mund t’i besosh dhe të marrësh seriozisht një njeri i cili kur ka vënë ultimatume më parë i kanë ecur dhe thua po, ky është një njeri që i qëndron fjalës dhe ka një plan. Po një njeri që ka thënë se zgjedhjet me 30 qershor nuk do të bëhen se jemi ne këtu dhe zgjedhjet u bënë, një person që ka thënë se këtu do të ketë revolucion nëse Edi Rama nuk ikën dhe ja ku është Edi Rama, një njeri që ka kaluar nga Rama ik te Gjiknuri ik dhe gjithë kohën është duke ndryshuar strategjinë e tij elektorale. Më vjen keq po këto shantazhe mund të bëhen në kopësht, por nuk bëhen në mjedisin tonë politik sepse e para nuk mund të zgjedhësh dot tryezën ku je, e dyta nuk zgjedh dot kundërshtarët, kryeministri të ikë, ai tjetri të ikë, këta të gjithë të ikin se do të vijmë ne”, theksoi ministrja.

“Do të vish po, por në bazë të rregullave, me votë kur njerëzit të besojnë. Këta janë katandisur në pikën ku nuk ke më ku ti kapësh. A duam ne që këta të vinë në tryezë? Patjetër. Jemi shumë të gatshëm, çdo platformë që këta ta prezantojnë që ka të bëjë me rregullat e lojës, rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe atë që ne e bashkëndajmë ne jemi të gatshëm ti dëgjojmë dhe ti kthejmë në ligje. Ama, shantazhe të tilla nuk bëjnë dot. Edhe vetë e kanë kuptuar se vëmë re se opozita jashtëparlamentare po merr një kthesë”, tha ajo.

Ministrja riktheksoi se “mazhoranca është e gatshme të ulet në çdo tryezë për të diskutuar, por jo për të bërë pazare me opozitën”

“Ne të gjithë si faktorë politik duhet të jemi në një mendje dhe në një drejtim për këtë proces. Të kemi interesin kombëtar të parin pastaj analizat partiake. Ne jemi të gatshëm të ulemi në çdo tryezë, të diskutojmë, të mos bëjmë deklarata politike por të gjejmë zgjidhje, ama brenda Kushtetutës dhe ligjshmërisë dhe aspak jashtë kornizave. Nuk duam dhe nuk do të bëjmë pazar me ta. Për ne nuk ka kthim pas në Reformën në Drejtësi, që ka qenë një nga kërkesat e artikuluara nga Basha. E vetmja gjë që mund të bëjmë është reforma zgjedhore dhe këtë duam ta bëjmë bashkarisht. Më tolerancë dhe konsensus se kaq nuk besoj se ka ushtruar ndonjë qeveri më parë”, tha ministrja Spiropali./atsh

Spiropali: Të gatshëm për dialog, por jo për të bërë pazare me opozitën Read More »

“BE të nisë bisedimet me Shqipërinë”, ministri finlandez: Problemet e brendshme të disa shteteve nuk duhet të pengojnë zgjerimin

Ministri i Jashtëm i Finlandës, Pekka Haavisto, ka theksuar të mërkurën se qeveria finlandeze mbështet Shqipërinë për çeljen e negociatave me Bashkimin Europian.

Ministri finlandez, gjatë vizitës së tij në Tiranë, nënvizoi se problemet e brendshme të vendeve të BE nuk duhet të influencojnë në zgjerimin e saj drejt Ballkanit Perëndimor.

Sipas tij, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut ndodhen në Europë dhe BE duhet të vijojë procesin e zgjerimit në Ballkanin Perëndimor. Haavisto theksoi gjithashtu se vendi tij është mjaft i kënaqur nga bashkëpunimi me Shqipërinë.

Deklarata e Haavisto u bë sot, gjatë një konferencë të përbashkët me ministri në Detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj.

“Edhe për mua është kënaqësi që jam këtu në Tiranë. Patëm një bashkëbisedim të shkëlqyer me ministrin dhe stafin e ministrisë. Pikësëpari, faleminderit për ngushëllimet për viktimat e sulmit të tmerrshëm në shkollë që ndodhi në pjesën lindore të Finlandës, ku pati dhe shumë studentë të plagosur. Dua gjithashtu të shpreh keqardhjen për tërmetin që ndodhi në fund të shtatorit këtu në Shqipëri. Qeveria finlandeze dhe Bashkimi Europian kanë dërguar disa ndihma për të ndihmuar të dëmtuarit nga tërmeti”, – tha ai.

“Kjo nuk është hera e parë që takohemi, kemi pasur takime të shpeshta dhe frutdhënëse. Kemi qenë në Helsinkit. Finlanda në fillim të qershorit mori presidencën në BE. Qeveria jonë është një koalicion me pesë parti. Kemi një program ambicioz, jo vetëm në lidhje me zgjerimin e BE, por dhe sa i takon klimës dhe mjedisit, duke i vendosur BE objektiva ambicioze për t’u realizuar deri në vitin 2050. Ne jemi mbështetës të mirë, të fortë për zgjerimin e BE drejt Ballkanit Perëndimor”, – tha Haavisto.

“Ballkani Perëndimor nuk është në një cep të Europës, por është në qendër të Europës. Ne mbështesim bashkëbisedimet që po zhvillohen me Malin e Zi dhe Serbinë dhe tani duam që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut të nisin bisedimet. Ne nuk jemi të vetëm në marrjen e vendimit, por duhet që vendimi të ketë unanimitetin e të gjitha vendeve anëtare të BE”.

“Jemi në bisedime me gjithë vendet, por dhe me Tiranën në lidhje me progresin e bërë në shtetin ligjor, lirinë e shtypit, çështjen e të drejtave të njeriut, transparencës, jetën parlamentare, që janë shumë të rëndësishme, prandaj ju nxis të vijoni në rrugën që keni ndjekur deri tani. Këto ndryshime nuk bëhen për shkak të anëtarësimit në BE, por për zhvillimin tuaj. Ju jeni pjesë e Europës”, – theksoi Haavisto.

“Ka disa shtete në BE, që kanë problemet e tyre të brendshme, që nuk po ecin siç duhet. Por, problemet e tyre të brendshme s’kanë pse ta pengojnë procesin e zgjerimit. Ne jemi shumë të lumtur për të bashkëpunuar me Shqipërinë në shumë fusha. Jeni kandidat për Këshillin e Sigurimit në Kombet e Bashkuara, do nisni presidencën në OSBE, detyrë shumë e rëndësishme që ne në Finlandë e ndjekim me shumë vëmendje. Jeni vend anëtar i NATO-s dhe jemi shumë të kënaqur që jeni në këtë aleancë”, përfundoi Haavisto. /atsh

“BE të nisë bisedimet me Shqipërinë”, ministri finlandez: Problemet e brendshme të disa shteteve nuk duhet të pengojnë zgjerimin Read More »

“BE të mbajë premtimin”/ Schulz: Të hapen negociatat për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut

Ish-kryetari i Parlamentit Europian, Martin Schulz i ka bërë thirrje Bashkimit Europian për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

I pranishëm në forumin ‘The Economist’ për Ballkanin Perëndimor mbajtur në Shkup, Schulz tha se “mendoj se personalitetet duhet t’i mbajnë premtimet, sidomos në jetën politike. Shpresoj që në tetor Këshilli do të vendosë për nisjen e bisedimeve, ashtu siç është premtuar”.

“Shpresoj që të mos ketë vonesa të mëtejshme”, theksoi ish-kryetari i PE-së, duke u shprehur i sigurt “për një votë PO më 15 tetor”.

“Duke marrë në konsideratë që Gjermania dhe Franca janë dakord, shpresoj që kjo do të sjellë një impakt pozitiv”, deklaroi Schulz nga Shkupi. /atsh

“BE të mbajë premtimin”/ Schulz: Të hapen negociatat për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut Read More »

Basha me kryetarët e degëve: PD nis përgatitjet për zgjedhje të parakohshme

“Partia Demokratike nis përgatitjet elektorale për zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe të njëkohshme vendore”, ka deklaruar kryetari i PD-së Lulzim Basha në një takim me kryetarët e degëve të PD-së, gjatë analizimit të situatës politike ne vend, ndërsa ka shtyrë protestat për shkak të integrimit në BE.

Në takim, kryetari i PD-së Basha ka theksuar së tashmë partia duhet të fillojë menjëherë përgatitjet elektorale dhe për aksion politik.

“Vendi është në një krizë të thelle shumëplanëshe dhe detyra e PD dhe opozitës është të angazhohet seriozisht për të qenë pranë njerëzve dhe për t’i hapur rrugë perspektivës europiane të Shqipërisë.Opozita ka dhënë propozimet e veta për zgjidhjen e krizës në vend, qe kalon përmes zgjedhjeve të njëkohshme parlamentare dhe lokale të parakohshme, me qeveri tranzitore që garantin standardet për zgjedhjet e lira dhe të ndershme”, shprehet Basha.

Po ashtu Basha shtoi se pranë Partisë Demokratike do të ngrihet shtabi qendror elektoral dhe politik, shtabe që do të shtrihen në mënyrë piramidale në të gjithë vendin.

“Puna do të përqendrohet në planin e ofrimit te zgjidhjes për qytetarët, denoncimeve për aferat korruptive dhe kriminale të qeverisë, bashkimi i faktorëve dhe aktoreve me potencial njerëzor dhe elektoral pranë PD, si dhe hapja e partisë për njerëz me integritet profesional e moral” tha ai.

Gjithashtu, kryetari i PD Lulzim Basha i ka paraqitur Kryetarëve të degëve një kalendar të qartë dhe konkret pune, me përgjegjësi dhe afate të qarta.

Një tjetër diskutim i kryetarit të PD-së Basha me kryetarët e degëve ka qenë edhe shtyrja e protestave për shkak të integrimit të vendit në BE.

“Për aksionin politik, që përfshin edhe protestat, është vendosur që format dhe afatet të përcaktohen në një moment të dytë për të shmangur shfokusimin nga çështjet kryesore që janë aktualisht në vëmendje: fazën finale të zgjidhjes së krizës politike dhe procesi i integrimit europian”, është shprehur Basha. /atsh

Basha me kryetarët e degëve: PD nis përgatitjet për zgjedhje të parakohshme Read More »